Nga Blendi Fevziu
Pjesa e katër
Memorie.al / Mjeku dhe akademiku i njohur, Prof. Dr. Ylli Popa, me origjinë nga një familje e njohur me tradita intelektuale nga qyteti i Elbasanit, i diplomuar për Mjekësi në Bukuresht dhe në Moskë, në fundin e viteve ’50-të, pedagog i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë dhe themelues i shkollës shqiptare të Kardiologjisë, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, nga viti 1997 deri në 2007-ën, ish-deputet i Kuvendit Popullor para viteve ’90-të, i dekoruar me medalje dhe urdhra të ndryshme, si dhe me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, në vitin 2007, një rrëfim të gjatë për jetën dhe karrierën e tij si mjek dhe akademik, ka treguar për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Në rrëfimin e tij, Prof. Popa, është ndalur gjatë, duke treguar si u bë mjek i Enver Hoxhës, si mjekohej diktatori, takimi me Nexhmijen e Ramizin natën e fundit kur vdiq Enver Hoxha dhe si u njoftua lajmi, etj. Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh intervista e tij që po e publikojmë në disa numra.
Dr. Ylli Popa: Unë i thashë Teodor Kekos që kam filluar të shkruaj një artikull, e kam të perceptuar, pasi kisha filluar ta shkruaja, përgjysmë ishte. I thashë se po të donte, mund të vinte ta shikonte. Ai erdhi në shtëpi, pasi aty afër ishim. E lexoi dhe vuri duart në kokë: “Bo bo, – më tha, – po kjo është një bombë”! Të nesërmen më tha: “Shiko, gazeta ime, nuk ka tirazh e do të humbasë ky kryeartikull dhe është më mirë që ta dërgosh te ‘Zëri i Popullit’”.
Më dha edhe këshillë, që në fund fare, pjesa e fundit të lidhet me pjesën e fillimit, nga ana teknike, pasi unë nuk e dija dhe e bëra si më tha ai. Meqenëse ishte diçka artikulli e, mund të paraqiste rrezik për njerëzit e shtëpisë, unë i mblodha gruan, vajzën edhe dhëndrin që është Mihal Tase, mjek kardiolog. Iu thashë; “Merreni këtë artikull edhe shikoni, ta jap këtë për botim, apo jo”?!
Dhe cila ishte përgjigjja?
“Po, jepe”.
Po me strukturat e Partisë së Punës, e kishit konsultuar artikullin?
Me askënd.
Cili qe reagimi, pas botimit?
Reagimi ka qenë interesant shumë, sepse shumë njerëz, u treguan tejet të entuziazmuar. Pastaj, pas disa ditësh, e morën veten si me thënë nga ky shok, se ishte një shok i vërtetë. Filloi një situate xhelozie, që; “këtë artikull, mos e ka shkruar Ramiz Alia, edhe e ka vënë ky emrin…”?!
Po reagimi i Ramiz Alisë, cili ishte?
Jo vetëm reagimi i Ramiz Alisë, por i gjithë Byrosë Politike në atë kohë, ishte që; “mirë, ai dha mendimin e tij, nëse keni një mendim tjetër, uluni e shkruani për të dhënë një përgjigje”.
A keni pasur besim se Ramiz Alia, mund të kishte dorë, në transformimin e sistemit në atë kohë?
Ky ka qenë një opinion i përgjithshëm, që unë e mbaj mend shumë mirë, në atë kohë. Pasi vdiq Enveri, njerëzit kishin shumë shpresë se Ramiz Alia, do të bënte ndryshime. Por, kaloi një vit, dy vjet, tre vjet dhe ndryshime nuk ndodhën…?!
Për çfarë arsyesh, sipas jush?
Ishte disiplina e partisë, kishte anëtar Byroje, që ishin shumë të egër. Mua më ka ndodhur në atë kohë, se unë bëja vizita edhe nëpër shtëpi. Shkova te një oficer i vjetër, për shembull, i cili ishte i sëmure nga zemra dhe pasi piva kafen e shtëpisë, sipas zakonit, më thotë: “Ajo që pritesh shumë nga ai në atë kohë, nuk po realizohet. Nëse ka frikë ndonjë gjë, ose e pengon njeri, të dali e të na thotë me zë të lartë në televizor, ne që kemi luftuar, edhe pushkën mund ta kapim prapë, për ta ndihmuar”!
Ju keni marrë pjesë në takimin e Ramiz Alisë, me intelektualët, si e mbani mend atë takim?
E kam shumë të qartë. Unë atë ditë, kam qenë me temperaturë 39 gradë, ndonjë virozë apo gjendje gripale, por megjithatë vendosa të shkoj. Gjatë rrugës takoja njerëz të njohur që shkonin në mbledhje, asnjë nuk e dinte, se për çfarë bëhej mbledhja!
Askush nuk kishte biseduar me të, paraprakisht?
Jo. Shoku Ramiz, mori një karrige dhe u ul mes nesh aty. Mes 40 vetash që ne ishim aty, nuk e dinim as vetë ne, se për çfarë ishte. Ashtu siç e ka Ramizi, me shaka: “Hë more shokë, do filloni ju përpara, apo të filloj unë”?! Por, për çfarë të fillonim ne?!
Ai përpara foli për arritje të partisë dhe për presionet që bëheshin, thirrjet për ndryshime dhe që ne duhet t’i mbrojmë. Foli në mënyrë të ashpër, për armikun e klasës, etj., etj. Pastaj na pyeti ne, se; “si e mendoni këtë punë, për pluralizmin”. Aty pati një tutje të përgjithshme.
A është e vërtetë, që asnjë nga ju, nuk i kërkoi atij ndryshime?
Jo, ishte problemi që të ketë pluralizëm mendimi, apo pluralizëm partiak.
E përmendi dikush aty fjalën; pluralizëm partiak?
Po, po, që të gjithë thanë që; nuk është koha për pluralizëm. Por, në atë kohë dihej se, partia dëshironte pluralizëm mendimi. Ismail Kadare, për shembull, iu drejtua direkt: “Shoku Ramiz – i tha – unë jam shkrimtar dhe nuk merrem me politike”. Saliu foli për pluralizëm mendimi, nuk është koha akoma për pluralizëm partiak.
Me një fjalë, nuk u dha ndihmë. Kur dola që aty, takova një mjek, dhe i thashë: “Mor Beni, çfarë bëri shoku Ramiz kështu?! Po kjo mbledhje, donte edhe një përgatitje. Nëse ti mendon që, duhet pluralizëm partiak, merreni nja 4 ose 5 vetë aty edhe i thuaj përpara, që nuk ecet më kështu”.
Ju mendoni se Ramiz Alia donte, apo, nuk donte pluralizëm?
Deri aty nuk donte.
Jeni i sigurt?
Po, po, jam i sigurt.
Atëhere, cila ishte arsyeja e mbledhjes?!
Po druhesh, druhesh, nga të tjerët. Në atë kohë u fol që; “do bëhen demonstrata, do derdhet gjak”. Ramizi druhesh nga këto veprime. Për shembull, në artikullin tim, kishte reparte ushtarake në Vlorë, apo në Korçe, që kërkonin; “të vijë filani se çfarë ka dashur të thotë ‘Me kohë të humbur’”?! Domethënë, ishte nën presion.
Si i keni pritur ndryshimet e viteve 1990-të, për krijimin e Partisë Demokratike e, më pas…?
Si një ngjarje shumë të madhe, që patjetër do të kishte pasoja.
Pas 17 vitesh pluralizëm, mendoni se demokracia shqiptare, është ende problematike?
Po, këtë e mendoj.
Në ç’kuptim?
Ka shumë veprime që nuk përputhen me demokracinë sot. Prapë tranzicioni nuk ka mbaruar tek ne. Nga vitet ’87, apo ’88-të, unë isha deputet në atë kohë, dhe vjen një deputet nga Hollanda apo Belgjika, nuk e di. Këta për ta nderuar, siç bëhej në atë kohë, i bënin një shëtitje me makinë, deri në Vlorë, në Sarandë dhe rruga këndej nga Gjirokastra. Këtë deputetin, e shoqërova unë në Sarandë.
Në mbrëmje, në Sarandë, pamë në një kryqëzim rruge aty nga bregu, një grup fëmijësh të një kopshti, me bluza të bardha, të pastra, të kapur, bluza nga bluza secili, si ecje tradicionale dhe këndonin një këngë. Ky i huaji u mahnit dhe më tha: “Sa e lezetshme”?! Gjithashtu më tha se; “çfarë thotë kënga”, e unë ia përktheva në frëngjisht. “Interesant, – më tha, – por këta kur të rriten, do të jenë besnik të mëdhenj të partisë”.
Ne ç’kuptim?
“Ajo që merret në atë moshë, do të ngeli shumë gjatë”.
Pra, ju po thoni se formimi që ne kemi marrë, është shumë e vështirë të transformohet?
Po, shumë e vështirë.
Ky është defekti më i madh që kemi, sipas jush?
Po, ky është një nga defektet tona. Shumë nga veprimet tona të sotme, janë të asaj kohe.
Derivati i deformimit që kemi marrë në atë kohë?
Po. I tillë është edhe militantizmi partiak edhe sot.
Cili është niveli i mjekësisë shqiptare, apo nuk shkoni më?
Jo, nuk shkoj më.
Prej sa vitesh?
Prej 15-18 vitesh.
Si është dita juaj, me se e kaloni kohën?
Këtu unë tani, po pres prej 6 muajsh, të dorëzoj Akademinë e Shkencave, sepse mua më ka mbaruar mandati. E kemi caktuar vetë ne, për dy mandate, nga katër vjet, janë maksimalja dhe do të dorëzohet pa asnjë kompleks. Edhe unë pres ta dorëzoj këtë. Por, gjatë kësaj kohe, ndodhin edhe gjëra të papëlqyeshme. Ka disa ditë, që del një artikull në një gazetë. Gazetarja më citon mua, se unë kam dhënë një interviste atje, goxha të gjate, kur unë s’e kam dhënë këtë intervistë!
Por, si ka mundësi xhanëm?! Për probleme shumë të rëndësishme, ku unë jap rekomandime që anëtarët e Akademisë së Shkencave, të jenë shefat, e instituteve etj., etj,. Dhe që unë javën tjetër, do të jap emrat e Akademisë së Shkencave, kush janë këta?! Unë kritikoj Ministrinë e Arsimit, që pse reformën studentore, po e bën në këtë mënyrë?!
Nuk e keni dhënë ju këtë intervistë?!
Absolutisht asgjë. Madje, mora në telefon dhe i thashë. “Mirë, do të interesohem unë” – më thotë shefi i saj. Pastaj më bien këtu gazetaren. Ajo erdhi dhe filloj të qaje e shkreta, një vajzë e re. “Moj vajzë, – i thashë, – si ka mundësi që ti më citon mua, sikur ke biseduar me mua dhe ti je në fillim të karrierës tënde. Kështu do ta vazhdosh karrierën tënde…”?!
Cila ishte përgjigjja që morët?
Ajo filloi të qajë: “Më fal, më fal, më fal”.
Profesor, keni jetuar në tre kohë. Kohën e Mbretërisë, nuk po e fus luftën, kohën e komunizmit dhe aktualisht. Cila ka qenë më mbresëlënëse?
Ka qenë koha e luftës, interesante.
Përse?
Sepse ka pasur një orientim të tillë dhe një pjesëmarrje të tillë të popullatës, që ka qenë shumë e rëndësishme. Unë si fis, vij edhe nga familja Nosi, që ishte Lef Nosi dhe ai qe një personazh shumë i njohur dhe u pushkatua në atë kohë. Ai gjyshen time, e kishte mbesë.
Ai bie, vëllai i stërgjyshes sime dhe për të parë mbesën, vinte në shtëpi te ne. Në atë kohë, unë isha 12 vjeç, kalama akoma. Kisha rastisur në çardakun e shtëpisë. Ka ardhur Lefi dhe pinte kafe, ishte edhe Kol Paparisto, një personalitet biolog, si dhe pjesëmarrës i Luftës Nacionalçlirimtare.
Kola ishte i majtë dhe Lefi ishte i djathtë, si tani e mbaj mënd, që Lefi i jepte argumente që; “shiko se komunizmi është i keq, ata nuk kanë familje, motra martohet me vëllanë”, etj…! Kola mundohej ta shpjegonte, që; “nuk është ashtu, këto janë shpifje dhe ato kanë familje”, etj., etj.
Ky debat midis tyre, edhe u acarua pak. Por, aq sa mund të lejohet me acarimin. Mua më mbeti në mëndje që atëhere. Domethënë, kishte një pjesëmarrje në jetën politike të kohës, shumë të fuqishme. Llogarit që unë, isha 13 vjeç dhe djali i parë i shtëpisë.
Mua më lanë që të bënim propagandë, në zonat e Çermenikës, të tjerët ishin të armatosur, por unë isha 13-vjeçar në atë kohë edhe kam kaluar nga Funari i Elbasanit, deri në Orenjë të Çermenikës, fshat më fshat, për dy javë me radhë.
Paraqitnim një skeç, një pjesë teatrale gjoja, ku mblidheshin fshatarët që shikonin, se unë luaja rolin e një bariu të vogël, i cili më në fund u vra. Kur do më varrosnin, më vinin atë flamurin e kuq në trup dhe më thoshin: “Aman mos qesh këtu”, sepse mos dilte keq. Ishte e gjithë popullata e përzier.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka kërkuar dekorimin e Lef Nosit, për faktin që është një nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë së Shqipërisë?
Ai ka marrë pjesë në këtë akt, ka qenë ministri i Postës dhe ka qenë shume aktiv, njeri me dinjitet. Unë kur erdha në Akademi, një nga reformat që doja të bëja, edhe e bisedova me kolegët, njerëzit të cilët janë përzier me politikën në atë kohë, por nuk kanë lyer duart me gjak, të rishikoheshin.
Ai mund të ketë qenë me “Ballin”, apo me Zogun, ka marrë pjesë gjashtë muaj apo, një vit, ka punuar gjithë jetën me kontributin e tij, si ta humbasim këtë njeri neve. Kam biseduar me koleget e mi këtu, me Kristo Frashërin, me Rexhep Meidanin, me Shaban Demirajn, Jorgo Bulon, Eduard Sulstarovën etj., dhe kanë qenë të gjithë dakord.
Bëmë një konferencë për Ernest Koliqin, se ai ka qenë një figure që donim ta preknim dhe Jorgo Bulo e paraqiti në një mënyrë shumë dinjitoze dhe nuk e përmendi fare atë bashkëpunimin e tij me italianët, por kontributin që ka dhënë ai për letërsinë. Asnjeri s’e përmend këtë si një reformë në Akademi dhe që do të vazhdonte edhe më tutje”. Memorie.al