Nga Sokol Parruca
Pjesa e tretë
-Dëshmitë e rralla të juristit të njohur Sokol Parruca, për ikonat e futbollit shkodran ndër vite, si; Halepiani, Hasa, Rragami, Rakiqi, Bizi, Dani, Zhega, etj., artistëve si; Vasija, Tërshana, Aliaj, Ljarja, etj., si dhe personazhe të tjerë emblematikë të atij qyteti-
Memorie.al / E vështirë të shkruash për ish-futbollistët e ekipit “Vllaznia” të Shkodrës ndër vite, pa qenë studiues dhe specialist futbolli, por unë po hedh impresionet, për ata që njoha, preka e i pashë, për trajnerët e moshave, pa pretenduar se po them gjithçka që meritojnë. E padyshim gjykoj se është e pamundur të mos përmendsh, Ernest Halepianin. Kam qenë rreth 9 vjeç, nuk e mbaj mend me cilin shok të lagjes kam shkuar për herë të parë, te “Parku i Pionierëve”, pranë ish-shkollës “11 Janari”, për të filluar stërvitjen në sportin e futbollit. Aty ishte trajner për fëmijët, një burrë i shkurtër, flokë me kaçurrela të imët, me një fytyrë që i ndrinte nga mirësia.
GJOSHO VASIJA
A ju kujtohet Korrado, prezantuesi i famshëm i Sanremos, seç kishte një timbër zëri disi të çjerrë, që e bënte të veçantë? Mua më ngjante me atë të Gjoshos tonë, veçse zëri Gjoshos më i ngrohtë, më melodioz. Unë, adoleshent atëherë, jo vetëm guxoja t’i krahasoja, por mendja ime shkonte më tej, Gjosho ishte më i madh. Pastaj, erdhi Pipo Baudo, njeriu i magjishëm i skenës italiane, prapë për mua Gjosho ishte i pakrahasueshëm.
Nëse Pipo ishte një prezantues brilant, i shkathët, Gjosho, përveçse prezantues ishte humorist, muzikant, interpretues, parodist, pra një artist i kompletuar. I vetmi ndryshim ishte, se ndërsa Korrado e Pipo luanin në skena të mëdha, Gjoshoja ynë
e filloi dhe e vazhdoi në skena ndërmarrjesh, të Hidrocentralit Vau Dejës e here-herë në teatrin “Migjeni”. Po prapë them, talenti nuk pyet, ai shpërthen e dukshëm, shkëlqen paçka skenave e luksit të teatrove të mëdha. E kishim ftuar në një mbrëmje vallëzimi kur ishim në gjimnaz dhe dihet dëshira e moshës, mendjen për të kërcyer e hedhur e kishim.
Por atë natë askush nuk kishte dëshirë të kërcente. Ishim mbledhur rreth Gjoshos e të magjepsur ndiqnim artin e tij. Ajo natë ka ngelur ndër më të bukurat mbrëmje të jetës sime. Diku, nga viti 1972, jetoja asokohe në Tiranë dhe në Estradën e Shtetit, Tiranë u ndje ardhja e tij. Tironcit të ngazëllyer shpreheshin se ka ardhur Gjosho Vasija i Shkodrës. Salla mbushej, duartrokitjet nuk kishin të mbaruar, e donin, i kishte bërë për vete, i kënaqte dhe fitoi kështu dashurinë e tyre.
Por, mjerisht, “hija” që e ndiqte nga pas, kudo që ishte dhe sidomos në kulmet e sukseseve të tij e penalizonte. Kështu ndodhi ato ditë e netë të torishta në Tiranë, kur e larguan, paçka se la pas keqardhje për ikjen e humbjen e një super talenti të pazëvendësueshëm dhe emrin e mirë që nuk u harrua. U kthye në Shkodër. Ai ishte mësuar me largimet e ndëshkimet, siç thoshte vetë me të qeshur: “Ata më largojnë nga dera, unë u futem nga dritarja”.
Gjithmonë kam menduar, si është e mundur, nga e gjente këtë forcë e kurajo edhe pse e godisnin, në pikën më të fortë e më të dobët, atë të artit të tij. Kurrë nuk arritën ta rrëzonin, ta përkulnin, t’ia shuanin buzëqeshjen. Ai kurrë nuk mposhtej nga dëshpërimi, kurrë nuk iu dorëzua hidhërimit. Ai vazhdoi të luante, s’ka rëndësi se ku…të qeshte e t’u gëzohej çasteve. Buzëqeshte.
Ah buzëqeshja e tij ishte aq e madhërishme! Ajo nuk ishte një buzëqeshje e stisur, as profesionale…! Jo, e qeshura e tij i buronte nga shpirti, se shpirti i tij ishte gjithë gaz e hare, pse ai ka qenë i dashuruar me çdo gurë, me çdo pemë, me çdo rrugicë, me çdo shtëpi. Kishte lindur për të qenë i gëzuar.
Kishte lindur për të na gëzuar dhe ne, që aq fort e deshëm, po nuk e mbrojtëm dot. Sot, trupi i tij pushon ne dhé të huaj. Një ditë Shkodra, bashkia me shpenzimet e saj, do të bëjnë të mundur kthimin e birit të vet, në tokën e vendlindjen e tij, se Gjosho Vasija është një histori dashurie dhe tragjedie e qytetit të tij.
RIN MONAJKA
Rini meriton shumë më tepër nga sa mund të shkruajmë ne që e kemi njohur. Elegant në paraqitje e tepër fin në mendime, sjellje e qëndrim. Shokun tim të sportit (ishim të dy me të rinjtë e “Vllaznisë”) dhe takoheshim pothuajse çdo ditë. I urtë, shumë i edukuar, i zgjuar, me kulturë, i heshtur dhe disi i tërhequr si tip, megjithatë më jepte kënaqësi kur e takoja e bisedoja.
Ndodhi, diku aty nga fundviti 1980, kur filloi të më shmangej disi. E ndjeja, ndonëse vështrimi i tij ndaj meje nuk e kishte humbur shkëlqimin e miqësisë. Asokohe, nuk arrija të kuptoja shkakun e këtij ndryshimi të Rinit ndaj meje. Kurrë nuk i kishim dhënë arsye njëri-tjetrit për këtë ftohje.
Vonë e mësova, ditën që e arrestuan, ndërkohë që unë punoja e banoja në Tiranë, se ai kishte dalur haptazi kundër sistemit, duke qenë ndër organizatorët e rrëzimit të bustit të Stalinit në Shkodër. Atëherë e kuptova se ai shikim i tij, sikur donte të më thoshte; ‘mos rri me mua’, ndofta për të mos më implikuar, ose çka është më e besueshme, më njësonte dhe mua si pjesë e sistemit, çka natyrshëm kishte sjellë ftohjen e miqësisë.
Sidoqoftë, nuk më linte meraku pa pyetur për të. E kishin rrahur, torturuar, sakatosur e shpërfytyruar derisa mori ato plagë që i rënduan shëndetin e tij dhe i morën jetën. E askush nuk u dënua. Iku Rini, u harrua, për t’u kujtuar vetëm nga familja, të afërmit, shokët dhe askush tjetër. Ndonëse, veproi guximshëm me bindje dhe i vendosur kundër sistemit, sot nuk shohim një pllakë, një gurë, rrugë apo rrugicë me emrin e tij, pse jo dhe një bust ku të përjetësohej akti i tij.
Ai dha jetën për ideal e demokraci. Edhe pse në të gjallë të tij ishte fjalëpakë, modest, pa bujë, urrente mburrjen. Ai është një hero i vërtetë i demokracisë dhe si një hero i tillë, duhet të gëzojë të gjitha nderimet, vlerësimet dhe respektin. Urtësia e modestia që po e ndjek Rinin edhe pas kaq vitesh që e kemi humbur, duhet të jetë një ftesë për vëmendje ndaj këtij njeriu, që nuk e mbajti veten për hero, por që shokët e shoqëria ia dhanë titullin e heroit.
Mirënjohje dhe nderim për ty Rin, Pushofsh në paqe mik!
ALDO PERIZI
Aldo në ditëlindjen tënde, ne miqtë e tu e kushdo që të njohu, sot jemi me ty e, ti je me ne, ani pse fizikisht je diku lart dhe që andej na përshëndet me buzëqeshje. Ah, me atë buzëqeshjen tënde krejt të veçantë! Te ti e bukura shpirtërore me atë fizike ishin bërë njësh. Ti ishe i bukur në shpirt, në mend e në pamje. Kushdo ka shumë për të folur për ty.
Çdo njëri prej nesh e ka ndjerë ngrohtësinë e shpirtit tënd njerëzor. Mua më mësove se mund të bëhesh fort mik dhe nga fb. Vetëm një ditë më parë u përshëndetëm. Ah, ku ta dija unë se ajo do të ishte mbrëmja e fundit që komunikuam! Zemra jote pushoi së rrahuri dhe ti ike lart, aty ku e kanë vendin engjëjt, se ti ishe një engjëll i dashur mik.
Nuk e din çfarë hidhërimi na le, sa miq ke varfëruar, sa lot u derdhën për ty. E pra, ti ishe një djalë i thjeshtë Shkodre, po kishe madhështinë e një personaliteti. Zemra jote vuante, rënkonte, por ishte e madhe sa falte aq shumë dashuri e mirësi, saqë e rënduar ashtu nga sëmundja nuk mund të mbante peshën e dashurisë të pamat, përkujdesjen që kishe për njerëzit, për miqtë e tu.
Ne të gjithë jemi me ty sot e kështu do jemi vit pas viti, kurdoherë me ty, se ti na le kujtimin e bukur të një njeriu model që nuk mund të harrohet.
Pushofsh në paqe mik i shtrenjtë!
RRIK ÇEFA
Në fluturimin e pafund drejt Botës së Pasosur. Një shkodran i mrekullueshëm, një mik i shtrenjtë do të na mungojë…! Ah, sa na idhnove me këtë ikje të beftë Rrik i dashtun…! Do të të kujtojmë me mall e dashni, sepse gjithë jeta jote – një melodi e pambaruar…! Lamtumirë Rrik!
DISA VITE PA TONIN TËRSHANËN…!
Kur të njoha ishim krejt fëmijë, ti banoje në “Gjuhadol”, unë në një rrugicë më këndej, afër kinemasë. Asokohe, ne shihnim mjaft filma, falë Ndocit të kinemasë, që na lejonte të futeshim pa biletë, madje disa herë të njëjtin film. Në kujtesë më ka mbetur filmi “Dëgjoni këngën time”, zëri i atij djali që këndonte aq bukur, Hozelito.
Mbas kinemasë, kur filmi shfaqej brenda, jashtë këndonte një djalë tjetër, me pantallona të shkurtra rreth 12 vjeç, zëri i të cilit ngjasonte me atë të djalit të filmit. Ishe ti, Tonin dhe ne i pëlqenim të dy, si Hozeliton e filmit ashtu edhe ty që këndoje jashtë. Të dy zëra të mrekullueshëm. Të dy me pantallona të shkurtra, të dy jetimë, njëri që kërkonte nënën, tjetri që kishte humbur babain që kur ishte pesë vjeç.
Të dy jetë të vështira e të mundimshme. Pa mbushur 15 vjeç u detyrove të largoheshe nga Shkodra dhe erdhe në Tiranë për të fituar bukën që të mungonte. Këndoje te lulishtja afër “Bar-Sahatit” dhe në darkë vonë, nuk kishe ku të flije, por shkoje diku aty afër Postës Qendrore dhe për shtrat, t’u bënë disa arka që mblidhje, për shtroje kartonët dhe për mbloje plasmasin që gjeje.
Flije ashtu qetë e i sigurt për zërin tënd, gjersa erdhi ai moment që të ndryshoi jetën. Tek po këndoje, nuk mund të mos i bëje përshtypje një muzikanti profesionist, si Ferdinand Deda, i cili me nuhatje dalloi timbrin e zërit tënd të ngrohtë dhe të afroi e më pas more rrugën e festivaleve. Ishe vetëm 16 vjeç kur fitove çmimin e parë, me “Të dua, o det”.
Ti kishe lindur për muzikë dhe muzika u bë jeta jote, profesioni yt. Nuk kishin të mbaruar duartrokitjet, nuk kishin të sosur thirrjet e ngrohta nga brohoritjet, nuk kishin të numëruar çmimet që fitoje. Ti ishe këngëtari që donin, më i preferuari për të gjithë, si për kompozitorët ashtu dhe dëgjuesit.
Veç një herë e ndjeve veten ligsht, në vitin 1972, kur po këndoje në Prishtinë, salla e mbushur plot, qetësi dhe lot. Qanin burrat e gratë, të rinjtë e të rejat dhe ti i kishe fare pranë e mund të dalloje ngashërimin në heshtje të tyre, fund të këngës “Zambaku i Prizrenit”, u mblodh një lëmsh në grykë e shpërtheve në lot, atëherë t’u turrën të përqafonin, të fshinin lotët. Loti yt në sytë e tyre dhe lotët e tyre në sytë e tu.
Një bashkim lotësh. Hera e parë që nuk more vetëm duartrokitje, por more e dhe lot shpirti. E ti atë natë prishtinase e quajte suksesin e jetës tënde. Një darkë tek po rrinim, një tis melankolie përzierë me një ndjenjë përmallimi të lexohej në fytyrë. Të kishte marrë malli për Ndrekën, shokun tënd të fëmijërisë e të jetës, me të cilin kishit kaluar vuajtjet e gëzimet së bashku.
U nisëm dhe arritëm në Shkodër rreth orës 23, te Ndreka, që bënte rojen e një ambienti në periferi. U takuat e mbetët një copë here në krahët e njëri-tjetrit edhe pse qe një natë pa hënë, dritë e ndriçim kishte në fytyrat e sytë e tuaj, nga malli, dashuria e afërsia. E tek ju shihja ashtu të përkulur pranë, duke kuvenduar gjithë lezet, nuk mund të dalloje se kush ishte këngëtari i famshëm e kush i thjeshti njeri-roje.
Vitet e fundit jetove në periferi të Tiranës, në pjesën e poshtme të një ndërtese me qirá. Oh, sa kujtime na lé në atë dhomë, që në netët e ftohta të dimrit, ne ngroheshim me këngën tënde, me zërin tënd! Sa e sa net kemi kaluar te ajo dhomë e dashur, ku ti me Justin (Justina Aliaj), këndonit gjer në të dalë të diellit! O Zot, çfarë kënaqësie! Për mua mbetet muzika që më ka lumturuar, zëri yt, Tonin dhe zëri i Justit, ku posë muzikalitetit kishte shpirt brenda, kishte dashuri, kishte aromë Shkodre.
Si sot një vit më parë, mbas dite ishim përreth teje. Na hodhe një vështrim të gjithëve sa ishim, Justi, Bruno, Tonja dhe i the Merit, më kthe pak dhe mbylle sytë. Pulsi nuk të rrihte, ne u ngrimë, nuk bëzamë…! Në heshtje e me dhimbje të lamë tek po shkoje qetësisht në botën e amshuar, për të pushuar në paqe, mik i shtrenjtë, Tonin. Amin!
NDOC GACI
Ne djemtë e lagjes, që rrinim tek ish-kinema “Republika” gjer te ish-Dega e Brendshme, i gëzoheshim stinës së pranverës e të verës, sepse të gjithë bashkë shkonim e laheshim, te “Brryli” afër urës së Kirit, aty poshtë varrezave të Dëshmorëve. Me ne bashkoheshin dhe “gjuhadolasit”, “serreqasit”, djemtë e Arrës së Madhe, vinin dhe të tjerë, por ne ishim të zakonshmit, të përditshmit.
“Brryli” ishte një vend i përshtatshëm për t’u hedhur në ujë, ajo çimento, që shtrihej disa metra në gjatësi, një lartësi e mjaftueshme dhe poshtë saj një ujë i bollshëm, i thellë që të jepte mundësinë të hidheshe, duke shpalosur të gjitha stilet e kohës.
Aty kemi parë kërcyes të shkëlqyer, por unë ruaj në kujtesë dy prej tyre, NDOC GACI, një djalë i rritur asokohe, diçka mbi të njëzetat, me një trup të bëshëm, muskuloz, shpatullgjerë, diçka më i gjatë se një mesatar, brun, syzi e flokë të dendura kaçurela të prera shkurt, tipare këto që i jepnin hijeshi dhe e bënin të dukej një djalë bukurosh.
Pastaj ajo e nxira nga rrezet e diellit gjithë shkëlqim, rrobat e banjës të ndezura në të kuqe, të ardhura nga jashtë e bënin të dallohej e të dukej ndryshe nga të tjerët. Ndoci, kur hidhej, bashkonte këmbët, hapte krahët e në formë dallëndysheje, përplasej fort në ujë me gjoks, duke krijuar një zhurmë, që edhe sikur mos ta kishe mendjen kuptoje se ishte hedhur Ndoci.
Ndërsa, Vil Tirana, një djalë dy a tre vjet më i madh se ne, por që unë e kisha shok, elegant e belhollë, tepër simpatik, bënte një palosje perfekte e në momentin kur binte në ujë shtrinte këmbët e përplasej me ujin pa e trazuar atë. Ai bënte një hedhje si të ishte një profesionist i vërtetë.
Ndoc Gaci kishte diçka tjetër që na tërhiqte e që na bënte ne të mos largoheshim pa ikur Ndoci. Kishte një humor fantastik, bashkë me Pjetrin dhe një shok tjetër që nuk ja kujtoi emrin, por kishte një vesh të prerë, krijonin një ansambël humoristik, sa do t’ja kishin zili dhe aktorët e mëdhenj të estradës së Shkodrës.
Ndoci ishte “violina e parë” në këtë orkestër humori. Prite njëri e përcill tjetri, ata e bënin aq të gëzueshme ndenjen aty, sa harronim të laheshim sepse nuk donim të na shkonte bosh asnjë batutë pa e dëgjuar.
Ndoci ishte një djalë i fortë e që njihej në Shkodër si i tillë, por në portretin e karakterin e tij unë nuk dalloja asgjë të dhunshme, përkundrazi ishte buzë-gaz, i qetë, i ëmbël, bukurosh e kësisoj e gjithë qenia e tij rrezatonte veçse mirësi. Kishim dëgjuar se ata të Degës së Brendshme nuk e shihnin me sy të mirë, ndofta nga humori që bënte e nuk njihte kufij, ndofta dhe nga barsoletat që ishin hapur për të, duke ia veshur Ndocit autorësinë e tyre.
Dy nga ato ende i ruaj në kujtesë. Dashurohet Ndoci me një vajzë dhe pasi kishte marrë pëlqimin e saj, shkon tek i ati për t’i kërkuar dorën e vajzës, siç asokohe ishte zakoni. I veshur shik, gjithë klas, ashtu vishej gjithnjë, takon babain e vajzës e i kërkon dorën e saj. Ai fillon ta pyesë se a ke qenë ndonjëherë i dënuar, a keni nga familja apo farefisi të dënuar, po njeri të arratisur jashtë shtetit a keni?
Ndoci po i përgjigjej me përtesë dhe kur u mërzit i tha: – “Më fal, unë kam ardh për të kërkuar dorën e vajzës për grua e jo për t’u futur në parti! Ndërsa tjetra, e shohin Ndocin në Zallë të Kirit, te “kallamat”, zakonisht aty ishte vendi ku bënin dashuri të rinjtë, brenda kallamave krijonin zgavra të rehatshme e të përshtatshme për të ruajtur intimitetin, duke kryer kështu misionin e tyre rinor. Aty Ndoci, me një lopatë xheniere po hapte një gropë të vogël.
Të njohurit kur e panë tek gërmonte, e pyetën: – “Çka po bën mor Ndoc, pse po e hapë atë grope”?! Ndoci i përgjigjet aty për aty: – “Kam takim me një gungaçe”. Nuk e di si i ka ardh jeta Ndocit, por uroj t’i ketë shkuar mbarë, se vërtetë ishte i mrekullueshëm e ruaj për të kujtimin e bukur, të një njeriu që na falte humor e kënaqësi të veçantë! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016