Nga Lek Pervizi
Pjesa e dymbëdhjetë
ODISEJA E PAFAJSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Memorie.al / Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.
Riatdhesimi i Gorit
Valentinit po i afrohej një ditë e trishtë. E thirrën në zyrë, ku kishte mbërrit e shoqja me një leje takimi të posaçme, për me u përshëndet me të. Takimi si mund të përfytyrohet, ishte tepër prekës, aq sa Valentinit, iu duk se u përmallue edhe drejtori, sepse pas pak, ai u çue në kambë e filloi të shëtiste poshtë e nalt nëpër dhomë, duke e lanë çiftin vetëm, që të flisnin lirisht.
Valentini u mundue me e qetësue gruan, tue i dhan kurajo e zemër, dhe tue përfitue nga rasti, kur drejtori po shkonte në fund të dhomës, para se ai të kthehej, i tha Gorit se në rastin ma të parë, ai do të mundohej të arratisej nga Shqipnia, prandaj, kishte një shpresë shpëtimi për ta. Ose pas valës së parë të këtyne masava drastike, gjendja qetësohej dhe krijohej mundësia e bashkimit të tyne përsëri.
Këto fjalë sikur e qetësuan gruan, sa që e mori veten. Sigurisht se ai nuk i tha ashtu vetëm për ta qetësue, por i bindun se ma vonë mund të paraqitej puna që ai të ndërmerrte një aksion të tillë, në rastin ma të parë të volitshëm. Edhe për situatën nuk i dihej. Ndoshta ndërhynin Aleatët, për një përmirësim të gjendjes.
Duhet të theksojmë, se mjerisht, gjatë gjithë kohës 45 vjeçare të regjimit komunist, Valentini nuk pati as ma të voglën mundësi arratisje, sepse ishte i ruejtun vazhdimisht. Siç dihet, ai kaloi gjithë jetën në kampet e internimit, ku duhej me u paraqit dy tri herë në ditë në apel, ku nuk guxonte kush me mungue, sepse alarmohej i gjithë Sigurimi i Shtetit.
Drejtori e lejoi zgjatjen e takimit, deri kur vetë ato të dy e vunë në dijeni, se kishte ardhë çasti i ndarjes e, nuk donin të përfitonin nga mirësjellja e tij. Kështu e shoqja e përshëndeti drejtorin, duke i dhanë dorën në shenjë falënderimi. Por Valentini u çudit, kur drejtori, ndërsa ai po i përcillte te dera, i kishte shtrëngue dorën fort, duke i thanë: “Mos u mërzit, sepse nuk i dihet, mund të lirohesh e kështu, mund të bashkohesh përsëri me të”!
Valentini e kishte falenderue dhe ai i la përsëri vetëm, ndërsa kalonin sallonin dhe zbrisnin shkallët. Kur arritën në fund të shkallëve, u përqafuan para se të ndaheshin, pa mund të thonin nji fjalë, aq shumë i kishte pushtu emocioni. Valentini e përmbante veten, mos me derdh lot, edhe pse matanë hekurave, ishin grumbullue shokët e burgut, te cilët donin t’u gjendeshin afër në ato çaste të dhimbshme, për mos me thanë dramatikë.
Gori, nuk mund ta përmbante veten e, kishte shpërthye në vajë të ngashëruem dhe ashtu doli prej burgut, krejt e trubullueme dhe e shastisun. Ajo ishte ndarja si e njё “Penelope“ të re, qё shёnonte fillimin e asaj “Odiseje“ tё papёfytyrueshme tё luftёs pёr jetё a vdekje, të Valentinit.
Lufta e Trojёs kishte zgjat 10 vjet, e 10 vjet tё tjerё, i ishin dashtё Uliksit tё kalonte peripeci e rreziqe, deri sa u kthye në Itaka. Sa do tё zgjaste «Odiseja» e Valentinit?! Mirë, dhjet vjetёt e parё faleshin. Po pastaj, a do tё kishte zgjidhje pёr bashkimin me gruan, nga njё zbutje e situatёs? Apo do ta prisnin telashe tё tjera, nё shembullin e stuhive detare dhe përplasje nё brigje armiqësore tё Odisesё, pёr dhjetё vjet tё tjera e mendja njerëzore normale, s’mund të përfytyronte, se do të kalonte afër një gjysmën shekulli.
Gjithë ata që ishin mbledhë aty, brenda e jashtë burgut, shoqet e saj e, ndonjë mik i familjes, ishin tepër të tronditun nga ajo ndarje, e detyrueme nga rrethana të tilla absurde, ku një regjim me tipare komuniste e, me vese kriminale, i trajtonte njerëzit, pa marrë parasysh ndjenjat, dëshirat e nevojat e tyne, ma të thjeshta, ku në mënyrën ma barbare, shkeleshin haptazi të gjithë të drejtat e njeriut.
Ky ishte regjimi që ishte vendos mbi shqiptarët, që fillimisht ranë në kurthin e propagandës komuniste, që u kishte premtue se do t’i bënin të hanin me lugë të florinjtë dhe që sipas gjasave, do t’i detyronte të hanin me lugë të drunit, për mos me thanë të gurit!
Pas ditëve të para të kalueme me një far mërzie, që shokët mundoheshin me ia lehtësue me bisedat e tyne, aty erdhi kryetari i Degës Brendshme të qytetit, Zoj Themeli, i njohun si një njeri i pashpirt.
Kaloi nga dhoma në dhomë e, kur shihte ndonjë fytyrë të njohun, u ndalte të fliste me të. Erdhi në dhomën e Valentinit, ku të gjithë u çuan në kambë dhe u vendosën rresht që ai t’i parakalonte. Secilit, pasi e pyeste për emnin e mbiemnin, i bante ndonjë pyetje të shkurt. Kur u gjet para Valentinit dhe e mori vesh kush ishte e pyeti:
-“Mirë, a ke marrë ndonjë lajm prej gruas“? Dhe pas pak e pyeti, nëse kishte ndonjë kërkesë. Valentini, ishte një djalë aspak i druejtun ndaj çdokujt, dhe për ma tepër, i mërzitun nga gjendja e tij ndnjejnësore pas largimit të gruas. Kështu që iu drejtua kryetarit të Degës, të cilin vetëm kur e shihnin, njerëzve u hynte tmerri, aq i kishte dalë zani për njëri kriminel dhe i poshtër. Ai i tha, nëse ishte e drejtë që ta mbanin akoma në burg, tue e ditë mirë, se ai ishte krejtësisht i pafajshëm dhe nuk kishte ba asgjë kundër regjimit, tue pasë jetue larg jashtë shtetit shumë vjet e, pothuaj pa ardhë asnjëherë në Shqipni, ku nuk e njihte kush, as ai nuk njihte kënd.
Zoj Themei iu përgjigjigj qetë qetë:
-“Duhet të dish, se po të lironim, populli do të vinte me na kërkue hesap, për atë punë. Do të vinin duke protestue e na kërkue, pse e kemi lirue djalin e Prenk Pervizit, anmik për vdekje i regjimit, etj“. Pasi tha këto fjalë, kaloi tutje. Pastaj doli në korridor e, para e se me zbrit shkallët, i tha:
-“Familja jote ashte e intenueme në Berat, apo jo“?!
-“Po“, ishte përgjigj Valentini. Ndërsa ai duke zbrit dy shkallë shtoi:
-“Ndoshta, do të internojmë edhe ty në Berat”.
Të nesërmen mori një telegram nga e shoqja, ku i thoshte se kishte mbërrit në Bologna, ku gjendej pranë familjes së saj.
Kështu kalonin ditët dhe muajt dhe po mbusheshin dy vjet nga dita e arrestimit. Në një mëngjes e thirrën poshtë, bashkë me një fotograf të njohun shkodran, që quhej Ded Jakova. Ky bashkë me profesor Guljelm Deda dhe mësuesin Zef Agimi, qysh nga dita kur ishte nisë gruaja e tij, e kishin ftue me nda bashkë me ta, ushqimin që u binin familjet.
Për Guljelmin e Zefin, kemi folë kur në seancën e gjyqit u plasi gazi, pikërisht kur bëhej pretenca e tyne. Ata shpëtuan me nga pesë vjet burg. Valentini e Deda, po rrinin të shtrimë e të mendueshëm, kur vijnë e i marrin dhe i çojnë të prangosun e me roje, deri të zyrat e Sigurimit. Ia dorëzuan një oficeri që i çoi në një sallon, ku duhet të pritshin deri sa t’i thirrnin. Aty pritën do kohë, ashtu të lidhun. Nga salloni kalohej në katin e dytë, nëpër një shkallë të shtrueme me qylym, kurse poshtë në katin e parë, zbritej nëpër një shkallë prej betoni.
Kalonin aty oficerë apo ushtarë të thjeshtë, që i vështronin sikur t’ishin kafshë t’egra. Pas një ore, nga një derë anësore, del një oficer që vjen drejt tyne, me një çelës në dorë, i cili i liron e zbret poshtë me Dedën. Valentinit i thotë të presë aty. Dedës së shkretë, qysh kur e prangosën në burg, i kishte hy frika aq shumë, sa që gjatë rrugës, nuk kishte këmbye nji fjalë me Valentinin. Kur zbriti poshtë, ishte zverdh. Kushedi ç’e priste në katin e parë, dhe Deda e dinte mirë, sepse nuk ishte hera e parë që e kishin sjellë aty.
Ndoshta donin të dinin prej tij gjana të tjera e, kushedi me çfarë çmimi?! Nuk kaloi shumë dhe u hap një derë tjetër, ku u duk një oficer që i bani shenj Valentinit, që ta ndiqte në zyrë. Pasi u ulën ballë për ballë, me në mes tavolinën, oficeri mori një fletë letre dhe një stilograf dhe filloi:
– “Kur ke ardhë nga Italia“?
– “Në muajin tetor 1944“.
– “Kur je arrestue“?
– “Ditën e parë të shtetrrethimit të Shkodrës“.
– “Nga dita e ardhjes, në deri në ditën e arrestimit, a je takue me t’afërm ose të njohun»?
– «Me asnjë».
– «Mirë, nuk do të vonojë shumë e, do të dalësh edhe ti para gjyqit, ku do të dënohesh, por lehtë».
E gjithë kjo, nuk ishte as marrje në pyetje, as proces, veçse thjesht një formalitet, për të cilin e kishin thirr Valentinin, pikërisht për të justifikue mbajtjen e gjatë në burg, duke e ditë mirë, se ai ishte krejtësisht i pafajshëm. Jo se ishin të fajshëm të tjerët, që pushkatoheshin e dënoheshin shumë rëndë. Por për rastin unikal të një njeriu, që nuk kishte jetue në Shqipni dhe kishte ardhë në kohën kur pushteti, kishte kalue në dorë të komunistëve.
Ai kishte ardhë me i shërbye atdheut si një oficer i dalun nga një akademi ushtarake. Por sistemi komunist, nuk i merrte parasysh aftësitë e cilësitë e mira të njerëzve, bile për cilësi të tilla, përfundoje si mos ma keq dhe të shkonte dhe jeta. Për kuriozitet shtojmë, se kishte dhe akademistë të tjerë, të ardhun nga Italia, që s’u kishin ba gja, Bile, kishte raste që i kishin caktue me punë, me dhanë mësim të artit ushtarak, në kurse që ishin krijue, por Valentini, vështrohej e trajtohej si bir i Prenk Pervizit, që për të ishte një fakt dënimi, që hynte në kriteret e ligjet e regjimit komunist, që përfshihej në luftën e klasave, e shpikun dhe e zbatueme nga vetë diktatori, Enver Hoxha.
Në këtë tregim, na duhet të kthehemi te takimi i gruas së Valentinit, me Mehmet Shehun, kur Mehmeti i thotë asaj: «Kujtova se keni ardh të na falënderoni, që nuk e kemi pushkatuar…»?! Shprehje e rëndë, por qe tregon edhe diçka ma tragjike, sepse ndonjë oficer ose partizan, mund ta kishte eliminue Valentinin, pa i dhanë llogari kujt e, pa i kërkue kush llogari, me një shprehje qё e pёrdornin nё raste tё tilla:
– “E po, e qeruem edhe një reaksionar, bir reaksionari“. Shkurt fjala, Mehmeti i kishte kthye atë përgjigje asaj sepse, e dinte se ne te tilla raste e në atë valë krimesh nga ana e partizanëve Valentini mund të kishte shkue si qeni në rrush, pa pasë dijeni askush për atë punë, as vete komandanti i operacionit. Por një gruaje të huaj, e sinqertë e naive, nuk i përplasej një shprehje e tillë aq brutale.
Ndërsa Valentini, ishte tue u marrë në pyetje ne atë zyrë, aty hyni një ushtarak, me një alamet kartelë të trashë të ngjeshun me letra. Me një shenjë të oficerit, e vuni mbi tavolinë. Sipër ishte shkrue me germa të mëdha të zeza; «Procesi i Llesh Marashit».
Sipas gjasave, atë figurë shumë të rëndësishme, e mbanin në podrumin poshtë katit përdhes.
Pas pak oficeri i tha me prit jashtë. Ndoshta duhej të priste Dedën, kurse erdhi një ushtarak tjetër, që pasi i vuni prangat, e përcolli deri në burg. Pasditen vonë u kthye Deda, krejt i skuqun dhe i shqetsuem. E kishin mbulue me shamje, por kësaj radhe nuk e kishin keqtrajtue, d.m.th., nuk e kishin rrah. Ndër të tjera tha, se ku e kishin mbyll Llesh Marashin. Në një birucë të ngushtë, në fund të një korridori t’errët. Në ato lloj birucash të ngushta, mbanin vetëm nga një person në izolim të rreptë, të ndërtueme kastile për njerëz që do t’i nënshtroheshin një hetuesie të posaçme.
Të mos flasim ma, për metodat e mjetet e torturave që përdoreshin nga katilët e Sigurimit, për të detyrue viktimat që të pranonin procesin e hartuem prej tyne. Të tilla metoda e mjete, ata i kishin dhuratë të çmueshme nga kolegët e tyne stalinianë të Siberisë, ku viktimat kishin arrirë në miliona. Tani në dhomën e tyne, nuk kishte asnjë të pa marrun në pyetje. Valentini kishte qenë i fundit, pas dy vjet qëndrimi në burg kot, bigarihak.
Erdhi dita kur duhej me dalë në gjyq. Vetë drejtori, u paraqit me një listë në dorë dhe lexoi 15 emna në atë dhomë e, tre në një dhomë tjetër, gjithsej 18 veta. U tha se të nesërmen, do të shoqëroheshin te një sallë gjyqi kastile për ta, pa altoparlantë dhe me pak dëgjues, ma të shumtët, t’afërmit e tyne.
Valentini nuk kishte njeri të vetin, që të vinte në gjyqin e tij. Familjarët i kishte të internuem e, prindin të arratisun e të strehuem në malet e Kurbinit, qysh nga nëndori 1944, e tani ishte shtatori 1946. Plot dy vjet, i ndjekun këmba këmbës nga forcat e Sigurimit, që nuk dinin se ku fshihej gjenerali, ose ndoshta kishte dalë jashtë shtetit, që nuk kishin asnjë informatë për të. Vinin kot vërdallë maleve të Kurbinit, pa ndeshun se pakut në një shenjë të tij. Mister!
Gjyqit u zhvillue ne një sallë pothuaj të boshatisun, me pak dëgjues. Por aty na ishte si prokuror, vetë Aranit Çela! Katili i katilëve, që kishte çue në pushkatim, ajkën e Shkodrës, intelektualë, oficerë, priftë e seminaristë, studentë e profesorë, katolikë, myslimanë e ortodoksë, qytetarë e malësorë. Një kasaphane e përbindshme!
Çfarë mund të pritej prej tij, kur dihej se kishte marrë pjesë në pushkatimet, sikur t’ishte në një shfaqje argëtuese, duke i gjuajt viktimat, me revolverin e vet, për kënaqësi e zbavitje. Edhe kur ai lexonte pretencën, ku do të kërkonte dënimin me vdekje të viktimave, që kishte caktue partia e qeveria, e bënte sikur po mbante fjalim në ndonjë gosti gazmore dhe jo në një sallë, ku sundonte fryma tragjike e njerëzit konsideroheshin berre, për t’u çue te kasapi dhe jo vllaznit e tij shqiptarë, për të cilët ai vetë e dinte shumë mirë, se ishin të pafajshëm, por kështu kishte urdhnue partia, e ashtu do të vepronte, duke ba kasaphane mbi ta, sepse partia ishte truni dhe zemra e popullit! Absurditet!
Të 18 vetët brenda dy ditëve, u morën në pyetje e mbaruen punë me trupin gjykues dhe me prokurorin. Valentinin e kishin lanë të fundin. Kryetari i gjyqit, që zakonisht sa për formalitet bënte ndonjë pyetje, kishte mbet e nuk dinte nga me ia fillue. I erdhi në ndihmë prokurori. Kur Araniti iu drejtue Valentinit, fytyra e tij u vrenjt dhe nisi t’i flasë me za të naltë, sigurisht për t’i shti frikën e pastaj, për ta mbylltë me pretencën e tij fodulle. Valentini e mblodhi veten, për të iu përgjigj ashtu si duhet. Ai lloj prokurori, e nisi pretencën me gjana të sajueme, trillime e dëshmi false.
Hodhi mbi Valentini akuza të rënda, të shpikura e të shpifura. Se para se me ardhë në Shqipni, paskej takue disa personalitete të njerëz të arratisun në Itali, si ; Abaz Kupin, Mehdi e Mit’hat Frashërin, e të tjerë, prej të cilëve paskej marr udhëzime, se si me fillue një kryengritje kundër regjimit komunist, për ta rrexue atë, e të tjera absurditete.
Valentini, nuk ia kishte vu fare veshin atyne shpifjeve neveritëse, dhe ishte thellue në mendimet e veta, sa që Araniti e kuptoj, se nuk po ia varte dhe mbeti keq. Ndërkaq ndërhyni kryetari, një njeri i paaftë e i pa shkollë, i cili iu drejtue Valentinit, tue i thanë:
-«He pra, a je në gjendje me u shfajësue? Hajde, përgjigju»?!
Ndërsa Araniti po fshinte shkumën që i ishte formue te goja, si t’ishte një qen i tërbuem (që ishte vërtet), Valentini nisi me fol qetësisht:
-«Fillimisht duhet të deklaroj këtu, para trupit gjykues dhe me përgjegjësinë time të plotë, se ato personalitete që përmendi zoti prokuror, nuk i kam njohun, as pa kurrë, në jetën time, dhe as që kam dëgjue të flitet për ta, para se t’arrestohësha. Vetëm në burg, duke lexue shtypin, kam marrë vesh se kush ishin.
-Se dyti, duhet të theksoj, se të gjithë akuzat që prokurori ka dashtë të m‘i ngarkojë, janë krejtësisht false dhe të pathemelta. Po t’ishte se unë do të kisha pasë qëllimin me ardhë e me luftue në Shqipni, siç thote prokurori, kundër regjimit komunist, sigurish se nuk do ta kisha marrë gruan me vete, aq ma shumë, se ishte e huaj“!
Mjaftuan këto fjalë t’urta e me vend, me ia ulë prokurorit tërbimin e tij të zakonshëm, siç e tregonte fakti, që i dilte shkumë nga goja. Pas kësaj skene, prokurori nisi të lexoje kërkesën e tij, për dënimin përkatës të secilit të pandehun. Dënimet nisen nga 15 vjet, punë të detyrueshme në minierë dhe dënime te tjera, ma te lehta. Kur erdh radha e Valentinit, u ba pak pushim, pastaj prokurori lexoi kërkesën e tij, që për çudi, ishte për tre vjet internim, që kryetari e aprovoi me vendimin e tij. Kur u kthye ne burg të gjithë u gëzuan, duke e urue për atë zgjidhje, që i jepte fund një gjendje pritjeje të padurueshme. I internuem, por kështu kishte mundësinë të rrinte me njerëzit e familjes dhe me marrë frymë, në ajër të lirë e të pastër.
Sigurisht se në ato rrethana, rreziku qëndronte mbi kryet e çdo njenit prej tyne, dhe Valentini mund të kishte pasë pasoja ma të rënda, siç kishte ndodhë me shumë të tjerë, miq e dashamirë, heronj e martirë, trima mbi trimat e, njerëz t’urtë e të mirë. Kosa e komunizmit, priste bashkë me barin e thatë, edhe të njomin, bashkë me ferrat, edhe lulet. Por kishte edhe një huq akoma ma të keq, që kënaqej ma shumë, kur kosiste vetëm lule, vetëm livadhet me lule!
Tashma bota mbarë shqiptare e din, ashtu dhe bota e jashtme, se diktatura komuniste në Shqipni, bani kërdinë me një gjenocid të përbindshëm, mbi njerëz krejtësisht të pafajshëm, ku nuk u kursyen edhe fëmijët e qumështit. Diktatura Komuniste shqiptare, u cilësua si ma e egra e gjithë vendeve komuniste, të Evropës Lindore. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016