Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e parë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorroun njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të 1973, në Revoltën e të dënuarve politikë ekzekutuan me pushkatim katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23. 10. 2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Atë mëngjes, i pari u çua Luigji. Na hodhi, si përditë, një “si keni ndje burra?”, pastaj nisi të shtriqej. U ngrit në këmbë, e me trupin kaba, ma bllokoi edhe atë pak dritë që futej nga frëngjia e ngushtë, mbi kokat tona.
“Aman Luigj, mos na zërë dritën”! – iu luta.
“Asha Zotin, du m’u shpi nji fije, se kam ngri krejt”!
“Po, afrohu pranë derës e na lerë dritën”! – e luta sërish.
“Hajde, e burr, nata e fundit asht, sot, njitu”! – hidhej pupthi, si gjimnastët kur bëjnë nxemjen, përpara se të kapërcejnë kaluçin. – “Ne, nesri nade, s’dihet ku ka me na zanë sabahi”! – shtoi dhe përdridhte gongallat, që i kërcisnin si kërcet e dhisë.
Bëri edhe ca kërcime të tjera, mandej u ul në bisht dhe nisi të fërkonte pëllëmbët e mëdha si panxha ariu.
“Brr-rr-rr, sa ftohtë, burra”!
Ishte vërtet ftohtë. Gjithë natën e ishin shtytur e ngucur njëri pas tjetrit, jo vetëm se aq hapësirë kishte biruca, po më shumë, ngaqë s’ndjenim të ngrohtë.
“Eh, Bixh, kena ndonjë të re”? – e ngacmova qëllimisht, sa për të shtyrë ato minuta, deri sa të na vinte radha.
“Asha t’Madhin, sot kam pa n’andërr gjana t’bukra fort”! – u soll gërdalla drejt meje.
“Boll, Bixh djali, na ënjte me ato ëndrrat e tua”! – e ndërpreu Ladi.
“Po ndim mu, hej burr, nji kjo andërr ka me m’dal! Ke m’e pa”! – e kundërshtoi Luigji.
Po Ladi s’e la të vazhdonte më tej:
“Ore, a di ndonjë marifet tjetër, të dalim pak më shpejtë në banjo, se më dogji urina”!
Kishim rreth dy javë bashkë.
Të nesërmen, fill mbas gjyqit, mua dhe Ladin, na bashkuan në birucën katërmbëdhjetë, e cila ishte paksa më e bollshme se qelia, që ndaja me Matishin. Mbas ca ditësh, na sollën edhe Luigjin. Kështu, nga dy, u bëmë tre.
Na kthyen sërish në fis. Zakoni që, sa mbyllej gjyqi të dënuarit i grumbullonin në qeli të përbashkëta, nga tre e nga katër, në pritje të nisjes për në kaushët e burgut të Ri, në Tiranë, apo drejt e në kampet e punës, ishte trashëguar që herët.
Siç më kish rrëfyer Matishi, si i burgosur përsëritës, burgu i Shkodrës, para, kish pasur kaushë goxha të mëdhenj, ku ngjishnin, njeri tjetrin mbi dhjetëra të dënuar politikë dhe ordinerë bashkë, që rastiste t’i mbanim aty për periudha të gjata.
Me rrjedhën e viteve, numri i të ndaluarve u rrit disa fish, si rrjedhojë u shtua edhe nevoja për biruca, po tashmë edhe eksperienca i kish mësuar, që t’i ndanin veçan, të dënuarit politikë prej të dënuarve ordinerë. Synimi që, këta të fundit, të mos infektoheshin politikisht, i kishte shtyrë autoritetet të ri-konstruktonin burgun.
Kështu, dhomat e mëdha i copëzuan në disa pjesë dhe i përshtatën në miniqeli, një metër e njëzet, me dy e dyzetë. Përfundimisht, u rrit numri i qelive, po u zvogëlua sipërfaqja e ambienteve. Në një prej këtyre zgëqeve, na rrasën edhe neve. Tre veta, në dy metër e tetëdhjetetë centimetër katror vend. Me zor po shtynim ditë-netët e prisnim me padurim, çastin kur do të na transferonin gjetkë.
Procedurat e nisjes vononin, sepse s’varej vetëm në dëshirën e drejtuesve të atyshëm, që qenë gati të na sikterisnin një sahat e më parë, por ndikonin ca faktorë madhorë, si vonesa në zbardhjen e vendimit të formës së prerë, nga gjykata e shkallës sipërore, numri i të dënuarve politikë apo, ordinerë, që gjendeshin në iks Degë, (shtoju këtyre edhe nevojën për krahë pune, në iks apo ypsilon kantier), etj., dhe ankthi zgjatej pa fund.
Auto-burgun s’e nisnin me një apo dy vetë. Kështu, vazhdonim të “prisnim gozhdë” dhe të dëgjonim simfoninë e zorrëve bosh, në birucën katërmbëdhjetë. Qelia ku na sistemuan, për çastin, ishte paksa më e bollshme, prej pesë-gjashtë birucave, ku kisha “shëtitur” deri atë kohë.
Meqë frëngjia hapej nga brenda oborrit, kishte më pak zhurma, por ishte më e ekspozuar ndaj korrenteve ajrore sepse, shihte nga veriu; ishte më e ftohtë. Pozicionimi në krah të majtë, të hyrjes, në korridor, kishte si avantazh qetësinë dhe dizavantazh, orarin e zvargur të veprimeve.
Zakonisht, kur na qitnin për nevojat personale, në banjo, e për ajrim në dhomat e hapura jashtë, e nisnin nga qelia numër një dhe vazhdonin sipas rendit numëror. Kur vinte radha jonë, kish kaluar mbi një sahat. Meqë ky ritual zhvillohej nga dy herë në ditë, e dinim saktësisht, kur duhej të ishim gati, ndaj në pritje të radhës, ngjisheshim pas derës. Prisnim me padurim të na e hapnin.
Vërtet kishim nga një pagure shurre, treçerek litri, ama nata e pafund dimërore, që zgjaste mbi dymbëdhjetë orë, me të ftohtët e acartë, na shtrëngonte të ngriheshim më shpesh, për të derdhur ujët e hollë, kështu që pagurja mbushej; jo rrallë, na ndodhte të mos e mbanim dot urinën, e të kërkonim çlirim alternativ.
Natyrisht, kur përmend rrugët e tjera, duhet të kuptohemi qartë: jo se atje ekzistonin kushedi sa variante zgjedhjeje, po ne gjenim më praktiken, në ato kushte, domethënë – në të çarat, mes dërrasave të dyshemesë, boshatisnim paguren e shurrës. Ky veprim i përsëritur, prej pothuaj të gjithë të ndaluarve, për vite e vite me radhë, e kish kthyer ambientin, në një stallë kuajsh, ku kutërbonte duhma e drurit të kalbur dhe e urinës së konservuar.
Bashkë me aromën kutërbuese, përhapeshin edhe bacilet, që si pasojë, rrallë ndonjë i ndaluar mund t’iu shpëtonte sëmundjeve ngjitëse. Kjo përbënte një arsye më shumë, për t’ia mbathur sa më shpejt, prej asaj varke që lundronte mbi një det shurre. Sikundër e përmenda më sipër, të ngjeshur pas derës, me ankth, prisnim radhën.
Jo një herë na kish qëlluar, që pas dere të na shpëtonte urina, apo ndonjëherë edhe nevoja e trashë, në brekë, para se ta hapnin atë. Ndaj, gjithkush kish shpikur edhe ndonjë hile të vockël origjinale, si, bie fjala, të simulonte të sëmurin rëndë, të shkumëzonte nga dhimbjet intestine, të shtërzente nga diarreja, etj., që të përfitonte shërbim pak më të shpejtë.
Por kjo metodë s’e kishte përherë të garantuar suksesin, ngaqë edhe policët e shërbimit të brendshëm ishin mësuar me rrengjet tona dhe s’iu bënin përshtypje lojëra të tilla. Dhe, kur vërtet ndodhte që një i ndaluar të ishte në gjendje kritike, e linin të përpëlitej në dhimbjet therëse dhe, më zi ende, bënte vaki ta merrnin për simulant profesionist dhe qyqari e shihte veten me gjermanka në duar. Përfundimisht s’i mbetej tjetër, veçse të laturisej fund e majë, në të pëgërën e vet.
Kështu, në varësi të gardianit, improvizonim edhe lojën e radhës. Për shembull, kur ishte me shërbim Seit Bardhi, nga “Tirona”, asnjë s’ndihej, sepse e dinim ç’na priste. Kur qëllonte ndonjë “shpirtmadh”, edhe kish bërë vaki të përfitonim ndonjëherë. Bie fjala, kur shihnim të vinte Jonuzi apo Shefqeti, e merrja unë shaminë e valles. Nisja ulërimat me të madhe, sa dridheshin edhe qeprat e çatisë dhe ata, si patriotë të mi, vinin e na hapnin derën. Madje, për të mos rënë në sy, më kishin mësuar vetë, të sajoja ndonjë farsë të tillë.
Por atë mëngjes, s’ishte as njëri, as tjetri, kështu që hileja s’piu ujë dhe na u desh të prisnim, sa na u afrua radha.
“Or Çim, pash at xhak Krishtit, a po më ndin”?
“Po, Bixh”! – i thashë me gojë, por mendja s’di nga po gjezdiste.
“Kam pa nj’andërr çudi, veda”!
“Ç’ke pa, or Bixh”?!
“M’kan dal dy sallgama t’xhat, e m’kan fol, si me ken nieri! Allan shahit, Sh’na Nuen”! – u betua Luigji përsëdyti dhe më tundi për krahu. S’doja t’ia shuaja shpresat, që ai kish varur te ëndrrat, ani pse shpesh ëndërronte syhapur edhe në mes të ditës.
“Po Luigj, të besoj! Po si ndodhi”? – gjoja u interesova, me qëllim që ai të fliste, që të shtynim edhe ato pak minuta, deri sa të na hapnin derën.
“Qebesa, sot kena m’u nis! Kam fol me t’Madhin, veda”! – m’i nguli sytë e rrumbullt si të një shpendi paqësor, m’u në kokërdhokë. – “M’hangshin shtatëçind dreçën. në folsha rrena”! – shtoi dhe fërkonte panxhat.
“S’ke pse betohesh, or burr, sigurisht të besoj”! – bëra unë konfidentin.
U mësuam me tipin e tij, ish naiv i patëkeq, i parrezikshëm, gjysëm idiot. Gjithë bota e tij, si një qark i mbyllur, përmblidhej te të ngrënët; fillonte me bukën dhe mbaronte po aty, te buka. Ish, si të thuash, prototipi më i spikatur i species, që jetonte vetëm për të ngrënë. Gjithçka e lidhte me barkun, ky shkretan, sikur trutë t’i kishte në stomak dhe stomakun në kokë!
Natyrshëm atje mbizotëronte uria. Të ndaluarit gjendeshin nën një mokërr që shtrydhte e bluante; në një anë të grinte uria, në tjetrën të dërrmonte dhuna dhe të dyja së bashku, influenconin negativisht mbi vetëdijen e secilit.
Por, ndërsa pjesa më e përgjegjshme, e përjetonte mungesën e ushqimit, si një mangësi fiziologjike, që i detyronte të përqendronin tërë forcat mendore e shpirtërore, e të arsyetonin mbi rrethanat dhe gjendjen katastrofike, ku i kishin katandisur, (që edhe nën efektet shkatërrimtare të urisë e dhunës, të gjenin mundësi qëndrese, morale e fizike, për të shpëtuar ç’mund të shpëtohej), e kundërta ngjiste me kategorinë e qyqarëve, që falnin gjithçka, në shkëmbim të një benefici.
Luigji, çdo mëngjes, ngrihej i fandaksur nga shumëllojshmëria e ushqimeve që i fanepseshin në gjumë. Sa niste e fliste, e çonte nga e çonte muhabetin dhe rikthehej te buka. E kuptoja drejt. Ky debil i panginjur, i rritur barkthatë, dyerve të dynjasë, përfaqësonte njeriun-kafshë. Por ajo që më çudiste, ish fakti se, si mund të dënonin për politikë, një gjysmak të tillë, me intelekt nën mesatar?!
Sidoqoftë, kjo dilemë do të më mundonte vetëm në fillim, pasi më pas, do njihja të tjerë e të tjerë, në gjendje psikike, shumë më të rënduar se Luigji.
“A e din, Çim? S’dyti m’a shfaq një sahan i madh, plot me hallvë! E kam hangr, e kam hangr, sa jam fry”! – Heshti pak, mandej… – “A po më ndin, ej burr”? – Kur kuptoi, se më kish fluturuar mendja gjetiu, më shkundi rëndë.
Ndonëse bëja gjoja sikur po e dëgjoja me vëmendje, mendjen në fakt, e kisha gjetkë, jashtë mureve të qelisë.
“Kadal, Bixh, na shkallmove, or burr! Pastaj, me sa di unë, hallvën e ndajnë për të vdekurit”! – e ndërpreva me të qeshur.
“Po, or ta marsha, taman, nj’ashtu a! Po n’andrra ama, gjanat rrjedhin së prapthi”! – më shpjegoi serioz.
“Bixho, ti je më fatlumi ndër gjithë fatlumët! Shtrihesh pa ngrënë, e ngrihesh me cilën plotë! Ama, kur zgjohesh…, a-ah, tek un”! – u tall Ladi dhe me dorë, imitoi harkun e violinës mbi tela.
“Ani, hej burr i dheut, vet s’jam ngi ndonjëherë quet, e po fryhem n’gjum, po ti je ma zi se vet, s’je ngi as quet e as n’gjumë”! – mori hakun Luigji, flakë për flakë. – “Po sot, ke m’e pa, ka me m’dal andrra”! – shtoi i vetsigurtë.
“Qenkemi në një mendje, Bixh”! – i bëra qefin.
Në fakt s’mendoja aspak ashtu, po si mund t’i shtynim ditët, pa idiotizmat e Luigjit? Në llogje e sipër, na erdhi radha të dilnim në banjo e, në ajrim. Secili rrëmbeu paguret e veta të ujit dhe të urinës dhe fuguam jashtë.
Kryem nevojat me radhë, në banjon e vetme, dhe iu drejtuam birucës së ajrimit që, apostafat, derëhapur, na priste ne. Brenda atij qerthulli katër metër katrorë, gjithkush nisi lëvizjet që i mendonte si më të dobishmet për trupin e vet. U çmpimë, me sa mund të çmpihet i ngurosuri.
Ndërkohë, llapashitja e shapkave u shua. Kuptohej, kishin përfunduar nxjerrjen jashtë të të gjithë të ndaluarve. Tashmë niste rituali i kundërt, domethënë, rikthimi në qelitë e brendshme. Gjithsesi, edhe ky bëhej sipas njëjtit rregull; kë kishin nxjerrë të parin, e fusnin sërish të parin, e me radhë. Kështu, na mbetej edhe pak kohë në dispozicion, për t’iu gëzuar ajrit të pastër.
Atë ditë e prishën rregullin. Kur i erdhi radha njërës prej qelive para nesh, polici e anashkaloi, s’e hapi derën, dhe nga brenda askush s’u ndje. Natyrisht, askush s’bëzante, kur bëhej fjalë për të ndenjur edhe pak më tepër në ajrim, sepse askujt s’i paraqitej shansi përsëdyti. Edhe kur erdhi radha jonë, s’e hapën derën.
“Duket, u bënë zemërmirë, po na lejokan të shijojmë ajrin e freskët nëngjezor”! – u ngazëllye Ladi.
“Eh, o Çim djali, a të thashë veda”! – shpërtheu Luigji.
“Ehu, sa gjëra thua ti, o Bixh! Ku i mbaj mend unë, ç’më ke thënë”?
“Qe besa e Zotit, kan me na nis, njitash fill”! – u mbrus Luigji dhe i lodhi Ladit një vështrim sfidues.
“Je as, Bixh”! – i bëra qejfin unë.
Por Ladi, s’mundi ta suportonte sfidën:
“O Bixh, po mbete tërë jetën karabush, or qyq! Edhe tani po sheh ëndrra syhapur”?!
“Ke m’e pa! Ke m’e pa”! – fluturoi Luigji.
“Ç’të shohim, o karabush? Hekurat”?!
“Kena m’u nis njitash, qe besa”! – dhe Bixhi bëri kryqin.
“Do na dezinfektojnë birucën me koçifos, a derëzi! Se na ke prurë pleshtat e dynjasë ti”! – e shpotiti Ladi, me këtë këngë-vaji të Labërisë.
“Pruhu, hej burr! Kur m’kan shti, nji’tu me ju, u kam xhet ju t’dy, bashkë me tan pleshtat tuej”! – u mbrojt Luigji i fyer.
Pastaj, zgjati veshët për të kapur zhurmën e llozeve që hapeshin dhe mbylleshin e shtoi:
“Ele, ele, kem me ik”! – e përforcoi mendimin duke fërkuar duart, më ne forcë se çdo herë tjetër.
“Patjetër do ikim, se po na presin fasulet me mish mizash”! – u orvat ta zgjaste lojën Ladi.
“Kuku, oj nan’, diqa për një fije buk”! – nisi ankesën e çdoditshme Bixhi, kur dëgjoi të përmendej ushqimi.
“Duro edhe pak Bixh, sepse me siguri, atje ku do na shpien, na presin tavat me pilaf e hallvë”! – e ngushëllova unë.
“S’di ku kem me përfundu, burra, ama ma mir se nji’tu, do jena”!
“Pa dyshim”! – ia përforcova.
“Or, s’pakut, do kena m’u ngi”! – iu shfreh qiellit me një ahh të thellë: – “Uf-f-f, o Jezus”! – e pasoi me kryqin dhe vari kokën e madhe.
“Mbahu, Bixh! Patjetër do ngopemi, dikur”! – i nxita shqisat gastronomike.
“Kudo me shku, veç n’biruca, jo! Atje do ket t’tjer rob, e kan me na fal diça! Pasha t’Madhin, kem me ken si don Zoti”! – bëri sërish kryqin dhe vazhdoi monologun.
Tashmë s’mbahej më, i kish hipur mbi shpinë Bakut dhe voziste sipër hekurave të kryqëzuara, matanë mureve të ftohtë të qelisë, drejt ca tavave fluturuese, të mbushura dëngaz me oriz dhe me ashta lope. Tukeqi mëtonte të mbushte barkun e zbrazur…!
Dikur kuisi llozi, u hap dera jonë. Pak hapa larg saj, tre kokëqethur, lëkurë-venitur prej qëndrimit të gjatë në errësirën e qelisë, rrinin të stepur. Ishin tmerrësisht të zbehtë, të dobët, të drobitur, kërcinjtë e thatë mezi i mbanin drejt. Duket, kishin kohë pa u rrahur nga rrezja e diellit, sepse të tre i pulitnin sytë si pulat me flamë. I pari ishte më i gjatë, i dyti paksa më rrumbullak, po gjithsesi kockëdalë, ndërsa i treti i shkurtër dhe skeletik.
Mbas kaq muajsh, ish hera e parë që ballë-përballesha me të ndaluar të tjerë, veç atyre që kisha ndarë qelinë. Bëra drejt tyre, me sytë ngulur mbi fytyrat e panjohura. Pa u afruar mirë, dy prej tyre, m’u bë se i kisha hasur diku. Po ku? Në ç’rrethana? S’po më binte në hatër?! Biruca m’i kish pështjelluar mendimet.
U rreka të kujtoja njerëzit që më kish rastisur të takoja në jetë, po rezultoi pa bereqet. Ato dy fytyra vërtet i kisha të fiksuara, mbase edhe mund të kisha bashkëbiseduar; sërish asnjë detaj s’po më kthjellohej.
“Ku t’i kem parë?” po torturoja veten, atë çast, skeletiku formuloi një buzëqeshje të lehtë, që në cepin e buzës ngërdheshur, në nofullën e sipërme, i zbuloi një dhëmb çakalloz. “Nika”!? – më shpëtoi sakaq ky ekslamacion.
“Po, or burr, vet jam”! – pohoi tjetri.
“Lëni muhabetet”! – na hyri në mes polici, pa nisur ende, dhe urdhëroi: bani gadi teshat, njitash fill, keni m’u nis!
“Urra, urra— a…”! – shpërtheu Luigji në brohorima të zgjatura dhe nga sytë i shkreptinë ca shkëndija triumfi.
Me vrull, m’u turr mua, më hodhi krahët e gjatë, si të shimpanzesë, gati sa s’po më merrte frymën.
“A s’të thaç, bre, a s’të thaç”?! – më çuçuriste në vesh dhe hidhej e zente nga padurimi për të lënë, pas krahëve, këto vrima gërbule, që i kishin hapur një shpellë në bark.
Na rikthyen sërish në qeli. Na urdhëruan të bënim gati rraqet tona, të cilat mund të them se s’kishim fare (Ladi dhe Luigji s’kishin as dyshek, as jorgan, veç dy batanije të grisura, që edhe ato, do t’i linin ku i gjetën).
Mblodhëm vetëm të miat dhe u ulëm të tre, mbi dyshekun tim të mbështjellë rulo. Në heshtje hamendësonim, ku mund të përfundonim. Askush s’foli, sepse askush s’po mundej të përfytyronte FERRIN që priste. Madje as Luigji, që përgjithësisht shquhej për imagjinatë të shfrenuar, s’bzani.
“Ku do na shpien”? – pyeta kot, sa për të thyer heshtjen.
“Dreqi e merr vesh! Kur s’po i jep dum Bixhi, nga ta dimë ne të tjerët”! a ktheu Ladi, me sy ngulur nga Luigji.
“Paj, pasha Zotin, diku kan me na çu, burra”! – bëri profetin Luigji.
“Po ku, ore”?
“N’Tiranë, në Skrofotinë të Vlonës, në burg t’Burrelit, në Spaç, në dreçin e t’birin, veç njitu, jo”! – vazhdoi profecinë, ai.
Por vetëm hamendësime, hamendësime pa fund! Njëri hamendësonte këtu, tjetri atje, ama gjithsesi mbetej fantazi dhe vetëm fantazi. Duke përfituar prej momenteve të gjata, ku rropatëm mendjet për të imagjinuar FERRIN që na priste, dhe që askush s’po mund hamendësonte, po i bëj një përshkrim të shkurtër, ashtu si e gjeta, ditën që mbërrita atje, në kampin-burg të Repsit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016