PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK – PYETJET NGA SIGURIMI I SHTETIT, NË VITIN 1946
Memorie.al / Në historinë e kombit shqiptar, Kisha Katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shpeshherë shumë të çmuar. Fatkeqësisht, raporti që ndërtoi pushteti komunist në Shqipëri, me besimin në tërësi, solli si pasojë një valë represioni të paparë ndaj klerikëve të të gjitha besimeve në vendin tonë, veçanërisht ndaj udhëheqësve shpirtërorë të besimtarëve katolikë. Sipas përcaktimit që bën Imzot Rrok Mirdita: “Pavarësisht nga forca vigane, me të cilën kisha ka bartur peshën e kulturës kombëtare, pavarësisht nga drita e papërballueshme që ajo ka hedhur mbi hijet e historisë sonë të vjetër e të re, pavarësisht nga shpirti i flijimit që e ka shoqëruar orë e çast jetën e saj në vendin tonë, madje pikërisht për këto arsye, kundër Kishës Katolike në Shqipëri, janë lëshuar shumë rrebeshe, e njëri ndër më të tmerrshmit, ka qenë ai komunist, që bashkë me procesin e zhdukjes fizike të katolikëve më në zë, vuri në skenë edhe procesin e shtrembërimit të historisë, mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me Shqipërinë”.
MERREN NË PYETJE AT FRANO KIRI DHE AT ÇIRIL CANI
Proces-verbali i pyetjes së Padër Frano Kirit
Pas bisedës u kthye i biri i Sulços, e mbas pak kohe Dukagjini filloj të shkruaj ballista në Shkodër. Kështu që u prish vendimi që kishte marrë Dukagjini, për mos të qasur (forca) me përjashtim të partive, që vazhdoj të mos i qasi deri në fund që erdhi me luftë.
Në korrik të vitit 1944, kam qenë në Tiranë e këtu kanë ardhur dy vetë prej Dukagjinit, Vat Gjoni e Mark Sadiku, të cilët m’u lutën për t’u nxjerrë municion nga gjermanët. Atëherë unë u mora vesh me Padër Anton Harapin, i cili më dha nji letër për komandën gjermane, për të tërhequr njëzet arka me fishekë, nga të cilat nëntë do t’i merrte Lik Marashi dhe një e mora , të cilën ua shpërndava fshatarëve të Kirit.
Unë kam punuar kundra Lëvizjes Nacional-Çlirimtare si individ, por punë të organizueme, nuk kam bâ kurrë dhe nuk është e vërtetë se në Dukagjin jam dërgue me mision nga Kleri, për të organizue popullin kundra Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, kombëtarisht e kam pritë mirë, por si regjim e kam pritë keq, mbasi dihej se ishte një parti komuniste brenda.
Padër Gjon Shllaku më ka thënë në tetor të vitit 1945, se ka ardhur një autoritet i lartë nga Tirana, i cili ka folur për votimet e lira, prandaj duhet të formojmë Demokristianen. Unë në këtë rast i thashë, mos u pengo me këtë punë dhe u ndamë e nuk biseduem asnjëherë, deri sa u arrestova.
Pak ditë para zgjedhjeve, ka ardhur Gjelosh Luli, me një nga Tirana, që s’ia di emrin. E lamë në Kuvend të Arrës së Madhe me u takue me mue. Ai më foli për “Bashkimin Shqiptar” e mandej më tregoi se e kanë zgjedhur kryetar të saj, si dhe një ose dy mbledhje, që kishin bâ në Seminarin Jezuit me disa xhokojë, si p.sh. me Mark Çunin, Gjon Shllakun, etj. Mbas këtyre fjalëve i thashë se duhet të largohesh, se do të të diktojë qeveria e do marrësh veten më qafë.
Me Gjenarin Topallin dhe Ndrek Kakarriqin, kam bisedue mbi Demokristianen në Shqipëri e që të përdoret për kundra zgjedhjeve. Atëherë unë u thashë se kjo nuk bëhet, por vetëm ideja duhet të vazhdoj, mbasi është e mirë.
Në tetor 1945, kam shkue tek Ipeshkvi, Monsinjor Thaçi, ku kemi bisedue rreth Demokristianes, i cili nuk më dha pëlqimin as po dhe as jo. Si mbas mendimit t’em, Demokristiania është pjella e “Veprimit Katolik”, mbasi “Veprimi Katolik” s’mund të paraqitej haptas si parti politike, prandej u formue Demokristiania.
I arratisuri Mark Mala më ka shkrue dy herë dhe unë i jam përgjigj letrave të tij. Letrat m’i ka dërgue në Shkodër, me një djalë nga Dukagjini, që nuk ia di emrin. Në letra më ankohej se ishte tuj hjekë keq, e mandej më pyeste në se kishte ndonjë lajm të ri. Në këtë rast, unë i kam shkrue rreth Konferencës së Paqes, si dhe për atë të U.N.O.S.
Mandej i kam shkrue që mos të dëshpërohet, se kush e di si sillet puna dhe e kam porositë, të mos merrte në qafë popullin, etj. I kam dërguar katërqind franga shqiptare, në Berat, mbasi këtu qëndronin në internim.
Me anën e malësorit që thashë më lartë, Markut i kam dërgue një pallto të madhe dhe as di t’i kem dhënë ndonjë ndihmë tjetër, si Markut, ashtu dhe familjes së tij. Nuk është e vërtetë që unë t’i kam shkrue Markut që të qëndronte në mal dhe të organizonte shokë të tjerë, po ashtu nuk është e vërtetë, t’u kam dërguar ndihma të arratisurve të tjerë, siç akuzohem.
Për lëvizjen e Postribës, nuk kam ditë gjë përveç se, kur kanë ra pushkët, kam marrë vesh dhe as di të jetë organizue një punë e tillë, mbas daljes në shesh të organizatës “Bashkimi Shqiptar”.
Proces-verbali i marrjes në pyetje të Padër CIRIL CANIT
Më 27 shkurt 1947, në Zyrën e Seksionit të Sigurimit të Shtetit, Shkodër, në pranin e kapiten Zoi Shkurti, duke qenë pranë edhe sekretari i këtij seksioni, Fadil Rexhepi, u muar në pyetje Padër Ciril Cani, i të ndjerëve Pashko dhe Lules, i datëlindjes 1875, lindur në Shkodër e banues në atë kohë në Bajzë të Kastratit, të nënprefekturës së Koplikut, lagja Ivanaj, banues i përhershëm në Shkodër, i mvarun nga Provinçeliati, nënshtetësi dhe kombësi shqiptare, shtresë e mesme, me profesion prift, i pamartuar e pa fëmijë, i cili deklaroi:
Në vitin 1890, së bashku me njëzet xhakojë të tjerë, kemi shkuar në Bosnje të Austrisë, në qytetin Kreshevicë, për të studiuar. Mbas 15 vjetëve, jam kthye në Shqipëri, ku kam ardhun në Shkodër dhe kam gjetun si okupator në vendin tonë, Turqinë. Në shkollë, përveç mësimeve të përditshme, na kanë edukuar dhe frymëzuar se si të propagandonim e të ngrinim popullin, në luftë kundra okupatorit.
Për këtë gjë, profesorët na binin si shembull se filan frat, ka luftuar kundër Turqisë dhe âsht vrarë në luftë e sipër, si patriot dhe të tjera.
Me ardhjen në Shkodër, u emërova nga Provinçeliati si frat në Prevezë dhe mâ vonë në Dukagjin. Në Dukagjin kam ndenjur deri në vitin 1912. Gjatë kësaj kohë në këtë krahinë, kam bâ propagandë në popull për t’u ngritur në luftë kundër zaptuesit që ishte n’atë kohë (Turqija). Kështu që më para se të ngrihej flamuri në Shkodër, unë me iniciativën time, kam ngritur flamurin e Shqipërisë, mbi kishën e Shalës.
Në vitin 1908, âsht bâ konstitucioni në Turqi, d.m.th., rrëzimi i Sulltan Abdyl Hamitit dhe në kâmbë të tij, hypi nji tjetër. Më hypjen e tij, vendit t’onë ju vunë shumë kondita të rënda. Për këtë arsye, unë së bashku me popullin e Shalës dhe të gjithë Dukagjinit, ia nisëm pushkës kundra forcave ushtarake të Turqisë. Lufta është bërë në Qafë të Agrit, në Qafë të Ndërmanjes, në Majat e Shalës dhe në Qafë të Sterziqes; ndër këto vende âsht nisë pushka. Në këtë luftim, forcat t’ona dolën fitues dhe hynë në Shkodër.
Mirëpo forca të tjera të Turqisë, erdhën përsëri në vendin t’onë dhe bënë që neve të dorëzonim armët. Bash në këtë kohë, më ka thirrë në Shkodër Pashaj. Më parë se të shkojshim me u paraqitë, i pari i jonë (Ipeshkvi) u muer vesh me Konsullatën Austriake, që ky të ndërhynte dhe të bisedonte me Pashën. Kështu që kur ynë kur kam shkuar me u prezantue, Pasha më tërhoqi vërejtje, për punën e keqe që kisha bâ kundra Turqisë dhe më këshilloi që mos të përsëritsha mâ, të tilla gabime.
Në vitin 1913, mbas ikjes së Turqisë, Mali i Zi sulmoi Dukagjinin. Unë (Padër Ciril Cani) mobilizova popullin në luftë kundra forcave të Malit Zi. Por këtë here, forcat malazeze u thyen dhe nji pjesë e tyre u zunë rob nga forcat t’ona. Mbas pak kohe, forcat të tjera malazeze sulmuen për herën e dytë Dukagjinin. Në këtë kohë, jemi gjetun të papërgatitur dhe s’mundëm t’i përballonim dot forcat malazeze.
Unë (Padër Cirili), si një nga prijsat e popullit, në atë kohë jam ilegalizuar dhe kam ndenjun për shtatë muaj i fshehur në Berishë. Mirëpo një komandant i Malit të Zi, më ka çuar lajm që të dorëzohesha, mbasi isha në besë të tij dhe se nuk do të më pushkatonin. Jam dorëzuar dhe së bashku me komandantin, kemi shkuar drejt e tek prefekti në Shkodër, i cili ishte malazez.
Si u prezantova me të, më këshilloi se s’kisha bâ mirë qi kisha ngritun popullin kundra forcave malazeze. Në mbarim të bisedës, prefekti më tha se; po deshe ti, neve po të bâjmë si qeveritarin t’onë në Dukagjin, mirëpo unë këtë gjâ, se pranova. Mbas kësaj ngjarje, s’kam shkuar në Dukagjin, për arsye se kisha frikë se mos më vrisnin në befasi, por kam ndejtun në Shkodër.
Me ardhjen e Zogut në fuqi, Arqipeshkvi, Monsinjor Serreqi, ishte në lidhje të plotë me qeverin e Zogut dhe kishin biseduar me të që një nga pjesëtarët e Kishës Katolike, të merrte pjesë në punën që do të bënte Zogu. Për këtë arsye Monsinjor Serreqi më thërret në Kuvend dhe më ngarkon si nënkomandat të forcave të Shkodrës. Si komandant ishte Rexhep Shazi (Shala), kurse Sylçe Begu, Muharrem Kazazi dhe Man Hoti, ishin si anëtar të Komandës.
Unë, gjatë kësaj kohe, kam propagandua në të gjithë Malësinë e Shkodrës, që të bënin fli të gjithë pasunin dhe mâ në fund dhe jetën, për të mirën e vatanit. Me këtë propagandë që kam bâ në ato vende, kam bâ që e gjithë Malësija, të dalin me armë dhe të bashkohen me forcat tona, që ishin në luftë kundra Malit të Zi. Lufta ka vazhduar për gjashtë muaj rresht dhe malazezët u thyen dhe neve shkuem deri në piramidat e kufinit t’onë.
Gjatë kësaj kohe, ka ardhur për të vizituar frontin, Ahmet Zogu së bashku me gjithë suitën e tij. Në mbarim të luftës, më ka ardhur grada kapiten, e cila m’u dha në bazë të punës që kisha bâ. Në vitin 1924, Zogu iku dhe erdhi opozita. Unë jam bashkuar me qeverinë e Fan Nolit, mbasi shokët e mi, si Luigj Gurakuqi, Rexhep Shazi (Shala), Gaspër Mirashi, u bënë pjesëtarë të qeverisë.
Në këtë kohë, forcat zogiste të ndihmuara nga Jugosllavët, kanë sulmuar qeverinë e opozitës dhe mbas një luftimi të shkëputur morën qeverinë. Me ardhjen e qeverisë së Zogut, unë jam arrestuar dhe futur në burg, për disa ditë. Jam burgosë nji herë tjetër, në kohën kur Dukagjini sulmoi Shkodrën (kryengritja e Dukagjinit 1926). Në këtë kohë, kam ndejë gati pesë muaj në burg dhe mâ vonë jam liruar.
Si jam liruar, kam ardhun në Shkodër dhe jam emëruar si Frat në Rubik të Mirditës. Bash në këtë kohë, në Rubik vjen Konti Çianua për të vizituar dhe kontrolluar punën që bëhej aty. Ky ndejti vetëm nji ditë dhe në këtë ditë, kanë ardhur mjaft katundarë për t’i bâ vizita. Mbas tij ka ardhur dhe Jakomoni, i cili ishte si kryetar i Legatës italiane në Shqipëri. Punëtorët, teknikët dhe specialistët italian, që punonin aty, kanë buejt në qelën tonë, për dy vjet rrjesht.
Për këto na paguenin në vit si qira, pesëqind franga shqiptare. Gjatë kësaj kohe, italianët kanë bërë propagandë fashiste në Rubik, duke propaganduar në popull se; Italia fashiste është nji regjim për popullin dhe juve kini për të parë të mirën e tyre, atëherë kur juve të bashkoheni me neve, do t’ju ndreqim urat, rrugët dhe të tjera.
Me ardhjen e forcave italiane në Shqipëri, unë Padër Ciril Cani, jam ndodhur në Lezhë, ku kam pa se populli po përgatitej për të shkuar të luftonte kundra forcave italiane. Kam propaganduar dhe vetë që populli, të mos kursehej për këtë punë, mbasi ata na vinin si zaptuesa në vendin tonë dhe jo me të mirë. Gjatë kësaj kohe, jam marrë vetëm me punët e kishës dhe nuk jam përzier me politikë.
Me ardhjen e gjermanëve dhe me ikjen e italianëve, nuk jam përzier, por kam ndejtur indiferent. Në këtë kohë (në kohën e gjermanëve), Padër Anton Harapi, Provinçial i Françeskanëve, u emërua Regjent. Unë di se për këtë punë, Padër Antoni ka marrun leje njëherë të Provinçiali, Padër Çiprian Nika, i cili ishte i pari i Fretënve në Shqipni.
Ky, Padër Çiprian Nika, është marrë vesh me Papën në Romë, për punën e Padër Anton Harapit dhe se përgjigja nga Roma ka ardhuar që Padër Antoni, të merrte përsipër Regjencën dhe të bënte pjesë në qeverin e atëhershme, që ishte nën gjermanë.
Në kohën e gjermanëve, atëherë kur forcat partizane po shtypeshin për rreth vendit t’onë, i kam shkruar Provinçialit, Padër Çipirian Nikës, se çfarë qëndrimi duhet me mbajtë, tash që komunistat po vijnë në vendin tonë. Ai nuk më është përgjigjë me letër, por kur kam shkuar në Kuvend, kam biseduar dhe më ka thënë se një herë duhet me ndejtë në punën t’onë dhe mos me u përzie.
Me Dom Lazër Shantojen, jam njohur dhe kam biseduar shumë herë çështjen e Shqipërisë dhe ai thoshte se; Shqipëria do të bahet e madhe me shqiptarët, si dhe me ndihmën e italianëve. Dom Lazri ka pasun shumë të shkuar me Padër Anton Harapin, Padër Gjon Shllakun, Monsinjor Volën, Monsinjor Thaçin dhe me të tjerë.
Kur partizanët hynë në Shqipëri, unë me thanë të drejtën nuk e kam dashtë, mbasi e urreja Partinë Komuniste, mbasi kjo parti është kundra fesë, kundra familjes dhe kundra zakoneve. Kur populli vinte dhe kërkonte ndonji skjarim nga unë, për komunistat, unë jam përgjigjur tekstualisht, siç kam thënë mâ sipër.
Përsa i përket kryengritjes së janarit të vitit 1945, që kryesohej nga Llesh Marashi, nuk di gjâ, por kam marrë vesh vetëm atë natë që forcat e Lleshit, po përgatiteshin për të marrë Koplikun dhe mâ vonë Shkodrën. Në këtë përleshje, me sa di unë, janë vrarë pesë vetë, ndër këta dy partizanë, njëri nga këta është vrarë në derë të kishës. Forcat e Lleshit hynë në Koplik dhe si pushtuan Komandën e Koplikut, kanë dashtë të hyjnë në Shkodër, por forcat partizane që erdhën nga Shkodra, sulmuan dhe thyen forcat e tij.
Elementë të pakënaqun në Kastrat dhe që unë kam biseduar me ta, janë; Gjon Martini, Kol Lleshi (që të dy të pushkatuar), Gjok Toma, Mark Luca, Tom Lika, Mirash Paloka dhe Gac Çuni, mësues nga Shkodra. Me Gac Çunin, që ishte mësues në Kastrat, kam biseduar më tepër se me të tjerët. Me këtë kam biseduar se qeveria e sotshme, po na merr tokat, po na ndërron fenë dhe zakonet tona, po na i burgos dhe po na i pushkaton kot priftërinjtë, duke mos patur faje, po na e mbyll Kuvendin, shkollat, etj.
Për të gjitha këto, unë isha i pakënaqun, si dhe Gaci. Gac Çuni, në bisedë e sipër, më tha se; në mal kam të arratisur dajën tim (Gjergj Vatën), me të cilin ishte në marrëveshje dhe i kishte dërguar letër. Kur Gac Çuni ishte në Shkodër dhe u vonue për ca ditë, unë (Padër Cirili) i kam çuar xhevap me Gjek Marashin nga Kastrati, që të takohesha me të dhe të na njoftonte, nëse kishte xhevap nga i arratisuri Gjergj Vata. Ai i ka thânë; “Thuaj Padër Cirilit, se s’kam marrë xhevap nga daja”.
I kam thanë Gac Çunit, në bisedat që kam bërë me të, se po të isha i ri, do të kisha dalë në mal, mbasi jam mërzitë shumë nga Çun Jonuzi, sepse ai më ka sulmue shumë here, si sabotator i punës së pushtetit, etj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm