Nga Lek Pervizi
Pjesa e parë
ODISEJA E PAFAJËSISË
Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi
47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё
komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё
nga grueja, njё Odise e vёrtetё
mes shekullit njёzet.
Vendlindja
Memorie.al / Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që huhët e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullijt që njihën si të Gjin Pjetrit, që ngrihën njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dy katëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkambor mbi të cilin ngrihët një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihën si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjës së Kurbinit. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohët nga bashkimi lumejvë Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuej një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të hueja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndeshëshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngrihëshin kullat që përmendëm.
Kulla që ishin djeg herpasherë prej pushtuesve të huej, kryesisht prej turqëve, e që u rindërtuën përsëri. Këto ndërtesa gurore që qendronin mbi ket kodër shkambore, kohët e fundit ishin djeg dy herë rresht nga hordhitë turke, më 1881 dhe 1911. Ky fis shqiptarësh kokëfortë, i kishte rindërtue edhe maë mira se të parat. Nga perëndimi pra, shtrihej lugina e lumit Mat, kurse nga lindja, ngrihëj masivi i maleve te Skurajt, ku dominonte Mali i Thatë, i kunorzuem nga maja i Lartishit. Ma tutje ngrihej Trodhna e Pëshkashit, gjithë pyje pishash.
Nga jugu shtrihëshin vargmalet e Skënderbeut, që pikërish në Malin e Skurajt e kishte zanafillën. Nga veriu, naltësohej mali shkambor i Dërvenit, që përfshinte; Ferrë-Skurajn dhe Shkopetin, ku dukëshin rrënojat e një kalaje të vjetër, ajo e Pervizit të Madh të Skurajve, princ e komandant trim, që luftoi kundra ushtrisë turke në ato kohna të largëta. (Emni i fisit Pervizi vinte nga një kohë e thellë, e lidhun me ngjarje e lufta të lashta të humbuna në hapësinën e kohës e, të mbetuma si një kujtesë mjegullore në mendjën e banorëve).
Aty, mes Shkopetit e kodrës se Lekbibajve, formohej një kanion i ngushtë, që përfundonte në Grykën e Matit prej ku me vrull të rrëmbyeshëm, lumi shpërthente për t‘u përhape i qetë në fushën e gjanë zallore, ku bashkohej me lumin tjetër Fan, që zbriste nga veriu, Kthella e Mirdita. Nga vetë struktura e natyrës, kullat e Gjin Pjetrit, merrnin përmasat e nje kalaje qendrese, rrethue nga dy ant prej grykës se Urdhazës e, asaj të Shkopetit, që formonin një trekandsh me malet e ashpra, midis të cilit shtrihej fshati i lashtë Skuraj, ku dominonin këto kulla të rrethueme, me një varg shkambor vigan.
Emni e Pervizit asht i lidhun ngusht me të Skurajve, si vend e si gjak, prej kohësh të lashta. Vend malor me mbrojtje natyrore, Skuraj, u zgjodh edhe nga Gjergj Kastrioti, si një bazë e fortë prej ku ndërmerrte sulmet mbi ushtritë osmane. Skuraj ishte dikur dhe qendër e principatës së Skurajve, që sundonte mbi krahinën e Kurbinit e që mori fund me pushtimin turk, pas vdekjës së Skënderbeut.
Përshkrimin e bamë për t’i dhanë ma kuptim arësyes pse ne tre vllaznit, lindëm të tre në Skuraj, e jo në Tiranë, Shkodër, apo Krujë e Korçë, ose në një qytet të një shteti të huej, ku familja kishte jetue, kohë pas kohë. Prindi ynë, ndonse i ngarkuem me detyra e pozita ushtarake të randësishme, i kushtonte kujdes e përparësi të madhe ruejtjës së traditave. Keshtu ai e niste nanën tonë, atje të ato kulla, sa herë që vinte koha për të lind fëmijë. Se pari kjo i takoi Valentinit, që lindi në Skuraj, me 1 korrik 1920.
-“Atje ku kanë lind të parët prej shekujsh, atje do të lindin dhe fëmijët tanë, i kishte thanë bashkëshortës”, qyshë në rastin e parë. E ashtu ndodhi me fëmijën e dytë Gencin e, vazhdoi deri tek unë i treti, ma i vogli e i fundit, Leka.
Vitёt e para
Vitet e para të fëminisë, Valentini i kaloi në gjinin e familjes, që ishte vendos në Tiranë, qysh në vjetin 1924. Atje iu bashkue edhe vellai i dytë, Genci, e pas nandë vjet, vellai tretë e ma i vogli, Leka, i nënëshkruemi. Kur u hap shkolla “Naim Frasheri”, në 1926, Valentini filloi atë që quhët përiudha e formimit shkollor, dhe e vazhdoi aty deri në klasën e tretë, ku iu bashkangjit dhe Genci, në klasën e parë.
Duhet të kthehemi pak mbrapa në kohë. Disa vjet ma parë, ngjarjët politike në Shqipni ishin acarue, tue kalue pakëz mbi ngjarje të maparshme, kalojmë në ato të qërshorit 1924. Im atë, me pjesën ma të madhe të zgjedhun të oficerëve të ushtrisë e xhandarmërisë, morën anën e Zogut, asokohë kryeministër, dhe kaluen të gjithë në Jugosllavi. Baba e nisi nanën dhe gruen me dy fëmijët, Valentinin e Gencin, (katër e dy vjeç) në Skuraj, që të strehohëshin e fshihëshin atje, për t’i shpëtue ndjekjës së pushtetarve të rij fanolistë.
Ishte dhanë direktiva që kundështarëve, t‘u digjëshin shtëpitë dhe familjet të internohëshin. Ky udhëzim përmendët për herë të parë në ket libër, pse ashtu ishte vërtetësisht, një udhëzim i dhanë çuditnisht, nga vetë Fan Noli, i ndikuar nga politka e terrorit që zbatohej në Rusi. Forcat fanoliste arritën deri te kullat e Gjin Pjetrit, po nuk gjetën kënd në banesën tonë. Gjyshja e mama ishin largue me nxitim me fëmijët, e ishin fsheh te stanet e fisit.
Ishte koha kur në Shqipni, burrnia zinte vend të parë në marrëdhanjët shoqnore, e njerëzit nuk e ulnin vetën në asnjë rast. Ma vonë, kjo burrni do të katandisej, si mos ma keq, bashke me katandisjën e vendit, në nje gjendje tepër të çoroditun, që do t’i hapte rrugën veprimëve e sjelljëve tepër barbare e çnjerëzore. Ma vonë!
Në rastin që treguem, komandanti kishte urdhën të digjej kulla e Prenk Pervizit. Tue qenë se tri kullat, e jona dhe dy të kushrive, ishin të ngjituna njena me tjetrën ai nuk e bani atë gjest, mos damtohëshin edhe dy banesat e tjera. U mjaftue me marrë një sqap nga bagetitë tona, të cilin e poqën në hell, për tё ushqye ushtarët.
Pas krizës së 1924-ës, gjendja u normalizue përsëri. Vllaznit vazhdonin shkollën fillore. Luenin top gjithë ditën, me shokët; ndër ta Riza Llushta, që u ba më vonë futbollist me famë në Itali. Tregonte Valentini se; Llushta, kishte vizatue nje rreth në mur me shkumbës dhe stërvitej për ta gjuejt topin brenda rrethit. Në një ndeshje me top, Valentini, nande vjeç, rrëzohët e thyen krahun e majt e çohët urgjentisht në spital.
Kjo ndodhi në verën 1929-ës, kur unë sa kisha lind. Jeta dhe krahu i tij, ishin në rrezik. U alarmue e gjithë Tirana, me atë pak popullsi, deri vetë Mbreti Zog, i cili nderhyni që operacionin ta kryente doktor Sinani, kirurgu ma i mirë i kohës në Shqipni, që ishte doktori i Pallatit Mbretnor. Operacioni doli me sukses, krahu shpëtoi. Mbas 23 vjet ai krah, ku dukëj varra e kuqe e qepjës, prej rreth 20 cm, do të bahej sebep për ta shpëtue nga një rrëzik tjetër.
Kjo kohë përkon me sundimin e katër zonëkomandantëve (guvernatorë ushtarakë), me kapitenat; Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine e Hysni Dema, që të huejt quenin kuadrumvirat (sundimi i të katerve). Ky emnim ishte ba nga vetë Ahmet Zogu, kryeministёr e president, që e kishte nda Shqipninë në katër zona administrative ushtarake, tue e mbajt Prenk Pervizin në komandën e zonës së mesme, me qendër Tiranën. Në saj të këtyne komandantëve me përvoje e me ndikim të madh, në Shqipni u vendos mbrenda një kohë të shkurt, rendi, qetesia, dhe mori hov zhvillimi ekonomik, i qytetarisë dhe kulturës.
U hap pune kudo, veçanerisht në ndërtimin e rrjetit rrugor, nga jugu në veri, që nuk ekzistonte fare dhe në ndertimet qytetare ku vend të parë zinte ndertimi i shkollave në çdo qytet e qendër. Turkia e kishte lanë vendin në një prapambetje tepër të madhe, ma keq se mesjetare. Levizjet në Shqipni, bahëshin me kambë, me kafshë, qerre e ndonje karrocë primitive. Qytetët nuk ishin gja tjetër, veçse fshatna të mëdha, me banesa përdhese prej qerpiçi, me një sistem primitiv, pa asnjё lloj strukrure higjenike. Mbretnonte errësina që ndriçohej nga llamba e bishtukë me vajguri e në fshat, nga pisha e flaka e zjarrit, të oxhakut.
Ishte viti 1929, im atё, që e kishte mbarue detyrën pesë vjeçare si zonë-komandant i Tiranës, niset për të krye Shkollën e Luftës në Torino. Më ket rast, e mori familjën atje. Nanën e tij, mamën dhe ne të tre fëmijët. Dy vllaznit e mij, Valentini e Gencin, i çoj në kolezhin ‘San Giovanni Bosko’, në Lanzo Torinese, ku studionin fëmijët e dinastisë Savoja, e tjerë bij fisnikësh italianë e të huej. Shtoj se ne shembëllin e tij, i kishte sjellë dy djemte e vet aty dhe kapiteni Mark Kodheli, koleg e mik i tim etit.
Unë isha afro dy vjeç. Gjatë kohës së Torinos, u afrova ma shumë me Valentinin, i cili me mbronte nga ngacmimet e Gencit, që luente me mue, si me një kukëll. Valentini mbeti kampioni dhe hero imi, gjatë gjithë jetës. Ai karakterizohëj nga qendrime burrërore, që ne fëmini. Njëkohësisht shum i dashun, me pjestarët e familjes.
Veçanërisht ndaj gjyshës sonë, kishte një dashuni e admirim të pakufijshëm. Babën e respektonte tejët. Fjala e prindit për të, ishte fjalë e Zotit. Fort donte dhe mamën e cila, i dilte zot në shumë situata në lidhje me babën tonë, që ishte tepër i rrebtë edhe në familje, përveç se në ushtri. Shto dhe tregimet e lëgjendat rreth tij, që Valentini dëgjonte prej rrethit tonë shoqnor. Këto rrethana ndikonin, për të nxitun prirjën e tij për uniformën ushtarake. Me mbarimin me sukses të Shkollës së Luftës të Torinos, im atë u caktue si inspektor i studentëve shqiptarë, në Itali e Francë.
U gradue Nënkolonel dhe u vendos në Firence. Pёrsa i pёrket randёsisё historike tё tё katёr zonёkomandantёve, anglezi Julian Amery, që do bahej Lord Amery, do të shkruente e perseriste disa herë ne librin e tij; “Bijt e Shqipes”, qysh në parathaniën e librit, (Sons of the Eagle, fq. 20), ku shkruente: “…regjimi i ri u vendos… ne sajë të përjekjëve të një kuadrumvirati (quadrumvirat) të krenëve të Gegnisë. Këta ishin: Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine, Prenk Pervizi e Xhemal Herri. Këta burra ndoqën Zogun kur u arratis në Jugosllavi, dhe luejtën rol të randësishëm, në kryengritjën që ndodhi.
Në saj të kryrjës së detyrave, ata fituen influencë të madhe. Kur i dhanë fund shërbimit në favor të çeshtjës mbretnore, Zogu e theu fuqinë e tyne, që një ditë mund të rrezikonte dhe atë vetë. Në vend të tyne, vuni njerëz të rij, ma të bindun ndaj vullnetit të Mbretit, sepse ishin të varun nga privilegjët që ai u jepte. Kështu në një përiudhë prej pesë vjet, diktatura Mbretnore u ba absolute.
Në vitin 1935, im atë, Nënkolonel e shtamadhor, kthehët në Shqipni e, caktohët me detyrë në Korçë. Kjo çuditi fort rrethet ushtarake dhe shoqninë civile të kryeqytetit. Po pse, për të përfundue në fund të Shqipnisë në Korçë, kishte mbarue Shkollën e Luftës së Torinos, e dalë shtamadhor?! Si duket, ky transferim ishte ba pa dijeni të Mbretit, nga Ministria e Mbrojtjës. Po në atë vit, vjen prapë në Tiranë, me urdhën të Zogut, e unë (Leka), hyj në të parën fillore.
Vllaznit vazhdonin shkollën në Itali, dhe vinin për pushimet verore në Shqipni. Im atë na çonte me i kalue këto pushime, në bjeshkët e Skurajt. Në malin e Lartishit dhe të Trodhnës, së Pëshkashit. Vende të bukura e klimaterike. Me burime ujnash minerale. Kur mendoj për bukuritë natyrore të Shqipnisë, të cilat i kisha shijue e njohun që në fëmini, më kap një trishtim i madh, tue pa se sa keq u katandis nën diktaturën komuniste, i braktisun nga të gjithë të mirat që ia kishte falë Zoti, për të qenë një vend i lumtun, ndersa u kthye në një vend fatkeq.
Prindi yn na çonte për pushime në malet e Skurajt, për t’u kalit dhe për të qenë të lidhun pas tabanit të traditave, ma të mira shqiptare. Valentini shqujej për veti atletike–sportive, si; ngjitje mbi malet shkambore, qitje në shej me pushkë e; në gjueti, në gara mundje me të rij të vendit e, në lojna të tjera popullore, në të cilat dallohej e i doli nami, si djalë shumë i shkathtë. Ai ishte edhe një i ri i pashëm e, shtalidhun.
Në këto rrethana, jeta jonë rridhte e qetë dhe e rregullt. Nga viti 1935, familja banonte në Korçë, ku im atë ishte Komandant i Qarkut. Kjo kohë përkon me një detyre që iu ngarkue atij, që të përfaqësonte Shqipninë në një komision vezhguesish ndërkombëtarë, që do të ndiqte nga afër luftën e Abisinisë dhe fille pas kësaj, manovrat e mëdha të Italisë. Në këto dy detyra, ai pati rast të qendronte pranë shtabëve të gjeneralëve tё famshёm Italian Badoljo e Graziani, ku kishte dhe oficerë shtatmadhorë, ish-shokë të tij në Shkollën e Luftës të Torinos.
Ishte vera e vjetit 1936. Atë vit pushimet i kaluem në Korçë, se bashku me fëmijët e prof. Luigj Muzhanit, moshatare me ne. Nën drejtimin e Valentinit, u morëm me kompletimin e dy albumëve të mëdha me fotografi mbi luftën e Abisinisë dhe udhëtimin e gjat, shkuemje-ardhje, që përbanin një paraqitje dokumentare të randësishme. Pasunue me relacionët qё ai u kishte kushtue atyne ngjarjёve. Si dhe takimet me Duçen (Benito Musilinin) dhe Mbretin e Italisë.
Me vezhguesit e huej, me të cilët ndau atë detyrë, me oficerë shtatmadhorë të huej në manovra e mëdha, e tjera fotografi të asaj kohë. Fotografitë ishin të shoqnueme me shënime të tim etit, që përbanin një përshkrim të asaj lufte dhe eksperience në një vend afrikan të prapambetun, si në epokën e gurit. Ku nuk kishte shkelë kurrë, kambë shqiptari.
Nga kёto takime ai kishte marrё vesh shumё mirё, rrezikun qё e priste Shqipninё, pas Abisinisё. Im atë, kishte pasë dy audienca të posaçme me Mbretin Zog (‘Abisinia’ e ‘Manovrat’), ku i kishte tregue për konaktet me gjeneralët Badoljo e Graziani e, të tjerë ushtarake të lartë, në atë luftë. Nga fjalër e shprehjët e tyne, dilnin qellimet pushtuese të Musolinit, ndaj Shqipnisë.
I kishte kerkue Zogut komanden, per organizimin e mbrojtjes se vendit. Mbreti nuk e kishte ba qejfin gjederr dhe i ishte pergjigj se; prej Italisë, nuk mund t’u vinte asnjë e keqe, aq të mira e të forta, ishin lidhjet mes tyne. Po të paraqitej ndonjë rrezik nga ajo anë, vetëm atij do t’ia jepte komandën e mbrojtjes. Premtin qё mbeti fjalë në erë e, s’u mbajt kurrë.
Valentini, merrte pjesë në këto biseda që zhvillohëshin mes të rritunve, me mendime e me supozime se; a do ta tradhëtonte Duçja besën shqiptare?! E pse Mbreti nuk perfillte paralajmërimet e një shtatmadhori me përvojë, patriot, besnik e me influencë të madhe në ushtri dhe në popull, askush nuk arrinte ta kuptonte…?!
Aq ma tepёr kur u muer vesh, se si Prenk Pervizi, oficer shtatmadhor, me pregatije ma tё naltё, qё lipsej tё qёndronte pranё qeverisё e Mbretit, nё njё kohё qё ndihej rreziku nga Italia fashiste, e kishin largue nё fund tё vendit, nё Korçё. Kjo ishte diçka, që s’binte fare mirë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016