Nga SHPENDI TOPOLLAJ
In memoriam
Memorie.al / U bënë vite që legjenda e gjiganti i sportit shqiptar, Petrit Murzaku, nuk është mes nesh. Por do të kalojnë shumë e shumë vite të tjera dhe ai nuk do të harrohet kurrë. Teksa rrëmoja në reliktet e pafund të tij, me qëllim që të gjeja çka më duhej, për të shkruar këtë artikull, për një njeri të rrallë dhe sportisti fenomenal, më tërhoqi vëmendjen një dedikim i kohës, kur ai ishte student që çifti petërburgas Valentini dhe Valentina, kishin lënë me rastin e 20 vjetorit të Petjas, në faqen e parë të romanit të Jevgeni Fedorov-it të titulluar; “Brezi i gurtë”.
Më shumë se rastësi, m`u krijua përshtypja, se kjo zgjedhje e këtyre njerëzve të thjeshtë, qe një profeci, pasi me rezultatet që arriti për më shumë se dy dekada, palestrave, pedanave, pistave, ringjeve e pishinave të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, ky “Mjeshtër Sporti” i vitit 1953, “Mjeshtër i Madh” i vitit 1987, “Nder i Sportit Shqiptar”, “Qytetar Nderi” i Tiranës, u bë një nga gurët e granitit në themelet e brezit të sportistëve tanë, të cilët për lavdinë e Shqipërisë, vunë jo vetëm aftësitë e tyre fizike dhe talentin, por dhe shpirtin e pastër dhe atdhetar.
Është një koinçidencë e bukur, lindja e Petrit Murzakut, ditën e verës, pra më 14 mars 1932, në Tiranë, në gjirin e një familje, në traditën e së cilës, qe mbajtja hapur e derës, për ish-luftëtarët e lirisë. Falë kësaj koinçidence fatlume, ai me sa duket, ruajti tërë jetën një përzemërsi e dashuri njerëzore për shokët e, një buzëqeshje të lehtë miqësore të përhershme, që hijeshon si fllad pranveror, atë fytyrë simpatike që Ciceroni e quan pasqyrë të shpirtit, ku fare lehtë lexohet vullneti e vendosmëria. Po ashtu, edukata që mori në familje, e bën të burrërohet para kohe dhe pasi merr armën në moshën 12 vjeç, rreshtohet në Brigadën e 17 Sulmuese, partizane ku për guxim e trimëri, s`mbetet pas partizanëve të tjerë.
Si u çlirua vendi, në mars të vitit 1945, pra sapo u krijua Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, Petriti fillon studimet në këtë shkollë, ku shumë shpejt bie në sy të Ali Kastratit, Rexhep Ramës e Izet Çanit, të cilët përcaktojnë të ardhmen e tij. Katër vitet e kaluara në shkollën “Skënderbej” të cilës sa më shumë i ikën koha, aq më shumë i shtohet shkëlqimi, lanë mbresa të pashlyeshme te Petriti.
Këtu ai lidhi miqësi me djem të ardhur nga çdo anë dhe që nxorën nga gjiri i tyre, veç te tjerash, aq e aq mjeshtra të mëdhenj të sporteve. Dhe vetëm ata që kanë jetuar midis skënderbegasve, e dinë se ç`gjë e shenjtë është për ta miqësia e farkëtuar në përpjekjet e përbashkëta të tyre, për t`u bërë sa më të vlefshëm për me të çmuarën e më madhështoren gjë që kemi: Shqipërinë.
Në fotografitë e atyre viteve, Petrit Murzaku gati nuk t`a mbush fare syrin. Veç shpirtin e ka zjarr; i shkathët e i palodhur, asnjëherë ai stërvitet kudo e me këdo, deri sa merr pamjen fizike të një gladiatori të vërtetë, për të mos thënë se tek e shihje me shtizë në dorë, këtë gjigant plot hijeshi, 10 vjet rresht kampion kombëtar në këtë garë, të kujton Medaurin, atë hyjninë ilire, siç përshkruhet në mbishkrimet e gjetura në Rizonin antik, në kalanë ku dikur qe strehuar Mbretëresha Teutë.
Katër vitet e shkollës “Skënderbej” ndikuan fuqishëm në formimin e karakterit të pamposhtur të Petrit Murzakut. Ato vunë në provë serioze mundësitë sportive të tij. Ai u bë shpejt i njohur mes shokëve, si futbollist, basketbollist, atlet, skërmiste e boksier. Emri i tij filloi të dëgjohet përherë e më shpesh edhe në shkallë vendi, pasi ai merr pjesë në futboll, krahas emrave të famshëm, në ekipin e “Partizanit”, kurse në vitin 1948-1949 ekipi i basketbollit ku luante Petrit Murzaku, shpallet nën kampion kombëtar.
Në këtë kohë, Petriti dërgohet në shkollë të lartë në ish Bashkimin Sovjetik dhe atje në Leningradin e atëhershëm, ndjek seancat përgatitore të kombëtares ruse në volejboll, aso kohe kampione bote. Ai stërvitet me mjeshtrat e mëdhenj; Kostandin Reva, Shagin, Evladian, etj., tërheq vëmendjen e tyre, mëson elementë të panjohur teknikë e taktikë nga volejbolli modern dhe me t`u kthyer në atdhe, ky oficer i ri, (pas të cilit do të linte mendjen çdo vajzë), emërohet në Klubin Sportiv “Partizani”, dhe i futet me pasion të veçantë këtij sporti, gjersa me shokë të tjerë, si; Vangjel Koja, Napolon Llalla, Shefqet Kau, Egon Gjadri, Fatmir Meka, Masar Aga, Todi Koçi, etj., në vitet 52-64, dalin dhjetë herë kampion kombëtar.
Ata fitojnë tre kupa Republike dhe vetë Murzaku cilësohet një nga gjashtë volejbollistët më të mirë të shekullit, duke fituar njëkohësisht anketën e 10 sportistëve më të mirë të vitit, 6 herë radhas. Në basketboll, në vitet 1952-’56, ekipi i tij shpallet katër herë kampion kombëtar dhe një herë si fitues i Kupës së Republikës.
Gjë e rrallë në sportin shqiptar, por duhet thënë se ky sportist shumë planesh, në vitet 1952-‘54, ka marrë pjesë në ekipin e futbollit të “Partizanit” dhe së bashku me të famshmit; Loro Boriçi, Sllave Llambi, Rexhep Spahiu, Besim Fagu, Sulejman Maliqati, Skënder Deda, Gani Merja, Andon Parapani, etj., ka fituar tre herë titullin e kampionit, e dy herë atë të Republikës. Në atletikë, veç shtizës, merr pjesë në shtytjen e gjyles, flakjen e diskut dhe në dhjetë garësh, ku ja kalon vetëm sportisti mjaft i njohur i qytetit të Durrësit, mjeshtri Idriz Çinari.
Dhe sikur të mos mjaftonte i gjithë ky aktivizim i pashembullt sportiv, Petrit Murzaku, është aktivizuar edhe me vaterpolin, kurse në sportin e kanotazhit, në vitet 1960 – ‘64 ka dalë kampion i Shqipërisë. Jam i bindur se ky amator i gjuetisë nën ujore, po të kishte një kampionat të zhytjes, do të zinte patjetër vendin e parë.
Në jetën sportive të mjeshtrit Murzaku, një vend të rëndësishëm zënë takimet e suksesshme e të shumta ndërkombëtare, si kampionati evropian i volejbollit në Bukuresht, kampionati i ish-ushtrive mike në Lajcpig, kampionati evropian i volejbollit në Pragë, kampionati ballkanik, kupa e kampioneve, kampionati botëror në Kiev (1962), si dhe tre turne në Republikën Popullore të Kinës, duke mos harruar Festivalet e Rinisë në Varshavë (1955) e Moskë (1957).
Në kujtesën e Petritit, por dhe në analet tona sportive, ai figuron si pjesëmarrës i 110 takimeve, 68 prej të cilave i përkasin ndeshjeve të volejbollit, madje dhe me skuadra me shumë prestigj, si ato të Bashkimit Sovjetik, Kinës, Çekosllovakisë, Rumanisë, Hollandës, Egjiptit, etj., etj. Murzaku, me krenari kujtonte 57 fitore, dhe s`linte pa përmendur dy momente gjatë ndeshjes me Finlandën: ngritjen e flamurit tonë dhe shpërndarjen për herë të parë të tingujve rrëqethës të himnit kombëtar dhe fitoren 3:2, si dhe me Hollandën, që veç fitores, po 3:2, shënoi dhe një rekord, me 3 orë e 20 minuta që zgjati takimi, falë një rivaliteti të paparë.
Në ndeshjet ndërkombëtare të basketbollit, duhet përmendur Kampionati Ballkanik i vitit 1959, ku ai me shumë kompetencë e shpirt luftarak, ka mbuluar vetë Koraçin, legjendën e ish -Jugosllavisë, me emrin e të cilit atje prej vitesh organizohet një kupë e posaçme. Ne e dinim se ç`ndiente zemra e emocionuar e Petrit Murzakut me shokë, kur ndeshej me ekipe të huaja. Flitej për lavdinë dhe emrin e një vendi të vogël e të paepur, prandaj përgjegjësia ishte jashtëzakonisht e madhe.
Por edhe ai, patjetër që e përfytyronte se si qëndronim ne me ankth e gjak të ngrirë për rezultatet që do të arriheshin, dhe si fluturonim nga lumturia kur nderoheshim e fitonim, dhe sa na shtohej dashuria e krenaria për vendin tonë. E ky është ndofta shpërblimi më i madh që i bëhet atdheut. E këto janë lidhjet shpirtërore që krijohen në mes njerëzve që kanë identitet të qartë, qofshin sportistë, qofshin sportdashës. Dhe është për këtë, në radhë të parë që njerëz si Petrit Murzaku i “Partizanit”, u takojnë të gjithëve, e si të tillë, mirënjohjen kanë të drejtë njëlloj t`ua shprehin, si në Tiranë, ashtu dhe në gjithë Shqipërinë.
Por, Petrit Murzaku nuk ka qenë vetëm një sportist e kapiten i shquar. Ai ka kryer me përkushtim detyra të ndryshme në ushtri. Ai ka kryer studimet edhe në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, punoi si shef i përgatitjes fizike në njësinë e komanduar nga “Heroi i Popullit”, kolonel Myslym Keta. U kthye sërish si shef në Klubin Sportiv “Partizani”. Në vitin 1964, u emërua pedagog në Shkollën e Lartë të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë dhe pas dy vjetësh, caktohet shef i katedrës fizike të kësaj shkolle, derisa doli në pension, në vitin 1987.
Por, si mund të dilte në pension ai, që e quajta djalosh i përhershëm, ai që nuk ndahej asnjëherë nga kjo shkollë, ai që vazhdoi të jetë kryegjyqtar i kolegjiumit të gjyqtarëve të kryeqytetit për volejbollin dhe ka arbitruar vazhdimisht ndeshje të kampionatit kombëtar, ai që së bashku me legjendën e gjallë Ali Kastrati, me Ismet Bellovën e mençur, me Isa Taren e urtë, me Et`hem Ibrahimin simpatik, ishin aktivistët më të dalluar të Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi” (Nderi i Kombit); ata që do t`i gjeje të pranishëm në çdo veprimtari, kudo që të zhvillohej ajo.
Petrit Murzaku, pedagogu që i dha vendin e duhur përgatitjes fizike të oficerëve, pritej kudo që shkonte me respekt të veçantë. Nuk ka oficer që të mos e ketë njohur ose, të mos ketë dëgjuar për atë dhe pa frikë them se; nuk kish oficer që të mos e njihte Petja ynë. Edhe në planin teorik, Petrit Murzaku ka dhënë një ndihmesë të çmuar, për ecurinë e përgatitjes fizike në ushtri. Në të gjitha kontrollet që organizonte Ministria e Mbrojtjes Popullore, do të përfshihej patjetër, legjenda Petrit Murzaku.
Asnjë shenjë superioriteti, nuk tregonte ai gjatë këtyre kontrolleve. Vepronte njëlloj, si të kontrollohej ai; futej në mes ushtarëve e oficerëve, vraponte së bashku me ta, djersinte si ata, i udhëzonte e ndihmonte, të mbërrinin objektivat, gëzohej për rezultatet e larta, mërzitej kur puna nuk shkonte si duhej, i kuptonte hallet e reparteve, linte detyra me thjeshtësinë më të madhe dhe asnjëherë, ai burrë zemërmadh, nuk vuri njeri në pozitë të vështirë.
Takti dhe edukata e lartë që tregonte Petriti, ishin pjesë e karakterit të tij fisnik dhe formimit të tij qytetar. Kjo anë ndofta, përbënte vlerën më të spikatur të këtij kuadri të vyer të sportit e ushtrisë tonë, pa të cilën edhe shifrat që përmendëm, nuk do të kishin kuptimin e tyre të vërtetë.
Tërë jetën e tij, Petrit Murzaku manifestoi ndjenjë të lartë kolektiviteti dhe shpirt sakrifice. 6 shkurti i vitit 1981, kur orteku i pa pritur në malin e Meçekut, (në kompleksin stërvitor të Fekenit në Malin me Gropa) rrëmbeu në moshën më të bukur, 11 oficerë dhe kursantë dhe plagosi 100 të tjerë, është pika kulmore që e shndërroi pedagogun Murzaku në një luan të vërtetë, për të shpëtuar me përpjekje mbinjerëzore, jetën e vartësve e shokëve të tij, gjersa dhe vetë u zvarrit për mbi 300 m., në një terren të ashpër, nga një ortek i dytë dhe që shpëtoi në sajë të një konstrukti hekurlian dhe një shpirti prej luftëtari të vërtetë.
Në rrugën e lavdishme të jetës e veprës së Petritit, një rol të dorës së parë, ka luajtur familja e tij, e në radhë të parë e shoqja Kleopatra, sportiste me emër që e kish kuptuar misionin e bashkëshortit të saj në sportin shqiptar. Për më tepër, nga familja e nderuar Murzaku, kanë dalë të tjerë sportistë të shkëlqyer, si vëllai i Petritit, Thomai, basketbollisti i dëgjuar i ekipit të “Partizanit” dhe atij kombëtar, Dhurata e motra e tij, notare dhe alpiniste, e bija e Petritit, Mirela volejbolliste e “Dinamos” dhe Ingridi e “17 Nëntorit”, që ka luajtur prej një kohe të gjatë me ekipin kampion të Greqisë, “Vrisilia”, në volejboll.
Me shokun tim të mirë, ushtarakun e lindur Dr. Shkencave, Novruz Zejnati, ishim kohë më parë për vizitë, në shtëpinë e Petritit në Tiranë. Një mobilim nga më modestët, ai sapo i kish shtuar një minibar, ku me sugjerimin e së bijës, do të vendoste tërë medaljet e pa numërta, që kish fituar gjatë jetës. Kjo qe e tërë pasuria e këtij gjiganti, të cilësuar nga një juri e përbërë nga specialistët më të mirë të vendit, si shumëyllëshi më i mirë sportiv, në historinë e sportit tonë. Ai kurrë nuk ish bërë merak, për interesa materiale.
Kish vënë gjithçka në shërbim të sportit, për qëllime që s`vdesin kurrë dhe që Tolstoi e kishte formuluar aq qartë: “Në jetë ka vetëm një lumturi të pa dyshimtë: të jetosh për të tjerët”. Dhe duke folur rreth kësaj pike, Petriti buzëqeshte e kujtonte: “Në ’57-ën, kur dolëm kampion në basketboll, me qenë se nuk lejohej shpërblim në lekë, Federata na pyeti se ç`mund të na blinin. Unë kërkova 6 pjata të thella, 6 të cekta, e 6 pirun. Kurse Andon e Jorgji Koja, deshën nga 12 m. beze, me qenë se sapo ishin martuar, e kishin nevojë për çarçafë”.
Vetëm një gjë i kishte mbetur pishman Petrit Murzakut, i cili vazhdonte të na tregonte: “Në ‘55-ën, ‘Partizanit’ i duhej një atlet për hedhje shtize. Dilaver Toptani, më zgjodhi mua dhe me qenë se koha qe e shkurtër, u futa në garë me një ditë stërvitje.
Me qenë se nuk kisha shtizë, kampioni Shaban Zeneli më tha: ‘Merr shtizën time’. Me ta hedhur, theva rekordin kombëtar. Më shumë nga unë u gëzua Shabani, i cili pasi më puthi, ma dhuroj atë shtizë, të cilën unë nga pakujdesia, nuk e ruajta dot…! Sa do të doja ta kisha”! Ky pra ishte Petrit Murzaku, i cili me jetën dhe veprën e tij, na kujton atë shprehjen e Buastit se; “heronjtë, ashtu si veprat e artit, duken më të mëdhenj, nga largësia e kohës”. Memorie.al