Nga SIMON MIRAKAJ
Pjesa e parë
‘Kampeve nën hijen e Tomorrit, 44 vite internim’
– Kujtime –
H Y R J E
Memorie.al / Këto kujtime i kam hedhur në letër pas një periudhe të gjatë hezitimi. Kjo mbase, sepse subjektet i kisha gjithnjë të freskëta në mendje, që më ndiqnin pa mëshirë gjatë viteve pas rënies së komunizmit. Por vjen një moment – kur koha bën të vetën – dhe pamjet e tmerrit dhe të pësimeve, erdhën duke m’u zbehur – thuajse pësimet kaluan në harresë. Atëherë vendosa t’i ripërsëris ngjarjet më mbresëlënëse – fillimisht në mendje – derisa morën trajtën e këtyre rrëfimeve. Sado të zbehta që mund të duken këto rrëfime – krijojnë idenë e realitetit të ashpër dhe mjeran të kampeve.
Kampet ku familjet tona vuanin dënimin – të rrethuar me tel me gjemba si Tepelena apo vend vuajtjet e tjera si Shkodra, Berati, Gjaza dhe Savra – gjithsesi shërbejnë për të rikrijuar kohën e Shqipërisë në diktaturë mes viteve 1945 deri në 1989. Mjaft nga tregimet në lidhje me vitet e para të jetës në internim, i kam ruajtur në kujtesë gjatë rrëfimeve të nanës sime Kunes e cila na mbajti gjallë kujtimin e tim eti, Palit, si një nga krerët e çetave antikomuniste, në veri në vitet 1944-1951, i cili vdiq në New York më 1978, pa e parë kurrë.
Kur unë dhe familja Mirakaj, u lamë të lirë, u desh kohë që të perceptonim jetën jashtë kampeve dhe ta ndërtonim atë. Në këto rrëfime jam munduar të sjell tematika që përveç përndjekjes – lidhen me moshën rinore dhe të dashurisë. Në këtë kohë njeriu nis dhe fantazon për lirinë – sado i varfër qoftë. Por kur ballafaqohet me pjesën më impresionuese të moshës së dashurisë – shkrimi bëhet i zorshëm.
Jam munduar ta përcjell këtë aspekt të luftës së klasave mes të internuarve dhe “të lirëve” në Lushnje. Pre e së cilës kanë rënë një mori të rinjsh nën diktaturën e sistemit komunist që imponoi seleksionimin politik duke e kthyer lidhjen e natyrshme të çiftit në tabu.
Tiranë dhjetor 2023
PJESA E PARË
JETA E PËSIMET NË KAMPET KOMUNISTE RRËFIME
I porsalindur në Shkodër. Familja jonë ishte në internim prej 3 dekadash, tashmë ishim në Gjazë të Lushnjes. Nana atë dit ishte në shpi dhe kishte marrë raport ndërsa unë po rrija afër saj duke mbajtur në dorë foton e babës. Internimi im i parë nga Shkodra kur isha dy javësh në kampin e Beratit kishte ndodhur në korrik të vitit 1945. Ende nuk e kuptoja të vërtetën e jetës sime në kampe prandaj pyesja nanën.
Nanë, – i them, – si e ke marrë për burrë këtë pa flokë? Ajo qeshi me të madhe. Atëherë me foton e babës në dorë e pyeta: Nanë kur je pa për herën e fundit me babën? Ajo psherëtiu, mori frymë thellë: Mor bir, me babën tani, jemi nda herët. Partizanët po i afroheshin Iballës, atëhere baba jot na tha: – Bajuni gati shpejt se do mbyllim shtëpinë e do t’ju përcjellim për Shkodër!
Ashtu vepruam e u nisëm në kambë me gjithë fëmijët. Unë isha shtatzënë me ty. Kemi ec gjithë natën, kur i afruam Fush-Arësit patëm pushue. Baba përqafoj dy fëmijët, Sokolin e Lajden dhe u përshëndet edhe me mue. Tash ju vjen makina e ju nis në Shkodër. Ktheu kokën e iu ngjit malit. Unë i them: Pali ku po me len? Unë jam shtatëzan! – pa kthye kokën më tha: Nuk je vetëm!
Shpejtoj hapat e nuk e pashë ma, kjo ka qenë hera e fundit që jam pa me babën tand. Kena mbërrit natën në Shkodër te një shpi përballë kullës së Markagjonëve. Në atë shtëpi kam lindur unë në 7 Qershor 1945. Mbas një muaji, ka ardhë një makinë me ushtarë, duke bërtitur: Hajde shpejt, hipni në makinë!
Mezi më kanë lanë me marrë një dy lecka, me të mbështjell, një cergë e një jorgan. Makina që mbushë plot dhe me familje të tjera, si ajo e Nik Sokolit, e Markagjonit, e Destanishtës, etj. Na kanë nisë për Berat. Sa mbërritëm, na futën në një shtëpi të braktisun që e quanin “Shpia e Pashait”.
Mbas dy tre ditëve na dërguan në Kala. Policia na mbikëqyrte. Na jepnin 400 gram bukë thatë. Ditën, nanën me të internuarit e tjerë, i nisnin për punë në Kuçovë, me prashit lule dielli. Ajo më merrte dhe mua me vete se isha në gji.
Nana kishte një shenjë te legeni, ku polici e kishte goditur me majën e këpucës, kur e pa që po më jepte mua të pija. Unë ndigjoja e fillova te qaj, nana me puthi e më tha:- Mos qaj, se tash je ba burrë. Nana kujtonte dhe disa familje tregtarësh, që vinin natën e na sillnin ushqime, si; djathë, kos dhe gjalpë. Ne u thoshim: Mos na bini, se nuk kemi lek me ju dhanë!
Jo nuk po ju sjellim me jua shitë, por që të ushqeni fëmijët. Më mirë të hanë fëmijët tuaj sesa të na i hanë komunistët. Ato familje ishin Haxhistasa dhe Baballëku. Ne ju jemi mirënjohës, për jetë. Nga frika ata na sillnin ushqimet pasi errësohej.
Kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë më 1949, na nisën për në kampin e shfarosjes të Tepelenës. Fillimisht na vendosën në disa kapanone në Turan, e mbas disa javësh, në kampin e Tepelenës.
NË KAMPIN SHFAROSËS TË TEPELENËS
1949-1954
Mbas prishjes me Jugosllavinë, vjen edhe transferimi i të internuarve që gjendeshin në Berat, Kuçovë, Krujë, për në Tepelene. Fillimisht na dërgojnë në Turan e Veliqot të Tepelenës, na strehojnë në stanet e dhive, ku të mbysnin pleshtat e pislliku. Mbas një kohe të shkurtër, shumë fëmijë humbën jetën nga mungesa e ushqimit, si dhe nga kushtet çnjerëzore në stanet e bagëtive.
Mbas vdekjeve masive të fëmijëve na hoqën nga Turani, duke na dërguar për në kampin e Tepelenës. Unë shkova në atë kamp në moshën 4- 5 vjeç. Kampi përbëhej nga disa kazerma të cilat, ishin ndërtuar nga italianet në luftën Italo-Greke. Në njërën kazermë, kishin mbetur vetëm muret pa çati, aty na lanin nënat në verë e dimër.
Akoma i mbaj mend të qarat tona nga të ftohtit. Në kamp ishin afërsisht rreth 2500 apo 3000 të internuar, nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, kampi përbëhej kryesisht nga gra, fëmijë e pleq.
Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba, jashtë rrethimit ishte komanda e policisë, komandant kampi ishte toger Haki Pogaçe, mbas toger Hakiut, erdhi toger Ahmeti, marshall Tomi, aspirant Syrjai dhe kapteri apo, tmerri kampit kapter Selfo. Brenda kampit ishte infermieria dhe furra e bukës, jashtë telave ishte bahçja e policisë.
Buka ishte 600 gr., për ata që punonin dhe 400 gr., për të papunët, gjella ndahej nga kazanët që kishin herë groshë, që duhej mikroskop për të gjetur ndonjë kokërr dhe bollgur me krimba. Ishte lumturi kur motrat tona, Lajdja dhe Klorja, na sillnin gorrica, manaferra që i mblidhnin rrugës kur ktheheshin nga puna, apo ndonjë gavetë me hirrë, që ja falnin nga baxhot fshatarët Tepelenas.
Vajzat punonin duke pre dru në mal, për policinë e kampit dhe për Degën e Punëve të Brendshme të Tepelenës, nga një herë i dërgonin në Turan, për të mbajtur pleh në kurriz, për bahçen e komandës së policisë së kampit.
Motrat bashkë me gruan e xhaxhait, Xhinën, i ndanë nga ne e, i nisën në Fabrikën e Tullave në Valiaas, kur ato nuk i kishin mbushur akoma 15 vjeç. Kazerma kishte një sobë dhe njerëzit shtyheshin me njeri tjetrin, për të pjekur lendet e dushkut, që ishin ushqim për derra, uria ishte e pranishme tek të rriturit, tek fëmijët, të cilët bërtisnin natën: – dua bukë, o nanëe.
Ajo që e bën më të tmerrshëm këtë kamp, është se në oborrin e saj, afërsisht prej dy hektarësh, gjendeshin predhat e luftës Italo- Greke dhe i detyronin fëmijët, për t’i mbledhë e i stivonin si turrë drush, kishte raste kur nënat, për të zierë rrobat, ndiznin zjarrin e vendosnin kazanin i cili shpërthente nga mina poshtë, duke hedhur në erë dhe fëmijët, që ishin afër për t’u ngrohur. Policia siç thashë më lart, kishte bahçen ku mbillnin zarzavate, bostan, etj.
Baçen e punonin të internuarit, por frutet i hanin ata, në verë në kohën e pjekjes së bostanit, ata i këpusnin dhe uleshin për të ngrënë, fëmijët shtrinin duart mes telave, duke shpresuar si fëmijë, do përfitonin ndonjë copë bostan, por ata jo vetëm që nuk i jepnin, por dhe lëkurat i gërryenin mirë e, pastaj i hidhnin fëmijëve, ata kënaqeshin e qeshnin kur shikonin fëmijët, që turreshin për të kapur lëkurat e bostanit, të hedhura prej tyre. Dy fëmijë jo më shumë se 9 vjeç Liman Koleci e Zef Mirakaj, nga uria, kaluan rrethimin e telave e u turrën murrizave për të mbledhur ca kokrra të kuqe që lëshonin ato, për t’i ngrënë, kur po bëheshin gati për të hyrë në kamp.
I shikon kapteri që i kap dhe i lidh për shtylle, jashtë telave afër çezmës. I mbajtën të lidhur gjithë natën për shtylle, edhe pse nuk pushonin së qari. Nëna e Zefit, motrat e nëna ime dhe ne fëmijët e tjerë, qëndronim brenda telave, duke u thënë mos keni frikë, se ja ku jemi. Ai qante se thoshte; “Po më ha shtriga”, shihte ëndërr, ndërsa flinte ashtu i lidhur dhe era e përplaste ujin e çezmës në fytyrën e tij dhe zgjohej përsëri.
Çdo ditë kishte vdekje fëmijësh apo pleqsh, në kamp kanë vdekur 300 fëmije, por ne, si kemi dalë gjallë nga ky kamp, as unë nuk e di! Tre herë u lëvizën varret dhe sot ato nuk gjenden më, se herën e fundit i vendosën në buzë të lumit Bënçë, i cili dimrit vërshonte duke marrë çdo gjë përpara!
Kampi i Tepelenës u mbyll në vitin 1954 dhe të gjithë të internuarit, u shpërndanë në kampe të ndryshme të Lushnjes, si; Savër, Plug, Rrapëz, Çermë, Gradishtë, Grabjan, Gjazë.
Në këto kampe u bë dhe bashkimi familjar me motrat dhe pjesën e ndarë, që ishin dërguar në Fabrikën e Tullave në Valias të Tiranes.
Lotët e Tepelenës
Para pak ditësh i dhashë intervistë një gazetareje Shqiptare në SHBA-ës. E njoha me jetën në kampet e internimit. Gazetarja nuk kishte informacion për jetën në këto kampe internimi. Ajo më bëri një pyetje intere- sante, që nuk më ishte bërë asnjëherë. Një nga pyetjet ishte: Këto vajza e gra që shkonin të punonin në kanale, prashitje, etj. – A qanin, mbasi puna – siç thatë – ishte e rëndë?
Unë u habita pak nga pyetja dhe menjëherë iu përgjigja: Në kampin shfarosës të Tepelenës, kazermat ushtonin nga qarjet e nënave kur fëmija i kërkonte bukë dhe ajo përveç lotëve, nuk kishte çfarë që t’i jepte, e kjo jo për fajin e saj.
Ushtonin kazermat nga lotët e nënave kur përcillte fëmijën në jetën e pasosur nga mungesa e ushqimit e higjienës. Kur niseshin për punë, jo nuk qanin. Jo, nuk ua jepnin atë kënaqësi, atyre që i kishin detyruar të bënin punë të tilla, të rënda.
Jo kurrë nuk kanë qarë, por e kanë përballuar me shumë dinjitet atë punë të rëndë, që ua impononte diktatura atyre dhe ne na qante shpirti, por kurrë syri. Përgjigjja ime i bëri shumë përshtypje. Ato në memorien tonë janë skalitë si heroina. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016