Nga Prof. Dr. Fedhon Meksi
Memorie.al / Kronologjikisht dhe jo vetëm, pas Dr. Vangjel Meksit (1770 – 1823) njërit prej mjekëve të Ali Pashë Tepelenës, përkthyesit të parë të “Dhiatës së Re” (1821), “shkrimtarit shqiptar më të rëndësishëm të fillimit të shekullit të XIX”, qëndron “…Apostol Meksi, edhe ky mjek, që së bashku me Konstandin Kristoforidhin, i dha mësimet e para shqipe albanologut Johannes Georg von Hahn (1811-1869) dhe mblodhi një pjesë të folklorit tosk, që u botua në “Albanesische Studien” (Studime Shqiptare) (Dhimitër Shuteriqi – Shkrimet shqipe në vitet 1832-1850, Tiranë 1965). Duke lexuar ato pak shkrime që ekzistonin për Dr. Apostol Meksin, krijova bindjen se ishte anashkaluar. Nga dokumentet që ekzistojnë prej kohësh në biblioteka, mund të vërtetohej lehtësisht që Dr. Apostol Meksi në fakt, ishte një patriot i madh shqiptar, madje një nga të parët, në mos i pari folklorist shqiptar dhe meritonte të studiohej seriozisht.
Pasi mësoi shqipen, Hahni kuptoi që shqiptarët flisnin ilirisht
Apostol Meksi, ishte vetëm student në gjimnazin “Zosimea” në Janinë, kur i dha mësimet e para të shqipes, zëvendës-konsullit të Austro-Hungarisë në atë qytet dhe më pas mjek i sapodiplomuar braktis përkohësisht profesionin dhe e shoqëron atë në ekspeditën shkencore në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, për të grumbulluar pasuritë e folklorit tonë. Vëzhgimet dhe përfundimet Hahni i botoi në veprën “Studime shqiptare”, Jena 1854, I, II, III, që njihet si një nga punimet shkencore më me vlerë për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Vëllimi I-rë trajton kulturën popullore shqiptare, ndërsa vëllimet II-III-të, u kushtohen tërësisht çështjeve të gjuhës dhe veçanërisht prejardhjes së shqiptarëve dhe shqipes. Ai shpjegoi me anë të shqipes shumë toponime ilire dhe vërtetoi se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare, ishin vazhdim i drejtpërdrejtë i emërtimeve ilire. Hahni zbuloi gjithashtu disa mjete fjalëformuese ilire që jetonin në emrat shqiptarë. Duke arritur në përfundimin se shqipja është vazhduese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes, ai u bë në këtë mënyrë mbrojtës i vendosur i autoktonisë së shqiptarëve. Përfundimet e Hahnit u shërbyen rilindasve tanë për të mbështetur kërkesat e tyre për njohjen e popullit shqiptar si një popull më vete, me rrugë historike të veçantë.
Albanologu Hahn është kolos, po “mësuesi i tij”?
Në formulimin e këtyre konkluzioneve me vlera të paçmueshme për çështjen tonë kombëtare, Dr. Apostol Meksi, ka dhënë kontributin e tij të rëndësishëm. Apostol Meksi, u lind në Labovë më 1825 dhe ashtu sikurse shkruan ai vetë në; “Studime shqiptare”, është i biri i Jorgjit, nipi i Panajotit nga dega Meksi (Meksataj) e fisit Doda. Pasi kreu shkollën fillore në Labovë, regjistrohet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Së bashku me Konstandin Kristoforidhin, me të cilin kishte lidhur miqësi të ngushtë, i dha mësimet e para të shqipes, albanologut të ardhshëm, Hahn-it.
Në të vërtetë Hahn-i ndodhej në Greqi, që vite më parë dhe ushtronte profesionin e gjykatësit.
Gjatë kësaj kohe ai njihet me shumë arvanitas dhe lidhet ngushtësisht me ta. Pasi kreu gjimnazin, Apostol Meksi u regjistrua në fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Athinës. Nuk dihet nëse gjatë viteve të universitetit i vazhdoi marrëdhëniet me Hahn-in, por dihet me siguri që fill pas diplomimit, ata përgatitën së bashku ekspeditën e parë folklorike që do të fillonte nga Janina, Delvina, Gjirokastra, Vlora, Labova dhe do të vazhdonte në Kavajë, Peqin, Elbasan, Petrelë, Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë Perëndimore, deri në Shkodër.
Miqësia e tyre ishte e ngushtë, e sinqertë dhe e bazuar në respekt reciprok. Në vëllimin e parë të “Studime shqiptare”, Hahn-i e quan Apostolin; “mësuesi im” dhe tekstualisht: “Mësuesi im Apostoli, është këmbëngulës, me karakter të fortë dhe i sprovuar në jetë ashtu si gjithë banorët e Rrëzës”. Apostol Meksi ishte ndër të parët intelektualë patriotë shqiptarë, që u riciklua në folklorist për të mbledhur, përpunuar dhe paraqitur trashëgiminë folklorike shqiptare, me qëllim që t’i tregonte botës se shqiptarët, dallonin nga grekët dhe vllehët, jo vetëm nga historia, gjuha etj., por edhe nga mënyra e jetesës, zakonet, këngët, valet, etj.
Në vëllimin e parë të “Studime shqiptare”, rreth 15 % e materialit të shkruar, i përket Dr. Apostol Meksit, domethënë janë të shkruara prej tij. Këta kapituj janë paraprirë nga një hyrje e shkruar nga Hahn-i, që po e paraqesim tekstualisht:
“Mësuesi im Apostoli, prej kohësh më kishte treguar ato që dinte lidhur me zakonet e krahinës së Rrëzës dhe veçanërisht të fshatit të tij, Labovë.
Megjithatë, Apostoli pyeti edhe një herë më të moshuarit për çështje të veçanta, në mënyrë që të siguronte informata të sakta dhe që vinin nga disa burime. Me pas Apostoli më dorëzoi materialin të ndarë në disa kapituj, që e kishte shkruar në gjuhën greke, të cilin, pasi e kontrolluam edhe një herë bashkërisht, e përktheva (gjermanisht), duke i bërë vetëm ndonjë korrigjim të rrallë.
Kjo metodë, vërtet e komplikuar, rezultoi e saktë veçanërisht për t’i dhënë përshkrimit një ngjyrë të vërtetë kombëtare”. (Albanesischen Studien, Vell.I, faqe 194-195). Doktor Meksi nuk mblodhi përralla, por studioi shkencërisht kulturën e popullit tonë. Fillimisht përmenden fiset që banonin në Labovë, ku në atë kohë numëroheshin 100 shtëpi, nga të cilat 27, i përkisnin fisit Meksi (Meksataj), 20 shtëpi i kishte fisi i Kiliatarëve dhe 33, shtëpi fisi i Miçançuliateve, të ardhur nga fshati Xuljat. Banorët e tjerë ishin me origjinë nga fshatrat përreth.
Një kapitull i veçantë i kushtohet mjeshtërive që ushtronin labovitet. “Një pjesë jo e vogël e burrave, ndjekin kurbetin, si të gjithë nga Rrëza dhe Lunxhëria, të tjerë janë tregtarë të vegjël, zejtarë të ndryshëm dhe mjekë popullorë, në shërbim të gjithë krahinës”. “Kohë më parë labovitët endnin pëlhura në shtëpitë e tyre. Labovitët gjithashtu janë të aftë të projektojnë dhe të ndërtojnë kanale uji. Në kohëra të vjetra ata mbikëqyrnin dhe mirëmbanin kanalet e ujit në Stamboll. Për këto shërbime, ata gëzojnë disa privilegje të siguruara në fermane të sulltanëve”.
Meksi vazhdon: “Laboviti në përgjithësi është i zoti i punës, kursimtar dhe në kurbet grumbullon shpejt pasuri, të cilën e përdor për të mbajtur familjen në Labovë. Siç dihet, jeta në kurbet, ia shton dhe më tepër dashurinë shqiptarit, për vendin e vet. Në shumë katunde, madje në shumë krahina, nuk ka ngjarë ndonjëherë që shqiptari të martohet përjashta, ose të tërheqë familjen atje ku punon”.
“Shtëpitë e Labovës janë të ndërtuara si ato të qytetit”. “Banorët e Labovës vishen me stofa shumëngjyrëshe. Ata mbajnë gjithashtu edhe një veshje tjetër më të thjeshtë”. “11 fshatrat e Rrëzës, ku bën pjesë edhe Labova, formojnë një tërësi të bashkuar meqenëse banohen nga njerëz që kanë zakone të njëjta dhe ushtrojnë profesione të njëjta. Fshatarët e kësaj zone, lidhen në mes tyre edhe nëpërmjet martesave, ndërkohë që me grekët nuk martohen”.
“Fuqia atërore është shumë e madhe. Fëmijët e nderojnë dhe e respektojnë babanë. Derisa është gjallë, ky është kryetari i familjes. Ky zakon ndryshon shumë prej atij që kanë grekët e rinj, te të cilët pleqëria përbuzet dhe vihet në lojë”. “Në mes të fisit, ndalohen martesat. Kush guxon të shkelë këtë zakon, ka fyer fisin dhe urrehet nga të gjithë”.
Më pas Meksi përshkruan me të gjitha detajet zakonet, gjatë ceremonive të fejesës, martesës, lindjeve dhe vdekjeve, organizimin e familjes, si dhe rregullat e bashkëjetesës të labovitëve dhe banorëve të tjerë të Rrëzës. Gjithashtu bëhet e ditur se krahina e Rrëzës, kishte kalendarin e përvitshëm, i cili përshkruhet me hollësi.
Dr. Meksi nga Labova, i pari folklorist shqiptar
Duke lexuar dhe rilexuar kapitujt që i takojnë Apostol Meksit, të krijohet bindja që doktori ishte ricikluar plotësisht në folklorist të vërtetë. Ai nuk paraqitet si një mbledhës diletant dhe i rastësishëm i këngëve, përrallave ose gjëegjëzave popullore, por një gjurmues i përgatitur më së miri paraprakisht, i kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit të tij, që i mbledh ato sipas një metodike të paracaktuar, i studion në mënyrë sistematike dhe paraqet materialin, duke respektuar renditjen sipas logjikës shkencore.
Nuk ka dyshim se materialet folklorike të shkruara nga Apostol Meksi, së shpejti, me siguri që do të jenë objekt i analizës shkencore të studiuesve tanë, në lëmin e kulturës popullore. Ata duke e vlerësuar materialin si nga këndvështrimi cilësor, ashtu edhe ai sasior dhe, sidomos, duke u bazuar në pohimin e vet Hahn-it, një gjest ky i ndershmërisë intelektuale në shkallën më të lartë, do ta konsiderojnë kontributin e Dr. Apostol Meksit, në librin e Hahnit “Studime shqiptare”, Vëllimi I, si bashkautorësi.
155 vjet nga botimi i “Studime shqiptare”, në shqiptarët e sotëm, të lirë nga meskinitetet, censurat dhe autocensurat, i kemi mundësitë të rivlerësojmë objektivisht aktivitetin e Dr. Apostol Meksit, në lëmin e studimit të kulturës popullore dhe ta konsiderojmë atë, si të parin studiues shqiptar të folklorit të popullit tonë.
Gjatë mesit të shekullit të XIX dhe më tej, shteti grek i formuar tashmë prej 20-30 vjetësh dhe në vazhdë të politikës së tij shoviniste, fabrikonte dhe shpërndante teori të ndryshme antishqiptare. Teoria që mbizotëronte në atë kohë, ishte ajo e origjinës së përbashkët të gjuhës së popujve tanë, si gjuhë motra, për shkak të gjoja prejardhjes së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve.
Në atë kohë patriotët shqiptarë, nuk mund të mbështeteshin në institucione të specializuara, shkolla, etj., për t’iu kundërvënë fqinjëve shovinistë. Në mënyrë krejt vullnetare, nisur nga qëllime patriotike, shumë intelektualë shqiptarë u ricikluan në folkloristë dhe mblodhën letërsinë gojore të popullit tonë (në atë kohë mungonin shkrimet në shqip), për të demonstruar se shqiptarët, përveç të tjerave edhe folklorin e kishin të ndryshëm nga popujt fqinj.
Ndërmarrja më e suksesshme në këtë drejtim, duhet konsideruar ajo që nisen dy gjimnazistët shqiptarë, Konstandin Kristoforidhi dhe Apostol Meksi, që përfshinë edhe austriakun Hahn në projektin e tyre, i cili pas tre ekspeditave folklorike, në të gjithë trevat shqiptare, paraqiti trashëgiminë folklorike të popullit tonë në një plan gjithëkombëtar, në librin e tij të famshëm.
Veçse sa më shumë studiohet Hahni, aq më tepër shkëlqen figura e Apostol Meksit, i cili, i brumosur me ndjenjat patriotike në familjen e tij, “ku prej kohesh lëvrohej gjuha shqipe”, vetëm gjimnazist, pasi kishte përcaktuar qëllimin e jetës së tij, hartoi edhe projektin paraprak, për realizimin e të cilit, u lidh jo rastësisht me Hahn-in dhe bashkëpunoi për një kohë të gjatë me të, ai si folklorist dhe Hahni, si linguist, derisa shpallën nëpërmjet librit “Studime shqiptare”, në gjuhën gjermane dhe në mes të Evropës, se shqiptarët, përveçse kanë folklor të ndryshëm nga popujt e tjerë të Ballkanit, flasin një dialekt të vjetër të ilirishtes.
Kush qe promotori i këtij bashkëpunimi? Kush e gjeti njëri-tjetrin? Doktori nga Labova apo, gjykatësi nga Austria? Përgjigjja ime do të ishte: Ata gjetën njëri-tjetrin. Apostol Meksi, i shtyrë nga ideale të pastra kombëtare dhe Hahni, i shtyrë nga interesa shtetërore dhe shkencore.
Apostol Meksin e njohin vetëm labovitët dhe të huajt
Pas leximit të këtij shkrimi, nxënësit dhe studentët shqiptarë si dhe gjithë bashkatdhetarët tanë, kudo që ndodhen, me të drejtë do të pyesin: Vërtet, pse nuk na është bërë i njohur ky shqiptar i shquar?! Pse aktiviteti i tij nuk është pasqyruar në programet mësimore dhe librat e historisë?! Fatkeqësisht, aktiviteti i Dr. Apostol Meksit çuditërisht, është krejtësisht i panjohur edhe pse mesazhi që ka dashur të përcjellë Hahni te shqiptarët, është fare i qartë.
Veçse Grimi, biografi i Hahn-it, përmend shpeshherë Apostol Panajot Meksin, së bashku me bashkënxënësin e tij, Konstandin Kristoforidhin: “Hahnit i rekomanduan dy nxënës të dalluar nga “Zosimea”. I pari quhej Apostol Panajoti (Meksi) nga Labova e Madhe dhe tjetri Konstandin Kristoforidhi nga Elbasani. Ata ishin të fortë në gramatikën e greqishtes së vjetër. Toska (A Meksi) fliste gjithashtu frëngjisht dhe italisht, ndërsa Gega (K. Kristoforidhi), lexonte dhe shkruante diçka turqisht”.
“Të dy mësuesit e gjuhës shqipe e detyronin Hahnin të lakonte ose zgjedhonte me gojë ose me shkrim të gjithë emrat, mbiemrat, përemrat dhe foljet që kishin nxjerrë paraprakisht nga libri “Gjuha e shqiptarëve” botuar në 1835 nga Xylander. Nga ana tjetër, Hahni, në rolin e mësuesit, u mësonte shqiptarëve metodat e ndryshme për mbledhjen dhe analizën e materialit folkloric, që janë të domosdoshme në procesin e hartimit të veprave shkencore”.
“Pjesën më të madhe të materialit të mbledhur, Hahni ua detyron mësuesve të vet të gjuhës…! Panajoti dhe Konstandini mblidhnin materialin folklorik dhe më pas e analizonin së bashku me Hahnin” (Studime filologjike, 2001 nr.12). Ndërsa ballkanologu dhe albanologu francez. Ogust Dozon (1822-1880), konsulli i Francës në Janinë. pohon se një pjesë të materialit që kishte botuar në veprën “Libër i gjuhës shqipe”, Paris 1879 dhe në vëllimin “Përralla shqiptare”, 1881, ia kishte dhënë Dr. Apostol Meksi.
Janina, qendër e aktivitetit të patriotëve shqiptarë në mes të shekullit XIX-të
Apostol Meksi së bashku me Konstandin Kristoforidhin, dhe më pas vetëm Apostol Meksi, duhet të kenë qenë maja e ajsbergut e lëvizjes patriotike që zhvillohej në Janinë dhe sidomos rreth saj. Kryengritjet e shpeshta në Shqipërinë e Jugut, që kryesisht përfshinin Tepelenën dhe Çamërinë, derisa në vitin 1847, iu afruan edhe portave të Janinës, drejtoheshin dhe mbështeteshin nga brenda qytetit. (Historia e popullit shqiptar – II – 2002)
Në qoftë se me vrasjen e Ali Pashë Tepelenës, kishin dështuar përpjekjet e shqiptarëve për një shtet feudal të lirë nga turqit, kurorëzimi me sukses i revolucionit grek, ndezi shpresat e tyre për krijimin këtë radhë të një shteti të lirë demokratik, bazat e të cilit do të vendoseshin, vetëm pas një pune paraprake këmbëngulëse për identifikimin e kulturës popullore, si dhe për mësimin dhe shkrimin e gjuhës amtare, me një alfabet të përbashkët dhe sigurisht në shkollat shqipe.
Patriotët shqiptarë zgjodhën Janinën si qytetin më të përshtatshëm për të përqendruar aktivitetin e tyre për tri arsye: Së pari, Janina ishte një qytet me tradita në drejtim të lëvrimit të gjuhës shqipe. Që në fillim të shekullit të XIX, Ali Pashë Tepelena nxiti studimet për shqipen, duke e kthyer Janinën sipas të shumëditurit Xhevat Lloshi, “në një kopsht pjellor të gramatikave të shqipes”.
Mjeku i Ali Pashë Tepelenës, Dr. Vangjel Meksi (1770-1823) përktheu për të parën herë Biblën në shqip ashtu siç flitej në Janinë me alfabet origjinal që përmbante edhe shumë germa latine. “Përkthimi u krye në një kohë kur nuk kishte as alfabet të caktuar, as drejtshkrim dhe as shkolla për të mësuar shqipen. Një punë të tillë që nuk u realizua gjithë shekujt mund ta bënte vetëm një mjek që kishte menduar me kohë për shkrimin e shqipes, ishte njohur me thërrimet e deriatëhershme nga tradita e mëparshme”, (Prof. Dr. Xhevat Lloshi), dhe do të shtoja, kishte përvojën e duhur duke jetuar dhe punuar në një qytet si Janina, ku lëvrohej seriozisht gjuha shqipe.
Së dyti, në mes të shekullit XIX-të, Janina ishte një nga qytetet më të rëndësishme në trevën e katër vilajeteve të banuara kryesisht nga shqiptarët. Pas manastirit me 35 mijë banorë, renditeshin Janina dhe Shkodra, me nga 25 mijë banorë. Brenda këtyre katër vilajeteve, ndodhej vetëm një shkollë e mesme e arsimit të përgjithshëm – Gjimnazi grek “Zosimea”, që ndodhej në Janinë. Së treti, katër vilajetet kishin 1 milion e 700 mijë banorë, ndërkohë që në vilajetin e Janinës, 60% ishin shqiptarë, 30% grekë dhe 10% vllehë.
Meqenëse prania e grekëve në qytet dhe rrethinat e tij, do të krijonte kushte të përshtatshme për përhapjen dhe mbështetjen e teorive shoviniste, që kishin filluar të fabrikoheshin në Greqi, patriotët shqiptarë zgjodhën Janinën, si fushë për betejat që sapo kishin filluar dhe me siguri do të vazhdonin. Bashkëpunimi me Hahn-in, ishte një zgjidhje mjaft e pëlqyeshme për palën shqiptare.
Ai jo vetëm, i njohur prej kohësh me arvanitasit, kishte shprehur simpati për ta, si dhe për identifikimin e popullit shqiptar në përgjithësi, qëndrim ky që mbështetej nga shteti i tij, por ndërkohë dukej që kishte treguar seriozitet dhe profesionalizëm në aktivitetin e tij publik të deriatëhershëm, si gjykatës në Greqinë e Veriut dhe më vonë zëvendës-konsull në Janinë.
Nga ana tjetër, Dr. Meksi dhe ata që e mbështesnin, shpresonin që nëpërmjet Hahn-it, do të kapërceheshin pengesat që mund të sajonte administrata turke për shqiptarët, që kërkonin të gjurmonin folklorin e popullit të tyre. Së fundi, konkluzionet e studimeve në lëmin e gjuhësisë dhe folklorit shqiptar, do të kishin një jehonë dhe efekt më të madh, veçanërisht në shtetet evropiane, të paraqitura nga një i huaj dhe sigurisht në gjuhën e tij.
Vetëm fakte!
Për Dr. Apostol Meksin, është shkruar vetëm një herë dhe tekstualisht në këtë mënyrë: “Një Apostol Meksi, edhe ky mjek, i dha mësimet e para shqipe Hahn-it, bashkë me Kristoforidhin dhe mblodhi një pjesë të folklorit tosk, që albanologu botoi në Albanesische Studien”. (Dhimitër Shuteriqi – Shkrime shqipe në vitet 1830-1850, Tiranë 1965).
Veçse të dhënat që paraqiten, janë siguruar duke lexuar librin e Hahn-it, ku gjithashtu shkruhet e zezë mbi të bardhë: “Ai (A.M.) më dorëzoi materialin që e kishte shkruar në gjuhën greke dhe unë (Hahni) e përktheva”. Në vitin 1980, në faqet e revistës “Kultura popullore” nr.2, botohen pjesë nga “Studime shqiptare”, me titullin; “Zakonet familjare në Rrëzë të Tepelenës”, me autor Hahn-in, edhe pse ai vetë, siç e kemi përsëritur disa here, që në krye ka pohuar se, pikërisht këta kapituj i ka përgatitur Dr. Apostol Meksi. Në vitin 1985, botohet “Fjalori enciklopedik shqiptar”.
Në 1208 faqet e tij, nuk gjendet në asnjë cep emri i Dr. Apostol Meksit, ndërkohë që në zërin për Hahn-in, shkruhet tekstualisht: “Hahni punoi për shqipen, me ndihmën e Kostandin Kristoforidhit”. Po Apostol Meksi? Nuk ekziston më. Pse?! Në këto kushte, as që mund të mendohet që emri i tij të shfaqet te “Historia e popullit shqiptar”. Heshtja për aktivitetin e Apostol Meksit, mund të jetë gatuar nisur nga meskiniteti njerëzor, për të eliminuar hijen që mund të prekte, qoftë edhe pjesërisht, Kristoforidhin e madh, i cili pa dyshim ngelet po aq i madh, edhe duke pasur Apostol Meksin përkrah.
“Studime shqiptare” është një vepër e vërtetë shkencore. Hahni me Meksin, nuk udhëtuan për vite të tera nëpër Shqipëri, për të mbledhur vetëm përralla ose gjëegjëza, por të studionin kulturën materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, duke respektuar metodikat përkatëse shkencore dhe duke përdorur të njëjtat parametra, si në Janinë dhe Gjirokastër, ashtu edhe Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Për më tepër kapitulli për Elbasanin, përshkohet tejpërtej nga një ndjenjë respekti, dashurie dhe simpatie, për qytetin dhe banorët e tij.
Çdo elbasanas që do të lexojë sot “Studime shqiptare”, do të emocionohet pozitivisht dhe do t’i shtohet dashuria dhe respekti për të parët e tij. Mbase ndonjë elbasanas i djeshëm, nuk ka menduar në këtë mënyrë. Çudia e fundit lidhet me (mos) botimin në shqip të “Studime shqiptare”. Përveç arsyeve të mësipërme vepra e Hahn-it, mund të jetë konsideruar si e vlefshme vetëm për një rreth fare të ngushtë studiuesish. Duke penguar botimin në shqip, u përjashtua edhe Dr. Apostol Meksi, aktiviteti i të cilit pasqyrohet, vetëm në fletët e “Studime shqiptare”.
Dispensa që lindi në burg
Në të vërtetë, “Studime shqiptare”, ekziston në shqip në trajtë dispense dhe vetëm në 2-3 kopje. Libri është përkthyer rreth viteve 1946-1947, nga Veniamin Dashi, gjatë kohës kur ishte i burgosur politik, në burgjet e regjimit komunist. Përkthimi, në një gegërishte elegante, konsiderohet edhe sot si fare i saktë, çka tregon se autori është një intelektual i nivelit të lartë, i shkolluar në universitetet gjermane dhe austriake. Ish-nxënësit e tij, ‘normalistë’ të Elbasanit, më informuan se Veniamin Dashi, ishte fitues i ‘Globit të Artë’, si studenti më i mirë i Universitetit të Berlinit, për 10-vjeçarin 1920-1930.
Veniamin Dashi, që prej kohësh nuk jeton më, do të ketë mirënjohjen, dashurinë dhe falënderimin e gjithë shqiptarëve, për veprën monumentale që ka kryer, duke ndihmuar në këtë mënyrë atdheun e tij edhe nga biruca, pas hekurave të burgut. Libri “Studime shqiptare”, duhet të botohet sa më shpejt në shqip, për vlerat e tij historike, gjeografike, kulturore që mbart, të cilat patjetër duhet t’u bëhen të ditura, gjithë shqiptarëve. Disa kohë më parë, ministri i Kulturës, më bëri të njohur se dikasteri i tij, së shpejti do të mundësojë sponsorizimin e botimit në shqip, të “Studime shqiptare”.
Në këtë mënyrë, duke shfletuar veprën e Hahn-it 60 vjet pas shqipërimit, shqiptarët, jo vetëm do të informohen hollësishëm dhe në mënyrë të saktë, se si jetonin dhe punonin të parët e tyre, afro dy shekuj më parë, por gjithashtu do të njohin mikun e tyre të madh, babanë e albanologjisë Dr. Jur. Johann Georg von Hahn, dhe më në fund edhe Dr. Apostol Meksin, studiuesin e parë shqiptar të kulturës së popullit tonë. Një komb nuk ka të ardhme pa pasur rrënjë ose kur ia presin ato! Memorie.al