Nga Kozeta Zylo
Memorie.al / Shkrimtarja Bajame Hoxha, së bashku me familjen e saj, u internua tërë jetën në Savër të Lushnjës. Znj. Hoxha punoi në këtë periudhë në punëra të rënda, duke pasur mbi supe barrën e persekutimit dhe te mohimit të çdo të drejte elementare. Ajo sot jeton me bashkëshortin dhe tre femijët e saj në Bruksel, e cila nga dënimi i rëndë 31 vjeçar dhe nga pasojat e mëvonshme, ka fituar te drejtën e qëndrimit nëpërmjet statusit politik. Ka botuar gjithsej 16 libra dhe pena e saj është vlerësuar edhe nga kritika serioze. Zonja Hoxha erdhi për vizitë pune në New York, me të cilën u takova dhe i mora këtë intervistë si më poshtë:
Zonja Hoxha, mund të na tregoni diçka nga jeta e fëmijërisë dhe kur keni filluar si fëmijë, të ndjeni persekutimin dhe dhunimin që iu është bërë si familje? Cili ka qenë shkaku i internimit tuaj?
Po…isha akoma pa mbushur 11 vjeçe, kur shtëpia jonë prej një muaji ndodhej e rrethuar natën nga ushtarë e policë të fshehur pas mureve e gardheve. Babai im, Zaim Çeliku, ishte vetëm 45 vjeç, njohës i shtatë gjuhëve të huaja, kur një natë vjeshte humbi, nuk u kthye më në shtëpi pas pune.
Jeta dhe veprimtaria e babait tim ishte Gjirokastra, ku kishim një restorant të mirë në Qafë të Pazarit dhe një shtëpi trekatëshe me avlli të madhe, po pranë Qafës së Pazarit. Babai ishte tregtar i dëgjuar dhe bamirës, që njihej nga Jugu në Veri. Nuk ka njeri që e ka njohur babanë tim, të mos ketë një dhuratë apo një të mirë prej tij.
Dhe si një kujtim i bukur, por tepër i dhimbshëm më vjen tani para syve një burrë i vjetër: Ishim në një dasmë te dajot pas shumë vitesh internimi. Duke shëtitur jo larg shtëpisë së dajove unë me tim shoq, dhe para nesh, motra ime Shpresa me të shoqin Gëzimin (të dyja të martuara në internim, me të internuar), shoh se një burrë i vjetër, i ndalon dhe i drejtohet motrës sime me butësi: “Më falni zonjë e nderuar, mos jeni vajza e Zaim Çelikut”?!
“Po”, i përgjigjet motra dhe një valë mendimesh të përnjëhershme i dogjën asaj shpirtin e plagosur, sepse s’kishte qenë as gjashtë vjeçe, kur e kishte humbur babanë. Sakaq personi i panjohur ishte ulur në gjunjë dhe i puthi këmbët motrës, dhe duke vënë dorën në zemër, u largua dhe humbi midis njerëzve, duke lënë tek zemrat tona, lotin dhe atë kujtim të paharruar. Nuk e di, nuk e di pse na shkatërruan…?!
Ishte një pasdite e bukur tetori 1959, kur pa pritur u gjendëm të rrethuar nga dhjetëra ushtarë e policë. Unë isha kthyer nga shkolla dhe po bëja detyrat ne avlli, bashkë me një shoqen time, me të cilën ngrimë në vend, nga prania e madhe e ushtarakëve të armatosur, që u vërsulën brenda.
Ora gjashtë e mëngjesit na zuri në kampin e Savrës, ku të internuarit sapo mbaruan apelin dhe po niseshin për në punën e detyruar. Na shkarkuan ato pak plaçka që na lejuan të merrnim dhe na lanë të prisnim në qendër të kampit. Pas dy orësh na futën në kazermën e grave, duke na dhënë si vend banimi pranë derës, dy metra vend për gjashtë persona, nënën me pesë fëmijë jetim.
Kazerma ishte e gjatë me dritare të mëdha, por për fat të mirë ishte e shtruar me dërrasa, se nuk kishim krevate. Në këtë kazermë gjetëm 40-50 familje, gra e fëmijë, por dhe burra të këtyre familjeve, po që për të fjetur, shkonin larg në kazermën e burrave, ku i prisnin krevatet 2-3 katshe, me një dysheme gjithë lagështi, deri ne mes.
Në këtë kazermë kishin kaluar shumë familje me emër dhe pastaj ishin sistemuar nëpër banesa gjithë lagështi, si p.sh. në një dhomë katër familje, por edhe pesë. Aty në kazermë, gjetëm babanë e Agim Prodanit, nënën e mrekullueshme Anko Bylon, e cila ishte shumë e moshuar dhe interesohej për ne gjatë ditës.
Ajo na deshi shumë dhe vëllait tonë i thoshte: “Luanka i nënës”, sepse kishte emrin e djalit të saj, Luan, i cili ishte arratisur bashkë me dy vëllezërit e tij, për çështje politike, duke lënë pas nënën fillikat vetëm, dhe regjimi i pashpirt e kishte internuar.
Aty gjetëm dhe të nderuarën Afërdita Skrami, ish mësuese, motrën e aktores Liza Laska, ku familja përjetësisht e kishte mohuar. Ajo ishte një grua e re shumë e bukur dhe tepër inteligjente. Afërdita Skrami, njihte mirë gjuhën shqipe, greqishten e vjetër dhe italishten. Nga kjo grua fisnike, por që e dënoi koha sepse nuk kishte pranuar të bëhej dashnorja e titullarëve, ne përfituam shumë.
Ajo shkruante poezi, fliste me kulturë dhe ruante një memorie aq të fortë, sa të linte me gojë hapur. Ajo nuk kishte familje dhe nuk u dekurajua kurrë, familja e saj ishim ne! Ne e deshëm të gjithë atë grua fisnike dhe te të gjithë të internuarit, ajo e kishte portën e hapur. Mamaja ime gjithnjë ia linte pjesën e ushqimit, të barabartë me ne. Ajo kishte studiuar dhe njohuritë e saja, i kalonte tek ne.
Vëllai im Luani dhe motra Shpresa, si të vegjël që ishin, ziheshin kush të flinte i pari me Drita Skramin, sepse shtretërit i kishim ngjitur. Nuk e di çu bë me fatin e saj pas demokracisë, ajo ishte pjesa e jonë dhe meritonte respekt. Ne të gjithë të internuarit, ishim familja e saj. Ajo kishte një karakter të çeliktë dhe nuk u bë kurrë vegla e kërkujt. Ishte grua besnike ku mbartte mijëra besime brenda vetes.
Nuk e di pse në këtë intervistë u përqendrova te kjo figurë fisnike, ndoshta se ajo ndikoi fuqishëm, pozitivisht në jetët tona tmerrësisht të vrara.
Kur keni filluar të shkruani vjershëzën e parë dhe ngase u frymëzuat?
Vjershën e parë e shkrova rrugës për në internim, më frymëzoi dhuna, më goditi padrejtësia, shkatërrimi i një familje krejt papritur. A arrestohen fëmijët? Ishim në makinë, kur po zbardhte drita e ne udhëtonim me policë për në kampin e Savrës. Mëngjesi i vjeshtës ishte shumë i bukur, por polici na rrinte mbi buzë dhe prishte agimin e bukur.
Unë nxora nga çanta e cila më kishte mbetur ashtu në dorë, që nga çasti i internimit, fletoren, lapsin dhe shkrova: “Fjala ime sot, ka prerë gojë/ Ja, m’rri polici mu mbi buzë/ Zëri humb e dredh qerpikun/ Agim i bukur kthehet muzg/ Një nga një si mana toke/ Do mbledh germat ja tani/ Dhe me forcë porsi poete/ Do të shkruaj: për ty liri”. (Demokraci)
Kjo poezi humbi me dyqind poezitë e tjera në Institutin e të Përndjekurve Politikë, ku i kisha dërguar për botim, dhe që s’u botuan kurrë. Këtu te kjo poezi, te ky agim i bukur, te kjo nisje barbare, te ky fillim burgosje e internimi, nisi dhe fillin poezia ime dhe s’u ndal më, por edhe proza.
Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçe, kisha mbaruar romanin e parë, ku nuk e pa kurrë dritën e botimit, gjatë një kontrolli m’i zhdukën shkrimet, po unë i ruajta brenda vetes shumë poezi që më vonë i botova, me përjashtim 200 poezitë e para, ato që më dhembin më shumë, më humbën në demokraci, duke qenë shkaktar drejtuesi i Institutit, me stafin e tij.
Jeta juaj ka qenë midis “Ferrit dhe Parajsës”, ndërsa nekrologjia e së keqes, ka ngelur e pavarrosur, klasa juaj e persekutuar, a mund ta heqë të keqen që ka ngelur si ferra nëpër këmbë, në politikën shqiptare?
Po, vërtet, jeta jonë për 31 vjet ka qenë një ferr i pafund si: torturat, fyerjet, puna e detyruar, lufta e madhe e klasave, diskriminmet përpara popullit, se gjoja kërkoja anglo-amerikanët, pse shkruaja, pse lexoja libra, pse komentoja e bëja recensione veprash të njohura, pse punoja dhe isha e zonja e punës së rëndë, pa kërkuar asnjëherë lëmosh apo privilegj prej tyre, pse qëndroja e fortë e papërkulur përpara presioneve psikologjike e kërcënimeve të tyre.
Kjo i tmerronte ata gjithnjë e më shumë. Duke filluar që nga mosha ime 16 vjeç e më pas, më nxirrnin para popullit, si shembull i keq, që doja të përmbysja pushtetin popullor dhe që sabotoja komunizmin. Isha e zonja e punës dhe punoja njëlloj me burrat, në të njëjtin grup e skuadër. Punoja me shokët e mi me djemtë e burra të mrekullueshëm, që gjatë punës së rëndë kishim çfarë bisedonim e, ata na i lehtësonin punën, duke diskutuar për muzikën dhe letërsinë botërore.
S’mund të harroj kurrë Koço Plasotin, ky burrë i pashëm paqedashës dhe me kulturë, gjithë ditën na këndonte, se kishte qenë me korin e Korçës. Gjithashtu Stefan Tasho, djalë xhevahir dhe i urtë, aq dhe i ngritur nga ana intelektuale, kishe qejf ta dëgjoje fjalën e tij të urtë, Gëzim Baruti, një djalë me sjellje korrekt inteligjent, aq edhe i shkathët, i cili i binte kitarës dhe këndonim së bashku mbrëmjeve, për të harruar sado pak punën e vështirë dhe përbuzjen që kishim nga pas.
Gjon Markagjoni, Jonuz Musai, djem që s’harrohen kurrë, si dhe Ahmet Kolgjini, dijetar dhe krijues me karakter të fuqishëm. Bajram Hoxha, njeri punëtor i urtë me virtyte të larta, e më vonë fëmijët, Ganiu, Azizja, Myrvetja, Servetja dhe Byslimi, që kishin një karakter të fuqishëm dhe s’u përkulën kurrë.
Vëllezërit Kuqeshi, Thanasi, Petraq, Polikron, Sofokliu, Mondi dhe motra e tyre Evgjenia, motër e djem shembullor, që punonin njëlloj me traktorin. Sokol e Simon Miraka, djem të edukuar e të përgatitur nga ana intelektuale. Musa Sina, familje fisnike burrë korrekt, me një humor të hollë dhe e shoqja Myrvetja, ishin model i qëndresës.
Elez Hoxha, djalë fisnik model qëndrese, Nikoll e Drane Mernaçi, familje me tradita e besnikëri të lartë. Bekim Herri, ky djalë zotëri që gëzonte besimin e të gjithëve, vinte nga kampi i Gradishtës shpesh me leje, për të na dhënë kënaqësi të veçantë, ai i binte fizarmonikës dhe ne nën tingujt e saj, harronim të keqen e madhe.
Vëllezërit Kokali, Kiço, Vasili, Llambi, familje shembullore, që rritën dhe fëmijë të mrekullueshëm brenda kampit. Vëllezërit Çapo, Idaiu, Eqeremi, Fadili dhe Lefteri, djem këta me një karakter të fuqishëm. Vëllezërit Prengjoni, ishin krenaria e benikërisë, si Hyseni, Kadriu, Zeqiti, Alushi, dhe dy motrat e tyre. Vëllezërit Laholli, Luani, Ahmeti dhe Ferdinandi, me nënën e tyre kreshnike, Zengjine, ishin ilaçi i plagëve të shoqërisë sonë, djem shumë pozitiv.
Familja Çeliku, Luani me nënën Hatixhe, dhe katër motrat e tij, ishin model i qëndresës. Familja Cafi, Taze e Idriz Cafi, nënë e bir, shembull i qëndresës. Lazer Radi me familje, qëndresë shembullore. Familja e Dine Dinajve, Tomori, Sazani e Dine dhe motrat e tyre, shembull i qëndresës. Liri dhe Genc Bajraktari, motër e vëlla, model i qëndresës. Sherif Nela, familje korrekte me fëmijë shembullor.
Kristina Gjoni, Irena Dukagjini e Tefta Çapa, Esma Biçaku, Valbana Miraka, Luftani Agolli, që vetëm u qeshte buza dhe fjala e tyre e urtë, gjithashtu, Lajde e Evanthie e Sofie Kokali, familje që u respektua gjithë kohën, Motrat Herri, Dezdemona, Shpresa, Bardhylja, shoqja dhe moshatarja ime, Fjorentina, që të kënaqte me fjalën e urtë dhe zërin e bukur kur këndonte.
Motrat Kolgjini: Sania, Feridja, Fatimja, dhe Shpresa, ishin model i qëndresës. Familja Musai, Jonuzi, Shpresa, Hysnia dhe Dervishi, ishin një familje e lartë me cilësi të rralla, e shumë e shumë të tjerë. Në këtë intervistë përmenda shumë emra miqsh me të cilët, herë pas here kam punuar e jetuar me ta, për 31 vjet.
U kërkoj ndjesë të gjithë atyre që s’pata mundësi dhe kohë për t’i përmendur këtu. Po ju siguroj miqtë e mi të mirë, që asnjëri prej jush, edhe pse s’jeni në këtë intervistë, nuk do të përjashtoheni në librin e ardhshëm dokumentar me titull; “Vajet e pranverës” që del së shpejti.
Dua të shpreh se vuajtja gjysmë shekullore ishte e jona, e të gjithëve e jo e politikanëve të soçëm e të moçëm shqiptar. Ne duhet të duam e të nderojmë njëri tjerin, si dikur në ato kampe ogurzeza. Do të thosha si vështirë shkulet dhe harrohet nga zemra jonë, ai persekutim i tmerrshëm, ajo fëmijëri me përbuzje nga pas, ajo rini aq e bukur e humbur kampeve të tmerrit komunist.
Pra, e lamë pas ferrin e Enver Hoxhës, dhe tani jetoj në paqe, në liri të plotë. Unë e ndjej se e arrita parajsën vonë, por e arrita. Kështu do ta quaja dhe kjo do të ishte përgjigjja ime. Parajsa për mua është liria, është kjo që po jetoj! Është Brukseli.
Ndërsa nekrologjia e së keqes, ka ngelur vërtet e pavarrosur, do të thosha nuk ka vdekur akoma, duhet të vdesë një herë e, t’i bëhen të tëra ritet e detyrimet që janë borxh, pastaj të varroset me nderime. Pas varrimit të kemi një datë përkujtimore, që dhe media të angazhohet e ta dijë planin e punës atë datë. A nuk duhet vendosur një datë, ku të kujtohen këto viktima e të bëhen homazhe? Pa ne, pa ekzistencën tonë, nuk do të kishte nisje dhe vazhdim, demokracia.
Mendoni se letërsia e shkrimtarëve të internuar ,vazhdon ta ndjejë indiferentizmin e kritikës së mirëfilltë, apo më e keqja mos vazhdohet të kërcënohet, si në kohën e diktaturës?
Shpesh konstatoj me dhimbje, diku e diku lidhje të forta me diktaturën, dhe klanet e tyre mjerisht vazhdojnë. Kush është përkëdhelur nga diktatura, kërkon përsëri po ato privilegje e trofe; “Kush është mësuar, nuk rri pushuar“. Por ka, ka me të vërtetë poetë e shkrimtarë të shquar, përparimtarë, që dinë të vlerësojnë edhe klasën tonë, dhe ata janë shumë.
Ju keni qenë fqinjë në internim me Dr. Lazer Radin, një erudit i shquar i Kombit, mik i ngushtë i Migjenit, i dënuar për 50 vjet, përse kritika dhe politika, vazhdojnë ta mohojnë dhe ç’është më tronditësja, i mohojnë dhe ja fshejnë foton me Migjenin, kur këtij të fundit, i botojnë ose e kujtojnë me ndonjë seminar ose libër, cili është opinioni juaj si shkrimtare?
Është për të ardhur keq! Dijetar si Dr. Lazër Radi, në jetë përsëriten pak. Ai ishte mik i Migjenit, po dhe i imi, i të gjithëve, këtë s’e luan as topi, dhe libri i tij “Një verë me Migjenin”, është një kryevepër për letërsinë shqiptare dhe të gjithë duhet të krenohemi. Ky libër u internua bashkë me autorin, për 50 vjet radhazi dhe vuante nëpër sirtarë, gjithë atë persekutim.
E kam theksuar dhe në artikujt e tjerë që kam shkruar, Dr. Lazer Radi, mbetet një hero në radhët e të shtypurve, një mit, një njeri pozitiv, që dha shumë nga vetja, që dha dritë në ato vite të errëta, kur ne kishim aq shumë nevojë.
Gjatë kohës së botimeve të librave tuaj, ju është dashur të mbroheni nga meskiniteti i ndonjë kritiku të vjetër, pasi letërsia dhe arti, kanë nevojë për drenazhime, për një spastrim dhe rivlerësim të domosdoshëm?
Jo, përkundrazi, unë jam ndjerë mirë, nga shumë personalitete e kritikë të letërsisë shqiptare, pavarësisht se nuk kam marrë asnjë çmim, përveçse në tekste këngësh, ku kam marrë çmim të dytë, fletë nderi dhe flamur. Por jam e kënaqur si për çudi, kur ishte në fuqi Partia Socialiste, më janë pranuar libra nga Ministria e Arsimit për shkolla. Kjo do të thotë se unë jam pritur mirë nga kritika shqiptare dhe është një vlerësim që më është bërë, nga njerëz e figura të njohura.
Kurse për çmime poezie, kjo dihet, këto janë rezerva dhe ka që i ruajnë vetëm për vete dhe brenda klanit të tyre, të gjitha juritë. Po për një gjë jam krenare: Unë e kam vargun plot ndjenja e madhështi kohërash! Unë e kam frazën e bukur e të fortë!
Edhe pse kam qenë “klasë e përmbysur”, i njoh mirë rregullat, se ata na mbyllën dyert e shkollave, po nuk arritën kurrë të na mbyllin dot dyert e dijeve dhe të shkollave, brenda shtëpive tona, siç ishte dhe shtëpia e Dr. Lazer Radit, një shkollë e fortë. Tani dhe gjithmonë jam tolerante, jam me paqen dhe i dua të gjithë shqiptarët, qofshin të majtë apo të djathtë.
Diçka nga jeta personale juaj në internim dhe jetesës së familjes suaj në Belgjikë?
Nga t’ja nis? Lumë kujtimesh të hidhura më vijnë e më godasin shpirtin, ende si dikur në ato apele, në ato fyerje, në ato baltra, në ato fusha e kanale, që hapëm dhe që i lamë me lotin e fëmijërisë sonë, me lotin e rinisë sonë, dhe më tej, me lotët e një nëne të re, ku nuk kishte me se të ushqente fëmijën e saj.
Na mungonte gjithçka. Mbi të gjitha na mungonte Liria, pika e qumështit për fëmijën e porsalindur në atë skëterrë – internim.
Jeta ime personale shkoi e humbi si shumë jetë të tjera, nëpër kampet e egra të komunizmit. Megjithatë tani kam shtrirë dorën dhe dua të kap kohën që më ka mbetur përpara me optimizëm. Dhe po mundohem me forcë, të harroj atë lot të dhimbshëm, që më mbeti atje larg në vendin e mallkuar.
Po për Belgjikën, ç’mund të na thuash?
Belgjika është shteti im i dytë, mëmë. E dua dhe e çmoj se më priti si bijën e saj. Unë në Belgjikë, gjeta qetësinë, lirinë e humbur, dhe një demokraci të vërtetë, pasi vendi im për 50 vjet, m’i mbylli të gjitha portat, më mohoi si njeri. Kurse ky shtet, m’i hapi të gjitha dyert me dashuri, duke më dhënë vendin e merituar edhe statusin politik.
I jam shumë mirënjohëse këtij shteti bujar, që ka demokraci kaq të madhe, ku më hapi edhe portat e shkollës, ku unë mësova frëngjishte për katër vjet, dhe tani merrem dhe me përkthime poezie dhe proze. Faleminderit Belgjikë! (Merci, c’est très gentil de votre part).
Atëhere s’më mbetet gjë tjetër znj. Hoxha, veçse t’ju falënderoj për këtë intervistë të pasur dhe të bukur. Edhe një herë faleminderit, dhe ju urojmë, gjithmonë suksese të mëtejshme!
Faleminderit znj. Kozeta për këtë interesim plot mirësi dhe kulturë, që ju i bëni gjithnjë shtresës sonë. /Memorie.al
Maj, 2012
Staten Island, Neë York