Nga SHPENDI TOPOLLAJ
Refleksione për librin “PORTIERË TË MËDHENJ”, të Ismet Bellovës –
Memorie.al / Një nga mjeshtrit më të shquar të mikrofonit futbollistik, zëri më autoritar dhe hipnotizues, që ka dalë ndonjëherë pas Anton Mazrekut të pavdekshëm, ai që për vite e vite me radhë, me freskinë dhe elokuencën e transmetimeve, ka pushtuar dhe ka çuar peshë zemrat e qindra e mijra njerëzve, në të katër anët e atdheut, “Levitani” ynë i paqes, Ismet Bellova, që më shumë se “Mësues i Popullit”, do t`i shkonte titulli “Miku i Popullit”, kohë më parë, ka shkruar po aq mjeshtërisht, një libër të mrekullueshëm, kushtuar “tigrave” të portës, atyre që më shumë se cilido lojtar i fushës së blertë, e kthejnë atë në një arenë të vërtetë cirku.
Nderimi për sportistët e shquar është fenomen karakteristik i ç`do vendi dhe i ç`do kohe. Në të gjitha lojërat që organizoheshin në lashtësi, e sidomos në ato Olimpiket që zhvilloheshin në luginën e lumit Alfe, të themeluara para 23 shekujsh nga Pelopi, pas fitores së tij mbi mbretin e Pizës, Enomain, jo vetëm që ato ktheheshin në një festë të vërtetë e, kudo pezulloheshin të gjitha luftimet, por dhe arrinin kulmin e tyre, ditën e pestë, pra kur shpalleshin fituesit të cilët, merrnin një kurorë me degë ulliri e më pas, pasi u ngrihej një statujë, u jepej e drejta e të ushqyerit nga pritania, pra këshilli i qytetit, etj., deri sa privilegje gëzonin dhe fëmijët e tyre.
Këtë traditë kemi ruajtur, sipas mundësive tona edhe ne shqiptarët, gjë që vihet re në të gjitha qytetet tona, ku kampionët dhe rekordmenët e mëdhenj, janë pa diskutim, nga njerëzit më të dashur dhe më të respektuar për këdo.
Por risia që sjell në këtë drejtim, profesori ynë i shtrenjtë, i shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, Ismet Bellova, është se ai, si askush tjetër, ka ditur t`i gdhendë e t`i përjetësojë ata, me një daltë dashurie e mirësie, jo vetëm sportive, por dhe njerëzore të pashoqe, dashuri e mirësi tipike e këtij burri zemërmadh dhe figurë gjigante e sportit dhe gazetarisë tonë.
Që prej dyzet e tetë vjetësh, e ruaj në kujtesë, të mirin dhe të thjeshtin, profesor Bellova, me një biçikletë të vjetër përdore. Them përdore, pasi atë e ndalojnë dhe e përgëzojnë aq shumë miq e shokë, të njohur e të panjohur, sa as që ia vlen të udhëtojë rrugëve të Tiranës, i hipur në të. Këtë ngrohtësi e afinitet, ai e gjen kudo, por unë do të theksoja Durrësin, ku unë jetoj, të cilin ai me të drejtë e quan qytet plot tradita të lashta kulturore, artistike e sportive, ku siç shprehet në epilogun e librit “Portierë të mëdhenj”, sheh përherë fytyra të njohura e të qeshura, emra të nderuar e të respektuar.
Për koincidencë duhet thënë, se nga rrethi i Durrësit dhe shkolla ushtarake “Skënderbej”, kanë dalë portierët më të spikatur, si; Niko Dovana, Qemal Vogli, Sulejman Maliqati, Shefqet Topi, Milorad Jeremiq, Dhimitër Qoshja, Teli Ciko, Vladimir Ajazi, Agim Maliqati, Xhovalin Kapllani, Mikel Janku, Bashkim Muhedini, Perlat Musta, Artur Lekbello, etj., shumica e të cilëve për vite të tëra, kanë mbajtur të veshur plot dinjitet, fanellën me Nr. 1, të Kombëtares sonë.
Duke folur për vlerat e këtij libri, pa e fshehur entuziazmin që e përloti, ish portieri e trajneri i famshëm italian, Dino Xof, në përshëndetjen me të cilën çelet libri, thotë: “Mendoj se ka vlerë të posaçme, përcjellja e fuqishme e idesë, për t`i kushtuar libër rolit të portierit, një rol që, i interpretuar me nivel të lartë, kërkon gjithnjë sakrifica të veçanta, një përkushtim të vazhdueshëm, një përgatitje speciale atletike, pakëz sfidë, dhe tepër pasion”.
Dhe jo vetëm kaq; se njëkohësisht ata kanë një botë të pafund shpirtërore, e cila siç shprehet vetë autori i këtij libri; “Është me të vërtetë një botë më vete: e pastër, e çiltër, e pasur si minierë dhe e bardhë si borë”. Mendimi i dashamirësit të futbollit, Bajram Haxhiu, për t`i kushtuar një libër Perlat Mustës, bëri që te prof. Bellova, të “arrinin” menjëherë, Marjani, Dovana, Gurashi, Tahiri, Bonati, Maliqati, Janku, Kaçi, Dinella, Ndoja, Lekbello, Strakosha e, mjaft të tjerë, yje të portës këta, që meritojnë secili nga një libër më vete.
Në këto rrethana, Bellova, mori përsipër ta shkruante këtë libër, por duke përfshirë në të njëjtin plan, edhe Qemal Voglin, gjë e cila u pranua me kënaqësi nga sponsorizuesi dhe botuesi, por ai që e ka lexuar këtë libër retrospektiv, ka parë se ata nuk mund të veçohen nga portierët e tjerë, si shqiptarë, ashtu dhe të huaj, për të mos thënë se ata, janë vazhdim logjik i tërë ecurisë së këtij sporti, madje i lidhur ngushtë dhe me sportet e tjera.
Është për këtë, që lexuesi çmallet me shumë emra nga “Kalatë e fundit”, si; Mazurkieviç, Zhilmar, Karizo, Majer, Planiçka, Zamora, Grosiç, Remeter, Zeman, Svenson, Najdenov, Benks, Shilton, Shumaker, Xof, etj., etj., deri tek Lev Jashini, i cilësuar “portieri më i mirë” i vendit të vet dhe i botës, për të gjithë kohërat, i cili “Për stil, intuitë, për aftësinë e kapacitetin e vendosjes ndërmjet dy shtyllave, për gjigandizmin e tij në portë, si dhe për një sërë cilësish madhështore të njeriut të thjeshtë e modest, ka mbetur e do të nderohet si një legjendë e papërsëritshme, ndoshta për shekuj me radhë”.
Emrat e mëdhenj të “katrorit magjik”, Ismet Bellova, nuk i përmend si dekor, për librin e tij. Duke i skicuar ata, ai jo vetëm na fut në një botë emocionesh dhe përjetimesh të veçanta, por dhe i thërret, si pikë referimi e krahasimi, me portierët tanë. Kështu, ai kujton mbresat nga stërvitja e përbashkët në stadiumin e Moskës e, Lev Jashinit dhe Qemal Voglit tonë. Ai përsërit fjalët e sinqerta të Jashinit, për Qemalin, të cilat sot duken shumë të çmueshme dhe ta shtojnë krenarinë:
“E kam parë në Moskë, Qemalin tuaj dhe jam mahnitur. Është një portier madhështor, trim, i guximshëm, me krahë si të shqiponjës. Reagon në mënyrë të përsosur, ka reflekse jashtëzakonisht të zhvilluara, është shumë energjik dhe ka një temperament të çuditshëm. Rrallë herë kem parë kësi talenti”. Dhe pastaj fjalën e pati përsëritur, duke cituar edhe një herë me gjithë shpirt:
“Da, da,…orël”!.. (Po, po, …shqiponjë!…)
Dhe zemra e madhe e Bellovës, ligështohet: “Mirëpo nuk e dinte Jashini i shkretë, se çfarë e kishte gjetur dhe si e kishte pësuar shqiponja e tij”. Dhe zemra fisnike e Bellovës, ndjen keqardhje: “Në atë atmosferë aq të hareshme e gazmore, askujt nuk mund t`i shkonte ndërmend, se ky do të ishte “takimi i lamtumirës”, midis nesh.
Më vonë ai do të kishte një varg hallesh e problemesh me shëndetin, gjendja e tij do të vinte duke u përkeqësuar dhe se, më në fund, ai do të ndahej nga jeta përgjithmonë. Askush nuk mund ta pranonte që ai lis i madh të gjunjëzohej, pale më të shtrihej përdhe. Mirëpo, ja, që ligjet e natyrës bëjnë të vetën dhe mposhtin dhe malet”.
Dhe zemra e ndjeshme e Bellovës revoltohet: (Qemalit) “Lajmi i vdekjes i ka rënë si bombë dhe e ka tronditur shumë, aq sa ka qarë me dënesë si fëmijë. Disa kohë më vonë, i ka vajtur mendja, që të shkonte në Moskë, të ngushëllonte familjen e Jashinit dhe të bënte vizitë tek varri, duke vendosur atje një buqetë me lule të freskëta, për t`i shprehur kështu nderimet e mëdha dhe mirënjohjen e thellë, portierit legjendar, më gjigantit të gjigantëve të botës. Por burokratët e sportit… jo vetëm që nuk e kanë mbështetur e ndihmuar, por përkundrazi, kanë bërë çmos, në mënyrë që Qemali, të mos e realizonte dëshirën e tij… Sa keq!”
Dhe kjo keqardhje merr të tjera përmasa, tani që edhe “mali” ynë, Qemal Vogli, nuk rron më. Ka qenë fat për futbollin tonë, që të ketë pasur një komentator, analist e propagandist të flaktë e vital, si Ismet Bellova, i cili me një memorie fenomenale, ka arritur përmasat e një enciklopedisti të vërtetë (shihni librin e tij kushtuar intelektualëve të Dibrës së Madhe dhe do të bindeni për këtë) dhe që së bashku me Anton Mazrekun, mund të krahasohen me Sandro Çotin e Enriko Amerin, e futbollit italian.
Por ka qenë po kaq fat gjithashtu, edhe për ndjekësit e shumtë të këtij sporti, që qëndron në krye të të gjithë sporteve të tjera, që kanë përjetuar nga pasioni dhe erudicioni i Bellovës, momente të papërsëritshme kënaqësie. Prandaj, askush nuk ka përse të habitet, kur të shohë në këtë libër, kushtuar portierëve të këtij sporti kolektiv, emrat e ndritur të sulmuesve, mesfushorëve, a mbrojtësve të famshëm, që nga; Llushta, Biçaku, Boroçi, Resmja, Manushi, Jareci, Frashëri, Pano, Bizi, Haxhiu, Jashari, Demollari, Ballgjini, etj., etj., të cilët me mënçurinë e tyre taktike dhe me elementë të përsosur të teknikës, si driblimet, fintat alla braziliane, zhonglimet e veprime të tjera, të ekzekutuara me virtuozitet, i kanë dhënë lojës një bukuri të tillë, sa futbolldashësit kanë dalë nga stadiumet, të qeshur e të gëzuar, shend e verë.
Po ashtu askush nuk ka përse të habitet, që autori i librit, del nga kornizat e shifrave të ftohta dhe u jep jetë atyre, u jep shpirt, duke mos kursyer aftësitë e veta letrare. Si të tillë, duke përshkruar me ngjyra të gjalla e plot optimizëm, rrugën e futbollit tonë në përgjithësi dhe në veçanti atë të portierëve, të cilët që nga emrat e hershëm, krijuan shkollën e portierëve shqiptarë, duke bërë që të lulëzojë si institut më vete roli i portierit, i quan ata me të drejtë; “Poema e bukur e fushës së blertë”.
Mbrapa librit, poshtë fotos ekspresive të Ismet Bellovës, një dorë për ne e pa njohur, ka shkruar një të vërtetë shumë të madhe; “Lexuesit e brezave të ndryshëm, e njohin mirë Ismet Bellovën, këtë urë pasionante që ka ditur e di të lidhë kaq bukur, brigjet e sportit me brigjet e shpirtrave njerëzorë”.
E kujt nuk do t`i ngjallen kujtime të këndshme, kur të lexojë se Niko Dovana, emrin e të cilit mban sot stadiumi i qytetit të Durrësit, ky sportist i shkëlqyer, shtatlartë, teknik e mjaft elegant, që ‘vinte nga Italia enkas për ndeshje e, ikte përsëri, për t`u rikthyer në ndeshjet pasardhëse… pritej me entuziazëm dhe sidomos kur fitonte skuadra e “Teutës”, në fushë dëgjoheshin brohoritje:
“Nik` Dovana me fustana
Fitoi Durr`si, humbi Tirana”!
Dhe sa miqësor e vëllazëror tregohet Bellova, kur shton:
“Ndërsa, kur fitonte Tirana, ndodhte ndryshe. Atëherë tifozët e saj të zjarrtë, të gëzuar e të kënaqur, brohorisnin:
“Nik` Dovana me fustana
Humbi Durr`si, fitoi Tirana”!
Në poemën e fushës së blertë, çdo portier ka strof(k)ën e vet. Po përsëris vetëm dy të tilla: Sulejman Maliqati që u largua para pak kohe nga jeta: Një emër shumë i njohur për shumë vite. Titullar i “Partizanit”, disa herë kampion. Por dhe i Kombëtares… është konsideruar e vlerësuar, si një nga portierët më të shquar.
Elastik si rrallë kush, i mprehtë e gjakftohtë, i matur e i pjekur në ndërhyrjet dhe daljet nga porta. Mbi gjithçka: humori i tij karakteristik, që gjallëronte tërë skuadrën dhe ngrinte lart moralin e saj. Me shakatë e tij kaloheshin edhe çaste të vështira, e të mbushura me emocione të mëdha”.
Mikel Janku, që gjithashtu nuk rron më: “…Ishte nxënësi im në shkollën ‘Skënderbej’. Luante futboll…volejboll e basketboll. Njëherë e ngjitëm dhe në ring e doli kampion ushtarak. Ishte i gjithanshëm. Në mësime, mëse i shkëlqyer… Menjëherë ‘pushtoi’ portën e ‘Partizanit’ dhe fill pas kësaj, zuri vend edhe në Kombëtare… duke u shquar për një tok cilësish të larta morale e fizike, si; trimëria, guximi, vendosmëria, zgjuarsia, mençuria, kultura, përgatitja e gjithanshme fizike, elasticiteti, shkathtësia, refleksibiliteti, etj. Por mbi të gjitha, puna këmbëngulëse dhe plot vullnet”…
Në libër parakalojnë shumë e shumë nga këta zotër të “arenës së luftimeve të ashpra sportive, vullkan emocionesh të mëdha, një nga burimet dhe dashuritë më të zjarrta të lojës magjepsëse”, por autori siç e thamë pak më sipër, u ka dhënë shumë më tepër hapësirë, dy emrave nga më të shquarit e portës tonë, sipërfaqen e së cilës prej 17.861 centimetra katrorë, Bellova e quan “epiqendra e ndeshjes”. Dhe ata janë Qemal Vogli; “portieri i madh i një vendi të vogël” dhe Perlat Musta; “një shembull i shkëlqyer për të gjithë brezat, një burim frymëzimi dhe objekt rrezatimi.”
Për Qemal Voglin, Ismet Bellova shkruan se; “Çdo gjë që do të shkruhet për të, çfarëdo epiteti që do t`i vihet atij, çdo lloj fjale e mirë e lëvdatat që mund të bëhen në adresë të emrit të tij, do të ishin plotësisht të meritueshme e, mbase nuk do të mjaftonin”.
Tek asnjë sportist tjetër shqiptar, lavdia dhe misteri, nuk kanë qenë kaq pranë, sesa tek Qemal Vogli. Asnjëherë një njeri i anatemuar si ky bir i lavdishëm i fidanishtes të futbollit tonë, Kavajës, nuk ka qenë kaq i dashur për të gjithë njerëzit, edhe pse ylli i shndritshëm i tij, u shua shumë shpejt, duke u burgosur dhe persekutuar pambarimisht dhe duke i a mbyllur në hekura, jo vetëm zemrën e tij të pastër, rininë dhe vitet më të bukura të jetës, por edhe një talent të rrallë.
Duke zëvendësuar italianin Pozeli, idhullin e tij, që mbylli sytë vite më parë, pa e harruar asnjëherë Shqipërinë, pra duke mbrojtur portën e ekipit Kombëtar, qysh në moshë shtatëmbëdhjetë vjeçare, Qemali shënon një rast unikal, për t`u regjistruar në analet e historisë botërore të futbollit. E ky Vogël – “i tillë në moshë e në mbiemër, por i madh në trup e në portë”, shfaqet në skenë në mënyrë të bujshme, aq sa kur del nga porta, ngjet me atë tigrin e zi, që shpërthen nga kafazi dhe mjerë kush i del përpara.
Rruga sportive e Qemal Voglit, ka kaluar përmes vështirësish e pengesash jo të vogla. Saldator në Kantjerin Detar të Durrësit, atij i takonte të stërvitej pas punës së rëndë e të lodhshme, por që kaloheshin, siç thotë vetë, se; “vullneti ynë ishte i admirueshëm, ku sakrificat as që mund të imagjinohen”. Kombëtarja jonë matet me sukses në ato vite, në arenën ndërkombëtare, por të mos harrojmë se Qemal Voglit me shokë, u mungonin gjërat më elementare, qysh nga ushqimi, baza materiale, mjediset sportive, etj.
Por siç pohon vetë Qemali: “Në skuadër kishim harmoni, por dhe një disiplinë të fortë, e çka është më e rëndësishme, mjaft të ndërgjegjshme”. E përpjeta e çoi Qemalin te “Dinamo” dhe përfundimisht te Kombëtarja, ku bien në sy, mjaft rezultate të larta në takimet që vetëm Ismet Bellova, di t`i riprodhojë me aq besnikëri dhe ku falë punës shembullore në stërvitje, Qemali tregohet madhështor edhe në humbje.
Bellova, duke ruajtur kërkesat e natyrës së këtij libri, përshkruan dhe të tatëpjetën e këtij heroi të futbollit tonë. Na duket se po lexojmë një roman policor, kur ai nis e përshkruan peripecitë e tij, pas 29 gushtit të vitit 1956, pra, plot 68 vjet më parë, kur pas fitores së bujshme kundër “Dinamos” së Berlinit, që u gjykua me aq kompetencë nga çekosllovaku Jarosllav Velçek, në prani të 50.000 spektatorëve, i quajturi “Postblloku shqiptar”, u arratis.
Nuk mund të le pa përmendur atë që thekson për këtë njeri, prof. Bellova, se; “Me atë gjak të ëmbël që kishte, Qemalin e bëje shok e mik, brenda pak kohësh”. Dhe për këtë cilësi të mrekullueshme të tijën, nuk mund të mos përmend atë që më tha shoku u tij i asaj kohe, “Artisti i Merituar”, Qemal Kërtusha i ndjerë, që e ka pasur Voglin, ndihmësin e tij në Kantjer, se futbollisti i njohur Alush Merhori, e kishte paracaktuar si një profet, se; “Qemal Vogli, do të bëhej hero i portës shqiptare”.
Dhe tani vonë është po ky përfaqësues i denjë i njërës prej familjeve më të nderuara e më të mëdha të Kavajës që konkludon: “Natyrisht, klasi i tij i lartë nuk zbriti nga qielli, por u arrit me një punë titanike dhe me një stërvitje të jashtëzakonshme”.
Përherë i mbetemi mirënjohës njeriut dhe portierit vigan, Qemal Vogli, i cili me përkushtimin e tij të rrallë, bashkoi në një të vetme, lavdinë dhe misterin. Portierët e mëvonshëm, e patën më të lehtë ecjen e tyre përpara, se veç të tjerash, kishin se kujt t`i referoheshin. Kështu, vlonjati Perlat Musta, vërtetë nuk u pranua në shkollën e futbollit, si i pa talentuar, çka duhet t`i bëjë të skuqen “specialistët e mëdhenj” të saj, “por gjeti një shkollë tjetër, atë që Bellova e quan – të talenteve të panumërta: Shkollën “Skënderbej”, këtë vatër sportive që e thithi në gjirin e saj dhe i çeli rrugën e madhe”.
Atë dhe shokun e tij, portierin tjetër aq të talentuar, kolonjari Artur Lekbello, i piketoi dhe i stërviti trajneri i palodhur dhe mjaft intuitiv, modesti me vlera të jashtëzakonshme, Sherif Çiçiku, i cili ka mbetur në mendjen dhe zemrën e çdo skënderbegasi i nderuar dhe i dashur.
Duke u qëndruar pranë, Ismet Bellova sheh se: “Kështu ecnin dhe Turi (Lekbello) me Perlatin, e ne shikonim se si rriteshin para syve tanë këta djem të talentuar. Habiteshim me përparimin e madh, që kishin bërë e bënin dhe shpesh na dukej e pabesueshme. Sidoqoftë ata marshonin drejt mjeshtërisë”.
Kur në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, u përfshi tek ekipi i “Partizanit”, Perlati pati thënë: “Fati e solli që unë të përfshihesha në formacion. Çështje gustoje. Jo se unë isha më i mirë se Turi”. Pavarësisht nga kjo, ai si te “Partizani”, ashtu edhe te Kombëtarja, siç thuhet në libër: “Luajti në kampionate e në kupa dhe shkëlqeu në të gjitha takimet, duke qenë përherë ndër më të dalluarit e, në më të shumtën, figurë qendrore. Qe gjithnjë i përkryer dhe me një teknikë të përsosur, thuajse në tërë elementët e lojës së portierit.
I shkëlqyer në kapjet e topit, i sigurt në zënien e pozicioneve, i matur e racional në daljet nga porta, i guximshëm në ndërhyrjet e në grushtimet në luftën në ajër, mjeshtër në pritjet spektakolare dhe në plonzhonet akrobatike, sidomos në ato anash e në shpinë, orientues i saktë i shokëve në mbrojtje dhe deri në mesfushë e, më gjerë, dirigjent klasi i skuadrës së vet, në tërë fushën e gjelbërt dhe madje i veçantë ndoshta midis përjashtimeve të rralla në karakteristikën e tij origjinale, si penalltist i përpiktë”.
Edhe në moshën tridhjetë e shtatë vjeçare, Musta shpallej në ndeshjen me “Fenerbahçe” më i madhi në stadiumin e Izmirit. Jup Dervali, e pat quajtur atë; “Një portier madhështor”. Një nga revistat më prestigjioze të futbollit në botë, “Franc Football” i kushtonte kopertinën emblematike portierit tonë të pamposhtur e të pakalueshëm, Perlat Musta.
Oshtima e gëzueshme e lojërave të bukura të kohës së Mustës, ende kumbon në veshët tanë, ndaj është e tepërt të ndalem më tej në sukseset e tij. Për këtë shkrim, u mundova të numëroj emrat që autori Ismet Bellova, përmend në librin e tij. Qe thuajse e pamundur, pasi vetëm kur flet për modestinë e sportistëve, ai rreshton plot gjashtëdhjetekatër të tillë.
Ismet Bellova, që ka shkruar këtë libër me të njëjtën lirshmëri, si të ishte duke transmetuar një ndeshje të vetme, madje duke përdorur me shumë efikasitet të njëjtin fjalor, të njëjtin zell dhe të njëjtat metafora, ka vënë në rreth 250 faqe, shpirtin e tij human, shpirt i cili gjer para se të shkruhej ky libër, paska qenë çuditërisht shumë i fortë, për të duruar e përballuar aq shumë ngarkesë emocionale, që buron nga një dashuri e pashoqe për futbollin dhe protagonistët e tij.
Veç s`duhet harruar se ai, sojin simpatik të portierëve, nuk e diferencon; ai për të gjithë thotë: “Do të ishte një detyrim i madh, për të gjithë shoqërinë futbollistike të mbarë botës, për të kujtuar e nderuar vazhdimisht e gjatë gjithë jetës portierët e shquar, që nuk jetojnë më, por që kanë lënë emrin e tyre të bukur dhe kontributin e çmuar në historinë e vendit të vet dhe të gjithë futbollit…! Po kështu… propagandimi e popullarizimi i figurave të ndritura të portës, do të përbënte një objekt të rëndësishëm dhe interesant… të mbarë shoqërisë futbollistike”.
Përmenda deri tani, atë çka profesor Bellova ka shkruar aq bukur në librin e tij, por desha të ve në dukje se po aq me interes është edhe ajo që aty nuk është thënë dhe që dua të besoj se secili do ta formulonte kështu: “Shihni se ç`mund të bëjë njeriu për lavdinë e vendit të tij, kur mbi gjithçka, vë dashurinë për Atdhe”.
E më tej: “Zotërinj politikanë! Hidhni një vështrim nga miqësia e pastër, e patundur, njerëzore e sportistëve tanë ndër vite dhe mësoni prej tyre, sesi mund të luani, të ndesheni, të fitoni ose të humbisni, duke bërë pjesë në ekipe të ndryshme dhe jo vetëm, që do të korrni njëlloj duartrokitje e mirënjohje, por dhe do të mbeteni përjetësisht, vëllezër të një gjaku”.
Vetë Ismet Bellova, i njohur veçanërisht si komentator i zjarrtë, e kryen këtë detyrë fisnike jo vetëm si njeri me vlera të spikatura, kur fatkeqësisht nga shumë njerëz ato po harrohen, por në radhë të parë si një shqiptar i madh, para veprës dhe jetës së ndershme të të cilit, jo vetëm ne nxënësit e tij, duhet të ndihemi krenarë. Memorie.al