Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Pjesa e pesëmbëdhjetë
PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE
(Persona publikë, viktima të diktaturës, ngjarje të tjera)
Memorie.al / Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania noëadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
Antologjia e ekzaminimeve mjeko-ligjore të kufomave të ngjarjeve të ndryshme në vendin tonë
Eshtrat e Shpellës së ftohtë” në fshatin Gjuras të rrethit të Dibrës Gjatë ushtrimit për një kohë të gjatë të profesioneve të anatomistit dhe mjekut ligjor, që në vitet e para, pas përfundimit të fakultetit të Mjekësisë, duke qenë asistent në katedrën e Anatomisë, fillova të merrem edhe me ҁështjet e Antropologjisë. Siҁ dihet, antropologjia, jo shumë e njohur në vendin tonë në atë kohë, konsiderohet shkenca që studion gjithҁka që i përket qenies njerëzore, duke përfshirë edhe ndërtimin dhe veçoritë e trupit të njeriut.
Kështu unë dhe kolegët e tjerë të katedrës së Anatomisë Normale filluam të merremi me studimin e saj, meqenëse ajo është e afërt shumë me anatominë, që studion edhe ajo ndërtimin e trupit të njeriut nga studenti i mjekësisë, por me qëllim që ai t’i kuptojë sa më qartë ndryshimet që pësojnë pjesët e tij nga sëmundjet dhe t’i mjekojë ato sa më mirë.
Ndërsa Antropologjia, sidomos pjesa e saj që quhet Antropologjia Fizike, e studion edhe ajo trupin e njeriut dhe pjesët e tij, por me qëllim për të sqaruar sesi ka ndodhur evolucioni i tij nga kafshët te njeriu, nga njerëzit e parë deri në njeriun e sotëm, cilat janë dallimet midis grupeve të ndryshme të njerëzve (racat), si dhe ato të njerëzve që kanë jetuar në periudhat e mëparshme historike, sëmundjet nga të cilat kanë vuajtur njerëzit e mëparshëm, si dhe për të sqaruar lidhjet e tyre me njerëzit e sotëm, etj.
Për të gjitha këto probleme, ajo mbështetet në metodat klasike, kryesisht të studimit të eshtrave humane. Si nëndarje të saj janë: Antropologjia Mjeko-ligjore (forensike) dhe Odontologjia Mjeko-ligjore, Antropologjia molekulare (ADN-ja), Paleoantropologjia, etj.
Më në fund, duhet shtuar se ekziston edhe një nëndarje tjetër e saj, pa lidhje me anatominë e njeriut, që quhet Antropologjia Socio – Kulturale, sepse qenia humane, në dallim nga kafshët, përveҁ trupit, ka dhe arsyen, ndërgjegjen, të menduarit, që pasqyrohen në jetën shoqërore dhe kulturale, zakonore, gjuhësore të njeriut.
E zgjata me këto shpjegime, për të kuptuar, arsyen që unë bashkë me kolegët e tjerë të Anatomisë Normale, filluam studimin antropologjik të materialeve të shumta kockore të marra nga kisha e fshatit Kreshovë të rrethit të Përmetit, që u përkisnin banorëve që kishin jetuar atje që prej më shumë se një shekulli. Metodat që përdorëm në përcaktimin e moshës, seksit, racës, etj., të rreth 100 kafkave të kësaj kishe, ishin po ato që aplikohen edhe në rastet e identifikimi të mbetjeve kockore të panjohura, që ekzaminohen nga mjekësia-ligjore.
Prandaj, unë fillova t’i përdor këto njohurit që përfitova atje, në të gjitha rastet e ndryshme mjeko-ligjore të vendit tonë, që nga koha që isha asistent në anatomi dhe më pas si mjek ligjor deri në vitin 2015. Por në ndonjë rast shumë të rrallë mund të ketë ndodhur, që eshtrat e dërguara për ekzaminim mjeko-ligjor, të kenë rezultuar t’u përkisnin personave që kanë jetuar në periudha të mëparshme historike. Pra këto me vlera të rëndësishme për t’u studiuar nga pikëpamja e mirëfilltë antropologjike.
Një rast i tillë ka qenë një ngjarje në vitin 1996, që i përkiste ekzaminimit në Shërbimin e Mjekësisë – Ligjore, të një numri të madh kafkash dhe pjesësh të tjera të skeleteve humane, të gjetura në shpellën e quajtur: “Shpella e ftohtë”, në fshatin Gjuras të rrethit të Peshkopisë (Dibrës). Për të hyrë në këtë shpellë, siҁ më tregoi mjeku ligjor që kishte qenë atje, ishte shumë e vështirë.
Hyrja e saj ishte tepër e ngushtë dhe ai bashkë me punonjësit e tjerë të policisë, ishin futur duke u zvarritur. Brenda saj ata kishin parë që ndodheshin një numër mjaft i madh eshtrash, mbi 50 kafka dhe pjesë të tjera skeletike. Ata arritën me vështirësi të nxjerrin 10 kafka dhe disa eshtra të tjera. Këto pasi i paketuan, i sollën në Tiranë, me qëllim që të kryhej ekspertimi mjeko-ligjor.
Menjëherë pas këtij zbulimi, u dyshua që këto skelete mund t’i përkisnin të persekutuarve politikë të regjimit komunist që ishin torturuar dhe vrarë në një repart ushtarak që gjendej jo shumë larg prej kësaj shpelle. Më pas kufomat e tyre mund të kenë qenë fshehur në këtë shpellë. Në atë kohë në shtypin tonë u shkruajt shumë për këto dyshime nga ky zbulim.
Por një version tjetër që doli në atë kohë, ishte se ato mund t’i përkisnin viktimave të luftërave ballkanike të dy shekujve të fundit. Nga policia e Peshkopisë, u kërkua të kryhet ekspertimi mjeko-ligjor dhe antropologjik i këtyre eshtrave. Për këtë, këto pjesë skeletike humane, që u dërguan në Shërbimin e Mjekësisë Ligjore, unë i vendosa duke i rreshtuar sipas llojit të tyre, në sallën e katit të tretë të Shërbimit të Mjekësisë Ligjore dhe fillova ekzaminimin e tyre.
Ato përbëheshin nga 10 kafka, 4 nofulla të poshtme, 18 kocka të gjata, kryesisht ato të kofshës, 2 pjesë nga kockat e bacinit, disa eshtra të tjera dhe një pjese skeletike të kokës së një kafshe të llojit: dele, dhi, që kishte të ruajtur dhe dy brirë.
Ekzaminimi i tyre në këtë rast, që i përket fushës së mjekësisë ligjore dhe të Antropologjisë Forensike, kishte si qëllim që të përcaktonte, përkatësinë njerëzore, moshën, seksin, shtatin, racën e personave që u përkisnin ato, veҁori të tjera dhe dëmtimet që mund të kishin dhe mjetin e shkaktimit të tyre. Por në këtë rast shumë e rëndësishme do të ishte edhe gjetja e kohës së vdekjes.
Nga ekzaminimi i kujdesshëm i këtyre eshtrave me origjinë njerëzore, pjesërisht të ngrëna dhe të shkatërruara, vende vende me sipërfaqe me ngjyrë si në të kuqe, arrita të përcaktoj se ato në bazë të numrit të kafkave, u takonin të paktën 10 personave të të dy sekseve: mashkullore dhe femërore, prej të cilave dy ishin të moshave fëmijërore, ndërsa të tjerat të moshave të rritura: të reja (20 vjeҁ) deri në mosha më të kaluara (40 – 50 vjeҁ) dhe më shumë.
Ndërsa gjatësia trupore më rezultoi nga 1.6 m., deri në 1.7 m; sipas tipareve antropologjike, ato u përkisnin racave të bardha evropiane. Në këto eshtra, me përjashtim të ngrënieve dhe shkatërrimeve të tyre nga faktorë të ndryshëm nga qëndrimi i gjatë atje, nuk u vu re ndonjë dëmtim mekanik me mjete të forta apo me armë zjarri, me karakteristikat e dëmtimeve të shkaktuara për së gjalli.
Kjo tregonte që ato nuk kishin ndonjë shenjë të ushtrimit të veprimeve të dhunshme, gjë që e përjashtonte mundësinë që ato t’u përkisnin të persekutuarve politikë të kohës së komunizmit, të torturuar dhe të vrarë, apo viktimave të luftërave ballkanike.
Në fakt, për këto dyshime dhe për sqarimin e origjinës së vërtetë të tyre, do të ishte shumë e rëndësishme të përcaktohej edhe koha e vdekjes. Kjo, sepse kur vdekja ka ndodhur më shumë se 70 – 80 vjet përpara, dhe ajo ka qenë kriminale, në këtë rast edhe vrasësi që e ka kryer krimin, duhet të ketë vdekur dhe nuk ka arsye që kjo ҁështje të ndiqet nga organet e Drejtësisë, si Policia Gjyqësore dhe Prokuroria.
Kështu, për këtë përcaktim, unë i këqyra ato me shumë kujdes. Eshtrat ishin të thata, pjesërisht të ngrëna, pa asnjë mbeturinë indesh të buta në sipërfaqen e tyre, po kështu në thellësinë e tyre në indet spongioze (të sfungjerta) mungonin shenjat e dhjamit në to.
Këto të dhëna i plotësova edhe me dy analiza: prova me benzidinë dhe ajo me fluoreshencë që rezultuan të dyja negative. Të gjitha këto të veҁori vërtetonin, që koha e vdekjes duhet të ketë qenë e largët. Një e dhënë tjetër që ishte në favor të këtij konkluzioni, ishte mungesa e ndonjë punimi nga dentistët në dhëmbët dhe dhëmballët e këtyre skeleteve, si p.sh.; mbushje, proteza, si dhe jetëgjatësia pak a shumë e re, e personave të këtyre mbetjeve skeletike, etj.
Për këtë arsye, në aktin që përpilova, shkresat që i dërgova Prokurorisë së Përgjithshme dhe kontakteve që pata me drejtuesit e ministrisë së Brendshme, unë theksova që këto eshtra ishin të një kohe të largët, deri në një shekull, ose më shumë, që e përjashtonte në mënyrë kategorike, që ato të ishin mbetje kockore të viktimave të krimeve të kryera nga regjimi komunist, apo të periudhave të mëparshme.
Megjithatë, unë ju propozova këtyre instancave, që të organizohej nxjerrja e të gjitha eshtrave të kësaj shpelle, si dhe dërgimi i mostrave të tyre në vendet e tjera, si Itali, Francë, etj., për të filluar një përcaktim sa më të saktë të kohës së vdekjes.
Jo vetëm kaq, por ndofta i nxitur edhe nga njohuritë e mia në fushën e antropologjisë fizike, të marra sidomos gjatë punës time në katedrën e anatomisë normale, unë fillova ta ndjek në mënyrë personale zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Siҁ dihet për materialet e vjetra arkeologjike apo kockore, vjetërsia e tyre para një mijë apo disa mijra vitesh, përcaktohet me mjaft saktësi me anën e metodës së karbonit radioaktiv C14.
Për këtë, në fillim unë vajta në Institutin e Fizikës Bërthamore që gjendej në zonën pak më tej, ku ishte Instituti i Higjienës. Atje më priti me shumë dashamirësi një prej drejtuesve të tij, specialist në fushën e analizave me lëndët radioaktive. Për fat të keq, ai më tha se nuk mund ta bënte këtë analizë, sepse në laboratorin e tij, mungonte në atë kohë reagenti radioaktiv i C14.
Po atë vit (1996), duke përfituar nga një specializim një mujor në Departamentin e Mjekësisë Ligjore të universitetit të Lionit në Francë, në valixhen time të udhëtimit, unë futa fshehurazi disa mostra kockore, nga ato të “Shpellës së ftohtë”.
Gjatë kohës që qëndrova në Lion, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Prof. D. Malicier, për sjelljen dhe ndihmën e të cilit ndaj meje unë ruaj kujtimet më të mira, me kërkesën time, më organizon një takim me antropologun e shquar Prof. R. Perrot.
Laboratori i tij ndodhej në dy dhoma që komunikonin me njëra tjetrën në mjediset e fakultetit të Mjekësisë “Rockfeller”. Dr. Perrot është biolog dhe antropolog i mirëfilltë. Në atë kohë me sa mbaj mend, laboratori i tij ishte i pajisur me aparatura antropologjike, kompaset kryesore të ndryshme matëse, aparatura për matje të këndeve, plansheta osteometrike, kraniofor për ekzaminimin dhe vizatimin e kafkës, kitet Suckeëey – Brooks, për përcaktimin e moshës me anën e simfiziës pubike.
Disa prej këtyre aparaturave si kompase të disa llojeve, plansheta osteometrike, aparatura për matje të këndeve, me koleksione të shumta kockore i kisha edhe unë në Laboratorin e Identifikimit Antropologjik të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, të cilat për fat të keq, pas daljes time në pension në vitin 2015, i shkatërruan.
Në laboratorin e Dr. Perrot, kishte disa tavolina pune dhe rafte mbushura me skelete, kryesisht kafka. Ai ishte një njeri i thjeshtë dhe i sjellshëm. Në laboratorin e tij të Antropologjisë, unë u njoha me hollësi mbi punën që ai po kryente në materialet skeletike që po studionte; në atë kohë ai po përdorte metodën e mbushjes së “Gerasimov” dhe kryente raste të shumta të ekspertimeve, duke krahasuar të dhënat matëse dhe përshkruese të kafkës, me ato të personave që mendohej që i takonin këto kafka.
Madje ai më dhuroi disa artikuj dhe një nga punimet e fundit të tij, një manual mbi metodat e e ekzaminimeve antropologjike. Më pas, ai më dëgjoi me shumë vëmendje për rastin e eshtrave të shpellës së Dibrës, të cilat unë ja referova me hollësi; pas kësaj i tregova edhe mostrat kockore, që kisha marrë me vete. Mesa më kujtohet, ai më tha se ato duhet të jenë të vjetra; i kishte bërë përshtypje ngjyra e kuqërremtë e sipërfaqeve të këtyre pjesëve kockore. Kjo sipas tij, mund të kishte ndodhur nga muret e shpellës, që duhet të kishin këtë ngjyrë.
Megjithatë, sipas tij, nëse këto pjesë kockore do të ishin me vjetërsi mbi 1000 vjeҁare, sipërfaqja e tyre, duhet të ishte shumë më e ashpër dhe me inkrustime. Për fat të keq, Laboratori i Analizës së Karbonit Radioaktiv me të cilin ai bashkëpunonte nuk ishte në punë në atë kohë. Kështu me gjithë kërkesën time, nuk e mori përsipër kryerjen e kësaj analize. Megjithatë, unë insistova me mirësjellje, të më jepte një mendim paraprak mbi kohën e vdekjes të personave, që u përkisnin këto mostra kockore, për të cilën ai më tha se nuk mund të bënte një përcaktim të saktë të saj.
Më vonë unë i ndërpreva lidhjet me Prof. Perrot. Pas kësaj ndodhën ngjarjet e vitit 1997 dhe të viteve më pas, me raste të shtuara mjeko-ligjore dhe unë nuk u mora më me këtë ҁështje.
Por atë që nuk arrita unë, po e zgjidh tani një grup arkeologësh në bashkëpunim me një arkeologe franceze, të universitetit të Vjenës. Ata, të nxitur nga iniciativa e gazetarit investigativ të pasionuar Marin Mema, bashkë me të, në muajin maj të vitit 2021 dhe në vazhdim, u futën disa herë në këtë shpellë, ku i ri zbuluan pjesët e shumta të skeleteve humane që ndodheshin atje, një pjesë e të cilave, më ishin dërguar mua në vitin 1996, i ekzaminuan ato dhe morën disa mostra të tyre.
Antropologia franceze, mostrat e marra i ҁoi në universitetin e Vjenës, dhe prej andej i dërgoi në një laborator të universitetit të Oksfordit në Britaninë e Madhe, i njohur për kryerjen e analizave me anën e karbonit radioaktiv C14
Pas disa muajsh, laboratori dha përgjigjen që këto pjesë kockore, u përkisnin njerëzve që kishin jetuar 1600 – 1700 vite më parë. Ky përcaktim ka një vlerë të madhe për fushën e antropologjisë etnike, sepse do të shërbejë si një burim i ri, për studimin e tipareve antropologjike të banorëve, të periudhës së antikitetit të vonshëm, të shekujve III – IV, që kanë jetuar në vendin tonë.
Unë mendoj që tani kanë dalë ҁështje të tjera që duhen zgjidhur:
– Së pari, kujt i përkasin këto pjesë skeletike, banorëve vendas, apo të ardhur?
– A ka mundësi që ato të kenë qenë të një fisi, version ky që përforcohet nga fakti që bashkë me këto pjesë skeletike të vitit 1996, ishte dhe një kafkë e një kafshë të llojit: dele, dhi, si dhe disa pjesë skeletike të moshave fëminore?
Gjithashtu duhet sqaruar arsyeja përse ato janë gjetur brenda kësaj shpellë:
– Janë futur atje të gjallë si të burgosur, për t’u lënë që të vdesin, apo për t’u fshehur dhe kanë mbetur brenda nga bllokimi për arsye të ndryshme, që mund t’i ketë ndodhur hyrjes së shpellës?
– A mund të ketë shërbyer kjo shpellë si një vend varrimi i shenjtë, sipas riteve fetare pagane dhe të krishtere që ndiqeshin në atë periudhë?
Vështirësia që është hasur, deri tani, për sqarimin e të gjitha këtyre problemeve, është se në këtë shpellë, nuk janë gjetur ende materiale të vlefshme arkeologjike.
Zbulimet e mëparshme të këtij karakteri, në vendin tonë, madje edhe për periudha shumë më të vjetra, janë shoqëruar në shumicën e tyre me gjetjen edhe të materialeve të rëndësishme arkeologjike.
Për këtë arsye, është e nevojshme, sikurse është propozuar nga arkeologët, që të vazhdohen më tej kërkimet në këtë shpellë, për zbulimin eventual edhe të materialeve të tjera arkeologjike me vlerë, si dhe të kryhen analiza dhe ekzaminime të tjera antropologjike.
Sidoqoftë, për gjithҁka që është bërë deri tani këto vitet e fundit, për ekzaminimin e eshtrave të kësaj shpelle, unë ndjej një kënaqësi të madhe, sepse u arrit më në fund ky përcaktim, të cilin unë u përpoqa shumë ta bëjë afro 30 vite më parë, por që nuk munda. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016