Nga Ilir Bushi
Memorie.al / “Zotërinj deputetë, mjaft spekuluat me emrin e tim eti, duke u përpjekur padrejtësisht të krahasoni ryshfetçinjtë e hajdutët e sotëm, me Selman Kukaleshin, prandaj që sot e tutje, gjeni ndonjë simbol tjetër, sepse babai im, ka jetuar dhe ka vdekur me nder”. Kështu e shprehte revoltën dhe ankthin e tij të mbledhur prej vitesh, Hysen Kukaleshi, djali i ish-komisarit të Policisë së kryeqytetit, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu ai shton: “Mon Kukaleshi, është larguar nga Shqipëria, në tetorin e vitit ’44, duke mos lënë asnjë pasuri apo flori, për familjen tonë”. Ndërsa si rrjedhojë e zhgënjimeve nga deputetët e sotëm, Hyseni sqaron edhe pozitën e tij, për zgjedhjet parlamentare: “Deri tani kam votuar sistematikisht për Të Djathtët, duke shpresuar vendosjen e sistemit demokratik, por në zgjedhjet e ardhshme, kam ndërmend të abstenoj”.
Z. Hysen, si e mbani mend babanë tuaj, Selman Kukaleshin, gjatë viteve të Luftës?
Im atë, Selman Kukaleshi, ka ikur nga Shqipëria në muajin tetor të vitit 1944, kur unë isha tetë vjeç. Data e saktë e ikjes, nuk dihet nga askush. Disa, madje, thonë se ka ikur në shtator. Duke qenë në moshë të vogël, unë nuk mbaj mend shumë gjëra, sepse ai ishte vazhdimisht i zënë me punë.
Ne tironcit, e respektojmë punën dhe gjithmonë i kushtojmë kohën e duhur. Megjithatë, mbaj mend se kur kthehej në shtëpi, ai ishte shumë i dashur me mua dhe motrën. Edhe nënën e respektonte shumë, prandaj të gjithë ata që e kanë njohur, thonë se; “Mon Kukaleshi ishte njeri-familjar”.
Çfarë arsimi kishte, babai juaj, Selmani, kur shërbente si komisari i Policisë së Tiranës?
Babai kishte shkollën e mesme. Para se të caktohej, si drejtor i Policisë së kryeqytetit, babai ka bërë punë të ndryshme, për të mbajtur familjen me bukë. Për ca kohë ka punuar si sekser shtëpish, por nuk fitonte shumë. Ndërsa nëna ishte shtëpiake.
Çfarë lidhjesh kishte Mon Kukaleshi, me prefektin e atëhershëm të Tiranës, Qazim Mulletin?
Kishte lidhje pune. Të dy ishin zyrtarët kryesorë, për mbarëvajtjen e punëve në Tiranë. Sipas protokollit, Komisariati i Policisë, varej nga Prefektura. Kuptohet, për shkak të detyrës, ata kishin lidhur edhe miqësi të afërt me njeri tjetrin.
Përveç punëve, a i lidhte dy drejtuesit, edhe pija ose, bixhozi?
Jo. Mon Kukaleshi, nuk luante kurrë bixhoz. As poker dhe as xhol. Gjithashtu asnjeri nuk e mban mend, që të ketë pirë ndonjëherë përtej masës. Por edhe Qazim Mulleti, ka qenë njeri familjar dhe pa vese.
Cila ka qenë marrëdhënia e Mon Kukaleshit, me të burgosurit e Tiranës?
Babai im kishte një parim: Çdo muaj, nëse burgoset një njeri më pak, atëherë shoqëria ka reflektuar një hap më shumë, drejt emancipimit dhe respektimit të rregullave qytetare. Ai përpiqej që t’i ndihmonte të varfrit, duke i falur dënimet, ose duke i zbutur ato. Në shtëpinë tonë, çdo ditë vinin hallexhinj, të cilët babai i ndihmonte.
A sillnin peshqeshe ata që vinin, për të zgjidhur hallin?
Absolutisht jo. Babai nuk pranonte asnjë qindarkë. Shumica që vinin, ishin gra të moshuara e të këputura, për të cilat tim-eti, i vinte keq. Por nga ana tjetër, ai i e kishte në parimin e tij njerëzor, se; “Kush merr nga racioni i fukarait, bën mëkat ndaj zotit”. Thashethemet që janë përhapur për të, janë të gjitha gënjeshtra. Unë dua që këto thashetheme, të marrin fund njëherë e mirë.
Këtë që them, e bazoj tek fakti se; pas Luftës, asnjë qytetar i Tiranës, nuk më ka thënë gjysëm fjale për babanë. Po të kishte marrë ryshfete, do vinte ndonjëri të më thoshte, pas Luftës, atëherë kur familja jonë u persekutua nga komunistët. Por ndodhi që, megjithëse shteti komunist na quajti; “armiq”, njerëzit e thjeshtë na donin dhe ata vazhdonin ta kujtonin me respekt babanë tim.
Por Besim Levonja, ka shkruar në komedinë e tij “Prefekti”, se Qazim Mulleti, përdorte Mon Kukaleshin, si mbledhës të ryshfeteve?
Ato janë gënjeshtra të trasha, që atëherë u ngritën në art prej politikës së pushtetit. Po ju them vetëm një gjë. Në një pjesë të komedisë, Qazim Mulleti i thotë atyre që i japin ryshfete: “Jepjani Mon Kukaleshit, se ka një vatër kalamaj”. Shiko çfarë budallallëku. Atëherë e gjithë Tirana e dinte, se Mon Kukaleshi kishte vetëm një djalë dhe një vajzë. Vetëm Besim Levonja bënte sikur nuk e dinte, dhe thoshte; “një vatër kalamaj”.
Ku jetoi Mon Kukaleshi, pas vitit 1944?
Ai në fillim shkoi në Rexhio-Emilja të Italisë. Pastaj udhëtoi drejt Egjiptit. Më vonë shkoi në Siri dhe në fund, në Liban. Gjatë gjithë kohës, ne nuk kemi pasur asnjë kontakt me babanë. Shtëpinë tonë tek Pazari Ri, na e mori shteti. Ndërsa në vitin 1983, na erdhi lajmi, që babai kishte dhënë frymën e fundit, në Liban. Por as atëherë dhe as tani, nuk morëm vesh vendndodhjen e varrit të tij!
Aktualisht, ne nuk kemi para as për të rregulluar shtëpinë, që po na shembet dita ditës. Unë jetoj me gruan, sepse dy fëmijët (djalë e vajzë, i kam të martuar) vetëm me pensionet. Po të kishim pasur ndonjë lekë nga babai, nuk do të ngroheshim akoma me sobë druri, por do të blinim të paktën një sobë me gaz apo, me korrent.
Por emrin e Mon Kukaleshit, e kanë përmendur edhe deputetët si një lloj përgjithësimi, për të korruptuarit e pushtetit të sotëm?
Kjo gjë më ka krijuar trishtim dhe revoltë të madhe. Mon Kukaleshi, nuk ka vjedhur kurrë, por për 50 vjet, publiku u ushqye me një përrallë komediografike. Atëherë s’kishim ç’të bënim, sepse ishte diktaturë. Pas ‘90-tës, thamë më në fund; “Shyqyr që erdhi demokracia, ku vlerat të thirren me emrin e tyre të vërtetë”. Unë kam vuajtur për 50 vjet, duke punuar në punë të ndryshme, për të siguruar bukën. Ime shoqe, gjithashtu është cilësuar si; “nusja e djalit të armikut”.
Por, pas ‘90-ës, kujtuam se shpëtuam nga ky keqkuptim. Për ca kohë, ushqyem iluzionin, se sistemi i ri do t’i zhdukte çmenduritë e vjetra. Megjithatë u trishtova pa masë, kur papritur dëgjova një ditë në televizor, deputetin e Partisë Demokratike, Vili Minarolli, që përmendi emrin e Mon Kukaleshit. Donte të cilësonte si të korruptuar disa zyrtarë socialist dhe tha; “Mon Kukaleshët e rinj”.
Çfarë bëtë kur dëgjuat fjalinë e Minarollit?
U vesha dhe shkova menjëherë në zyrën e tij. Isha shumë i stresuar. Ai nuk më njohu, por më ftoi brenda. Unë e pyeta menjëherë, se me ç’të drejtë ai, përgjithësonte hajdutët e sotëm, nën emrin e Mon Kukaleshit?! Ai e kuptoi dhe u tërhoq. Më tha vetëm se; gjithçka kishte mbetur si shprehje, nga komedia “Prefekti”.
Unë e sqarova dhe ai m’u zotua, se nuk do ta përsëriste më atë gabim. Kur dola nuk i dhashë as dorën. Me këtë rast, kam përgatitur një letër për drejtuesit e lartë të politikës, ku kërkoj që; t’i jepet fund spekulimeve me babanë tim. Unë jam krenar për Selman Kukaleshin sepse, ai nuk ka pranuar kurrë si ryshfet, asnjë kokërr vezë e, jo më të kërkonte napolona floriri.
Për cilin kandidat do të votoni, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare apo të pushtetit lokal?
Sistematikisht kam votuar për të djathtët, por këtë radhë kam vendosur të abstenoj. Gjatë këtyre viteve, evoluimi i politikës, ka qenë tepër zhgënjyes dhe i ngadalshëm, duke mbetur shumë prapa ritmit dhe kërkesave të popullit.
Hysen Kukaleshi: “Ja si kaloi im atë, 83 vitet e jetës së tij”
“Babai im, Selman Kukaleshi ka lindur në qytetin e Tiranës në vigjiljen e shekullit të XX-të, pikërisht në vitin 1900. Kur mbushi moshën 14 vjeç (viti 1914) ai ka kryer shkollën shtatëvjeçare të kryeqytetit, ndërsa më 1919-ën, kreu studimet e mesme në gjimnazit e Tiranës”. Kështu shprehej, Hyseni, apo Ceni (siç e njihnin miqtë dhe të afërmit e tij), djali i ish-shefit të Policisë së Tiranës, Selman Kukaleshi. Ai tregonte se pas mbarimit të kësaj shkolle, Selman Kukaleshi, është marrë me punë të ndryshme në kryeqytet, ndërsa për dy vjet, punoi privat, si sekser për shitblerje shtëpish.
Sipas bashkëkohësve, në karakterin e tij spikati pasioni për zbatimin me korrektesë të detyrave, prandaj gjatë Luftës së Dytë Botërore, u caktua shef i Policisë së Tiranës. Ishte pikërisht periudha kur në detyrën e prefektit të Tiranës, ishte një bashkëqytetar dhe mik i ngushtë i tij, i cili quhej Qazim Mulleti. Selman Kukaleshi është martuar në moshën 30 , me bashkëshorten e tij, e cila quhej Zoje.
Nga kjo martesë, ai lindi dy fëmijë, Hysenin, (18 korrik, 1936) dhe vajzën e tij më të madhe Ikbalin, (1931). Ndërsa largimi i tij nga Shqipëria, ka ndodhur në fund të muajit tetor, të vitit 1944. Pak ditë para se partizanët e Enver Hoxhës të zbrisnin nga malet dhe të merrnin pushtetin. Vendet ku ka ndenjur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, kanë qenë Italia, Egjipti, Siria dhe Libani. Thuhet se Selman Kukaleshi, ka vdekur në vitin 1983, në Liban. Memorie.al