Nga Hyqmet Zane
Memorie.al / “Kasandrat” e ish – Sigurimit të Shtetit, gjithnjë kanë ekzistuar si të tilla dhe që kanë qenë gjithnjë si heshta të ngritura për të bërë kurthe dhe njollosur këdo, që nuk ishte pjesë e “kasandrës” dhe që nuk u bindej pronarëve të tyre. Një i pabindur i “kasandrës” së Sigurimit të Shtetit, pa dyshim që ishte edhe Hilmi Seiti, autoriteti i padiskutueshëm në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat, për veprat pozitive që ka bërë, që u bë viktimë e sigurimit që ai mendoi se i shërbente me mënyrën e tij më të mirë, por njerëzore. Sa herë që i përmendet emri këtij njeriu, në Shkodër e cilësojnë “Baca Hilmia”, çka është edhe një vlerësim për punën e tij, jo si funksionar i Sigurimit, por si njeri para së gjithash. Dalja në skenë herë pas here e disa zërave, që thonë e flasin pa fakte të dokumentuara dhe që rrëfejnë pas 25 vjetësh demokraci, ato që nuk i di askush e që nuk i ka besuar askush, na bën t’i rikthehemi personazhit të Hilmi Seitit.
Siç del tani ndonjë person i vetëm që tregon histori “kasandrash”, sikur ka jetuar përkrah njerëzve të Sigurimit të Shtetit që erdhën pas tij, si Feçor Shehu, (pas vdekjes së Hilmi Seitit) dhe i bënin fresk në xhirot e mbrëmjes e, na i sjellin si gojë-zeza kasandrash tipike sigurimsash. Lind pyetja: Ku ishin në këto 25 vjet, ku dhe cilët janë viktimat, çfarë bëjnë ato, po fëmijët e tyre ku janë, apo imagjinata e një njeriu të vetëm, mbush dynjanë nga largësitë në kohë dhe në hapësirë?
Gjithsesi, plot 64 vjet më parë, një truk i Sigurimit të Shtetit eliminoi fizikisht një njeri të dëgjuar për bëmat e tij, në kryeqendrën e anti-komunizmit, në Shkodër. Them fizikisht, sepse legjenda për Hilmi Seitin, jeton edhe sot në Shkodër, çamin e jashtëzakonshëm. Një funksionar i Sigurimit të Shtetit, që në vend të ishte armiku, ishte miku për shumë kundërshtarë të regjimit.
Për Hilmi Seitin dëgjova rreth 25 vjet më parë, nga Lutfi Sejko, me prejardhje nga Filati, një ish – i përndjekur politik, si pjesë e të ashtuquajturit; “Grup armiqësor i Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. “Në Shkodër e respektonin dhe njihnin si Bacë Hilmija”, më tregoi filatasi Sejko, i cili kishte qenë dëshmitar okular, në shumë nga ngjarjet që tregonte për Hilmi Seitin.
Por jo vetëm Lutfi Sejko, por edhe çdo shkodran që takoja rastësisht dhe merrte vesh që isha nga Çamëria, menjëherë më përmendte emrin e Hilmi Seitit duke më folur me superlativa për sjelljen e tij prej babaxhani duke thënë epitetin; “Baca Hilmija”, që shpesh thuhet për burrat me dinjitet dhe njeriu që nuk bënte keq, por kishte gjithnjë raste të ndihmonte këdo, jo për ti futur në burg por për ti dhënë mundësinë të ndërtonte jetën në familje.
Më ka rastisur shpesh të dëgjoj fjalë të mira nga shkodranë për Hilmiun, edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite që nga vdekja e tij e mistershme. Kanë kaluar 64 vjet që nga ajo ditë prilli, kur pasi ishte kthyer nga Tirana dhe pas një bisede me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit në Shkodër, ndërroi jetë. Lajmi mori dhenë dhe funerali i këtij burri të Çamërisë, ka qenë i madh dhe i veçantë.
Sot me të drejtë mund të themi, se ajo që ndodhi me Hilmi Seitin ishte prologu i një gjenocidi të ri që do të zbatonte Sigurimi i Shtetit dhe udhëheqja e asaj kohe ndaj çamëve dhe çdo personaliteti të kësaj krahine, që pa diskutim, kishin kontribute në Luftën Antifashiste dhe ishin djem nga familjet më të mira të Çamërisë.
Pasi shkrova shumë vite më parë një artikull për këtë personazh të Çamërisë me kontribute të respektuara në luftën antifashiste, pati një reagim nga një tjetër shkrues që krijoi indinjatë për mënyrën se çfarë tha dhe kërkonte të mbushte mendjet e lexuesve. Një zonjë nga Shkodra, e vjetër në moshë, më telefonoi dhe më tha se; “Hilmija mbetet për mu një burrë i naltë. Aj na trajtonte ne si motra edhe pse ishim të persekutume nga regjimi. E kam rujt në kujtes mënyrën si aj sillej me na dhe asnjëherë nuk niva kand të më thoshte i fjalë për Hilmin. Aj ishte burrë prej Çamërie”!
Në të gjithë Shqipërinë filloi një thashethemnajë tipike e sigurimit që e shfrynte me njerëzit e vet në çdo qytet me mjetet e veta të kasandrave tipike staliniste, duke thënë edhe fjalët që vetëm grekët i përdornin nda çamëve duke i quajtur “të pabesë” se edhe vetë brenda Byrosë së Enverit ishin grekët e përzemër të tij. Por, siç e pohonte Hektor Sejko, djali i Tahos që jetuan në Shkodër, të thotë me vërtetësi dhe seriozitetin që e karakterizon se; “në Shkodrën antikomuniste, nuk thuhej asnjëherë kjo fjalë se Hilmi Seiti kishte krijuar portretin e çamit të besës, që ia ruajnë këtë cilësi edhe sot e kësaj dite”.
Nuk është një kujtesë thjesht vitesh, por është një ri-kujtesë për atë opinion që shpesh ka shoqëruar komunitetin çam, ku veç burgosjeve dhe vrasjeve e shumë e shumë ligësive të tjera, që përdori diktatura e Enver Hoxhës, reminishencat e së shkuarës nuk mund të zbehin forcën e origjinës dhe vitalitetin e një treve që me plot gojën mund të thuhet se është sa e persekutuar, aq edhe dinjitoze, sa e masakruar, aq edhe krenare.
Janë të shumta ato që janë e stërthënë për Hilmi Seitin sa një i përndjekur politik shkodran, kantautori i verbër, Gjok Vata, e citon me shumë respekt në librin e tij. Për më shumë, edhe vetë djali i Hilmi Seitit, që fatkeqësisht nuk e njohu babanë e tij, se ishte motak, e kujton kështu babain e tij, si një përgjigje fisnike për thashethemexhinjtë e rëndomtë:
“Babanë e kam parë për vite të tëra vetëm në fotografi: i pashëm, i thjeshtë, sy të zgjuar dhe autoritarë. I vogël e shikoja në ëndërr. Dëgjoja për babanë nga të panjohur, që më përqafonin. E kërkoja, më tregonin. Pyesja nënën time. Më tregonte sa humor kishte, sa i dashur ishte. Të gjithë (rreth meje) tregonin. Vitet kalonin, por njerëzit nuk reshtnin, tregonin…”, – thotë i biri Agimi.
“Si të quajnë? Çfarë e ke Hilmi Seitin? Ka qenë burrë! E ka dasht gjithë Shkodra…! Mori vesh se filani donte të arratisej…! E thirri… i tha shko të fillosh punë…”! Me dhjetëra histori, njerëzish të thjeshtë, ai vazhdon t’i dëgjojë edhe sot. Nuk besoj të jenë të shumtë ata njerëz të cilët, duke mos e njohur babanë e tyre të gjallë, ta kenë njohur aq mirë në marrëdhënie me të tjerët dhe në punën e tij.
Një punë mjaft delikate. Përballje me njerëzit, eprorët, me veten. I rritur jetim, larg shtëpisë, ndër ata çamë të mitur të ndihmuar nga paria e Çamërisë, për të shkuar në shkollë. Nëpër konvikte, në Luftë, në internim, në luftë me jetën, i vetëm dhe njëkohësisht me shumë shokë e miq, por që në asnjë çast nuk pranonte hipokrizinë.
Djali Agimi, tregon se pas viteve ’90-të, u shkrua periodikisht në gazeta të ndryshme dhe e vërteta mbi vdekjen e babait filloi të kristalizohet dhe të përputhet me dyshimin e hershëm të nënës. “Mësuam që Hilmi Seiti ishte kritikuar rëndë për zbutje të luftës së klasave. Mësuam që, zyrtarisht, Hilmi Seiti; ‘nuk gjente gjurmë të veprimtarisë armiqësore të klerit në Shkodër’, megjithëse kjo i ishte kërkuar që në fillimet e viteve ’50-të″, shprehet ai.
“Ri-dëgjuam, atë që dinim, që me gjithë profesionin specifik që kishte zgjedhur, ndryshe nga shumë drejtues të lartë të Sigurimit të Shtetit e Policisë, Hilmi Seiti, kishte ditur të bënte dallimin ndërmjet mjerimit dhe ideve. Babai im, gjeneral-major Hilmi Seiti, e kishte zgjedhur rrugën e tij dhe si njeri me integritet dhe me një inteligjencë të rrallë, u përpoq të bënte më të mirën, në atë mori djallëzish e mizorish gati mesjetare të kohës. Por ai nuk mund të bënte çmenduri.
E vetmja çmenduri që bëri im atë, ishte që nuk e shiti Çamërinë, që nuk mundi të pranonte tezën antishqiptare se; çamët, ky popull kaq i zgjuar, vital dhe patriot, ishin në shërbim të Greqisë. Eliminimi i tij ishte pa dyshim vepër e kupolës drejtuese të shtetit komunist dhe i hapi rrugën jo vetëm realizimit të ‘komplotit çam’, por edhe spastrimit të brezit intelektual e të shkolluar çam, që me aq kujdes e vështirësi ishte formuar nga paria dhe familjet aq punëtore të Çamërisë.
Kjo qe goditja e radhës dhe më e ndyra që merrte popullsia atdhedashëse çame, por që këtë herë i vinte nga nuk e priste dhe për më tepër, e etiketonte si të pabesë”, thotë Agimi.
Agim Seitit i ra në dorë rastësisht libri “Ditari i kujtimeve të mia”, i shkruar nga Gjokë Vata. Një miku i tij, shkodran, Anton Daka, biri i një familjeje të nderuar që iu privua jeta në liri në kohën e diktaturës, si babait të tij, Nikolla Daka, e takoi dhe i tregoi për këtë libër, brenda të cilit, autori flet me shumë respekt, për gjeneral-major Hilmi Seitin.
“U befasova dhe e lexova menjëherë, aq më tepër kur mora vesh se autori ishte i verbër. Problemet që kam edhe unë vetë me sytë, më bëjnë të besoj e të respektoj më shumë këtë kategori njerëzish që u mungon gjëja e shtrenjtë e jetës”, tregon Agimi, i cili ka përzgjedhur disa paragrafë nga ky libër, ku flitet për çamin-gjeneral Hilmi Seiti.
Fragmente nga libri i Gjok Vatës nga Shkodra
“Çudi – foli Marku, – edhe autoritetet e këtij mut shteti, mundohen me e nxanë piska njani-tjetrin. Mantho Bala të njeh shumë mirë, por e zemëron përkrahja që të jep Hilmi Seiti. Sado e vogël qoftë shpresa e luftës së karrierës, mundohen me e shfrytzue. Këta e luftojnë njani-tjetrin me bërryla të padukshëm e, nënkambca të pahetueshme. Pak me i shkit kamba Hilmi Seitit, mundohen me ia nxanë kryet me derë edhe me përkrahjen që të kanë dhënë ty. Jo ma mund të pyes kush, si po shket Hilmi Seiti. Kur shkitën ma të rangut, po ky?!
Ia tregova Hilmi Seitit sjelljen e autoriteteve me ty, ai ma priti: ‘Nuk është në nderin e luftës së klasave, përndjekja e Gjokës’. Këto fjalët e ma të plotfuqishmit të Shkodrës, po t’i hapnin dy-kapakësh dyert e të gjithave institucioneve e, me çka pava në të, po të jep dorën me u ngjitë shpejt e shpejt aty nga u shkite”!
Filip Gjergji u ka dhanë rrugë fjalëve të Hilmi Seitit e, ato janë përhapë ma shpejtë se do përhapeshin me një transmetim radiofonik. Arsyetimet e gjeneral Hilmisë, pranohen në mënyrë të pakundërshtueshme nga të gjitha autoritetet e qytetit, prandaj qëndrimi i Hilmisë ndaj meje, është ba qëndrimi i të gjithëve ose asht e shtime.
Disa kangë e valle gjatë shfaqes u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku. Përgëzimin e parë në skenë, ma dha Hilmi Seiti. Në çastin e shtrëngimit të dorës, duartrokitjet e publikut shpërthyen ma të fuqishmet. Këto duartrokitje synonin dy qëllime: me më shprehë përgëzimin ma të ngrohtë e, dëshirën e rehabilitimit tim.
Shembullin e Hilmi Seitit, kush tuj e dashtë e kush pa dashtë, e ndoqën të gjithë autoritetet e pranishme. Veprimit tim muzikor, iu akordue çmimi i parë i festivalit. “Ky çmim, – tha Hilmi Seiti, – duhet me përmbushë angazhimet që kam marrë me emrin tand. Ky angazhim, do t’u japë zemër përpjekjeve të mia, me ta hapë rrugën drejt ngjitjes, ndonëse ecja mund të jetë e ngadaltë, qëllimi do arrihet siç dëshirojmë”.
“Mark Tatiqi më tha: Në popull, ka nisë me u folë keq për ty. Dhania e dorës e Hilmi Seitit, interpretohet si bamja e lëshimit të ndytë, që të hapë rrug’n e favore të spiunit. Përgojimi i gojëkëqijve ma shndërron gëzimin në vuajtje e, në krahin e këtij përgojimi, ka nisë me ndejë edhe dyshimi im, mos vallë përkrahja e Hilmi Seitit, lidhet me ndonjë kushtëzim politik”?
Prenk Jakova më tha: – “Shtrëngoju fort për duart e Hilmi Seitit thashethemsat i kanë me u dëfrye thashethemet e tyne. Hilmi Seitit i ka ardhë te hunda ky numër i të rekrutumve e, jo ma me të përfshi edhe ty n’ ta. Ti nuk i ke kushtet, me shërbye në atë soj rekrutimi”.
Si me përpikmërinë e çdo takimi, arrita pak para orarit me hi te Hilmi Seiti. Më mori përdore dhe shkuam bashkë në zyrën e tij. “Më ke gjetur në një valë befasish me punë, – filloi ai, – prandaj më duhet të flas shkurt e shkoqur. Je duke bërë disa gabime të pafalshme, megjithatë, po mos t’i falja, nuk do të thërrisja këtu.
Megjithatë, ta dish mirë këtë, unë jam një e, shteti është shumë. Ti e të gjithë e dimë mirë, unë nuk jam ai njësh i mrekullirave të shtetit, jam i privilegjuari i kryerjes së detyrave që më ngarkojnë.
Avokat mbrojtës i atij që e sulmon vet veten, nuk mund të bëhem. Unë të kam thirrur që të të porosis, që t’i pushosh sulmet kundër vetes tënde. Këtij shteti, nuk janë të zotët t’i bëjnë gjë, jo ti e shokët tuaj, por sikur të luanim mendsh, as unë e kolegët e mi. Shteti ynë, është kampi socialist e kampi socialist, është shteti ynë.
E ke zhytur veten nën sipërfaqen e ujit dhe po s’e nxore dorën në sipërfaqen e tij, unë s’kam si ta kap dorën e, të nxjerr në breg. Ju veriorët keni një thënie; ‘tepria ka mrekullinë’. Ti si verior, a e respekton këtë si thënie? I vetmi shans shpëtimi i yti, është të luftosh armiqtë e tu ,të shtirur si miq dhe në këtë luftë mua më ke përkrah”.
Në orën 10 paradreke, u nisa për në Fushë-Arrëz. Me të arritë në Pukë, shoferi ndali makinën e më ftoi me pi një kafe me të. Sapo hymë në kafene, nji klient pyeti tjetrin me za të ngadaltë:
“Si shpjegohet kjo vdekje e Hilmi Seitit, kaq e menjëhershme”?!
U drodha i tanë.
– Hilmi Seiti?- e pyeta shoferin, si të mos priste kureshtja me pyet kënd ma tej. E mashtroi komunizmi mendova, e vuni mish e shpirt në shërbim të atij mashtrimi. Sjellja me mue e disa të tjerë, qe shenjë pendimi. Ndoshta ai shenjë, është ba shkaktar i vdekjes. Bamirësia e tij ndaj meje, m’u jep shkas lutjeve të mija për të. E nëse lutjet janë të papranueshme, lutjet nuk dënohen”.
Epilog
Shkodra nuk kishte pa varrim më madhështor se në atë ditë që është bërë ceremonia e varrimit të Hilmi Seitit, sepse ai ishte i veçantë në personalitetin e tij dhe ata që kanë qenë dëshmitarë okularë, më kanë treguar se zotërinjtë dhe zonjat katolike të Shkodrës, ishin në radhën e parë të atij kortezhi për një njeri që bëri veçse mirë dhe nuk kam dëgjuar kënd të më thotë ndonjë fjalë tjetër.
Një popull, është lehtë ta bësh për të qeshur, por nuk është lehtë ta bësh për të qarë. Ai u qa se ishte burrë i respektuar dhe që origjina e tij nga Çamëria e bënte krenar dhe njerëzor. Memorie.al