Nga Prof. Dr. Fedhon Meksi
Memorie.al / Ishte vjeshta e vitit 1983 kur gazetari Javer Malo, atëherë kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, trokiti dy herë në portën tonë. Interesohej të takonte tim atë, por ishte e pamundur, pasi ai ishte i sëmurë rëndë dhe nuk mund ta priste. Menjëherë i përcolla babait me pak fjalë, qëllimin e vizitës të Javer Malos: Ambasadori i Italisë në Tiranë, Gentile, napolitan nga origjina dhe i apasionuar pas historisë, ishte informuar nga Lefter Dilo, drejtor i Muzeut të Gjirokastrës, se Vangjel Meksi, mjeku i Ali Pashë Tepelenës, ishte diplomuar në Napoli. Ambasadori kureshtar pyeti në Universitetin e Napolit, për ta verifikuar, por ata i kërkonin vitet e shkollimit. Babai, ashtu i sëmurë, pasi më dëgjoi pa hapur sytë, shqiptoi: 1803-1808.
Një muaj më vonë, disa ditë pasi babai kishte ndërruar jetë, erdhi sërish Javer Malo, këtë radhë për të më transmetuar falënderimet e ambasadorit, i cili ndërkohë kishte shkuar edhe një herë në Napoli dhe më në fund kishte gjetur emrin e Vangjel Meksit, pikërisht në amzën e vitit 1803. Vite më parë, Shoqata Patriotike-Kulturore “Odria”, pasi u njoh me jetën dhe veprat e Dr. Vangjel Meksit, bashkëfshatarit tonë të shquar, i kërkoi Akademisë të Shkencave, të organizonte një sesion shkencor kushtuar këtij personaliteti, jo shumë të ndriçuar, të fillim shekullit XIX-të. Me këtë rast, paraqitën studimet e tyre shkencore akademiku; Dhimitër S. Shuteriqi, Prof. Dr. Xhevat Lloshi dhe Dr. A. Omari, që u botuan së bashku në librin “Dr. Vangjel Meksi (1770-1823) personalitet i gjuhës shqipe”
DOKTORI I ALI PASHË TEPELENËS
Vangjel Meksi lindi në Labovë rreth vitit 1770 dhe shërbeu në ushtrinë e Ali Pashës, si oficer artilerie, pasi kishte kryer gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Fisi i tij, Meksajt e Labovës, ishin një familje e dëgjuar dhe miq të Ali Pashë Tepelenës. Pashai e njihte traditën e tyre në ushtrimin e mjekësisë popullore, prandaj zgjodhi Vangjelin, për ta dërguar në Napoli, për t’u diplomuar në Mjekësi. Më 23 shkurt 1803, studenti i ardhshëm kaloi Adriatikun, duke shtrënguar fort rekomandimin e Vezirit, për Ferdinadin e I-rë Burbon.
Veziri i Janinës i shkruante Mbretit: “Po ju dërgoj Vangjel Meksin, shqiptarin për të mësuar atje. I lutem Madhërisë Suaj, të keni mirësinë, që t’i jepni mbrojtjen tuaj mbretërore, në mënyrë që të gëzojë ato kushte dhe lehtësi, të cilat të çojnë në mësimin e këtyre shkencave”. Ende pa kaluar pesë muaj, duke treguar interesimin e tij të veçantë, Ali Pasha i shkruan sërish mbretit të Napolit:
“Ju dërgoj falënderimet më të shquara për gjithçka i është dhënë Vangjel Meksit, i cili shpresoj se do të përfitojë nga kushtet, që i janë krijuar me bujari nga Sovrani dhe, kur të kthehet në Atdhe, me vlerësimin për sjelljen e mirë dhe përvetësimin e dijeve, të ngrejë lart emrin e Mbretit të lavdishëm”. (Për herë të parë këto letra, janë botuar nga G. Monti tek “Rivista d’Albania” më vitin 1941, II, f. 48-50.)
Vangjel Meksi gjatë shkollimit, u trajtua si oficer dhe pati për mësues mjekun dhe kimistin e shquar, Nikola Akuto. Praktikën klinike e kryente në spitalin Shën Xhovani i Karbunarës. Pas kthimit në Janinë, Vangjeli punoi si mjek pranë Pashait. Së bashku me tre të tjerë, Metaksai i diplomuar në Paris, Saçellari në Vjenë dhe Lluka Vaja, vëllai i Thanasit, kryekomandant i ushtrisë së Aliut, diplomuar në Lajpcig, formuan konsultën mjekësore të Vezirit. Aliu me Vangjelin, e diplomuar në Itali, tashmë i mplakur dhe i sëmurë, kishte në oborrin e tij mjekë, që përfaqësonin shkollat mjekësore, më të shquara të kohës.
PËRKTHYESI I PARË I DHIATËS SË RE
Gjatë ushtrimit të profesionit të mjekut në oborrin e Ali Pashës, Vangjel Meksi, bënte pjesë në rrethin e ngushtë të tij. Pikërisht në këtë periudhë, ai u njoh me konsullin e Francës, Pukëvil, si dhe me udhëtarët e famshëm anglezë, Lik dhe Bajron, që ishin autorë ose botues të gramatikave të gjuhës shqipe. “Janina e Ali Pashë Tepelenës, ishte një kopsht pjellor i gramatikave të shqipes” (V. Meksi… etj. f. 15). Vangjel Meksi jetoi, punoi, por edhe u ushqye në këtë kopsht.
Ai e çmonte gjuhën amtare dhe kishte filluar ta studionte atë. Fillimisht ai përpiloi gramatikën e shqipes. Përfaqësuesi në Stamboll i Shoqërisë Biblike të Londrës, Robert Pinkerton, informonte shoqërinë se, Vangjel Meksin ia kishin rekomanduar si të vetmin njeri, që mund ta përkthente Dhiatën, meqë ishte marrë prej kohësh me shqipen dhe shënon: “Ai tashmë ka shkruar një gramatikë në gjuhën e vet amtare, të cilën ma tregoi”.
Ka të ngjarë që “vepra e parë e Meksit, të ketë qenë kjo gramatikë e përgatitur edhe për mësimin e shqipes në shkolla” (Jup Kastrati. Historia e Albanologjisë. I, f. 516). Për gramatikën e Meksit, dihet vetëm se është botuar para vitit 1819. Në këtë mënyrë, ajo mund të jetë e para ose e dyta e hartuar nga një studiues shqiptar, pas asaj të E. Vithkuqarit, (1814), sponsorizuar nga Liku dhe mbase e përpiluar së bashku me të.
Po në këtë periudhë, Vangjel Meksi përpiloi një alfabet origjinal, si dhe librin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Alfabeti përmbante shkronja greqisht, por edhe neolatine për të eliminuar në një farë mënyre ndryshimet fonologjike, në mes të dy gjuhëve. Për tingujt që nuk mund të përfaqësoheshin nga shkronjat greke, Meksi huazoi shkronja nga alfabeti neolatin, si p.sh: d, b, e = ë etj., ose përdori kombinime shkronjash, si dhe shenja diakritike në formë pike sipër shkronjës ( V. Meksi… etj. f.46).
Tashmë kuadri bëhet i plotë. Vangjel Meksi studioi gjuhën e vet, përpiloi gramatikën e gjuhës shqipe, përcaktoi alfabetin dhe drejtshkrimin, kërkoi dhe gjeti fjalët e nevojshme për të zgjidhur detyrat e vështira, që paraqet përkthimi dhe largohet nga Janina në drejtim të Italisë, ku bëri provën gjenerale para veprës së tij madhore. Pra, botoi më 1814 në Venecia dy përkthime nga shkrimtari francez Klod Fleri (1691-1720).
Tashmë me CV të plotësuar më së miri kthehet në Ballkan. Në Selanik e Stamboll takohet me përfaqësuesit e Shoqatës Ungjillore angleze me të cilët, më 19 tetor 1819, nënshkruan kontratën për përkthimin e Dhiatës së Re, në pikën e parë të së cilës shkruhet tekstualisht: “Dr. Vangjel Meksi zotohet të përkthejë Dhiatën e Re nga teksti në greqishten e vjetër në gjuhën shqipe, ashtu siç flitet në Janinë”. (V. Meksi…etj., f. 18).
Libri, tashmë i shqipëruar, u dorëzua për t’u shtypur vetëm pas 15 muajsh dhe pikërisht më 22 shkurt 1821, 10 muaj para datës të caktuar në kontratë. Botimi i plotë i kësaj vepre, që u vlerësua nga të gjithë studiuesit, si ngjarje e rëndësishme e historisë së shkrimit të gjuhës sonë, ishte i pari në Ballkan dhe u realizua 2 vjet para botimit bullgarisht dhe 20 vjet para botimit rumanisht (Jup Kastrati, “Historia e Albanologjisë”, 2000, f. 519).
NEGOCIATOR NË REVOLUCIONIN GREK
Vangjel Meksi, ka marrë pjesë në revolucionin grek. Ai mendonte, ashtu si edhe Naum Veqilharxhi, që luftoi kundër turqve për çlirimin e Rumanisë, se vetëm në këtë mënyrë do të shpejtohej edhe çlirimi i Shqipërisë. Në këtë periudhë u sëmur nga pneumonia, teksa ndiqte veprimet gjatë rrethimit të qytetit Tripolica në Peloponezin e Veriut. Qytetin e mbronin kryesisht shqiptarë të mobilizuar nga turqit, ndërsa nga jashtë sulmonin shqiptarë të bashkuar me kryengritësit grekë.
Vangjel Meksi, sigurisht që shërbente si mjek i forcave që sulmonin. Më në fund, të dy palët u morën vesh dhe evituan gjakderdhjen e mëtejshme. Në këtë mënyrë të rrethuarit braktisën qytetin, bashkë me armatimet e tyre. Labovitët, pjesëmarrës në këtë luftë, përhapën lajmin që dihet edhe nga labovitët e sotëm, se marrëveshja u arrit falë ndërhyrjes së Vangjel Meksit, nëpërmjet shqiptarëve që luftonin në dy ushtritë. Pak ditë më vonë laboviti, doktori, gjuhëtari, shqipëruesi dhe luftëtari për liri vdiq. Ishte viti 1823.
GJUHËTARI I SHQUAR
Shoqëria Biblike botoi më 1824, një pjesë të Dhiatës së Re, Ungjillin e Shën Mateut. Gjatë vitit 1825, nëpërmjet agjentëve të tyre, u mblodhën përshtypjet e besimtarëve shqiptarë kudo që ndodheshin, të cilët u përgjigjën njëzëri se kënaqësia e tyre ishte e madhe sa herë Ungjilli lexohej në gjuhën amtare. Për më tepër edhe priftërinjtë ishin të etur për ta vendosur shqipen në kisha (V. Meksi…f. 28). Pas përgjigjeve pozitive të besimtarëve, në fund të vitit 1825, filluan përgatitjet për botimin e plotë të Dhiatës.
Krahas përfaqësuesve të Shoqatës Biblike, ndodhej në Korfuz, qyteti ku do të shtypej libri i shenjtë, edhe Grigor Gjirokastriti, një klerik dhe intelektual i nivelit të lartë, ish-Kryepeshkopi i Eubesë, që muajt e fundit të jetës, i kaloi si kryepeshkop i Athinës. Sa ishte në Korfuz, ai u mor me korrektimin letrar dhe redaktimin e materialit.
Fletët e fundit të librit mbaruan së shtypuri në gushtin e vitit 1827. Ishin 839 faqe të ndara në 2 vëllime. Ndarja në 2 vëllime u bë pas insistimit të Grigor Gjirokastritit, meqenëse, sipas tij me të drejtë “shqiptarët kanë zakon t’i mbajnë librat në gji”. Dhiata e Re e shqipëruar nga Vangjel Meksi, u ribotua më 1858, kurse kopjet e fundit vazhduan të shiteshin deri më 1878.
Pra, ky libër u shit gjatë 50 vjetëve, për t’u përdorur edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë. Këto të dhëna vërtetojnë suksesin e jashtëzakonshëm të librit, që bazohej tek gjuha e përpunuar, e pasur dhe e saktë, në përshtatje me idiomën e shqiptarëve, tek zgjedhja e fjalëve dhe shprehjeve të kuptueshme nga të gjithë, si dhe tek alfabeti origjinal, që respektonte fare mirë fonetikën e gjuhës tonë.
BABAI I ALFABETIT SHQIP
Pas botimit të Mateut (1824), por sidomos pas botimit të plotë të Dhiatës (1827), nisi interesimi i opinionit filologjik dhe kulturor, në Shqipëri dhe jashtë saj, për shqipërimet e Meksit, duke i konsideruar ato; “si përpjekje për gjuhën letrare të shkruar shqipe” (Vangjel Meksi…etj. f. 36). Studiuesi gjerman Ksilander (1794-1854), që argumentoi i pari karakterin indo-evropian të shqipes, botoi më 1835 librin; “Gjuha e shqiptarëve” bazuar kryesisht tek shqipërimi i Vangjel Meksit.
Ai bëri një hap përpara në krahasim me studiuesit pararendës të gjuhës shqipe, vetëm se pati në dorë një tekst të gjerë në gjuhën shqipe, Dhiatën e Re. Ksilander pohon se; “me këtë përkthim përfundon edhe për gjuhën shqipe koha e dyshimit dhe e pasigurisë” (V. Meksi…etj, f. 38). Hani (1811-1869), babai i albanologjisë, arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të ilirishtes, duke u bërë në këtë mënyrë mbrojtës i autoktonisë të shqiptarëve, vetëm pasi mësoi shqipen, kryesisht, nëpërmjet Dhiatës të Re të Vangjel Meksit.
Alfabeti origjinal i Meksit, u përdor në shkrimet shqipe të shek XIX-të, përfshirë dhe në ato të Ksilanderit dhe Hanit. Për këtë arsye Meksi është quajtur; ati ose përçuesi i një tradite të alfabetit të shqipes (Vangjel Meksi…etj. f. 29). Më sipër përshkruam kënaqësinë e besimtarëve dhe të priftërinjve kur shërbesat fetare, kryheshin në shqip.
Të njëjtat ndjesi sigurisht kanë provuar edhe nxënësit shqiptarë në shkollat greke, kur mbi bankat e tyre mbanin Ungjillin në shqip ose, librat e shkrimtarit francez Fleri: “Doke të izraelitëve” dhe “Doke të krishterëve”, të përkthyera po nga Vangjel Meksi, “për t’u përdorur posaçërisht në shkolla” (Fjalori enciklopedik shqiptar, 689).
RILINDJA FILLON ME MEKSIN
Deri në fillim të shekullit XIX-të, kishin dështuar të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për të pasur Ungjillin e plotë në gjuhën amtare. Intelektualët shqiptarë e kishin të qartë se, në kushtet ku ndodhej Shqipëria, vetëm nëpërmjet Ungjillit në shqip, që do të përdorej në kisha dhe shkolla, do të mund të mbahej gjallë gjuha shqipe dhe nëpërmjet saj identiteti i kombit tonë. Në fillim të shekullit XIX-të, në Janinë ishte krijuar një terren i përshtatshëm për lëvrimin e gjuhës shqipe.
Dihet se Ali Pasha, i mësonte Veliut, djalit të tij, gjuhën shqipe, ndërkohë që nxiste shqiptarë dhe të huaj, ta lëvronin atë. Në vitin 1814, anglezi Lik, mik i Aliut, botoi gramatikën e parë shqipe, të hartuar së bashku me E. Vithkuqarin. Pak vite më parë, Shoqata Biblike Angleze, krijoi një komitet që do të mbështeste, financiarisht dhe jo vetëm, botimin e Dhiatës së Re, në të gjitha gjuhët ballkanike. Në këto kushte Dr. Vangjel Meksit, duket se iu shua dëshira për profesionin e mjekut, të cilin ka gjasa t’ia kishin imponuar, dhe iu ndez një zjarr shumë i madh, që do ta shtynte atë në shërbim të kombit të vet.
Këto zjarre janë ndezur jo rrallë në gjokset e Meksajve, një familje autoktone shqiptare, e dokumentuar në këto troje që prej, të paktën, 1000 vjetësh. Unë jam i prirur të besoj se Vangjel Meksi, e braktisi profesionin e mjekut, jo për shkaqe të lidhura me fenë, por për të realizuar një ëndërr të hershme të shqiptarëve, futjen e gjuhës shqipe në kisha dhe shkolla.
E hershme, të paktën, që nga viti 1555, kur Gjon Buzuku shqipëroi dhe botoi Mesharin. Pas këtij vendimi të rëndësishëm, për të si edhe për gjuhën dhe letërsinë shqipe, Meksi hartoi me detaje projektin, që do ta çonte në shqipërimin e Dhiatës.
Realizimi i këtij projekti kërkonte, mbi të gjitha “këmbëngulje, forcë të madhe dhe përvojë”. Dhe ai, “si banor i Rrëzës i kishte me tepri këto cilësi”. (Han, “Studime Shqiptare”, Jena, 1854, f. 265). Si fillim braktisi profesionin, Aliun dhe Janinën dhe u transferua në Itali, ku vazhdoi studimin e gjuhës shqipe, që e kishte filluar në oborrin e Aliut dhe në vitin 1814, botoi në Venecia librat e Fleri-t, të shqipëruara dhe përshtatura për nxënësit shqiptarë.
Më pas u kthye në Ballkan, ku u lidh me përfaqësuesit e Shoqatës Biblike për nënshkrimin e kontratës, që i hapi rrugën botimit të Biblës në shqip. Përfaqësuesi i Shoqatës Biblike në Stamboll, ia paraqiti Patriarkut marrëveshjen me Dr. Vangjel Meksin. Ai u detyrua të pranonte, se do të jepte gjithë mbështetjen e vet. Veçse po ai Patriark, urdhëroi të digjeshin publikisht në Elbasan, dorëshkrimet shqipe të teksteve fetare të përkthyera nga Dhaskal Todhri.
Është fare e kuptueshme se Dhiata e Re në shqip, pa dritën e diellit vetëm falë ndërhyrjes së Shoqatës Biblike angleze dhe personalitetit të Dr. Vangjel Meksit dhe më pas të Grigor Gjirokastritit. Në këtë mënyrë, Vangjel Meksi realizoi projektin e tij madhështor, sipas të cilit, duke filluar nga viti 1824, besimtarët dëgjonin fjalët e Zotit në shqip, ndërsa nxënësit shqiptarë në shkollat greke, mësonin edhe me libra në gjuhën amtare.
Futja e shqipes në kisha dhe shkolla gjatë çerekut të parë të shekullit XIX-të, ishte një mrekulli që u bë realitet vetëm nëpërmjet shqipërimeve të Vangjel Meksit, në një kohë kur nuk ekzistonte alfabeti dhe drejtshkrimi për të shkruar shqipen, as edhe shkollat për ta mësuar atë. Megjithatë Vangjel Meksi, e përktheu të plotë Dhiatën e Re. Një punë që nuk u realizua gjatë gjithë shekujve të kaluar, Vangjel Meksi, e kreu me sukses vetëm për 15 muaj, pa pasur përvojën e duhur dhe vetëm me diplomën e mjekut.
Ka të ngjarë që Vangjel Meksi, të mos punonte i vetëm. Ai duhet të bënte pjesë në një lob intelektualësh të shquar, patriotë shqiptarë, me ide liberale fetare, si Grigor Gjirokastriti, etj., me të cilët ndante të njëjtat bindje për kishën, pjesërisht në shqip, për rolin e shqipes në shkolla dhe për vlerën e fitores së revolucionit grek dhe rumun, në të ardhmen e Shqipërisë.
Rruga që ndoqën Vangjel Meksi, Grigor Gjirokastriti, Naum Veqilharxhi dhe më vonë Kristoforidhi, për të futur shqipen në kisha dhe shkolla nëpërmjet Ungjijve dhe jo vetëm, ishte një veprim i menduar fare mirë. Ata shfrytëzuan institucionet arsimore dhe fetare që vareshin nga Patrikana, me pretekstin e përvetësimit sa më të mirë të dogmës fetare, nëpërmjet gjuhës amtare.
Në të vërtetë historiografia shqiptare, e ka anashkaluar veprën e Vangjel Meksit. Atij i kushtohet vetëm një rresht në veprën “Historia e popullit shqiptar”, vëllimi. I, f. 412 dhe për më tepër, ai sot nuk mësohet nëpër shkolla. Vetëm një zë i vetmuar ka njohur se Vangjel Meksi, bëri një hap me rëndësi në lëvrimin e shqipes letrare dhe se është paraardhës i rilindësve në këtë fushë (Fjalori enciklopedik, f. 689).
Në fakt, janë të shumta dokumentet që vërtetojnë se Rilindja Kombëtare Shqiptare, fillon me Vangjel Meksin, fillon me veprën e tij, që nis 10-15 vjet para dates, që njihet zyrtarisht nga historiografia jonë. Aktiviteti i Vangjel Meksit, që lidhet me lëvrimin e gjuhës sonë, shtrihet në periudhën nga 1814, deri 1821. Gjatë kësaj kohe, janë botuar shqipërimet për shkollat (1814), gramatika (para vitit 1819) dhe është dorëzuar për shtyp Dhiata e Re e plotë, me alfabetin origjinal dhe drejtshkrimin përkatës (1821).
Prof. Dhimitër Shuteriqi, ka shkruar: “Historia e Dhiatës së Re, e shqipëruar nga Vanmgjel Meksi dhe e redaktuar nga Grigor Gjirokastriti, ndikoi tek Naum Veqilharxhi dhe Kostandin Kristoforidhi, triumfoi gjatë Rilindjes Kombëtare, kur lufta për shqipen si gjuhë e letërsisë, shkollës e fesë, ishte pjesë e rëndësishme e luftës për çlirim” (V. Meksi…etj., f. 9).
Dhimitër Shuteriqi, vazhdon në një studim tjetër: “Vangjel Meksi ishte i pari që ju vu punës, për shkollat shqipe. Është e kuptueshme pse ai përgatiste tekste shkollore, me përmbajtje fetare. Kështu bëri edhe Naum Veqilharxhi. (Dh. Shuteriqi, Shkrime Shqipe në vitet 1332-1850. Tiranë 1976. f. 174). Në tekstet e letërsisë të shkollave të mesme, që botoheshin në vitet ’50-të, i rezervohej hapësira e duhur jetës dhe veprimtarisë së Vangjel Meksit.
Siç duket, lufta absurde kundër besimeve fetare që plasi në mesin e viteve ’60-të, e largoi Meksin, (që gabimisht njihej vetëm si përkthyes veprash fetare), nga nxënësit, historia dhe kultura shqiptare. Vangjel Meksi, figurë e shquar e kulturës shqiptare si dhe shqipërues, gjuhëtar dhe patriot, duhet të kthehet jo vetëm në programet mësimore të letërsisë dhe historisë për shkollat e mesme, por dhe të zërë vendin, që meriton, në tekstin e “Historia e Shqipërisë”. Memorie.al