Nga Tomë Mrijaj, New York
Pjesa e dytë
Memorie.al / Sikurse shumë patriot të spikatur, që i mbuloi pluhuri i harresës, i njëjti fat ndoqi burrin dhe atdhedashësin e paharruar, kapiten Gjon Destanishën. Ai u ekzekutua në mënyrë barbare nga forcat e sigurimit të UDB – së jugosllave, në oborrin e Burgut të Prishtinës. Që nga ajo ditë deri më sot, nuk dihet se ku prehen eshtrat e martirit të shqiptarizmës dhe anti-komunizmit në Shqipëri, e Kosovë. Eshtrat në varrin e tij, flasin për vrasje të njëpasnjëshme, që ndodhën atë ditë, kur plumbat e mitralozave serbe, i morën jetën nacionalistit zogistë, ushtarakut të karrierës, Kapiten Gjon Destanishtës (1900 – 1951).
Shpatullat, e vetmja shpnesë e kallximit, tregojnë cuba me shenjë gjaku në ballë. Huta e martina janë strukë ndër golle e shpella se veglat e serbit i kanë ba batall. Burrat kanë marrë malet. Gratë kanë shkepë postavë e sermt, për me i grahë kaut kularit. Nata i zen në përpjetë të malit ngarkue me hebe e buljera, për me u çue bukë trimave ndër shpella. Sigurimi i Shtetit ka marrë përsipër me shburrnue Bjeshkët e Nemuna, si për qejfë të serbit.
Janë mbi 400 burra dukagjinas ndër male, çka merr në Qafë të Agrit, tue zbritë në Urë të Shtrejtë, që nuk dorëzojnë as armët, as vedin, as shpellat. Janë lidhë njibesë me u vra dhe në dorë komunistëve mos me u ra. Kërcnohen me vrasje, plaçkitje, djegëje kullash e kësollash, zhdukje të djelmëve të mbetun tek shtëpia, pa gjyqe, shfarosje fisi, grabitje bereqeti e buke, therje bagëtish, me skam e vorfni, e prapë se prapë nuk shtrohen.
Fakt që shumë krahina kanë qendrue me armë në dorë për mos me u shkelë nga komunistët, kanë luftue deri ndër skutat ma jugore, por krahina e Dukagjinit do të zajë vend të veçantë në fletët e asaj historie të lavdishme. Rezistenca e popullit aty ishte shumë aktive, e gjatë, me vorfni të pashoqe, heroike dhe gjithmonë e papajtueshme me pushtetin komunist, sidomos deri në vitin 1948. Çdo pëllëmbë e asaj toke asht la me gjak. Bajraktarët, vojvodët, shtëpitë ma në za për kah ndera, burrnia, besa e trimnia e gishtit kanë qëndrue me shekuj mburojë.
Nuk përjashtohet ndikimi e roli i madh i Klerit Katolik kryesisht atij Françeskan, në formimin e shpirtit atdhetar. Ata e kishin ba të padiskutueshme e të palëkundshme ndaj çdo fortune formulën Fé-Atdhé, me të cilën lindte dhe vdiste malësori. Kjo dhe vetëm kjo ishte arsyeja që ai malësuer nuk mund të pajtohej me komunizmin. Kjo dihej edhe nga komunistët. Disa herë Enver Hoxha ka folë e shkrue, madje, edhe ndër “vepra”, ai vé theksin në qëndrimin antikomunist të katolikëve.
Në të vërtetë asht e vetmja gja ku nuk ka rrjetë asnjë rresht, mbasi aty bahet fjalë pikërisht për këto malësi që e kanë faktue qëndrimin kundër tij, përderisa për 40 vjet, ai udhëheqësi “i dashtun dhe i shtrenjtë”, që rrinte “gju më gju me popullin”, nuk e ka shkelë asnjëherë me këmbët e tij tokën e Dukagjinit, madje, edhe ai “trimi legjendar i luftës”, krimineli Mehmet Shehu, që ishte komandant i Operacionit të Veriut, nuk pati as burrni as trimni, me shkue me luftue kundër anmiqëve shaljanë, pra, megjithëse kishte pushtetin dhe armët me të cilat krenohej, por gjithmonë të përdorura mbas shpine, si me Prenkë Calin, ose kur atdhetarët ishin të lidhun duersh e kambësh, të çarmatosun, ose rob, e, gjithmonë të kapun trathtisht, si Llesh Marashi me shokë…!
Ndër të parët pushkatohet Syl Martini, pa gjyq, para Kishës në Kodër Shën Gjergj, mbasi nuk pranon me dorëzue armët, i njoftun për burrni ndër kuvende malësorësh. Ai u tha para pushkatimit: “Çka i duhet jeta shqiptarit maleve, pa armë? Nuk ua jap!”. Pra, filluan vrasjet! Në Palç të Nikaj – Merturit porsa At Mëhillë Miraj, mbaron meshën, tue dalë njerëzit prej kishe, partizanët e Forcave të Ndjekjes, kërkojnë prej Fet Sadikut, burrë afër të 70-ve, me dorëzue armët. Feta nuk i dorëzon, atëherë, ndihen krisma armësh në afërsi mbas një kodrës.
Partizanët i thonë Fetës, se; me që ti nuk pranon me na dhanë armët, na të kemi pushkatue djalin 30 vjeç, Marashin dhe vëllain, Ademin, (kjo nuk ishte e vërtetë, por kishin shkrepë armët, për me ligshtue Fetën, që ai me tregue armët), atëherë Feta iu përgjigjet: “Mo’ brè, ju kishe dhanë edhe djalin tjetër, por vllain jo”, e prapë armët nuk i dorëzoi. Tue pa vendosmëninë e Fetës, partizanët shtien mbi trupin e tij dhe ashtu të lamë me gjak dhe të shtrimë përdhé, e lanë aty me e pa katundi. Kështu fshati u njoh me ata, që thirreshin; “çlirimtarë”.
…Fillojnë edhe arrestimet. Në Shalë arrestohet bajraktari Kol Ndou, pak ditë mbasi në Breg – Lumi sekretari i frontit të Qarkut të Shkodrës, Spiro Pano (organizatë nën të cilën mëshehej Partia Komuniste), organizon një mbledhje, ku Sigurimi futë me vra Mark Sadikun, i shtëpisë së bajraktarit të Shalës. Vrasësi N. P., vritet po aty prej Bal Markut, kështu fillon pushka…! Për me ndalue gjakmarrjen dhe përçamjen e krahinës, bajraktari Kol Ndou, hyp mbi një shkamb dhe thërret: “Në emën të Zotit burra, me prâ pushka”, dhe pushkët pushuan. Sigurisht një burrë me kaq influencë, që ndalon vëllavrasjen, nuk kishte si me u lanë pa pranga. Nipi i tij, Prel Marku, ikë ndër shpella dhe një ditë bashkë me familje arratiset dhe nuk këthehët ma në atdhé, si shumë të tjerë ndër ato krahina.
E njajta gja kërkohet me u ba, me bajraktarin e Shoshit, Lulash Gjeloshin, por ndodhë çka nuk e pret Ndjekja! Fshatarët lidhin besën, mos me pranue thirrjen e Frontit (ose të partisë). Kur Forcat e Ndjekjes shkuan atje, krisi pushka dhe vriten tre vetë të Ndjekjes. Bajraktari del në mal. Bashkë me të janë edhe gjashtë djelm, sokola mali, që syni s’u ban vék. Koha e gjatë bani që shpesh këta trima, me u përpjekë me Ndjekjen dhe gjatë përpjekjeve, u vranë pesë djelmë nga çeta e bajraktarit. Në Shkodër pushkatohet edhe Prof. Gjelosh Lulashi, me organizatën “Bashkimi Shqiptar”, kështu bahën gjashtë vetë të një oxhaku.
Me Lulashin mbeti vetëm një djalë, që për mos me dalë faret fisi, e detyron Lulashin me u dorëzue. I shtymë në moshë dhe i vramë në shpirt nga fatkeqësitë nuk e pushkatojnë, por e lanë me plasë në burg, tue e dënue 101 vjet. Gjatë kohës së burgut, tregojnë se rrinte i vetmuem, nuk fliste, veç kalonte kohën tue dredhë duhan ose, tue mbushë llullën. I vinin miqë në takim dhe nuk e lenin me vuajtë nga ana materiale, ndërsa shpirtit të brengosun, nuk kishte kurrkush çka me i ba. Ai nuk shërohej kurrma.
Rreziku i daljes farët të fisit, asht kenë ba shkak që shumë burra janë detyrue me u dorëzue. Kështu si Lulash Gjeloshit, i ka ngja edhe Llesh Marashit e Prenkë Calit, që dij unë, po kushedi sa të tjerë, që jo vetëm janë dorëzue por, edhe ua kanë pushkatue djelmoçat e fundit, ashtu si Prenkë Calit. Ashtu i pat ndodhë edhe një burri, tek ura e Breg – Lumit, që i çuan fjalë në shpellë: “Eja, se, për një orë po nuk u dorëzove, të pushkatojmë djalin 14 vjeç”! Ai erdhi ma shpejtë. Aty ishte krimineli Xhemal Selimi, tue thye arra me revolver mbi kokën e një të pushkatuemit. Porsa u dorëzue burri i malit, Xhemali, ma parë i vrau djalin, mbasandej atë. Trupat e tyne u hodhën në Lumin e Shalës.
Kur në Tiranë mendohej se rezistenca e malëve po dobësohej, ndër male ndodhë e kundërta. Më tregonte Ejëll Gërdani, shpellat sa vinin e u mbushnin me djelmë të tjerë. Ma siguri kishin ndër shpella, se tek shtëpia. Forcat e Ndjekjes, vazhdonin me lanë të vramë nga mosnjohja e krahinës, shkonin e binin si miza në qumësht, ndër shtigje ku u fluturonte koka, bashkë me “yllin e kuq” në ballë. Me u largue nga brigade, prap pushkatohej si dezertor, kështu, vazhdonte sa të shkojë kjo punë. Për këtë arsye, në muejn prill – maj të vitit 1946, Mehmet Shehu, dërgon një brigade të drejtueme nga një terrorist tjetër i njohun, major Ndreko Rino.
Dokumentacioni i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, që ruhet edhe sot, tregon ma së miri masakrat, pushkatimet pa gjyq, djegëjet e shtëpive dhe arsyet pse këta kriminelë dekoroheshin e thirreshin; “Heronjë të Popullit” e, për fat të keq vazhdojnë t’i kenë edhe sot! (Lexoni vetëm radiogramet që vinin në Ministri, nga këto zona!).
Majori i porsaardhun, filloi detyrën në “Kuvendin e Bashkimit” të Shalës e të Shoshit tek Ura e re e Dukagjinit. Aty pushkatohen katër vetë pa gjyq, pse nuk kishin dorëzue armët. Në Vuksanaj, vritën dy të tjerë, ndërsa në përpjekje me Forcat e Ndjekjes, plagoset randë Zef Kol Prela, i cili mbasi mjekohet, torturohet në qeli nga Xhemal Selimi e Sabri Shema, i përcillet Aranit Çelës në Shkodër, me i dhanë plumbin ballit. Edhe Araniti si terrorist i njohun, e kreu porosinë më 11 mars 1948, tue e vue në rresht me atdhetarë të tjerë, në Zallin e Kirit.
Kur Nik Sokoli formon Komitetin për “Çlirimin e Dukagjinit”, fillon një fazë e re. E rrethonin Nikën, por nuk ua kapte plumbi, tregonte Ejëlli…! Fillon marrëveshja për organizimin e një kryengritje të përgjithshme në Veri. Lidhja e malësorëve me Muharrem Bajraktarin, forconte besimin në fitore. Puka me Mirakajt, Mirdita me Markagjonët, e i pavdekshmi Alush Lushanaku, në Shqipninë e mesme, tronditën pushtetin qendror, i cili në këtë kohë forcoi edhe ma shumë lidhjet me “druzhe Titon”, për me realizue interesat e përbashkëta antishqiptare.
Me plasjen e parakohshme të Lëvizjes së Postribës, planet dështuen. Edhe pse dështoi papritmas plani, malësorët vazhdonin rezistencën e tyne. Lufta sa vinte e bahej ma e rrebtë. Arrestimet e pushkatimet nuk pushonin asnjë çast. Arratisjet vazhdonin pa pushim. Shkak u ba prishja me Jugosllavinë. Forcat e Ndjekjes u trefishuan. Mjaft malësorë dezertojnë nga mobilizimi ushtarak. Shumë bashkohen me shokët e tyne ndër male. Disa arratisën. U ikë për duersh komunistëve, At Danjel Gjeçaj, i njoftuem nga një malësuer, për arrestim…!
Një ndër betejat e paharrueshme asht edhe ajo që asht ba në Palaj të Shoshit, ku edhe pse u plagos komandanti i 87 burrave të armatosun, Mark Mala, lufta vazhdoi e përgjakëshme dhe me ikjen e turpëshme të Forcave të Ndjekjes, që lane disa të vramë në atë betejë. Përpjekjet dhe qëndresa e oficerit Martin Sheldija, Kapiten Gjon Destanisha, Kol Mark Toma, Ded Mirash Zefit (vra në gusht 1946), Mëhill Ndoja, etj., janë një epope në vedi në lavdinë e atyne malëve. Këtë epope, jo vetëm nuk e njohim por as nuk e gjejmë kurrkund të shkrueme….prej kurrkujt…”?!
Prof. Martin Camaj bashkë me, Kapiten Gjon Destanishën arratisën nga Shqiperia
Forcat e Ndjekjes, kishin depërtuar deri në thellësi të Veriut të Shqipërisë dhe shumë antikomunist ishin larguar krejtësisht nga vëndi, meqenëse rezistenca e mëtejshme ishte bërë e pamundur, kapiten Gjoni, me një numër të madh shokësh, vendos të largohet (me pasaporta falso) drejt Jugosllavisë. Në përberje të këtij grupi, ishin këto nacionalistë: kapiten Gjon Destanisha, Lazër Pali, shkrimtari, Prof. Martin Camaj, At Daniel Gjeçaj, O.F.M., Nik Sokoli, e shumë të tjerë.
Me të dalë në Jugosllavi, iu dorëzuan organeve të pushtetit vendor. Por hetuesit, pa kaluar shumë kohë, zbuluan nga spiunët vendali, se kush ishin këto përsona që ishin arratisur nga Shqipëria dhe pa hezitim, i burgosin. Gjatë verifikimit, funksionarët e lartë komunist serb, shohin se midis tyre ishte kapiten Gjon Destanisha, të cilin kishin kohë që kërkonin për ta arrestuar dhe pushkatuar. Gjonin e mbajtën për një kohë të gjatë, nëpër dhomat e qelive të ftohta, pranë burgut të famshëm të Prishtinës.
Historiani e publicisti i njohur, Nue Oroshi, sipas kujtimeve të bashkëkohësit, Gjok Spaçit, përshkruan qëndresën e kapiten Gjon Destanishës, në burgun e Prishtinës, në librin “Dëshmi kohërash”, në faqet 108, 109, 110. Pas të gjithë këtyre vuajtjeve të gjata, grupin e nacionalistëve të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” (mbajtur në Prizrenin historik, në shtator 1943) e transferuan në burgun e Prishtinës, ku ju bëhej edhe gjyqi formal, i cili i dënoi me burgim të rëndë.
Kështuqë në ditën e gjyqit (me dyer të mbyllura) në Prishtinë, ndaj tij u ngritën nga prokurori i çështjes, katër akuza, për likuidimin e 25 të rinjve komunistë serbo – malazez. Gjoni, që e dinte qysh në fillim qëllimin e gjyqit, me një buzëqeshje ironike, u tha: “Jo unë nuk kam vrarë 25 sërbo – malazez sa thoni ju, por 50 e më tepër…”!
E veçanta e gjykimit, është se kapiten Gjon Destanisha, ishte mbajtur i mbyllur dhe i lidhur me zinxhir të rëndë, nga frika e autoriteteve komuniste të burgut, se ai mund t’i shpërthente dhe të ikte prej qelisë. Ata e dinin aftësinë e tij dhe kishin marrë masa, që “zogu i kapur” të mos u ikë nga dora. Gjykimi i tyre zgjati vetëm tre ditë, ndërsa në ditën e katërt, iu shqiptua dhënia e dënimit (pretenca), drakonik, prej 6, deri në 20 vjet burg. Atij iu dha dënimi kapital: pushkatim.
Por historia, nuk mbulohet me shosh. Dëshmitarët dhe bashkëkohësit e nacionalistëtit të madh, kapiten Gjon Destanishës, flasin sërisht; “Në burgun e Prishtinës, – kujton Gjok Spaqi, – e gjetëm edhe një nacionalist të përbetuar, por fatkeqësisht jetëshkurtër. Ky ishtë kapiten Gjon Destanisha, i dënuar me vdekje, i cili në këmbë mbante prangat 25 okëshe dhe gjendej në dhomë, në fund tek dera. Këtë vend si na tha ai vetë, e kishte zgjedh Gjoni vetë, që të mos i merziste shokët, me rrapamatë e atyre hekurave të rëndë.
Ky Gjon Destanisha, në kohën e Shqipnisë, kishte qenë kapiten i një toge ushtarësh e xhandarësh, për të pastruar vendin prej komunistëve dhe serbëve, dhe në Suhadol, në një katund afër Lipjanit, ku e kishin pa pas çerdhen komunistat dhe drazhistat, kishte pas kryer një aksion të bukur. Si ishte kap, nuk e dimë thellësisht, por e dënuan me vdekje.
Qëndrimi i tij, gjatë gjykimit kishte qenë burrënor e i pathyeshëm. Gjithashtu deri natën e fundit të jetës së tij, u ipte kurajo të gjithë të burgosurve, por sjelljet e të burgosurve ndaj tij, kishin qenë më tepër se vëllazërore, edhe më përpara se me qenë na nacionalistat aty. Sa i përket gjërave ushqimore që na i bishin, ma të bukurat ia ipshim Gjonit. Bisedat e tij kishin plot ideal dhe na thoshte se; djelmosha të jeni të sigurtë, se keni për t’ja mërri qëllimit”!
Ja sesi e shpiegon Gjok Spaqi, pushkatimin e kapiten Gjon Destanishes, familja e të cilit mbas këtij shkrimi, do ta dijnë sëpaku, që djali i tyre martir Gjon Destanisha, është pushkatuar rreth mureve të Burgut të Prishtinës, një natë, në ora një mbas mesnate.
“Kur të gjithë të burgosurit ishin në gjumë, u hap dera, hynë tre njerëz pa uniforma dhe më zë të ulët, e zgjuan Gjonin nga gjumi dhe i thane; hajde me ne, se po të thërrasin në drejtori, se ka ardh vendimi, në interesin tand. Gjoni tha; po po e di, u munduan ta nxjerrin pa folë, por Gjoni foli këto fjalë të mbrame me ne: ‘Burra ma bani hallall, ju falemners për ndihmen dhe respektin që ma keni ba. Mos u merzitni aspak’. E murren rrebelqe dhe e nxorën prej ode dhe mbyllën derën, afër në korridor, e kishin pas kovaçin me ia thye prangat.
U ndigjuan të ramet e çekiçit, kur kapiten Gjoni, i tha magjypit: ‘Sille ma mirë’. Kur dolën në oborr, u ndigjuen edhe dy herë fjalët e Gjonit: ‘Rrnoftë Shqipnia’, ‘Rrnoftë Çamëria’, por kur desht me thanë për herë të tretë, ‘Rrnoftë K…(Kosova!)’, breshëri i plumbave e ndaloi per gjysem e, i mbeti fjala porsa filloi.
Mbas pesë minutash, u ndigjuan dy rafale mitrolozash, mbas murit të burgut. Me Gjonin u krye. Në atë moment, fytyra e të gjithë nacionalistëve, ishte si flaka e qirit, lot u derdhshin prej syve tanë si shiu, e jo vetëm prej neve, por prej gjithë shqiptarëve që ishin në atë dhomë, përpos atyne stalinistave. Tre – katër ditë, bukë nuk kemi ngranë, nga dhimbja për humbjen e atij farë idealisti”!
Gjoni la mbrapa vehtës, bashkshorten Ninën, djalin Nikolinin dhe tri vajza, të cilat, e përjetuan dramën e tmerrshme të komunizmit enverian, në burgje dhe kampe përqëndrimi, për shumë vite me rradhë. Vajza e madhe e Gjonit, Fjora, pati fatin të largohet më herët dhe të emigrojë në Amerikë, ku martohet me ushtarakun shqiptaro – amerikan, Fran Sokolin.
Të dy të rinjtë e porsamartuar, ishin nga dy familje të njohur për vlera të larta antikomuniste. Ata patën “fatin” e njëjtë, si Fjora dhe Frani; Franit të ri, një ditë prej ditësh, UDB-ja i rrëmben babain, Smajl Qerim Sokolin, në Istog të Pejës, ku qysh nga ajo ditë, nuk i dihet as varri. Frani në moshë të re, mbeti në rrugët e botës, i ingranuar si marins, në ushtrinë amerikane. Ai shërbeu për shumë vite me radhë, në Gjermani, ku e kërkoj detyra dhe shërbimi, nën flamurin amerikan. Qëllimi i tij, ishte që një ditë të hakmerrej, për babain e zhdukur nga UDB – ja dhe vjehrrin, që ishte kapiten Gjon Destanisha.
Djali i Gjonit, Nikolini, sot jeton në Shkodër, në shtëpinë e babait të tij. Në periudhën e mbas viteve 1990-të, ai bënë pjesë në rradhët e partisë Lëvizja e Legalitetit, në Shkodër, duke u zgjedhur për shumë vite kryetar i saj, për degën e Shkodrës dhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes së Legalitetit, në Tiranë. Me ardhjen e demokracisë, iu kthye shtëpia, mbas shumë vjet burgimi dhe internimi. Nikolini, është i martuar dhe ka dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij, trashëgon emrin e gjyshit të tij, dhe thirret; Gjon Destanisha.
Fjora, vajza e madhe e “Martirit të Demokracisë”, kapiten Gjon Destanishtës, është e martuar me Fran Sokolin, jeton në New York. Gjithashtu Gjorgjeta, e martuar me ish-të burgosurin politik, Luigj Kabashin, të cilët kishin kaluar shumë vite në burgje e kampe përqëndrimi në Shqipërin e Enver Hoxhës, tani gjenden në New York, dhe Albina e martuar, në familjen Bushati, që jeton në Shkodër. Memorie.al