Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Vërtetë, nëntë vjet pas pushkatimit të martirit Hajri Pashai, do përfundonte para togës ekzekutuese edhe krimineli Feçorr, ashtu siç ia kish parathënë Hajriu, në 21 maj 1973. Pra, këto aftësi të veçanta parashikuese, nuk bazoheshin thjesht në urrejtjen që ndjenin për regjimin dhe udhëheqësit e tij kanibalë, po në analizën e thellë që u bënin dukurive të sistemit në vendlindjen e tij, Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera satelite të Lindjes komuniste: ku elitat udhëheqëse po hanin kokat e njeri tjetrit, vetëm e vetëm që të siguronin mbretërim të qetë dhe të gjatë për njëshat.
Gjatë viteve në burg, pata rast të njihja nga afër disa nga këta orakuj. Ata ishin elitë intelektuale në burgjet politikë, të formuar në shkollat më të zëshme të Perëndimit dhe Lindjes, përfaqësuesit më të spikatur të fushave të ndryshme, si profesorë filozofie, historie, matematike, kimie, letërsie; mjekë, inxhinierë, agronomë, politikanë, gazetarë, aktorë, artistë, teologë të të gjithë besimeve, etj. Natyrisht, s’ma lejon vendi t’i përmend të gjithë, po do veçoj më tipikët, me të cilët më qëlloi të ndaja ditët e skëterrshme në vitet e mundimshme të vuajtjeve e të shpresës.
Në burgje, vëzhgimi i jetës së brendshme politike apo i fenomeneve që ndodhnin jashtë, ishte kthyer mani. Sidomos intelektualët që i ndiqnin me përpikëri ngjarjet, i rendisnin kronologjikisht, i analizonin në detaje dhe mbasi debatonin në rrethet e tyre, dilnin me konkluzione konkrete. Parashihnin se cila do ishte pasoja dhe viktima e radhës, madje përcaktonin me saktësi marramendëse edhe kohën, kur do të ndodhte vetë ngjarja. Ishin pothuaj të pagabueshëm: ngjarja do realizohej medoemos, në kufijtë e limiteve kohor të parashikuar prej tyre. Gabimi i këtyre sondazheve, nëse do shpreheshim me termat e sotëm, kishte marzh të ulët, vetëm data e ndodhisë mund të spostohej paksa në kohë, po vetë ngjarja do të ndodhte, me sigurinë më maksimale të mundshme. Jam dëshmitar i disa rasteve të tillë dhe po përmend disa:
* * *
Rasti i parë i përket fillim-vitit 1969.
Në muajt janar apo shkurt, më dënuan një muaj izolim, për rrahje e mosbindje. Në birucat e kampit, pata rastin të isha në një qeli, me priftin Dom Mark Hasi. Ishte momenti kur m’u desh të kaloja provën e zjarrit apo, “Bangon e Provës”, siç ishte bërë zakon të thuhej për të burgosurin e ri, kur vinte rasti të përballej për herë të parë me ndëshkimin. Për këtë temë do flas në vazhdim, tani do rrëfej vetëm për aftësitë parashikuese të atij prifti të urtë, i cili më mbajti leksionet e para të purgjisë.
Pra, përfundova në birucën e izolimit, me sebepin se godita një spiun imoral dhe gjasme, për mosbindje ndaj policëve; por ky qe vetëm shkaku se pasoja vazhdoi gjatë. Mbasi refuzova kategorikisht të kërkoja ndjesë, më dhanë ndëshkimin aksi-mal: një muaj, në një qeli me priftin, në të ftohtin siberian të Repsit. Për rreth katër orë, më mbajtën lidhur pas shtyllës elektrike me tel bakri, pastaj më çuan në biruca. Atëkohë kampi kishte vetëm dy.
Në qelinë ku më futën, gjeta një burrë të moshuar me trup paksa grotesk. Ai ishte eshtërtrashë po shumë i ligur, me kokë mjaftë voluminoze për atë trup, ashtë e lëkurë. Në momentin kur më dhanë të shtymën e më plasën brenda, ai s’foli, po vazhdoi ecejaket përgjatë qelisë. Unë i qullur u struka në një kënd, dridhesha nga të ftohtit sepse, kisha kaluar pothuaj gjithë ditën i lidhur në shi.
Meqë isha rraskapitur nga qëndrimi i gjatë në këmbë; sapo u çlirova nga prangat siç e përmenda, u mbështeta në një kënd për t’u qetësuar. Nga biruca fqinje, më gërricën veshët dy zëra që më pyesnin, përse më kishin prurë të lidhur, etj. Iu tregova kush isha dhe ç’hall më kish pllakosur, mandej përmenda emrin e personit për të cilin gjendesha aty. Nga përtej murit ushtuan brohoritma, për gjoja aktin heroik që kisha kryer sipas tyre:
“Të lumtë, ja paske treguar vendin spiunit, maskarait, pederastit”!
“Bravo, sa të dal që këtu do të dhuroj një kile sheqer”! – premtoi njëri”.
“Unë një paketë cigare”! – tjetri, etj., etj.
Bash atë çast, një zë i fuqishëm basi shungulloi në hapësirën e birucës sime:
“Veçse, ruhu njitash”!
Jehona e këtij zëri, më stepi. Ushtoi edhe mbasi ai që foli e kish mbyllur gojën. U shtanga dhe e pashë me habi, ç’të qe ky burrë i moshuar, kockë e lëkurë, që kishte këtë ton kaq të rrallë!
“Ke m’u kthye tabelë qitje për operativin, njitash”!
Vazhdoi të ushtonte zëri i fortë, po çuditërisht i ëmbël e me nota të buta, i këtij plaku të shkrehur. Më pas këtë ton, e kam dëgjuar vetëm prej baritonëve lirikë. Pas dy javë peripeci, u bëmë miq. Dy ditët e fundit, më foli për ca tema, që s’i kishim rrahur gjer atëhere. Më mbajti një referat historie e filozofie, që më la mbresa të pashlyeshme në ndërgjegje dhe do ndikonte fort në formimin tim.
Por në këtë kapitull, do rrëfej vetëm për aftësinë parashikuese, përsa i përket kohëzgjatjes së diktaturës dhe momentit të rrëzimit të saj. Thuajse me saktësi matematike, në përfundim të një tirade të gjatë, konkludoi: “E njitash, du me t’kujtu se kjo gërbulë s’shuhet shpejt, do bahet bajagi gjatë, me i dal n’kry. Brezi i jem, si un dhe shum të tjer, kena me mbet rrugës, s’do kena as mundsi fizike dhe as moshë me ja mbërrit lirisë”.
“Dom Mark, ti je ende i ri, ndaj s’ke pse dorëzohesh! Ne besojmë te Amerika dhe bota demokratike, ata do ndërhyjnë dhe së shpejti gjeostrategjia do ndryshojë. Popujt lindorë do fitojmë lirinë, bashkë me ta edhe kombi ynë”! – e ndërpreva me optimizëm të pabazë priftin. Vërtetë ato kohë, mendoja, besoja dhe shpresoja në ato që shpreha.
“Më ka dalë, mos më ndërpre. Nesër dal nga qelia dhe s’e di nëse do kena ma shans m’u takue. Du me e çu fjalën deri në fund. Të thash dhe t’a përsëris, kjo asht rrugë e gjatë, duhen s’paku edhe nja dy dekata, për me i dal n’krye. Deri n’at kohë, ligjet e natyrës kan me ba t’vetën, un e shum’ t’tjerë t’moshës seme, kem me dek n’burgje e n’internime. Por nji pjesë duhet me pështue gjallë e, me përçu te brezat, t’tana k’to vujtje e mjerime, k’to sakrifica dhe martirizime. Fundja, dikush duhet me fol ene n’emnin tonë. E kush ma mir se ju t’rinjt, keni mundsi me e ba kët? E pra, duhet me pështue prej njitu! Atëher po dali te synimi, që desha me t’a shpalos që n’krye t’herës. Ti djal, duhet me pështu”!
Heshti, leksioni tepër i gjatë e kish lodhur. U mbështet i kapitur në qoshen e derës dhe mbylli sytë si për gjumë. Nuk i fola, prisja të vazhdonte. Po kur e pashë symbyllur, theva heshtjen:
“Me sa shoh, qenke bërë pesimist Dom Mark! Këto muaj këtu, më mëkuat idenë se komunizmi jeton ditët e mbrapme dhe se dështimi i kësaj doktrine diabolike, ish parashkruar që në zanafillë, për vet faktin se përfaqëson një praktikë abuzive dhe pa bazë shkencore. Dëmet që kjo murtajë u ka shkaktur popujve, që iu ra për pjesë, janë të pallogaritshme, ndaj si çdo ideologji kobë-zezë, është e destinuar të zhduket një sahat e më parë. Sikur të mos kisha këtë besim te e ardhmja, s’di ç’mund kisha bërë, ndoshta mund të kisha përfunduar nën breshëritë e armëve, në tela”.
Ai s’m’u përgjigj, po me njërën dorë bëri kryqin dhe me tjetrën më bëri shenjë të heshtja. Qëndroi pak minuta si i ngurosur, duke mërmëritur pa e nën buzë, mandej m’u kthye:
“Askurrkush s’ka të drejtë me shpërdorue jetën! As me lujt me fatin askujt! Kjo përkohësi e shkurtën tokësore, asht dhurata ma e çmueme na ka fal i Lumi Zot, ani pse ndonjëherë na hidhnin! Zoti me të Madh t’vet, na ka vue n’provë, tuj na shti edhe në ndonjë rast n’ngasje apo në vështirësi; por duhet me e kapërcye. Kush s’mundet me rezistue fizikisht, të paktën duhet me durue shpirtërisht e moralisht.
Në kët dyrnja jena t’tan m’katar, po lum i lumi që fal m’katet e tjerve dhe fiton lumnin e amshueme! Nji vdekje e kena hak, po s’duhet m’e ndërmend! Sepse asht thjesht status. Ndaj thuhet për nji vdektar ‘ndrroi jetë’! E pra, a e kupton ç’don me than? Po, shkoi në jetën e përjetëshme. Mir’po sa t’jena ktu mbi kët tokë, duhet me andrrue për kët jetë! Duhet m’e shijue ene vnerin, ene lumninë, deri n’dekikë t’fundit! Gjithkush duhet m’e përshkue Kalvarin pa ankim, duhet m’e përmbush detyrën gjer në rrahjen e fundit të pulsit. Jeta asht e bukur fort, kjoft ene ktu në kët zezonë ku na kan ndrye, duhet me dit me i rrëmbye pozitivizmini.
Pra, besoj u kuptuam, askush s’ka të drejt me e shpërdorue jetën e vet. Askërkund n’Ungjill, n’Kuran, apo n’tjera libra t’shenjta, s’bahet fjal për vet-vrasjen, ky akt shihet si ma i pështiri, që e dënon çdo fe. Askujt s’duhet me i shkue n’mend m’e praktikue. Krishti asht sakrifikue për t’tan na toksorët! Ene tuj vuejt i poshtnuem nën peshën e kryqit, as i ka shkue ndërmend me fye kënd, e n’fund ka fal gjithkënd! Ndaj asht sakrilegj vrasja e vetit e, vrasja e tjetrit! Jena t’dnuem m’e marrë me veti kët barrë tokësore, deri në Golgotë. Secili në t’vetin jena misionarë, or ta marsha!
Pra, t’thash se jena misionar në kët botë, tash po ta pohoj; po njiashtu jena! Misionarë! Por misioni asht stafetë, që iu dorzohet brezave. Murgu i vjetën, i lodhun nga udha e gjatë, mbyllet n’kuvend e, pret t’niset nga kjo botë, nji i ri i zan vendin dhe, misioni vazhdon.
Mirëpo në kushte raprezaljesh siç jena na, kur askush se din në do jet ne nesri në kët jetë, duhet me përgatit sa ma shum dishepuj misionarë, për m’u lan stafetën. Përfundimisht, i dashtur mik, duhet të bajsh kujdes, për mos m’u ballafaque me djallin, që janë Sigurimi, policët dhe spiujt. Duhet me gjujt rastin, me iu shmang dhunës s’tyne. Pra, duhet me ul kryet, me durue pa u thye, pa u përdhos dhe për kët po t’i them t’tana kto. Duhet pra, me durue edhe nja dy dekada, deri sa të vij dita e lumnueme”.
“Dom Mark, s’të duken si shumë dy dekata, i thonë edhe njëzet vite?! A mund të durohet kaq gjatë”!? – ja ktheva i çuditur nga ky parashikim ekstrem. Sipas dom Markut, do na duhej ta shtynim nën thundrën e komunizmit edhe shumë e shumë vite të tjerë. Ishte diçka e pakapërdishme, që edhe realistët e asaj kohe, s’do guxonin t’a mendonin. Sikur t’i merrnim të mirëqena këto afate kohore, mjaftë të burgosur politikë, në dëshpërim e sipër, do iu ishin hedhur telave ose, do kishin përfunduar të marrosur në çmendina.
Por tani, kur të shkuarën e vështroj nga distanca e viteve, rikujtoj ato ngjarje dhe sjell ndër mënd fjalët e atij burri të urtë, e them: “Po kishe të drejtë!” Prifti i regjuar nga vuajtjet dhe privacionet e panumërta, kishte qenë i përpiktë në parashikimet e veta, duke gabuar fare-fare pak, me një vit. Plotë njëzetenjë vjetë pas kësaj tirade, u rihapën në Shqipëri objektet e kultit dhe komunizmi mori rrokullimën.
Ditën e 4 nëntorit 1990, kur Dom Simon Jubani, miku im dhe bashkëvuajtës e nxënës i Dom Markut, kremtoi meshën jubilare në Shkodër, i pari njeri që më erdhi ndërmend, qe pikërisht i paharruari dhe i papërkuluri, miku im i shtrenjtë Dom Mark Hasi, ai që në birucat e Repsit, në 1969, më rrëfeu rrugët e thepisura.
“Po Dom Mark, paske pasur të drejtë! Por ne të rinjtë, ishim të paduruar!”
* * *
Dhe tani një parashikues i dytë, diametralisht i kundërt me të parin, qoftë si pozicionim politik, qoftë si formim intelektual. Gjatë viteve të burgut, po dhe më pas, kam patur rastin të njihem me njerëz të ndryshëm, me koncepte të ndryshme, të formuar në shkolla te ndryshme, përfaqësues të rrymave të ndryshme filozofike, kulturore e letrare. Botëkuptimet e ndryshme, s’më kanë penguar të merrem vesh edhe tipa të vështirë.
Një nga miqtë e mi më të veçantë, shkrimtari Astrit Delvina, më shpjegonte më 1973, fenomenit e botkuptimive të ndryshëm, sipas teorisë së vet. Duke qenë ithtar i Revolucionit francez dhe adhurues i Robespierit, dhe mbronte frymën revolucionare, por kur diskutohej për tolerancën demokratike, dilte mbi teorinë kokë-prerëse të revolucionit. Një ditë në afshe pasioni, ashtu siç fliste ai, më shpjegonte se; demokracia të jetë dogmë e ngurtë, po një koncept i gjerë të kundërtash, që dashje pa dashje, s’mund ta përjashtojnë njëra tjetrën.
“Të jesh demokrat, or mik, do të thotë së pari, të jesh i durueshëm për të dëgjuar edhe kundërshtarët, ç’thonë apo ç’mendojnë ata për një fenomen ose dukuri shoqërore dhe jo vetëm ç’mendon ti. Secili e kundron demokracinë, sipas këndvështrimit të tij, e vlerëson sipas formatit dhe filozofisë që ka përqafuar, pra i dashur, gjithkush mendon se është një demokrat, sipas mënyrës së vet dhe, për t’i vënë idetë e veta në shërbim të njerëzimit, kërkon rrugën që e gjykon si më të mirën”.
“Sipas teorisë tënde edhe komunistët, edhe fashistët, edhe nazistët, na i paskërkan qenë demokratë të kulluar, meqë gjithçka e kanë bërë në emër të popullzimit dhe gjoja në shërbim të demokracisë “- e kundërshtova.
“Jo. – ma ktheu preras. – Ata s’mund të jenë demokratë, asnjëherë s’patën durimin të dëgjonin mendimin alternativ, pra, kundërshtarët e tyre. Sapo hasën në kundërshti të ideve të tyre, ngritën gijotinën e prenë koka. Ai ose ata që iu dilnin skiç, e pësonin si mos më keq, e paguanin deri dhe me jetë. Demokratët e vërtetë, parashtrojnë ide, i mbrojnë me argumente ato, mbase ndonjëherë më me zjarr se sa nevojitet, po s’bëhen vrasës. Te ne, të tillët i gjen vetëm nëpër burgjet politike! Për ilustrim do i rekomandoja, gjithkënd që dyshon në vërtetësinë e këtyre cilësive, të vëzhgoj ca javë burgun e Burrelit, që t’a shohë dhe t’a prekë këtë realitet”.
Kjo bisedë e zhvilluar në një nga minierat e vjetra të zonës së dytë, në FERRIN e Spaçit, më solli në kujtesë një ndodhi të disa viteve më parë.
* * *
Në burgun e Burrelit, në të njëjtat qeli e në të njëjtin oborr, ishin të detyruar të shtynin vitet pambarim të mbi-dënimeve të njëpasnjëshme, mjaftë të burgosur politikë, që iu përkisnin rrymave të ndryshme politike; që nga nacionalistët e të dy krahëve, zogistë e ballistë dhe deri te social-demokratë dhe komunistë, të sakrifikuar në luftë brenda llojit. Pa folur për klerikët e besimeve të ndryshme fetare, si priftërinj katolikë dhe ortodoks, hoxhallarë e baballarë, që për hir të së vërtetës, e kalonin në harmoni të përsosur me njeri tjetrin, por që i kundërshtonin hapur politikanët, sidomos të majtët. Në këtë mjedis vegjetonin edhe njerëz pa kurrfarë vetëdije politike, thjesht hallexhinj, që i kishin degdisur këtu, për të kryer dënime për faje të pakryera asnjëherë. Fatkeqësisht, atje më çuan edhe mua për pak kohë. Nejse…!
Atje njoha tipa të ndryshëm, por ndër më të veçantët që ka lidhje temën, ishte Halim Xhelo nga Dukati, gjenerali i famshëm i Sigurimit të Shtetit, ish drejtori i Drejtorisë së Pestë, ai që kishte bërë luftën më të egër kundër atyre që vuanin dënimin në këtë burg, madje edhe kundër babait të tij.
Kur e kishin sjellë para do kohësh dhe gjeti në këtë burg, ata që e kishin pësuar si pasojë e egërsisë së tij, ishte shokuar, s’kish pranuar të bashkëjetonte në të njëjtën dhomë me ta. Por kur kish parë mënyrën se si e pritën dhe si e pranuan në gjirin e tyre, me gjithë bindjet e kundërta politike e, luftën e paprinciptë që kish bërë ndaj tyre, ish shtangur. Me gojën e tij do më pohonte, jo vetëm njëherë, se sa i gabuar kish qenë në vlerësimin e pasaktë të armiqve të komunizmit, i kish paragjykuar ata të gjithë dogmatikë dhe in-tolerantë, po kur përfundoi vetë në këtë burg, do verifikonte të kundërtën.
Pas insistimit tim të përsëritur, natyrisht i shtyrë nga më të vjetrit, për të mësuar të vërtetën mbi ngjarjet dhe faktet e falsifikuara historike, një ditë ai pranoi të fliste dhe t’iu përgjigjej pyetjeve që i bëra. Por para se të shtjelloj bisedën me të, dua të them dy fjalë për karakterin e çuditshëm të këtij ish gjenerali. Halimi si gjithë vlonjatët, ishte kryeneç e këmbëngulës në pikëpamjet që mbronte, si prototip prepotent e inatçor, ai fliste me gjeste dhe me ton të lartë. Por i duhet dhënë haku, ishte trim sypatrembur. Ndoshta ky karakter i paepur, të cilin ia njihnin me themel ish shokët e tij, paracaktoi edhe fundin e tij të dhimbshëm, zhdukjen në qelitë e burgut.
Bisedën e mëposhtme, po e jap në formë interviste të thjeshtë.
Unë. – “Zoti Halim, a mund të më thuash, pse ju komunistët që jeni këtu, nuk shkoni me njeri tjetrin, kur gjithë të tjerët pa dallime partiake, kalojnë si të jenë një familje”?!
Halim Xhelo – “Dëgjo, or djalë! Po ta them që në krye, këto s’janë të tuat. Ti s’je as aq i ditur dhe, as i interesuar për të mësuar këtë që pyete; të tjerë pas teje të kanë yshtur (dhe kishte të drejtë). Nejse, meqë ke kohë që insiston, më në fund vendosa të të përgjigjem, që ta dëgjojnë edhe shtytësit e tu.
Nuk e di, a i njeh kokoshët? Ne vlonjatët, quajmë kështu, ca thnjegla të mëdha ngjyrë kafe të kuqërremtë. Në zona të ndryshme, i emërtojnë ndryshe, me sa di unë, Berati iu thotë kaponjë. E pra, këta kokoshët, s’punojnë. Janë dembelë me nam, po grykës të mëdhenj. Ushqimin që grumbullojnë milingonat punëtore, e konsumojnë ata në pjesën më të madhe. Kokoshët grinden gjatë për hegjemoni, i hanë kokën njëri tjetrit. Por…!
Këtu nis fabula. Kur e kuptuan se mund të ishin të gjithë të fituar edhe pa u shfarosur, një ditë u mblodhën dhe vendosën që gjithë ç’gjendej brenda në fole, ta ndanin mes tyre në mënyrë të barabartë. Kështu: u tha, u bë! Por me kalimin e kohës, një nga kokoshët harronte dhe e shkelte paktin, e zinin duke vjedhur. Mblidheshin të tjerët dhe me votim të hapur, dënonin paktë-shkelësin njëzëri; kush guxoi t’i dilte në krah, pësoi te njëjtin ndëshkim.
Mbaroi i pari me shokë! Kur kish kaluar ca kohë nga ndëshkimi i këtij grupi plëngprishësish dhe mbasi kishin bërë edhe një betim të ri, për besnikëri të përjetshme, një tjetër kokosh kapej me presh në dorë, domethënë duke ngrënë në fshehtësi ushqimin e përbashkët. U mblodhën sërishmi kokoshët në një kuvend edhe më të madh dhe me të njëjtën procedurë dënuan vjedhësin e dytë dhe ata që e pasuan. Kjo histori vazhdoi edhe me të tjerë që pësuan po atë fat, si ish shokët e tyre, ndaj të cilëve, dikur kishin ngritur dorën që t’i ndëshkonin. Së fundi, numri i kokoshëve të matkuar erdh e u zvogëlua, por në skenë dolën kokoshë të rinj dhe kjo histori përsëritet dhe do të përsëritet pafund, deri sa të jetë zhdukur edhe kokoshi i fundit.
Kështu, kokoshët e mbetur gjallë dhe që i kanë mbledhur këtu, për sa kohë ta konsiderojnë veten kokoshë, s’do t’ja falin njeri tjetrit, gishtin e ngritur. Edhe mbas ngordhjes në dynjanë tjetër, do ta kenë të pamundur të pajtohen ndonjëherë.
Varianti i parë ky; dëgjo të dytin nashti:
– Në dasma në anët tona, po jo vetëm te ne, shkohej me kalë dhe me harxhe. Qylafin duhej ta kishe të bardh borë, bërrucin sa më e trashë dhe me flokë sa më të gjatë. Pa, po, duhej të kishe dhe një mauzer të pastër xixë edhe pse vet, mund të kishe një muaj pa u larë. Pastaj vinin harxhet ose darovat, sa më i madh dhe më i majmë dashi, aq më i nderuar darovitësi. Edhe vendi të caktohej, si meritë e këtyre që përmenda më sipër.
Kur vinte radha për të marrë nusen, krushqit zgjidheshin sipas sërës, mirëpo jo të gjithë mund t’i niseshin krushq, sepse numri ishte i kufizuar. Vinte puna deri sa ata që kishin ardhur në dasëm me këtë synim dhe s’e gjenin veten pjesë e grupit të krushqve, në rastin më të mirë, largoheshin nga dasma, por ndodhte që për të shfrehur marazin, pinin më shumë se ç’mbanin dhe nisnin sherret. I zoti i dasmës, merrte masa për t’i qetësuar, por kur s’ia arrinte, ndonjëherë shkonte puna deri të dyfeku. Ndërhynin të urtët e gjenin një zgjidhje; o do shtrohej i dehuri, o do përzihej nga sofra. Kështu prishej dasma, fillonin romuzet dhe mbanin kokat mënjanë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016