Nga Roland Sejko
Memorie.al / Nuk ekzistonte asnjë studim i mirëfilltë mbi praninë e shqiptarëve në forcat ushtarake italiane, gjatë periudhës së fashizmit, derisa studiuesi Piero Crociani, i pasionuar pas uniformave, më shumë se pas analizës historike, iu vu punës për të renditur tërë të dhënat mbi këtë çështje. Rezultati qe një libër prej 400 faqesh, i mbushur me fakte, dokumente dhe fotografi, që nxjerrin në pah një marrëdhënie të vështirë të shqiptarëve me uniformën fashiste.
Nga Garda Mbretërore, dekor i kotë i shqiptarëve në Quirinale pas bashkimit, e deri te dezertimi në masë i trupave të batalionit shqiptar “Tomori” gjatë luftës italo – greke, Crociani, flet për “Bota shqiptare”.
Z. Crociani, duke qenë se italianët e njihnin mirë situatën gjeo-fizike të Shqipërisë, dhe ushtria shqiptare ishte përgatitur nga vetë italianët, pushtimi i Shqipërisë ishte diçka e menduar dhe improvizuar brenda pak ditësh?
Edhe pse ekzistonin plane që para 40 vjetësh kur Shqipëria ishte ende nën pushtimin turk, zbarkimi italian i – ’39-ës, ishte praktikisht i improvizuar, në krye të pak ditëve. Ekzistojnë në shënimet që ka lënë gjeneral Pariani, të cilat ndodhen në Muzeun e Rizorxhimentos në Milano, ku gjendet një shënim me një laps të kuq, me një shkrim të bukur, ku thuhet: “Nuk ka rëndësi se si, duhet ta bëjmë sa më shpejt”.
Nga pikëpamja ushtarake nuk ishte një veprim i vështirë, sepse e kishim blerë ushtrinë e tyre. Por mbi të gjitha, nuk doli siç duhej, sepse ishte organizuar tmerrësisht keq. Merrnin pjesë disa ushtarë, që nuk dinin t’i jepnin biçikletës apo motoçikletës, apo disa xhenierë, të cilët nuk i njihnin aparatet e reja, radio. Pra ishte e improvizuar.
Menjëherë pas pushtimit, dy ushtritë italiane e shqiptare bashkohen në një të vetme. Cila ishte arsyeja e kësaj shkrirjeje?
Po, nga ushtria shqiptare dhe ajo italiane, u formua një ushtri e vetme. Nuk kishte si bëhej ndryshe, por për arsye praktike, u lanë disa njësi ekskluzivisht shqiptare, 6 batalione këmbësorie, 2 mitraljerë kundërajrorë, përveç batalionit të Gardës Mbretërore, ndërsa njësitë e tjera, si Karabinierët, etj., ishin të përziera, shqiptarë e italianë.
Një prej trupave më interesante ishte Garda Mbretërore Shqiptare, që u shndërruan më pas në Gardë Mbretërore…?
Grada Mbretërore, ishte një njësi e Gardës së Nderit, dhe nuk kishte asnjë detyrë tjetër. U soll në Romë për dekor, dhe nuk u angazhua kurrë në luftë. Në Romë, duhej të tregohej në mënyrë të shikueshme tek të gjithë, se Mbreti i Italisë, ishte edhe Mbreti i Shqipërisë. Ishte për zbukurim, apo më saktë për fasadë, dhe nuk bëri kurrë asgjë. Qenë në shërbim, deri në vitin ‘43, pastaj një pjesë dërrmuese, u kthye në Shqipëri, pas 8 shtatorit kur kapitulloi Italia, duke u ardhur këtu bashkë me gjermanët.
Sa ishin ushtarët shqiptarë, të përfshirë në Forcat e Armatosura italiane?
Ishin rreth 10 mijë, gjithsej, por ndryshonte në periudha të ndryshme. Në periudhën 1941-‘42 për shembull, ka pasur më pak ushtarë, por më shumë batalione të milicisë vullnetare.
Nga këta, vetëm një pjesë u angazhua në fushatën ushtarake kundër Greqisë, dhe gjithsej, pati 2.500 dezertorë, në rreth 10 mijë shqiptarë gjithsej. Për këtë madje. u desh të bëhej një ligj special, dhe ata u liruan, si masë dënimi.
Si ishin marrëdhëniet ndërmjet ushtarëve shqiptarë dhe atyre italianë, në të njëjtën njësi? Si ishte klima apo bashkëpunimi midis tyre?
Nuk di të përgjigjem, sepse ushtarët italianë, nuk kanë shkruajtur kujtime apo mbresa, rreth kësaj çështjeje. Më kujtohet që im at, ishte komandant i një njësie shqiptare, por nuk mund të them se, tregonte gjëra interesante në këtë drejtim. Kujtimet e tij, kishin të bënin më së shumti me jetën në ushtri, tregonte se kur shkonin nëpër fshatra, merrnin delet për t’i ngrënë.
Ndër ushtarët shqiptarë kishte edhe oficerë të përgatitur në akademitë italiane?
Oficerët shqiptarë, veçanërisht më të rinjtë, kishin dalë nga akademitë ushtarake e madje, edhe nga shkolla ushtarake e Nunziatella-s, ose nga Milano, apo Roma, në shkolla italiane, nga akademia e Torinos, apo nga Shkolla Ushtarake e Modenës. Kishte të tjerë, që kishin studiuar në shkollat ushtare të Shqipërisë, kurse më të vjetrit madje, vinin edhe nga Ushtria Osmane, pra kishin aftësi të ndryshme, zakone dhe të tjera sisteme jetese. Teorikisht, bashkëpunimi mund të kishte qenë i lehtë, por nuk qe vërtetë kështu.
Për ç’arsye?
Sepse sidoqoftë, ishin shumë të ndryshëm. Fillimisht batalionet shqiptare, ishin të komanduar nga shqiptarë, por pastaj në vitet ‘40-‘41, u përfshinë në njësi më të mëdha italiane, ku edhe pse u formuan brigada të tëra shqiptare, oficerët ishin të gjithë italianë.
Ushtria italiane, kishte vërtetë nevojë për këta ushtarë në trupat e saj, apo ishte më tepër çështje propagande?
Për Luftën me Greqinë, ushtria shqiptare, nuk nevojitej aspak. Por vetë Mussolini, thoshte në një fjalim të tij: “Nuk kemi nevojë për ta, por duhet të jenë në ushtri, për të treguar se i kemi, dhe se janë me ne”. Ishte e nevojshme të tregohej se ata që mbuloheshin nga flamuri italian, duhej të shërbenin për flamurin italian, si libianët, shqiptarët apo etiopianët, me shërbim të detyrueshëm apo vullnetar, regjimi i dukej e natyrshme që ata të merrnin pjesë.
Po pse dezertonin?
Sepse nuk ishte lufta e tyre. Nuk e ndienin se lufta me Greqinë, u përkiste edhe atyre. Janë angazhuar më shumë në Jugosllavi. Veçanërisht në Jugosllavi, do të thoja, ishin të gatshëm si trupa të parregullta, në zonën e Shkodrës, dhe kanë luftuar mjaft mirë. Dukej që aty ndienin diçka, kurse kundër grekëve, aspak. Ndoshta italianët krijuan iluzione të pavërteta, për dëshirën e shqiptarëve për të luftuar. Përdorja e batalioneve shqiptare, në ditët e para, ishte një blof i plotë.
Ndoshta nuk ishin mësuar me një lloj luftimi, që për ta ishte ndoshta shumë i ndërlikuar, me aeroplanë, topa, tanke. Ndërkohë që shqiptarët ishin trupa shumë të mira këmbësorie, për guerilje, siç u pa pastaj në prill të ‘41-shit në Jugosllavi, ku shqiptarët vërtet shkëlqyen.
Disa oficerë të formuar në Akademinë e Torinos, thuhet se tentuan të bënin një atentat Musolinit. Si ndodhi ajo ngjarje?
Një muaj para pushtimit, në Torino në mars të 1939-ës, ndërmjet studentëve të Akademisë, pati një komplot serioz, që nuk u vu kurrë në praktikë. Ata, duke parashikuar pushtimin e Shqipërisë, kishin menduar t’i bënin atentat Mussolinit, që do të shkonte Torino, në maj të atij viti. Folën midis tyre, vendosën cili do të ishte ai që do të shtinte, mirëpo ky djalë u tërhoq, dhe organizuesi i këtij komploti, Ismail Karapici, tha se do merrte ai përsipër.
Shkoi në Shqipëri ku ngeli i bllokuar gjatë pushtimit, u kthye për mbylljen e vitit shkollor, por lajmi kishte marrë dhenë në Shqipëri, dhe nga Shqipëria edhe në Itali, mbërriti njoftimi se ishte planifikuar një atentat ndaj Mussolinit, gjatë vizitës së tij në Torino, nga ana e disa shqiptarëve. Shqiptarët në Torino në atë kohë, ishin shumë të paktë, ose ishin studentë të Akademisë, ose të Politeknikut. Para vizitës së Mussolinit, shqiptarët shtireshin si të lumtur, kurse italianët, shtireshin sikur se u besonin atyre.
Nuk mund të shkaktohej skandal, kështu të gjithë ushtarët shqiptarë, që ishin në Itali, u përqendruan në Romë për betimin. Ishte pak e vështirë për studentët e Politeknikut, sepse ishin shtetas të lirë, por edhe për ta u gjet marifeti, nga shefi i policisë, u dërguan të gjithë në një ekskursion social, në Tripoli, për të parë si jetonin myslimanët e Italisë dhe natyrisht të gjithë u nisën me shumë kënaqësi.
Por rrethi po mbyllej, dhe u gjenden përgjegjësit. Të gjithë u munduan të mohojnë, duke u justifikuar me gjithfarë mënyrash. I vetmi që pranoi dhe mori të gjithë përgjegjësinë, ishte Ismail Karapici.
Ky ishte një rast që duhej t’i nënshtrohej Gjykatës së veçantë të Mbrojtës së Shtetit. Vetëm planifikimin i atentatit, mund të sillte dënimin me vdekje. Por duhej të jepej ideja se shqiptarët ishin entuziastë për regjimin, dhe prandaj u vendos të zgjidhej në rrugë administrative. U dërguan në Shqipëri, në komisionin e internimit, dhe morën dënim. Karapici mori 7 vjet internim, kurse të tjerët, dënime më të lehta.
Karapici është një figurë shumë interesante. Nuk arrij të kuptoj, si ka mundësi, që nuk u bë “Hero Kombëtar” në Shqipëri…?! Kam prova që deri në vitin 1945, ka qenë në ishujt Tremiti, sepse kam një letër ku kërkonte një palë këpucë. Duke qenë se ishujt Tremiti, nuk u bombarduan deri në pranverën e ‘43-shit, mendoj se ai ka ndenjur aty, dhe më pas ka shkuar në Shqipëri.
Mendoja se mos kishte shkuar nga ana e gabuar dhe e kishin eliminuar për këtë. Kohët e fundit më kanë treguar historinë e tij. Ishte paraqitur tek anglezët në Pulia, dhe kur komandot anglezë shkuan në Santi Quaranta (Saranda), ku u bllokuan nga partizanët e Enver Hoxhës, ai shkoi me ta për të shërbyer si përkthyes.
Pas disa ditësh e ftuan të shkonte të takonte familjen. Që atëherë janë humbur gjurmët. Ndoshta e kanë vrarë po atë mbrëmje. Kjo është pra historia e një heroi kombëtar të munguar, dhe jam shumë i kënaqur që e gjeta historinë e tij, sepse është e rëndësime që të njihet në Shqipëri.
Ndërmjet studentëve të Nunziatella-s ishte edhe njëri që do të bëhej një figurë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, Mehmet Shehu.
Po në fillim të viteve ’30-të, Mehmet Shehu, studionte në Shkollën e Nunziatella-s, pastaj besoj se zbuluan që ishte komunist dhe e ndoqën për në Shqipëri. Nuk di nëse është ky version zyrtar, por di që diçka nuk shkonte me të dhe e përjashtuan.
Si e përjetonin oficerët italianë praninë e shqiptarëve në radhët e tyre?
Ekzistojnë dokumente, ku shkruhet lista e oficerëve, me vlerësimin përbri, shumë më keq, nga ç’mund të imagjinojmë, ka shumë paragjykime, përveç më të rinjve. Në përgjithësi, nuk ka vlerësim për ta. “Ekzemplar i vërtetë turku”, “Mysliman safi” shkruhej…! Pra, gjëra aspak pozitive! Kishte shumë paragjykim, por duhet thënë edhe se ushtria shqiptare, në vitet ’30-të, nuk ishte aspak moderne.
Ishte një ushtri e formuar në bazë të besnikërisë ndaj Mbretit, dhe besnikëri ndaj Mbretit, donte të thonte të kishe lindur në zonën e Matit, apo të ishe i afërm i Mbretit. Karriera në Forcat e Armatosura Shqiptare, ishte shumë e lidhur me këtë koncept.
Një prej trupave ushtarake ishte dhe Garda Mbretërore Shqiptare, që u shndërruan më pas, në Gardë Mbretërore…?
Garda Mbretërore, ishte një njësi e Gardës së Nderit, dhe nuk kishte asnjë detyrë tjetër. U soll në Romë për dekor, dhe nuk u angazhua kurrë në luftë. Në Romë duhej të tregohej në mënyrë të shkueshme në të gjithë se mbreti i Italisë ishte edhe Mbreti i Shqipërisë. Ishte për zbukurim, dhe nuk bëri kurrë asgjë. Qe në në shërbim deri në vitin 1943, pastaj një pjesë dërrmuese u kthye në Shqipëri pas 8 shtatorit, me gjermanët.
Uniforma e tyre u përzgjodh duke nxjerrë shumë në pah elementët tradicionalë shqiptarë?
Uniforma e Gardës Mbretërore teorikisht imitonte kostumet tradicionale të gegëve dhe të toskëve, prandaj kishte një njësi me fustanellë, tipike të Shqipërisë së Jugut, dhe një tjetër me brekushe, si ato të Shqipërisë së Veriut. Në kokë mbanin qeleshe të bardha, mbuloheshin me gunë të zezë.
Ishin shumë zbukurues. Të tjerët visheshin si italianë, ndryshonin vetëm nga yjet dhe nga helmeta, ku ishte e gdhendur përkrenarja e Skënderbeut. Pastaj kur karabinierët u zëvendësuan nga xhandarmëria, kjo e fundit ,u vesh si xhandarmëria e vjetër e Zogut.
Mussolini donte të shihte të dy llojet e uniformave, por u vendos gjithçka shpejt e shpejt, për sfilatën e 9 majit. Uniformat u sollën shpejt e shpejt, ushtarët u veshën e u betuan shpejt e shpejt. Dhe ishin gati. Një prej batalioneve ishte parashikuar të shkonte edhe në Tiranë.
Bënë një xhiro në Alpe në vitin 1940, por erdhën pastaj, kur kishte mbaruar gjithçka, dhe ndenjën në Romë. Nuk lëvizën kurrë nga Roma, prandaj besoj se luftën, e kanë kaluar në mënyrë më të qetë të mundshme.
Por ishte shumë e vështirë të mbahej numri i njësisë, sepse në atë kohë ishte shumë e vështirë të silleshin shqiptarët në Itali. Në atë kohë ata që duhej të shërbenin në Gardën Mbretërore, pasi mbërrini në Durrës, në port, iknin dhe vendosën të ktheheshin në shtëpitë e tyre
Pas 8 shtatorit, çfarë ndodhi me shqiptarët?
Nga fundi i vitit ’42, kur për vendet e Boshtit gjërat nuk po venin mirë, filloi një fluks dezertimesh, ushtarët dezertonin si lumë, njëri pas tjetrit. Në vitin 1943, ne liruam regjimentet, 2-3 regjimente të Këmbësorisë Shqiptare, lirohen, sepse qindra prej tyre, kishin dezertuar brenda një nate.
Kishim marrë urdhër të hiqnim municionet, para kësaj ata kishin dezertuar në masë, dhe pastaj me uniformat italiane, kishin sulmuar kazermat tona. Nga ana tjetër, kishte edhe disa fatkeq, të cilët u kapën dhe u pushkatuan.
Nuk mund të merrnim as të rinj, sepse për një gjë të tillë, do të nevojiteshin armatime të reja, ndërkohë që ishte edhe rreziku se armët tona, nëpërmjet tyre, mund tu kalonin partizanëve. Në verën e 1943-shit, Kuestura e Gjirokastrës ishte nën kontrollin e partizanëve.
Ndër ata që ndenjën në Itali, kujtoni ndonjë emër të rëndësishëm?
Të rëndësishëm si personalitet, jo. Por është interesante për shembull, që ndër ta ishte edhe vëllai i Nënë Terezës së Kalkutës, një oficer artilerie, i cili vdiq vite më vonë në Siçili. Disa vazhduan të punonin në ushtri, të tjerë filluan një jetë të re, si civilë.
Njoh edhe dikë, një njeri të mrekullueshëm, i cili nuk pranoi të kërkonte shtetësinë italiane, sepse edhe pse ishte oficer dhe kishte shkuar në Rusi, ndihej se ishte shqiptar, prandaj ndenji si refugjat. Memorie.al