“Nga Sulejman Gjana
Pjesa e dytë
– Raport-informacioni i major Abaz Kupit dhe profesor Gaqo Gogo, mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore –
Memorie.al / ‘Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit’, ofron një këndvështrim dhe një version tjetër të zhvillimeve politiko-ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore, krejt të ndryshëm nga ai i historiografisë zyrtare komuniste. Me anë të një raporti daktilografik për Mbretin Zog, asokohe në Londër, të shkruar nga Kajro në 31 faqe, e që mban datën 2 gusht 1945, Kryetari, major Abaz Kupi dhe Sekretar i Përgjithshëm i OKLL, Prof. Gaqo Gogo, na japin një pasqyrë tejet interesantë të rezistencës antifashistë dhe zhvillimeve kryesore politike e ushtarake në Shqipëri, gjatë periudhës; prill 1939 – nëntor 1944. Qartësia e mendimit, gjuha e shkruar bukur dhe tejet e figurshme, ngjyresat emotive në përshkrimin e zhvillimeve, punës konkrete dhe qëndrimeve politike të OKLL, shënojnë një kulmim të publicistikës epistolar dhe koncesionit filozofik e politik, të njërës nga tre partitë që përfaqësuan dhe dominuan jetën politike në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Letra dërguar Mbretit Zog nga major Abaz Kupi dhe Profesor Gaqo Gogo, më 28 tetor 1944
M a d h ë r i!
Qëndruesit (qëndrestarët) kuptuan shpejt se çlirimi lypte të tjera forma ndeshëse. Lëvizja e jonë përbëri grupet klandestinë të vullnetarëve, të cilët përveç detyrave të përcaktueme do të merrnin pjesë në luftë, në aksion dhe operacione të çetave dhe do të bënin ç’iu vinë për duarsh, për të luftuar okupatorin dhe qeveritarët kuislingë, për t’iu paralizuar pushtetin e tyre civil dhe ushtarak, d.m.th., një ushtri të vërtetë të fshehtë. Kështu lindeshin probleme të reja, të cilat duheshe të zgjidheshin ndër kushtet më të këqija. Ishte nevoja të krijoheshin krerët, të manovroheshin grupet midis tyre, të studioheshin detyrat që duheshe të plotësoheshin, të gjendeshin, të mblidheshin dhe të fshiheshin armët. Detyrë kjo shumë e gjerë, e pa ndërprerë e me shumë sakrifica.
Me ndihmën e disa të rinjve të vendosur, veprimtaria e sapo filluar merrte hovin e vet natyral, ideja u imponua dhe u kuptua se ka qenë e mundur të realizohej, pa u mbështetur edhe kaq fort te zbarkimi, vetëm se duhet luftuar pa reshtur e, me trimëri dhe të bashkuar të gjithë. Me anën e shumë trakteve, artikujve dhe botimeve të tjera, i gjithë populli shqiptar dhe të huajt, njohën veprimtarin e konsiderueshme të Lëvizjes së Shqiptarëve, Lëvizje në të cilën marrin pjesë gjithë rrymat politike.
Filluan sabotimet dhe lufta direkt kundër okupatorit, sidomos në Shqipërinë e Veriut u formuan grupet e aksioneve të përbërë nga vullnetarë të rinj, fanatikë pas shpirtit të pashembullt patriotik, të dashuruar pas sakrificës e rreziqeve dhe gati për të dhënë jetën e tyre. Ky është elementi bazë i ushtrisë vullnetare për lirinë e Shqipërisë dhe vullnetarët e saj përfaqësuan betejën heroike, shumë herë vdekëse dhe me plot rreziqe. Aksionet e tyre të para, kanë qenë më tepër demonstrative, andej-këtej shkatërrim folesh kolaboracionistësh dhe kështu u krijua dalë nga dalë, klima e luftës.
Lëvizja përmblidhte të gjithë shqiptarët, pa dallim opinionesh politike ose pretencash të tjera. Në radhët e veta ka punëtor, intelektualë, borgjezë dhe katundarë; gjithë klasat shoqërore, gjithë mjeshtëritë dhe gjithë fillosofitë. Secili sillte me vete atë që mundtë, kohën e vet, paren e vet, cilësitë e tij të veçanta, zotsit e veta, etj. Kryetari i çdo grupi, ka qenë ay më i zoti dhe jo më i kaluari nga mosha, ose më i pasuri, ose më oratori. Programi i punës së këtyre grupeve të Lëvizjes s’onë, përbeheshe nga detyra që dit për dit dhe natë për natë, shtoheshin; detyra aktive ose pasive, shkatërrim deposh, fabrikash; njohje e pajisjeve të kolonave ushtarake, drejtimet e tyre, zbulimi i stacioneve të rojës; shërbimi i ndërlidhjes. Në këtë detyrë, ndihmonte shumë shërbimi i informatave. Po kush i informonte? Të gjithë…! Shumë herë puna thjeshtësohej me anën e nëpunësve që ishin pjesëtarë të Lëvizjes, ose simpatizues, kontributi i të cilëve, ka qenë shumë i dobishëm.
Të flitet përmbi veprat e këtyre shërbyesve të Lëvizjes, nevojitën volume. Që të përfytyrohet kurajua, trimëria dhe fuqia e vendosjes së këtyre burrave, është e pamundur. Nuk mund të thuhen të gjitha, dhe nuk dihen të gjitha. Pa fjalë, aktet e vërteta të heroizmit, do të ngelin përgjithnjë të panjohura, sepse shumë nga aktorët e tyre, nuk janë kthyer prej misionit të tyre të rrezikshëm. Rreziku ishte kudo. Për dit armiku dhe bashkëpunëtorët e tij, pësojnë dëmtime dhe binden se qëndresa bëhet më e fortë. Për ditë kemi pengime të mjeteve të komunikasionëve. Shkatërrimet e kolonave ushtarake, janë bërë në Shqipëri, vepra të përditshme, të cilëve populli u jep një rëndësi të posaçme! Djegia e katundeve dhe bllokime të ndryshme nga ana e armikut shtohen për dit. Në Jugë vriten oficerë dhe ushtarë të okupatorit, dhe ashtu të njëjta veprime bëhen dhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, dhe shumë herë trafiku ndalet për një kohë të gjatë. Depot e municioneve dhe të armëve vizitohen rregullisht prej grupeve patriotësh të sabotimeve. Puna behet më ekonomike dhe më e sigurt se sa prej ajrorëve aleatë, dhe nuk rrezikon shumë. Vijat dhe shtyllat telefonike, priten rregullisht e pa reshtur. Djegiet, edhe këto janë vepra të patriotëve të Lëvizjes s’onë. Sabotohen automjet dhe digjen.
Shumë persona tradhtarë vriten. Të gjitha këto shkatërrime, për arsye se punonin për armikun. Disa bomba flaken nëpër qendrat e propagandistëve të armikut, që bënin artikuj lavdërimi nëpër revista dhe fletore të armikut. Me këto bomba, patriotët qëllonin dy fish: duke e mërzitur armikun, dhe; duke u shkaktuar një panik të tmerrshëm bashkëpunëtoreve të tij. Musolinofilia me Hitlerofilinë, tronditësh dita-ditës, keq e më keq. Në kryeqytet, përbrenda, xhenioja digjet, me dit e me natë rresht. Stokët e materialeve të vlershme, fluturojnë në tym. Armiku detyrohet të dhjetëfishoje rojet e veta, mbi gjithë qendrat me rëndësi, pranë urave dhe gjetkë. Urat vazhdojnë të flaken në ajër, transformatorët digjen. Shumë herë arrihet që rojtarët e shkretë të flaken në burg, për arsye se nuk kanë dhënë dot alarmin në kohët e duhura.
Nëpër skelat, edhe këtu, veprimtaria është shumë e dobishme. Sa do që janë marrë masa, pjesëtarët e Lëvizjes s’onë, janë futur përbrenda personelit të skelave. Marrin informata shumë me rëndësi, zbulojnë projekte dhe objektiva. Këto seri sabotimesh të organizuara mrekullisht dhe me ndërlidhje të përsosur, kanë penguar një kohë të pandërprerë veprimtarinë dhe lëvizjen e armikut. Të këtilla vepra janë pa numër. Është e pamundur që të bëhet një bilanc i plotë i gjithë aksioneve, që çdo ditë dhe çdo natë, e detyrojnë armikun të humbasë ekuilibrin e vet, me humbjet materiale që pëson, duke ngadalësuar përpjekjet e veta të luftës.
Madhëri, më nalt iu përshkruam deri diku qëndresën aktive të Lëvizjes s’onë në Shqipëri; duhet ditur se kemi edhe një qëndresë pasive, në një shkallë më të naltë. Kjo shprehje nuk ndjehet kaq fort prej shumicës që të gëzojë karakteristikën e duhur për sjelljen e shumicës shqiptare, në prani të okupatorit. Kundërshtimi i armikut merr mijëra forma të pa parashikuara, sipas shfaqjes së rrethanave. Qëndresa për forcimin e frontit të brendshëm përbën detyrën dhe nevojën kryesore të jetës së gjithë shqiptareve. Në një Bashki, një nëpunës mohon një urdhër, vonon për plotësimin e tij, humb një shkresë, zhduk një qarkore. Inspektorat që janë të ngarkuar me zbulimin e mungesave, gjoja kontrollojnë dhe prej dështimit nga inspektimi i tyre, kthehen fshehurazi të kënaqur. Kjo është një qëndrese pasive. E vogël? Përkundrazi e madhe, sepse kjo përsëritet çdo ditë dhe në çdo vend. Çdo shqiptar ka vepruar kështu për çdo ditë. Ndoshta disa nuk kanë mbetur të kënaqur me njëherë, sepse një punë e këtillë nuk jep përfundime të menjëhershme. Po, por shqiptaret që iu vihen këtyre aksioneve shumë delikatë, e kanë ndërgjegjen për të kontribuar si të mundin, për të shfarosur armikun.
Në fillim puna e këtyre nuk është dalluar kaq fort, por me zmadhimin e qëndresës dhe me shtesën e detyrave u arrit përcaktimi i shërbimeve të posaçme që dallonin prej shërbimeve normale; u nevojit medoemos që të caktoheshin njerëz që të konsakronin gjithë kohën e tyre, për organizimin. Kështu disa nga të qëndresës, të gjurmuar nga agjentë të ndryshëm, duheshe të largoheshin prej shtëpive të tyre dhe të jetonin ndënë emra false. Qëndresa pas shumë përpjekjesh, arriti sigurimin e dokumenteve false që u vunë në përdorim, nga ana e njerëzve me detyra të shërbimeve speciale. Sa për strehimet, këto arriheshin në shumë mënyra dhe të gjitha e kishin rrezikun. Ilegali e ka për rregull që të ndërroje strehimin. Strehimin e gjen të shumtën e herëve ndër miqtë, simpatizues e të panjohur.
Shumë njerëz në Shqipëri e muarrën si zakon, në këto vjetët e fundit, qe të japin strehim pa u shkaktuar pyetje meshkujve dhe femrave, që nuk i njihnin fare, e të cilët nuk kishin për t’i parë kurrë. Me gjithë se shumë herë kanë qenë të rrezikshëm e të kërkuar prej Policisë, SIM-it ose Gestapo-s. Kontrollimet bëheshin rregullisht dhe një shërbim i posaçëm u caktua në vëzhgimin e strehimeve. Njerëzit e strehimeve shumë herë nuk janë njohur si pjesëtar të ndonjë organizatë politike, por kurdoherë pranonin rrezikun për strehimin e një klandestini, apo ilegali, që kalonte, ose të ndonjë aviatori aleat, të cilin e kalonin stacion mbi stacion, për deri sa të arrinte në vendin e duhur, për t’u nisur në bazën e vet.
Të gjitha këto nuk kalonin pa rreziqe sepse, vizitat shtëpiake të natës nuk janë të rralla, ndënë pretekstin më të vogël, si dhe pa pretekst, në qytetet e Shqipërisë. Për fat të mirë policat shqiptarë, ose ato të okupatorit, nuk mjaftojnë për një vërtetim serioz e të vazhdueshëm nëpër gjithë banimet dhe brimat e fshehta. Besnikëria për pritje, strehim e përcjellje, bëhet prej gjithë klasave shoqërore. Borgjezë ose intelektualë, kanë gjetur strehë ndër shtëpitë e varfra të punëtorëve; njerëzit e popullit “terrorist”, kanë qenë të fshehur nëpër vila dhe nëpër institucione e objekte fetare të ndryshme. Me keqësimin e kushteve të jetës, shkaktuar nga sjelljet e okupatorit, evolucioni psikologjik i popullit shqiptar, shpejtohet. Numri i shqiptarëve që kanë besuar në përfundime të lumtura të kollaborimit, nuk ka qenë kurrë i konsiderueshëm dhe prej këtyre,= dita-ditës, dilte bindja se është një nevojë e papëlqyer.
Kolaboracionistët më të bindur rekrutoheshin midis njerëzve të ligave fashistë, ndër ambientet tregtare dhe industriale, ku shpresoheshe të gjendeshe një marrëveshje me okupatorin për të siguruar rastin e fitimeve të mira. Shpresa këto që shumë shpejt dështuan….! Dalë nga dalë, shpirti i qëndresës fiton shumicën e shqiptarëve. Numri i dëgjuesve të radios shqipe të Londrës, shtohet pa pushim, sa do që ndalohet nga okupatori dëgjimi i emisioneve të BBC-së. Shumë njerëz refuzojnë të dëgjojnë radio Tiranën, e cila është e barabartë me radion e okupatorit. Armiku shumëzon përpjekjet e tij të propagandës me anën e shtypit, kinemave, konferencave, etj. Shqipëria me gjithë këto, dita ditës po forcon qëndresën e vet. Opinioni i shqiptareve u bë.
Në sallat e kinemave kur shfaqen aktualitetet, shumë herë dëgjohen shumë zëra, përplasje këmbësh dhe vërshëllima nga të gjitha anët. Okupatori me qeverinë e Tiranës, në mbështetje të këtyre ngjarjeve, detyrojnë pronaret e kinemave që gjatë projektimit të filmave, të mbahet një dritë e mjaftuarshme që të lejohet mundësia për të kapur dhe zbuluar manifestuesit. Spektatoret me këtë masë, zbulojnë një mënyrë tjetër: qetësinë e “vdekur”, ose duke kënduar fletore dhe duke u paraqitur pas “journal-it”, të aktualiteteve të posaçme.
Okupatori i detyron pronarët e kinemave që të projektohet “journal-i” i aktualiteteve në mes të filmit kryesor. Me gjithë këto, opinioni ka qenë e mundur që të ndryshohej. Okupatori ndaloi filma të origjinës amerikanë dhe inglize. Shfaqeshin vetëm filma gjermanë e italianë, të kontrolluara prej një komisioni të posaçëm, të frymëzuar prej qeveritarëve të Tiranës, ndënë censurën e okupatorit. E pa dobishme është folja e gjatë për shtypin. Atij të tradhtareve në kryeqytet nuk i mungojnë të hollat, por i mungojnë kënduesit. Shtypi tjetër praktikisht nuk mund të jepte të reja të tjera, përveçse atyre që thoshte okupatori: pra ato që dëshironte okupatori. I gjithë shtypi ka qenë krejtësisht ndënë urdhrat e qeverise kuislingë e, të armikut.
Me gjithë këtë, propaganda të pa frenuar e me gjithë shkrimet e disa njerëzve me emër, që u përdorën për këshilla, gjithë qeveritarët kuislingë ankoheshin për in-disiplinimin e shqiptarëve. Të gjitha masat e qeveritarëve kuislingë, kanë qenë me qëllime prapavepruese, suspektë, të flakura prej opinionit, të përbuzura e të urrejtura. Punëtoria nuk ka besuar kurrë në politiken e ashtuquajtur sociale, të disa predikuesve të shtypit qeveritar. Gjithë këto predikime priten me nji indiferencë të përgjithshme. Disa shqiptarë kanë pandyer (e kanë besuar si të vërtetë), lojën e dyfishtë të krerëve të qeverive të Tiranës, por të gjithë këta krerë, kanë qenë vegla dhe që të gjithë kanë bërë politikën e okupatorit.
Me dështimin e disa qeveritarëve, këta kuislingë kanë tentuar për të gjetur mbështetje pranë Lëvizjes s’onë. Por në nuk ua çelem dyert këtyre të verbuarve, të paarsyeshëm, këtyre dritë shkurtëve, aventurierëve dhe veglave të okupatorit. Me mos pranimin e këtyre tipave, këta formojnë lëvizje reaksionare, duke manifestuar haptazi tradhtinë ndaj shqiptarëve dhe sidomos atyre të qëndresës. Një numër i mirë i këtyreve pësuan atë që meritonin. Shumëve prej tyre mund t’iu falesh gabimi po të ndiqnin rrugën e vërtetë patriotike, se sa të ngelnin emisarë të fshehtë, duke përfaqësuar “lojën me dy faqe”. Por këta nuk u kthyen nga e mbara dhe nuk mund të faleshin kurrë, se kishin lyer me gjak duart e tyre dhe punonin haptazi me okupatorin.
Lufta vazhdon, besimi në triumfin e fundit të aleatëve afirmohet çdo ditë. Qëndresa madhështore ruse, kalon gjithë parashikimet dhe galvanizon kurajot. Hyrja në luftë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, salutohet prej një entusiazme popullore që nuk mund të përshkruhet. Fushata triumfuese e Afrikës, me pas në Siçili dhe Korsikë, konsiderohet si një premtim i çlirimit të ardhshëm. Pa fjalë, shumë herë shpresat e mëdha e kalojnë masën dhe me to edhe morali. Populli nuk mat përpjekjet e mëdha që nevojitën të bëjnë Aleatët për të rifituar kohën e humbur, as edhe zorimet (vështirësitë) e mëdha që i atribuohen gjendjes se ishullit të Britanisë së Madhe dhe në largimin e zonave të operacioneve, por prapë besimi në fitore, nuk pushon së zmadhuari paralelisht me dobësimin e qeverive të Tiranës. Këto qeveri nuk gëzojnë asndonjë lloj autoriteti. Shumica e shqiptarëve vazhdimisht sabotojnë veprimtarinë qeveritare.
Kur aviatorë miq zbritën në tokën shqiptare, ata që rrojtën e dinë fare mirë mikpritjen që kanë patur pranë popullatës që ka bërë gjithçka për shërbimin e nevojave të tyre. Nëpërmjet rrugëve misterioze, këta aviator dal nga dalë kanë arrirë në vendet nga janë nisur me mision e, që andej kanë mundur të kthehen përsëri në tokën aleate. Varret e atyre që kanë lënë jetën e tyre në tokën t’onë, janë lulëzuar prej shqiptarëve, të cilët dëshmojnë kështu ndjenjat e miqësisë kundrejt shteteve të lira. Shqipëria ka qenë kundër qeverive të Tiranës, sepse këto nuk ishin veçse vegla të okupatorit. Popullariteti i luftëtarëve për çlirimin kombëtar zmadhohej dit për dit. Qëndresa, më parë e rezervuar dhe xheloze e independencës, u shkri krejt në përpjekjen e çlirimit kombëtar, duke i shkaktuar në çdo mënyrë luftë të pa prerë, okupatorit.
Qeveritë e Tiranës detyronin bashkëpunimin, por shqiptarët nuk dëshironin; u muarën masat e burgimit të patriotëve; kapeshin punëtorët dhe i dorëzoheshin okupatorit; mblidheshin ushqimet për të. Në këtë kohë radioja e Londrës përcaktonte vijat e përgjithshme të veprimtarisë së qëndresës shqiptare, duke caktuar qëllimet kryesore: më parë vazhdimi i luftës përbri aleatëve deri në fitore; më pas t’i lejohet fjala popullit shqiptar, që të zgjedhë ai vetë formën e qeveris së vet. Shumë miq të Shqipërisë iu kanë drejtuar thirrje shqiptarëve. Fjalët profetike të këtyre miqve, merrnin dita-ditës një kuptim më të vërtetë. Simbolizonin për Shqipërinë vullnetin për rimëkëmbjen e një Kombi sovran, zot të vet vetës. Shumë miq të Shqipërisë, në mbështetje të përpjekjeve të Rinise Shqiptare, u angazhuan me nder për të restauruar pas fitores, lirinë shqiptare; por tregonin që Shqipëria për t’u bërë e lirë, duhet të luftojë, sepse liria fitohet dhe meritohet.
Lëvizja e jonë e ka bërë qëndresën me elementë drejtues të dalë nga gjiri i popullit, të gjithë trima e të vendosur dhe me vështrime të qarta dhe të arsyeshme. Shumë shqiptarë nuk i njihnin, kurrë nuk i kishin parë fotografit e tyre. Këta elementë të panjohur në fillim u bënë përmbledhësit e energjive shqiptare. U bënë “flamuri”, “symboli”. Mbështetësit e këtyre elementëve të rinj, nuk kanë qenë për miqësi ose shoqëri, por për atë që ata shprehnin dhe e cila ka qenë shumë e arsyeshme. Ja edhe arsyeja pse të huajt, okupatori dhe armiqtë që ndodheshin në Shqipëri, shikonin nëpër katundet me të humbura, si dhe ndër lagjet më të mjeruara, shenjat propagandistike të Lëvizjes s’onë.
Revoltimi i ynë gjen rast që të shprehet publikisht. Në Jugë u zhvilluan, me rastin e ditëve të shënuara, manifestime kundërshtuese. Me qindra polica nuk kanë mundur të ndalonin popullin, për të kënduar himnin e Flamurit, për të penguar thirrjet: “Poshtë okupatori”, “Poshtë Fashizmi”, “Poshtë tradhtarët”. 200 arrestime, 600 internime administrative dhe dërgim për në kampet e përqendrimit në Itali. Manifestime të mëdha popullore me rastin e kësaj ditë të shënuar, përmblodhën masa të jashtëzakonshme populli. Këto i dhanë popullit të Shqipërisë ndërgjegjen e fuqisë së tij, duke iu dhënë një grusht qeveritarëve me anën e protestës popullore.
Shqiptarët e tërhequr prej sukseseve të manifestimit parakaluan nëpër të gjithë vendet kryesore me Flamurin në krye, duke kënduar edhe himnin e tij, duke nxjerrë thirrje për Shqipërinë, për Aleatët, për Mbretin, për Rininë, për Popullin; prapa kësaj mase populli, agjentët me revolverë, mitraloza dhe tanke, e me këtë armatim, nuk guxonin të bënin gjë përveç këshillave për “qëndrim të moderuar, për shkak të konsekuencave që mund të rrjedhin”…! Në shumë vende u deponuan buqeta lulesh përpara monumenteve kombëtare. Edhe ndër ditët e fundit, sa do që rreziqet kanë qenë shumë të mëdha prej masave terroristë të policisë dhe të okupatorit, manifestimet nuk janë rralluar. 28 Nëntori 1943, u manifestua prej popullit, duke deponuar lule ndër monumentet e dëshmorëve t’anë, në mauzoleumin e Nënës Mbretëreshë; ndër shumë vende u pezulluan punimet nga punëtorët. Flamurkat e vogla shpërndaheshin nëpër gjitha anët. Policia bëri shumë arrestime, nga të cilat një pjesë e madhe u internua jashtë Shqipërisë.
Gjithë këto gjeste kanë patur dobitë e tyre për të krijuar një klimë shumë të papëlqyer për okupatorin. Lëvizja e jonë pregatiti popullin e Shqipërisë dhe e bindi se interesi i tij koincidontë me detyrën e tij, për të refuzuar poshtërsitë që i propozoheshin. Ndaj populli jonë ka dashur mposhtjen deri në vdekje të Fashizmit. Që të gjithë shpresonin arritjen e orës së betejës së madhe. Organika ushtarake, me oficerë të çdo arme, Rinia, plotësonin kuadrot e nevojshme. Nëpër male dhe fusha patriotët zhvillonin instruksion ushtarake, ushtroheshin në përdorimin e armëve. Natën, nëpër male, fusha, pyje, rojet kryenin detyrat e caktuara. Jetoheshe jeta e fushave, e maleve, e pyjeve, vëllazërisht midis çdo lloji njerëzish të çdo krahine dhe të çdo klase shoqërore. Kish disa pushkë dhe disa mitraloza. Në vend të mungesës së armëve modern, ishte kurajua, vullneti, entuziazmi, ideali.
Pjesëtarë e Lëvizjes s’onë, që kalonin jetën nëpër male, kanë patur nevojë për shumë gjëra: ushqime, mbulesa, veshje, armë, vegla të ndryshme, vaj-benzinë për kamionët që kishin kapur nga okupatori. Për të prokuruar gjithë këto, filloi dalë nga dalë, pak nga pak, sulmimi mbi kolonat armike, për të siguruar kamionët dhe përmbajtjen e tyre. Okupatori me bashkëpunëtorët e vet, po përgatiteshe për një spastrim me stil të madh. Çdo ditë dhe çdo natë, sabotimet nuk pushonin por shtoheshin dhe organizoheshin edhe më mirë. Gjendja e luftëtarëve t’anë në dimër, nëpër male dhe nëpër pyje, po bëheshe shumë e rëndë, prandaj ca më tepër po shtoheshin aksionet; luftëtarët ekspozoheshin edhe më tepër dhe u bënë shumë të pa durueshëm për okupatorin. Memorie.al
Sekr. Përgj. Lëvizjes së Legalitetit
Kryetari
Prof. Gaqo GOGO Major Abaz KUPI
Kajro, më 2 gusht 1945
Vijon numrin e ardhshëm