Nga Zylyftar Hoxha
Memorie.al / “Pas 10-vjetësh pune në Komitetin Qendror të Rinisë, në shkurt të vitit 1972, transferohem në Universitet si Rektor i tij. Megjithëse puna në Universitet më lidhte përsëri me rininë, ndjeva keqardhje e dhembje që u largova, jo thjesht se tanimë s’do ta ndjeja më veten aq të ri, por kryesorja se për aq vite sa punova me rininë, dhashë për të, pa kursim, aq sa munda nga shpirti e sinqeriteti rinor. Por, e them me bindje të plotë, që mora e mësova nga rinia, shumë më tepër se ç’dhashë. E quaj privilegj, që u jep jeta atyre njerëzve që në një mënyrë apo në një tjetër, u takon të jenë e të punojnë në mes të rinisë. Jam i lumtur që një privilegj të tillë e pata edhe vetë në jetë.
Po flas pak për sekretarët e parë të Komitetit Qendror të Rinisë që nga themelimi, 1941 e, deri tek unë. Ishin gjithsej 8 vetë, e nga këta vetëm Ramiz Alia, pati fatin të mbijetonte e të ngjiste shkallët e karrierës, deri në udhëheqës numër një të Partisë.
Ja fare shkurt historia e jetës së tyre: Qemal Stafa, vritet në luftë nga fashistët italianë, që më 5 maj 1942: Pasuesi i tij, Nako Spiru, bie viktimë e intrigave të Enver Hoxhës e vetëvritet disa vite më vonë: Alqi Kondi, vdes aksidentalisht: Liri Belishova, shpallet nga Enver Hoxha, armike e partisë, dënohet e internohet:
Qamil Buxheli, i ngarkuar për pak kohë si organizator i rinisë në Komitetin Qendror, dënohet e persekutohet: Todi Lubonja shpallet armik, internohet e burgoset për 18 vjet me radhë. Pas tij edhe unë, përjashtohem nga Komiteti Qendror i Partisë e nga partia, e gjysmë internohem në Laç”.
Është një pasazh ky i shkëptur nga libri “Ëndrra dhe zhgënjime”, të Agim Meros, ish-sekretar i parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë nga viti 1962, deri në ’72-in. Duke marrë shkasë nga ky fragment, vazhdojmë më tej bisedën me të.
Zoti Mero, a mund të na thoni pse ndodhte kështu, mirë me të vjetrit, që i kishte konkurrentë, po me të rinjtë ç’kishte?
Për këtë fat të tyre ka shumë “pse”, që kërkojnë përgjigje, por, sigurisht, njëra nga përgjigjet mund të jetë që Enver Hoxha, duke njohur reputacionin e tyre në rini, i konsideronte si njerëz, që mund të sillnin shqetësime e telashe dhe ai ua priste “fluturimin” e tyre, që në fillim. Edhe kjo ishte një shëmbëlltyrë “staliniste”, sepse kështu kishte ndodhur edhe në Bashkimin Sovjetik, më sekretarët e parë të rinisë.
Ju shkuat rektor në Universitet, pse e quani këtë ndërprerje “fluturimi”?
S’e kuptova dot, pse u mendua të shkoja unë në atë kohë në Universitet?! Dy gjëra më shqetësonin më shumë: e para, se shkoja si drejtues, tek ish profesorët e mi, dhe e dyta, se unë s’kisha asnjë titull a gradë shkencore dhe do ta ndieja veten ngushtë, midis gjithë atyre intelektualëve, duke filluar nga ata të brezit më të vjetër, si: Eqerem Çabej, Aleks Buda, Selman Riza, Shaban Demiraj, Karajani, Kol Popa, etj.
Por, kur e shfaqa këtë rezervë në Komitetin Qendror të Partisë. më thanë: “Mos e përfytyro rektorin te ne me raso e veladon, si në vendet e tjera”! Në këto vite edhe Universiteti, ishte në procesin e “revolucionarizimit”.
Si e gjetët Universitetin?
Në atë kohë që shkova unë aty kishte filluar zbatimi i “trekëndëshit revolucionar”, por ndiheshin kërcitjet e vështirësive, të mungesave materiale, të bazës së dobët mësimore, por mbi të gjitha ishte akut niveli i ulët i mësimdhënies, që nën parullën e futjes të frymës së klasës punëtore e, të garancive politike në Universitet, ishin marrë nga “baza”, shumë pedagogë të paaftë e mediokër.
Në zbatim të një fjalimi të Enver Hoxhës, mbi cilësinë e punës mësimore në shkollë, Ramiz Alia mbajti një referat me pedagogët e Universitetit, ku, midis të tjerave, tha: “Të paaftët e mediokrët, s’kanë vend në Universitet, se mediokriteti pjell mediokritetin”.
Me mënyra nga më të ndryshmet filluam përpjekjet për të evidentuar të paaftët e, për t’i larguar ata nga Universiteti. Reaksioni qe i madh dhe i fuqishëm e, largimi i tyre mori trajtat e një lufte të vërtetë, për të mos thënë të një aventure nga ne. Një ditë erdhi të më takojë një nga profesorët e njohur Androkli Kostallari dhe më tha; “Po të arrihet që të largohen nga Universiteti të paaftët, kjo do të jetë, pas themelimit të vetë Universitetit, fitorja dhe ngjarja më e madhe”.
“Po ki kujdes e parasysh – vazhdoi – në Universitet të paaftët përbëjnë shumicën dhe ka rrezik që në vend të tyre, të ikin të aftët”. Dhe, nëse nuk ndodhi tamam ashtu, të paaftë ikën shumë pak, që u rikthyen pas 2-3 vjetësh, ndërsa jo më pak se aq, ikën edhe të aftë, të cilët nuk di nëse u kthyen më në Universitet, pas stazhit të “kalitjes”, në bazë.
Në kohën që keni qenë ju rektor ka edhe ngjarje të mëdha të shkencës dhe të kulturës sonë kombëtare?
Është e vërtetë. Në vjeshtë të vitit 1972, dy ngjarje shkencore me rëndësi kombëtare, u organizuan nga Universiteti: Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, në shtator; dhe Kongresi i Drejtshkrimit, në nëntor. Historianë dhe gjuhëtarë të shquar nga vendi, nga Kosova dhe nga shumë vende të tjera të botës, vunë në dukje, në këto dy tubime historike, kulturën e lashtë dhe prejardhjen e saj ilire të historisë dhe të gjuhës shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit.
Referatet e kumtesat e Androkli Kostallarit, Aleks Budës, Eqerem Çabejt, Idriz Ajetit, etj., ishin bazamenti i fuqishëm shkencor, ku u mbështetën konkluzionet e vendimet e Kuvendit e të Kongresit. Ashtu si Kuvendin, por veçanërisht Kongresin e Drejtshkrimit, Enver Hoxha i ndoqi me kujdes të veçantë. Ai pyeste e dëgjonte veçanërisht me vëmendje, mendimet e studiuesve kosovarë, për gjuhën e njësuar dhe vlerësoi sidomos mendimet e Çabejt, për karakterin konvergjent të gjuhës letrare shqipe.
Çfarë mbani mend nga Kongresi i Drejtshkrimit?
Kam një detaj nga ajo ngjarje. Kur u mbyll kongresi, Enver Hoxha takoi me radhë shkencëtarët e gjuhëtarët që mbajtën referatet e kumtesat dhe u ul për të pirë kafe, midis Eqerem Çabejt dhe Aleks Budës. Aty ai deklaroi se së shpejti do të krijohej edhe Akademia e Shkencave, duke vlerësuar në këtë rast, aftësitë shkencore, si të Çabejt, ashtu dhe të Budës. Kjo dha shkas që në opinionin intelektual, të diskutohej se një nga këta të dy do të ishte kryetari i ardhshëm i akademisë. Dy muaj më vonë, kur u inaugurua Akademia, Enver Hoxha konsideroi si më të përshtatshëm kryetar të saj, Prof. Aleks Budën.
Si Çabej, ashtu dhe Buda, të dy të shkollës austriake, kishin “njollat” e tyre në biografi, nga të cilat si më të voglat Enver Hoxha quante të Aleks Budës. Kur Enver Hoxha e thirri Aleks Budën për t’i komunikuar vendimin për ketë, s’di sa është e vërtetë, Aleks Buda, me zgjuarsinë e buzëqeshjen e tij karakteristike, i tha: ”- Shoku Enver, ky është gabimi i parë i madh që bën Partia, duke më caktuar mua kryetar të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë”.
Aleks Buda ishte një intelektual i formuar, erudit, me kulturë perëndimore. Atëherë veprimi i Enver Hoxhës, për ta emëruar kryetar të akademisë, u konsiderua si një sinjal që bëhej në përputhje me frymën liberale të asaj periudhe, që dha shpresa për ndryshime pozitive. Mbi të gjithë, në këto veprimtari, spikaste figura e Eqrem Çabejt, në radhë të parë si e një gjuhëtari të madh, por jo më pak edhe të një historiani të tillë, me përmasa poliedrike.
Ndonjë detaj tjetër?
Në pushim, pas seancës së parë të Kongresit të Drejtshkrimit, ku mbajti referatin kryesor Prof. Androkli Kostallari, që ishte në atë kohë Drejtor i Institutit të Gjuhësisë, Enver Hoxha e pyeti që i kujt ishte ai citati për gjuhën, me të cilin Androkliu mbylli referatin. Androkliu u gjend pak si ngushtë, se e dinte fare mirë të kujt ishin ato fjalë, por njëkohësisht dyshoi se dhe vetë Enver Hoxha mund ta dinte dhe me ndrojtje tha se ato fjalë, i kishte marrë nga një kryeartikull i gazetës “Albania”, që botohej në Bruksel.
“Me siguri – tha Enver Hoxha – do t’i ketë thënë Konica. Bukur i ka thënë”. Citati i Faik Konicës, ishte: “Ne parandiejmë, në agimin e së nesërmes, një Shqipëri të lulëzuar e intelektuale, ku do të rrojë plot gjallëri, një rini e etshme për dije, e dhënë pas artit, bukurisë dhe punës. Këta shqiptarë të rinj do të gjykojnë me një drejtësi mëshirëplotë përpjekjet tona, të shartuara me dështime, ngadalësi e paaftësi, por plot çiltërsi të zjarrtë. Ata do te shqyrtojnë me të gjitha mjetet e dokumentit e të kritikës, se ç’ishte gjuha jonë e djeshme dhe ç’do të jetë gjuha e tyre e nesërme, gjuha, në të cilën ata do të shprehin mendimet e tyre ose ëndrrat e tyre. Kësaj gjuhe plot muskuj, ëmbëlsi e mprehtësi ata do t’i kërkojnë datën e lindjes dhe do të dinë ta përcaktojnë atë”.
Agim Mero: DY KËNDE TË PANEVOJSHËM TË “TREKËNDËSHIT REVOLUCIONAR TË SHKOLLËS”
- Pjesë nga libri ‘Ëndrra dhe zhgënjime’ –
Në kuadrin e revolucionarizimit të jetës së vendit, kishte filluar tek ne “revolucionarizimi i shkollës”, duke pasur si lajtmotiv porosinë e Enver Hoxhës: “Për boshtin ideologjik marksist-leninist”. Lidhur me këtë u bënë diskutime dhe u ndërmorën masa e nisma nga më të çuditshmet. deri sa u konkludua se gjithë jeta e veprimtaria e shkollës duhej të përmblidhej në “trekëndëshin revolucionar”: “Mësim, Punë, Kalitje ushtarake”.
Pjesa më e shëndoshë e trupit mësimor dhe e inteligjencës insistonin, pa kundërshtuar haptazi, dy këndet e tjera të atij trekëndëshi, që baza e shkollës duhet të ishte mësimi, përfitimi i dijeve. Dhe kjo ishte një fitore e sprovës që dha shkolla jonë, që me dinjitet nxënësit e studentët tanë janë matur edhe me shkollat prestigjioze të shumë vendeve të tjera. Nën parullën e interesit të përgjithshëm mbi gjithçka, u ndërmorën nisma për heqjen e honorarëve, për heqjen e pastrueseve të shkallëve, për ta bërë atë punë vetë banorët.
Në lagje aktivistët e frontit kontrollonin për antenat e televizorëve e, demaskoheshin në mbledhjet e popullit ata që dyshohej se shikonin stacione të huaja televizive. Duke biseduar për këto, një ditë Dritëroi na tha: “Unë tani kam frikë nga dy gjëra, nga gazeta ‘Bashkimi’ dhe nga lagjja”. Sepse gazeta “Bashkimi”, inkurajoi heqjen e honorarëve dhe se në lagje e kishin kritikuar, se nuk dilte të pastronte shkallët e pallatit ku rrinte.
LETËRSI PA DASHURI, SI QOSET PA…!
Në ketë kohë, Komiteti Qendror i Rinisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, organizuan një takim me talentet e reja të letërsisë. Isha pranë Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit e, dëgjonim me vëmendje diskutimet e të rinjve letrarë. Na bëri përshtypje që asnjëri prej tyre nuk foli për temën e dashurisë në krijimtarinë e tij, thuajse ata ishin pleq apo njerëz asketë. Sigurisht, kjo s’mund të besohej, por ata konfirmoheshin me kohën dhe druheshin ta preknin këtë temë. Sa me keqardhje, aq dhe me humor therës, Ismaili na tha: – “Brezat që do të vinë, kur të lexojnë veprat e këtij brezi, do të thonë, që këta paskan qenë qose”.
“Ndërsa kritikët –shtoi Dritëroi – do të zbulojnë që në gjirin e realizmit socialist, ka ekzistuar edhe një rrymë e veçantë ‘qoseizmi’”. I vetmi organ për të rinjtë, ku botonin krijimet e tyre, ishte faqja letrare e “Zërit të Rinisë”.
Kolektivi kurajoz i kësaj gazete, ku kanë punuar njëri pas tjetrit, shkrimtarë e poetë të njohur si; Jakov Xoxe, Fatos Arapi, Agim Cerga, Vath Koreshi, Loni Papa e, gazetarë të aftë si Luan Dibra, Liri Lubonja, Z. Gurakuqi, e me bashkëpunëtorë, që nga Ismail Kadareja, tek Bedri Dedja e Nasho Jorgaqi, Aleko Minga, Petrit Skëndi e Mina Naqe, hapte gjithmonë dritare për të rinjtë.
Në atë gazetë, ka botuar vjershat e tregimet e para Ismail Kadarea. Edhe atëherë, kur organe të tjera nuk botonin ndonjë krijim të tij, ai gjente vend në faqet e “Zërit të Rinisë”, siç ndodhi me tregimin “Nudo”, etj. Botoi “Baladën çame”, Bilal Xhaferi e vjershat e tij, Trifon Xhagjika. Memorie.al