Nga Moisi DALIPI
Memorie.al / Në radhët e komunitetit çam gjen personalitete të fushave të ndryshme, të cilët kanë kontribuar shumë fortë, me tërë vlerat e tyre, për rritjen e shkencës, kulturës dhe sportit të vendit tonë. Dhe njëri prej tyre, pa as më të voglin dyshim, është dhe Haruan Dojaka. Një sportist shumëplanësh ky që ka ushtruar në vitet e rinisë tij atletikën, futbollin, notin dhe vaterpolon, por që u dashurua më fortë, me sportin e volejbollit, duke i shërbyer atij për shumë vite dhe dekada, si lojtar, trajner dhe gjyqtar. Dhe sportit të volejbollit, Harun Dojaka ju përkushtua për më shumë se gjysën shekulli, duke nisur si lojtar në vitin 1952, tek ish – ekipi kryeqytetas “17 Nëntori”, dhe duke e mbyllur si trajner dhe seleksionues, në vitin 2013, tek ekipet e moshave të qytetit të Ashsodit, në Izrael.
Por jo vetëm kaq, sepse jashtë kornizës të këtyre viteve, nuk mund të qëndroni dhe vitet e rinisë tij në qytetin e Sarandës, ku nga viti 1946, deri 1952-in, ai ka ushtruar fortë e bukur sportet e atletikës, futbollit, notit dhe vaterpolit.
Dhe të gjitha këto vite të ngarkuara me sport dhe për sportin, i japin Harun Dojakës, një vend nderi në podin e më të mirëve të sportit tonë. Familja e Iljaz dhe Nurie Dojakës, ka ardhur nga Filati Çamërisë, në qytetin e Sarandës, rreth viteve 1925.
E vendosur me banim diku tek një kodër pranë detit, ku sot është lagja Nr.1 e qytetit bregdetar, më i madhi fëmijëve që mbante dhe emrin e gjyshit vet Haruni, do të dashurohet shpejt me sportet e ujit, siç janë noti dhe vaterpoli. Por të dhënat fizike të trupit tij, do t’i japin të drejtën të ushtrohet dhe në llojet e tjera të sportit, siç janë atletika, futbolli dhe volejbolli.
Madje si një sportist shumëplanësh në vitet 1946-1952, Harun Dojaka, do të ndihmojë fort me talentin e tij ekipin vendas të “Butrintit” të Sarandës, në të gjithë llojet e sportit, ku më shumë ai do të spikatë me sportin e volejbollin.
Në vitin 1952, kur ekipi volejbollit të meshkujve të “Butrintit” do të konturohej si skuadër, familja e djaloshit çam, do të transferohej me banim në Tiranë. Një mundësi më shumë kjo për Harun Dojakën, që të bëhej pjesë e ekipeve të volejbollit më parë “Spartakut” të Tiranës, që më pas është “17 Nëntori”.
Ai së bashku me Fatmir Mekën, Vangjel Kojën, Safa Vokopolën, Qemal Gjinalin, Ismail Malokun, Pëllumb Pelivanin dhe Andon Konën, do të bënin që ekipi i meshkujve të “17 Nëntorit” të ishte në rivalet të fortë me “Dinamon”, “Partizanin” e “Studentin”.
Ata fitojnë titullin kampion në 1957 dhe tre herë Kupën e Shqipërisë në vitet 1957, 1958 dhe 1964. Nga kjo skuadër e këtyre viteve, Harun Dojaka së bashku me Pëllumb Pelivanin, Vangjel Kojën dhe Andon Konën, do të ishin dhe pjesë e ekipit tonë kombëtar.
Por nga vitet 1961 Harun Dojaka, jo vetëm që do ishte pjesë e skuadrës të meshkujve si lojtar deri në 1966, por do të drejtojë për 9 vjet rresht deri në vitin 1970 dhe ekipin e volejbollit të femrave të “17 Nëntorit”.
Por ky njeri kaq shumë i përkushtuar për sportin e volejbollit paradite do ishte në punë si radio-teknik në ish ndërmarrjet e riparim-shërbimit në Tiranë, kurse mbas-dite do stërvitej me ekipin e meshkujve, si dhe do të drejtonte stërvitjen e ekipit të femrave. Jashtë agjendës tij javore, nuk do të mbeten dhe drejtimi skuadrave sportive të volejbollit, të Pallatit të Pionierëve në Tiranë .
I palodhur, i përkushtuar deri në sakrificë dhe plotë pasion për punën dhe sportin, Harun Dojaka, do të formojë portretin e tij sportiv në këto vite. Në harkun e 9 viteve në drejtimin e ekipit të femrave të “17 Nëntorit”, ai merr plot 7 tituj kampion, në vitet 1961, 1962, 1963, 1964, 1966-1967, 1967-1968, dhe 1968-1969, si dhe 4 Kupa të Republikës, në vitet 1965, 1966, 1967, dhe 1968. Një superfuqi kjo skuadër në këto vite, jo vetëm në kampionatin shqiptar të femrave, por dhe në Kupat e Evropës.
Lojtare të tilla, si e madhja Farie Hoti dhe me radhë të tjerat; Vera Verria, Valentina Dinella, Rajmonda Bytyçi, Rina Shehu dhe Sashenka Azemi, përbënin atë skuadër me të cilën trajneri Harun Dojaka, shkruajti histori brenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 1969, skuadra kampione e “17 Nëntorit”, do ndeshet për herë të parë në historinë e volejbollit shqiptar për Kupat e Evropës. Në turin e pare është përballë “Fenerebaçes” të Turqisë. Ndeshjen e pare e fiton skuadra jonë bardhe blu 3-1 në Tiranë.
Përsëri fitore dhe në ndeshjen e kthimit në Stamboll, por me rezultatin 3-2. Edhe pse skuadra jonë kishte kryer dy ditë udhëtim me mikrobus, ajo zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në Stamboll.
Ish mjeku sportiv i skuadrës, Lluka Heqimi, kujton: “Kemi zhvilluar një ndeshje të bukur shumë. Vajzat dhe trajneri Harun Dojaka, kanë qenë fantastikë. Përpara ndeshjes, trajneri Dojaka nuk lejoi skuadrën të futej në fushë, pa u vendosur flamuri ynë kombëtar në podin e nderit.
Ky fakt si dhe fitorja, duke kaluar në turin tjetër, bëri që një shqiptar me banim në Stamboll, me emrin Myslyl Beu, të shtrojë një darkë për ekipin dhe ti dhurojë të gjithë skuadrës nga një orë dore. Kjo “dhuratë” nuk i pëlqeu shoqëruesit të sigurimit, duke bërë që skuadra të refuzonte peshqeshet e Myslym Beut”.
Në turin tjetër , Tirana është eliminuar nga “Rapidi” i Bukureshtit, pas një ndeshjeje të jashtëzakonshme. Por vetëm kaq tek Tirana , sepse aventura si trajner për Harun Dojakën do të vazhdojë për tre sezone tek ekipi femrave të “Dinamos” .
Ishte viti 1970, kur Harun Dojaka mori drejtimin e “Dinamos” në kategorinë e dytë. Pas një rifreskimi që i dha skuadrës me lojtraret e reja në sezonin pasardhës 1971-1972, “Dinamo” e Haruan Dojakës, me lojtaret Donika Muka, Donika Shakaj, Eva Kavaja, Fatmira Dreni, Fatime Ibrahimi, Semiha Suljemani, Liza Gjinaj, Florida Shurbi, Zana Bekteshi, Pranvera Hoxha, Valentina Dashi, Margarita Çela dhe Brikena Çabej, shpallet kampione kategorisë dytë, duke u kthyer në grupin e më të mirëve.
Për arsye që nuk ka marrë një shpjegim që duhet këtë skuadër të ndërtuar aq bukur nga Harun Dojaka, nuk ja lejojnë ta drejtojë më “trajneri çam”, duke ia dhënë atë të madhit, Kreshnik Tartari. Ai thotë:- “E mora skuadrën dhe vazhdova një kampionat të kategorisë parë, duke mos lëvizur asgjë nga formacioni që kishte ndërtuar me aq profesionalizëm miku im, Dojaka.
Në atë sezon u renditën në vendin e tretë. Për ngritjen e “Dinamos” madhe që bëri emër në ato vite në Evropë, ndër të tjera unë kam pasur dhe ndihmën e Harun Dojakës. Ai ka punuar me një nivel të admirueshëm, me përkushtim e pasion shembullor”. Në vitet 1973-1977 Harun Dojaka do marrë drejtimin e ekipit të femrave të “Partizanit” që kishin plot 20 vjet në kategorinë e dytë.
Me punë, përkushtim dhe pasion, duke u mbështetur fortë tek tre lojtaret cilësore, si motrat Lejla dhe Lulëzime Duka dhe Majlinda Rama, në fund të sezonit 1973-1974, “Partizani” fiton të drejtën, për në kategorinë e parë.
Por, kur gjithçka shkonte mirë dhe bukur, dikush në vitin 1977, u kujtua se “trajneri çam” Harun Dojaka, ishte djali i motrës së “armikut” Teme Sejko dhe duhej larguar si trajner nga “Partizani”.
Dëshpërim dhe zhgënjim total, për këtë njeri pasionant dhe të përkushtuar. Pak kohë ushtron detyrën e gjyqtarit të volejbollit dhe pastaj gjithçka me sportin, kishte të bënte vetëm me lëvizjet nostalgjike që bënte me atë biçikletën e tij të tipit “Mifa”, në vendet ku luhej volejboll.
Në rrugën e tij të sportit në vitet 1985, përkushtohet fortë i biri, Amosi, që si volejbollist i “Studentit” dhe “Tiranës” por dhe aktivizimet e tij në Gjermani dhe Izrael deri ne vitin 1998, si dhe me trofetë e fituara, ai ishte një kopje e të atit tij, Harun Dojakës.
Pas vitit 1991 “legjenda” Harun Dojaka, së bashku me bashkëshorten Marlena, me origjinë hebreje, do të emigrojë në qytetin e Ashdodit në Izrael, ku për shumë se 20 vjet, do të punojë me ekipet e moshave të volejbollit të këtij qyteti, duke përgatur breza të tërë, në sportin e volejbollit.
Gjithsesi, Harun Dojaka me kaq shumë kontribute dhe vlera është harruar nga ata që e kanë për detyrë, duke u mjaftuar vetëm me vlerësimin me titullin e thjeshtë “Mjeshtër Sporti”.
Skeda sportive e Harun Dojakës
Lindur, më 25 nëntor në Sarandë dhe ndarë nga jeta më 5 maj 2013
Karriera sportive si lojtar: 1946-1952 sportist shumëplanësh tek “Butriti” dhe 1952-1966, volejbollist tek “Spartak” dhe “17 Nëntori”, ku fiton një titull kampion, tre Kupa Republike.
Karriera si trajner: në vitet 1961-1970, trajner tek “17 Nëntori” ku fiton 7 tituj kampion dhe 4 Kupa Republike. Në vitet 1970-1972 ka drejtuar ekipin e femrave të velojebollit të “Dinamos”, duke shpallur kampion kategorisë dytë në sezonin 1971 – 1972.
Në vitet 1973 – 1977, drejton ekipin e femrave të volejbollit “Partizanit” që pas 20 vjetëve, ngjitet në kategorinë e parë. Në vitet 1992- 2012, trajner dhe seleksionues i ekipeve të volejbollit të qytetit Ashdod në Izrael.
Vlerësime: “Mjeshtër Sporti”. Memorie.al