Nga Ani Jaupaj
Memorie.al / Pak ditë më parë, në Kanada, ku jetonte prej 26 vitesh, u nda nga jeta Meshan Çini. Një nga të afërmit e familjes së të fejuarit të saj, me të cilin nuk jetoi kurrë, njoftoi lajmin dhe të dhënat kyçe të jetës së një heroine, që rezistoi deri në fund. Kaq u desh që të kërkonim më tepër rreth jetës së Meshanit. Emri i saj nuk është përmendur shpesh në Shqipëri, për shkak të viteve të shumta që jetoi jashtë. Gjatë kësaj kohe të gjatë, është kthyer vetëm dy apo tre herë. Mirëpo ka lënë gjithçka të dokumentuar në librin e saj. Më poshtë, po shkëpusim copëza historie të treguara nga vetë ajo…!
Pas një fëmijërie përrallore, në moshën 18 vjeçe, në Shqipërinë e pasluftës, ku ish vendosur diktatura, Meshani fejohet me Selman Ndreun, pronar i hotelit “Kontinental” në Tiranë dhe pjesëtar i familjes së njohur patriote dibrane të Cen Elezit dhe Elez Isufit.
Arrestimi i të fejuarit të saj pas tetë muajve fejesë, përmbys njëherë e përgjithmonë ëndrrat rinore të vajzës me bukuri të rrallë. Aty nis dhe kalvari i vuajtjeve, që zgjatën gati 4 dekada. Me gjithë presionet e zyrtarëve të kohës, ajo nuk pranon ta lërë të fejuarin, i cili më vonë do të vdesë në burg, ku ajo shkonte ta takonte.
Vazhdimi imagjinohet lehtë. Sajohet një akuzë, ndërtohet një skenar e, më pas vjen zbatimi. Meshan Çini arrestohet e kalon 11 vjet në burgjet dhe kampet e diktaturës, nga ku del me një vesh të shurdhuar dhe me një operacion hesteroktomie, të provokuar nga netët e ftohta të kaluara në qeli.
Ajo kishte përballuar jetesën në kushte të padurueshme, papunësinë dhe vetminë. Një betejë e përditshme që zgjati 28 vjet të tjera, betejë së cilës ajo i rezistoi si askush, në emër të dashurisë për jetën dhe Edlirën, vajzën të cilën e adoptoi dhe iu përkushtua. Në shkurt të vitit 1991, në moshën 63-vjeçare, bashkë me vajzën ajo kalon kufirin në këmbë, duke lënë prapa atdheun me halle, për të shkuar drejt një ëndrre për një jetë më të mirë dhe më të sigurt.
”Rënien e monumentit të diktatorit e përjetova në Greqi – kujton ajo – teksa prisja të më dilnin dokumentet për në Kanada, për t’u takuar me vëllain, Duron, të cilin nuk e kisha parë prej 45 vjetësh”.
Rrëfimi i Meshan Çinit
“Në vitin 1945 u fejova me Selman Ndreun, djalin e Cen Elezit, ishin familje bajraktarësh. Regjimi nuk i ngacmoi menjëherë, pasi mori pushtetin, i la për fare pak kohë! Në vitin 1946, u lajmëruan që do të arrestoheshin të gjithë dhe të gjithë vëllezërit, siç ishin, bëjnë tentativë arratisjeje, për në Greqi. Për ta bërë këtë, duhet të kishe një udhëheqës, një njeri që të të garantonte, por atyre u qëlloi tradhtar.
U mori 500 lira dhe në një pjesë të rrugës u ndal, si për të parë opingat e prishura, dhe në atë çast i rrethuan. Nga pushkatimi i menjëhershëm, i shpëtoi Dali Ndreu, gjenerali, bashkë me gruan, Liri Gegën. Jetën nuk ua morën, por i dënuan të gjithë me radhë… dikush nga vëllezërit me 20 vite, tjetri me 15, a më shumë dhe i fejuari im, Selmani, me 10 vite.
Me të rënë në burg, shkoja e takoja gjithnjë. Tre vitet e para i mbajtën pa dënim. Shkoja vetë merrja leje në gjykatë për ta takuar e, meqenëse hetues i tyre ishte Hito Çako, njeri i afërt i familjes sonë, më lejonte. Herën e parë që shkova në Peshkopi, i kërkova Hitos, të mos ma sillte Selmanin në takim me duar të lidhura…! Ashtu veproi, ma pruri në zyrë.
U takova me të dhe fjalët e para që më tha ishin: “Ke të drejtë të më lësh, sepse je shumë e re”.
“Se çfarë do bëjë unë është puna ime”, iu përgjigja dhe e pyeta nëse i nevojitej gjë.
Pas kësaj pyetjeje, ndërhyn Hito Çako. “Ti, gjithë luksin që ke pasur e je mësuar, nuk do ta gëzosh dot, se Selmani do të dënohet me 101 vite burgim, ose pushkatim”.
Familja e Selmanit ishte e pasur, përveç pronave të shumta, kishin edhe hotel “Kontinentalin”.
Deri në atë kohë unë nuk kisha menduar asgjë, në do ta lija apo jo, por kur më thotë Hito, mund ta dënojnë edhe me vdekje, aty m’u mbush mendja, që nuk do ta lë!
“Selman, rri i qetë, unë nuk të lë deri në vdekje”, i thashë, u ndava me të dhe ika.
Kaluan tre vjet pa i dënuar. Ngjarjet e historitë e torturave që tregonin, ishin të shumta. Nuk mund ta besoni se në çfarë gjendjeje ishin jorganët e tij, pasi i nxirrnin nga burgu, tërësisht të gjakosur. Ishte koha e tmerreve të Koçi Xoxes. Pas Peshkopisë, i kaluan të 11-të vëllezërit, në Gjirokastër. Atje ishte shumë e vështirë që të shkoja, as në autobus nuk më lejonin të hipja, kishin dhënë urdhër gjithandej, që as të më strehonte e as të më merrte njeri në makinë, nëse më shihnin në rrugë.
Megjithatë unë gjithnjë e gjeja mënyrën dhe arrita të shkoja natën. Më trajtuan shumë keq në Gjirokastër, por unë mbërrita atje ku desha. Ndërkaq, unë jetoja me time motër dhe kisha dy vëllezër në burg. Jetuam në Tiranë deri në 1947-ën, por pastaj na hoqën e përfunduam së pari, në Sulovë të Elbasanit. Nga viti ’46, deri në ’51, nuk i ndala vizitat në burg! Një herë, ndërsa punonim në tunel në Elbasan, dikush hedh fjalë për mua, por një dibran që u gjend aty, duke e ditur marrëdhënien time me të fejuarin, u tha: “Jo ti, po edhe Enver Hoxha me e lyp, ajo ka të fejuarin e saj”.
Pas kësaj ngjarjeje më hoqën nga Elbasani. Duhet të ikja në Tiranë, por me çfarë? Sa hipja në një kamion, më zbrisnin, kështu që u detyrova të vij nga Elbasani, në këmbë. Shtëpi nuk gjetëm, por aty më ndihmoi pak fati. Takoj një kunatën time që jetonte në Sllovë dhe që kishte motrën të martuar, me nipin e Haxhi Lleshit. Ajo erdhi më takoi e më gjeti një dhomë, në një shtëpi ku jetonte një plakë. Shtëpi i thënçin, sepse nuk kishte as tavan e, as çati, por pranova të qëndroja. As aty nuk ndenja për shumë kohë, sepse ngjarjet morën rrjedhë tjetër.
Arrestimi
Kur më arrestuan, jetoja në Kavajë, isha e sëmurë ato ditë, me grip spanjoll. Në darkë erdhën kontrolluan njëherë dhe ikën. Djali i vogël i motrës, thotë se erdhën e pyetën për tezen, por po të jetë për në burg, më mirë të më marrin mua. Në 3 të natës bie dera. “Deshëm Meshanin, sa për një pyetje në Degë të Brendshme”!
U ngrita ashtu e sëmurë siç isha, vesha vetëm rrobën e dhomës, se mendova se do të kthehesha dhe shkova. Më lanë përjashta, duke pritur, që në orën 3, deri në 7 të mëngjesit, sa erdhi kryetari i Degës Brendshme, Banush Veliu. Më thonë; do vemi deri në Durrës dhe më çuan me tren, se nuk donin të binin në sy. Mua më njohu gjithë Kavaja për historinë time dhe bija në sy. Ikëm në Durrës, në Degë të Brendshme, ku ishte kryetari i Degës, Jashar Kasimati, ndërsa hetuesi im, ishte Sotir Xharja dhe një sekretar. Më futën në dhomë dhe nuk e zgjatën, por thanë menjëherë: “Je e arrestuar!”
Unë u mbështeta për muri dhe u thashë vetëm; mirë, por u mpiva e gjitha, shtanga! Nuk mendova asgjë, sepse s’kisha bërë asgjë! Sa u thashë mirëmëngjes, ma kthyen atë përgjigje.
Më bënë ca pyetje e më futën menjëherë në birucë. Biruca ishte gjithë ujë, i bija derës, sepse doja të shkoja në banjë, aty ta bësh më thoshin. Vetëm se nuk ua bëra qejfin të qaja ndonjëherë. Edhe në hetuesi më rrahën, sa ç’t’ju tregoj. Kur dëgjoi për këtë, Nevzat Hazidari, erdhi direkt nga Tirana, për të më pyetur a ishte e vërtetë. Nuk e pranova. Ç’t’i thosha, unë në dorë të tyre do të isha përsëri, kush do më mbronte?!
E vërteta ishte që sapo unë thosha një fjalë, ata më jepnin një grusht. Një herë më goditi aq fort, sa më çau timpanin, u bëra keq! Kalova katër muaj në hetuesi, deri sa kur dola në gjyq, mora vesh se kishte shumë mundësi të më pushkatonin. Aty e mblodha veten!
“Le të më pushkatojnë! Meshan, – thashë me vete, – siç t’i kanë vënë të gjithë titujt e mirë, mbaje dhe trimërinë” – dhe qëndrova e fortë.
Kur filloi seanca më pyesin: “Ke qenë me profesion peshkatarë”? Unë qeshja me ironi…!
Unë, as peshkatar nuk kisha parë ndonjëherë, jo të isha vetë, megjithatë e kuptova pse më pyetën. Sidoqoftë, akuza ishte tentativë për arratisje, gjë që nuk ishte e vërtetë.
“Ti, – thanë, – je nusja e djalit të Cen Elezit. Vëllezërit i ke në burg, të fejuarin e ke në burg, burrin e motrës e ke në burg, të gjithë i ke në burg. Përveç këtyre, je shoqe e ngushtë me vajzën e Shefqet Vërlacit”.
“Mua të gjithë më kanë gjetur, nuk i gjeta unë!”, u përgjigja.
Më dënuan me 20 vite. Donin të kërkoja mëshirë, por nuk kërkova asgjë. Hetuesi më thoshte; fol të vërtetën, se do të të bëjmë privilegje. Unë i thashë; në sa vihet gjarpri në gji, aq edhe besohet fjala juaj. Më lindi aty për aty ky mendim, ndërsa ai donte të dinte, kush ma kishte thënë…! Pasurinë ma kishin marrë, të gjithën çfarë pata. Më çuan në Burgun e Durrësit, në birucë. Erdhën nga Tirana, më pyetën a kisha tortura.
Torturat e burgut
Nevzat Haznedari pati sekretar, djalin e qehajait tonë, ishin rritur në familjen time. Prej tij, përfitova nga Nevzati që nuk sillej ashpër, sepse ai çdo femre i fliste shumë rëndë, por mua nuk më ofendoi kurrë.
Pas Burgut të Durrësit, më sollën në izolimin e Tiranës, për një vit, atje tentova dy herë të vrisja veten me ilaçe, të helmohesha. Nga aty më çuan në burgun e vjetër të grave, pastaj në kamp, në bujqësi. Sëmuresha vazhdimisht…! I kërkova Ministrisë të vinte mjeku, por kur pa emrin tim, në listën e pritjes, Qazim Balla, ngriti revolen të më vriste. Skenën e pa Marie Saraçi dhe i doli përpara, duke i thënë; çfarë bën kështu?!
Sipas rregullores, komandanti nuk kishte të drejtë të hynte me armë, por ai hyri. Marshalli, Xhevahir e quanin, kishte gruan gardiane dhe sa pa Qazimin, ngriti mitralozin dhe u betua që do t’i shkrinte në trupin e tij, 72 fishekët, nëse do të më vriste.
Unë lajmërova Ministrinë e Brendshme. Më erdhi Feçor Shehu dhe Qatip Dervishi. Në fillim nuk doja t’i takoja, se kisha frikë ç’mund të më ndodhte më pas, megjithatë dola. Më ofruan cigare, nuk e pi, u thashë. Unë e pija cigaren, por u thashë që nuk e pija. Kërkuan të mësonin, se çfarë kishte ndodhur.
I tregova se kisha për të shkuar te doktori të vizitohesha, ndërsa Qazimi, donte të më vriste. “Shikoni, unë prapë në dorën e atij do të mbetem”, u thashë. Më thanë të mos merakosesha dhe ikën.
Të nesërmen u bë mbledhje dhe sollën komandant tjetër. Ata e hoqën me ceremoni të madhe. Ato gjëra që kanë bërë mirë, unë ua di e ua them, nuk ua ha hakën, hakmarrje nuk dua, secili e gjeti nga Perëndia.
Dalja nga burgu dhe arratisja në Kanada
Në vitin 1963, dola nga burgu. Nuk kisha pasaportizim dhe kudo që të veja, duhet të lajmëroja të plotfuqishmin, në të kundërt, do të merrte gjobë i zoti i shtëpisë. Unë s’lajmëroja askënd, shkoja fshehur. Bëra çmos të bëja pasaportizimin, vajta në Kryeministri e gjithandej, por nuk ma dhanë. Kam jetuar te fshatarët, në NISH-Tulla të Tiranës, në Mëzez, në Yzberisht, etj.
Për të jetuar qepja, fshatarët ishin shumë të mirë. Atyre të kryesisë, ua qepja pa lekë. Ndërkaq, i fejuari kishte vdekur! Pasi kishte marrë vesh për burgosjen time, ishte sëmurur keq. E kishin nxjerrë nga burgu dhe e kishin çuar në Llakatund të Vlorës.
Në vitin 1991 e vendosa, o liri, o vdekje! Vete në Delvinë, se më kërkonin për çështje të një pasurie në Greqi. Gjeta aty dy miq të vjetër të babait dhe atje mora vesh, se si arratiseshin njerëzit. Dy djemtë e qehajait të familjes sime, çonin njerëz jashtë. Më premtuan se sa të ishte kufiri i lehtë, do të më bënin telegram.
Iki unë dhe lidhem me Ambasadën Italiane. Ajo më thotë a ke para? Duhen 1000 dollarë! Më dërgon vëllai që jetonte në Australi, 1000 sterlina. Isha 63 vjeçe kur ika në Greqi e, pas saj në Kanada, te vëllai tjetër. Kam jetuar shumë mirë këto vite. Marr pension 1500 dollarë në muaj dhe jetoj me njerëzit që dua e më duan. Gjatë këtyre viteve, jam kthyer 2-3 herë në Shqipëri, por lumturia ime është këtu! Memorie.al