Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Nuk ka qenë një vërshëllimë e zakonshme ajo e Virgjil Karajt, por e tillë, si britmë vullkani, që për një çast, ka bërë të ndalin e të heshtin të gjithë. Cili është juristi i famshëm, ish-gjyqtar i basketbollit, që ka komanduar për 40 vite kolosët e parketit shqiptar?! Jeta, karriera e një arbitri, unik, i papërsëritshëm, nga bilbili i parë tek i fundit, një libër jete i palexuar, plot ngjarje dhe evenimente krejt të rralla, për avokatin energjik, të cilin e gjen sot më aktiv se kurrë, në zyrën e tij në katin e 11-të, të një kulle në kryeqytet?
Djali i një avokati
Djali i një avokati të njohur beratas, por i martuar në Vlorë, me nënën nga familja Kilica, atje ku në vitin 1940, lindi edhe Virgjil Karaj. Një fëmijë i shkathët, që pëlqen e luan basketboll, deri në vitin e tretë të shkollës së mesme “Ali Demi”, kur në pushimet e gjata, aktivizohet me klasën e tij. Por shtatshkurtër dhe, duke e parë si një pengesë këtë element, i vjen ideja dhe një ditë u propozon mësuesve M. Kostandini dhe F. Fisheku, që; “të provoj ta arbitroj unë, ndeshjen e klasave”?!
Është maturant kur në Vlorë, vjen N. Kadiu, sekretar i Përgjithshëm i basketbollit (janar-shkurt 1958), për të organizuar një seminar 2-ditor, me arbritrat e basketbollit. Mes vlonjatëve, ai përzgjedh pikërisht, nxënësin Karaj. Në maj të atij viti, i komunikojnë Kategorinë e III-të, si arbitër, kurse në shtator të ’58-ës (student në kryeqytet) bëhet arbitër i Kolegjiumit të Tiranës dhe angazhohet me takime të lehta, shkolla, fakultete, të reja, të rinj, etj.
Pas diplomimit, në Kombinatin e Tekstilit “Mao Ce Dun”
Nëna, një grua e civilizuar, shkolluar, një intelektuale e njohur për kohën në Vlorë, ka qenë vendimtare në shkollimin e Karajt. Pasi përfundon Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, ai diplomohet dhe merr emërimin si ndihmës-prokuror në Berat, ku gjen edhe mjekun Adnan Këlliçi. Në vitet 1962-1967, është periudha që e ushtron këtë profesion, pasi në 1967-ën, hiqen avokatët, ka ndryshime në sistemin gjyqësor dhe për Virgjilin e ri, do të niste një tjetër profesion: Nga 1967-ta, deri në 1986-ën, ai është kryetar i Degës së Furnizim-Shpërndarjes, në Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” të Beratit, por ky fakt, nuk do ta pengonte që çdo fundjavë, të arbitronte në fushat e basketbollit.
Karriera, pa kufi e limite
Arbitër nga viti 1959 deri në 1992-in, 34 vite pa ndërprerje. Në vitet 1960-1970, arbitër i Kategorisë së I-rë; 1970-1992, arbitër ndërkombëtar FIBA; 1992, komisar (vëzhgues) ndërkombëtar; 1990, arbitër nderi ndërkombëtar. Ka arbitruar ndeshjet finale të 5 Spartakiadave Kombëtare, meshkuj e femra. Ka drejtuar mbi 85 % të ndeshjeve “Partizani” – “17 Nëntori” për 30 vite radhazi; ka arbitruar mbi 70 % të ndeshjeve midis skuadrave të kryeqytetit, kur luanin me ato të Shkodrës e Durrësit; ka arbitruar mbi 65 % të takimeve femra, midis “17 Nëntorit” e “Skënderbeut” të Korçës për femra. Pastaj ndeshje ndërkombëtare me klube, përfaqësuese, turne ballkanikë, Kupën “Ronketi”, etj. Në total, mbi 1300 ndeshje të arbitruara, nga Virgjil Karaj, vlonjatit nga Berati, pasi si arbitër, Xhilin nga Berati, e kanë njohur dhe kjo e ka shoqëruar, gjithë karrierën kur ka arbitruar.
Incidenti që i hapi rrugën…!
Në pranverën e ’59-ës, dy kolegëve të tij nga Durrësi, D. Cara dhe K. Bekrilelli, u ndodh një incident teknik, në takimin “Tirana”-“Partizani”, meshkuj. Ndeshja u përsërit dhe N. Kadiu, në vend të Bekrilellit, cakton Xhilin (ende i ri). Ndeshja u zhvillua në Parkun “Studenti”, në Tiranë, u gjykua mirë dhe arbitrimi u vlerësua. Për Karajn, kjo ndeshja ishte një provë e madhe, që do vendoste; “fatin” e një karriere në ngjitje, ose do të mbetej një gjyqtar i zakonshëm dhe pa perspektivë, për të kapur majat e arbitrimit. Por ai ia doli ta kalonte, madje me sukses “provën e zjarrit” dhe menjëherë pas këtij takimi, fillon aktivizimi intensiv i tij në Kategorinë e Dytë dhe, në vitin 1960, i jepet kategoria e parë personale.
Ndeshja e parë me femra
Ndeshja e parë që iu besua arbitrit të ri, Virgjil Karaj, ishte ajo në Gjirokastër, në kuadër të kampionatit Kombëtar të Kategorisë së II-të për femra, “Luftëtari” – “Tomori” i Beratit. Fusha e vjetër, te Teqeja. Ai kujton se bilbilit të parë, i ka rënë për një top të diskutueshëm, por që pas vërshëllimës, ai nuk funksionon më si bilbil dhe menjëherë e ka zëvendësuar me një rezervë, të cilën fatmirësisht, nuk e kishte harruar ta mbante me vete. Spektatorët qeshën, më shumë për shpejtësinë e ndërrimit të bilbilit. Kryegjyqtar, për fat, ishte Rexhep Rama, kuadër shumë i njohur, serioz, korrekt, kërkues dhe tepër i komunikueshëm, edhe prej karrierës së gjatë si drejtues e pedagog. Në mbrëmje e ka pyetur Xhilin: “E ke marrë seriozisht këtë punë, e cila ka vështirësi, kërkon stërvitje dhe durim…?! Duhet të punosh më shumë për reflekset, pasi unë konstatova, se ke mundësi të bëhesh një arbitër shumë i mirë”. Dhe profesori i famshëm i sporteve, nuk kishte gabuar. Madje ka qenë udhërrëfyesi dhe bashkë me N. Kadiun e M. Bushatin, do të ishin vendimtarë në karrierën e tij.
I gjithanshëm, kudo në çdo sport
Janë vitet ’60-të, sapo është evidentuar si arbitër basketbolli dhe Xhili ka tërhequr vëmendjen në opinionit e specialistëve, pasi është takuar edhe me Loro Boriçin e Anton Mazrekun. “Pse nuk vjen arbitër te ne, vlera ka futbolli, jo basketbolli”, i patën thënë ata…! Përgjigjja e tij ishte: “Futbolli ka fushë të madhe, jo e përshtatshme për trupin tim të vogël, i cili e ka të vështirë ta përballojë, ndërsa këta të basketbollit, janë të gjatë, por me bilbil, edhe mund t’i shkurtosh…”! Për të vijuar më pas si i pari kryegjyqtar i të parit Kampionat Kombëtar të Ping-pongut në Shkodër, ka drejtuar sfidat e kohës, ato midis N. Kondilit, A. Rekës dhe M. Leksanit.
Por edhe ato me kinezët, kampionët e botës; Li Fu Jun dhe Çuan Ce Dun, në vitin 1964 dhe në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku i ftuar special, ishte vetë Enver Hoxha. Pastaj arbitër në vitet ’50-’60-të, kur federatat ishin të bashkuara, sidomos në lojërat me dorë. Madje, në fushën sportive të volejbollit “Studenti” në Tiranë (sot aty janë lodrat e “Rrugës së Elbasanit”) e vetmja për kohën në boks, volejboll, basketboll, luan “Dinamo” – “Partizani”, me lojtarë si; Vangjel Koja, Gjika, Bonati, Masar Aga, Jorgji Kona, Petrit Murzaku dhe P. Pelivani, në një moment loje, për një faull të shkaktuar nga Masar Aga, arbitri, ka vërshëllyer kundër tij.
I nervozuar, Aga ka reaguar me dorën lart dhe i drejtohet kullës, ku është arbitri Karaj. Por, aty ka ndalur. Një heshtje dhe pastaj një shenjë për ndjesë. Dhe, e fundit, arbitër-trajner, për Virgjil Karajn, që e ka kryer edhe këtë funksion. Në periudhën e pushimeve verore dhe kur kampionati i Kategorisë së Parë ishte ndërprerë, ndërkohë ai i Kategorisë së Dytë, luhej me sistem grumbullimi. “Tomori”, skuadra e qytetit të tij, militonte në këtë kategori dhe kur Karaj pa impenjime, ndihmon skuadrën, duke e stërvitur e drejtuar, në ato pak takime që zhvilloheshin.
Vërshëllima e moviolës së parë
Ka qenë një vërshëllimë e ndërkombëtarit Virgjil Karaj dhe loja ka ndaluar: Arbitri ka parë një shkelje të vijës, koshi i Land Topallit të “17 Nëntorit”, nuk është i rregullt dhe topi kalon te skuadra tjetër, “Partizani”. Vetëm pak sekonda kanë mbetur, Agim Fagu, ka realizuar dhe barazim 65-65. Pastaj 5 minuta shtesë, që fitohen nga “Partizani”, 76-74. Dy skuadra me 35 pikë në renditje dhe titulli do të vendoset në sfidën e tretë, pas një jave. Por, ky do të jetë momenti pas të cilit, ka lindur e para moviolë historike, në Shqipëri.
Drejtuesit e klubit kryeqytetas, u lind ideja dhe kërkojnë për të parë edhe një here, se; “kishin shkelje të vijës, apo jo, nga Topalli”, duke iu drejtuar TVSH-së, që e kishte transmetuar direkt takimin. Kapiteni tiranas Vaso Shaka dhe arbitri Virgjil Karaj, zyrtarë të FSHB-së dhe ata të Radio-Televizionit, kanë ri parë disa herë në ekran, momentin deciziv, duke konstatuar se këmba e Topallit, është brenda fushës së lojës, pra koshi duhej vlerësuar i rregullt, nga arbritrat Karaj e Kotherja. Por, asgjë nuk do të ndryshonte, pasi ndeshja kishte përfunduar, gabimi është njerëzor dhe pas katër ditësh, do të luhej finalja. Ishte marsi i vitit 1971 dhe përveç Italisë, “moviola” në sport, nuk aplikohej në asnjë vend tjetër të botës.
“Oransoda”, e miqësisë
Ajo ndeshje e zhvilluar në Tiranë në dhjetorin e ’68-ës, historike dhe e paharruar, “Partizani” – “Oransoda” 73-73, ku Agim Fagu shënoi 49 pikë, ka rezervuar edhe për Xhil Karajn, një episod që i ka shërbyer shumë vite më vonë, si në aspektin profesional dhe miqësor, me dy njerëz, personalitete mjaft të spikatura në arenën ndërkombëtare: I angazhuar në këtë eveniment, Xhili ka shoqëruar komisarin e ndeshjes, anglezin Xhons, i cili shumë vite më vonë, në rolin e sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s, do t’i aprovonte, rimarrjen e titullit si arbitër ndërkombëtar. I dyti është Stankoviç, trajneri i “Oransodës”, ndonëse të takuar shumë vite më vonë, ka qenë dhe mbetet njeriu, që i ofroi mbështetjen në karrierë, një personalitet i madh, me të cilin ka raporte të forta miqësie.
Ballkaniada, Kryegjyqtar-gazetar
Xhik Karaj, e ka një pjesë të veçantë të karrierës së tij, atë turne njëjavor të zhvilluar në Tiranë, më shumë se gjysmë shekulli më parë, siç ka qenë Ballkaniada e Basketbollit me ekipet kombëtare, organizuar në Pallatin e Sportit “Partizani” (sot “Asllan Rusi”). Ka qenë protagonist në disa drejtime: Si kryegjyqtar i turneut, arbitër tavoline, në të gjitha takimet, por edhe në rolin e gazetarit sportive, i “Sporti Popullor”, si opinionisti kryesor i ballkaniadës, duke bërë shkrimin editorial për gazetën më të madhe dhe të vetme sportive të kohës.
Ndeshjet e gjeneralëve
Në vitet ’60-të, ishte kthyer si traditë, kur çdo të enjte, në palestrën e Universitetit Shtetëror të Tiranës, luanin basketboll gjeneralët, midis tyre; Petrit Dume (Shefi i Shtabit të Përgjithshëm), Rrahman Përllaku, (zv/ministër i Mbrojtjes Popullore), Vaskë Gjino (Drejtor i Artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes), etj. Në një moment, njëri prej tyre ka kundërshtuar një vërshëllimë të Karajt, pas të cilës, është dhënë një komandë dhe të gjithë, janë vënë njëherazi në vijë të drejtë, para Petrit Dumes e, arbitrit Karaj.
“Jemi gjeneralë, por këtu jemi sportistë dhe askush nga ne, nuk ka të drejtë të kundërshtojë. gjeneral i vërtetë, është ky”, u thotë Dume, duke bërë me shenjë, nga arbitri Karaj. “Përveç Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, e gjithë Byroja Politike e PPSh-së, qeveritarë e ministra, kanë qenë tifozë sporti dhe i ndiqnin aktivitetet sportive”, – kujton Xhil Karaj. – “Ramiz Alia, Adil Çarçani, Beqir Balluku, Petrit Dumja, kanë qenë tifozë të “Partizanit”, kurse Manush Myftiu, Llambi Gegprifti, Todi Lubonja dhe Xhelil Gjoni të Tiranës, ndërsa Kadri Hazbiu, Feçor Shehu dhe Josif Pashko, të ‘Dinamos”.
Gjyqtar ndërkombëtar, por asnjëherë jashtë shtetit…!
Ky është një rast më shumë se unik, i botës sportive shqiptare. Virgjil Karaj, ka qenë arbitër ndërkombëtar, për 20 vite radhazi, por për një dekadë e gjysmë, nuk ka mundur të dalë e arbitrojë asnjëherë, jashtë Shqipërisë! Një çështje biografie, duket se ka qenë shkaku. Titullin Gjyqtar Ndërkombëtar, e ka marrë në Rumani, në vitin 1970, por deri në testimin e dytë, në ‘84-ën në Pulja të Sllovenisë, ku është detyruar ta mbrojë atë, ndonëse nuk ka arbitruar asnjë takim ndërkombëtar. Të FIBA-s ishin edhe Jorgji Shundi, Petrit Caslli e Kotherja e, bashkë me ta edhe Karaja, por Xhili i kushtëzuar të arbitronte, vetëm në Shqipëri, madje ndeshjet më të rëndësishme, më të vështira, më delikate dhe ato më kryesore.
Në 1985-ën, “akulli është thyer” dhe, për herë të parë, ka vërshëllyer në Kampionatin Ballkanik në Turqi. Pastaj, arbitër ndërkombëtar, deri në fund të karrierës, kur e lejonte limiti, në moshën 50 vjeç. Madje, në këtë moshë, është edhe shqiptari i tretë, që pas rikthimit të miqësisë me ish-Bashkimin Sovjetik, të shkelë në këtë vend, të ndaluar për tre dekada me radhë. I caktuar për të arbitruar ndeshjen “Spartak” i Moskës me “Avenis” Francë, për femra në Kupën e Kampioneve, sapo janë dhënë vizat e para, i ka takuar Xhilit, pas Avni Mulës e Qemal Minxhozit, të udhëtojë për në Rusi.
Nostalgji për të gjithë
Rexhep Ramën e ka pikën e parë të referimit, pastaj Nexhmi Kadiun që i hapi rrugën, por edhe Medi Bushatin, si Kryetar i Komitetit të Sporteve, i mundësoi kthimin në Tiranë, në vitin 1987, si Shef i Sektorit Juridik, në Komitetin Olimpik Shqiptar. Por, pjesën e rëndësishme, e ka me ata që i bashkoi kuadrati magjik i fushës, ai bilbil, ato 40 minuta, plot histori dhe emocione. Ndonëse gjithmonë bilbil i parë, kujton legjendat e arbitrimit, me të cilët ka drejtuar, si D. Cara, R. Uruçi, K. Pojani, P. Buda, L. Kotherja, J. Shundi, F. Rizvanolli, S. Kazazi, Rudol Cici, Shpëtim Bozgo, Gjon Luli, F. Binaku, deri tek të rinjtë Asnjaku, Xhelal Kalaja, etj. “Kanë qenë të edukuar, të sjellshëm. Prej tyre dhe pa ta, nuk bëhesh arbitër i madh”, rrëfen Karaja.
Udhëtimet me “Java 250”
Udhëtimet. Ka qenë një rit javor, që i ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës, arbritrat e Republikës, pra vajtja, por edhe kthimi pas ndeshjeve, i rastësishëm në shumë momente. Në pritje të një automjeti, për t’u kthyer në shtëpi, i ka takuar të udhëtojë edhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant, Petrit Dumen, kur rastësisht ai kthehej nga shërbimet ushtarake dhe shihte Karajn, duke pritur në krye të rrugës. Ka ndaluar “Vollgën” dhe e ka marrë pa hezituar. Pastaj me Arsen Hoxhën, arbitrin e futbollit, kanë udhëtuar shpeshherë bashkë. Të pajisur me motor “Java 250”, të ndërmarrjes, që konsiderohej privilegj për kohën, njëri nga Berati dhe tjetri nga Fieri, të dy ndërkombëtarë, i kombinonin lëvizjet vajtje-ardhje.
Karikatura fenomenale e Tef Palushit
Pas sportit, arti, është pasioni i dytë i tij. Nuk ka personazh në fushën e artit, që nuk e njeh Virgjil Karajn dhe e kundërta. Nga Margarita Xhepa, Tinka Kurti, deri tek Albano, një listë pa fund të miqësive, që e lidhin avokatin-arbitër, ndër më të famshmit në Shqipëri me artistët. Një lidhje krejt e veçantë e Xhil Karajit, është ajo me mjeshtrin e humorit, artistin shkodran, Shtjefën Palushi. Pas ndeshjeve në Shkodër, nuk largohej, pa qëndruar një natë, te miku i tij.
Pas përfundimit të gjysmëfinaleve, në sezonin 1983-1984, zhvilluar në Pallatin e Sportit në Shkodër, (sot Kisha e Madhe Katolike), sapo ka përfunduar ceremonia e mbylljes, para të gjithëve, në parket, ka dalë Tef Palushi, me një dhuratë për arbitrin Karaja. Ai kishte zgjedhur një femër elegante, me këmbë e trup të bukur dhe në gjurin e saj i ulur, madje shumë i vogël, qëndron Xhil Karaj, por që nuk tundohet, as para asaj mrekullie, por i drejton gishtin dhe i fryn bilbilit, për t’i thënë se; “nuk pyes për bukurinë tënde”. Por, ajo karikaturë, ka pasur të fshehur edhe një moment nostalgjie, për artistin e famshëm shkodran, i cili e ruajti pa e treguar asnjëherë, duke preferuar ta shprehë në atë kryevepër, me gjuhën e karikaturës.
Cili ka qenë arbitri?
Virgjil Karaj: Energji, dinamik, i shpejtë, i saktë, autoritar, inteligjent dhe guximtar. Nuk ka parë se kush e ka shkaktuar faullin, i kujt skuadre, klubi, apo preferencash i takon. Me një stil të ri, në arbitrimin shqiptar të viteve ’70-të, tejet modern, i shoqëruar gjithmonë me vrap të pa ndalur, i kudondodhur, askush nuk ka guxuar ta kundërshtojë, vërshëllimën e tij. Ndonëse shtatshkurtër, por si një vullkan, ka mundur të dalë nga grumbulli i lojtarëve gjigantë, aty ku ishte futur, i mbuluar krejtësisht me djersë, pas të cilit të gjithë shihnin arbitrin Karaj dhe dëgjonin sinjalin e tij. Aty e kishte virtuozitetin e madhështinë dhe i tillë ka qenë arbitrimi që ka bërë. Ai që e ka parë dhe ata që i ka arbitruar, tifozë e trajnerë, e njihnin dhe e kuptonin, që nga vërshëllima e parë, tek e fundit, se nuk kishte kompromis me të.
Ka arbitruar kolosët e viteve ’70-të në pallate sporti tejet të mbushur e, në kulmin e basketbollit shqiptar: Nga Kona, Dodan Përmeti, Niko Hercek, Renato Radoja, Vaso Shaka, Agim Fagu, Gaqo Angjeli, Luan Shatku, Kujtim Kasmi, Kushtrim Zaçe, Viktor Papavangjeli, Niko Profkola, deri te Gaz Çaçi, Ilir Trebicka, Fatmir Cuka, Ndue Ndoj, Korab Llazani, e shumë breza të tjerë, pa harruar vajzat, si; Pavlina Llaci, A. Dule, Vali Myrto, Pjereta Çika, Xhuli Shestani, Fatbardha Kraja, A. Mitacja, apo trajnerët Feti Borova, Astrit Greva, Goga, Harxhi, Viron Toska, Piro Stefa, Bujar Shehu, Taga, Gjata, Hyskja, etj. Ka pasur një sekret udhërrëfyes, të cilin e thotë gjithmonë: “Qëndroi sa më afër topit, që të kesh sa më pak probleme. Ndiqe lojën, jo vetëm në afërsi, por me të gjitha pjesët e trupit, duke i pasur këto, në shërbim të gjykimit. Një gabim, e shkatërron ndeshjen, është përgjegjësi e madhe”.
Çfarë bën sot avokati dhe ish-arbitri i famshëm?
Ndër dy fëmijët, ishte Xhili që vazhdoi traditën familjare të Karajve. I martuar me dy djem, sot avokatin-arbitër, e gjen në zyrën e tij, në katin e 11-të të një kulle në kryeqytet. Aty mban makinën shkrimi “Olivetti”, si simbol të familjes dhe një bilbil, krejtësisht në ar. Pastaj; foto, diploma, gjithçka. Gjithmonë me celular, aktiv, me një forcë e vullnet, që nuk ndalet për asnjë çast. Nga djemtë, tentoi të voglin, Arjanin, ta bënte arbitër, por ai luajti futboll, me të rinjtë e “Partizanit”, që pas një dëmtimi, e ndërpreu aktivitetin. Djali tjetër, me profesion merceolog me drejtim specialitet turizmin, nuk dëshiroi ta vazhdonte karrierën e të atit.
Ndërsa një nipi, i ka vënë emrin e tij: Virxhil Karaj. Kur duhen edhe pak javë të mbushte 75 vjeç, arbitri i famshëm, juristi, avokati Xhil Karaj, është po ai vullkani i viteve kur arbitronte, vital në jetë, parket e, familje. Ka mbetur njeriu i vërshëllimës, që ndalonte frymë-marrjen e një pallati sporti, personazhi absolut, i asaj sekonde plot ankth, për spektatorët, 3000 vetë të ulur dhe 1 mijë në këmbë. “Arbitër është Xhil Karaj – thoshin – që e ka kthyer arbitrimin, në art”. Dhe realisht ajo e Virgjil Karajt, ka qenë një vërshëllimë, që tingëllon edhe sot si një buçimë, në thellësinë e çdo mjedisi ku ka arbitruar e, që të lidh me ngjarjet sportive të paharruara e historike të kohës, në të cilat ai, ka qenë një ndër protagonistët kryesorë midis tyre. Memorie.al