Nga Jerina LUKA (Rasha)
Pjesa e parë
Memorie.al / Pas rënies së Komunizmit dhe me ndryshimet që pësoi sistemi politik në Shqipëri gjatë viteve ’90-të, vendi u përball me shumë sfida. Një ndër këto ishte angazhimi për të treguar atë se çfarë kishte ndodhur gjatë thuajse 5 dekadave vuajtje. Të kërkosh të trashëgosh memorien e fakteve, ashtu siç realisht kanë ndodhur, është një sforcim paradoksal, që në rastin e sistemeve totalitare, historia ka provuar, se çështja bëhet edhe më problematike. Shumë nga ata që e kanë jetuar në vetë të parë terrorin e këtij regjimi të egër, nuk kanë mbijetuar. Ndërsa të tjerë që kanë mbijetuar, nuk arrijnë t’a përcjellin atë që realisht kanë hequr dhe janë gati të paaftë, të artikulojnë deri në fund eksperiencat e jetuara.
Ky shkrim është një përpjekje për të hedhur dritë mbi një prej viktimave të diktaturës komuniste në Shqipëri. Ai ishte Pader Gjon Shllaku, një klerik katolik, që i përkiste urdhrit françeskan, studiues, edukator i brezit të ri, të kohës në të cilën jetoi. Shllaku ishte një nga figurat qendrore të Françeskanëve.
Ai pati angazhim të rëndësishëm në aktualitetin e kohës, duke u përfshirë në debatet e asaj periudhe, me qëllim emancipimin e shoqërisë shqiptare. Ky artikull përmban një përshkrim të shkurtër të jetës së Pader Gjon Shllakut dhe kryesisht analizon disa nga pikëpamjet e tij, për çështje të ndryshme që ai ka trajtuar, përmes shkrimeve të publikuara në revistën “Hylli i Dritës”.
Një përshkrim i shkurtër i jetës së Padër Gjon Shllakut
Kush ishte Pader Gjon Shllaku dhe mbi të gjitha, cili ishte mendimi i tij, për shkak të cilit diktatura komuniste, vendosi t’a eliminojë fizikisht? Kolë Shllaku (ishte emri i tij i pagëzimit), lindi më 27 korrik 1907, në Shkodër. Vinte nga një familje e thjeshtë qytetare, që vlerësonte dijen dhe kulturën. Kur Kola mbushi moshën, e ëma e regjistroi në shkollën fillore të Françeskanëve. Më pas ai vazhdoi gjimnazin, ku u dallua si një student i shkëlqyer.
Me 4 tetor të vitit 1922, në Troshan, ditën e Shën Françeskut, veshi petkun e françeskanit dhe aty filloi jetën e tij rregulltare, duke ndërruar emrin e pagëzimit, në Gjon dhe që nga ajo ditë, ai do të njihej me emrin; Gjon Shllaku. Me vonë, si shumë fretër françeskan, Shllaku u dërgua me studime jashtë vendit. Ai shkoi në Hollandë, ku kreu studimet për teologji.
Më pas u kthye në atdhe dhe me 15 mars të vitit 1931, u shugurua meshtar. Në po këtë vit, shkoi për studime të mëtejshme, (i rekomanduar nga Provinciali i atëhershëm, Pader Vinçenc Prennushi), në Louvain (ose Leuven) të Belgjikës. Atje, Pader Gjoni, ndoqi studimet për shkenca natyrore e më vonë, në vitin 1936, mbrojti në universitetin e Sorbonës (Paris), doktoratën për filozofi, me temën; “Aktualizmi i G. Gentile“.
Menjëherë mbas përfundimit të studimeve, u kthye në vendlindje dhe iu dedikua jetës rregulltare e akademike. Filloi të japë mësim në Liceun “Illyricum” në Shkodër, lëndët e filozofisë, frëngjishtes, politikës dhe ekonomisë. Për një periudhë kohe, Shllaku ishte drejtues e kryeredaktor i revistës “Hylli i Dritës”, në të cilën mblodhi pendat më të mprehta të kohës.
Në vatrën fishtjane, ku për vite me radhë u shkri platforma e Shqipërisë së lirë e të përparuar, u ulën shkrimtarët e rinj më të spikatur dhe personalitete të shquara të kulturës, si; Faik Konica, Fan Noli, Eqerem Çabej, Terenc Toci, Mustafa Kruja, Ibrahim Dibra, Kasem Bajrami e, shumë të tjerë.
Mirëpriti mendime të hapura, por pa iu shmangur parimeve kristiane dhe zhvillimit të kulturës shqiptare. Kishte dëshirën e madhe t’i sillte Shqipërisë, idetë më të mira dhe bashkëkohore të botës së qytetëruar dhe i dha të përkohshmes një format të ri, më tërheqës për brezat e rinj.
I qe ngarkuar drejtimi i revistës “Djelmnisë Antoniane”, një shoqëri që merrej me jetën dhe aktivitetet kulturore të qytetit të Shkodrës. Kjo shoqëri, përbëhej jo vetëm nga nxënësit e Liceut “Illyricum”, por edhe nga ish-studentët e këtij gjimnazi, profesorë, artistë, shkrimtarë, punëtorë e zanatlinj të njohur. Ata organizonin shfaqje, koncerte dhe vinin në skenë vepra të ndryshme të letërsisë klasike.
Me 30 dhjetor të vitit 1940, një natë para se te ndërronte jetë, Atë Gjergj Fishta, kërkoi të kishte pranë, Pader Gjonin. Fishta zgjodhi pikërisht Shllakun, si personin që “do t’i linte amanetet”, për Provincën Françeskane, shkollat, studentët, “Hyllin e Dritës” dhe Shqipërinë.
Ai ndoshta pa tek Pader Gjoni, trashëgimtarin e denjë, për të vazhduar çdo detyrë të nisur nga të tjerë, por të pasuruara nga vetë Fishta, i cili ndoshta i dha Provincës, periudhën më të shkëlqyer, së bashku me të gjithë vëllezërit e tjerë françeskanë.
Pader Gjon Shllaku, për shkak të qëndrimit të tij antifashist, qe shtrënguar të emigrojë në Jugosllavi, kur trupat fashiste në vitin 1939, shkelën qytetin e Rozafës. Ai ktheu në qytetin e lindjes, vetëm në qershorin e 1940-ës. Nuk pranoi kurrë padrejtësinë, dhunën e nëpërkëmbjet dhe ishte gjithnjë në mbrojtje, të të drejtave të njeriut, një botëkuptim ky, që e përcolli qartë përmes editorialeve të tij.
Në Shqipëri, nën maskën e atdhetarizmit, nisën të përhapeshin ide e parime të marksizmit bolshevik. Padër Gjoni, si një person i formuar dhe që njihte mirë pasojat, që do të sillnin këto ide, vendosi të reagojë, me anë të një seri konferencash publike, për këtë temë.
Ishte janari i vitit 1946, kur u arrestua. U akuzua për çështje nga më absurdet dhe u torturua në burg. Avokati mbrojtës i tij në gjyqin qesharak që iu sajua, ishte ish-studenti i gjimnazit françeskan, Myzafer Pipa, tashmë i diplomuar për Jurisprudencë, në Universitetin e Padovës.
Mbrojtja brilante që ai i bëri Pader Gjonit, më vonë do t’i kushtonte jetën avokatit të ri. Padër Gjon Shllaku, u dënua me vdekje dhe më 4 mars 1946, u pushkatua në moshën 39 vjeçare, pranë bregut të lumit Kir, në qytetit e Shkodrës.
Shllaku ishte një intelektual i klasit europian. Në formim e në instikt, ishte filozof edhe pse pa frikë mund të thuhet se, kishte një sy të mprehtë prej sociologu apo, se njihte shumë mirë psikologjinë e shoqërisë shqiptare. Gjithashtu gjatë gjithë jetës së tij profesionale, ai provoi se ishte një akademik serioz dhe një publicist i aftë.
Fati i Kishës Katolike, në Rusinë Komuniste
Padër Gjon Shllaku, ishte shprehur hapur kundër Komunizmit. Ai e dinte shumë mirë se komunizmi në Rusi, kishte marrë formën e një sistemi të mirëfilltë ekonomik, social e politik, por ajo që mund t’a shqetësonte edhe më shumë, ishte se ky sistem kërkonte eliminimin e fesë. Padër Gjoni e njihte shumë mirë doktrinën frymëzuese të komunizmit, baballarët e të cilës ishin Karl Marks dhe Friedrich Engels.
Ata mohojnë ekzistencën e një perëndie supreme transhendentale, nga ku vjen dhe varet çdo gjë. Sipas Marksit; “Feja është opium për popullin”, ndërsa sipas Engelsit; “Duhet hequr qafe gjithçka që ka lidhje me të mbinatyrshmen dhe me mbinjerëzoren, duke i shpallur luftë feve”. Marks dhe Engels, ishin baballarët e një “feje” tjetër, që quhej; “komunizëm ateist”.
Shllaku, si njeri i fesë dhe i formuar në filozofi i druhej fort të keqes, që do të sillte më vonë ky sistem i ri. Në të vërtetë komunizmi ka rezultuar si një regjim totalitar, që ka shtypur një pjesë të madhe të njerëzve dhe kjo është e dokumentuar në të gjithë historinë e vendeve, që kanë vuajtur nga ky sistem.
Ishte pikërisht kjo gjendje që e frikësonte Padër Gjon Shllakun, pasi ky “religjion”, do sillte transformimin e Shqipërisë dhe do të përcaktonte fatin e Kishës. Ai ishte në dijeni se një nga aktet e para të Revolucionit Bolshevik, ishte të shkatërronte çdo ndikim shoqëror, të Kishës në Rusi.
Më 23 janar të vitit 1918, në Rusi, Këshilli i Komisariatit të Popullit, dekretoi ndarjen e plotë të kishës nga shteti e nga shkollat dhe konfiskoi të gjithë pronat dhe trashëgiminë kishtare. Në vitin 1923, atje u themeluan dy gazeta, (haptazi ateiste), të emërtuara: “Pa Zotin” dhe “Shkolla e atyre, që nuk kanë Zot”.
Që nga viti 1920, në Rusi filluan të mbylleshin shumë kisha; nisi gjuetia kundër klerit, duke e akuzuar atë për veprime antikomuniste dhe spiunazh, në dëm të regjimit. Nën këtë justifikim, u arrestuan qindra priftërinj, u gjykuan, u burgosën, u internuan në Siberi dhe një numër i madh, u dënua me vdekje.
Një statistikë e referuar nga zyra sovjetike e shtypit në Londër, e datës 21 gusht 1941, jepte të dhënat e mëposhtme, për vrasjen e klerikëve në Rusi, ku: nga 46.457 kisha ekzistuese që ishin në vitin 1917, mbetën hapur, vetëm 4.225 të cilat, mund të ushtronin një kult të kufizuar dhe do të ishin të kontrolluara nga policia.
Gjithashtu nga 50.960 priftërinj, që ishin para revolucionit, mbeten në detyrë vetëm 5.665 dhe ishin të detyruar të betoheshin me besnikëri, ndaj ligjeve të shtetit komunist. Frika dhe intuita e Padër Gjonit, perceptimi i tij për ardhjen e një rreziku të madh, për fat të keq, u vërtetua, pasi ajo që i ndodhi Kishës Ruse, u aplikua më vonë edhe në Shqipëri, tek të gjitha besimet, por në veçanti u godit Kisha Katolike.
Mendimi i Padër Gjon Shllakut për Komunizmin Bolshevik
Padër Gjon Shllaku, e dinte se regjimi komunist kishte si synim pushtetin absolut dhe se kjo do të sillte diktaturë dhe tirani. Kishte aftësinë të kuptonte, se në Rusi, pavarësisht se propagandohej demokracia, në fakt komunistët bolshevikë, kishin si qëllim të qeverisnin vendin nga një grup i vogël njerëzish dhe populli, duhej vetëm të nënshtrohej.
Zhvillimet në Rusi e shqetësonin Shllakun e për këtë motiv, ai botoi në revistën “Hylli i Dritës”, shkrimin me titull, “Zija në Rusi. Dhetë miljon vetë dekë ûjet, në vjetin 1933” (1934).Në këtë shkrim, autori analizon në detaje situatën politike dhe ekonomike në Rusi, gjatë periudhës së komunizmit, të vendosur atje që prej vitit 1918.
Ai paraqet një këndvështrim shumë kritik mbi gjendjen në Rusi dhe ndoshta trajton këtë temë, për lexuesit e revistës, jo vetëm për qëllime informimi, se çfarë ndodh jashtë territorit shqiptar, në Rusinë e largët, por edhe për t’i hapur sytë qytetarëve të vendit të tij, se çfarë fati i pret njerëzit nga një sistem i tillë.
Ndoshta Shllaku merr parasysh faktin se Rusia, ka influencën e saj historike në Jugosllavinë e asaj kohe, dhe duke qenë e kufizuar me Shqipërinë, ai parandien gati në mënyrë profetike, se Shqipëria mund të cenohet një ditë, nga ajo që po ndodhte në Rusi. Ai ishte i alarmuar nga zhvillimet atje dhe gjatë artikullit, shkruan:
“Kjo katastrofë, nuk âsht këso kohe, nji fenomen për të cilin âsht përgjegjëse natyra e moti; faji randon mbi ndërgjegjen e prijsave e, drejtuesve t’atij shteti, të cillt, për me rrealizu idologán e terbueme të vet, s’çajn kryet për miliona nierz, qi do të sakrifikohen, si robt e Faraonave, veç të munden me ia dalë e me krye, atë pyramide fantastike të shtetit proletár”.
Sipas tij, Lenini nuk pati durimin të realizonte një evolucion të ngadalshëm, sipas modelit origjinal të Karl Marksit, por shpiku një “revolucion artistik”, që e realizoi përmes masës popullore, të përbërë nga punëtorë të thjeshtë, bujq dhe ushtarë, duke ndërtuar kështu shtetin e ri komunist të Rusisë.
Sipas Shllakut, bujqërit e kuptuan shpejt se u shfrytëzuan dhe u gënjyen nga demagogët e qeverisë së atëhershme, me qëllimin e vetëm, për të ndërtuar një diktaturë bolshevike. Kështu 85% e popullsisë ruse, që përbëhej nga bujqësia, nuk ishte më e të njëjtit mendim politik, me drejtuesit e asaj qeverie. Për këtë motiv, nisi një luftë e rreptë dhe sistematike kundër bujqve, të cilët i vranë, i grabitën pronat apo i vendosën taksa të larta, gjë që i detyroi ata që t’i shisnin pronat.
Autori në këtë shkrim, bën një analizë ekonomike të Rusisë dhe është skeptik, për hapjen e fabrikave për popullsinë bujqësore ruse, të pa eksperiencë, në këtë tipologji të re pune. Kjo, sipas tij, i solli Rusisë varfërinë e vitit 1922. Ai e konsideron si paaftësi të Stalinit, shndërrimin e Rusisë nga një vend bujqësor, në një vend industrial, në një kohë aq të shkurtër, vetëm se kishte egon që t’ia kalojë shteteve të tjera, në Perëndim.
Shllaku sjell në vëmendje sufiçitin e prodhimit të automjeteve në Nizhny Novgorod dhe atë të traktorëve, në Stalingrad. Gjithashtu ai bën një bilanc, për tregtimin e këtyre produkteve dhe analizon tregun e jashtëm rus, duke marrë parasysh konkurrencën që ky shtet, kishte me Poloninë, Gjermaninë e Amerikën.
Autori del në rezultatin se, për shkak të tregut të jashtëm dhe konkurrencës, 85% e traktorëve të prodhuar, nuk mund të shiteshin jashtë Rusisë, e për këtë arsye, ata dolën jashtë përdorimit. Mendimi i Shllakut ishte se kjo i shkaktoi kombit Rus, një katastrofë të paevitueshme ekonomike, i cili u zhvesh nga gjithçka dhe arriti deri në uri për bukë.
Mendimi i Shllakut, për shoqërinë shqiptare
Padër Gjon Shllaku, ishte njohës i mirë i psikikës së shoqërisë shqiptare, shumë i ndjeshëm në çdo kohë dhe i aftë për t’a analizuar atë. Kjo konstatohet në disa nga shkrimet e tij, të botuara kryesisht tek revista “Hylli i Dritës”.
Në shkrimin me titull; “Mos të përçapemi”, të vitit 1937, Padër Gjoni, paraqet pikëpamjen e tij për skenarin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, çerek shekulli pas shpalljes së pavarësisë.
Shllaku është i mendimit se; shqiptarët, pas më shumë se dy dekadave vetëqeverisjeje, me një Shqipëri përherë e më miqësore me fqinjët e vet; ‘që jeton e thithë atë atmosferë t’ambel lirije e pamvarësije’, nuk kanë pse të jetojë me frikën se vendlindja e tyre, mund të pushtohet sërish nga të huajt, apo të ushqejnë veten me sentimente të ekzagjeruara nacionalizmi, por duhet të ruhen nga njerëz e grupe të ulëta vendase apo, nga disa të huaj që mund të vijnë në Shqipëri, për të ‘provu aventurat e tyne…”!
Ai në këtë shkrim, kundërshton idenë se; Shqipëria e shqiptarët, janë të paaftë për t’u rimëkëmbur si komb, pas gati pesë shekujsh të sundimit osman, dhe se me shumë punë, ide e maturi, shqiptarët mund t’i provojnë botës, se mund të rreshtohen në vargun e popujve të përparuar.
Padër Gjon Shllaku, është i vetëdijshëm, për realitetin e kohës dhe për vështirësitë që shqiptarët do të përballen në realizimin e këtij qëllimi, edhe për faktin se siç shkruan vetë ai: “Megjithëse i vogël, si për kahë pershîja, si edhè për kahë numri i banorëve, ky vendi i ynë, na paraqitet me nji aglomerasion botëkuptimesh, diametralisht të ndryshme, aqë sá shum kuj i shkon mêndja, se do t’ishte mâ mirë, për të forcue njisimin e ndiesive kombëtare, me i zhdukë ato (botëkuptimet e ndryshme), të gjitha, tuj marrë shêmbullin e ndo’ i vêndi të prêndimit e, me êndë e hartue nji system të vetëm referece vlerësh, thjeshtë e ekskluzivisht kombëtare…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm