Nga Reshat Kripa
Pjesa e parë
Memorie.al / “Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!
(Viktor Hygo, “Njeriu që qesh“)
RINI E COPËTUAR
Kushtuar familjes dhe shoqërisë,
Autori
DITARI I PAMBARUAR I TIM ETI
Ajo është një fletore e vjetër me shënime. Një fletore kineze, nga ato që përdoreshin në vitet pesëdhjetë. Është shkruar me stilograf. Vende-vende, shkronjat kanë filluar të shuhen. Tek-tuk shihet edhe ndonjë njollë, e shkaktuar nga ndonjë pikë uji, e rënë mbi to. Koha ka bërë punën e vet. Është ditari i tim eti, një ditar i pambaruar, i filluar në vitin 1957. Mosha e madhe, problemet që duhej të përballonte, gjendja e vështirë ekonomike, vdekja e parakohshme e nënës tonë, nuk e lejuan ta përfundonte.
Kishte kohë që mendonte të shkruante, por problemet që përmenda më lart, e pengonin. Më në fund, një ditë na tha:
– “Kam dëshirë të shkruaj një ditar për historikun e familjes tonë. Si thoni, a jeni dakord”?
Ne u gëzuam shumë dhe e nxitëm që të fillonte sa më parë. I blemë fletore e stilograf dhe ai filloi të shkruajë.
Tani, pesëdhjetë vjet nga dita e fillimit të këtij ditari, e rilexoj përsëri atë. Nëpërmjet tij mësoj synimet që ai kishte, prejardhjen e familjes dhe shumë çaste të tjera të rëndësishme të jetës së tij. Mbi të gjitha, më tërheq vëmendjen parathënia, që është një lloj testamenti për ne.
Po e riprodhoj të plotë këtë parathënie, ashtu si e ka shkruar ai:
Kam një kohë të gjatë që dua të shkruaj diçka mbi origjinën e familjes tonë, mbi jetën time dhe shumë gjëra të tjera. Me sot me nesër, kaluan plot dhjetë vjet pa shkruar asgjë. Një mbrëmje, rastësisht, duke biseduar në familje e shfaqa këtë dëshirë dhe ata ma miratuan menjëherë, bile m’u lutën që ta filloja sa më parë.
Kështu sot po e filloj këtë vepër, për t’ua lënë si kujtim të gjithë brezave të ardhshëm të familjes sonë. Nëpërmjet saj do të njihen dhe do të mësojnë se nga rrjedh familja jonë, që sot ka mbiemrin Kripa, cilët janë të parët tanë dhe nga kanë ardhur. Pastaj do të shkruaj biografinë e gjyshit tonë, që e kish emrin Halil dhe të babait tim, që e quanin Hamdi. Pas kësaj do të shkruaj biografinë dhe kujtimet e mia, qysh nga dita e lindjes dhe deri në ditët e sotme, që jam gjashtëdhjetepesë vjeç. Do të tregoj shumë gjëra nga jeta ime, nga zakonet e vjetra patriarkale dhe shumë sende të tjera, për të cilat brezat e ardhshëm, kur t’i lexojnë, do të çuditen.
Pasi të mbaroj këto që përmenda më lart, do të shkruaj edhe një testament, që do t’ua lë amanet djemve dhe vajzave të mia, i cili për të ardhshmen e tyre, do t’u shërbejë shumë, në qoftë se ata do të jenë në gjendje ta respektojnë dhe zbatojnë si duhet. Unë jam i sigurt se me edukatën dhe kulturën që iu kam dhënë, ata pa tjetër do t’i respektojnë këshillat e babait të tyre të dashur. Kështu edhe unë pas vdekjes time, në atë jetë do të fle shpirtërisht i qetë dhe i lumtur përgjithmonë, pasi po lë prapa katër vajza dhe tre djem si asllanë, që do të dinë të më nderojnë mua dhe veten e tyre.
Një gjë dua t’iu kujtoj. Dashuria ime për fëmijët ka qenë e barabartë për secilin prej tyre. Por në këtë shkrim unë disa do t’i lavdëroj shumë, kurse disa do t’i kritikoj për gabimet dhe të metat e tyre. Një gjë e tillë nuk dua që të interpretohet, sikur unë nuk i kam dashur të gjithë njëlloj. Këtë libër po ua lë si amanet pasardhësve të mi, që ta kenë kujdes dhe ta ruajnë mirë, të mos e humbasin dhe të mos griset.
Pasi të ketë kaluar një periudhë dyzet apo pesëdhjetëvjeçare, djemtë e mi, apo kushdo qoftë nga familja jonë, këtë histori që fillova unë, duhet ta vazhdojë edhe ai. Në qoftë se vjetrohet apo griset, duhet ta shkruajë rishtas dhe ta përmbledh në formë libri në shtyp, në mënyrë që të mbetet përgjithmonë i vlefshëm.
Në rast se ju pasardhësit e mi, do të vazhdoni rrugën time, atëhere ky libër, do të ketë një vlerë historike për gjithë familjen tonë, për shekuj me radhë.
Sipas këtij ditari, gjyshi i tij Halil Efendiu, kishte lindur në Serez, një qytet afër Selanikut. Pasi kishte shërbyer për një kohë të gjatë në ushtrinë turke, rreth vitit 1870, ishte transferuar, me detyrën e komandantit të rekrutimit dhe gradën kapiten (usbash), në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe së fundi Krujës. Gjatë periudhës që banonte në Tiranë, i kishte lindur djali i vetëm, Hamdiu, të cilin e kishte rritur dhe shkolluar për financier.
Pastaj e kishte martuar me një vajzë krutane, Mahmudenë. Pak para vdekjes së Halilit, gjyshi ishte vendosur përsëri në Durrës, ku kishte lindur edhe im atë, në vitin 1892. Së fundi, me fillimin e shekullit të njëzetë, ishte emëruar drejtor i ndërmarrjes së nxjerrjes së kripës në Vlorë. Këtë detyrë e ushtroi për shumë vjet, deri në ditën që vdiq në vitin 1942. Është pikërisht ky shkaku, që ne sot mbajmë mbiemrin Kripa.
Gjyshi u kujdes që fëmijët e tij t’i shkollonte. Tim atë, pas mbarimit të shkollës fillore (qytetëse), e dërgoi në Selanik, ku vazhdoi për gjashtë vjet studimet. Dy vjetët e fundit i kreu në Stamboll, në kolegjin “Robert College“. Po ashtu arsimoi edhe dy djemtë e tjerë, Hysniun dhe Shyqyriun, si dhe vajzën e vetme, Fitnetin.
Im atë, Qazimi, u kthye në Shqipëri kur ajo po përgatitej të shpallte pavarësinë, në vitin 1911. I ofruan shumë lloje punësh zyrtare. Vendi kishte nevojë për njerëz të shkolluar. Nuk pranoi. Prirja e tij ishte tregtia. Fillimisht hapi një kafene dhe fitimet që nxirrte, i hiqte mënjanë për t’i investuar më vonë ku kishte synimin e tij.
Në vitin 1920, u martua me Myneveren, bijën e Mehmet Radhimës, një avokat i njohur i asaj kohe, ish-drejtor dogane në Vlorë në vitet 1913 – 1914. Vitin që u martua, përfundoi ndërtimin e një shtëpie dykatëshe, që për atë kohë ishte nga më të mirat e qytetit. Ndërsa në vitin 1929, ndërtoi një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Ndërtoi edhe një dyqan të madh, ku tregtonte vajin. Por fabrika ishte e vlefshme vetëm për stinën e dimrit. Atëhere pruri nga Italia një makinë shirëse, me të cilën shkonte fshat më fshat, në kohën e të korrave.
Në vitin 1936, së bashku me të vëllezërit, përfunduan së ndërtuari një vilë tjetër në plazhin e Vlorës, si dhe një shtëpi verore prej druri në Llogora. Ndërsa në vitin 1941, blenë një truall në Lagjen e Re, ku filluan ndërtimin e një fabrike të re vaji, më të madhe dhe më moderne se e para. Në kundërshtim me tregtarët e tjerë të Vlorës, që fitimet i kishin kthyer në florinj, im atë kishte shpirtin e investimeve. Ai thoshte gjithmonë, se po nuk investove, nuk ke fitim. Ishte prototipi i tregtarit modern.
Si rezultat i martesës, lindën shtatë fëmijë: Liria, Qamileja, Drita, Fatushja, Agimi, Besniku dhe unë.
Nuk e di në se u zgjata pak si tepër. Por këtë e bëra për shkak se këta do të jenë personazhet e këtij shkrimi. Çdo ngjarje e përshkruar më poshtë do jetë e lidhur me emrat e tyre. Natyrisht do të dalin edhe personazhe të tjerë që do të kenë lidhje me ta.
Im atë ka qenë gjithmonë një njeri që nuk ishte përzierë asnjëherë në problemet e partive politike të vendit. Qëndrimet e tyre pak i interesonin. Por ishte i ndershëm dhe patriot.
Na këshillonte edhe ne të ndiqnim rrugën e tij. Por ne nuk e dëgjuam këtë porosi. Kohët kishin ndryshuar. Ato të rrëmbenin, ndoshta edhe pa dashjen tënde, në vorbullën e tyre. Bëmë mirë apo keq? Nuk e di. Po e lë në gjykimin tuaj. Dëgjoni si rrodhën ngjarjet dhe na gjykoni.
KOHË LUFTE
Kam lindur më 28 janar 1936. Nëna më ka treguar se në moshën dy vjeç e gjysmë, kam shpëtuar për një fije nga vdekja. Muaji korrik 1938. Ishim me pushime familjarisht në vilën e plazhit. Një pasdite, ndërsa gjyshi dhe gjyshja qëndronin në verandën e shtëpisë duke pirë kafe, i shpëtova kontrollit të prindërve dhe u nisa në drejtim të detit. Po qëndroja në breg të tij, duke vështruar. Deti kishte dallgë të mëdha. Një dallgë u përplas dhe më lagu këmbët. Unë qesha dhe bëra disa hapa para.
Një dallgë tjetër më e madhe u përplas mbi mua dhe më rrëzoi në ujë. Duke u tërhequr më mori me vete. Po mbytesha. Për fatin tim në këtë kohë kalonte andej karrocier “zdrypni“. Këtë nofkë e kishte pasi ishte me origjinë nga veriu dhe kur mbërrinte në stacion, thoshte gjithmonë; “zdrypni, zdrypni!“. Sillte në plazh pushuesit. Ai më pa që po mbytesha dhe më ngriti menjëherë. U mblodh i gjithë plazhi. Më nxorën ujin që kisha pirë dhe më përmendën.
Pas disa ditësh kaloi andej një arixhofkë, nga ato që parashikonin fatin. Nëna e pyeti për të ardhmen time dhe ajo, pasi mori një fije nga flokët e mi, tha:
– Djali do të kalojë një rini të rëndë, një burrëri të vështirë dhe një pleqëri të qetë.
Këtë parashikim të arixhofkës nëna ma tregoi pak kohë para se të mbyllte sytë, duke më uruar që të plotësohesh pjesa e tretë e parashikimit të saj.
Janari i vitit 1942. Isha gjashtë vjeç. Që nga kjo kohë fillon kujtesa ime. Çdo gjë që do të shkruaj tani e tutje do të jenë kujtimet e mia:
Ishim një familje e madhe. Përveç shtatë fëmijëve dhe dy prindërve në familjen tonë ishin edhe gjyshi me gjyshen si dhe halla e babait, Hajria. Gjithashtu ishin edhe familjet e dy xhaxhallarëve, me të cilët jetonim të pandarë. Gjithsej bëheshim nëntëmbëdhjetë persona.
Babaj ishte i madhi i familjes. Ai kishte autoritet karshi gjithë pjesëtarëve të tjerë të saj. Kishte synime të qarta për të ardhmen e secilit prej fëmijëve. Liria ishte fejuar me Ali Tufën, një kosovar që banonte në Durrës dhe punonte si nëpunës në degën e Bankës së Shtetit. Qamileja vazhdonte studimet në kolegjin e hapur nga murgeshat…! Drita dhe Fatushja, vazhdonin mësimet në Institutin Femënor “Nana Mbretëneshë” që në atë kohë kishte marrë emrin “Nana Skanderbeg”, në Tiranë. Edhe për ne djemtë kishte parashikuar, që pasi të mbaronim shkollën fillore, të na dërgonte për të vazhduar jashtë shtetit, ashtu si kishte vepruar i ati me të.
* * *
Ishte mbrëmje. Në dhomën e zjarrit rrinin rreth e rrotull oxhakut të madh, gjyshi, gjyshja, babai dhe dy xhaxhallarët. Gratë po përgatitnin darkën. Liria me Qamilen, qëndisnin. Përgatitnin pajën e Lirisë. Ne të tjerët, ishim mbledhur në një dhomë në katin e parë dhe po luanim. Dëgjohet një trokitje e fortë në portë. Xhaxhai u ngrit dhe e hapi. Hynë një grup milicësh italianë, të komanduar nga një kapiten dhe të shoqëruar nga një shqiptar, përkthyesi i tyre.
– “Kemi ardhur për kontroll” – tha përkthyesi.
– “Urdhëroni”! – u përgjigj babai i shpenguar
Ishte kohë lufte dhe kontrolle të tilla në atë kohë ishin të zakonshme në familjet shqiptare. Kontrolluan me imtësi të gjithë dhomat. E kthyen çdo gjë përmbys. Së fundi edhe dhomën ku ishte Liria. Në sirtarin e komodinës së saj, gjetën një letër që ia dërgonte Drita nga Tirana. Letrën e mori përkthyesi dhe e lexoi. Në të ajo shkruante me entuziazëm për demostratën e madhe antifashiste, që ishte zhvilluar në Tiranë me rastin e 28 nëntorit të vitit 1941. Komandanti i milicëve, diçka tha në italisht. Babanë dhe Lirinë i morën dhe i mbyllën në burgun e Vlorës.
Unë qaja, se më dukesh sikur nuk do të ktheheshin më. Nëna më mori në gjirin e saj, duke më thënë:
– “Mos qaj se nesër do kthehen përsëri. Gjyshi do t’i lirojë”.
Në të vërtetë gjyshi, ishte njeri me influencë në Vlorë. Të nesërmen shkoi te Kryetari i Bashkisë, që e kishte mik, dhe i tregoi çfarë kishte ngjarë. Ai bisedoi me autoritetet italiane dhe babanë e liruan atë pasdite, ndërsa motrën, pas tri ditësh. Pas gjashtë muajsh, gjyshi ndërroi jetë.
Ngjarja e mësipërme e detyroi tim atë, të mendonte për të ardhmen. Sikurse kam shkruar edhe më lart, ai kishte një nuhatje të fortë për perspektivën e tregtisë. E kuptoi se e ardhmja e saj, ishte Tirana. Në atë kohë ajo kishte filluar të zhvillohej mjaft. Vendosi të shpërnguleshim atje.
Morëm një shtëpi me qera, në një rrugicë në “Rrugën e Kavajës”, përballë asaj, ku ka qenë Radio-Tirana. Rrugica, në mos gabohem, quhej “Myslym Llagami”. Sot mban emrin “Islam Alla“. Shtëpia ishte një vilë shumë e bukur dykatëshe, pronë e Selim Farkës. Ishte e madhe. Në të banonim ne dhe familja e një italiani. Përveç kësaj morëm, gjithashtu me qera, edhe një dyqan në “Pazarin e Ri”, pronë e Met Maleshkës. Ishin gjashtë dyqane. I pari ishte yni, ndërsa i dyti, një dyqan manifakture i Hysen Drishtit, një tregtar shkodran, që u bë mik i ngushtë i tim eti. Të tjerët, nuk i mbaj mend të kujt ishin. Në Vlorë mbetën xhaxhallarët, për t’u kujdesur për fabrikën dhe dyqanin.
* * *
Shtatori i vitit 1943. Bëheshin përgatitjet për martesën e Lirisë. Ishte dasma e parë që zhvillohej në familjen tonë dhe, për ironi të fatit, dasma e vetme, që është zhvilluar si duhet. Të tjerat pothuajse nuk janë ndierë, me fare pak persona, ata më të afërmit, sa për të thënë se u zhvillua dasmë. Vihej re një përzierje e tradicionales, me modernen. Krahas këngëve dhe valleve të njohura shqiptare, tingëllonin edhe këngët dhe kërcimet moderne. Një frymë e re kishte filluar të hynte në qytetet shqiptare. Fryma e civilizimit modern, fryma e qytetarisë.
Dasma filloi sipas zakonit, ditën e hënë. Ishin marrë të gjitha masat që ajo të zhvillohej në mënyrë të përsosur. Një kujdes i veçantë ishte treguar për ftesat. Duhej patur kujdes, që të mos harrohej asnjë nga miqtë, apo farefisi. Një kuzhinier që punonte në Hotel
“Internacional”, përgatiste gatimet. Gjithashtu ishte marrë edhe një nga orkestrat më të njohura të asaj kohe, ajo e Radio-Tiranës, së bashku me këngëtarin e saj, Pjetër Gjini.
Të dielën, motra shkoi në shtëpinë e burrit në Durrës. Thuhej se ishte nusja më e bukur, që kishte hyrë atë ditë në atë qytet. Pas dy muajsh, i shoqi u transferua në Prizren, si drejtor i Bankës së Shtetit. Së bashku me të shkoi edhe motra.
Tri ditë pas martesës së saj, një ngjarje e rëndë ndodhi në rrugicën tonë. Ishte mëngjes. Sapo ishim ngritur nga gjumi dhe po bëheshim gati të shkonim në shkollë, kur dëgjuam dy krisma revolveri dhe fare pak pas tyre një klithmë, që të ngjethte shpirtin. Vrapuam të gjithë përjashta. Te pragu i portës së fqinjit përballë, shtrihej i gjakosur trupi pa jetë i djalit të vetëm njëzetvjeçar, të të zotit të shtëpisë.
Mbi të ulërinte dhe shkulte flokët nëna e tij e mjerë. Unë ktheva kokën nga ana tjetër e rrugicës dhe pashë dy persona që vraponin dhe u zhdukën në një rrugicë tjetër. Me siguri ishin atentatorët.
– “Të vranë, or bir, të vranë katilët”! – qante me dënesë e ëma.
Nëna dhe gratë e tjera u afruan dhe filluan ta ngushëllojnë. Pastaj erdhën burrat që ngritën kufomën dhe e futën brenda. Më prapa erdhi edhe i ati, një ekonomist i lartë, që tashti punonte në një shoqëri private.
Ne rrinim si të hutuar. Fytyra e bukur e atij djali me flokët kaçurrela dhe me shenjën e plumbit në ballë, nuk më hiqej nga mendja. Qamileja më pa në atë gjendje dhe më tha:
– “Futu brenda, se nuk është për ty kjo pamje”!
Im atë u kthye vonë bashkë me një mikun e tij. Kishin qenë për ngushëllim në familjen e të vrarit. U futën në dhomë dhe bisedonin për ngjarjen që kishte ndodhur. Unë dëgjoja me kureshtje.
– “Çfarë patën me djalin xhanëm”? – pyeste im atë.
– “I ati, është një nga drejtuesit e ‘Ballit Kombëtar’ për Tiranën. Djali kishte vendosur të shkonte në çetat e ‘Ballit’, së shpejti”.
– “Vetëm për këtë?! Po kjo është e pashpjegueshme. Ç’të keqe paska, në se do të shkonte në atë çetë? A nuk luftojnë të dy palët, për liri”?!
– “Situata ka ndryshuar, Qazim. Në Shqipëri është futur përçarja. Këto janë shenjat e para të një përplasje midis dy forcave, që deri më sot luftonin së bashku. Në vend që të luftojnë pushtuesin, shqiptarët kanë filluar të vrasin njeri-tjetrin. Kjo është tragjedia shqiptare. Ka filluar lufta e egër për pushtet”.
Unë dëgjoja, por nuk kuptoja asgjë nga ato që thonin.
Dëgjoja fjalët e tyre dhe më dukeshin të çuditshme…!
Ç‘lidhje kishin këto fjalë, me vrasjen e atij djali? Mosha në të cilën isha, nuk më lejonte t’i kuptoja këto probleme. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm