Pjesa e parë
Memorie.al / Është folur vazhdimisht që shkencëtari i shquar shqiptar, profesor Eqerem Çabej, është trajtuar si një armik nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, mirëpo fakti qe ai ka qenë një nga njerëzit më nën kontroll nga Sigurimi i Shtetit, nuk dihej me saktësi. Në këtë material ekskluziv që “Minerva” po e boton për herë të parë, shihet qartë rreziku dhe presioni i madh në të cilin ka jetuar e punuar Prof. Eqerem Çabej. Dhjetëra drejtues e oficerë të Sigurimit dhe dhjetëra agjentë e spiunë, janë venë në ndjekje të tij, ndërkohë që të ndjekur e të rrezikuar, kanë qenë shumë miq e bashkëpunëtorë të tij, kryesisht njerëz të njohur në rrethet shkencore, letrare e politike. Kjo dosje, por edhe të tjera që ne do të mundohemi t’i bëjmë publike në të ardhmen, dëshmon edhe njëherë rëndësinë e hapjes së dosjeve te Sigurimit të Shtetit dhe lustarcionit të politikës shtetit e shoqërisë shqiptare, jo vetëm për të shkuarën, por edhe të tashmen e, sidomos të ardhmen tonë. Po e botojmë të plotë dosjen, pa shume komente, për t’i lënë lexuesit mundësinë të gjykojë vet mbi veprimtarinë të një prej organizatave me kriminale të diktaturës komuniste, Sigurimin e Shtetit, ish-drejtues e funksionar të së cilit, janë ende aktiv e me shumë pushtet në Shqipëri. (Nebil Çika)
Kritiku i madh italian F. De Sanctis, në veprën “Sprova kritike” (Napoli 1920), thotë: “Është një lloj fatalizmi që unë do të thoja njerëzore, të lindësh në një vend të tillë dhe në një kohë të tillë, të marrësh një edukatë të tillë, të rrish afër njerëz të tillë, ja kondita fatale që tërheqin nga pas të ardhmen, e një njeriu”.
Nga dosja që Sigurimi i Shtetit ka mbajtur për albanologun e madh shqiptar, Eqerem Çabej, po publikojmë një pjesë shumë të vogël nga dosja voluminoze prej 205 fletësh. E gjithë dosja nga faqja e parë deri në fund, është e mbarsur me një urrejtje antinjerëzore që të trondit e të revolton me peversitetin e saj. E të mendosh se po flisnin e shkruanin për një shqiptar të madh, një personalitet shkencor të pa shoq në Shqipëri, e që kishte admirimin e vlerësimin e albanologëve e qarqeve shkencore të Evropës.
Injorantët e Sigurimit kishin guximin e barbarit ta etiketonin profesorin e madh Eqerem Çabej; “me bindje naziste“ dhe të aludonin se mund të ishte “bashkëpunëtor i spiunazhit gjerman” dhe kujt ja thonin këto epitete?! Njeriut që tërë jetën e tij ju përkushtua Shqipërisë, në fushën e tij të gjuhësisë, dhe ka dhënë për të, sa askushi në këtë vend, që edhe sot nuk munden t;ja zbehin fuqinë e ndriçimin të fisëm që ky patriot i madh i dha këtij kombi.
Dosja 2383 – Eqerem ÇABEJ
Ja çfarë ka në këtë tekst:
- Faqja e parë e dosjes fillon në vitin 1952, ku profesor Eqerem Çabejn, e kategorizojnë si të rrezikshëm për pushtetin komunist dhe vendoset t’i hapet dosja 2/B.
- Është autobiografia e profesorit, e shkruar e firmosur nga ai.
- Një nga nga letrat të shumta që Sigurimi Shtetit ja hapte, ja lexonte dhe analizonte profesorit.
- Një nga të pa fundmet raportet e kontrollit që ju bë figurës së prof. Eqerem Çabejt.
- Një proçes-verbal hetuesie, është i vetmi material hetuesi që ka në dosje profesori.
- Një raport në lidhje me albanologun e shquar austriak, Hermann Olberg.
Për lehtësimin e leximit të këtyre materialeve që janë të pafund, por pothuajse të gjitha janë në të njëjtin stil e mendësi, gati të bezdisshme, u mundova të shkëpusja vetëm disa pjesë të këtij materiali, jo se janë ma të rëndësishmet në këtë dosje, por gjykova se janë të mjaftueshme për ta futur lexuesin në këtë botë të errët e të rrezikshme, që Sigurimi i Shtetit komunist, mbante për qytetarët e Shqipërisë.
Tiranë
Tepër sekret
Model 4
Ka vdekur (shkrim dore)
MINISTRIA E PUNËVE TE BRENDSHME
Drejtoria e P. Brendshme
Tiranë
2383
Dosje formular
Kategoria 2/B Nr 2885
Për Eqerem Çabej
Ka 205 fletë
Faqe 3
Lista e P. O. që ndjekin përpunimin
Grada Emri mbiemër P. Op. Data, etj.
Kapiten Koli Shuke, 1952 Tog. Vaskë Afezolli
Toger Laze Damo, 52-1953 Tog. Taip Radoi.
Toger Llazar Karafili, 1953-52. Ndriçim Seitaj.
Kapiten Dhimitër Lazëri, 956-1958 Trasf. Objekti.
Kapiten Sali Miti, 20.2.58. Trasferim.
Kapiten Qako Prokopi, 1.1.960, Trasferim Objekti.
Kapiten Dhimitër Kumia, 20.1.61-16.11.62 Trasferuar P.Op.
Kapiten Qako Prokopi, 16.11.962-24.10.63 Arkivuar.
Oficer Qazim Majko, 20.6.74 -16.1.81. Arkivuar.
Fleta Nr 2. Mbi elementët që implikoheshin me objektin
Nr. Emni e Mbiemri. Ne cilën fletë të dosjes.
Vërejtje
- Sejfulla Malëshova, 5, 10, 28 II/A (shkalla e rrezikshmërisë)
- Pashko Geci, 5, 24, B.p. Dega 2.
- Sabiha Kasimati, 5, 10, 12, 20, 21, 24, (Pushkatuar).
- Osman Myderizi, 5 II/A, Dega 2.
- Sokrat Dodbiba, 9, Burg Burrel.
- Vedat Kokona, 9 II/B.
- Selaudin Toto 9, 16, (Pushkatuar).
- Gjergj Ashta, 9?
- Shyret Turkeshi, 10, 24 II/A, Drejtoria e II.
- Rrok Zojzi, 10, 24, 42, II/B, Drejtoria e II.
- Zaif Çeka? 10, II/A Dega e I.
- Fatbardha Prodani, 10, 24 II/B, Dega II.
- Anton Krajni 10, 49, II/B. Dega e I.
- Filip Ndocaj, 10, 24, II/B. Dega e Tiranës.
- Ndoc Ashta, 10?
- Spiro Belkovi, 10 II/B. Drejtoria ????
- Jonuz Tafili, 16 (Arrestuar), Dega I.
- Jup Kastrati, 17, (nuk lexohet).
- Aldo Çobo, 19, B.p. Dega II.
- Marika Gogo, 20, (nuk lexohet).
- Gjergji Geci, 24, (Pushkatuar).
- Edith Ndroqi 24, 21 II/A. Dega II
- Vangjel Zoto 24, 52?
- Rudolf Peci, 24?
- Naxhie Duma 24, 29, 37, 44 II/A. Sek I. Dega II.
- Sotir Pilinci, 24, (I paregjistruar).
- Andromaqi Xhorxhi, 37, 42, 44, (I paregjistruar), s’ka pranuar B.p.
- Ethem Çomo, 44, (Burg).
- Filip Llupi 44 (I arratisur).
- Muhamet Hoxhaj, 46 II/B. Dega II.
- Gafur Çomo, 44, (Burgosur).
- Lasgush Poradeci, 47.
- Avga Koliqi, 54.
- Et’hem Hajdar Cara, 55.
- Zija Shkodra, 61, 63.
Fleta nr. 3, mbi pseudonimet e B.p., që japin për objektin
Nr. Pseudonimi. Vërejtje.
- “Tisi” (përjashtuar).
- “Presja”, Sek I, Dega II.
- “Gjevreku”, Sek I Dega II.
- “Fasule Korçës”.
- “Kalaja” Drejtoria e Tiranës (përjashtuar).
- “Taraboshi”?
- Drojtja Sek I. Deg II.
- “Dhelpërija”, Sek I. Dega II, (Dishfrua plotësisht).
- “Therpalase”, Drej. Tiranës (përjashtuar).
- “Edie”, Sek I. Deg II. (rezident).
Raport – Kontrolli
Për aktivitetin anti-popullor kundra atdheut dhe popullit, për këto të përpunohet dhe të regjistrohet në kategorinë II/B të kartotekës, t’elementit kundërshtarë, personin e poshtëshënuar me tendenca naziste.
Eqerem Çabej, i biri i Hysenit dhe i Aishes, lindur në 1907 në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, me shërbim pranë Institutit të Studimeve, ka mbaruar studimet universitare në Austri, din gjuhën gjermanisht, frëngjisht, italisht, me nënshtetësi dhe kombësi shqiptare. Shtresë e pasur qytetare.
Gjatë okupacionit, Eqeremi ka ndjekur politikën naziste dhe asnjëherë nuk ka qene element i mirë, Eqeremi qysh se ka qene në Austri, ka patur të tilla tendenca. Nga viti 1936-‘37 ka qenë sekretarë i parë në Ministrinë Arsimit, qysh në këtë kohë jetonte në rrethe borgjeze, gjatë gjithë regjimit të Zogut, ka qenë funksionar dhe ka zbatuar politikën e Zogut. Gjithashtu edhe familja e tij, ka qenë pro regjimit zogistë, mbasi në atë kohë njiheshin si njerëz me influencë dhe përkraheshin.
Okupacionin fashist e ka pritur mirë dhe si mike e popullit tonë, dhe e deklaronte hapur, gjithashtu ky punonte me gjithë shpirt, për regjimin fashist, Eqeremi përkrahesh nga njerëzit e fashizmit, për këtë u dërgua në Itali për studime, kudo që ka qenë, ka propaganduar në favor të fashizmit Italian, e gjithë kohën e okupacionit italian, e ka kaluar në Itali.
Mbas kapitullimit të Italisë, Eqeremi u caktua si Ministër i Arsimit me gjithë se ishte akoma në Itali. Gjatë okupacionit gjerman u kthye në Shqipëri dhe filloi të bashkëpunonte me ta, duke mbrojtur politikën Naziste.
Rrethi i tij shoqëror ka qene i përbërë prej intelektualëve dhe funksionarëve të asaj kohe, si Sokrat Dodbiba, ish-ministër e tash i arrestuar, i gjithë rrethi i tij ka qenë kundërshtarë i luftës tonë çlirimtare, me Vedat Kokonën, ish-funksionar dhe familja e tij i përshtatej çdo situate, Eqeremi rrethi i tij familjar dhe shoqëror, mendonte keq për luftën tonë dhe propagandonte kundra saj.
Mbas çlirimit të Shqipërisë e sot, nuk mban qëndrim të mirë politik, është me tendenca naziste, dhe politikën që ay mendon e komenton në rrethet e tija. Është i prekur nga privilegjet e kaluara, është dinak dhe i zgjuar, tue dash të përfitojë, sot paraqitet si element indiferent. Eqerem Çabej është element i dyshimtë dhe ka patur lidhje Selaudin Toton, Gjergj Ashtën (tash i burgosur).
Sot i gjithë rrjeti familjar dhe shoqëror, është i përbërë nga element kundërshtarë të Pushtetit, të prekur nga reforma të ndryshme, që urrejnë Partinë dhe Pushtetin. Në punën e përditshme, është i përpiktë, por këtë e bën për të maskuar qëndrimin e tij.
PËLQEHET PROPOZUES
Shef i Seksionit M.P. Referen Org. Masave
(Koli Shuke) Kapiten II-të N/toger (Vaskë Afezolli)
3.10.952
A U T O B I O G R A F I J A
Kam lindur në 6 gusht 1908, në Gjirokastër. Vi prej një familje në gjendje ekonomike të mesme. Im at ka qenë gjyqtar. Kam marrë prej tij një edukatë me drejtim nga ndershmëria qytetare dhe nga dashuria për vendin. Prej 1915, gjer në 1920, kreva në vend-lindje time shkollën fillore dhe qytetëse. Në 1921, fitova në konkurs brus Shtetnor dhe u dërgova në Austri. Atje brenda dy vjetësh, kalova si nxënës privat i jashtëm, provimet mbi 5. të gjimnazin në ST. Polten, pastaj kreva klasën e 6. Në atë qytet dhe të 7, në GRAZ.
Në 1926 kreva maturën në KLAGENPURT. Studiova nji vit në Itali u ktheva prap në Austri. Atje ndoqa studimet e larta Universitare në Universitetin e Vjenës, duke u specializuar në LINGUISTIK të Përgjithshme e indoevropiane, në Albanistik te Profesor JOKL dhe në historinë e Ballkanit. 30.12.1933 mora diplomën e Doktorit në Filozofi dhe në fillim të 1934, u ktheva në Shqipni.
Në 1934 kam qenë profesor i Shqipes në gjimnazin shtetëror të Shkodrës dhe N/Drejtor konviktit “Malet Tona”. Më 1934-1935, qesh profesor në NORMALEN e Elbasanit dhe në gjimnaz të Gjirokastrës. Më 1935-1936, qesh shef i Seksionit të Arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit. Më 1937, për inat se nuk u bëra vegël e askujt dhe për të më hequr nga ai vend, më futën në shkollë të Plotësimit dhe këtu bëra 10 muaj shërbim ushtarak. Si kreva shërbimin ushtarak, shkova prap si profesor në Gjirokastër, ku qëndrova gjer në fund të vitit 1938-1939.
Në verë të vitit 1939, u emërova drejtor i Liceut të Tiranës, ku qëndrova gjer në vitin 1940. Në gusht të 1940, meqë si drejtor kam mbrojtur me gjithë fuqitë e mija nxënësit dhe profesorët e liceut nga agjentët dhe ndjekjet e agjentëve dhe ndjekjet e italianëve fashist dhe Shqiptarë, u dërgova si gjysëm internim në Itali, po për sy e faqe, m’u caktua nji punë shkencore, pran akademisë italiane në Romë.
Atje qëndrova deri në Qershor 1944. Në Korrik 1944, u ktheva në Shqipëri dhe në verë 1944, m’u dha një punë previzore në Ministrinë e Arsimit në Komisionin e teksteve (Inspektorja Eprore). Në 1944-1945, si gjithë arsimtarët, mbeta 7 muaj pa punë. Në Maj 1945, u emërova nën-punës teknik pranë Institutit Shkencave, ku pata punue si i jashtëm që kur se isha kthyer 1944, prej Italie, dhe në këtë punë po vazhdoj të jem edhe sot e gjithë ditën.
Për sa i përket qëndrimit tem politik, mund të themi këto:
Në kohën e Zogut, Nëpunësit, sidomos arsimtarët, nuk lejoheshin, të merreshin me politikë, kështu dhe unë nuk kam ushtruar ndonjë veprimtari politike, po kam kryer detyrën time, mundet të themi se as unë personalisht, as ndonjë tjetër mise i familjes time, nuk kanë qene në ndonjë mënyrë të përkëdhelur, ose të favorizuar nga ai regjim. Gjatë okupacionit Italian, nuk kam shkuar mirë as me italianët as, me fashistët Shqiptarë. Kam mbrojtur si drejtor Liceun, me sa kam mundur, shkollën shqiptare.
Dhe mësimin e Gjuhës Shqipe që rrezikohej asaj kohe, sidomos në shkollën fillore, prandaj edhe më larguan prej Shqipërie. Më 1942, Italianët prej Tirane, me njeri të dërguar apostafat në Romë, më afruan të zgjidhja sipas dëshirës, vendin e Ministrit të Arsimit dhe të Kulturës Popullore, por unë i refuzova që të dyja.
Gjithashtu kam refuzuar të vijë si Ministër i Arsimit më 1943, kur u emërova si i tillë në kohën e Gjermanëve në Shqipëri. Kam hedhur poshtë dy propozime, për bashkëpunim me të huajt; çdo gjë që nuk pajtohej me nderin tim Shqiptar dhe me të mirën e vendit dhe të popullit.
Gjatë Luftës Nacional-çlirimtare, unë kam qenë jashtë atdheut dhe kështu nuk kam marrë pjesë. Po anti-fashist kam qenë gjithmonë. Më 1943-1944, më sa kam mundur kam shpëtuar prej internimit ca Shqiptarë që qenë të internuar dhe i nisa për në atdhe.
Mbas çlirimit të vendit kam punuar, ashtu si dhe ma , me të gjitha fuqitë e mija modeste, në detyrat që më kanë ngarkuar Shteti, si në Institutin e Shkencave; si në Institutin Pedagogjik me mësime, si në Ministrinë e Arsimit me tekste shkollore, e kudo gjetkë ku jam thirrur e punoj, besojë, se nji shqiptar i mirë që don vendin e tij dhe gjuhën amtare, do të vazhdojë të punojë pa kursyer, për popullin t’onë.
Tiranë, më 14.XI.1949
Prof. (Eqerem Çabej)
Shënim; Nuk është e vërtetë që në Itali është dërguar si i internuar por, është dërguar me detyrë pranë Akademisë Mbretërore Italiane. Nuk shënon që një vëlla i është vrarë nga partizanët në Kosovë, si element i keq. Memorie.al
26. XII. 1950
Vijon numrin e ardhshëm