Nga SIMON MIRAKAJ
Pjesa e njëmbëdhjetë
“Kampeve nën hijen e Tomorrit, 44 vite internim”
– Kujtime –
H Y R J E
Memorie.al / Këto kujtime i kam hedhur në letër pas një periudhe të gjatë hezitimi. Kjo mbase, sepse subjektet i kisha gjithnjë të freskëta në mendje, që më ndiqnin pa mëshirë gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Por vjen një moment – kur koha bën të vetën – dhe pamjet e tmerrit dhe të pësimeve, erdhën duke m’u zbehur – thuajse pësimet kaluan në harresë. Atëherë vendosa t’i ripërsëris ngjarjet më mbresëlënëse – fillimisht në mendje – derisa morën trajtën e këtyre rrëfimeve. Sado të zbehta që mund të duken këto rrëfime – krijojnë idenë e realitetit të ashpër dhe mjeran të kampeve.
Dentisti, 1971
Dhimbja e dhëmballës u bë e padurueshme, ata që e kanë vuajtur dhimbjen e sajë më kuptojnë. Vizitat mjekësore ne i kryenim në Ngurëz, që ishte 5 minuta larg Gjazës, ku banonim. Për të shkuar atje për çdo rast, duhet të merrnim leje te përgjegjësi i apelit, lejen herë ta jepte me gojë, herë me shkrim, ku thuhej… “Lejohet i internuari Simon Mirakaj, të shkojë në Ngurëz, për vizitë te doktori”.
Kisha dy ditë që më kishte filluar një dhimbje e padurueshme e dhëmballës, nuk kisha si të qetësohesha, pasi duhet të shkoja në punë. Në Ngurëz, nuk kishte dentist, që prej vitit 1971. Atje ishte vetëm një ndihmës mjek. Kisha disa ditë që qetësoja dhimbjen e dhëmballës, duke vënë raki në gojë. Përgjegjësi i apelit, nuk kishte të drejtë të na jepte leje, për të shkuar për vizitë tek doktori, në qytet në Lushnje.
Kur shkova për të blerë bukë në dyqan, pashë operativin Kosta Sillon brenda, bleva bukën dhe dola duke e pritur që të dilte nga dyqani e pastaj, t’i kërkoja leje, për të shkuar te dentist. Nuk voni dhe doli. “Me leje”, i drejtohem. Ai u ndal.
“Kam dy ditë me dhimbje dhëmballë, nëse keni mundësi të më jepni leje, që të shkoj në Lushnje, tek dentist”. Ma dalloi dhëmballën, pasi dukej nga faqja e ënjtur, nxori stilografin nga xhepi bashkë me bllokun e, filloi të shkruajë lejen. “Merre”, më tha. E mora e lexova, ku shkruhej:
“Lejohet i internuari Simon Mirakaj, të shkojë për vizitë tek doktori në Lushnje, i lejohet vetëm rruga që shkon për ambulancë. Leja i fillon në orën 9.00 të mëngjesit- deri në orën 15.00 të mbas ditës”.
Me lejen, duhet të paraqitesha në Degën e Punëve të Brendshme te oficeri i rojes, për t’ia dorëzuar. U nisa, në orën 10.00 mbërrita në Degë, nxora lejen nga xhepi dhe ia dhashë oficerit të rojes.
“Nga vjen ti”? – më tha.
“Nga Gjaza”!
“Mirë vazhdo. Kur të mbarosh, do vish të marrësh lejen”.
U largova dhe u nisa për në ambulance. Kisha ulur kokën se, nuk doja të shihja njeri, pasi mund të më ndalonin për të folur, sepse kishin vite pa më parë, edhe ata kishin frikë për të më folur, prandaj ula kokën. Në ambulancë hyra te dentist dhe ai ma bëri me dorë, që të prisja, se kishte një tjetër brenda.
Për fatin tim dentistin e njihja, ishte djalë i mirë, kishim jetuar bashkë në Savër, por me fate të ndryshme, mbylla derën dhe u ula në një stol në korridor. Pashë operativin që hyri në ambulance, por mua nuk më pa, hapi derën e dentistit, sigurisht për të verifikuar nëse kisha ardhë te dentisti, mbylli derën e kur u kthye për të dale, i them:
“Jam këtu, se nuk kishte radhë për të hyrë”. Ai më pa, nuk foli, duket u qetësua e iku. Dentisti Behar Lame, ma bëri me dorë dhe u futa, i shpjegova se kisha dy ditë që po vuaja nga dhëmballa.
“Kjo ka nevojë për t’u mbushur”!
“Të lutëm ma shkul, se nuk kam mundësi me ardhë, nuk kam mundësi. Të lutëm ma shkul se nuk po durojë dot”. Nga lutjet e mija u bind, më bëri gjilpërën e, mbas dhjetë minutash më hoqi dhëmballën. Qëndrova pak sa të merrja veten, mbasi u qetësova e falenderova doktorin e, u nisa për të marrë lejen në Degën e Brendshme. Kur mbërrita i rashë sportelit të oficerit rojes, e ai u hap.
“Hë mbarove”? më tha oficeri.
“Po mbarova”.
Mori lejen e shënoi; “I internuari Simon Mirakaj, erdhi në orën 10 të mëngjesit e, po largohet për në Gjazë, në orën 2.30. minuta”.
Mora lejen dhe u nisa për në Gjazë, i lumtur se dhëmballa nuk do më dhimbte më. Sa dola në oborrin përjashta Degës, dëgjoj një grua që ulërinte me të madhe:
“Pse nuk m’i merrni ushqimet për burrin, se burri im nuk ka rënë në burg për politikë, por ka rënë si hajdut”.
Këto britma ja drejtonte gardianit të burgut, që merrte ushqimet e të burgosurve, që gjendeshin të arrestuar aty.
Me të mbërritur në Gjazë, lejen ja dorëzova përgjegjësit të apelit.
Unë dhe Qetë
Korriku kishte shpërthyer me një të nxehtë përvëlues. Si gjithmonë, mbas paraqitjes në apel, drejtoheshim me marrë planin e punës te brigadieri. Unë e Gjoni, ishim prej vitesh në një brigadë, e sapo ju afruam brigadierit, ai na tha:
“Ti dhe Gjoni, do të shkoni në vaditje me impiant, shkoni në magazinë se po ju presin dy qerre për të ngarkuar tubat”.
Magazina ishte afër, u futëm brenda dhe filluam të ngarkojmë tubat në qerre, mbasi mbaruam ngarkesën, u drejtuam për në shtëpi, për të marrë çantën e bukës dhe ujë. Ishim veshur të dy me pantallona të shkurtra e kanatjerë, nga një kapele kashte në kokë e, çantat me bidonin që mbante 5 litra ujë, në krahë, vazhduam rrugën, duke ndjekur qerret nga pas. Nga toka dilnin avuj të nxehtë që vallëzonin si dallgë.
Rruga nuk kishte as një pemë, i kishin prerë të gjitha, nuk kishe ku të futje kokën, në anë të rrugës, shikoje fëmijë që laheshin në kanal, gra që kishin ulur kurrizin e, me kapelet e kashtës që sipër ju kishin hedhur nga një napë të bardhë, dukeshin si pulëbardha e, me shatin në dorë, që ngrihej e ulej duke prashitur misër.
Disa gra që ishin më të reja, futeshin në kanal me gjithë rrobe për t’u freskuar. Pak më tej, gumëzhinte traktori që tërhiqte slitën e, punëtorët që e ndiqnin me sfurqe të ngarkuar me kashtë. Rruga ishte gjithë pluhur, qetë, ca nga ngarkesa ca, nga të nxehtit, kishin nxjerrë gjuhën përjashta, goja shkrumbonte, qafa e tyre ishte plagë nga puna e rëndë e, nga kulari e, ju numëroheshin brinjët, nga keq ushqyerja.
Kishim ngjashmëri edhe ne me qetë, nga keq ushqyerja e nga puna e rëndë, edhe në na numëroheshin brinjët, supa na kishte ardhë në majë të hundës. Ata ishin më të lirë se ne, nuk i merrnin kujt leje për të lëvizur, kur ju hiqej kulari, ata shkonin nga të donin, për të gjetur ushqim, ndërsa ne, vetëm në tualet shkonim pa leje.
Në darkë ata flinin të qetë në stallë, ndërsa ne nuk mund të flinim pa u paraqitur në apel, ku jo rrallë të vinin hekurat duarve, duke të akuzuar si “armik i popullit”, prandaj jua kisha lakmi qeve qetësinë e tyre, se dhe ne supet na ishin bërë plagë si qafa tyre, duke mbajtur tubat, thasët e plehut apo, thasët nga 50 kg. me grurë, trupi ishte mbuluar e kullonte nga djersët, herë pas herë e kthenim bidonin e ujit, për të shuajtur etjen.
Qerrexhiu i ndaloi qetë së ecuri për dy tre minuta, zbriti nga qerrja e me një kovë të madhe, ju drejtua kanalit e mbushi me ujë, ia hodhi qeve për t’i freskuar, shkoi dy tre herë, qetë filluan të tundin bishtin nga kënaqësia, hipi përsëri në qerre e, me bodec në dorë, i shponte pak, që të nisnin përsëri rrugën. Ato ishin lodhur edhe ata nga pesha që tërhiqnin e, vapa që sa vinte e bëhej më përvëluese, edhe trupi i tyre ishte mbuluar nga djersët, u freskuan pak e nga kënaqësia, ecnin me të shpejtë. Ne u freskuam pak në kanal, pak e nga pak, po i afroheshim parcelës.
Të dy i kishim hequr kanatjerët dhe gjysmat e çizmeve, po ecnim zbathur, ishim gati të hiqnim dhe lëkurën, na dukej prej vapës se edhe ajo na rëndonte. Më në fund arritëm në parcelë, hoqëm çantat e bidonët e ujit nga supet, i ulëm në tokë, nuk kishte asnjë hije. Çantat e bukës i lamë në mes të diellit, ndërsa bidonët e ujit, i futëm në një gropë që hapëm. Filluam shkarkimin e tubave, parcela ishte dhjetë hektarë, tubat mbërritën deri në gjysëm, qerrexhit i hoqën kularin qeve dhe ju hodhën nga një dorë bar.
Unë dhe Gjoni, filluam të bëjmë instalimin e tubave e të sprucatorëve. Tubat i kishim shkarkuar në krye të parcelës, se misri ishte i rritur dhe do dëmtohej nga qerrja, kështu që në merrnim nga dy tubo në krahë, djersët na kishin mbuluar trupin, në çdo gjysëm ore futeshim në kanal për t’u freskuar. Dilnim nga kanali e fillonim përsëri, duke i dhënë kurajo njeri tjetrit; ja edhe pak se mbaruam. Ishim vetëm me brekë dhe kapelen në kokë.
Instalimi na zgjati dy orë. Zetoristi Perikliu, njeri i mirë por shumë dembel, ndezi motorin, hodhi zorrën thithëse në kanal, filloi vaditja. Ishim lodhur e kullonim nga djersët, trupi na ishte bërë gjithë vija të kuqe, nga gjethet e misrit, filluan të na djegin. Qëndruam dhe pak në këmbë, duke vënë re tubat nëse rrjedhin apo sprucatoret a rrotulloheshin. Brigadieri na kishte thënë se sprucatorët do qëndronin pesë orë në një vend në mënyrë që bima të merrte lagështinë e nevojshme.
Me Gjonin ju drejtuam çantave të bukës, që qëndronin në mes të diellit, nxorëm dhe bidonët nga gropa e filluam të pimë me etje, ndonëse uji ishte bërë me zie vezë. Gjoni kapi disa degë misri, i lidhi majat po ashtu bëra dhe unë, që të sajonim një hije që të hanim bukë, sipër degëve të misrit hodhëm bar dhe kanatjerët tona. Hapëm çantat e filluam të hamë me shumë oreks, bukë domate e pak gjize, Gjoni e kishte mbushë kavanozin, plot me gjizë.
“Sa shumë të pëlqen gjiza Gjon”? Ai nuk përgjigjej veç vinte buzën në gaz. “Shiko njëherë Simon, a po punojnë sprucatorët se Perikliu ja fut gjumë, e nuk kujtohet me i pa”. U ngrita menjëherë dhe për fat, po punonin të gjithë e, u ula. Mbasi hëngrëm bukë, filluam të rregullojmë pak vend që të shtriheshim, sheshuam vendin me lopata, duke larguar dheun e duke e grumbulluar në një vend, që të na shërbente si jastëk. Mbasi pashë që nuk kishte këmbë njeriu përreth, i drejtohem Gjonit; “Ore, a do shpëtojmë ndonjëherë nga këta xhahilë, që po na marrin jetën padrejtësisht”?
“Nuk besoj se do të jetë e largët dita”.
Nën rrezet e diellit, i mbyllëm sytë, për të dremitur pak.
Demaskimi i Xhevat Tarushës
Demaskimi ishte një metodë e përdorur nga Sigurimi i Shtetit, si presion psikologjik, ndaj të internuarve të zgjedhur për t’i demaskuar, këta persona vinin nga shtresa e deklasuar, siç na quanin ata. Njëkohësisht nëpërmjet këtij demaskimi, bëhej presion e terror, për të gjithë “armiqtë e klasës”. Sigurimi në bashkëpunim me organet e partisëe, kishin piketuar personin që do të demaskohej dhe e nxirrnin para kolektivit, njëkohësisht kishin zgjedhur dhe njerëzit të cilët, do ta shanin me fjalët më banale e fyese, “armikun e popullit”.
Në Gjazë, ku unë banoja si i internuar, demaskuan një ish-të internuar, të quajtur Neshat Talo, ishte nga fshati Tren i Devollit, njeri punëtor, rreth 60 vjeç. Neshati ishte njeri i ndershëm, por sekretaria e partisë, Rita Vogli, e ardhur nga drejtoria e Fermës, i thoshte:
“Fol, prano, se ne të kemi incizuar e, të kemi filmuar! Çfarë filmi ke parë mbrëmë, apo ke dëgjuar Italinë, hë, fol armik”.
Neshati zverdhur dhe nga lodhja, kishte punuar gjithë ditën me kosë, prandaj mezi rrinte në këmbë. Sa bëhej gati të fliste, i turreshin të porositurit, me fjalët më banale, tamam si zagarë. Kishim dëgjuar dhe për demaskimin që i ishte bërë në Grabjan, Tasim Spahisë, dhe një zonje të quajtur, Tefta Tasi.
Kishim dëgjuar që familjen Tasi, mbasi kishin dalë nga mbledhja i kishin gjuajtur me gurë, njerëzit e porositur nga operativi i Sigurimit. Veprime si në mesjetë dhe Tefta Tasen e arrestojnë pak më vonë dhe e dënojnë me burg, për agjitacion e propagandë.
Në dimër, apelin e darkës e bënim në orën 17.00. Sapo u grumbulluam në orën e caktuar, Vangjeli, përgjegjësi i apelit që për hir të vërtetës, ishte një djalë i ri, por shumë i sjellshëm dhe nuk të provokonte. Sigurisht që ishte njeri i besueshëm por, ishte siç thashë, shumë i sjellshëm, sa apelin e kishim kthyer në humor.
“Hë, – thoshte, – u mblodh ekipi i futbollit”?!
Kur erdhën të gjithë, na thotë: “Tani siç jemi, drejt te ‘Këndi i Kuq’, se ka mbledhje sektori”.
Ne vështruam njeri tjetrin, menduam se ndoshta do këtë ndonjë arrestim, pasi ata bënin lloj lloj metodash, për të ngjallur frikë e terror. U nisëm, salla pothuajse ishte mbushur plot. Në sallë hyri Sekretari i Partisë së Fermës, Petraq Nushi, kryespiuni, Nikolla Jani, Sekretari i Partisë së Sektorit, Kryetari i Frontit, përgjegjësi i sektorit, Rrapi Gjermeni, një verdhacuk, që duart e gjata i shkonin deri të gjunjët, i cili ishte njeri shumë negative, etj.
Sapo erdhën, salla filloi duke buçitur nga thirrjet; “Parti-Enver…” dhe aria zuri vend në krye të tavolinës e vendosur enkas për ta, një i ri i i partisë mori bustin e Enver Hoxhës dhe e vendosi mbi tavolinë.
Fjalën e mori shoku Rrapi, i cili pasi foli për realizimet e sektorit e për sukseset, tha: “Por këto suksese që kemi arritur, kërkojnë të na i përmbysin armiqtë e klasës, që kemi këtu, siç është Xhevat Tarusha”.
“Kush është Xhevat Tarusha”? – tha sekretari i partisë.
Xhevati u ngrit në këmbë, ai ishte ngjitur me mua.
“Unë jam”! – tha Xhevati i qetë.
“Dil këtu armik i betuar, ne kemi shumë armiq, por të gjithëve ua kemi shtypur e do t’ua shtypim kokën”.
Në këtë kohë, kur Xhevati doli përpara sallës, hyri operativ Pllumbi. Ai zuri vend te kërriga e ruajtur për të. Xhevati kishte ardhë në Gjazë, mbasi kishte bërë 15 vjet burg për tentativë arratisjeje. Xhevati ishte nga Rajca e Librazhdit, kishte realizuar ikjen në moshë të re, 17 vjeç, por mbas një qëndrimi disa mujor në Hetuesinë e Maqedonisë, e kishin kthyer në kufi dhe i kishin vënë hekurat.
“Hetuesi në Maqedoni, – më tregonte Xhevati, – më thoshte se do të kthejmë, se po të ikni ju, kush do ta nxjerrë kromin për ne”?!
Xhevati ishte njeri shumë punëtor e i ndershëm. Fliste me zë të ulët e, duhej t’i rrije afër, që ta merrje vesh se çfarë thoshte. Kjo ishte karakteristikë e të burgosurve, së bashku me mënyrën e të ecurit. E vetmja e metë e tij, ishte se e pinte duhanin shumë.
Unë kisha shumë miqësi me të, sigurisht mbasi u bindëm që kemi të bëjmë me një njeri të sigurt, që mund të flisje pa frikë me të, për çdo gjë. Filluan ta akuzojnë, për atë të cilën ai ishte dënuar.
“Për atë që bëra, – thoshte Xhevati, – unë e mora dënimin…”!
“Pusho mos fol…”, e sulmonte tjetri nga salla i porositur, duke e sharë:
“Krimb haleje”! – mbas atij fillonte tjetri, gjendja në sallë ishte e rënduar, për ne ishte tmerr, ta shikoje shokun tënd në atë gjendje e, të mos ishe i zoti me e mbrojt. Unë dridhesha kur shikoja një lukuni ujqish e injorantësh, që kënaqeshin duke sharë një njeri të pafajshëm.
Sa hapte gojën ai, i bërtiste Petraq Nushi, Sekretari i Partisë së fermës, që drejtonte demaskimin, pastaj tjetri e tjetri. Po afronte ora 12 e natës. Kishim hyrë që në orën 17.00 dhe Xhevati vinte mbas një lodhje nga puna e, shtatë orë në këmbë, duke dëgjuar sharjet e fyerjet e komunistëve fanatikë dhe të indoktrinuarëve. Skenari ishte përgatitë…!
“More, – thotë sekretari i partisë, – a ka ndonjë shok ky, që të na thotë ndonjë fjalë për këtë armik”? Ngrihet në këmbë Agron Qosja, një qerrexhi që punonte në sektor:
“Ky ka shok Simon Mirakajn”!
“Kush është Simoni”?
“Unë jam Simon Mirakaj…”, – e ngrihem në këmbë.
“Çfarë ke për të thënë për Xhevatin? Për armikun që kemi përballë”!
“Unë çfarë kam për të thënë?! Unë kam për të thënë fjalët më të mira për të, e jam krenar që është shoku im”.
“Ashtu”?!
“Dil këtu shpejt, se ti je më armik se ky”.
Sokoli, Sazani, Tomorri, Dinja, Xheviti, ishin mbrapa meje të ulur. Sokoli u ngrit në këmbë e, iu drejtua me gisht parisë që drejtonte mbledhjen:
“Kujdes mos shani, na arrestoni e bëni çfarë të doni, por me sharje jo, se nuk dalim gjallë prej këtu”!
Unë i kthehem Sokolit e, i them:
“Qetësohu, se mua fjalët e fyerjet e këtyre, më hyjnë nga njeri vesh e, më dalin nga veshi tjetër, prandaj ulu. Ne jemi mësuar me këta, se kanë 45 vjet që na shajnë. Nëse do më lavdëronin, atëherë do të më vinte keq mua dhe ty”, e me buzë në gaz, mbërrita afër Xhevatit. Prania ime, i dha zemër. Një brigadiere vajzë, që ishte në rreshtin e parë, i thotë Petraqit:
“Shoku sekretar, ky po qesh”! – Petraqi i kthehet:
“Pse, çfarë pret ti nga armiqtë? Të qajnë”?!
“Hë! Kush ka për të thënë ndonjë gjë, për këtë Simonin”?
Pata fat se ora po shkonte 01 e natës, njerëzit ishin të lodhur e të nesërmen duhej të dilnim në punë, pritën nja dhjetë minuta, nuk foli kush, atëherë na u drejtua ne:
“Hajde ikni e, rrini urtë, se ne ju shtypim kokën, ashtu siç ua kemi shtypur të gjithë armiqve”.
Xhevati për fat të keq, nuk jeton më. Xhevati do kujtohet me respekt, nga të gjithë ata që e kanë njohë, si në burg edhe në kampin e internimit, në Gjazë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016