Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin ë zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Gjashtëqind gramshit
(Rutina e një dite, në kampin e fjetjes)
Pleq të kruspullosur nga mosha dhe të ftohtit, lëviznin poshtë e lartë në punën e tyre. Ata qitnin nga goja dhe hundët shtëllunga avulli, si të shfrynin tymin e mijra çibukëve të padukshëm. Ndalova mbi pragun e derës. Që aty m’u shpalos lugina e Fanit, por ajo pjesë që më rroku syri, s’ishte ndonjë panoramë mbresëlënëse.
Me një vështrim të shpejtë bëra si me thënë, rikonjicionin e vendit ku më kishin ndryrë. Poshtë, nën rrethimin e kampit, shtrihej gjeratorja e Fanit dhe përtej saj, rruga që gjarpëronte drejt minierave të Spaçit, ku do të përfundoja edhe unë pak më vonë. Sipër mbi udhëz, lartohej kodra dhe ende më tej, në horizont, malet e Munellës dhe të Kalimashit. Kjo është panorama, në pamje të parë.
Vendi ku ish pozicionuar kampi i fjetjes, ishte një far katërkëndësh i rregullt kënddrejtë, që shtrihej në faqen bri rrugës që ngjitej për në Oroshin e thellë. Në të katër segmentet e figurës gjeometrike, ishin ngulur kapanonet, të ngjashëm me atë ku kalova natën e parë.
Kapanoni im ishte në pikën më kulmore, tjetri, në krahun e majtë të nyjes ose, në pjesën më fundore të kampit dhe baraka e tretë në të majtë, shërbente gjithashtu si fjetinë. Pra, në tre kapanonë që formonin një profil “U-je”, strehoheshin rreth treqind të dënuarit që gjeta, kur mbërrita atje.
Në të djathtë të hyrjes, duke nisur nga zyra e oficerit të rojës, renditeshin krah njëra tjetrës, depoja e ushqimeve dhe e veshmbathjes, prapa saj infermieria. Në mes, ish lënë një hapësirë boshe, jo më e gjerë se dy metër, që përdorej si dalje për në kampin e punës, njëkohësisht shërbente edhe si rrugë për në infermieri, apo në birucat e izolimit, që ishin fshehur pak më lart.
Po mbi këtë rrugë, ishte edhe dyqani i Nojës, ku tregtoheshin sende të ndryshme ushqimore dhe veshmbathje (por që më të shumtën e kohës ishte i boshatisur, për mungesë furnizimi). Ngjitur me të, në një kthinë rreth tri metër katror, ishte kartoteka, ku “vuante” dënimin një llogaritar, i quajtur Theodhoraq Vangjeli, nga nahija e Korçës.
Ky ish-oficer marine, i dënuar me grupin e Teme Sejkos, mbasi kish kontribuar në kllaposjen e shokëve të vet, tashmë si “ndëshkim”, vuante dënimin, duke prerë faturat për në dyqan.
Më sipër gjindej salla e kulturës, që vetëm për kulturë s’u përdor asnjëherë, për rreth dy vite që qesh atje, ndonëse te dera kishin ngulur stendën e emulacionit, brenda kishin renditur ca tavolina dhe stola druri, të palatuar. Më pas, kur numri i të dënuarve u shtua, kjo godinë u shndërrua në kapanon.
Akoma më lartë, ish mensa dhe ndanë saj, kuzhina. Në krye nevojtoret, siç e përshkrova më sipër. Midis binave të të dy krahëve, ishte lënë një hapësirë e pazënë, të cilën e kishin sistemuar në formë tarracash, në dy nivele, duke shfrytëzuar konfiguracionin e relievit.
Në të parën nga poshtë, kishin sajuar një palo bina, mbi katër shtylla druri dhe e kishin mbuluar me llamarina të ndryshkura fuçishë zifti, që e quanin kuzhina private. Zjarrin e ndiznin nëpër ca vatra, mbi copa tullash, ku vinin tenxheret për gatim apo, kovat e kazanët për të ngrohur ujë, për të larë teshat dhe për dush, sipër mbi çati valëvitej tymi, si mbi një oxhak kamin.
Poshtë, në tarracën e parë, ishin instaluar edhe çezmat. Në një tip ulluku betoni, si lekanët ku pinë ujë kafshët, kishin instaluar një tub të ngjashëm me sylinarin e krojeve, ku në gjashtë bira të shpuara direkt mbi të, derdhej ujë. Në dy birat e para, rridhte ujë mjaftueshëm, te dy të tjerat pas tyre, më pak dhe te dy të fundit, pika pika. Pra, praktikisht funksiononin vetëm katër.
Treqind të burgosur, duhet të përmbushnin nevojat higjienike në katër pizga uji. Dhe s’ishin çezma ashtu si i përfytyron gjithkush, me saraçineskë apo, rubineta grykëposhtë, po një sylynar i drejtë me bira anësore, që mund të ta hidhnin pizgën e ujit mbi gjoks, po të mos e kishe mendjen top dhe të të bënin qull, sepse uji herë pas here, shfrynte me presion.
Ngjitur me to, lartohej një tjetër bina me blloqe betoni, rreth dy metër e lartë, e gjatë tre dhe e gjerë një metër e gjysëm. Atë e kishin ndarë në katër anekse pa dyer, ku duhej të laheshin treqind të dënuarit. Çudia ishte se këto tharqe derrash, i quanin “dushe”, edhe pse s’kishin asgjë të ngjashme, me dushet e njëmendët.
Mbi këto palo dushe inekzistente, shtrihej një tarracë e dytë, tridhjetepesë metër e gjatë dhe diku gjashtë, diku shtatë e gjerë, që kishte funksionim të dyfishtë, dy herë në ditë shërbente si “vathë” për numërimin e “tufës” së të burgosurve-bagëti, ndërsa pjesën tjetër, merrte funksion më fisnik, shndërrohej në “pjacë” ku xhironin të dënuarit.
Kjo ishte pak a shumë, plan-vendosja e vendit, ku do shtyja gati dy vite. Në kampet politikë, bashkëjetonin dy kategori të dënuarish. Punëtorët dhe “gjashtë-qindëshit”. Në të parën siç thashë, hynin punëtorët, ata që pashë në mëngjes, tek kryenin veprime të sinkronizuara.
Në dallim nga pjesa tjetër, këta i trajtonin me racion ushqimor, paksa më të diferencuar. Iu jepnin tetëqind gramë bukë, një garuzhde supë në mëngjes, një për drekë, (thuhej që ishte me mish, po rrallë të binte në hise ndonjë fijez) dhe për darkë, një garuzhde çaj. Natyrisht, ky s’ishte ndonjë porcion kushedi ç’farë, po në kushtet e burgut, siguronte mbijetesën.
Mirëpo nga ana tjetër, në kompensim të këtij trajtimi, këta mjeranë, duhej të robtoheshin, që të realizonin normën, përkundrazi i priste ndëshkimi pas shtyllave, në rrugën e Golgotës, siç do ta pësoja edhe unë unë prapa.
Në grupin e dytë, futeshin “gjashtëqindëshit”. Kjo kategori në kampet e punës së detyruar, përfaqësonte më të moshuarit, të pa aftët për punë, të sëmurët kronikë, që lëngonin nga sëmundje pa shërim, si kancer të ndryshëm, diabete të avancuar, parainfakte kardiake, venerianë, sëmundje psikike, gjymtime pa kthim; pra, një masë jo e pakët të burgosurish politikë.
Dhe së fundi, renditeshin të sëmurët e përkohshëm, ata të cilët, pas operacioneve nga trauma akute, si: stomaku, mëlçia, apendiciti, etj., ktheheshin nga spitali i burgut, me raporte mjekësorë. Si rrjedhojë e rekomandimit të mjekëve, duhej të trajtoheshin me ushqim special; mirëpo kjo mbetej vetëm në letër, sepse praktikisht, as bëhej fjalë t’a përfitonte kush, ngaqë komanda e kampit, e shihte luks të tepërt.
Santafillëqe të tilla i konsideronin: “sajesa specifike”, të denja për vendet borgjezo-revizioniste, ku dallimi klasor dhe racial, ishte tipari themelor i ndarjes “rendore”. “Në Shqipërinë tonë socialiste, në shoqërinë e re që duam të ndërtojmë ne, janë të papranueshme këto diferencime. Po instalojmë rendin e drejtë, ku të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”!
Domethënë: të gjithë brekëgrisur!
Ushqimi special, edhe pse s’ishte në sasi kushedi sa më lartë nga i zakonshmi, sipas mentalitetit kriminal të drejtuesve injorantë të kampit, trajtohej si; koncentrati për majmërinë e derrave në fermat blegtorale dhe mjekët që e rekomandonin atë, i quanin thjeshtë: “derra borgjezë, me bluza të bardha”.
Pa përjashtim, gjithë këto kategori, trajtoheshin me gjashtëqind gram bukë në ditë, nga një garuzhde supë në mëngjes dhe në drekë, natyrisht pa mish, që të mos majmeshin armiqtë! dhe me tetëmbëdhjetë gram vaj, po edhe këtë, kur ja hidhnin!; në darkë, një garuzhde çaj pa sheqer, (sigurisht, për t’i ruajtur nga diabeti).
I njëjti trajtim, edhe për të izoluarit në birucat e kampit, në burgun e Burrelit, në spitalin e burgut, në dhomat e paraburgimeve, të Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, në kaushët e burgut të Tiranës dhe kudo gjetkë, ku kishte të izoluar politikë. Pra praktikisht, si të parët, si të dytët, ishin përherë të uritur.
Pas topitjes së fillimit, u nisa pas priftit në tarracën e poshtme. Te çezmat ai ndaloi e po lahej. Edhe unë u hodha nja dy grushte syve, sa për të provuar shijen e ujit. Befas, seç më lindi një dëshirë e marrë, i gëzohesha ujit si i babëzitur! Vazhdova të hedh grusht pas grushti, pa kursim.
“Sa qejf ujë, ujë”! U ndjeva si ata tuaregët e shkretëtirës që prekin auzin, pas ditësh e ditësh udhëtimi në një oqean rëre.
“Oh, ujë, ujë, ujë pa hesap! Shyqyr, O Zot, i lirë! I lirë të harxhoj ujë sa të dua! Oh, ç’kënaqësi”! u ngazëlleva.
M’u ndërmend që për javë e muaj me radhë, s’pata rast të shihja kaq ujë. Çdo mëngjes e mbrëmje, më lejonin të mbushja vetëm një pagure të pistë, që s’më mjaftonte as për të shuar etjen, jo më të lahesha! Kisha, qysh nga dita e arrestimit, pa bërë një banjë, përjashto rastet kur fshehurazi, fusja ndonjëherë kokën në çezmë, po edhe këtë e pagoja me dajak.
Po pllaquritesha me ujë të ftohtë, e shpërndaja me aq dëshirë mbi qafë, sa harrova se bënte akullimë, harrova ndërkaq se s’isha vetëm. Stërkalat që përndaheshin nga përplasja mbi fytyrë, pa dashje po lagnin të tjerët.
“Ej djalosh, mëso të lahesh, or mik! Po na bëre qull, a derëbardhë”! – shqova një dialekt labi.
E pashë me habi.
“Më fal, xhaxho”! – ja ktheva.
“U-a-ah, më fal thotë! Po, të plasur i ke, mo”?
“Kam kohë pa u larë”!.
“Pse o, bujtës je ti”?
“Mbrëmë na sollën”!
“Nga të kemi, o”?
“Nga Berati”.
“Dree, dre! Nga ç’fshat, o”?
“Nga Berati”.
Labi, një plak i gjatë dhe i thatë si dru thane, u kthye në anën tjetër dhe me zë të lart, thirri:
“Sulo, o Sulo-oo”!
U ktheva andej nga qe drejtuar ai, një i moshuar me syze, me kapele të bardhë dhe një gazetë në dorë, u ngrit nga një gur ku ish ulur si mbi stol.
“E, o Daut, ç’pate”! – ia ktheu tjetri i përkulur më dysh.
“Pa bëj lart, a derëbardhë, të paska ardhur një patriot”!
Sulua, mbathur me një palë çorape leshi dhe një palë nallane druri të trasha, që nën taban iu kishte qepur copa gome, për të mos shkarë apo të mos trokëllinin, me zor ngjiti shkallët.
Erdhi drejt nesh me dorën shtrirë:
“Nga të kemi, or djal”? – më pyeti me një frymë.
“Nga Berati”.
“I kujt je mo”?
“I thashë i kujt isha”.
“Pa, afrohu një çik më afër, se s’para shoh mirë nga sytë. Ore, vërtetë je djali i Limes, ti”?!! – syzet e trasha si fund kavanozi, gati sa s’më cikën majën e hundës.
“Po”! – pohova.
“Cili djalë, mo”?
“I treti”.
“Mos, more, u erdhi radha edhe juve, njimë”?!
“Kështu duket”! – ia ktheva.
“Ah, kriminelë, po na fusni edhe kalamajtë nashti”! – dhe drejtoi syzet e trasha diku, mbase në një pikë të papërcaktuar në qiell, seç mërmëriti një si lutje dhe iu kthye labit:
“O Daut, e kam djal miku këtë! Jam rritur me t’anë e këtij, jemi shok fëmijërie”!
“Ashtu”? – bëri labi dhe më pa me kureshtje.
“Po, për Allah! – u betua syzja. – Është xhins i mirë ky djali”! – shtoi.
Nga poshtë xhamave, pashë t’i rridhnin nja dy pikëza që i njomën qerpikët dhe morën tatëpjetë në hullinë e një vijëze rrudhe. Ai i fshiu me gisht, mandej bëri gjasme ia kishin fajin sytë e sëmurë, por shpatullat që po i dridheshin, e tradhtuan të gjorin plak.
Qante!?
Qante, ndoshta edhe për djemtë e tij, ngaqë mendonte se tani po vinte radha e brezit të dytë, të zëvendësonin etërit nëpër burgjet komuniste. U ul mbi një tullë, mbasi u qetësua disi, nisi një seri pyetjesh:
“Sa të kanë dënuar? Pse të kanë dënuar? Kur të prunë? Nga erdhe? Si e ke lënë Beratin? Ç’bëhej atij Berati??? etj. etj.”… pyetje pa mbarim. S’priste përgjigje, po vazhdonte e vazhdonte, pashterur.
Seç ndjeva një valë të nxehti, të më ngjitej nga rropullitë e të më digjte kafazin e kraharorin, kur pashë atë plak të mallëngjyer për njerëzit e vet, për qytetin e vet, për gurët e sokakut, për zajet e lumit, për gjithçka, nga e kishin shkëputur përdhunshëm.
Lotët e atij plaku të ligështuar, ma shumëfishuan urrejtjen e akumuluar në izolim.
“Mallkuar qoftë ky regjim kriminal, sadist, pervers, murtajë që ndan etërit nga bijtë dhe anasjelltas”!
Mbase, kushedi gjer ku do ish shtyrë mllefi im, por atë moment një peshqir më zuri pamjen. Ish prifti, që ndërkohë kish larë fytyrën dhe ndehu peshqirin qe mbante në qafë:
“O Sulo, po lëri këto, mo, djali ka nevojë të hajë dhe të lahet! – duket që nga lekani”, – Vaska e kish ndjekur bisedën tonë.
“Po, ke të drejtë, po malli, or vëlla…”! – ia ktheu Sulua.
“Hajd, tani, luaj, na gjej ca dru për zjarr”!
“T’i bëjmë për të ngrënë”?
“Për këtë mendon Sherefi, do bëj një trahana e mbyllet kjo punë. Unë po shoh mos më ka mbetur ndonjë cifël sapun e ndonjë palë ndërresa”! – shtoi prifti.
“Të hajë e të lahet njëherë, pastaj ngopuni me muhabete! Ke pesë vjet kohë, o Sulo”! – e shpotiti labi.
“Ika, pastaj llafosemi”! – tha plaku dhe mori të poshtë shkallët.
Kishin ndërhyrë në momentin e duhur, më nxorën nga një situatë trishtimi, kurse Sulon, mbase e shpëtuan nga ndonjë infarkt i mundshëm.
Ndërsa po ndaheshim, u ndjenë fishkëllimat e bilbilave të policëve, që u pasuan nga zëri i ngjirur i tellallit:
“Në apel! Në apel”!
Me të dëgjuar sinjalin, një tufë pleqsh u mblodhën në sheshin i epërm, para kapanonit tim. U rreshtuan për dy, pa iu dhënë askush komandë. Aty nga fundi, u futa edhe unë. Filloi numërimi.
Vargani me kokat zbuluar, kalonte si tufa e bagëtive në strungë, para dy policëve, që kishin zënë kryet e shkallëve që të çonin në banjo. Pleqtë, mbështetur te njeri tjetri apo, mbi shkopinj të shtrembër që zëvendësonin bastunët, çapiteshin në rreshta treshe.
Pashë të gjymtuar me paterica nën sqetull, që hiqnin këmbët hosh, pashë me një këmbë, me një dorë, madje edhe njërin pa duar fare. Pamja fizike e këtyre qyqarëve më shtangu.
“O Zot, ku më paskan sjellë”?
“Në burg”! – ma ktheu alter-egoja.
“Pse, burg apo pavijon ortopedik, është këtu”?
“Si the”?
“Hiç. hiç! Të pyeta, në burg jam”?!
“Pse, ore, ç’prisje zotërote”?!
“Ama, me këta ulokë dhe sakatë, i paskan mbushur burgjet politike? O Zot, nga këta tekahytë u trembka ky pushtet? Pika”!
Por zëri i fuqishëm i tellallit, ma preu këtë meditim retorik. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016