Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e katër
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin ë zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të 1973, në Revoltën e të dënuarve politikë ekzekutuan me pushkatim katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhërin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Kur e shihja At Vaskën të veshur me shajak, s’arrija kurrë ta imagjinoja se si mund të shndërrohej ky zdap, me uniformën fetare, me rason e zezë dhe kamillafin në kokë. Mbi fizionominë e tij, sëmundjet dhe vitet e burgut, kishin lënë gjurmë më tepër se sa mosha e vërtetë, sepse kur mësova se ishte vetëm dyzet e pesë vjeç, s’munda ta besoja. Pamja e tij të linte përshtypjen e një të moshuari, të paktën mbi të gjashtëdhjetat. Por vuajtjet, burgu…!
Ishte tip i qetë, meditativ, metodik. Prej tij mësova filozofinë e sakrificës pa ankesë, si të injoroje hakmarrjen edhe ndaj brutalitetit. Ky asket fjalëpakë, me veprimet e matura, po të devotshme, të jepte indicien, si mund të fitoje parajsën, duke adhuruar të padukshmin, imagjinarin, Jezusin; të mishëruar mbi një ikonë (edhe pse ikona nuk ekzistonin në burg, ai i falej një figure të përfytyruar).
Asnjëherë s’e dëgjova të ankohej, asnjë çast të vetëm s’e pashë të humbte kohën kot, gjithmonë do t’a gjeje, o duke iu falur në vetmi idhullit të vet, Jesu Krishtit, o me libra në dorë. Fjalëkursyer dhe i qetë si një Solomon, ai ta impononte respektin. Me mendimet racionale, të nguliste dijet. I dashur, i gjindshëm, pa bujë, vinte në jetë porosinë e Krishtit; “kur ke dy, njërën falja të afërmit tënd në nevojë”, ndante me të tjerët edhe kafshatën e fundit.
Meqë ishte përherë i pamundur dhe komisioni mjeko-ligjor e kishte nxjerrë të pa aftë për punë, të shumtën e kohës e kalonte shtrirë. Shtynte jetë të përkorë, me gjashtëqind gramë bukë dhe me lëtyrën e lëngut të zi, me ca copa patëllxhanësh, preshi apo spinaqi, sipas stinës dhe vetëm me njëzet gram vaj në ditë, po edhe këtë kur ia hidhnin. Pra, ai mbijetonte me atë që thirrej gjellë, si dhe me ato pak ndihma ushqimore, që i sillnin familja, duke e hequr nga goja e tyre.
Me gjithë sëmundjen dhe varfërinë, për sa kohë qesh pranë tij, s’e dëgjova kurrë të qahej. Përherë do ta gjeje të disponueshëm, me buzëqeshjen e gjithhershme mbi fytyrën e përvuajtur që rrezatonte mirësi.
Falë tij mësova të kapërceja vështirësitë e fillimit; zgjodha miqtë pa gabuar në përzgjedhje; rezistova dhe durova vuajtjet e burgut, pa rënë preh e grupazheve apo personave të lidhur me komandën, spiunë dhe imoralë, që edhe aty gëlonin, si në çdo qelizë tjetër të shoqërisë së kalbur socialiste. Për të gjitha këto, i mbetem mirënjohës përjetë mikut tim, Vaskës. Ndërsa Esheref Zaimi, ishte antipodi i priftit. Ironik e zhurmëtar, llafazan i lindur, por që përherë thoshte fjalën e duhur. Shpesh ndodhte të shndërrohej në cinik, i paskrupull, ama sipas njeriut, gjente edhe festen!
Ai kish talent artisti; ndonëse anonim dhe i pa shkollë, pa asnjë mjet pune në dispozicion, veç ca copash dru shqope apo bushi dhe ndonjë thikëz, të sajuara me tel elektrodash, apo fije të holla çeliku, nga duart e tija dolën vepra të mirëfillta arti që, nëse do t’i ish dhënë rasti t’i ekspozonte, do t’ja kishin zili artistët më në zë, në vend dhe ndoshta edhe në botë.
Kur shikoje ato copëza druri të merrnin jetë, të shndërroheshin mjeshtërisht në vepra arti, plot shije e fantazi, ta thosh mendja se ai zotëronte vetinë e magjisë. Iu jepte edhe sendeve shpirt! Ai burrë rrondokop, fytyrë vrenjtur, me vetulla të rrëzuara mbi sy, me ballë të lartë që përfundonte pas çaçkës së shogët, me duar eshtër-mëdha gjithë kallo, prodhonte vepra fine. Çudi, për t’u çuditur!
Në kohën kur e njoha, mund të ishte rreth pesëdhjetepesë-gjashtëdhjetë vjeçar, mbase më i madh, mbase më i vogël, si merrej vesh mosha e saktë, ngaqë i përkiste asaj kategorie tipash, që s’ua përcakton dot vitet. Fytyrën e purpërt e të rreshkur, ia përshkonin ca vija të thella si brazda plori, që nisnin nga balli i gjerë dhe përfundonin nën mjekrën e thinjur komplet.
Për shkak të ngjyrës së fytyrës, qimet e bardha dilnin më në pah. Kish sy gri në të çelët, porse rrudhat e shpeshta rreth tyre, i jepnin ndriçimit një refleks të veçantë. Pikërisht këto reflekse, i kishin stampuar mbi fytyrë maskën e ironisë së përhershme, po edhe të një zgjuarsi tipike. Me trup nën mesatar, shpatullgjerë dhe duar eshtore, të forconte idenë se ky tip dinamik, i përkiste shtresës fshataro-punëtore.
Copëzat e drurit të shndërruara në vepra arti më thithën gjithë vëmendjen.
“Xha Sheref, po ti qenke artist”! – i thashë i çuditur, pak kohë mbasi ishim njohur.
“Lëne ma, xamë ndonjë pare”!
“Po ti qenke skulptor, more”!
“E-hu-uu, shtyj kohën, or cull! Sun lexoj e, merrem me njito”!
“Po, ku ke mësuar të gdhendësh kaq bukur”?
“Ç’ka pyt, or cull”?
“Or, po ç’shkollë arti ke kryer”? – shtova me sinqeritet fëminor.
“A s’të kam than se njitu, janë t’tanë profesorë”! – bëri një ngërdheshje ironike, apo kështu mu duk mua, mandej serioz: – “Po baj shaka, kam mësue me delet n’mal, qyshse kam kën fëmij i vocër”!
“Pa bërë asnjë ditë shkollë”? – u habita unë.
“Po, ç’shkollë, or mec? E pse u dashka shkolla, me qit k’to shkarravina”!?
“Jo, s’janë shkarravina, po art i mirëfilltë”! – e mburra unë.
“Hajd, he burrë, ene ti ba me dasht, mund ta mësojsh kët zeje, s’asht ndonji filozofi e madhe”!
Në fakt s’ishte ashtu, ai i fetishizonte problemet, për mos t’i dhënë vetes rëndësi. Pra, e vërteta ishte ndryshe: ai ish artist, artist në kuptimin e plotë të fjalës! Gjatë viteve të burgut, njoha edhe shumë individë të tjerë, që merreshin me punimin e drurit, po asnjë si atë! Njoha Hil Pashkun, mjeshtër druri, marangoz i përkryer. Njoha At Zef Pllumin, i njëjtë me të parin. Njoha patriotin tim nga Skrapari, Petrit Spahiun, që nga pasioni për artin, e puthte copëzën e drurit, para se të niste gdhendjen, madje i kërkonte ndjesë, se po e shëmtonte me thikat e tija!
Porse Xha Sherefi, mbetej i veçantë: ai i jepte jetë drurit! Por këto iu përkasin kohëve të mëpasshme, ndërsa atë mbrëmje, mbasi i futi thikat dhe copën e drurit në një strajcë, më urdhëroi:
“Çohu! Shko pshurru, se tash po fërshëllen gjarpni e, ke me dalë në kët qamet, n’benevrekë e n’këmishë”!
“Gjarpëri! Pse, fërshëllekan gjarpërinjtë në dimër”!?
S’e kisha idenë, se me këtë neoemërtim, kishin pagëzuar bilbilat e policëve. Natyrisht më vonë e mësova, me “fishkëllimë gjarpri”, nënkuptonin sinjalin e bilbilit, për veprimet e sinkronizuara që kryheshin aty. Po ai s’më la kohë të zhytesha në meditime, sepse përsëdyti:
“Ë pra, çpo pret! Hajd, ngrihu, se ke me pshurr cullak”!
“Cullak! Ç’do me thënë kjo fjalë”?!
“Lëni pyetjet e, shko pas të tjerëve”!
Ky burrë zhurmëtar e hokatar, me përvojën dhe zgjuarsinë e veçantë, megjithëse në një dialektin paksa arkaik, po shumë ekspresiv, kur mbërrita së pari në kamp, në momentet e depresionit, nëpër të cilat kalonte pashmangshmërisht çdo i burgosur i ri, më ngriti moralin. S’e imagjinoj dot, si do t’i kisha shtytur ato ditë dhe se ç’fill do kish marrë jeta ime e më-pasme, pa këshillat e vlefshme dhe sarkazmën therëse të këtij “noprani”, në dukje shumë ironik, por në thellësi të shpirtit, mjaft njerëzor.
Pa diskutim, pas shembullit të tij, do nxirrja deduksionin: “Një shpirt pozitiv, në çdo turp qoftë, përçon rreth vetes vetëm mirësi”! Ai jetonte brenda pozitivitetit të dyzuar, mes mrekullisë së fjalës dhe artit, që vetëm me burgun s’kishin lidhje. Artisti Zajmi, voziste mbi re, i dënuari Esheref, zvarritej mbi dhe! Njëri personalitet i kundërvihej tjetrit dhe të dy bashkë, kompletonin individin, por artisti delte përherë fitimtar. Në përditshmërinë e tij artistike, s’gjente vend brenga e trishtimit, dhuna lemeritëse s’e kish prekur atë shpirt. Dhe si një engjëll qiellor, e injektonte edhe te te tjerët. Mirënjohje Xha Esheref!
Fillimisht i mora hoka fjalët e tij. S’e kuptova ç’po më thosh, por kur të tjerët po dilnin nga dera e kapanonit me ngut, atëherë vendosa të bëja diçka. U ngrita, zbrita shkallaret e drunjta, kapërceva korridorin dhe derën e u nisa mbas të shumtëve. Sapo u gjenda jashtë, era e ftohtë m’u përplas mbi fytyrë, mornicat drithëruese më pushtuan tërë shtatin. Isha veshur hollë, me një këmishë taftaje dhe pantallona terital, mbi supe kisha vetëm një xhaketë të lehtë doku.
Vrojtova me sy terrin që më rrethonte. Gjithë kodrat rreth e qark i kish mbuluar një vello e zezë, vetëm mbi territorin e rrethuar me tela gjembaçë, zverdhëllonin dritat. Dy dynym vend, i qarkuar me trefish rrethim, ndriçohej nga pesë projektorë të fuqishëm, të instaluar në të katër këndet e kampit të fjetjes, ndërsa një i pestë, si sy qikllopi, shponte terrin nga karakolli mbi portën kryesore, derdhte pa nda, dritën e tij verbuese, mbi tërë hapësirën e kampit.
Ndriçimi kompletohej me kontributin edhe të njëqindenjëzetetre llambave më të vogla. Kaq ishte edhe numëri i shtyllave të rrethimit. Era, secila poçe, fiksohej mbi shtyllën respektive dhe të gjitha bashkë, përbënin konstelacionin e ri të galaktikës komuniste, i padallueshëm nga asnjë sy asterologu.
Natyrisht këtë aritmetikë s’kisha nga t’i dija qysh atë natë, por do t’i mësoja më vonë, në netët e pafundme të burgut, kur me shokët e vuajtjeve, viheshim në garë e vinim baste, se kush do mund të nxirrte pa gabuar, numrin e saktë të llambave të rrethimit të brendshëm, siç quhej pjesa e kampit të fjetjes, për t’i veçuar nga llambat e ndriçimit të jashtëm, ose të kampit të punës.
Nën monitorimin e një komisioni të paanshëm, bastin e fitova unë, ngaqë rezultova më i sakti në numërimin e poçeve, rrjedhimisht edhe shtyllave të kampit të fjetjes. Si fitues, më shpërblyen me një lugë bushi të verdhë, punuar mjeshtërisht nga dora e maestros Esheref Zajmi, në të cilën autori kish stilizuar një kokë dhie, me gojë të kthyer sipër, që shërbente edhe si bilbil, për të më kujtuar fishkëllimat e gjarpërinjve.
Deri ditën e lirimit nga burgu, e ruajta me fanatizëm këtë trofe, po atë ditë, policët m’a sekuestruan, duket iu pëlqeu dhe m’a rrëmbyen, me pretekstin absurd, se gjasme s’lejohej t’a nxirrja jashtë. Më privuan nga dhurata më e shtrenjtë, nga vepra artistike e skulptorit pa diploma, Esheref Zajmi, që e kisha fituar me aftësitë e mia amatoreske!
Kur papritmas, u gjenda në epiqendër të këtij rrethit të ndriçuar nga aq shumë drita, harrova për një moment, se isha në burg, mes telave me gjemba. Imagjinata fluturoi larg, në një event festiv, nën lumenjtë gurgullues të fishekzjarrëve, ku pa vetëdije, isha edhe unë pjesëmarrës.
Por, fiu-fri-fiuuu! e shoi këtë iluzion, sepse atë moment u dha sinjali, për ndalim-qarkullim veshur. Ndërkaq ky u pasua nga zërat e fuqishëm të ushtarëve roje, që ulëritën: “Ndal! Prapa ktheu, se do të qëlloj”! Dhe vërtetë, si për ta materializuar kërcënimin, dëgjova një kollë të zgjatur mitralozi: kra-krak-kra-aa-ak.
Shtanga në vend. S’dija si të veproja. Ashtu i topitur vëreja të tjerët që i kish zënë sinjali si mua; ata nisën të zhvisheshin në benevrekë dhe këmisha aty ku ishin. Ç’farë reflekse makabër! Nga kafe, u shndërruan në fantazma të bardha! M’u faneps atë çast, një skeç teatral, ku ca aktorë të drejtuar nga një regjisor i padukshëm, luanin rolin, që iu kishin mësuar. Edhe këta para meje, vepronin me përpikëri të habitshme. Të zhveshur tashmë, iu shëmbëllenin fantazmave të bardha që endeshin në natën e zezë. Britmat dhe krismat e armëve, plotësonin dekorin udiv e, më ngjallën ndjenjën e pasigurisë.
Instinktivisht u ktheva pas, për t’u strehuar nën derën e kapanonit. U struka aty dhe ktheva përsëdyti kokën, të këqyrja ç’bënin “aktorët” në shesh. I pashë tek zhvishnin teshat dhe, me to në dorë, vazhdonin rrugën për sipër te banjot. Po unë s’pata kurajë ta bëja. Ndjenja e turpit se do më shihnin me mbathje të shkurtra dhe kanotiere, e mundi nevojën fiziologjike, ndaj hyra brenda. M’u desh ta shtyja gjithë atë natë, pa dal jashtë. Natyrisht, isha i ri, sistemi renar funksiononte për mrekulli.
U futa në kapanon. Veshët më ranë në qetësi. Tashmë s’ndiheshin më biseda të zhurrmëshme, veç trokëllima nallanesh të atyre që dilnin dhe ktheheshin nga nevojtoret, ca pëshpërima zë-shuara si zukama bletësh dhe ndonjë kollë e thatë, që gërvishte këtë heshtje gjëme. Vura re dikë që bënte shenja me sy e me buzë, me ca poza komike, si aktorët pantomimistë, po gjithmonë pa zë. Kështu m’u drejtua edhe mua Xha Esherefi, vuri gishtin tregues para buzëve, që do të thosh se s’duhej të bëzaja. Heshta dhe në heshtje ngjita shkallaret e drunjta për te jataku im. Nën zë, dëgjova të më pëshpëriste:
“Flejë njitash! Zhurma, edhe e vogël, ndëshkohet me birucë! Hajd, natën”!
Leksionin teorik e konkretizoi duke u shtrirë dhe mbuloi kryet më një batanije leshi, pastaj nisi gërhimat. Ndërkohë Vaska, në krahun tjetër, me një velenxë thekë-gjatë që vaisej mbi jastëk, e kish mbuluar kokën me kohë. S’kuptohej në flinte apo ëndërronte, sepse herë pas here, lëshonte ca rënkime të thella. Rënkime dhe gërhima, ndiheshin gjithandej kapanonit. Ngaqë isha me mbathje të shkurtra, më erdhi turp të zhvishesha, ndaj u zhyta nën jorganin e hollë, me gjithë pantallona.
Çastet që kalova jashtë, në të ftohtin e hidhur, më kishin futur ethet në palcë, por për të mos bezdisur të tjerët, u përpoqa të mos lëvizja nën shtresa. Edhe pse mbulova kokën që të ngrohesha me frymën time dhe u platita nën shtroja, s’po ndjeja të ngrohtë. Temperatura brenda në kapanon, nuk ndryshonte kushedi sa, me jashtë. Po fërgëlloja, dhëmbët luanin pavullnetshëm e nxirrnin ca tinguj, sikur përtypja copëza xhami. Dikur, ndjeva të më hidhnin sipër jorganit, një mbulesë.
U befasova, kujdesi i këtyre burrave që për nga mosha, mund të ishin etërit e mi, por që në këto kushte, u bënë thjeshtë shokë të mitë, gati më ngashëreu. Por ajo që më ngrohu më shumë, që s’kish asnjë lidhje me efektin termik, qe dora e ngrohtë atërore që më mungonte prej kohësh. Gjithsesi s’munda të hyja në të thella, ngaqë ndjesia e të ngrohtit, m’u përnda në gjithë periferinë e shtatit e, më ndolli gjumin. M’u qepën sytë. Ndërsa veshët m’i gërricnin ende, krriq-frriqet që lëshonin dërrasat e shtrira poshtë shtratit të pafund.
Në atë kapanon, flinin shtatëdhjetë burra dhe gërvimat pasonin njëra tjetrën e, të krijonin ndjesinë e një ankthi të vazhdueshëm. Sa herë që ndokush luante për të ndërruar krah, dërrasat kuisnin e kërcisnin, si një ankim. Humba në avujt e harresës. M’u bë se kolovitesha në një varkë të çartallosur mes oqeanit, që kërkëllinte e kërkëllinte nën troshimën e dallgëve të frikshme dhe, që çast pas çasti, prisje katastrofën, që bashkë me karakatinën, të rrëkëllente, në humbellat pacak të mbretërisë së kaosit edhe ngarkesën e pafat.
Lodhja, mundimi, troshitja nga udha e gjatë e dhanë efektin. Trupi ra në qetësi, truri në harresë të thellë, ndërsa mendimi u arratis. Ato që përjetova atë mbrëmje, kishin lënë një vulë të pashlyeshme, diku thellë në subkoshiencë. Mbresat e asaj dite, do më bashkëshoqëronin për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Fal mirëpritjes së atyre burrave të panjohur, një botë e re, me të tjera ngjyra, me një tjetër kuptim, me të tjera aspirata, do i paraprinte një të ardhmeje të paparashikuar.
Drita e shpresës që m’u fanit atë mbrëmje, do i përkiste të nesërmes, botës ku mund të jepje dhe merrje dashuri pa kushte, jashtë interesave meskine dhe hipokrite të çastit. Këta dy burra të urtë e të mençur, me gjestin e tyre më kishin dhënë leksionin numër dy; dashurinë pakufi dhe sakrificën pa shpërblim, për nevojtarin. I falenderova edhe në gjumë fisnikët: “Ju faleminderit, për jetë të jetës!” Fjeta. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016