Nga Skfter Këlliçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Skënder Halili, edhe sot i konsideruar si njeri nga qendërmbrojtësit më në zë të futbollin shqiptar, kurse Eduard Strecovi, ndër qendërsulmuesit më të mëdhenj, jo vetëm të futbollin sovjetik, por edhe botëror. Por të dy, në periudhe të ndryshme, kanë pasur të njëjtin fat tragjik. Të dy janë shkëputur mizorisht nga futbolli, të dy janë dergjur burgjeve komuniste. Dënimet e këtyre futbollistëve të mëdhenj, janë bërë në mënyrën më djallëzore. Dhe ja se si:
Strelcovi dhe Halili pas dënimeve të tyre
Siç e kam përmendur dhe më parë, më 1965-ën, Strelcovi u kthye përsëri në fushat e futbollit të madh. Po atë vit, qe ndër protagonistët që i dhanë “Torpedos” titullin kampion të Bashkimit Sovjetik. Luajti dhe më përfaqësuesen sovjetike. Më 1968, edhe falë tij, “Torpedo” fitoi edhe kupën e Bashkimit Sovjetik. Ishte atëherë 33 vjeç. Dy vjet më pas, u nda nga futbolli dhe nisi të punonte trajner i grupeve të fëmijëve të “Torpedos”.
Ndërroi jetë më 1990, në moshën 53-vjeçare, nga kanceri në grykë, shkaktuar në mjediset plot pluhur dhe lagështi të kampit të përqendrimit në Vjatllag. Atëherë ishte shpallur krejtësisht i pafajshëm, ndaj akuzave për përdhunim. Mbi varrin e tij në varrezat “Vakanski” në Moskë, është ngritur një përmendore, në shenjë nderimi të thellë për këtë futbollist të jashtëzakonshëm, viktimë e diktaturës komuniste.
Po Halili, a luajti përsëri me “17 Nëntorin”? Kurrsesi! Edhe pse ishte dënuar një vit heqje lirie, dhe për akuza shumë më të lehta se Strelcovi, diktatura jonë “syçeltësore”, nuk e lejoi të zbriste në fushat e futbollit, ku do të pritej me brohoritje, jo vetëm nga tifozët e “Tironës”, por edhe të tërë Shqipërisë. Dhe të mendosh se ishte atëherë, vetëm 27 vjeç!
Sidoqoftë, ajo e lejoi të merrej me stërvitjen e ekipeve të fëmijëve. Si dhe Strelcovi. Ashtu si ky futbollist i madh sovjetik, edhe Halili, ndërroi jetë nga kanceri. Por në moshën 42-vjeçare.
Një mëngjes herët, në varrezat “Vakanski” në Moskë, u duk një grua e thyer në moshë. Si fshehurazi ajo u drejtua nga varri i Strelcovit dhe vuri mbi të një tufë me lule. Dhe mbeti aty si e ngrirë, kokulur dhe symbyllur. Disa që u ndodhën aty e njohën. Ishte Marina Lebedjeva. Pikërisht ajo që kishte akuzuar Strelcovin, se e kishte përdhunuar atë natë fund-maji të vitit 1958. Vinte t’i kërkonte të falur?! Tepër vonë…!
“TIRANA” E GJUNJËZUAR NGA DIKTATURA KOMUNISTE
Edhe tani me kujtohet mirëfilli ajo e martë e datës 27 qershor te vitit 1967, kur sportdashës të “17 Nëntorit”, në rrugë, lulishte, e kafene të Tiranës, shumë të pikëlluar shprehnin nën zë dufin, nga lajmi që kishin lexuar në faqet e “Sportit Popullor” − skuadra e tyre e zemrës, pas ndeshjes së fituar kundër “Partizanit”, ishte përjashtuar nga kampionati, kur thuajse e kishte siguruar plotësisht, kurorën e kampiones.
Kisha një vit që me të ashtuquajtur “qarkullimi kuadri” dhe parullës revolucionare; “Të punojmë atje ku ka nevojë atdheu”, punoja arsimtar, në një shkollë të mesme të Beratit.
Historia e futbollit botëror, njeh shumë skandale që kanë ndodhur brenda dhe jashtë fushave të futbollit − përleshje të futbollistëve në fushë dhe jashtë saj, ndërhyrje të tifozëve të njërës, a tjetrës skuadër, kërcënime dhe joshje të drejtuesve të klubeve ndaj gjyqtarëve, allishverishe, shfaqje korrupsioni që kanë sjellë si pasojë përjashtime futbollistësh, trajnerësh, drejtuesish, por kurrë, përjashtimin e ndonjë skuadre nga vazhdimi i kampionatit.
Dhe kjo, sepse rregullorja e futbollit, nuk parashikon veprime të tilla. Nuk përfshihen këtu raste, kur janë përdorur makinacione për të favorizuar një skuadër a një tjetër, siç ndodhi në sezonin 2005–‘06 në Itali, ku, si pasojë e procesit të ashtuquajtur “Calciopoli”, “Juventusit” iu hoq titulli kampion dhe u dënua të luante në kategorinë e dytë, dhe “Milani”, “Fiorentina”, “Lacio”, “Rexhina”, etj., u detyruan ta fillonin kampionatin, me disa pikë më pak.
Por ajo që ndodhi më 24 qershor të vitit 1967, pas ndeshjes “17 Nëntori” − “Partizani”, kur të dyja këto skuadra u përjashtuan nga vazhdimi i këtij kampionati, është një shembull i paparë dhe unikal në botë.
Deri në kampionatin e vitit 1965−‘66, kur “Vllaznia” ishte shpallur dy herë radhazi kampione, më 1945 dhe 1946, vetëm dy skuadra, kishin fituar kampionatet në vazhdim: Këto ishin “Partizani”, i krijuar më 1946, (11 herë) dhe “Dinamo”, e krijuar më 1950, (6 herë). Dhe, siç e pamë, dy kampionatet e fundit, 1964 – ‘65 dhe ‘65 – ’66, i fitonin bardheblutë. Ishte me të vërtetë një shuplakë shumë e rëndë, që i jepej këtyre dy skuadrave të privilegjuara të udhëheqjes komuniste, dy skuadrave, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Thyhej kështu një mit.
Në dukje, këtu nuk kishte asgjë të keqe. Madje, po zgjerohej kështu gjeografia e kampionëve. Por udhëheqjes komuniste, i pëlqente që kampionatin ta fitonte cilado skuadër, por jo “17 Nëntori”, pra, “Tirana”, shumë herë kampione që nga 1930-ta, kur ishte zhvilluar kampionati i parë. Urrejtja kundër diktaturës komuniste ka qenë e heshtur, sepse dhuna e saj nëpërmjet armës së kësaj diktature, Sigurimit të Shtetit, ishte shumë e madhe. Kështu kjo urrejtje, përpiqej të gjente shprehje në mënyra të tërthorta. Dhe një nga këto mënyra, u bë futbolli.
Sportdashësit e “17 Nëntorit”, dhe këta nuk ishin vetëm tiranas vendas, por edhe mijëra e mijëra te tjerë, në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, gëzoheshin pa masë kur skuadra e tyre fitonte ndaj “Dinamos” dhe, veçanërisht, ndaj “Partizanit”. Këtë gëzim, ata e shprehnin hapur me thirrjet, “Forca, Tirana, (Tirona)”! sidomos në ndeshjet kundër skuadrave ushtarake të mësipërme.
Ishte një dukuri e përafërt me thirrjet e sportdashësve tiranas në vitet 1942 – ‘43, kur “Shprefeja”, skuadër e të rinjve të lagjeve te Tiranës, luante kundër skuadrave fashiste italiane. Kur ushtarakët fashiste thërrisnin: “Forza, gli axurri”! ata u kundërpërgjigjeshin me thirrjet: “Forca, të kuqtë”! sepse fanellat e “Shprefesë”, ishin të kuqe dhe të mbathurat e zeza, pra, si ngjyrat e flamurit kombëtar.
Mirëpo kjo thirrje, nuk u tingëllonte mirë në vesh anëtarëve të Byrosë Politike të PPSh-së. Me përjashtim të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, të gjithë byroistët e tjerë, do t’i shihje çdo të diel në tribunën e stadiumeve. Dhe të tërë, veç Kadri Hazbiut, ishin tifozë fanatikë të “Partizanit”. Madje, gjeneral-lejtnant Petrit Dume, kishte raste që në pushime të ndeshjes së “Partizanit” edhe të zbriste në dhomat e zhveshjes dhe të ndërhynte që të hiqej ky, apo ai futbollist që, sipas tij, nuk po luante mirë.
Një herë, – siç dëshmon Miço Ndini, ish-futbollist i njohur i “Partizanit” të viteve ’60-të, – ky gjeneral, pas një humbjeje të kësaj skuadre me “Skënderbeun” në Korçë, arrinte me makinën e tij autobusin e “Partizanit”, që udhëtonte për më Tiranë, e ndalte atë dhe fyente futbollistët.
Po të kthehemi të “17 Nëntori”. Pas një fitoreje të skuadrës së tyre kundër “Besës” në Kavajë, në fillim të dimrit të vitit 1967, tifozët tiranas, me të ardhur në stacionin e trenit, nuk u shpërndanë, por u drejtuan në Klubin e Shtëpisë së Oficerëve, (ish-godina e MTKRS ‒ së), dhe atje vazhduan me thirrjet: “Tirona, Tirona”!
Dhe të mos harrojmë se na ato çaste në Klub ndodhej pikërisht gjeneral Petrit Dume, bashkë me jerarkë të tjerë të diktaturës, të cilët, afër mëndësh, mbetën të tromaksur. Që ky ishte një provokim i hapur, për këtë nuk kishte dyshim. Por, a mund të arrestohej ndokush, kur fare mirë ai mund të përgjigjej: “Nuk bëra asgjë, veçse thirra më shokët e mi: “Forca Tirana”!? Sigurisht që jo.
Byroistëve nuk u pëlqente dhe fakti tjetër që sportdashësit tiranas e quanin skuadrën e tyre me emrin e vjetër, “Tirana”, dhe jo “17 Nëntori”, siç u quajt ky klub pas ardhjes së komunisteve në fuqi, për nder të çlirimit të kryeqytetit. Ja, pra, në këtë atmosferë zhvillohej kampionati i vitit 1967. Kasta e kuqe, nuk mund të gëlltiste një fitore të dytë të “17 Nëntorit” në këtë kampionat, aq më tepër pas fitores së një viti më parë.
Duke parë që kjo skuadër po shkëputej nga “Partizani” e “Dinamo”, paria e Ministrisë së Mbrojtjes, filloi të përdorte makinacione nga më absurdet. Pikërisht në këtë periudhë, futbollistët e “17 Nëntorit”, Ali Mema dhe Gëzim Kasmi, të dy pedagogë të kulturës fizike, u dërguan, i pari në Shkodër, (për gjashtë muaj), dhe i dyti në Skrapar, (për 18 muaj), që të kryenin zborin ushtarak.
I tërë ky makinacion, u krye drejt përdrejt, me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-lejtnant, Petrit Dumes. Kështu skuadra tiranase, u detyrua të luante gjatë tërë këtij sezoni pa këta dy lojtarë titullarë. E, megjithatë, valanga e “Tiranës”, (kështu po vazhdoj ta quaj tani këtë skuadër), ishte e pandalshme. Kishte fituar 3 – 2, edhe takimin e parë të sesionit 1966−‘67 kundër “Partizanit” dhe futej në fushë që të fitonte edhe të dytin.
Dhe, ja, erdhi 24 qershori i vitit 1967. Ditë e shtunë. Përse kjo ndeshje të shtunën dhe jo të dielën, sipas kalendarit?! Edhe këtu, ndoshta kishte një dredhi: të dielën “Vllaznia” priste në Shkodër “Dinamon”. Deri atë javë, “Tirana” kryesonte me 33 pikë, “Dinamo” kishte 31 dhe “Partizani” 25, jashtë çdo lufte, për t’u bërë kampion. Por duhej pra, me doemos që “Tirana” të mos përsëriste suksesin e një viti më parë. Duhej pa tjetër që “Partizani”, të fitonte kundër “Tiranës”.
Dhe atëherë të bëhej ç’është e mundur, madje, të ushtrohej në një mënyrë a, një tjetër, trysni ndaj “Vllaznisë”, edhe ajo pa pretendime për titull, që “Dinamo”, të fitonte. Në këtë mënyrë, si “Tirana”, ashtu edhe “Dinamo”, barazoheshin me pikë e, kësisoj, krijohej mundësia që kampionatin ta fitonte kjo e fundit, me fjalë të tjera, një tjetër skuadër ushtarake, por këtë radhë, e Ministrisë së Brendshme.
E vërteta është se kjo dëshirë e udhëheqjes komuniste, nuk ishte kaq e lehte të realizohej, sepse në tri takimet e fundit të kampionatit, “Tirana” do të ndeshej me “Tomorin” e Beratit, “Lokomotivën”e Durrësit dhe “Traktorin” e Lushnjës, që ndodheshin në shkallët e fundit të renditjes së kampionatit. Mirëpo tiranasit, shpartalluan çdo hamendësim të parisë së kupolës së kuqe: ata mposhtën në sy të saj, “Partizanin”, me rezultatin 2 − 1. Të dyja skuadrat, aktivizuan në atë sezon këta futbollistë:
“Tirana”: Tafaj, Elini, Frashëri, Dhales, Gjoni, Bytyçi, O. Mema, Xhaçka, Bukoviku, Hyka, Kazanxhi, Ishka, (trajnerë, Myslym Alla dhe Enever Shehu).
“Partizani”: Janku, Jozja, M. Gjika, S. Gjika, Dingu, Rragami, Shule, Karriqi, Shllaku, Dani, Rudi, Pano, Jashari, Shaqiri (trajnerë, Refik Resmja dhe Miço Ndini).
Nuk po trajtoj kronikën e ndeshjes, (me përbërjet e skuadrave), e cila për turp, as nuk është pasqyruar në faqet e gazetës “Sporti Popullor”. Por nga fundi i pjesës së dytë, pati raste të një loje të rëndë, të shkaktuar nga lojtarë të të dyja palëve. Kjo atmosferë e nderë, vazhdoi edhe pas përfundimit të takimit, para dhomave të zhveshjes. Por, nuk pati përleshje, nuk pati, për më tepër, as ndërhyrje të shikuesve tifozë, të njërës a tjetrës palë, në fushë.
Gjyqtari, mund të kishte përjashtuar futbollistë nga të dyja skuadrat, deri aq sa lejon rregullorja. Edhe lojtarët që shkaktuan përleshje, mund të ishim përjashtuar, për kaq, ose aq ndeshje. Të gjitha këto mund të kishin ndodhur, përsëri duke u zbatuar rregullorja e futbollit. (Ndërkohë, “Dinamo” nuk mundi të arrinte, veçse një barazim në Shkodër dhe kështu mbeti tri pikë larg “Tiranës”, e cila, duke pasur, – siç e thashë edhe më sipër, – ndeshje më të lehta, tashmë po çimentonte rrugën për të fituar për të dytën herë radhazi, titullin kampion).
Si pasojë, pas përfundimit të ndeshjes “Tirana” − “Partizani”, në stadium shpërthyen sërishmi brohoritjet hovëzuese, “Tirona, Tirona”! të cilat, si gjithnjë, u vrisnin veshin byroistëve. Ndaj ata u larguan të vrenjtur nga stadiumi dhe ua hipën makinave të tyre të zeza, për t’u zhdukur në Bllokun e Udhëheqësve. Megjithatë, duke shestuar diçka të ligë.
Vendimi mizor!
Dhe ja ligësia skandaloze: në gazetën “Sporti Popullor”, të datës 27 qershor të vitit 1967, u botua vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit, të dyja skuadrat përjashtoheshin nga kampionat i vitit 1966 – ’67, për shfaqje te theksuara antisportive.
Ku vendim absurd, ra si bombë në opinionin sportiv shqiptar. Si ishte e mundur që FSHF-ja, të guxonte të merrte një vendim të tillë dhe mbi çfarë faktesh, kur vetëm disa futbollistë u grindën me njeri-tjetrin?. Vite më pas, kur jam marrë më këtë ngjarje, skajësisht dramatike, kam pyetur ish-drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, madje të Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike dhe Sporteve. Por, për fat të keq, të tërë kanë ngritur supat, duke më shpjeguar se nuk mbanin mend hollësi të këtij vendimi.
Atëherë jam drejtuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe kam hapur dosjet përkatëse të këtij institucioni të lartë shtetëror. Mjerisht, nuk kam gjetur as ndonjë proces-verbal të ndonjë mbledhjeje të FSHS-së për këtë ndeshje, asnjë vendim, asgjë…! Atëherë, lind pyetja: “Kush e mori këtë vendim? Kryesia e FSHF-së së Futbollit”?!
Por cili nga anëtarët, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e saj, apo kryesinë e Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, do të kishte marrë guximin të ndërmerrte një hap të tillë, për të përjashtuar dy skuadra nga vazhdimi i kampionatit, aq më tepër kur njëra prej tyre, nuk ishte as më shumë e as më pak, por “Partizani” i Ministrisë së Mbrojtjes, skuadër e zgjedhur e Kupolës së Kuqe?
Është e qartë që u ky vendim u diktua nga vetë Byroja Politike. Dhe më mirë se kushdo tjetër, këtë e dinte Ramiz Alia, shefi i propagandës në Byronë Politike, ai që nuk mungonte kurrë jo vetëm në ndeshjet e “Partizanit”, por edhe të skuadrave të tjera. Madje, kur ishte gjallë, që nga Amerika ku jetoj, i kam dërguar e-mail vetë atij, (ra – [email protected]), për të ma zbuluar këtë të vërtetë përvëluese, por nuk kam marrë përgjigje.
Motivi është shumë i qartë: duke përjashtuar “Tiranën”, “de jure”, kampione, “de facto” kampione të bëhej “Dinamo”, pra, në fund të fundit, një tjetër skuadër e diktaturës. Dhe në opinion krijohej ideja: “Ja, bashkë me ‘Tiranën’, përjashtohet edhe ‘Partizani’, pra dënimi është i barabartë, për të dyja skuadrat”.
Por harrohej, ose bëhej sikur harrohej, se kështu “Tiranës”, iu mohua titulli kampion, në një kampionat thuajse të fituar tri javë para mbylljes së tij. Kjo ishte një goditje shumë e fortë, që iu dha kësaj skuadre dhe sportdashësve të saj. Ishte një luftë e filluar, që në shtator të vitit 1963. Dhe ja se si:
Atëherë futbollisti i njohur i Tiranës, Skënder Halili, pas shërbimit ushtarak të kryer në radhët e “Dinamos”, nuk pranoi propozimin e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, që të vazhdonte të luante në radhët e kësaj skuadre, edhe pse iu afruan kushte të mira pune e jetese. Ai u kthye te “Tirana” e tij e shtrenjtë, te shokët e skuadrës, te sportdashësit që e pritën krahëhapur.
Por drejtuesit e kësaj Ministrie, nuk e gëlltitën “jo” – në e tij. Dhe ja, u gjet një shkas për ta rrënuar përfundimisht, siç trajtova më lart. Pastaj, kjo luftë, siç e pamë, vazhdoi me “kryerjen” zborit ushtarak jashtë Tiranës, të Ali Memës dhe Gëzim Kasmit.
Sidoqoftë, një akt i tillë i mbrapshtë dhe mizor, nuk e mposhti “Tiranën”. Që ishte skuadra më mirë e atyre viteve, ajo e dëshmoi këtë, duke fituar kampionatet e viteve 1968, ‘68 – ‘69 dhe 1969-‘70, duke shënuar kështu’ një nga faqet më të lavdishme jo vetëm të këtij klubi, por edhe të futbollit shqiptar.
Vite më pas’ kam pasur rast të bisedoj me Skënder Jarecin, ish-futbollist dhe pastaj edhe trajner i “Dinamos”. Duke rikujtuar përjashtimin e “Tiranës” nga kampionati i sezonit 1966 – ‘67, ai ma pati thënë: “Në ceremoninë e përfundimit të këtij kampionati i këshillova futbollistët e mi, të mos bënin të ashtuquajturin rrotullim rreth fushës, me kupën në duar, që nuk e meritonim. Ajo kupë dhe ai rrotullim, i takonte ‘17 Nëntorit’ dhe vetëm atij. Dhe kështu ndodhi. Për çudi askush nga drejtuesit e Ministrisë Brendshme, nuk më kritikoi”.
I nxitur nga kjo dramë e madhe sportive, më 1997-ën, nisa të shkruaja romanin me titull; “Tirana, dy orë para dënimit”. M’u desh të bisedoja me futbollistë të asaj kohe, portierin Elini, mbrojtësit Fatmir Frashëri, Osman Mema, vëllai i Ali Memës, me portierin e “Partizanit” Mikel Janku, me Panajot Panon legjendar. Por edhe me trajnerin e “Partizanit” të atyre viteve, Refik Resmja.
“Përjashtimi i ‘Tiranës’, – më tha Resmja atëherë, – qe një akt i shëmtuar i diktaturës. Unë u indinjova së tepërmi, ndonëse nuk më erdhi mirë që ne e humbëm atë ditë ndeshjen me të. Por ‘Tirana’ e meritoi fitoren, siç do të meritonte dhe fitoren e atij kampionati”!
Si përfundim; “Tirana” e pas viteve ’90-të, doli disa here kampione e Shqipërisë, jo për të 26-tën, por për të 27-ën herë, në historinë e futbollit shqiptar, titull, siç e pamë, i mohuar nga trysnia barbare e diktaturës komuniste. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016