Nga At Zef Pllumi
Pjesa e dytë
– DUHEN KURBANE TJERA –
Memorie.al / Këto triumfe të “Pushtetit Popullor Demokratik”, shkaktuen nji eufori të madhe në pushtetarët e rinj. Ata menduen se ia kishin dalë me e rrejtë gjithë opinionin publik botnor, me atë parodinë e “zgjedhjeve të lira“ që përfunduen me 90% e, sa tjera këso manipolimesh të dhunshme: ata ishin verbue fare, ose ishin kenë gjithmonë të verbuem, për me shti në dorë e me mbajtë pushtetin përmbi vllazënt e vet shqiptarë, me të cilët, aspak nuk u treguen vllazën, por si katila të verbtë të Beogradit: E kryezoti i ri i Shqipnisë – Beogradi kishte me marrë shumë hake në shqiptarët, deri atëherë kryeneçë. Së pari, duhej zhdukë krenaria kombëtare e nji shteti sovran: ç’i duheshin përfaqsueset e huej Shqipnisë, në Tiranë?!
– Edhe ky ka dekë. Ishte nji kundërshtar i Zogut, i internuem në Itali, por ishte anti-italian: flitet, nuk dihet kurrgja me siguri, se mbasi hyni Italia në Shqipni, nja dy-tre muej mbrapa, e kanë mbytë italianët: ai vdiq në Romë, në nji operacion apendesitit. A des kush prej apendesitit?! E ku?! Në Romë!
– Apendesitit? E kam ba dhe un atë operacion, jo more, si des kush prej apendesitit! Megjithëkëte, nuk kanë ba keq: na kanë kursye nji plum neve; do ta kishte bër se s’ban. Tashti – tha Duli, – mbylli mirë arkat, m’i jep këtu çilsat e bravave: ky këtu, dhe ky këtu! – tha, ndërsa ata i vuni në vende të ndryshme në tubën e çilsave, që mos të guxonte kush, me i prekë.
Atëhere, kur u ulëm prej trapazanit, Duli duel me mue në zyrën që kishte formue aty në Kuvend dhe më tha: Duhet të mbajmë proces-verbalin. Edhe proces-verbali, u ba mbi ditaret e At Palit e, mbi dy arkat me dorshkrime të Gjeçovit e, të Marlaskaj. Nuk i shkroi keq, por më tha:
– Ksaj here po të fali e, nuk po të shtie në burg. Më trego, a ke gja tjetër të mshefun?
– Jo.
– E kush të beson ty, që të zumë me presh në dorë?
– Në daç beso, në daç mos.
N’e nesre kje nji qetsi e plotë. Ndërsa mbas dy ditësh, Kuvendi u mbush me partizanë që kontrollojshin çdo skutë e, çdo birë. Muret i rrahshin me çekiça, në se ishin golle permbrenda. Me leva e kazma, çoheshin drrasat e dyshemeve. Me fenere kërkohej nëpër trapazanet, ma të errtat. Kuvendi ushtonte nga krismat e kontrollit, ndërsa na të mbledhun në mense, ndiqshim me veshë se ku po kontrollohej e, ku po hapej.
Gjatë ksaj kohe, thirrën në pvetje Fra Ndue Vilen, prej Oroshit. Fra Nduen, e zhdukën për nja dy net: kur kthei, ishte shndërrue krejtësisht: ba verdh në fëtyrë, nuk ndigjonte me folë, me kurrkënd, veç vente gishtin te buzët e, thonte nën za: “Jam rob i Zotit, mos më fol: kemi mbarue me të tana”! Ishte i terrorizuem, krejtsisht.
Shërbtorët gjatë periudhës së anarkisë në kohën e gjermanve, ishin kenë të armatosun, që Kuvendi të dukej i ruejtun prej bakqijve. Por, mandej, me ardhjen e partizanve, ata i kishin mshehë armët, në bykun e shtallës së derrave. Kur i nxuerën, i pastruen, se ato ishin të ndryshkuna e, të kalbuna. Duli me nji grup ushtarakësh, na i prunë që t’i shohim, na të izoluem në mensë: ata me nji gzim djallzor, na i treguen sikur të kishin gjetë gja të madhe.
Qyshkur kje arrestue At Çipriani e, At Pali, në Kuvendin Françeskan shumkush e priste arrestimin, ndër tjerë edhe un e At Aleks Baqli. E parashifshim se Kuvendi, do të mbyllej, mbasi ishte vu në plan, por për Kishat, mendojshim se duhet të mbeten të paprekuna, si gjithkund në Europën e Lindjes. Prandej At Aleksi, i muer disa libra të vet ma të çmueshëm dhe i dërgoi në Kishë. Aty nën nji lter i stivosi, në mënyrë që të kishte kohë me i bajtë, mandej e me i çue te shpija e vllaut të vet.
Tashti ajo skuadra partizane, kur i shpërtheu pothuej të gjitha muret, dyshemetë e trapazanet e Kuvendit, u hodh në Kishë. Së pari mësynë tabernakullin, si objekt ma sekret: e sulmuen me e hapë me leva. Nuk muejtën. Atëhere Duli, i kërkoi çilsin At Aleksit. Çilsi i tabernakullit, ruhej në Sakresti. At Aleksi muer çilsin, vuni stolen në qafë, u ul në gjunjë para tabernakullit (arka ku ruhet sakramendi) dhe e hapi. Ndigjoni u tha: U lutem, vetëm shikoni e mos prekni. Këtu nuk ka kurrgja kundra ligjeve. U paraqiti enët e shejta.
– Këto – tha njani – janë floririt. Floriri asht i ndaluar.
– Jo, – iu përgjegj At Aleksi, – se deri tash, nuk janë ndalue as vathët e byzylykët, as unazat: janë ndalue vetëm paret florinit.
Duli i duel zot.
– Po ç’është mbrenda këtyne enve të florinjta?
– Këtu – tha At Aleksi – nuk mundet me prekë kurrkush përveç njerzve të shuguruem. Kto janë Oste. Na besojmë në Krishtin; u lutem mos prekni. Qe… oste, të gjitha oste!…
– E ç’duhen këto që i ruani, ndër enë të florinjta?
– U thashë edhe nji herë: asht Krishti.
– Krishti? E ku e shef Krishtin?! Aty?
– Un besoj kështu: e shof me sytë e fesë. Ju nuk besoni, por nuk keni të drejte me dhunue besimin tem. Ju lutem!
– Duli atëhere qeshi me të madhe. U suell kah shokët e vet, oficera ma të nalte, e u tha: A e shifni se Aleksi, e ka përnjimend! Po ia respektojmë besimin. Aleks, mbylle kasafortën (për tabernakull) dhe rueje çilsin. Na e pamë se ç’ishte mbrendë.
Ndërkaq disa partizanë tjerë, ishin shpërnda nëpër Kishë, tue kontrollue qoshe për qoshe. Kisha Françeskane, ishte shumë e bukur: elteret anash, ishin sjellë prej Tirolit, të punuem me art nga firma “Stufflesser”. Njani prej këtyne lterve, ishte porsi raft përmbrenda, ndërsa mbulohej nga nji basoreljev përjashta, i cili fiksohej me katër burma. Partizanët i hoqën burmat dhe nën elter, gjetën të stivosun nji sasi librash. Ndërsa ata po i nxiershin, Dyli me oficera tjerë u turrën te ai lter, me pa se shka po del. Tue i shfletue librat, gjetën të shkruem emnin e at Aleks Baqlit.
– Aleks, tuejtë janë këta libra?
– Po.
– E pse i ke mshefë këtu?
– Për me i shpëtue prej jush. Këtu kam pru librat, që kam ma për zemër nga biblioteka ime. E kuptoj se ju, keni për të na qitë jashtë prej kuvendit, e mendova me i pasë me vedi, këta libra.
Ndërkaq partizanët që kontrollojshin kishën, mbas njaj statuje të nji shenjti, gjetën nji mikroskop. Ata nuk dijshin se shka asht ai: ndoshta e menduen për nji armë të sofistikueme. As Duli nuk e kuptoi, se shka ishte, por thirri At Aleksin e, e pveti:
– Edhe kjo asht e jotja?
– Jo. Ky asht nji mikroskop, i cili më duket se i përkiste kabinetit të shkencave të natyrës, kushedi kush e ka pru këtu?!
– Neve sigurisht që jo – tha Duli – por juve. Mos u ban marak, se do të dalin ai që e ka pru këtu, me e mshefë mbas shejtneve – edhe lshoi nje bestemje. Na kemi shkopin magjik, që na tregon gjithshka. Atëhere, mbasi u kontrollue Kisha krejtsisht dhe nuk u gjet kurrgja tjetër, oficerat urdhnuen që; gjithshkahja të vehej ashtu siç ishin. U vu nji roje ushtarake dhe mbrendë në Kishë. Fra Ndout, ia muerën të gjithë çilsat e Kishës: ajo hapej për popull, vetëm kur donte Duli.
Fra Ndue Vila. At Aleks Baqli, edhe dy shërbtorë, thirreshin shpesh në hetuesi. Mbas nja 4-5 ditësh, më muerën edhe mue. Kur dola prej menset, atje nëpër qoshe të korridorit, pashë se i kishin sjellë prej seksionit të Sigurimit, At Pal Dodën, At Matí Prendushin, At Donat Kurtin, At Çiprian Nikën, At Filip Mazrekun e, At Leon Kabashin. Të gjithë ishin largas, të veçuem njani prej tjetrit e, të lidhun në pranga: pothuej të gjithë ishin me mjekër të gjatë, mbasi nuk i kishin lane, me u rrue: të gjithë të ruejtun me rojë.
Kah kalojshem nëpër corridor, Duli më pyeste: E njef këtë? E njef? Dhe un i përgjigjshem: “po“. Më dërgoi në atë korridorin e arkivit: aty kishin zbritë edhe dy koshujt e mdhaj me dokumenta të arkivit. Korridori ishte plot me oficera shqiptarë e, ma shumë jugosllavë. Kishin pru edhe specialistat jugosllavë të filmimit, me aparatura, por dukej se kishin pru edhe shumë specialista tjerë, të punve të kqija. Njani prej tyne, nxuer nji dosje nga njani prej dy koshujve, dhe prej dosjet nxori nji fletë: e bërtiti në gjuhën nashke:
– Qe se çfarë lidhjesh, kanë pasë këta me Stepinacin!
Kështu tha nji përkthyes, tue më avitë para sysh, nji letër të shkrueme latinisht prej Stepinacit, Arqipeshkvit të Zagrebit, me të cilën falenderonte Kuvendin Françeskan, për ndihmën bujare që i kishin dhanë nji prifti të ri kroat, të zanun rob luftet, prej ushtrisë italiane.
Në gjithë atë grumbull njerzish, dallova edhe fotografin, Gegë Marubin. Duli e thirri, mue më vuni para, u ngjitëm bashkë shkallve e hypëm në atë trapazanin përmbi arkiv. Aty, te ato valixhet metalike, me dorshkrime të Gjeçovit e Ambroz Marlaskajt, më shkrepi nga 2-3 foto, me blitz. Ndërsa, kur u ula në korridor, aty afër koshujve, ndritshin llampat me hark karbonit, që u përdorshin në atë kohë për filmim.
Duli më shtini krahin në korridor dhe më thotë:
– He, more Zef, e kur e kishi mendue me e fillue luftën ju, për me rrxue Pushtetin Popullor?!
– Ti je ushtarak – i pergjigjem – dhe e din mirë, se me 3-4 pushkë të kalbuna, nuk mund bahet luftë. Mandej këto ti po e shef, se janë letra, dokumenta: me këta, nuk bahet luftë!
– Pse nuk e beson, se kemi gjetë armë?!
– Jo nuk kam si e besoj, mbasi un e njof Kuvendin, shumë mirë.
– Po, por na e njofim, edhe ma mirë se ti. Na i kemi gjetë të gjitha ato, që ju i keni mshefë. Ndërkaq, më shtini në atë odën ku kishim vendosë mes dy muresh, krejtsisht arkivin historik të “Hyllit të Dritës”, si dhe nji pjesë ma të randsishme, të arkivit të Provincës Françeskane.
– A e shef – tha Duli. A e beson tashti…?! Qe, shka keni ba…!
– Po këto janë letra, vetëm letra z. Dul; me këto nuk bahet luftë!
Ndërkaq, kqyra me dhimbje të madhe punën që kishem ba, për sa e sa muej, nën sekretin ma të madh, tue i kalue netët pa gjumën, herë me At Palin e, herë me At Gjon Shllakun. Zemra më ra në fund të barkut. Në atë mendjen teme, aty mes dy muresh, kishem krijue nji vend të msheftë, të cilin e dijshem vetëm un, mbi tokë. E si u shemb gjithshka?! Bashkë me atë mur, ra dhe zemra ime. Në dukje të jashtme, u mundova me e mbajtë vedin me gjakftoftësi, ndërsa zemra më dridhej. Krah për krah me Dulin, e dehun nga gëzimi i suksesit e, ndoshta, edhe nga ndonji gotë raki, përshkojshem korridoret e gjata të Kuvendit. – Udhtim i përbashktë i gezimit e idhnimit, i jetës e i vdekjes. Pra kurrgja e re, nën kët diell.
– Më dërgoi te ajo dhoma ku e kishin mbushë me armë: hapi derën e më tha: Shif, sa armë i keni pregatitë, për me na luftue ne…!
– Por kur i paskeni pru ju kto?!
– Çka po thue? – tha Duli – këto i keni mshefë juve.
– Jo, – i thashë – kto nuk janë armë të mshefuna. A e shef si ndrisin? – ndërsa ato katër-pesë të mshefunat, a i shef si janë të ndryshkuna e të kalbuna!
Aty ishin nji numër i madh armësh që ndritshin, e sidomos disa arka me bomba të kuqe, të reja fringo.
Ajo natë kje që jugosllavët e shqiptarët, muerën të gjitha ato foto e ata filma dokumentarë, të cilat Sigurimi i Shtetit, i ekspozonte si trofej të luftës kundra reaksionit klerikal, ndër të gjitha muzeumet e Sigurimit të Shtetit apo, edhe në Muzeumin Ateist të Shkodrës, unik në botë. – At Çiprianin e At Matinë, i foto-filmuen me armë në dorë: edhe fra Ndue Vilën. At Palin, te pjesët e arkivit të gjetun, mue në trapazan me dorshkrime, At Leonin, At Donatin e, At Aleksin, në Kishë mbrendë, tue nxjerrë librat prej lterit e, aparatin e mikroskopit.
Të gjitha u paraqitën si armatime, mbasi nji pjesë e tyne ishin shti ndër arka metalike municionit, për me i shpëtue nga lagshtia, pluhuni e drita. Nuk vonoi shumë e, mbas nja tri-katër ditësh, u zhvillue nji aksion i madh i drejtuem nga oficera sllavë e shqiptarë, për bartjen e të gjithë dokumentave arkivale. Nji kamjonçinë gjatë gjithë ditës e natës, bate prej Kuvendit Françeskan, në nji drejtim të panjoftun, të gjithë librat e gjetun në Kishë, të gjithë arkivin, si atë të mshehun ashtu edhe atë të palëvizun prej arkivit. Në këtë ditë u shkatrrue edhe Oda-muze e Fishtës, u bartën barbarisht të gjitha dorshkrimet e tija, në atë kamionçinë që shkonte e vinte pa pushim.
Dokumentat i shprazeshin aty pa kurrfarë rregullit e, pa kurrfarë kujdesit, mbasi u merrshin dosjet. At Marin Sirdani, nuk mund u durue ma pa folë, para këtij vandalizmi barbar e, i tha Dul Rrjodhit:
– Shikjo Dul, këta janë dokumenta tepër të randësishëm për historinë e Shqipnisë, prandaj, tregoni kujdes të veçantë për ta!
– Mos u baj marak P. Marin, se këto paçavure, ne nuk ka vlejnë fare: historinë e shkruejm neve…!
Këto kjenë ditët e fundit të Kuvendit Françeskan. Jeniçerët e Enver Hoxhës, u dukën në mëngjesin e 11 Dhetorit te dyert e Kuvendit, me dekret në duer, për me vu në zbatim atë shka pritej me kohë, prej udhëheqsave të komunizmit sllavo-shqiptar: Cartago delenda est! (Kartagjena, duhet të shkatërrohet!)
Në mensën ku ishim të mbledhun, hinë disa ushtarakë madhorë dhe organet e prokurorisë. Mbasi lexuen me solemnitet dekretin e ardhun nga lart për mbylljen e Kuvendit Françeskan, na urdhënuen që të ktheheshim të gjithë ndër dhomat tona dhe të merrshim për udhtim, vetëm nji palë ndrresa e, kurrgja tjetër, as libra, as orendi, sepse Kuvendi Françeskan, me gjithshka kishte mbrendë, kishte kalur në pronsi të shtetit. Te dera na priste kontrolli.
Dikush pveti nëse kishim leje, me i marrë librat e lutjeve të përditshme. Na lejuen me marrë në dorë, vetëm nji libër uratësh (breviarin).
Secili u kthye në odën e vet. E shka të merrshim ma parë, mbasi të gjitha tashti, ishin të ndalueme për ne? Un kishem dy sende tepër të çmueshme, që nuk kishem si me i lanë aty: Lahutën e Malsisë, me autograf të autorit, dhanti e drejtueme për mue, si edhe shkopin e Fishtës; atë shkop ku mbeshtetej trupi i tij madhshtor, e që mbahej prej asaj dore, e cila kishte gdhendë vargjet ma të bukurat në nji gjuhë, deri atëherë pak të latueme. Nuk mujta me i lanë aty. Shkopin e vara në kyçin e dorës së majtë, tue e mshefë ndër palat e pelerinës së gjanë të petkut françeskan, ndërsa në dorën e djathtë, kishem vetëm librin e uratve, bashkë me “Lahutën e Malsisë“. Kur dola në derë me u kontrollue, Duli ndej gati dhe thirri:
– Ti Zef Pllumi, do vijsh me u kontrollue te un.
Ishin edhe 5-6 tjerë, që kontrollojshin. M’u desht të paraqitem para tij. Ai kontrolloi xhepat, preku me duer ijet, gjoksin, shpinën; në torbën e vogël, kishem vetëm nji palë ndrresa të mbrendshme: në dorën e djathtë, librin e lutjeve e “Lahutën e Malsisë”. Ai e muer at libër, e bërtiti me të madhe:
– Shoku prokuror, ky Zef Pllumi, ka “Lahutën e Malsisë” dhanti me firmën e Fishtes: çka të bajmë? – e kërkon, se e ka kujtim personal:
Prokuro ishte Hys Zaja, nji ish-nxanës i Lyceut Franceskan: ndonji vjetë para meje, dhe përgjegji:
– Jepja!
Desht Zoti e shkopin e Fishtës, nuk e ndeshi kurrkund. E shpëtova: e kam edhe sot, mbas gjithë peripecive që ka kalue, ai dhe un.
Përpara se të delshim prej Kuvendit, njani nga ato autoritete na mbajti nji fjalim të shkurtë, ku na u suell sidomos ne të rijve studenta. Ai tha se; për ne kjo ishte nji ditë lirije, prej këtyne mureve të zymta dhe se tash e mbrapa, do të ishim pjestarë të asaj rinije, që gëzon të mirat e socializmit.
Prandaj nuk duhej kthye kryet mbrapa e, me u ndikue nga mendimet reaksionare të Klerit Françeskan, sepse vigjilenca e Partisë, ju ndjek në çdo hap të jetës suej. Mbasi na regjistruen të gjithve adresat, ku do të shkojshim në ato tri ditët e para, na lëshuen n’oborrin para Kuvendit e Kishës Françeskane. Nuk mujshim as me kja, as me kthy kryet mbrapa, prej friget: sytë e Partisë, ishin mbi ne.
Kah mesdita përfundoi gjithshka. Të gjithë u shpërndamë kryeultë e pa ba za, për atje ku kishim shenjue adresën.
Un u nisa për Melgushë: aty kishem axhën. Rruga bante nja tri orë, me shkue në kambë. Më dukej se të gjithë, më kqyrshin mue. Ndoshta edhe ashtu ishte. Por kurrkush në qytet, nuk e pat trimninë me ardhë e, me më pvetë, e me folë me mue.
Dola jashtë qytetit, përtej Urës së Bahçallëkut. Fillova me recitue “Super flumina Babilonis, illic sedimus et flevimnus, dum recordaremur Sion”. (Përmi lumë të Babilonit, atje ndejem dhe lotueme, kah na shkonte malli i Sionit). Ecëshem i vetmuem. U mundojshem me e shpejtue hapin, që të mos më xajë nata, në rrugë. Por nata, mue më kishte xanë, nata e mendjes. Un nuk dijshem ma, se kah me ia mbajtë?!
Ku jam?! Ku shkoj?! Aty? Atje? Ku? Ç’do të baj?! Të gjitha ato andrrat rinore: me u ba frat, me u ba shejt, me u ba dijetar, me u ba i përmendun, për dishka; të gjitha u zhdukën, në këtë ças. E ndjeva vedin, se nuk ishem kurrgja tjetër, por nji balonë, nji tullumbac në hava, që sillet në atë drejtim, që ta çojë era. E shka asht era? A thue asht vetë jeta?! Trishtim i madh!
“O Zot, rri me ne, se asht kah erret”! Memorie.al