Nga SIMON MIRAKAJ
Pjesa e dhjetë
“Kampeve nën hijen e Tomorrit, 44 vite internim”
– Kujtime –
H Y R J E
Memorie.al / Këto kujtime i kam hedhur në letër pas një periudhe të gjatë hezitimi. Kjo mbase, sepse subjektet i kisha gjithnjë të freskëta në mendje, që më ndiqnin pa mëshirë gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Por vjen një moment – kur koha bën të vetën – dhe pamjet e tmerrit dhe të pësimeve, erdhën duke m’u zbehur – thuajse pësimet kaluan në harresë. Atëherë vendosa t’i ripërsëris ngjarjet më mbresëlënëse – fillimisht në mendje – derisa morën trajtën e këtyre rrëfimeve. Sado të zbehta që mund të duken këto rrëfime – krijojnë idenë e realitetit të ashpër dhe mjeran të kampeve.
Arrestimi i Mojs e Lek Mirakajt, në Gradisht
Mbas revoltës të Spaçit në vitin 1973, nisën arrestimet në gjithë Shqipërinë, kjo valë arrestimesh përfshiu dhe kampet e internimit, si; Gradishtën, Grabjanin, Plugun, Savrën, Çermën, Gjazën, dhe qytetin e Lushnjes. Pasiguria ishte prezente në çdo shtëpi të të internuarve. Ne shkonim në punë të veshur me kapota dimër e verë, të përgatitur për qeli, përshëndeteshim me njeri tjetrin, se nuk dinim a do ktheheshim në shtëpi. E vetmja mbrojtje e jona ishte, lutja drejtuar Zotit, që mos të koriteshim e të na jepte forcë.
Kur kthehemi nga puna, morëm lajmin se në Gradishtë, kishin arrestuar Mojsin. Mojsit siç e kishin zakon, i kishin thënë: “Je i arrestuar në emër të popullit”! dhe e kishin prangosur. “Xhip”-si i Degës me hetuesin Skënder Korrikun dhe operativin e zonës, Ajaz Ferraj, ku në mes ishte i arrestuari Mojsi Mirakaj, ndalon te zyra e Këshillit Popullor. Zbresin Mojsin me duart e lidhura, e lenë aty dhe vetë shkojnë për të bërë kontrollin e shtëpisë.
Xhina, nana e Mojsit, që dridhej nga kjo e keqe që e kishte gjetur, iu thotë:
-“Çfarë ju ka ba djali im, që e keni arrestuar?! Si nuk u ngopët me vuajtjet tona”?
Në shtëpi kishte mbërritur dhe Dava, gruaja e Mojsit. Mojsi nuk mërzitej për veten që e kishin lidhur, por mërzitej për gruan e dy fëmijët e vegjël e, nënën.
Si ajo do mund t’i rriste e t’i edukonte fëmijët?! Leka, vëllai i Mojsit, e kishte marrë vesh arrestimin e Mojsit e, niset me të shpejtë për në sektor, kur shikon makinën që ecte ngadalë, i afrohet e fut kokën te xhami i makinës dhe i drejtohet Mojsit:
-“Mojs mos u mërzit se më ke mua”. – Hetuesi dhe operativi i Sigurimit në atë moment, e morën e thanë:
-“Nuk do jetë e largët dita, kur dhe ty Lek, do të vihen hekurat”.
Mbas hetuesisë, Mojsi nuk pranoi akuzat e hartuara e të përpiluara në zyrat e Sigurimit. Ata nxorën dëshmitarë të shpifur, të cilëve Mojsi nuk u kishte thënë ndonjë herë; “natën apo, ditën e mirë”. Pra gjyqi ishte formal. Dënimi i tyre ishte caktuar atë ditë që arrestohej.
Mojsi u dënua me 10 vjet burg, të cilin e vuajti në Ballsh.
Mojsi u arrestua në 10.07.1979. Mojsi u nda kjo jetë, duke na lënë një dhimbje të madhe, la dy djem të mrekullueshëm, Albanin e Agustinin, e një zonjë e cila, me shumë sakrificë, rriti e edukoi dy djemtë. Mojsi ishte natyrë artisti, ai ishte një kërcimtar i pa shoq, ishte piktor, skulptor dhe kishte vesh absolut për muzikë. Këto prirje janë trashëguar nga të dy djemtë të cilët, kanë krijuar familjet e tyre e jetojnë në SHBA-ës.
Mbas gjashtë muajsh arrestohet dhe Lek Mirakaj, duke lënë gruan me tre fëmijë të vegjël e, nënën të plakur e të lodhur nga mundimet që i kishte shkaktuar diktatura komuniste. Leka ashtu si dhe Mojsi, nuk mërziteshin për veten, por problemi ishte se si këto gra heroina, do rrisnin e do edukonin fëmijët. Ato gra heroina e përballuan dhimbjen e rritën fëmijët, duke punuar në punët më të rënda e, duke mbajtur dhe burrat në burg.
Leka doli në gjyqin formal, mbasi mbaroj hetuesinë me hetues Zamir Stefanin, i cili i thoshte:
-“Ndaç prano, ndaç mos e prano akuzën, ti do dënohesh 10 vjet burg”.
Gjyqi mori vendimin duke e dënuar 10 vjet. Leka, mbas një viti pune në minierën e Spaçit, transferohet për në burgun e Qaf –Barit, ku në vitin 1984, shpërthen Revolta. Leka i bëri vitet e burgut e u kthye pranë familjes, ku fëmijët i gjeti të rritur. Në vitin 1991, emigroi familjarisht në SHBA-ës. Fatkeqësisht humbi vajzën Manjolën, shpirtin e axhës, nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme, duke lënë dy vajza e burrin. Dhimbje e madhe për nënën Lolin, babën Lekën, motrën Matilde, vëllain Ertonin. Sot jetojnë në Teksas.
Qeni dhe racioni i bukës. Gjazë 1982
Ishte fund gushti edhe pse ishte mëngjes, dielli i kishte zbrazur rrezet, duke shpërndarë një nxehtësi përvëluese.
-“Simon! – më tha brigadieri: – Do shkosh në Godolesh, se kanë mbetur nja dy skolina misri, pa vaditur”. Isha bërë mjeshtër në vaditje, e kisha merak, kur vadisja, doja ta çoja ujin në çdo bimë. Shkova në shtëpi, mora çantën e bukës, që e kisha bërë gati me nja dy speca të skuqur, dy domate, pak gjizë dhe bukë, mora dhe bidonin e ujit, mbatha gjysmat e çizmeve, kapelën e kashtës në kokë, mora lopatën dhe u nisa.
Ishte pak larg rreth një km. e gjysëm, rruga ishte gjithë pluhur që ngrihej si mjegull prej qerreve që kalonin të ngarkuara me jonxhë, ndërsa në dimër, kjo rrugë ishte e pa kalueshme, se balta të shkonte deri në brez. Vetëm qerret e traktorët me zinxhirë kalonin, që të tërhiqnin rimorkiot me misër, apo pleh.
Mbërrita te vendi i punës, hoqa çantën e bukës dhe bidonin e ujit nga supi, nuk kishte asnjë hije. I kishin prerë të gjithë plepat anës rrugës. Mblodha ca gjethe misri e mbulova bukën dhe ujin, mora lopatën e hapa grykën ku do kalonte uji për të vaditur, ujë kishte kanali shumë, por unë ktheva aq sa mund ta përballoja.
E ngrita grykën që uji mos të shpërthente anash. Parcela e misrit ishte 220 metra e gjatë, kështu uji për të dalë në krye, donte një orë, por duhej ndihmuar duke pastruar vijën nga barishtet. Misri ishte afër pjekjes, kallinjtë e misrit e kishin mbushur kokrrën mirë, herë pas herë futesha në vijën e ujit, laja fytyrën freskohesha me ujin që më vinte nga pas me shpejtësi, edhe vijën e ujit e ngrija nga pak, në mënyrë që uji të mos shpërthente anash. Vaditja duhej të fillonte nga fundi, nga njëherë ulesha për të pushuar nën hijen e misrit të dendur, por nuk mund të qëndrojë gjatë brenda, se të zihej fryma.
Kisha hequr kanatieren, gjysmat e çizmeve, pantallonat, isha në brekë. Gjethet e misrit më fërkonin krahët e më digjnin, sa të lëvizje pak degët e misrit, shkundeshin duke lëshuar një pluhur të zi që të hynte në gojë e, kur pështyje, pështyma të dilte e zezë. Më dukej vetja sikur punoja në minierë.
Parcelat e misrit ishin afër me njëra tjetrën, kur dola në fund të skolinës, për të bërë një pritë kanalit kullues, pashë gra që prisnin bar me shatë në parcelën tjetër, disa i hodhën shatat e u hodhën në kanal, për t’u freskuar, u hodhën me gjithë rrobe. U futa përsëri brenda, uji kishte mbërritur te prita e fundit e vijës, kështu fillova të hap gojëza të vogla, fillova të vadis duke i dhënë drejtimin e duhur ujit, për ta çuar në çdo bimë të misrit.
Isha lodhur, dreka po afrohej, sistemova ujin që të pushoja afërsisht një orë e, të mos kishte rrezik përmbytjeje. U nisa për të shkuar te çanta e për të pirë ujë, pak kishte mbetur në bidon, ishte ngrohur, megjithatë e ktheva, lashë pak sa për të ngrënë bukën.
Shikoj çantën që ishte e hapur dhe bukën përjashta me gjithë specat e, domatet në tokë.
“Kush ka pasë punë me të?” thashë me vetë, kur shikoj pak më tej një qen, që kur më pa, filloi të tundte bishtin, sikur të më thoshte se; e hëngra unë. Mora një plis që ta godisja. E ngrita dorën, ai nuk lëvizi por po më shikonte, duke tundur bishtin përsëri. M’u duk sikur më thoshte:
“Më fal e hëngra nga uria…”!
E pashë, i numëroheshin brinjët, ishte i dobët si unë, ashtu duhej të ishte se nuk ishte larguar, por më kishte pritur, atëherë e ula plisin dhe qëllova ujin.
Po tani çfarë të bëja?! Mezi rrija në këmbë nga uria, qeni ndiqte lëvizjet e mija. Shkova iu afrova ai nuk lëvizi, fillova ta përkëdhel e ti flas:
-“E di që më ke ngrënë bukën? Unë jam quajtur armik, nga diktatori i zi që në fëmijëri, prandaj të lutëm ik…m se po të panë me mua, do të rrahin, ti nuk e di që një shokun tënd, i quajtur ‘Tartarin’ që rrinte me të burgosurit e ishte bërë mik me ta, e dënuan me varje, si pjesëtar të Revoltës të Spaçit, prandaj ik…”! Ai më kishte ngulur sytë, e unë vazhdoja ti them ik…! Qeni duket e kuptoi lutjen time, uli kokën e i bindur për ato që i thashë…!
U nis e, herë pas herë kthente kokën, për të më parë, deri sa u largua duke vrapuar e, nuk u pa më. Po unë çfarë të bëja? Hyra në parcelë e hapa një kalli misri, kokrrat ishin të mira për të pjekur, dola në rrugë e fillova të mbledh bajga të thata e ndonjë krande, mbusha mirë krahun e u futa në parcelë thellë, që të mos më shikonin, mora çakmakun e ndeza krandet e thata e sipër tyre, vendosa bajgat e thata. Ndeza dhe një cigare, këputa nja tre kalli misri e, i vura për t’i pjekur. Fillova të ha me shumë uri, piva dhe ujin që më kishte mbetur. Shkova pashë ujin e vaditjes, çdo gjë ishte në rregull, bëra një pritë vijës më përpara, hapa ca gojëza të vogla, që të hynte uji në të dy anët e skolinës.
Shkova përsëri te zjarri, duke i kthyer kallinjtë, për t’i pjekur. Kishte mbetur një pa u pjekur, duke i fryrë zjarrit, u poqën dhe ato, mbasi mbarova, boçet e misrit i groposa, zjarrit i hodha ujë për t’u shuar, i hëngra dhe dy kallinjtë, por më ndezi etja për ujë. Bidoni nuk kishte më, atëherë u zhyta në kanal u lava, po etjen nuk ma hoqi, dola nga kanali mora kanatjerën e, iu drejtova vijës vaditëse.
Vura kanatjerën sipër ujit, për ta kulluar nga llumi e, u shtriva e fillova të pi ujin mbi kanatjerë. Në vijë shikoja krimbat e vegjël që notonin, ata ishin të vegjël, nuk kishin çfarë të më bënin, u denda mirë me ujë kanali e, u shtriva në vijën e ujit, duke parë qiellin e kaltër, duke ju lutur që të mos tregonte, për atë që kishte parë. Mbasi pushova pak fillova përsëri punën, nga darka e kisha përfunduar vaditjen e dy skolinave e i lodhur u ktheva për në shtëpi. Duhej ecur shpejt për të mbërritur në kohë në apel.
Shkolla e mohuar, Gjazë 1986
Po kthehesha nga puna po i afrohesha shtëpisë, kur kthej kokën majtas, shikoj “Xhip”-sin me targa LU 67-01, kjo ishte makina që merrte të arrestuarit, ishte makina e Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes. Nxitova hapat.
Kush e di kush e ka radhën sot, zoti na shpëtoftë e na forcoftë mos me u korit, si do që të ndodhë. I them Sokolit:
-“Pashe Gazin e Degës”.
-“Po e pashe dhe unë”, tha ai.
Në rrugë nuk shikoje lëvizje. Kishte rënë hija e lugatit dhe nga frika, të gjithë qenë strukur nëpër shtëpi, në pritje të ndonjë lajmi. Ndoshta s’kishin punë me ne. Po afronte ora e apelit.
U nisëm për te caku, aty grumbulloheshim të gjithë (nuk ishim shumë), ne, dy vëllezërit, vëllezërit Dine, Sazani, Tomorri, Dinja, që ishte arrestuar e dënuar 10 vjet burg, vuante burgun në Spaç. Ded Gjon Markagjoni, Gjoni (nipi i Dedës) Dom Mikel Koliqi, Xhevit Matjani dhe Xhevat Tarusha. Ndërsa ne rrinim në pritje të përgjegjësit të apelit, shohim se drejt nesh po vinte Kryetari i Degës, Kapllan Shehu, operativi me përgjegjësin e apelit, nuk pamë që shoqëroheshin nga polic me armë dhe kjo na qetësoi pak. Ndërsa ne shikonim njeri tjetrin për t’i dhënë kurajo, ata mbërritën. Përgjegjësi i apelit, lexoj emrat e të gjithëve, të cilët përgjigjeshin: “Këtu”.
Operativi bëri prezantimin:
-“Kryetari i Degës Kapllan Shehu, ka ardhë që t’ju dëgjojë nëse keni ndonjë hall”.
Ata na kishin shtuar hallet padrejtësisht dhe tani të pyesin “çfarë hallesh keni”?! Asnjë nuk po fliste.
-“Hë, kush ka ndonjë hall”? – tha operativi. Në këtë moment, Sokoli (me një ton të guximshëm) thotë:
-“Kam unë një hall”.
-“Kush është ky”? – iu drejtua operativit, Kryetari.
-“Sokol Pal Bib Mirakaj i nipi i Kol Bib Mirakajt”!
Ndërsa Kryetari vazhdonte të pyeste se kush ishim, dhe nga sa ishim dënuar, ne vështrimin e kishim hedhur në hapësirën pa fund, duke u lutur nën zë: “Zot na jep forcë, çfarë do që të ndodhë që mos të koritemi.
Në këtë moment heshtjen e theu Sokoli.
-“Z. Kryetar, halli im është ky:
-Vajza ime, ka mbaruar klasën e tetë, në Gurrëz, që është 5 minuta larg. Shkoj për ta regjistruar në shkollën e mesme dhe nuk ma regjistrojnë”. Në Gurrëz ishte një shkollë mesme bujqësore. Shkolla bujqësore, ishte e nivelit zero. Nëse do vazhdonte shkollën, do t’i shpëtonte punës së rëndë të bujqësisë, pasi do ta nxirrnin në punë me zor, nëse do të mbahej në shtëpi, për shkak të moshës…!
-“Z. kryetar, unë dhe vëllai im Simoni, na është dhënë mundësia të mbarojmë gjimnazin, ndërsa vajzës time, po i mohohet e drejta për të vazhduar shkollën e mesme”.
-Kryetari, me një vështrim prej gjarpri dha një përgjigje, që nuk na kishte shkuar nëpër mend.
-“Shkollën jua ka dhënë tradhtari Mehmet Shehu, tani s’ka shkollë për vajzën tuaj”.
-“O zot, ne paskemi patur mik Mehmet Shehun, o Zot na ruaj”!
-“Tani mund të ikni…”, na tha përgjegjësi që na bënte apelin.
U detyruam ta dërgojmë mbesën time të dashur Ledien, në Shkodër, te mbesa Adriana, për të vazhduar gjimnazin. Fal Zotit, atje u regjistrua dhe mbaroi gjimnazin. Ndërsa mbas dy – tre muaj, dëgjuam se kryetari i Degës Brendshme të Lushnjes, Kapllan Shehu, ishte arrestuar, si kushëri i kriminelit Mehmet Shehu.
P.S. Kapllan Shehu ishte gati të betohej e përbetohej se ne ishim të afërmit e Mehmet Shehut! Harronte se gijotina i ishte bërë gati. nga shokët e të njëjtit ideal. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016