Memorie.al / Nuk ishte vetëm revolta e Spaçit. Në vitin 1973, edhe gratë e burgosura në Kuçovë, kishin shpërthyer në revoltë, duke detyruar regjimin komunist të Enver Hoxhës, të reflektonte për kushtet e tmerrshme në burgje. Me 24 maj 1973, në Burgun e Spaçit, do të niste ajo që njihet në dokumentacionin zyrtar si; “Revolta e Spaçit”. Thirrjet për shembjen e regjimit diktatorial, ishin nxitur nga një varg pakënaqësish që lidheshin me trajtimin antinjerëzor në atë kamp. Por dukej se gjendja në të gjithë burgjet dhe kampet e Shqipërisë, ishte e tmerrshme. Qelitë ishin të mbipopulluara dhe kushtet poshtë çdo parafytyrimi njerëzor, kishin ngjallur revoltë gjithkund.
Plot 45 ditë pas kësaj ngjarjeje në Spaç, e cila i kishte dridhur gjunjët regjimit komunist, një tjetër revoltë kishte vrundulluar në Kuçovë, me 9 korrik 1973, këtë herë nga një grup grash të burgosura të cilat, kishin shpërthyer qelitë e ishin përleshur me gardianët e burgut.
Informacioni i mëposhtëm është hartuar nga prokurori i rrethit të Beratit të asaj kohe, Orhan Frashëri dhe i adresohet Prokurorit të Përgjithshëm të republikës, Dhori Panariti. Ai i shpjegon në detaje të gjithë hallkat e ngjarjes, ndërsa pas kësaj shkrese, Prokurori i Përgjithshëm, Panariti, bën nj analizë të gjendjes, duke shpjeguar se kushtet e rënda në burgun e grave në Kuçovë, kishin çuar në shpërthimin e kësaj revolte.
RAPORT-INFORMACIONI I PROKURORIT TË BERATIT, ORHAN FRASHËRI, PËR PROKURORIN E PËRGJITHSHËM TË REPUBLIKËS, DHORI PANARITI, PËR NGJARJEN NË BURGUN E GRAVE NË KUÇOVË
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIA E RRETHIT
(Sek. IV)
Nr. 226 Prot.
Berat, më 12.07.1973
PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
TIRANË
INFORMACION MBI NGJARJEN E NDODHUR NË DATËN 09.07.1973, NË REPARTIN 318 TË QYTETIT STALIN
Komanda e Repartit 318, e Qytetit “Stalin” duke filluar qysh nga muaji qershor 1973, për mos aktivizimin dhe për refuzim të marrjes pjesë në punë, kishte vendosur në regjim burgu, 17 të dënuar, dhe 3 në izolim.
Të dënuarit e tjerë, kishin sinjalizuar se në orët e lira të qarkullimit, të 17 të dënuarve, nëpërmjet derës së jashtme, u futeshin brenda sende ushqimore dhe cigare.
Në datën 09.07.1973, rreth orës 15, roja e brendshme Leonora Kristo, gjen të dënuarën Pranvera Ceri, që po merrte një qeskë të mbushur me ushqime e cigare. Meqenëse ky veprim ishte në kundërshtim me kreun VI të rregullores, lidhur me sigurimin dhe regjimin e brendshëm të të dënuarve në kamp, roja e brendshme menjëherë njofton Komandën e Repartit e cila, ndaj të dënuarës Pranvera Ceri, megjithëse ishte e dënuar më parë, përsëri u mor masë izolimi, duk i lidhur duart dhe për mungesë vendi, e lanë në korridorin e brendshëm.
Gjatë kësaj kohe që kjo e dënuar qëndron në korridor dhe e lidhur, të dënuarat e tjera në regjim burgu, tentojnë në mënyrë të organizuar, për ta ndihmuar shoqen e tyre dhe për këtë nën kryesinë e të dënuarës Yllka Tare, energjikisht hidhen në veprim me qëllim që të dilnin jashtë në korridor dhe të merrnin në mbrojtje shoqen e tyre.
Për të realizuar këtë qëllim, filluan me duar të prishin derën e dhomës së izolimit, në pjesën e sipërme, duke rrëzuar një copë dërrasë e pastaj, me forcën e tyre prishën pjesën e sipërme të murit dhe si rrjedhim, që të gjitha dolën jashtë në korridorin e brendshëm. Këtu menjëherë u hodhën në veprime, duke këputur kokat e fijeve të shkrepëseve, pasi i grumbulluan ato i vendosën mbi hekurat dhe pastaj i vunë zjarrin, me shpresë që të zgjidhnin duart e shoqes së tyre Pranvera Ceri.
Ky veprim nuk u dha asnjë rezultat. Atëherë të dënuarat për të kundërvepruar ndaj personelit të shërbimit, u pajisën me dërrasa dhe tjegulla, nga prishja e derës së dhomës së izolimit. Të dënuarat kishin vendosur se kush do të denonconte në komandën e repartit, për të gjitha këto veprime që po kryheshin nga ana e tyre, ato do të merrnin masa, duke e rrahur deri në vdekje. Gjithashtu kishin urinuar nëpër pagure, që kur të vinte personeli i shërbimit, t’ua hidhnin në fytyrë.
Komanda e Repartit 318, duke u ndodhur përpara kësaj situate anormale, vuri në gjendje gatishmërie repartin, njoftoi Degën e Punëve të Brendshme të Beratit dhe kërkoi që të vinin në ndihmë policë të tjerë, meqenëse të dënuarat kategorikisht nuk pranonin që të largoheshin nga korridori dhe të futeshin në dhomat e izolimit.
Në këto rrethana Komanda e Repartit, për të stabilizuar gjendjen dhe për të evituar çdo të papritur, vepron me forcë, duke lidhur dhe 10 të dënuara të tjera të cilat, kishin rrahur dhe të dënuarën Gjyleta Arshini, e cila kishte informuar Komandën e Repartit.
E dënuara Gjyleta Arshini, është rrahur aq shumë, saqë i janë shkaktuar plagë dhe për këtë është marrë raporti nga mjeku, për “plagosje të lehtë”. Gjatë kohës që të dënuarat refuzonin me këmbëngulje për t’u larguar nga korridori, e dënuara Yllka Tare, thërriste më fort: “Le ta marrin vesh se kush jemi ne. Këta s’kanë se ç’na bëjnë”, etj.
Komanda e repartit lidhur me këtë çështje, nuk ka pasur asnjë sinjalizim se do të kryheshin këto veprime të hapëta, për të mos zbatuar me përpikëri rregullat e brendshme të kampit e, sidomos ta shoqëronin kundërshtimin e tyre të hapët, me thyerjen e derës, rrëzimin e murit, daljen në korridor dhe marrjen në mbrojtje të shoqes së tyre, të dënuarës Pranvera Cere.
Edhe në rrugë operative, nuk rezulton asnjë e dhënë lidhur me zhvillimin e kësaj ngjarjeje, e cila shprehu në mënyrë të hapur pakënaqësinë që kanë këto të dënuara ndaj personelit të shërbimit dhe në përgjithësi zbatimit të urdhrave që u janë dhënë, nga ana e tyre. Shokët e Degës së Punëve të Brendshme, kanë vënë detyrë në rrugë operative, për të konkretizuar nëse ka gisht elementi armik, brenda në kamp.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë që ka kryerja e veprimeve të kundërligjshme nga ana e të dënuarave, mbështetur në prova materiale, u fillua çështja penale në adresë të 11 të dënuarave, për krimin e fyerjes së përfaqësuesit të pushtetit, paragrafi II, si dhe për krimin e plagosjes. Kemi vendosur që hetimin ta përfundojmë shumë shpejt dhe në bashkëpunim me gjykatën, brenda në kamp, do të organizojmë gjyqin.
Duke marrë shkak nga kjo ngjarje, fakti që gjatë vitit 1972, janë marrë masa për 56 raste të shkeljeve të rregullave të kampit dhe janë dënuar 31 me masa disiplinore, fakti që për 6-mujorin e parë të këtij viti, ka pasur 34 raste të shkeljeve të rregullave, grindje, rrahje dhe fyerje nga ana e të dënuarave me njëra-tjetrën.
Si dhe faktin që të dënuarat për këtë ngjarje që kanë marrë pjesë janë dënuar për krime ordinere e, sidomos midis tyre ka dhe përsëritëse, hetimi dhe gjykimi i shpejtë, si dhe dënimi, do të ndikojnë pozitivisht te të dënuarat, për të zbatuar rregulloren mbi administrimin e kampeve si dhe çdo urdhër që u jepet nga ana e personelit të shërbimit.
Duke marrë shkak nga kjo çështje, me qëllim që të luftohet aty-këtu ndonjë shfaqje liberalizmi nga ana e personelit të shërbimit në kamp dhe të rritet vigjilenca revolucionare e tyre, mendojmë, në mënyrë urgjente, të merren këto masa:
1 – Të analizohet në mbledhjen e personelit në kamp shkaqet të cilat ndikuan në zhvillimin e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme në kamp.
2 – Së bashku me shokët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, shokun Sami Kamberi, konkluduam se kampi nuk është i siguruar ashtu siç kërkohet e, sidomos nga jashtë në periferi të tij, urgjentisht duhet të merren masa për ta forcuar.
Gjithashtu u sugjerua për shtimin dhe zgjerimin e kampit e sidomos veçimin e të dënuarve.
3 – Duke marrë shkas nga kjo çështje, ka ardhur koha që të studiohet shtimi i personelit në organikën e kampit, mbasi kështu siç është organika, jo vetëm që numri i të dënuarve është rritur në krahasim me të kaluarën, por me vështirësi zbatohen kërkesat e rregullores, në drejtim të shërbimit ndaj të dënuarve si dhe të sigurimit të tyre.
Propozojmë në qoftë se do të shikohet e arsyeshme të organizohet një mbledhje e përbashkët nga organet tona qendrore: Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e lartë ku të thirren titullarë e tre organeve të mësipërme të atyre rretheve ku ka burgje dhe kampe.
Në këtë mbledhje për të rritur vigjilencën revolucionare në frymën e fjalimeve të kohëve të fundit të shokut Enver të jepen orientime se si duhet të ruhet raporti midis edukimit dhe shtrëngimit në kushtet e burgjeve dhe kampeve të riedukimit.
Prokuroria e rrethit duke marrë shkak nga kjo çështje brenda muajit korrik do të marrë në shqyrtim gjendjen në kamp dhe masat që duhen marrë në drejtim të forcimit të kontrollit të ligjshmërisë.
PROKURORI I RRETHIT
(Orhan Frashëri)
INFORMACIONI I PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM, DHORI PANARITI, DËRGUAR SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, HAKI TOSKA, MBI REVOLTËN E BURGUT TË GRAVE NË KUÇOVË
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIA E PËRGJITHSHME
(Drejt. Kont. Vep. hetimore)
Nr. 2298/
Tiranë, më 26.10.1973
SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
(SHOKUT HAKI TOSKA)
TIRANË
Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin “Mbi gjendjen e të dënuarave në Repartin 315 Qytet-Stalin”. Këtë informacion ia kemi dërguar edhe shokut Kadri Hazbiu.
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
(Dhori Panariti)
Sh. Rrapi,
Jepja edhe sh. Qemal Myrseli që ta shikojë.
31.10.1973
Haki Toska
Mora njoftim.
03.11.1973
Qemal Myrseli
RAPORT-INFORMACIONI I PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM, DHORI PANARITI, MBI GJENDJEN E BURGUT TË GRAVE NË KUÇOVË
INFORMACION MBI GJENDJEN E TË DËNUARAVE NË REPARTIN 315
“QYTETI STALIN”
Gjatë vitit 1972 e, deri në muajin shkurt 1973, vendosja dhe ndarja e të dënuarave gra në repartin 315 në “Qytetin Stalin”, ka qenë sipas kritereve të përcaktuara në rregullore. Pas kësaj periudhe, gjendja ka ndryshuar dhe për pasojë janë shkelur kriteret e rregullores, për fjetjen e të dënuarave.
Kapaciteti i dhomave për fjetje në repart, është vetëm për 180 të dënuara, ndërsa numri i të dënuarave, vjen gjithmonë duke u rritur. Në vitet e mëparshme dhe gjatë vitit 1972, në repart kanë vuajtur dënimin, jo më shumë se 190 të dënuara, duke filluar nga muaji maj i vitit 1973 e deri tani, numri i të dënuarave për krime të ndryshme, ka arritur në 296.
Duke pasur gjatë 6-7 muajve të këtij viti, një rritje prej gati 120 të dënuara më shumë se në vitin e kaluar, komandës së repartit, i është dashur që në dhomat e fjetjes, të vendosi më shumë të dënuara nga kapaciteti që ato kanë. Po kështu është shkelur edhe kriteri, për vendosjen e të dënuarave sipas krimeve.
Në dhoma janë vendosur së bashku edhe të dënuara për më shumë se dy krime. Shkelja e kritereve të rregullores, ndikon negativisht në drejtim të riedukimit të të dënuarave.
Si pasojë e shtimit të numrit të të dënuarave në këtë repart, gjatë këtij viti janë kthyer në dhoma fjetjeje edhe dhoma e mjekimit dhe lavanderia. Një gjendje e tillë, ka keqësuar mbajtjen e një ambienti të rregullt higjieno-sanitar në dhomat e fjetjes e, në korridore. Veç këtyre, sot 40 të dënuara flenë përtokë, në çimento.
Në këto kushte mendojmë se duhen marrë masa të shpejta me qëllim që të gjejnë zbatim të plotë kërkesat e rregullores. Memorie.al
Tiranë, më 22.10.1973
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
(Dhori Panariti)