Nga Reshat Kripa
Pjesa e pestë
Memorie.al / “Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!
(Viktor Hygo, “Njeriu që qesh“)
RINI E COPËTUAR
Kushtuar familjes dhe shoqërisë,
Autori
PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZI!
Ishte një parullë nacionaliste, që e kisha lexuar në një trakt të hedhur nga avionët e huaj, që në atë kohë fluturonin shpesh mbi qiellin tonë, të shoqëruar nga goditjet e kundërajroreve, që nuk arrinin t’i godisnin.
Në atë çast solemn, ndjeva se po më lageshin sytë. Të njëjtën gjë pashë edhe në ato të shokëve të mi. Ishin lotët e dhembjes, për atë që na mungonte. Ishin lotët për padrejtësitë, për lirinë e humbur.
U ulëm në tavolinë dhe filluam të diskutojmë për emrin e organizatës. Pas shumë debatesh, vendosëm ta quajmë “ATDHETARI“. Për të mos u njojtur shkrimi, vendosëm që pjesët e rrumbullakosura të gërmave, t’i bënim në formë katrore. Një gjë të tillë e propozoi Jorgua. Kjo ishte një fantazi fëminore se në të vërtetë, po ta krahasoje me shkrimin tonë të zakonshëm, ishin të njëjta. Vendosëm gjithashtu që traktet t’i ngjisnim në muret e qytetit, pasi kështu do lexoheshin, nga më shumë njerëz. Vendosëm gjithashtu, me propozimin e Myrtezait, që si himn të organizatës, të kishim këngën patriotike; “O trima luftëtarë”.
Së fundi diskutuam për tekstin e traktit të parë. Secili shfaqi mendime të ndryshme. Unë propozova të shkruanim një pjesë të nxjerrë nga një ligjëratë e Nolit. Ata ranë dakord. U ula dhe fillova të shkruaj:
Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi! Le të sulemi, nën flamurin e kuq, në flakë të luftës, që të na drithësohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpyrti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesim duke thirrur: RROFTË SHQIPËRIA!
“ATDHETARI“
E shkruam në tre kopje. Njërin e ngjitëm në “Tophananë” e Jorgos, tjetrin në “Muradien” e Myrtezait, kurse të tretin, në “Vrenezin”, tim.
* * *
Mblidheshim dy-tre herë në javë. Me një zell të paparë shkruanim traktet dhe i ngjisnim mureve nëpër rrugicat e qytetit. Sikur të kishin gojë ata mure, do të flisnin. Në mendjen time ato rrugica dhe sheshe, kanë mbetur ashtu si kanë qenë atëhere. Për çudi, na kishte ikur ndjenja e frikës. Mendonim se do të vazhdonim pambarimisht, aktivitetin tonë.
Na dukej sikur fluturonim lart në qiell. Kishim harruar se çfarë ndodhte në tokë. Mosha nuk na lejonte, që të shihnim realitetin. Besonim se me ato trakte, do të ndërronim sistemin. Kishim parë filma të shumtë të tipit “Garda e re“, që në atë kohë shfaqeshin shpesh dhe të shtytur prej tyre, mendonim edhe ne të bëheshim si ata. E quanim veten heronj.
Si tekst i trakteve, na shërbenin pjesë të nxjerra nga poezitë e poetëve tanë, si: Çajupi dhe Noli. Ndonjëherë i shkruanim ashtu siç ishin, ndonjëherë ia përshtatnim kohës tonë, si për shembull një poezi të Çajupit, që e kishim transformuar kështu:
“Errësira ka mbuluar gjithë dhenë,
Robëria ka plakosur mëmëdhenë.
Zija, vaji dhe mjerimi mbretërojnë,
Vrasja dhe litari, sot gjykojnë.
Një kuçedër e tërbuar po pi gjak,
Një popull i robëruar kërkon hak.
Mos bëni si keni bërë gjer më dje,
Po të ngrihemi të gjithë për atdhe.
Të ngrihemi të dëftojmë trimëri,
Ja të vdesim, ja të rrojmë në liri!
Në disa prej trakteve të tjera shkruhej:
“Luftoni për liri, për jetën e lumtur! Mos kini frikë nga vdekja sepse:
“Kush bënë vdekjen për atdhe,
Ai s’ka vdekur, por ka le!
Poshtë Stalini dhe satelitët e tij!
Poshtë këlyshi i Stalinit,
duhanxhiu Enver Hoxha!
Poshtë satrapi Mehmet Shehu”!
“ATDHETARI”
Ose:
THIRJE
“Vëllezër dhe motra!
Zgjohuni prej gjumit të rëndë të robërisë!
Shikoni shtypjen që po ju bëhet prej barbarve komunistë!
Shikoni krimet, tmerret, vrasjet dhe torturat e tmerrshme që po bëhen sot në çdo anë të Shqipërisë!
E ardhshmja e juaj do të jetë e lumtur, në rast se ju ngriheni dhe luftoni”!
“ATDHETARI”
Një preokupim për ne ishte zgjerimi i organizatës me elementë të rinj. Kështu që filluam të mendojmë për kandidaturat e ardhshme. Midis më të mundshmëve, ishin tre: Luan Koka, Fadil Meçua dhe Spiro Kokaveshi. Menduam që ta fillonim me këtë të fundit. I shkruam letrën e mëposhtme:
“Në rast se ju jeni me të vërtetë një atdhetar i ndershëm dhe do të lëftoni për çlirimin e atdheut tuaj, atëhere ju duhet të përpiqeni me të gjitha forcat tuaja, për t’ia arritur kësaj çështjeje.
Përpara së gjithash, ju duhet të jepni provat e para të një besnikërie ndaj kauzës së shenjtë të popullit.
Për këtë gjë ju ngarkoheni, në rast se doni me të vërtetë lirinë e Shqipërisë, me grisjen e parullave të propagandës komuniste, të gazetave në shkollë, si dhe me përhapjen ose ngjitjen e parullave, që po ju dërgojmë.
Po qe se ju i zbatoni këto që po ju besohen prej nesh, do të mundni të bëheni anëtar i organizatës sonë, me emnin “ATDHETARI”
Me nderime:
Organizata e atdhetarve të qytetit
“ATDHETARI”
Letrën ia postuam së bashku me dy trakte dhe po prisnim reagimin e tij, por nuk arritëm. Pas dy ditësh u arrestuam.
Kishim menduar t’i shkruanim edhe Sekretarit të Parë të Partisë për Vlorën. Madje përpiluam edhe tekstin e saj: Mirëpo këtë letër, pasi e diskutuam hollësisht, vendosëm të mos e postojmë. Gjithashtu vendosëm të mos postojmë edhe një letër që kishim shkruar për Presidentin e Organizatës së Rinisë Komuniste të shkollës, si dhe një letër tjetër, për një anëtare të Byrosë së Komitetit të Rinisë së shkollës, ndaj të cilëve kishim disa pakënaqësia.
Duke u marrë me aktivitetin tonë, kishim filluar të binim nga mësimet. Shpesh herë shkonim në shkollë të papërgatitur. Një gjë e tillë ra në sy të mësuesve. Drejtori i shkollës, mësuesi i nderuar Harilla Koçuli, na thirri dhe na hoqi vërejtjen:
– “Ç’është kështu me juve?! Jeni nxënës të mirë! Përse kjo rënie tani që po afron fundi i vitit?! Do na detyroni të thërrasim prindërit tuaj”?!
Ai fliste, kurse ne fluturonim në ëndrrat tona. Unë mendoja se ishte vetë drejtori, që me leksionet e tija patriotike, na i kishte ngulitur atë ndjenjë. E imagjinoja atë duke deklamuar vargje të tilla plot zjarr:
“Sikur të kisha, ah, fuqi prej Perëndie!
T’i jepja shkelmin kësaj gjithësie,
Dhe të krenja botë tjetër, ku të kishte,
Çdo plotësim dëshire dhe lirie”!
Atë mendonim të bënim edhe ne. Donim të kontribuonim për zhdukjen e padrejtësive. Donim të kontribuonim për lirinë. Por a kishim forcë vallë?!
Megjithatë, premtuam se do të bënim kthesë. Vendosëm që për të arritur këtë, me aktivitetin tonë të merreshim vetëm të shtunave dhe të dielave pasdite. Shpejt, arritëm rezultatet e dëshiruara në mësime.
DASHURI E NDËRPRERË
Më 20 maj filluam provimet e fundit të vitit. Provimi i parë ishte ai i algjebrës, me shkrim, dy ushtrime dhe një problemë. I zgjidha në një kohë rekord. Provimin tjetër, hartimin, e kishim pas pesë ditësh. 24 maj 1951. U bëra gati të shkoja si zakonisht te Jorgua. Babai më pa dhe tha:
– “Në orën gjashtë, shko te agjensia për të pritur hallën”.
– “Mirë, babi”!
Ora ishte katër. Kisha edhe dy orë kohë. Kur mbërrita te Jorgua, e gjeta duke lexuar një libër.
– “Po përgatitesh për hartimin e nesërm”? – e pyeta.
– “Jo, po lexoj kot”.
– “Me siguri, njëra nga temat duhet të jetë për themelimin e partisë. Sivjet është dhjetëvjetori i saj”.
– “Po, me siguri”.
– “Unë do shtjelloj temën e dytë, atë letraren”.
– “Edhe unë”.
– “Dëgjo, Jorgo; A nuk shkruajmë ndonjë trakt dhe e ngjisim tek agjensia”?
Ai u tregua i gatshëm. Shkruam traktin e mëposhtëm:
“Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi”!
Banorëve të Vlorës!
Mos u besoni komunistëve. Ata ju gënjejnë.
Luftoni për liri në doni të përqafoni burrin tuaj, djalin tuaj ose vëllanë tuaj, në një të arthme të afërt, tek ju, në shtëpinë tuaj, në tokën tuaj të lindjes.
Komunistët na torturojnë dhe na persekutojnë; Ata vrasin më të mirët nga ne, për të na kallur frikën, për të na vënë në gjumë, por ne nuk ju përulemi këtyre të poshtërve!
Vrajini këta mizorë të mallkuar! Më mirë vdekjen në luftë, se sa jetën në skllavëri!
Atdheu është në rrezik. Traktet e “ATDHETARIT”, do t’ju tregojnë të vërtetën, sado e hidhur që të jetë, për Shqipërinë tonë. E vërteta do të triumfojë!
“ATDHETARI”
Këtë trakt e bëmë dy kopje, në mënyrë që ta vendosnim në dy vende. Pastaj u nisëm për në agjensi. Menduam që njërin ta ngjisnim atje, kur të gjenim rastin që të mos kishte njerëz.
Autobuzi i parë mbërriti, por halla nuk ishte. Ajo nuk erdhi as me të dytin, që mbërriti pas një gjysmë ore. U afruam dhe pyetëm shoferin:
– “A ka autobus tjetër”?
– “Jo”.
Kurrë nuk e mora vesh përse nuk erdhi halla. Pritëm edhe pak, deri sa u errësua dhe vendosëm të ngjisim njërin nga traktet. Jorgua bënte roje, ndërsa unë e ngjita në mur. Të dytin menduam ta ngjisnim në ndonjë vend tjetër.
U nisëm. Kur mbërritëm pranë Sahatit, pashë Nerin që po shkonte në shtëpi.
– “Jorgo, unë po shkoj këndej” – i thashë shokut
Ai, duke e ditur ndjenjën time për të, pasi e kishim biseduar, buzëqeshi dhe më tha me dashamirësi një shprehje, që e kisha lexuar dikur në një roman të Leon Tolstoit:
– “Kuajt e hazdisur, i njoh nga vrapi i tyre, për njerëzit e dashuruar, flasin sytë e tyre”.
Vura buzën në gaz dhe u ndava me mikun tim. Po ndiqja si një hije misterioze Nerin. Hija e ime ndiqte hijen e saj. Ajo ecte pa më vënë re, ndërsa unë, nuk guxoja që t’i flisja. Ecja duke parë siluetën e saj. U fut në shtëpi dhe filloi të ngjiste shkallët. Kur mbërriti në shesh pushimin e tyre, qëndroi për një çast dhe po vështronte qiellin që shndriste nga yjet.
Unë u fsheha në hijen që lëshonte një shtëpi trekatëshe, dhe admiroja profilin e saj të bukur. Për një çast vendosa t’i flas, t’i them që e dua, që është ylli i shkëputur nga qielli, për të ndriçuar rrugën time. Por zëri nuk më dilte. Në atë moment ajo hyri në shtëpi dhe unë mbeta i zhgënjyer nga mungesa e nisiativës time. U nisa për në shtëpi i dëshpëruar…!
Kur mbërrita atje, u tregova për hallën, që nuk kishte ardhur. U shqetësuan dhe dërguan Agimin, të bënte një lajmërim-thirrje telefonike për të nesërmen, që të pyesnin Dritën. Halla banonte atje. Nuk qëndrova poshtë, si zakonisht, por u ngjita në dhomën e sipërme, gjoja për të mësuar. Mendoja çastet që kisha kaluar duke vështruar Nerin. Ndjeja zëmrën e saj, të rrihte pranë times. Më dukej, sikur dëgjoja zërin e saj të ëmbël, që më thoshte:
– “Edhe unë të dua”!
Më lindi ideja të shkruaja një poezi kushtuar asaj. Nuk jam poet, por ajo poezi do të më dukej, si më e bukura në botë. Kisha derdhur zemrën time në të. Isha një adhurues i vargjeve të Naimit, ndaj e shkruajta në vargje gjashtëmbëdhjetë rrokësh. Këto vargje, kumbojnë ende në veshët e mi:
KUSHTUAR TY
“Fale zemrën që s’guxoj, të të thotë dy tre fjalë,
Ish premtimi që dhuroj dhe gjithmonë do ta mbajë.
Ia dëgjon zërin bilbilit, bukur këndon në pranverë?
Ia ndjen erën. trëndafiles, që lulzon plot me erë.
Është kjo fjala e ime, nuk e di a më beson?
Po besove Perëndinë, dëgjo zemrën që premton.
Të dua, më foli zemra, e përulur para teje,
Besomë, ti je imja ëndrra, që s’do shuhet kurrë prej meje”!
Vendosa që këtë poezi t’ia dhuroja ditën e nesërme, kur të mbaronim provimin.
– “Eja të hamë darkë”! – dëgjova zërin e nënës që më thërriste nga poshtë.
– “Nuk më hahet. Hëngra nja dy byrekë me Jorgon”.
Nuk i thashë të vërtetën. Por nuk kisha oreks. Për mua tashti ekzistonte vetëm një ëndërr, vetëm një emër. Ky ishte emri Neri. E përfytyroja veten, si heronjtë e romaneve që kisha lexuar…! Fatin e cilit, do të kisha në dashurinë time?
Këto po mendoja, kur dëgjova zhurmë hapash në shkallë. Pas pak, u hap dera dhe brenda hynë dy oficerë, një civil dhe pjesëtarët e familjes të frikësuar. Njërin nga oficerët e njihja.
Ishte marshall Demir Zhupa, hetuesi i Sigurimit për shkollën tonë. Njihja edhe civilin. Ishte Dhimitri, një banor i lagjes që punonte në ofiçinën e qytetit, që ishte pranë agjensisë së udhëtarëve.
– “Ky është”, – tha Dhimitri duke më treguar me gisht.
Oficerët panë njeri-tjetrin me dyshim. Pastaj Demiri foli, duke u drejtuar nga unë:
– “Ngrehu, do të vish me ne”!
Në xhepin e këmishës kisha traktin e dytë, që nuk kishim mundur ta ngjisnim. U mundova ta nxirrja dhe ta hidhja gjëkundi, por nuk munda. Sytë e të gjithëve ishin drejtuar nga unë. Kontrolluan gjithandej dhe si nuk gjetën gjë, morën fletoren time të hartimit. Para se të niseshim, Agimi foli
– “Përse e merrni”?
Si dëgjoi këtë, Demiri e pa me inat dhe i tha me ashpërsi:
– “Edhe ti eja me ne”.
Kur dolëm përjashta, pashë një grumbull me policë që prisnin. Në këtë kohë, dëgjova zërin e Fatushes që thirri:
– “Ndaluni një minutë”!
Përqafoi Agimin, pastaj mua, duke më thënë me zë të ultë:
– “Mos u tremb! Bëhu burrë”!
U nisëm.
Në Degën e Punëve të Brendshme, Agimin e lanë në korridor të shoqëruar nga policët. Mua më futën në zyrën e zv/kryetarit. Pas meje, hyri edhe Demiri. Atje ishte Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Fadil Kapisyzi. Ai qëndronte ulur në tavolinën e tij. Nxori një tufë traktesh dhe m’i vuri para syve, duke thënë:
– “Ti i ke shkruar këto”?!
– “Jo”.
Vuri buzën në gaz. U ngrit nga tavolina, u afrua përballë meje dhe, duke më shkulur fort veshin, tha:
– “Dëgjo, djalë! Po deshe, mos merr veten më qafë. Pranoje dhe nesër, do të jesh në provime me shokët”.
Para syve më doli fytyra e Tushit që më thoshte:
– “Mos u tremb! Bëhu burrë”!
Tunda kokën në shenjë mohimi dhe thashë:
– “Nuk kam shkruar gjë”.
Një breshëri pëllëmbësh, flakërinë në fytyrën time. Goditja ishte e papritur. Pastaj filluan goditje të tjera. Në to nuk merrte pjesë vetëm kryetari. Atë e ndihmonte edhe ndërhyrja e Demirit.
– “Hë, do të vazhdosh të mos flasësh”?! – përsëriste zv/kryetari herë pas here.
Ndieja që po më linin fuqitë. Nuk qëndroja dot më këmbë. Një grusht i fortë më qëlloi në fytyrë. U rrëzova për tokë. Filloi të më rridhte gjak nga hundët. Mendja më shkoi te trakti që mbaja në xhepin e këmishës. Instinktivisht dora më shkoi atje. Syrit të sprovuar të zv/kryetarit, nuk i shpëtoi një veprim i tillë. Eksperienca e gjatë e tij në këtë drejtim triumfoi, mbi injorancën time fëmijërore. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ai ishte një burrë i pjekur, ndërsa unë një fëmijë.
– “Prisni”! – tha.
U afrua. Më futi dorën në xhep dhe nxori traktin. Buzëqeshi si trumfator dhe pasi e lexoi tha:
– “E more karafil, do të vazhdosh të heshtësh më”?!
E pashë se nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të pranoja duke i marrë të gjitha mbi vete.
– “Çojeni në qeli”! – tha kryetari.
– “Po të vëllanë”?
– “Lirojeni”!
Demiri thirri dy policë. Ata erdhën, më ngritën në këmbë dhe ashtu, pothuajse duke më hequr zvarrë, më morën. Agimi kishte ikur. Pastaj më mbyllën në qelinë që ndodhej nën rampën e shkallëve, që të shpinte në bodrum, ku ishte vargu i qelive të tjera. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm