Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Gjashtëqindëgramshit
(Rutina e një dite, në kampin e fjetjes)
Dikush më kapi për krahu e më uli sërish përdhe.
“Mos luaj vendit! – më foli. – Kjo na ka ndodhur të gjithëve, në fillim! Mbyll sytë, qetësohu! Po munde të flesh, fli, po s’munde, rri shtrirë”!
Kapsita sytë fortë. Gjykimin e kisha të kjartë, porse gjumi që tërhuzej si kal karroce; ndonëse më puliti qepallat, vet bëri tutje. Erdhi një moment e humba, u zhyta në harresë. Kapërceva gjerdhet me tela, u futa në një botë plot ngjyra. Mbase kaptoja nëpër portën e parajsës…!
Pothuaj gjithë të dënuarit, mbasi i nxirrnin nga dhomat e izolimit, kishin probleme në kontaktin i parë me dritën. Kur kalonte muaji, dy, tri a më shumë; disa edhe vite të tëra në gjysmë-terr, në qelitë e errëta e të lagështa të Degëve të Punëve të Brendshme, fillimisht sforcohej shikimi, më pas, njësohej me këtë mjedis.
Në momentin kur i qitnin në dritë, turbulloheshin, iu merreshin mentë dhe here here, tronditja i tejkalonte kufijtë e rezistencës humane, i godituri pësonte shok, i binte të fikët e shembej përtokë i verbuar. Kish raste, që të humbnin shikimin përjetë. Qëndrimi pafund në qeli, ku terri dhe igrasia mbretërojnë kobshëm, e bënte robin në një tip shtaze, në një farë lakuriq nate, që ditën fshihet në skuta të errëta e, në terr del për gjueti.
Sistemi komunist, e zhveshi njeriun nga vetitë humane, e katandisi lakuriq nga botëkuptimi, lakuriq nga trupi, lakuriq nga shpirti! ndërsa lakuriqët si kafshë paqësore e të dobishme, i vetë-zgjedhin si retë e zeza, për të ruajtur lëkurën nga dehidratimi e nga zbardhja, që të bëjnë sytë nga drita e tepërt, për të qenë në gjendje të dallojnë gjahun në terr; njerëzit, përkundrazi, errësira i verbon, i huton, i qorrolleps, ronit lëkurën dhe mbi të gjitha, iu shkakton probleme psikike.
Zot, si katandisej robi në izolim! Një specie kaq fisnike, shndërrohej në shëmtak i çoroditur! Sa të bardhë, dilnin nga dhomat e izolimit! Kufoma transparente, si skelete kërkëllitës, të veshur me pergamenë, sa ta thosh mendja, do shkallmoheshin në çast! Me bardhësi gëlqerore, gati me zbehtësi, fërgëllues, drithërues, si tisi i qefini!
Këta fatkob të kallnin datën, kur i shihje të zbrisnin nga dera e burgut, si kufomat nga ndonjë arkë-mort, si lugetër, si emisarë të parajsës danteske. Do t’u shfaqeshin befas, do t’iu fusnin krupën, do trembnin edhe natën që i kishin lindur. Tash, kjo të jepte të kuptoje pse në zhargonin e burgjeve birucat i irtonin “FERR”. Dhe vërtetë, ishin FERR!
Kur në kampe sillnin të dënuar të rinj, të vjetrit s’i pyesnin nga je, po nga cili “FERR” vinin. Edhe përgjigjet ishin lakonike, si me thëne, lidarte: “NGA FERRI I TIRANES! NGA FERRI I GJIROKASTRËS! NGA FERRI I KORÇËS! NGA FERRI I SHKODRËS! NGA FERRI I BERATIT! NGA FERRI VLORËS! Pra; FERR, FERR, FERR, etj., etj.
Ndërsa Dante Aligieri, kur sajonte FERRIN, me siguri ka patur në mënd, mos ta linte pa binjak, të mos shkalej. Ndaj shpiku edhe një Purgator, edhe një Parajsë. Ndoshta, mendja e tij gjeniale me imagjinatë të papërsëritshme, sajoi idealen. ATË, ku shpirtrat do mund të gjenin prehjen e munguar apo, do shpaguanin sipas veprave që do të bënin në këtë dynja!
Kështu, ai nguli piketat morale, që duhej të respektonte humaniteti. Vuri kufijtë e destinit, ndau galaktikat shpirtërore. I tregoi njerëzimit, se ish i detyruar të udhëtonte përjetësisht, me frikën e mëkatit mbi shpinë; natyrisht, bëhej fjalë gjithmonë, për mbas vdekjes fizike, për periudhën e amshimit.
Kurse në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, në çdo qytet instaluan nga një “FERR”, domethënë: nga një Degë të Brendshme, ku ndrynë të gjallët për t’i vdekur, që t’i groposnin mandej, në varre pa emër. S’premtuan asnjë parajsë galdimi, për vdekatarët tokësorë! E vetmja rrugë për t’iu bashkangjitur amshimit të përtejvarrit, mbetej vdekja e njëmendët, por edhe ajo, kish lidhje me besimin te Partia. Pra, mbeti të gjitha shpresat nga Zoti i Plotë-fuqishëm dhe t’i hidhje mbi këtë krijesë paranojake.
Gjithsesi, paradoksi shqiptar e kapërceu edhe imagjinatën danteske. Të Madhin Zot, e shfronësuan me dekret, e dënuan me ekzil, shkallmuan dhe shkatërruan nga themelet çdo objekt kulti: kisha, xhami, teqe, gjithë ç’iu kujtonte fenë! Ç’mbetën bina, iu ndërruan destinacion, i kthyen në depo apo institucione anti-kulturë. Zhdukën pa nishan gjithkënd; laikët, fetarët: ca i burgosën, ca i pushkatuan, të tjerët i marruan!
Stimuluan farisenjtë! lu shtruan tapetin e nderit, ateistëve, femohuesve! Me një fjalë, mbrujtën opinionin publik që më pas të kurorëzonin në fron Kainin, Edipin, Kaligulën, Neronin, Djallin e zi, Zotin e mjerimit, Perëndinë e së keqes, Luçiferrin, Enverin e tyre!
Edhe ushqimi shkaktonte një tjetër vuajtje plus, për të dënuarit që vinin nga izolimi në kamp. Çdo të arrestuar për veprimtari politike, fillimisht e izolonin në fshehtësinë më të madhe. Forma klasike që përdornin në këso raste, ishte fare e thjeshtë: personin e paracaktuar për t’a arrestuar, e nisnin diku me pretekste të ndryshme; si shërbime për punë, ekskursione në vende turistike apo, aktivitete rinore, etj.
Atje e prisnin gjahtarët e zinj, sigurimsat, me “GAZ”-in gjashtëdhjetenënçin e ndezur, e rrëmbenin si fajkoi pëllumbin, i vinin gjermankat në duar dhe pasi i hidhnin një thes në kokë, e çonin në drejtim të “paditur”. Me të mbërritur në destinacionin e panjohur, fillonin përpunimin, domethën dajakun.
Momentet e para ishin me të vërtetë shumë të frikshme, të dhimbshme deri në marrëzi. Mjaftë fatzinj, pësonin shok psikik dhe për gjithë pjesën e mbetur të jetës, s’e merrnin më veten; të tjerë ndërruan jetë pa filluar hetuesinë; të tjerë ende, vetëzgjodhën të vetësakrifikoheshin nga lartësitë e ballkoneve, që të mos provonin sëdyti të njëjtin trajtim dhe një pjesë u thyen, që me përplasjen e parë; duke pranuar çdo gjë që iu kërkohej, pa bërë asgjë rezistencë.
Kjo përbën një temë më vete që mbase, do t’a shtjelloj me radhë. Tani, do flasim për problemin e ushqimit. Një ndër format klasike, më efikase të torturës, ishte trajtimi ushqimor gjatë procesit hetimor. Zakonisht të ndaluarve iu jepnin sasi të paktë ushqimi. Edhe pse ligjërisht norma përbëhej nga gjashtëqind gramë bukë; një garuzhde supë për mëngjes dhe në drekë, kurse për darkë, një sapllake çaj.
Mirëpo, kjo normë asnjëherë s’u respektua sepse ashtu siç dinte të bënte komunizmi, përherë ndërmerrnin nisma kursimesh në çdo fushë. Kursim këtu e kursim atje dhe në fund, njerëzia u kthyen kafshë që hanin bar. Një nga këto iniciativa, ishte dhe nxitja për konsumin e patates “edhe si bukë edhe si gjellë”. Kështu, racioni ditor i një të ndaluari, u përgjysmua në treqind gramë bukë dhe treqind gramë patate të ziera. Merret lehtë me mënd, sa torturuese bëhej uria në ato ambiente.
Të ndaluarve s’iu dhanë asnjëherë porcionin të plotë, po edhe atë pak supë që u jepnin, ishte jashtë standardeve, ushqim që s’e honepsnin as derrat. Pastaj, hiletë e sigurimsve, s’kishin të sosur. Porcionin ditor e ndanin pjëherësh, me qëllim ta racionoje vet, por e dinin mirë, nën efektin gërryes të urisë, do zotëronte ngasja. Kështu, të trija porcionet, në vend t’i racionoje sipas vakteve, i kullufisje njëherësh. Pra, praktikisht i binte të haje një herë në njëzetekatër orë.
Të paktën unë nuk i shpëtova dot ngasjes; për sa kohë qesh në izolim, asnjëherë s’arrita ta racionoja. Për ndihma nga familjet, as mund të shpresohej, ngaqë askush s’dinte kurrgjë për vendin ku mund të gjendej i ndaluari, pasi asnjëri s’bëzante, pa u mbyllur procesi hetimor. Por ky zgjaste, shpesh edhe me vite. Të arrestuarit i largonin qindra kilometra jashtë vendbanimeve. Fati i fundit të tyre, mbetej mister.
Mbi fat keqët ushtronin tortura, keqtrajtime nga më mizoret që edhe inkuizicioni, edhe Gestapua, do ndiheshin inferiorë. Nëse novacionet dhe metodat e dhunës komuniste, do ballafaqoheshin me të mesjetës, do t’i kapërcenin ku e ku, ato. Një ndër to, ishte tortura e “zbutjes”. Mjeranit i lidhnin një rrip ndër-shalës, në tokëzën e rripit, bashkonin një zinxhir, të cilin e fiksonin në një hallkë në mur. Në skajin më të pakapshëm të birucës, vendosnin ushqime të ndryshme, po në largësi të tillë, që sado të zgjateshe, mos t’i arrije dot kurrë.
Shpesh, loja “shih me sy e plas me zemër”, vazhdonte me ditë. Tavolina plotë, pa arritur të ngjeroje gjë, të nxiste lakminë, goja të mbushej me lëng, deri sa mbërrinte momenti që thahej komplet; ndjenja e urisë, shndërrohej në makth që torturonte pafund.
Më pas ndryshonin taktikë, ofronin ushqim dhe gjellë me shumë kripë. I babëzituri hante gjithë ç’i vinin para, pa u merakosur për pasojat. Mandej niste tortura e etjes, që ish edhe më tmerr se uria.
I vinte radha pjesës së dytë të lojës: të ndaluarit i ndërronin pozicion. E lidhnin pranë ndonjë çesme, ku rridhte ujë, po gjatësia e zinxhirit, llogaritej me milimetër, që i eturi të mos mbërrinte kurrë te lëfyti. Në këto kushte, ndjenjat mpiheshin, gjykimi errej dhe në varësi të personaliteti, o do përfundoje i çmendur, o do dorëzoheshe i shteruar. Kish raste që i ndaluari s’i rezistonte dot provës dhe, o i pushonte zemra, o mbytej në sekrecionet e veta.
Nën efektin gërryes të urisë dhe etjes së pashuar, mjaft fatzinj pranuan faje, që s’iu kish shkuar kurrë ndërmend t’i bënin, pranuan krime të pakryera asnjëherë, akuzuan të afërm e të largët, madje edhe persona që s’iu kishin dëgjuar as emrin më parë. Siç pati nga ata që duruan me vetëmohim, rezistuan deri në sublimet, i përbuzën me neveri, këto metoda perverse.
Nga përvoja ime në burgje, pata rast të takoja nga të gjitha kategoritë. Po iu referohem disa shembujve që kanë lidhje me temën:
Në vitin 1970, më çuan në kampin e Spaçit. Mes të tjerëve, atje njoha një të ri nga Vlora, P.L. Po i përmend vetëm inicialet, sepse gjithë kohën që kalova me të, në burg, kamë patur marrëdhënie shumë korrekte, po edhe për faktin, se të tërë të dënuarit e Spaçit e asaj periudhe, do ta kuptojnë lehtë për kë bëj fjalë.
Qysh ditën e parë, më kërkoi një paketë cigare, ditën tjetër një kile sheqer. Ndonëse s’e njihja, mbas premtimit se do të m’i kthente, sapo t’i vinte familja në takim, ia dhashë. Sa herë gjendeshim vetëm për vetëm, P., do më kërkonte ndonjë send, kur më ndodhej, ia jepja, kur s’kisha, e refuzoja me takt. Por një ditë kur P. më kërkoi diçka, qëlloi afër një bashkëpatriot i tij.
“Po ti, ore, ç’bën?! Pse, o, Rockfeler e di këtë ti, që të mbaj me të ngrëna; të pira? Apo kujton, se po ua hedh hetuesve budallenj? Turp të kesh”!- iu shkreh ai. Qemal Merua, ishte i burgosur i vjetër. Ishim miqësuar bashkë, qysh në Reps. Ai ish nga të burgosurit më të veçantë, më heroikët që kisha ndeshur. Ndihesha krenar, për miqësinë me të. Por Qemali kishte një “huq”, edhe pse ishte pa ndihma, s’pranonte t’i ofroje gjë:
“Falemnderit, jam i ngopur, tani sapo hëngra”! – përgjigjej, kur dikush rrekej t’i jepte diçka. Të gjithë e dinim, Qemali i ndershëm, ishte përherë i uritur! Për t’i lehtësuar barrën e turpit, organizonin ndonjë drekë apo darkë, me sebepe të ndryshme dhe e ftonin Qemalin.
Në të tilla raste, ai i pranonte ftesat me kënaqësi dhe ndihej i begenisur. Kur kapardisej në krye të vendit; ja merrte labçes, ashtu si dinte ai. Edhe unë e kisha ftuar disa herë. Po le të kthehemi te P. Më intrigoi shumë, ajo që “i shpëtoi” Qemalit, për hetuesit budallenj. Një ditë mbasi e qerasa me kafe dhe cigare P-në, e pyeta: “Ç’është kjo historia me hetues”?
P, pa ia përsëritur për së dyti, më kallëzoi ngjarjen e mëposhtme, që unë po e riprodhoj ashtu si ma rrëfeu ai: “Më arrestuan për tentative arratisje. – ia nisi ai. – Me thënë të drejtën, isha sëkëlldisur shumë me këtë regjim, sepse përherë më kujtonin biografinë: “Jo, po, a e di kush je? Jo, po, babai yt ka qenë ballist dhe jeni fis kulakësh! Jo, po, dajat i ke armiq të popullit dhe të arratisur politikë”.
Më ngritën ushtar në repart pune, qylykja s’m’u nda nga dora. As me bukë s’ngopesha, po xheku çalltisja ndonjë racion plus te kuzhinieri apo, ndonjë fryt andej këtej, kur gjeja. Pa, po, më pas, zura dhe një dashnore; kurvë ish vërtet, ama më mbante me cigare dhe me ndonjë lekë. Se mos do ta merrja grua, unë!
Kështu, më erdhi në majë të hundës dhe e ndava mendjen, të arratisem. Fola me një shok timin, ai me një shok të tijin, po në fund na denoncuan dhe na arrestuan. Kjo ishte gjithë historia e burgosjes sime. Po dardha e paska pasur bishtin prapa, o xhani im! Dy muaj hetuesi, vetëm njëherë na pyetën për bisedën tonë të arratisjes, po na kërkonin me kë kishim folur tjetër. S’m’u nda huri nga kurrizi, për dy muaj, o vëlla!
Po, do ti, se ç’më hipi një uri ujku, s’kisha të fryrë, ore! Po, ku kishte në biruca për të ngrënë! Më nj’anë dajaku, në tjetrën uria dhe erdha e t’u bëra tezgene, sa m’u ngjit barku pas kurrizit. Një ditë në hetuesi më kishin ulur në karrigen e betonuar por, pa më lidhur; atë se kush e thirri dhe doli jashtë. Në tavolinën plot shkresa, më zë syri një pako të mbështjell me gazetë, “po sikur të jetë bukë”?! thashë me vete.
Të ngrihem, mos të ngrihem, ta shoh, mos ta shoh? Tundimi më shtyu drejt pakos. Isha i uritur, or mik. Zgjata dorën, e mora, e hapa. Kur ç’të shoh, nën gazetë kish bukë me djathë dhe një vezë e skuqur! S’ja zgjata, po e hëngra. Jo, or jo, e kullufita, për dy minuta! Kur hyri hetuesi, në dorë më kish mbetur vetëm gazeta e zhubravitur, të cilën e flaka shpejt poshtë tavolinës. Por ca thërrime që më kishin ngecur në qimet e parruara të mjekrës, më tradhtuan.
Ai i vuri re dhe m’u sul me shpulla dhe me shqelma: “Maskara edhe bukën ma hëngre, o të ngrëntë spofja! – bjer e bjer, deri sa më ra zali. Kur vij në mënd, e pashë veten shtrirë mbi çimento, në një si pellg. Po, ish ujë apo gjak, s’e dallova dot, isha trullosur keq, më dhimbte gjithë trupi.
Tani hetuesi, s’ish më vetëm, në cepin e tavolinës, ish ulur një trashaluq tullac që duhej të ish shefi, sepse e dëgjova të fliste me ton urdhërues: “Ç’bëre kështu, more! Shihe, si e ke katandisur dhe për çfarë, se? Për një copë bukë! Jo, jo, njeri është edhe ky! Për ç’ka bërë, do dënohet sipas ligjit’ i shkreti, kushedi sa ditë do ketë pa ngrënë”!
Unë, barkas mbi dysheme, e dëgjoja symbyllur, por bëja gjasme isha në jerm. Ata vazhduan polemikën, kurse unë po mendoja: “Çudi, të ketë njerëz të mirë edhe në Sigurim!” por mendja më shkoi te ndonjë rreng. Tullaci u bëri zë nja dy policëve, që ruanin te dera, të cilët erdhën e më kapën për krahësh dhe më ngritën mbi karrigen e betonuar.
“Or djalë, më vjen keq për këtë që ndodhi! – m’u drejtua mua dhe ndërsa fliste, futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës nga nxori portofolin, e hapi dhe i dha një kartëmonedhë qindëshe njërit nga policët që ruanin në prag të derës. – “Shko, bli bukë, pak djathë dhe sallam për këtë djalin”!
S’di pse më lindi një simpati për këtë trashaluq me pamje babaxhani! Por s’u ndjeva, ende e mendoja lojë. “Hajd, thashë, të shohim ku do dalin!” Me ato që kisha hequr, s’besoja se mund të kish hetues të mirë. S’kaluan as pesë minuta, kur u kthye polici me një qeskë letre në dorë. E la mbi tavolinë dhe shkoi pranë derës.
“Merre! – më urdhëroi tullaci me ton atëror. – Shko, ngopu njëherë, pastaj flasim. Kemi kohë sa të duash”! – me qesen në dorë, m’u qas dhe ma zgjati. Për një çast ngurova, por kur pashë qeskën mbi prehër, e mora. “Çojeni në birucë! – urdhëroi policët. – Ha, se je i uritur”! – m’u kthye mua. Ish e para herë në dy muaj, që më lidhnin duart para, më vunë edhe qeskën mes tyre dhe më shoqëruan në birucë.
Sapo u gjenda i lirë, iu vërsula qeses. Nga padurimi s’e hapa, po e shqeva letrën dhe e zbraza drejt e mbi dyshemenë e qelbur të qelisë. Ashtu siç ishin përdhe, i gllabërova të gjitha si i babëzitur. Tani me stomak të mbushur, e harrova dajakun që hëngra edhe birucën e pistë, edhe dënimin e gjatë që më priste.
“U ngopa, oh ç’kënaqësi”! Për herë të parë, nga dita e arrestimit, u shtriva mbi dërrasa, si të isha mbi pupla. Më kapi një gjumë për shtatë palë qejfe, sikur të isha në piknik, në kojkat e fshatit tim. Mbas dite vonë, më zgjoi polici për nevojat personale. Edhe natën e kalova top.
Të nesërmen më shoqëruan sërish në dhomat e hetimit, po s’më futën atje ku më çonin përherë, po në një zyrë tjetër, një kat më lartë. Para m’u shfaq “Tullaci”; po e quaj kështu, ngaqë s’ja mësova kurrë emrin sepse asnjëherë s’plotësoi ndonjë proces-verbal. Kur më zgjati dorën, e këqyra me kërshëri në bebe të syrit.
“Pse po habitesh? – shpejtoi të më thoshte. – Edhe ne rrobë me ndjenja jemi, a derëbardhë! Kemi familje, kemi fëmijë! Që sot e tutje, do kemi punë bashkë. Më erdhi keq për ty, t’a hoqa qafe atë kafshën”! Më çuditi mënyra si fyeu kolegun por ndërkohë, dyshoja mos vazhdonte rrengun.
“Me mua do jenë procedurat më të thjeshta, do flasim hapur, pa dorashka si i thonë”. – Heshti pak, pastaj: – “Ore, a s’bëjmë një pakt që në fillim fare? Ti do më tregosh ç’di për ata që me siguri, të kanë yshtur e të morën më qafë dhe unë, s’do të kërkoj gjë tjetër! Do bashkëpunojmë e në fund ndahemi të kënaqur, të dy palët! Si thua”? Ai e kuptoi se unë u përqendrova mbi buzët e tij, me mosbesim. Për t’u treguar edhe më miqësor, doli nga pas tavolinës, ku ish ulur, m’u qas e më hodhi dorën mbi shpatulla.
“Dëgjo ore P., unë do jap urdhër të trajtojnë njerëzisht, mos të të dhunojnë më, që sot e tutje, të japin ushqim me bollëk. Do të sistemojmë në një dhomë të saktë, ku të jesh rehat të mendohesh në qetësi, për gjithë sa folëm dhe do flasim. Sidoqoftë, për çdo nevojë, më vër në dijeni nëpërmjet policit të shërbimit. E thamë, e bëjmë”! – heshti e më pa me vëmendje.
“Eh, si thua? Ta nisnim me ata që ke folur e të kanë shtyrë në armiqësi, kundër Partisë”? – por kur pa hezitimin tim, shtoi: – “Mbase, për të lehtësuar punën, të duhet letër dhe kalem, të shkruash pa u ngutur, ato që di? Për të freskuar kujtesën, po të jap këto shkresa, t’i kesh sa për orientim”. Më vuri para ca fije letre, një stilolaps dhe një zarf të mbyllur. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016