Dashnor Kaloçi
Memorie. al publikon historinë e panjohur të Petro Takut, ish-komunist i orëve të para dhe shok klase në gjimnazin e Tiranës me Manush Alimanin, Ramiz Alinë, Ibrahim Uruçin, etj., dhe pas Luftës me detyra të ndryshme si; sekretar i parë i Bashkimit të Rinisë për Kavajën dhe Shijakun, Drejtor i Turizmit dhe këshilltar për Tregtinë në ambasadën shqiptare në Romë, i cili në qershorin e 1976-ës, u arrestua, pasi Enver Hoxha e shpalli “armik e bashkëpunëtor të grupit sabotator në Ekonomi”, me në krye Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin. Si u arrestua ai në qytetin e Gramshit ku e kishin emëruar nëndrejtor të Ndërmarrjes Tregtare, nga hetuesi Nevzat Haznedari, dhe pas 23 muajsh hetuesie nën tortura ç’njerëzore, u dënua me 20 vjet burg nga kryetari i gjyqit, Ali Zanko.
Zoti Petro, mund të na tregoni fillimisht diçka për veten tuaj?
Unë kam lindur në qytetin e Kavajës në vitin 1925, prej nga është dhe origjina e familjes sime. Në vitin 1935 kam ardhur në Tiranë si konviktor në gjimnazin laik. Në vitin 1942, u diplomova. Gjatë atyre viteve shokë të klasës kisha Ramiz Alinë, Manush Alimani, Muhamer Spahiun, Filip Vuçanin, Ibrahim Uruçin etj.
Kur jeni njohur për herë të parë me idetë komuniste?
Për komunizmin, për herë të parë më ka folur shoku im, Vasil Nathanaili, në fillim të vitit 1940. Vasili që me krijimin e Partisë Komuniste shqiptare, ka qenë anëtar i Qarkorit të Tiranës. Unë në parti jam pranuar në qershorin e vitit 1942, në një celulë në qytetin e Durrësit. Aktiviteti im si antifashist ra në sy të italianëve, të cilët më kërkonin për të më arrestuar. Për këtë arsye, Vasil Nathanaili, në shtatorin e 1942-it, më urdhëroi që të shkoja në qytetin tim të lindjes në Kavajë, me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Rinisë Komuniste e Antifashiste të atij rrethi. Në atë kohë rinia komuniste në qytetin e Kavajës, pothuaj nuk ekzistonte fare dhe mu desh që të bëja një punë të madhe për të organizuar atë organizatë. Pas detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Rinisë, më ngarkuan me detyrën e Sekretarit të Partisë Komuniste për Kavajën, detyrë kjo të cilën e mbajta deri në vitin 1943 dhe më pas më transferuan në Pezë.
Çfarë detyrash keni pasur më pas?
Më ngarkuan me detyrë si komisari kompanie e përgjegjës rinie batalioni. Nga Peza, u zgjodha delegatë në Kongresin e Parë të Rinisë Komuniste, në Helmës të Skraparit. Kur u kthyem nga Kongresi i mbajtur në Helmës, u formua Brigada e 22-të Sulmuese dhe unë u inkuadrova duke u emëruar si sekretar organizativ i Rinisë në zonën e Peshkopisë. Nga Peshkopia më emëruan si Sekretar i Parë i Rinisë për Kavajën dhe Shijakun. Pas Kongresit të Parë të Partisë, më sollën në Tiranë dhe më caktuan në Ministrinë e Ekonomisë e të Tregtisë. Në vitin 1958, u emërova Drejtor i Turizmit, detyrë që e mbajta deri në vitin 1962, kur Shqipëria u shkëput nga kampi socialist. Në vitin 1965, u caktova si shef i Tregtisë në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, ku kryetar ishte Abdyl Këllezi, më pas në vitin 1969, u emërova nënkryetar i Dhomës së Tregtisë, detyrë që e mbajta deri në vitin 1970-të kur u emërova këshilltar për Tregëtinë, në ambasadën shqiptare në Romë.
Çfarë arsimimi kishit ju në atë kohë dhe kush ju zgjodhi për të shkuar në Romë?
Me krijimin e Institutit të Lartë Ekonomik, unë u diplomova atje, e më pas në vitin 1966 mbarova dhe Juridikun, duke marrë diplomën e dytë. Në fillim të vitit 1970, më thirri shefi i kuadrit të K.Q. të PPSH-së, Mihal Bisha, i cili më tha se: Partia kishte menduar që unë të shkoja këshilltar për Tregtinë, pranë ambasadës sonë në Romë. Unë pranova që të shkoja me një kusht që të merrja me vete djalin e vogël. Kjo kërkesë mu aprovua dhe në muajin prill shkova bashkë me time shoqe dhe tim bir në detyrën e re në Romë.
Çfarë pune bënit në atë ambasadë?
Isha atashuar pranë ambasadës dhe varesha nga Ministria e Tregtisë në Tiranë. Mbas ambasadorit, si funksion zyrtar, unë isha figura numër dy në atë ambasadë. Detyra ime dhe punonjësve që vareshin nga unë, ishte të gjenim firma dhe ndërmarrje të ndryshme, për të lidhur marrëveshje tregtare për import-eksportet me Shqipërinë. Në fakt ne ishim si komisioner dhe vetëm gjenim tregjet, firmat e ndryshme dhe më pas hynim në bisedime, sepse marrëveshjet lidheshin nga Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe ndërmarrjet e saj.
Çfarë eksportonte dhe importonte asokohe Shqipëria?
Në atë kohë shteti shqiptar eksportonte disa lëndë të para minerale dhe punime artizanale. Pas vajtjes sime atje, për herë të parë Shqipëria futi në tregun italian, shumë artikuj të rinj eksporti, si: tekstile, konfeksione, batanije, koncentrat kromi, bakër blister, squfur, sodë kaustike, benzinë, raki, konjak, fazan të gjallë, konserva peshku etj. Nga 20-25 firma që punonin me ne deri në 1969-ën, në vitin 1974, ne i shtuam ato deri në 120 firma dhe rritëm ndjeshëm eksportin e bimëve medicinale. Kur shkova unë në atë ambasadë, volume tregtar i import-eksportit për vitin 1969, kishte qenë 6 milion USD. Në fund të vitit 1974, kur unë dorëzova detyrën, volumi tregtar u rrit në 65 milion USD.
Gjatë kohës që ishit në ambasadë në Romë, si ishin marrëdhëniet me shefat tuaj?
Me ambasadorin Pirro Koçi, kisha marrëdhënie mjaft të mira, me ministrat që mbulonin sektorin tonë, kisha marrëdhënie normale pune.
Kur ju larguan nga kjo punë dhe cilat ishin arsyet?
Në mars të vitit 1975, më thirrën në Tiranë dhe në Ministrinë e Tregtisë më thanë se duhej të dorëzoja detyrën. Më thanë se më kishte mbaruar afati i qëndrimit, por më vonë mësova arsyet e largimit tim nga puna në ambasadë.
Cilat ishin këto arsye?
Kur u ktheva në Tiranë, kishin filluar goditjet kundër Koço Theodhosit, Abdyl Këllezit dhe Kiço Ngjelëse Vasil Katit, të cilët u quajtën “Grupi armiqësor” në Ekonomi, me të cilin më implikuan dhe mua.
Kur u kthyet në Tiranë ku ju emëruan?
Më caktuan si nëndrejtor në Ndërmarrjen Tregtare të qytetit të Gramshit, ku punova për gjashtë muaj deri në 2 qershorin e 1976-ës, kur dhe më arrestuan.
Kush ju arrestoi dhe me çfarë akuze?
Ishte data 2 qershor, ditë e martë, e mbaj mend mirë atë ditë kur erdhën në ndërmarrjen tone, Nevzat Haznedari, Drejtori i Përgjithshëm i Hetuesisë, së bashku me Kristofor Martiron, njëri nga shefat e asaj hetuesie. Këta shoqëroheshin nga kryetari i Degës së Brendshme të Gramshit.
Çfarë ju thanë ata?
Na mblodhën ne të administratës, që ishim rreth 12 punonjës dhe kur u futëm në zyrën e drejtorit, e mori fjalën i pari Kryetari i Degës së Gramshit, i cili në mes të tjerash tha: “Siç e dini situata në Shqipëri është mjaft e vështirë, për shkak të grupeve të ndryshme antiparti që po zbulohen. Por partia jonë do t’ju japë goditjen e merituar. Në mes jush ndodhet një nga armiqtë i cili është Petro Taku”. Pas fjalës së tij, m’u vunë hekurat dhe me “Gaz”-in që priste jashtë, më dërguan në Degën e Brendshme të Gramshit, ku mbas kontrollit, më morën teserën e partisë.
Mendonit ju se mbas kthimit nga Roma mund të kishit ndonjë pasojë?
Po kur më kthyen, unë diçka dyshova, sepse nuk kishte asnjë arsye të më lëviznin që andej, kur puna që kisha bërë ishte me mjaft rezultate. Por kur u godit Këllezi, Theodhosi, Ngjela e Vasil Kati, mendova se mund të prekesha dhe unë, meqë kisha punuar për shumë vite me ta, por që të arrestohesha si armik, kur nuk më kishte shkuar mëndja.
Ishit takuar ndonjëherë me Enver Hoxhën, kishit njohje?
Me Enverin unë nuk isha takuar asnjëherë dhe ai nuk më njihte. Por në vitin 1975 në Pleniumin e Komitetit Qendror të PPSH-së, në të cilin u goditën Këllëzi, Theodhosi, Ngjela e Kati, ndër diskutimet dhe pyetjet që bëheshin për ta, ishte dhe pyetja që Kadri Hazbiu i drejtonte Këllezit e Theodhosit se: çfarë lidhje keni me atasheun tregtar tonin në Romë, përgjigja e tyre ishte se me mua kishin vetëm marrëdhënie pune. Por Enver Hoxha ndërhyri duke i thënë Kadriut: “Për çfarë atasheu e ke fjalën”? “Për Petro Takun”, tha Hazbiu. Enveri ndërhyri përsëri dhe i tha: “Kadri, ulu e mos na harxho kohën kot me Petro Takun, se ai është armik dhe është këlysh i këtyre”.
Pasi ju dërguan në hetuesinë e Tiranës, çfarë ndodhi me ju?
Mbas tre ditësh në Burgun e Ri, filluan të më merrnin në pyetje pa më dhënë akt-akuzën dhe hetuesit filluan të bënin një luftë psikologjike që të më frikësonin, që ta kishin më të lehtë në ato çfarë kërkonin. Pas një lufte të gjatë ndaj meje që zgjati disa ditë, më dhanë akt-akuzën që ishte “shpërdorim të pozitës zyrtare”. Po kështu pas arrestimit, në shtëpinë time, hetuesia bëri një kontroll të imët dhe të gjitha sendet e mija personale ku përfshihen edhe veshjet, i bllokuan në një dhomë, të cilat nuk i morra kurrë.
Për çfarë ju akuzuan?
Që në fillim, hetuesia kërkonte që të më implikonte me atë që ata e quanin, “Grupi armiqësor në Ekonomi”, të cilin sipas tyre e kryesonte Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi e Ngjela, të cilët u cilësuan si armiq. Kërkonin nga unë të firmosja për këtë veprimtari të tyre “armiqësore”. Unë u thashë se për sa kohë që unë njihesha e kisha punuar me ta, nuk i njihja si armiq. E kështu nuk firmos. Akuza që më bëhej për sabotim, përfshinte disa pika, ku sipas tyre: nuk kisha bërë marrëveshje tregtare për të eksportuar mallra me vendet e Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë. E dyta: nuk kisha nxitur eksportin e artikujve të vegjël dhe e treta se: kishim importuar një makineri për rritjen e shpendëve e cila ishte planifikuar 1.2 milion USD, që sipas tyre ishte me defekt, sepse nuk i rripte dot shpendët e vegjël, që ishin nën 1 kg.
Kishin bazë këto akuza?
Të gjitha akuzat që m’u bënë, ishin të pa bazuara, sepse nuk ishte detyra ime që të bëja marrëveshje tregtare me vendet si Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Kishte të tjerë këshilltar tregtar nëpër ambasadat përkatëse. Kështu p.sh., vetëm për Azinë, në ambasadën tonë në Kinë, kishte dy grupe me një personel prej 12 punonjësish. Akuzat që më bëheshin mua nuk kishin bazë logjike, pasi ato ishin të gjitha me karakter politik. Gjatë periudhës që punoja në Romë, shpesh herë ambasadori më kërkonte sipas porosisë që kishte nga Komiteti Qendror në Tiranë, që të ndihmoja fraksionin e Partisë Komuniste të Palmiro Toliatit, të ashtuquajturit “Grupi komunist”, që ishin përjashtuar nga partia e tyre dhe kishin dalë në fraksion më vete. Më kërkohej që t’i angazhoja në punë si komisioner, që të fitonin shuma të mëdha në dollar nga mallrat që shisnim ne. Me sa di unë, për ato grupe komuniste, ambasada kishte një fond të veçantë që ishte caktuar nga udhëheqja e lartë e PPSH-së. Këto pagesa ata i merrnin gjoja për të ngritur e mbajtur gjallë lëvizjen komuniste në Itali. Në godinën e ambasadës sonë në Romë, ishte rezervuar një apartament i veçantë që quhej shtëpia e pritjes, ku herë pas here strehoheshin krerët e grupeve komuniste italiane dhe ato të vendeve të tjera kur vinin transit për në Shqipëri.
Si iu trajtuan gjatë kohës së hetuesisë?
Përveç torturave psikologjike, nuk lejuan familjen që të më vinte në takim dhe nuk lejonin asnjë ushqim nga familja. Për 23 muaj, ndaj meje përdorën tortura më çnjerëzore që unë të pranoja akuzat e tyre, por kjo nuk ndodhi.
Gjyqi në çfarë rrethanash u zhvillua?
Mbas hetuesisë të zgjatur prej 23 muajsh, në maj të vitit 1976, më nxorën në gjyq, që kryesohej nga A. Xango (Gjykata e Lartë), i cili u zhvillua në ambientet e Burgut të Ri të Tiranës, me dyer të mbyllura. Që në fillim të gjyqit, unë debatova ashpër me prokurorin e kryetarin e Gjyqit Ali Zanko. Me fakte dhe argumente bindëse, i hodha poshtë të gjitha akuzat që mu bënë, si “sabotator dhe armik”.
Dolën dëshmitar kundër jush?
Më nxorën disa dëshmitar, që dikur kishin punuar me mua, dëshmitë e rreme të të cilëve rënduan pozitën time. Ata fatzinj, ishin të detyruar të më akuzonin në atë mënyrë të turpshme.
Sa ju dënuan?
Pas mbarimit të gjyqit, u dënova me 20 vite burg me akuzën “për sabotim”, nga Gjykata e Lartë, e cila mori vendimin e formës së prerë pa të drejtë apelimi.
Ku iu dërguan për të vuajtur dënimin?
Për të vuajtur dënimin, më çuan në kampin e Spaçit. Siç tregova më lart, më kishin sekuestruar veshjet personale që i mbanin të bllokuara në një dhomë të shtëpisë sime, djali i Aranit Çelës me të tjerë, filluan t’i merrnin duke i ndarë me përmbaruesin e Gjykatës, Petrit Zotkaj, e kur tim bir shfaqte ndonjë pakënaqësi për këto veprime, ata justifikoheshin se kishte vendosur gjykata për ç’dëmtimin e “shpërdorimit“ që kisha bërë në Romë.
Kur u liruat nga burgu?
Nga burgu u lirova në vitin 1987, pas një dekreti të veçantë që dha për mua Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, pasi unë i dërgova një letër nga Spaçi në vitin 1986, pas vdekjes së Enverit. Në letrën drejtuar Ramizit, ja shpjegova me hollësi dhe detaje gjithë historinë e dënimit tim, ku nuk i kërkoja faljen time, por këmbëngulja vetëm të më jepej pafajësia, sepse isha dënuar pa të drejtë. Kështu mbas vuajtjes së 11 viteve burg në Spaç, u lirova./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016