Nga Dalip Greca
Memorie.al / “…Kur mbaruan pyetjet dhe proçeset investigative të policisë greke, Asim Jakova e njoftoi Reshat Agajn, se shpejt do të shkonin në Kampin e Llavrios, aty ku ishin mbledhur të gjithë të ikurit shqiptarë, bullgarë e jugosllavë. Para se të nisej për në kamp, në shtëpinë personale të Asimit, Reshati, Asimi dhe gjenerali amerikan, Beck, kaluan plot gjashtë orë intervistë, me pyetje e përgjigje, të cilat i përkthente Asimi. Në këtë intervistë, ai shkruan në ditar, se u hapi zemrën amerikanëve dhe zbrazi tërë tragjedinë e vet dhe të vëllait, Pertefit. Kur kaloi në kampin e Llavrios, një ditë policët grekë e çuan në disa zyra të Misionit Amerikan, ku iu nënshtrua provës së makinës, që nxjerr gënjeshtrat në shesh (lie detector).
Zhveshur nga brezi e lart, ata i lidhën për trupi disa fije të ndryshme teli, që ishin lidhur me këtë makinë, e cila dridhej sa herë që jepte përgjigjet e pyetjeve në shqip, po ose jo. Një teknik amerikan do të shqyrtonte pyetjet e përgjigjet dhe do të përcaktonte nga dridhjet e makinës, nëse ai kishte thënë të vërtetën, apo kishte fshehur ndonjë sekret. Asimi i tha më vonë, se tekniku kishte thënë në raportin e tij, se Reshati në pyetjet e para kishte fshehur të vërtetën dhe në pyetjet e tjera, kishte thënë të vërtetën.
– Unë, – i tregoi Asimi më pas,- u zura me të, se jam i sigurt se ti je një intelektual nga shtëpi fisnike dhe nuk je agjent komunist, i udhëzuar për të na mashtruar ne. Kam vënë firmën, duke i siguruar amerikanët, me jetën time, që, në rast se ti je agjent komunist, unë të dënohem njësoj me ty. Firmën personale të Asim Jakovës, ia konfirmoi më vonë kapiteni amerikan Johnson, që kryesonte zyrën për shqiptarët, kur Asimi nuk shërbente më aty, por ishte transferuar në një vend tjetër. Çështja e Reshatit u mor në konsideratë të veçantë nga ana e amerikanëve, nëpërmjet të gjitha kanaleve të tyre dhe e tërë ajo situatë iu raportua qendrës në Washington, sikurse ia tha atij në mirëbesim Asim Jakova.
Kur zyra amerikane e Athinës u propozoi atyre të Washingtonit, që ta përcillnin Reshatin në Itali dhe ta përdornin për kontakte me komunistët e Misionit Shqiptar në Romë, ata të Washingtonit, iu përgjigjën kështu: “Nuk kemi asnjë interes në shërbimet që mund të na sjellë Reshat Bajram Agaj. Ne jemi të interesuar vetëm të shpëtojmë jetën e Pertef Bajram Agajt”!
Reshati shkruan në ditar: “Ky telegram i ardhur nga Washingtoni, si më tha Asimi, bëri kaq shumë përshtypje në shpirtin tim, saqë kurrë në zemrën time, s’kam pasur veçse ndjenjat më të larta të admirimit dhe mirënjohjes së thellë, për popullin e vërtetë amerikan, për atë që mbron dhe ruan në shpirt traditat e shkëlqyera të këtij populli të ri, tradita njerëzimi, mëshire dhe lirie.
“Vëllezërit” e mi shqiptarë, si Kadri Hazbiu me shokë, kërkonin pa mëshirë e pa dhimbje, që unë të zhgërryhesha përdhe dhe të bëhesha vegla e tyre e ndyrë, kundër të ikurve të mjerë, që luftonin kundër një regjimi, që ishte kokë e këmbë në shërbim të rusëve e sllavëve, ndërsa amerikanët e panjohur të përtejdetit, ushqenin ndjenja shumë të larta njerzillëku dhe mëshire për mua dhe vëllanë tim. Mirënjohja ime për ta, kalon çdo kufi dhe u jam mirënjohës përjetë. Drita dhe shpëtimi i Zotit, u derdhtë mbi këtë komb e mbi këtë popull.”
Në shënimet e veta, Reshati nuk e harron ndihmën me të holla që dha për të Asim Jakova. Kur Asimi u largua për në Amerikë, ai e rekomandoi Reshatin, tek Kapiten Johnson, një burrë nordik, i gjatë afro dy metra, nga Milwaukee. Gjatë Luftës, Johnson kishte kaluar katër vjet në malet e Hungarisë, në prapavijat gjermane dhe kish shpëtuar për mrekulli, nga ndjekjet e Gestapos, në sajë të një kundër-agjenti amerikan, që ishte në Budapest, me gradën e majorit të ushtrisë gjermane. Historia e kapitenit Johnson, ishte me të vërtetë një histori, që gati dukej legjendare. Duke kaluar nëpër Hungari, Kroaci dhe Itali, veshur si diplomat kroat, ai mundi të arrijë në vijat e ushtrisë amerikane, në Itali.
Dëshira e parë, që u shfaqi superiorëve pas gjashtë vitesh shërbimi dhe ndarjeje nga familja e tij, ishte, që të kishte mundësi të shkonte të shihte nënën e tij në Milwaukee. Komanda e lartë e kënaqi Kapitenin Johnson, duke i vënë në dispozicion një aeroplan të veçantë, për të udhëtuar drejt nënës së tij. Kapiteni Johnson, njihte shumë gjuhë. Edhe italishten e fliste shumë mirë. Me këtë gjuhë komunikonte Reshati me të, se në këtë kohë anglishtja i çalonte. Me Kapiten Johson, bisedonin vetëm punët e kampit dhe asnjëherë, megjithëse e dinte fare mirë, nuk ia zuri në gojë ngatërresat me komunistët e Tiranës.
Në këtë kohë, pas ikjes së Miftar Spahiut, Reshati ishte bërë kryetari i Legalitetit në kamp dhe shpeshherë shkonte në Athinë, në lidhje me problemet e kampit, mbasi në këtë kohë amerikanët kishin lëshuar fonde për t’u shpenzuar në favor të refugjatëve politikë dhe natyrisht ngjanin mosmarrëveshje, se si do të ndaheshin këto fonde. Kur Kapiteni Johnson merrej me punët e tjera, ai që kish të bënte me Reshatin, ishte një djalë i ri shqiptaro-amerikan, lindur në Amerikë, që ai i njihte vetëm emrin, Peter. Ai fliste një shqipe të bukur, korçare.
“A u kthye Papa në Vatikan”?
Ishte janari i vitit 1952. Pas një qëndrimi prej një vit e gjysëm në Greqi, qendra vendosi që Reshati të shkonte në Itali. Para se të nisej për në Romë, shqiptaro-amerikani Peter, e mori nga kampi dhe e mbajti në një hotel të bukur në Pire, për afro një javë. Çdo natë ai e ftonte për darkë, duke e çuar në restorantet e bukura të Pireut.
Nisja nga Athina, u bë me anë të një avioni britanik. Në aeroport e përcolli Peter, me makinën e tij. Kur ishin në mes të rrugës, Peter ndali makinën dhe kontrolloi imtësisht valixhen e Reshatit. Ishte hera e parë, që Peter bënte detyrën, ashtu si e bëjnë agjentët e punëve të fshehta, se deri atëhere puna e tyre kishte shkuar në mirëbesim. Peter i mori me vete bllokun e shënimeve, një pare floriri, që ia kish dhënë bashkëshortja, Drita, si kujtim dhe një bonde – me lireta italiane. Bondet dhe floriri, i’u kthyen në Itali me anë të Gaqo Gogos, por blloku i shënimeve, nuk iu kthye kurrë.
Kur Peter i dha disa dollarë dhe pasaportën dhe u përqafua me Reshatin, ky i tha këto fjalë në anglisht: – “Unë shkoj të punoj për Shqipërinë, për Amerikën dhe për Lirinë”. Peter u kënaq shumë dhe, duke e përqafuar dhe një herë, u ndanë për të mos u takuar më. Arriti në Romë në orët e para të mbrëmjes. Hipi në një autobus, duke i dhënë shoferit adresën që i kishte dhënë në Athinë, Peter, në marrëveshje me zyrën e Romës. Kur arriti atje, u ndodh në një situatë të vështirë; adresa ishte fallso.
I dëshpëruar zuri vend në një hotel aty afër. Kjo ishte e papritura e parë që i bënë zotërinjtë italianë dhe u dëshpërua shumë. Priste t’i vinte agjenti italian, zotni Marconi, i cili duhej t’i jepte parullën: “A u kthye Papa në Vatikan, apo jo” dhe Reshati do t’i përgjigjej: “Po, u kthye”. Mirëpo askush nuk iu paraqit. Të nesërmen doli jashtë. Një zotni me trup mesatar i afrohet dhe i flet në emër. U habit dhe s’diti si të vepronte nga që priste parullën.
Por ai, siç e kanë zakon italianët, që çdo gjë e marrin me shaka, kur pa se Reshati po mendohej dhe mëdyshje, tha duke qeshur: – “Eja, eja këtu, se e dimë që Papa erdhi në Vatikan”. Italiani e çoi në shtëpinë që kishin zënë me qira, për Reshatin. Pas pak ditësh në Romë, u takua me Gani Tafilin. Ata të policisë u zemëruan, sepse duhej të kishte qëndruar akoma i padukur. Dalja e tij jashtë, ishte me zarar, pasi në atë kohë aty kishte shumë shqiptarë rrotull. Italiani Markoni dhe shefat e tij, nuk kishin aq besim tek Reshati.
Takimi me Abaz Kupin
Reshati po e ndjente se qëndrimi i tij në Romë, ku të gjithë shqiptarët silleshin kafeneve, krijonte thashetheme të pafundme për të dhe sigurisht fliteshin e ç’fliteshin fjalë sokaku, sa të duash. Fjalët e ardhura nga Shqipëria nga Laze Bërdo dhe Ahmet Belushi, të cilët kishin thënë se nuk ishin pushkatuar të gjithë ata të procesit të Pertefit, kishin qarkulluar kudo.
Atëhere Komiteti i atjeshëm i Shqiptarëve, ishte i plotë dhe merrej me punë subversive brenda në Shqipëri dhe dyshimet, natyrisht, ishin të mëdha. Kulmi i këtyre thashethemeve arriti, kur agjenti amerikan Lee, pranë Komitetit, i tha Abas Kupit, se Reshati ishte i dërguar nga qeveria komuniste dhe se emri i tij i fshehtë, qenkësh “Remo Giovannini”. Kur shkoi tek Abazi, ky i tregoi Reshatit, emrin të shkruar në një bllok. Iu përgjigj Abas agës, aty për aty:
– “Unë nuk jam as tradhtarë i nacionalizmit shqiptar, as tradhtar i Lëvizjes së Legalitetit, por, po pate durim, dua të fjalosem me ty sy më sy, të të shpjegoj si është puna”. U hoqa mënjanë me plakun e madh të maleve tona dhe ia kthjellova fill e për pe të gjithë tragjedinë time dhe të vëllait tim. Pasi më dëgjoi, më puthi, duke më thënë me zemër prindi: – “Ti më ke mua e, mos e çaj kryet fare”. Për aq kohë sa qëndroi në Romë dhe nëpër kampet e Italisë, sofra e Abas Kupit dhe porta e shtëpisë së tij, qenë të hapura dhe mikpritëse për Reshatin.
Reshati shkruan në ditar: “Nga zemra e falenderoj shpirtin e tij. Zoti e ndjeftë atje, ku i treten eshtrat! Ndërsa kur i shpjegova Abas agës, takimin e fundit me vëllanë dhe me oficerët e Sigurimit, Bazi lëshoi një psherëtimë të sinqertë dhe tha: I shkreti…”?! Kaloi pothuaj tre muaj në Romë, pa i ndodhur asgjë. Reshati shkruan në ditar: “Unë isha vetëm një gozhdë e vetme në atë rrotë të madhe të shërbimeve të fshehta”!
Një ditë i shkon një polic dhe i thotë të paraqitej në policinë e Romës, se duhej të largohej nga ai qytet. Mori valixhen dhe shkoi në polici. Ata i thanë që, meqenëse s’kishte ku të shkonte, do ta fusnin në kampin e refugjatëve pa atdhe, në Fraschette, kamp i mbyllur për njerëz të dyshimtë dhe të rrezikshëm. Një polic e shoqëroi atë natë për në Frosinone, ku e ndalën në burgun e qytetit. Në Fraschette, arriti të nesërmen. Në burg takoi qindra italianë e të huaj të çdo kombësie, mbetur rrugëve.
Të nesërmen e shoqëruan për në kampin e Fraschettës. Aty e kap një mërzi e thellë. Në ditar gjejmë këtë shënim: “Këtu mbaroi ekzistenca ime, si individ i veçantë. Të gjithë ata që mbylleshin këtu thërriteshin me një numër, e jo më me emër. Numuri im ishte 6339. Mbyllja ime këtu, bëri përshtypje të keqe nga çdo anë dhe sigurisht shumë menduan se unë isha agjent komunist dhe i rrezikshëm, mbasi më mbyllën në këtë kamp, që s’kish liridalje, veçse me leje të veçantë”!
Në atë kohë, kushëriri i tij, Ago Agaj ishte në Egjipt. Ai u bë shumë merak dhe me anë të Mbretit Zog, u interesua që Reshati të bënte një lutje, për t’u marrë në shërbim të shërbimit të lajmeve angleze, B.B.C., meqenëse ata kërkonin një stenograf. I ktheu përgjigje, se nuk e bënte dot më atë punë. Agoja nuk e dinte se Reshati, s’mund të bënte asnjë lëvizje pa leje. Sidoqoftë, me anë të Ali Këlcyrës, Agoja i dërgoi nga Egjipti një palë rroba. Nga Roma, nga Partia e Legalitetit, i dërguan ca para, që i shërbyen shumë për të shkuar në Fiuggi, për kurën e pastrimit të veshkave. Kur shkoi në këtë kamp, veshkat filluan t’i dhimbni shumë dhe një ilaç që kishte marrë në Romë, s’i bëri efekt.
Dëshmitar për dhunën komuniste
Në kamp i vijnë një ditë të dërguar nga Abaz Kupi, Gani Tafili dhe Selim Damani, të cilët e vënë në dijeni se Komiteti “Shqipëria e Lirë”, kishte kërkuar që Reshati të shkonte në Romë, të demaskonte kampet e për qëndrim-internimit që kishte ngritur qeveria komuniste e Shqipërisë. Ata s’kishin ku gjenin tjetër njeri, që të dëshmonte me saktësi dhunën komuniste. Reshati kishte kaluar nëpër ato kampe pune të detyruar. Ai kishte dalë gjallë nga kampi i Kënetës së Maliqit, nga vendi i skëterrës. Partia Agrare e Ballit Kombëtar, kishte paraqitur Skënder Dumën, i cili kishte qenë i burgosur dhe kish punuar një vit në Kampin e Maliqit.
Në fillim plani kish qenë që të dy të shkonin për të dëshmuar para Komitetit të veçantë të Organizatës të Kombeve të Bashkuara, për “Shkeljen e të Drejtave të Njeriut”, me qendër në Gjenevë të Zvicrës, por, siç i shpjeguan Selimi dhe Ganiu, qeveria e Zvicrës, nuk e kish lejuar vajtjen e tyre atje, se nuk donte t’i shtonte telashe vetes, duke armiqësuar vendet e perdes së hekurt dhe veçanërisht Rusinë, e cila atëhere i delte zot Shqipërisë. Komiteti kish vendosur ta paraqiste Reshatin, para një konference shtypi në Romë, ku do të merrte pjesë e gjithë kryesia e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me Hasan Dostin në krye, diplomatë të huaj me qendër në Romë dhe gazetarë italianë e të huaj. I tërë fjalimi i Reshatit, do të bëhej në gjuhën italiane, që e njihte si gjuhën shqipe.
Në gazetën “Flamuri”, korrik-dhjetor 1952, shkruhej: “Mandej z. Hasan Dosti, paraqiti një burrë të ikur kampeve të përqendrimit të Shqipërisë së robëruar, z. Reshat Again, i cili përshkroi vuajtjet, torturat dhe varrosjet për së gjalli me një mënyrë rrëqethëse. Gazetarët u interesuan shumë për këtë kontakt direkt me fakte e njerëz që janë prova të rralla dhe të gjalla të barbarizmit komunist”. (Marrë nga libri “Hasan Dosti, një jetë për çështjen shqiptare”, faqe 203).
Tregimi i Reshatit mbi Kënetën e Maliqit, sepse atje kishte kaluar gjashtë muajt më të frikshëm e më të tmerrshëm të jetës së vet, ishte përkthyer në italisht dhe ai duhej veçse ta lexonte. E morën një ditë para dëshmisë në Romë dhe, me urdhër të amerikanit Lee, që ishte përgjegjës pranë tij, duhej të ishte i veshur keq. Dalja e Reshatit para personaliteteve, që ishin atje, me rrjedhshmërinë e gjuhës italiane, bëri një përshtypje të madhe dhe të nesërmen të gjitha gazetat e Romës, disa dhe me fotografinë e tij, dhanë lajmin e kësaj konference shtypi. Komiteti “Shqipëria e Lirë” nxori në këtë rast një buletin special në tri gjuhë, shqip, anglisht e italisht, me tregimin dhe historinë e Reshatit.
Vite më vonë, kur Reshati ishte në Kanada, Senati Amerikan nxori një broshurë të vogël mbi Shqipërinë dhe okupacionin e saj nga ana e komunizmit. Në këtë broshurë, dy faqet e fundit janë mbushur me tregimet e tij rreth kampit të punës së detyruar në Maliq dhe jetën e të burgosurve në atë kamp. Jo shumë kohë më pas ai u transferua në kampin e Marcatellos, afër Napolit, ku ishin strehuar dhe shumë shqiptarë të tjerë. Shkoi aty në gushtin e vitit 1953 dhe më 1 mars të 1954-ës u nis për në Kanada, në kontinentin e Amerikës së Veriut, në vendin e liqeneve dhe akujve.
Provokimi, letër nga vëllai dhe nisja për Kanada
Një ditë i dërguan një letër nga Milano, me emrin e një njeriu fare të panjohur. Kur e hapi këtë letër, njohu shkrimin e Pertefit, vëllait peng. Ai shkruante se ishte mirë dhe besonte që edhe Reshati, të ishte mirë. Sigurisht që kjo letër ishte diktuar nga ata të Sigurimit të Shtetit në Tiranë dhe i dërgohej nga Milano, që të mos zgjonte ndonjë dyshim, ose të censurohej. Letra e qetësoi shumë, se i dha lajmin se Pertefi ishte gjallë dhe se punët shkonin jo keq, në lidhje me qëndrimin e tij jashtë dhe çdo gjë ishte në rregull. Mirëpo Reshati i gjorë nuk e dinte, se vëllai ishte pushkatuar, që në vitin 1951!
Mbasi mori garancinë për të shkuar në Kanada, Reshati iu drejtua Ministrisë së Jashtme, që t’i lëshonte një dokument udhëtimi si refugjat, për të udhëtuar drejt vendit të panjohur, ku do të ishte streha e tij e re. Roma e refuzoi kërkesën tij. Atëhere iu drejtua Ministrisë së Jashtme Greke në Athinë, aty ku ai doli për herë të parë dhe ata ia dërguan menjëherë dokumentin që kërkonte dhe kështu, pas vizitave të doktorëve dhe intervistës në Ambasadën e Kanadasë në Romë, u përgatit për t’u nisur në Kanada, më 31 mars 1954, ku e priste Hekuran Shaska, që i kish dërguar garancinë.
U nis nga Napoli me vaporin “Vulcania” për në Halifax të Kanadasë, bashkë me qindra italianë dhe me shokun tij, Zija Boriçi, nga Shkodra. Kaluan 15 ditë lundrim të ashpër, të fuqishëm dhe të rreptë, në mes të oqeanit, dallgët e të cilit e ngrinin dhe e ulnin tërë atë bina vapori, si një varkë të vogël. Pas shumë mundimesh, mbërrijnë në Kanada.
JETA E RE NË TORONTO TË KANADASË
Më 1 prill 1954, së bashku me shkodranin Boriçi, zbritën në Halifax, qyteti bregdetar i krahinës së Nova Scotia, ku u pritën prej njerëzve të Këshillit Botëror të Kishave, që ishin ndërmjetësit e ardhjes së tyre në Kanada. Ata i ndihmuan për të marrë trenin, që nisej për Toronto. Pas afro katër ditë udhëtim, treni arriti në Toronto, ku i priti Hekuran Shaska dhe Veledin Çapoj. I tërë vendi ish mbuluar me borë të madhe. Reshati u sëmur nga të ftohtit dhe qëndroi brenda një javë. Kishte kollë të fortë dhe ethe. Jeta ishte e vështirë, saqë kalonte shpesh në dëshpërim të thellë, ngaqë puna në këtë kohë nuk gjendej dhe gjuha angleze e tij, ishte ende e pasigurt.
Provoi të punoi si pjatalarës dhe ndërroi shumë vende, ngaqë e nxirrnin nga puna, për shkak se merrnin të tjerë më të rinj që ua bënin më mirë punën. U shkroi letër në të katër anët Jakovës e të tjerëve, për të patur ndonjë ndihmë në gjetjen e ndonjë pune sipas profesionit, po asnjë ndihmë, nuk i’u dha. Edhe aty ku filloi të punonte si pjatalarës, dërguan një informator shqiptar, që ta vëzhgonte. Dukej se ishte i future, ngase ai u zhduk shpejt dhe kur e takoi më pas, përpiqej t’i fshihej Reshatit. Shikonte se çfarë do të bënte e si do reagonte, ndaj punës si pjatalarës.
Reshati pyet veten: “E kush e dërgoi atë?! Kush e di! Sigurisht, shërbimet kanadeze, të nxitura nga homologët e tyre të jugut. Këtë e kuptova mirë se, ai, që më vërente mua si punoja tek pjatat, iku të nesërmen dhe s’e pashë më të vinte. Më vonë këtë zotëri e njoha fare mirë. Ai ishte një farë vagabondi shkodran dhe, kur i zura njëherë në gojë restorantin e grekut, ku kish qenë të më vërente mua, nuk ia pati qejfi fare të bënte fjalë dhe e bëri veshin e shurdhër. Ai ishte një shqiptar që kishte shërbyer në shërbimet angleze në Greqi. Emrin nuk ia zë në gojë, se s’ka rëndësi”!
Vuajti shumë derisa gjeti punë të rregullt në Dominion Citrus, në verë të vitit 1955. Këtu u qetësua mjaft, se 13 vjet punoi në verë në St. Davids dhe në dimër, në Toronto. Në St. Davids, ishte edhe kryetar i zyrës, edhe arkëtar, pra ishte një zyrë ku një njeri i bën të gjitha. Atje ndjehej mirë, se fshati ishte i bukur e me pemë, tërë verën. Në Toronto atëhere, ishin mjaft shqiptarë të ikur si Reshati dhe aktivë në Lëvizjen Mbretërore të Legalitetit. Në atë kohë nxorën disa numra të ndryshëm të një gazete lokale, me emrin “Djalëria”, bashkëpunëtori kryesor i së cilës, ishte Reshat Agaj.
Reshati u aktivizua në politikë, duke qenë një aktivist i gjallë në Partinë e Mbretit Zog. Mirëpo duket se ishte penduar për këtë kohë të shpenzuar. Ai shkruan: “26 vjet të tërë …mendoj se aktivizimi në parti, ka qenë një gabim shumë i madh, që më ka kushtuar shumë, si financiarisht, si në nervat e shkatërruara dhe në kohën e humbur, duke bërë armiq ata që s’duhej të bëheshin, armiq se ishin edhe njerëzit e mi, edhe njerëz që më kanë bërë e u kam bërë mirë, e jo keq. Përzierja e shqiptarit me politikën, është një përzierje harame, një përzierje eksplozive e shumë e hidhur, se shqiptari nuk e kupton e, nuk e praktikon politikën, veçse në funksion të egos së tij të tmerrshme dhe të individualizmit të tij ekstrem e, pa asnjë farë principi njerëzor dhe moral.
Duke parë këto vite të gjatë politike shqiptare në mërgim, nuk ngurroj të them se demokraci të vërtetë në Shqipëri nuk do të ketë dhe s’do të ketë kurrë. Vetëm në qoftë se një ditë fuqia supreme e Krijuesit të Gjithësisë, do të urdhërojë që të ndryshohet themelish brumi i qenies së shqiptarit, brum i ashpër dhe i egër, brum i krijuar për ngatërresa, luftra pa princip, shpifje, kryeneçësi të pavend dhe të pa shkak. Në themel të individualitetit të shqiptarit, janë influencat e huaja greke, italiane dhe të tjera më të largëta, plus ndasitë fetare të kohës. Prej këndej, na del një çorbë e tmerrshme nastradini, që vihet re më mirë se kudo, në Babiloninë e mërgatës së sotme shqiptare”.
Shënim: Autori Dalip Greca, e shkroi shkrimin kur ishte editor i seksionit ‘Shqip’ në Gazetën “Illyria” në Nju Jork. Teki Gjonzeneli me bashkëshorten, mbesën e Reshat Agaj-it, Filnlandën, (që jetojnë në Nju Xhersi), e bija e Pertef Agaj, i pushkatuar nga diktatura komuniste, ia besuan “Ditarin” e zverdhur nga koha gazetarit. Shkrimi u ndërtua nga “Ditari i Reshat Agaj”, i cili së bashku me 50 mijë dollar, ua kishte lënë amanet miqve tij në Kenosha, Wiscans, SHBA, që t’ia dërgonin familjes në Vlorë, pas vdekjes së tij, por me kushtin: pasi të binte komunizmi. Pikërisht ky ditar, u kompjuterizua nga Dardanesha Andoni Gashi dhe u redaktua nga Dalip Greca.
Ditari- Libër “Vëllai i pengut”, pati shumë sukses në Shqipëri dhe ka njohur deri tani tre botime dhe sërish ka kërkesa. Po ashtu me “Ditarin” u ndërtuan disa dossierë, që u botuan në Gazetën “Illyria” dhe në gazetat e Tiranës. Reshat Agaj, i diplomuar në Itali, një intelektual nacionalist, ishte viktimë e sistemit, por pati kurajo që ta denonconte atë tek amerikanët dhe nuk bashkëpunoi me Sigurimin e Shtetit, që i mbajti vëllanë peng, e më pas ia pushkatoi. Për disa kohë, Reshat Agaj kreu detyrën e Kryeredaktorit të gazetës “Atdheu”. Ai bashkëpunoi me Gazetën “Dielli”, Gazetën “Shqiptari i Lirë” i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, dhe gazeta të tjera antikomuniste në diasporë. Eshtrat e Reshat Agaj prehen ende në Detroit. Ashtu si shumë nacionalistë të tjerë dhe ai pret kthimin në Atdhe. Memorie.al