Nga Reshat Kripa
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al / “Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!
(Viktor Hygo, “Njeriu që qesh“)
RINI E COPËTUAR
Kushtuar familjes dhe shoqërisë,
Autori
DASHURIA RILIND
Në shtator fillova mësimet në klasën e dytë. Si zakonisht isha nxënës i shkëlqyer. Një mbrëmje erdhi një gazetar i “Zërit të Rinisë”. Kërkoi të bënte një intervistë me një nxënës të mirë. Mësuesja e kimisë, i rekomandoi Elin. Ishte nxënëse e mirë, por jo e nivelit tim. Në këtë kohë, Fejzi Xherahu, një shoku ynë i klasës i thotë: – “Zonja mësuese, po ne kemi një nxënës të shkëlqyer, Reshat Kripën. Përse nuk dërguat atë”?!
Kjo pyetje më zgjoi një krenari në veten time, por njëkohësisht, më vuri në pozitë të vështirë. E dija që nuk mund të jepja intervista nëpër gazeta. Edhe Fejziu e dinte një gjë të tillë, por e bëri enkas. Mësuesja ndenji pa folur. Nuk e priste një pyetje të tillë. Pastaj tha:- “Më falni, po nuk e bëra me qëllim. Apo jo Reshat”? Donte mbështetjen time. U zura ngushtë. Duhej të jepja një përgjigje. I thashë shkurt: – “Për mua, nuk ka rëndësi”.
Kështu u mbyll kjo çështje. Një mbrëmje vjen në klasë shoku im, Maliq Agaj, që vazhdonte klasën e parë. Shoqërohej nga një vajzë rreth shtatëmbëdhjetë vjeç. U afruan pranë meje dhe më tha: – “Ida është vajza e vëllait tim, Agos. Do të vazhdojë mësimet në klasën tuaj”. E kuptova që e pruri tek unë, për ta patur kujdes. Për më tepër edhe për ta shoqëruar në shtëpi. Banonte në lagjen “Lirim”, jo më shumë se njëqind metra, larg shtëpisë tonë.- “Mos kini merak. Le të ulet në bankën time, se nuk kam njeri”. Ajo që më ra në sy te kjo vajzë, ishte trupi i saj i përsosur. U ul në bankë dhe filluam të bisedojmë. Në këtë kohë hyri mësuesi i matematikës dhe ne heshtëm.
Po ktheheshim në shtëpi, pas mbarimit të mësimit. Në anën e rrugës ku ne po ecnim, ishte hapur një kanal për tubat e ujësjellësit. Unë ecja anës kanalit. Ajo ishte në të djathtën time. U mundua dy tre herë të dilte nga e majta, por nuk mundi. Nuk e lejonte kanali. Atëhere ishte mentaliteti që vetëm gruaja ose një pjesëtar i familjes, mund të qëndronin në të djathtë. Unë i vija veshin lëvizjeve të saj, por qëllimisht nuk i hapa rrugë. Kështu mbërritëm te porta e shtëpisë së saj. I dhamë dorën njëri-tjetri. Para se të ndaheshim, i thashë:
– “Po të kesh nevojë për gjë, eja në shtëpinë time. Mund të mësojmë bashkë dhe të zgjidhim detyrat”. – “Faleminderit! Natën e mirë”. – “Natën e mirë”! Ida ishte e bija e Ago Agajt, një personalitet i njohur i krahinës së Mesaplikut. Kishte mbaruar studimet e larta në Vjenë për inxhinieri agrare. Patriot i njohur, pjesëmarrës aktiv në Luftën e Vlorës më 1920 dhe i aktiviteteve të tjera patriotike. Në shtator 1943, emërohet Ministër i Ekonomisë Agrare në qeverinë e drejtuar nga Rexhep Mitrovica. Më parë kishte qenë prefekt në Mitrovicë. Atje punoi me përkushtim për çështjen e Kosovës. Për këtë, vendasit e quajtën; “Kosovari nga Vlora”.
Me mbarimin e Luftës, si shumë patriotë të tjerë, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit në Itali, Egjipt dhe përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Shqipëri, la gruan me pesë vajza. Kur unë u njojta me Idën, katër të parat, ishin martuar. Ida ishte e vogla. Banonte së bashku me t’ëmën, që punonte si punëtore në fabrikën e çimentos.
Kështu u njoha me të. Ditët kalonin njëra pas tjetrës. Çdo ditë bëheshim më të afërt. Një ndjenjë tjetër po pushtonte zemrat tona. Nuk ishte ndjenja e miqësisë. Ishte diçka tjetër që i bënte zemrat tona të dridheshin. Një dashuri e re po e bënte zemrën të zgjohej përsëri. Interesant, por nuk mund të jetoja pa dashuri! Ditët e shkollës, më jepnin kënaqësi të veçantë. Sidomos, kur ktheheshim në shtëpi. Qëndronim me minuta të tëra para portës së saj, duke biseduar. Një gjë e tillë ra në sy të komshinjve, që nuk përtonin të na hidhnin edhe ndonjë romuz. Por ne bënim sikur nuk i dëgjonim.
* * *
Një të dielë vendosëm që të zhvillonim një mbrëmje vallëzimi me klasën. Organizatorë ishim unë, Ymer Dogani dhe Alfred Çobani. Prenotuam orkestrën, përgatitëm një bufe të vogël dhe ftuam edhe disa mësues, kryesisht ata që ishin në moshë më të re. Vendosëm ta bënim, në sallonin e katit të parë të shkollës. Morën pjesë të gjithë nxënësit e klasës. Orkestra filloi ekzekutimin e pjesëve. E filloi me melodinë e përhapur shumë në atë kohë, të këngës së njohur italiane “Marina”. Ymeri m’u drejtua: – “Të takon ty ta hapësh”.
Ashtu ishte zakoni në atë kohë. Mbrëmjet hapeshin nga organizatorët. Unë u nisa. Vendosa të kërceja me Elin por, pa e kuptuar as vetë, këmbët më shpunë te Ida. Ajo u ngrit duke u skuqur pak në fytyrë, u mbështet në krahët e mi dhe filluam të rrotullohemi. Duke vallëzuar me të, më dukej vetja sikur fluturoja në parajsë. Mbrëmja vazhdoi disa orë. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Kërceva disa herë me Idën. Kur mbaruam si zakonisht, e përcolla në shtëpi. Te porta e saj, u zhvillua i njëjti ritëm. Biseda të pafundme.
Të nesërmen, së bashku me Ymerin dhe Alfredin, na thirri në zyrë drejtori i shkollës së ditës. Janaq Sykua. – “Mbrëmë keni zhvilluar një mbrëmje vallëzimi në shkollë, – tha duke u kthyer nga unë, – kujt i morët leje”?! Në të vërtetë kishim njoftuar drejtorin e shkollës së natës, Pirro Arapin, por atij nuk i thamë gjë. Nuk donim të ngatërronim dhe atë. Ymeri më bëri shenjë që të mos flisja. E dinte pozicionin tim. Për veten e tij dhe për Alfredin, e dinin se nuk u bënte dot gjë. Ishin nga familje komunistësh. Ymeri ndërhyri dhe foli:
– “Menduam se nuk ishte nevoja”. – “Ti ishe organizatori”? – m’u drejtua përsëri mua. – “Jo, isha unë dhe Ymeri”, – u përgjigj menjëherë Alfredi. Drejtori mbeti keq. E kuptoi se nuk mund të bënte gjë. – “Qoftë e para dhe e fundit herë, që organizoni të tilla mbrëmje pa leje”! Ne u larguam Kur dolëm përjashta u shtrëngova duart shokëve të mi, duke i falënderuar. Atë vit organizuam disa mbrëmje të tilla, por jo në lokalin e shkollës.
* * *
24 maj 1961. Dhjetë vjetori i arrestimit tim. Ishim në dhomën time. Në shtëpi nuk kishte njeri. Babai me nënën, kishin shkuar për një vizitë. Fatushja ishte në shkollë. Ishim me Idën, duke bërë mësimet. Por mendja nuk ishte aty. Ajo fluturonte ku dhimbte zemra. Në një çast i kapa duart dhe fillova t’ia ledhatoj. Ajo u skuq, por nuk foli. As duart nuk i tërhoqi.
– “Ida, të dua”! – i thashë. Ajo nuk fliste dot, por atë që nuk e thoshte goja, e thonin sytë e saj, që shndrisnin. – “A pranon të bëhesh gruaja ime”? – vazhdova unë!- “Po, – u përgjigj me ngadalë. – “Edhe unë të dua”. E afrova pranë vetes dhe shkëmbyem të puthurën e parë të dashurisë në jetën time. Ishte një çast magjik…! Pas kaq vitesh të kaluara në skëterrë, po shijoja ëmbëlsirën e një puthjeje. Shija e saj, mbeti në buzët e mia, për tërë jetën.
Ishte dashuria e dytë e jetës time. E para ishte ajo për Nerin. Cila ishte më e fuqishme?! Nuk e di. Të dyja ishin të pastra. Të dyja të sinqerta dhe të fuqishme. Të dyja i kam dashur me gjithë fuqinë e shpirtit tim. Çfarë ndryshimi kanë atëhere me njëra-tjetrën? E para ishte një ëndërr shumë e bukur fëmijërore, që mbeti e tillë, deri në fund. Kurse e dyta, ishte realiteti që bëri të mundur krijimin e një familje. Ishte siç thoshte kënga e kënduar në ato kohëra, nga këngëtarja italiane, Gabriella Ferri:
“Com’è bello il primo amore
Il secondo è piu bell’ ancore”!
Të nesërmen i shkrova Vjollcës, për gjithçka. Isha vetëm njëzetepesë vjeç. Kisha kaluar një të tretën e jetës time.
“Sa e bukur dashuria e parë
Por e dyta më e bukur akoma”!
EPILOGU
Sot jam në moshën e pleqërisë…! Në këtë moshë, kujtoj jetën time. Kujtoj thëniet e arixhofkës, në fëmijërinë time të hershme. Çuditërisht, megjithëse nuk jam besimtar i gjërave të tilla, më duket sikur ato kanë kaluar, ashtu si i parashikoi ajo. Burrëria e ime, kaloi si ajo e shumë të tjerëve të shtresës time, me të përpjeta dhe të tatëpjeta.
Çaste gëzimi, por edhe hidhërimi të thellë, që në ndonjë rast do të më bënin të humbisja kuptimin e jetës. Për këto nuk kam dëshirë të shkruaj. Dua të mbeten brenda vetes time Dua t’i harroj. Ato më përkasin vetëm mua dhe askujt tjetër. Megjithatë, dua të shkruaj për disa çaste të veçanta të jetës time dhe fatin e personazheve të tjerë të këtij shkrimi.
Dashuria ime me Idën, vazhdoi për tre vjet rresht. Kisha një kundërshtim nga ana e prindërve të mi. Kjo për shkakun, sepse dy vëllezërit më të mëdhenj dhe motra, ishin akoma të pamartuar. Kërkova ndihmën e doktor Isufit, i cili edhe kësaj radhe më doli në krah. Kishte njohur babanë e saj. Bisedoi me tim atë. Më 4 tetor të vitit 1964, u krye martesa e jonë, pas tre vjet e gjysmë dashuri.
Gëzimi im i parë i madh, ishte lindja e djalit, Artanit, më 19 prill të vitit 1966. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Ditën që ai mbushi dyzet ditë, ndërsa nëna po përgatitej ta kremtonte, u godit nga një hemorragji cerebrale, e cila do i merte jetën më 10 qershor të atij viti. Kishim vite që nuk kishim provuar vdekje në familjen tonë dhe ajo na goditi atje, ku na dhimbte më tepër. Babai u lidh shumë me djalin. Ai ishte idhulli i tij. Nuk guxonte njeri t’i fliste, apo qortonte.
Më 18 nëntor 1971 lindi vajza e parë, Rudina, ndërsa më 6 nëntor 1978, vajza e dytë, Ersela. Ndërkohë im atë, i kishte mbyllur sytë më 10 mars të vitit 1973. Mbetëm si të gjitha familjet e shtresës tonë. Ida punonte si punëtore në ndërmarrjen e serave, ndërsa unë, si murator dhe ndonjë periudhë, me këmbënguljen e miqve të mi, si Veli Premtaj me shokë, si brigadier i brigadës së ndërtimit, në sektorin e investimeve të asaj ndërmarrje.
Nuk mund të më hiqen nga mendja disa momente të vështira, kur shihja trajtimin që u bëhej fëmijëve të mi. Këto më shkaktonin dhimbje, më shumë se për veten time. Kur Artani mbushi moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, kujtova femininë. Një ndjenjë frike, për një ripërsëritje të së kaluarës time te ai, më futi të dridhura në trup. Artani mbaroi shkollën e mesme. Pas një viti e morën ushtar në repartin e xhenios, në Shilore të Shijakut. Ishte muaji dhjetor. U nisa pas disa ditësh ta takoja. Ishin kohë shumë të vështira. Shqipëria po shkonte drejt greminës. Gjendja ekonomike, ishte jashtëzakonisht e rëndë. Mbizotëronte sistemi i tollonave, për të gjithë artikujt ushqimorë. Një kilogram mish në muaj, për familje. Po ashtu edhe artikujt e tjerë ushqimorë.
Atë muaj takoi që racioni të ishte mish dhie, i mbuluar nga dhjami. Ç’të bënim?! Tjetër nuk kishim ku gjenim. E poqëm, shtuam edhe disa gjëra të tjera dhe shkova. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Kur po largohesha, ktheva edhe një herë kokën nga reparti. Kapanonet e tij, ishin njësoj si ato të kampeve ku kisha kaluar pesë vjet të jetës time. Ndjeva një dhimbje të madhe, bile shumë më të madhe nga ajo kur isha vetë brenda. Atë muaj në familje, nuk hëngrëm mish. Sot Artani ka gjetur rrugën e tij. Ka mbaruar fakultetin juridik dhe atë ekonomik. Jeton së bashku me gruan, Dorinën, doktoreshë e shkencave në ekonomi dhe vajzat e bukura, Nikolën dhe Noelin.
Viti 1990, viti kur komunizmi kishte marrë rrokullimën. Rudina vazhdonte vitin e fundit të shkollës së mesme. Ora e hartimit. Tema ishte e lirë. Rudina zhvilloi një temë, që po të kishte qenë disa vjet më parë, ajo edhe unë, do të kishim përfunduar të dy në burg. E përfytyronte veten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prej andej, më dërgonte një letër mua, ku më përshkruante jetën e atjeshme, por jo me ngjyrat e zeza, siç ishte përshkruar deri atëhere.
Në hartim pasqyrohej Amerika e vërtetë, ajo që shqiptarët e kishin ëndërruar prej kohësh. Kjo gjë shkaktoi një pështjellim në shkollë. Më thirrën dhe mua dhe u munduan të komplikonin më shumë çështjen. Por ujkut tani i kishin rënë dhëmbët dhe ai nuk mund të kafshonte më. Ëndrra e Rudinës u bë realitet. Në vitin 1999, ajo fitoi me lotari të drejtën e banimit në Shtetet e Bashkuara. Atje përfundoi kolegjin për financiere, me rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur nxënëse nderi. Punoi si specialiste që fuste statistikat në kompjuter. në një kompani taksish. Pas një viti vendosi të punonte vullnetarisht. në aerodromin e New Yorkut, duke ndihmuar njerëzit me moshë të thyer, të shkonin të sigurt nga avioni, në makinat e tyre ose, anasjelltas.
Me mbarimin e kolegjit, u punësua në një kompani materialesh letre, ku hidhte të dhënat në kompjuter dhe pas një viti, me punën e saj të devotshme dhe të frytshme, u ngrit në përgjegjësi duke punuar si specialiste e llogarisë kreditore. Sot jeton e lumtur me burrin, Rafael Seranon, dhe dy djemtë si zogj parajse; Rafaelin dhe Gabrielin, në qytetin e Filadelfisë.
Viti 1988. Ersela kishte përfunduar shkollën fillore. Rezultati ishte i shkëlqyer. Të gjitha notat dhjeta. I pëlqente veçanërisht baleti. Ishte lider në grupin e shkollës. Me ndihmën e një të njojturi, mundëm të fitonim të drejtën e konkurrimit në shkollën e baletit në Tiranë. U nisa së bashku me të. Konkurroi në mënyrë të shkëlqyer, por çdo gjë ishte e kotë. Të gjitha ishin vendosur me kohë. Ishte caktuar se kush duhej të ishte në krye dhe kush në fund të “elitës“. Megjithatë, Ersela nuk u thye. Ajo vazhdoi rrugën e saj të suksesit.
Gjithmonë në krye. Sot ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka mbrojtur masterin në degën e arkitekturës në universitetin e Columbias të New Yorkut. Edhe atje vazhdon të qëndrojë në krye. Qëllimi final që i ka vënë vetes, është mbrojtja e doktoratës. Unë kam bindjen se ajo do t’ja arrijë kësaj. Një sërë medaljesh të fituara, e vërtetojnë këtë. Atë që nuk mundi ta realizonte babai i saj, po e realizon e bija.
Po personazheve të tjerë të këtij libri, si u shkoi filli gjatë këtyre viteve?
Fatushja qëndroi në familje, deri sa u lirua Besniku. Pastaj në vitin 1964, u martua me Xhevdetin, nipin e Plakut të Vlorës, Ismail Bej Qemalit. Si rezultat i martesës, u lindën dy fëmijë, një vajzë, Ada dhe një djalë, Luli. Fatushja vazhdoi profesionin e saj të arsimtares nëpër shkolla të ndryshme të Tiranës, deri në vitin 1978, kur doli në pension. Me gjithë gjendjen e vështirë ekonomike, mundi të arsimonte fëmijët e saj. Ada mbaroi fakultetin ekonomik, ndërsa Luli, atë të inxhinierisë mekanike.
Në moshën e pleqërisë, pati mbështetjen e fëmijëve të saj, që nuk i kursyen asgjë. I mbylli sytë më 16 janar 2007. Sot Ada. banon në Bolonja të Italisë, ndërsa Luli, vazhdon në Tiranë. Agimi mbaroi gjimnazin, vitin që unë u arrestova. Nuk i dhanë të drejtë studimi. Mundi të mbaronte një kurs për topograf dhe u end për vite të tëra, fushave që bonifikoheshin dhe kanaleve që hapeshin. Së fundi, u vendos në Tiranë, ku përfundoi edhe fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit.
U martua me Zakije Hoxhën nga Gjirokastra, me të cilën lindi dy fëmijë, Anilën dhe Bendisin. Sot jeton i qetë i rrethuar plot dashuri nga vajzat. Jeta e Besnikut, ishte më e vështira nga të gjithë pjesëtarët e familjes. Gati dymbëdhjetë vjet burg, nëpër kampet e egra të Nizhavecit, Gosës së Vogël, Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit, Rinasit, Zadrimës, Thumanës, Çermës, Bubullimës, si dhe burgjeve të Tiranës e Vlorës. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë dhjetori të vitit 1961, kur ai doli nga burgu. Kisha dalë për ta pritur së bashku me Qamilen dhe Fatushen, në burgun e Vlorës. Kur e pamë, na u duk sikur para syve, kishim një hije…! Ishte i dobësuar jashtë mase dhe i sëmurë. Mezi qëndronte në këmbë. Morëm një taksi dhe shkuam në shtëpi. Atje na prisnin me padurim nëna me babanë. Ishin çaste që pena, nuk mund t’i përshkruajë.
Puna e vetme që e priste, ishin tunelet e fabrikës së tullave, sa që kur dilte prej andej, nuk njihej se kush ishte. Vazhdoi dhe mbaroi me sukses gjimnazin e mbrëmjes. Në atë punë vazhdoi për 30 vjet, deri sa doli në pension. Dy fëmijët, Myneverja, e cila mori emrin e gjyshes, që kishte vetëm tre muaj që kishte mbyllur sytë dhe Ariani, jetojnë në Itali. Besniku dhe Kreshnikja, i gëzoheshin fëmijëve të tyre. Çdo vit ata vinin për pushime në qytetin e prindërve, ndërsa këta, shkonin herë pas here në Itali, për t’u çmallur me fëmijët, nipërit dhe mbesën e tyre. Më 26 nëntor 2006, në moshën 73 vjeçare, i mbylli sytë.
Kur Myrtezai u lirua nga burgu, familja e tij ishte vendosur në Peshkopi. Babaj i tij kishte mundur të siguronte punë si drejtor i një hoteli. Duke qenë larg vendit ku kishte kryer aktivitetin “armiqësor”, Myrtezait iu krijua mundësia të mbaronte shkollën e mesme dhe të lartë, Pedagogjike. Për vite të tëra u end nëpër fshatrat e Dibrës, duke mësuar nxënësit. Zëri i tij i bukur bëri, që të bëhej edhe pjesëtar i grupit të estradës së Peshkopisë. Kënga e tij e preferuar, vazhdonte të ishte; “O moj erëza malore”. Sot banon së bashku me gruan, në Durrës. Djalin e ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa vajzën në Tiranë.
Doktor Isufin, pas lirimit nga burgu, e emëruan në Vlorë. Ishte otorinologu më i mirë, i gjithë Shqipërisë së Jugut. Në mënyrë të veçantë u shërbente ish-të burgosurve, me të cilët dikur kishte ndarë kafshatën e gojës. Por kujdesi i tij, ishte edhe për të gjithë qytetarët e tjerë, duke u bërë një nga njerëzit më të nderuar në qytet. U martua me zonjën Gjyltere Pipa, inxhiniere kimike dhe Zoti u fali një djalë, Einarin, i cili sot ndodhet në Itali, ku ushtron profesionin e mjekut. Doktori i mbylli sytë në vitin 1988, pa gëzuar ditën e lirisë për të cilën kishte ëndërruar dhe sakrifikuar aq shumë.
Jeta e Veliut për një kohë të gjatë, vazhdoi si e të gjithë njerëzve të shtresës tonë. Me shumë mundime, mundi të mbarojë fakultetin ekonomik. Punoi për një kohë nëpër fshatrat e Vlorës, deri sa u bashkuam përsëri, në Ndërmarrjen Bujqësore “Vlora”, unë si brigadier dhe ai si teknik ndërtimi. Fati nuk i eci. Kur sapo kishte filluar të lulëzonte liria, kur priste të zinte vendin që i takonte, ndërroi jetë papritur më 25 prill 1991, në moshën pesëdhjetegjashtëvjeçare. Sot gruaja dhe djemtë, jetojnë në Tiranë, ndërsa vajza, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vjollca me Kristaqin, për disa vite qëndruan në Thumanë, ku kreu shkollën fillore edhe Kujtimi i vogël. Pastaj u vendosën në Mamurras. Atje Kujtimi mbaroi shkollën e mesme, por dyert e shkollës së lartë për të. ishin të mbyllura, megjithëse ishte nxënës i shkëlqyer, ashtu si e ëma, para disa viteve. Unë vazhdoja korrespondencë të rregullt me ta, bile kisha shkuar disa herë t’i takoja, kur shkoja për në Laç, te motra.
Sadiku, doli nga burgu në vitin 1962. Por pasojat e vuajtjeve bënë, që pas tre vjetësh, të mbyllte sytë. Dy vjet më vonë i mbylli ato edhe e shoqja. Vjollca mbeti e vetme me burrin dhe djalin. Në korrikun e vitit 1990, Kujtimi së bashku me të tjerë, u fut në ambasadën Gjermane. Sot ndodhet në Gjermani. Ka mbaruar universitetin e Mynihut dhe ka fituar titullin doktor i shkencave politike. Ka tërhequr edhe prindërit e tij, të cilët tashmë jetojnë atje, së bashku me fëmijët e të birit.
Sa për Nerin, ajo i qëndroi besnike Vlorës. Jeton atje së bashku me të shoqin dhe fëmijët. Gjatë kësaj periudhe pesëdhjetëvjeçare e kam takuar vetëm dy herë. Herën e parë në vitin 1979, kur kisha për të zgjidhur një problem dhe ajo më ndihmoi sinqerisht dhe herën e dytë, në vitin 1992, kur erdhi dhe më kërkoi ndihmë për diçka, gjë që e kreva menjëherë. Të dy këto takime ishin miqësore, takime ndërmjet dy shokëve të vjetër të fëmijërisë. Një njeri i shquar ka thënë: “Miqësia në dashuri, mund të kthehet, kurse dashuria në miqësi, kurrë”! Megjithatë, në rastin tonë, dashuria ishte kthyer në miqësi. Ëndrra e vjetër tashmë ishte harruar. Secili prej nesh, kishte jetën e vet.
Këto ishin ngjarjet kryesore të jetës të personazheve të këtij libri. Unë me gruan vazhdojmë të jetojmë të qetë në familjen tonë në Tiranë. Përballë apartamentit, kemi atë të djalit tonë të dashur, që nuk na është ndarë për asnjë minutë. Kemi një mall të madh për vajzat që i kemi larg, por edhe me ato bisedojmë shpesh në telefon dhe, kur u dëgjojmë zërin, na duket sikur i kemi pranë. Megjithatë, herë pas here, vijnë dhe na takojnë. Tashti jam shtatëdhjetetre vjeç. Më duket se u plotësua edhe profecia e tretë, që arixhofka i kishte thënë nënës, në njërën nga ditët, pasi kisha shpëtuar nga mbytja:
– “Djali do të kalojë një pleqëri të qetë”.
Vetëm për një gjë më vjen keq. Për rininë time të copëtuar, që kaloi e mbuluar, nga hija e pleqërisë.
Para disa kohe, takova mikun tim Ylli Bora. Dikur, ishte një djalë i ri plot gaz dhe humor. Kishte dëshirë të shkruante, por veprat e tij, si shumë të tjerëve, nuk e gjetën rrugën e botimit. Kur e takova, m’u duk shumë i plakur. Duart i dridheshin nga parkinsoni. Këmbët mezi mbanin peshën e trupit dhe ecte me ngadalë. U ulëm të pinim një kafe. Filluam të bisedojmë për hallet e jetës tonë. Për pengjet dhe ëndrrat tona. Më tregoi se me ato duar që i dridheshin, kishte botuar pesë libra dhe kishte ndër duar të gjashtin. Vullnetin për të shkruar, e kishte akoma të gjallë.
Së fundi, kur u ndamë, më tha një shprehje të artë që nuk do ta harroj kurrë, deri sa të kalojnë edhe këto vite që më kanë mbetur: NE MBIJETUAM, POR NUK JETUAM?! Memorie.al
Tiranë, më 19 dhjetor 2008