Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të një grupi anëtarësh të Komitetit Qendror të PPSH-së të kryesuar prej: Njazi Islamit, Abedin Shehut, Shyqyri Këllezit, Isuf dhe Hamit Keçit, etj., të cilët në vitin 1950 kur mbanin funksione të larta edhe në qeveri e ushtri, si ministra e drejtorë drejtorish, etj., u goditën nga Enver Hoxha dhe Komiteti Qendror i PPSH-së, duke u akuzuar se: me veprimtarinë e tyre armiqësore, kishin shpërfillur Partinë dhe vijën politike të saj, duke bërë mbledhje të rregullta sikur të ishin një forum partie dhe qeveri tjetër…?!
Komunikata e Komitetit Qendror për veprimtarinë e “Grupit antiparti” të kryesuar prej: Abedin Shehut, Njazi Islamit, Shyqyri Këllezit, Isuf e Hamit e Keçit, etj
PLENUMI V I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
Tiranë, 20-22 shkurt dhe 6 mars 1950
KOMUNIKATË E PLENUMIT TË KOMITETIT QENDROR TE PPSH
Në mbledhjen e tij më datë 20-22 shkurt dhe 6 mars 1950, Komiteti Qendror vendosi përjashtimin nga radhët e tija të anëtarëve të Komitetit Qendror, Abedin Shehu, të Njazi Islamit, i cili u përjashtua edhe nga Partia dhe të kandidatit të Komitetit Qendror, Shyqyri Këllezi, për aktivitet antiparti dhe trockist në dëm të interesave të Partisë, të popullit dhe të Republikës Popullore. Gjithashtu vendosi edhe përjashtimin e Nexhip Vinçanit nga radhët e Komitetit Qendror, për gabime dhe faje të rënda në funksionet e tij shtetërore dhe të Partisë.
PLENUMI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
REZOLUCION I PLENUMIT’ TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH MBI AKTIVITETIN GRUPAZH TË GRUPIT ANTIPARTI TE KRYESUAR NGA ABEDIN SHEHU, NJAZI ISLAMI DHE SHYQYRI KELLEZI
6 mars 1950
Më datën 20-22 shkurt dhe 6 mars zhvilloi punimet e tij Plenumi V i Komitetit Qendror të PPSH, nën kryesinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, shokut Enver Hoxha. Plenumi i Komitetit Qendror dëgjoi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, shokut Enver Hoxha, mbi ekzistencën e një grupi antiparti dhe të një aktiviteti grupazhi në Parti, në të cilin bënin pjesë anëtarët e Komitetit Qendror, Abedin Shehu, Njazi Islami dhe kandidati i Komitetit Qendror, Shyqri Këllezi dhe disa elementë të tjerë jo anëtarë të Plenumit të Komitetit Qendror. Pasi dëgjoi edhe autokritikën e shokëve të lartpërmendur dhe analizoi punën e këtij grupi antiparti, Plenumi i Komitetit Qendror konstatoi se ka ekzistuar, një grup dhe një aktivitet grupazhi në Parti në të cilin bënin pjesë shokët: Abedin Shehu, Njazi Islami, anëtarë të Komitetit Qendror, shoku Shyqyri Këllezi, kandidat i Komitetit Qendror dhe Isuf Keçi e Hamit Keçi. Ky grup që zhvillonte një aktivitet të rrezikshëm për Partinë dhe të dënueshëm prej saj, do të shkonte në fraksion dhe do të përfundonte në tradhti të hapët në qoftë se Komiteti Qendror dhe Partia, nuk do të ishin treguar vigjilentë dhe nuk do ta kishin zbuluar me kohë. Eksperienca tregon se elementi grupash dhe antiparti përfundon në tradhti dhe në prehrin e imperializmit. Në vijim të letrave të Partisë Bolshevike, Partia jonë zbuloi grupin trockist të kryesuar nga Koçi Xoxe, grup që ishte i organizuar, i ndihmuar dhe i mbështetur nga Tito-Rankoviç etj. Grupi trockist i tradhtarit Koci Xoxe, ashtu si klika e Beogradit, synonte të degjeneronte Partinë dhe ta transformonte atë në parti trockiste në duart e tyre, të degjeneronte Republikën Popullore në një republikë borgjeze, ta shkëpuste vendin dhe popullin tonë nga kampi i socializmit, që i jep mundësi ndërtimit të socializmit në vendin tonë, ta fuste vendin tonë në prehrin e imperializmit, për realizimin e aspiratave të tyre imperialiste e kolonialiste. Në dritën e letrave të Partisë Bolshevike, u godit grupi trockist i Koçi Xoxes dhe veprimtaria e tij. U rivendosën në Parti parimet marksiste-leniniste, centralizmi demokratik, disiplina e ndërgjegjshme dhe e çelniktë, kritika dhe autokritika, demokracia e brendshme dhe vigjilenca revolucionare. Pas zbulimit të bandës trockiste të Koçi Xoxes, Komiteti Qendror dhe Partia duhej të forconin vigjilencën për të ruajtur Partinë nga çdo aktivitet trockist dhe armiqësor i mëvonshëm, të ruanin radhët e Partisë dhe t’i spastronin këto. Kjo do të bëhej në luftë të vazhdueshme e të përditshme për ruajtjen e parimeve marksiste-leniniste, për ruajtjen e rregullave organizative të Partisë, për forcimin e disiplinës, të kritikës dhe të autokritikës, të demokracisë së brendshme në Parti, në luftë kundër influencës së veprimtarisë trockiste dhe të çdo shfaqjeje që dëmton Partinë dhe vijën e saj politike, ekonomike dhe organizative. Këtë orientim të drejtë i dha Kongresi I-rë i Partisë, Komitetit Qendror dhe Partisë sonë. Eksperienca e Partisë Bolshevike ishte një mbështetje e fuqishme për një orientim të drejtë të punës dhe të vigjilencës për ruajtjen dhe forcimin e radhëve të Partisë, dhe bashkë me këtë Partia jonë kishte dhe një eksperiencë të sajën në luftë kundër grupazheve dhe fraksioneve, siç ishte ai i tradhtarëve Sadik Premte dhe Anastas Lula, krerë të grupit të “Të Rinjve”. Partia jonë lindi nga grupet komuniste. Elementi i grupit të “Të Rinjve”, si elementi i të gjitha grupeve të tjera, u fut në radhët e Partisë. Krerët e grupit të “Të Rinjve”, tradhtarët Sadik Premte dhe Anastas Lula, ishin kundër formimit të Partisë dhe vijës së saj politike dhe organizative. Këta krerë trockistë kishin krijuar një grup me koncepte antiparti dhe anti marksist e leniniste. Duke mos pasur besim në masat e popullit, në klasën punëtore dhe në rolin e saj avangardë, nuk kishin asnjë lidhje me to, nuk i përfillnin dhe rrinin larg tyre. Puna e tyre ishte një punë trockiste e fashiste e mbuluar me parulla të majta. Ata i orientonin anëtarët drejt krimeve. Koncepsioni i tyre mbi moralin ishte në kundërshtim me moralin proletar. Trockistët Anastas Lula dhe Sadik Premte e edukonin grupin me një konspiracion të kalbur dhe me një formë organizimi antiparti duke përdorur rrethe të ngushta të njohurish, miqsh e farefisi, që janë rezultat direkt i mosbesimit ndaj masave. Pas, formimit të Partisë, trockistët dhe fashistët Anastas Lula dhe Sadik Premte, u hodhën në luftë të hapët kundër Partisë. Partia i dërmoi këta tradhtarë. Me punën e kujdesshme të Partisë, pjesa më e madhe, e shëndoshë e elementit të këtij grupi u edukua nga Partia dhe u bë besnike e saj. Një pjesë tjetër e këtij grupi, që ishte më shumë nën influencën e krerëve, të ideologjisë dhe të koncepcioneve antiparti të grupit, i ruajti dhe i zhvilloi koncepcionet morale, shoqërore, organizative dhe ideo-politike të grupit. Kjo pjesë jo e shëndoshë e këtij grupi ka qenë vazhdimisht në kundërshtim me Partinë dhe me vijën e saj, ka bërë zigzage të rëndësishme në punë, por nuk ka mundur të dalë hapur në luftë kundër Partisë, për arsye të sukseseve dhe të vrullit revolucionar të Partisë. Kjo pjesë e grupit të «Të Rinjve», në të cilën bënin pjesë Abedin Shehu, Shyqyri Këllezi, Isuf Keçi dhe Hamit Keçi dhe me të cilën u bashkua edhe Njazi Islami, që kishte të njëjtat koncepte antiparti, ishte gjithmonë në pritje të evenimenteve dhe të krizave në Parti për të përfituar nga situatat. Plenumi VIII ishte një nga këto evenimente. Ata u solidarizuan me platformën e Rezolucionit të Plenumit VIII, jo nga pozitat e Partisë, por nga pozitat e tyre antiparti; dolën si të persekutuar dhe në të njëjtën kohë u bënë persekutues. Ata jo vetëm që nuk u goditën nga krye trockisti Koçi Xoxe, por do të puqeshin me të në luftë kundër Partisë në qoftë se nuk zbulohej grupi trockist i Koçi Xoxes. Plenumi XI ishte një eveniment tjetër në Parti për qëllimet antiparti të Abedin Shehut, Njazi Islamit, Shyqyri Këllezit, Isuf Keçit dhe Hamit Keçit. Plenumi XI ishte një kthesë e rëndësishme që bëhej në Partinë tonë në dritën e letrave shpëtimtare të Partisë Bolshevike drejtuar udhëheqjes së Partisë Komuniste Jugosllave. Gjithë puna e Partisë dhe e njerëzve u rishikua në frymën e një kritike dhe autokritike të shëndoshë. Vetëm trockistët, “rrethi” ku bënin pjesë Abedin Shehu, Njazi Islami, Shyqyri Këllezi, Isuf Keçi, Hamit Keçi dhe elementi tjetër i dobët nuk e bënë këtë. Ky «rreth shokësh» as këtë herë nuk i folën haptas Partisë, nuk rishikuan gabimet dhe pikëpamjet e shtrembra të tyre ndaj Partisë. Ata mbetën në pozitat e tyre antiparti dhe e gënjyen Partinë në një kohë kur ajo, me plot të drejtë, rishikonte gabimet e bëra dhe dënimet e dhëna në vijën trockiste, kur ajo po ndryshonte pikëpamjet e veta ndaj kuadrit për të siguruar, në këtë mënyrë, shkatërrimin definitiv të efektit të aktivitetit trockist mbi politikën e kuadrit dhe mbi kuadrin. Në pragun e këtyre evenimenteve dhe në Kongresin I-rë të Partisë dhe gjatë kongresit, ata i vunë vetes si objektiv të zënë pozita në Parti duke përfituar nga situata. Për këtë ata u pregatitën dhe bënë plan: në organizatat bazë, në konferencat për zgjedhjen e delegatëve për në kongres dhe në kongres, ata kanë fshehur jo vetëm pikëpamjet e tyre antiparti dhe gabimet e tyre, por edhe ato të njëri-tjetrit, duke u hequr si të persekutuar largonin çdo dyshim kundrejt tyre; reklamonin njëri-tjetrin, kritikonin ata që sipas pikëpamjes së tyre nuk duhej të ishin në udhëheqjen e re dhe, në kundërshtim flagrant me rregulloren e aprovuar nga kongresi, bënin lista të kandidatëve për udhëheqje, jashtë komisionit të zgjedhjeve të caktuar nga kongresi. Abedin Shehu, i cili ishte anëtar i këtij komisioni, dekonspironte në shokët e tij të grupit diskutimet e komisionit të zgjedhjeve. Kongresi u bë për këta shokë një kthesë në drejtim dhe me qëllim të kundërt me atë të Partisë. Ata zunë pozita në Parti dhe në shtet dhe filluan të rigrupohen e të zhvillojnë një punë konkrete grupazhi dhe të kalojnë nga lidhjet “e lira shoqërore” në lidhje organizative grupi. Kështu nga lidhjet “miqësore” të ruajtura nga grupi i “Të Rinjve”, ata përfunduan në krijimin e një grupi antiparti në radhët e Partisë me tipare organizative, politike dhe morale të grupit të vjetër të “Të Rinjve”. Në këtë mënyrë, duke pasur pikëpamje grupazhi mbi Partinë, duke mos pasur besim te Partia dhe duke qenë në kundërshtim me të dhe me vijën e saj, ata kaluan në një fazë më të organizuar të luftës së tyre kundër Partisë dhe pikërisht në një kohë kur ata forcuan pozitat e tyre në udhëheqje të Partisë dhe të shtetit.
KARAKTERISTIKAT DHE VEPRIMTARIA ANTIPARTI E GRUPIT TË KRYESUAR NGA ABEDIN SHEHU, NJAZI ISLAMI, SHYQYRI KËLLEZI, ISUF KEÇI DHE HAMIT KEÇI
Ky “rreth shokësh” dhe puna e tyre i ka të gjitha karakteristikat e grupit antiparti dhe të punës grupazh.
- Grupi mblidhej gati rregullisht. Mbledhjet bëheshin përgjithësisht me po ata persona: Abedin Shehu, Njazi Islami, Shyqyri Këllezi, Isuf Keçi, Hamit Keçi që ishin “shokët” kryesorë.
- Në këto mbledhje bisedonin çështjet që kishin frikë dhe që nuk donin t’i bisedonin në Parti dhe në organet e tjera të shtetit, dhe bënin kritika mbi çdo gjë dhe kundër cilitdo, jashtë rregullave të Partisë.
- Në këto mbledhje bisedoheshin probleme politike, ekonomike, shoqërore, ushtarake, organizative e kuadri sikur të ishte një forum partie (siç e kanë pohuar ata vetë) ose një qeveri tjetër.
- Diskutimet mbi problemet politike, ekonomike, shoqërore, ushtarake, organizative e kuadri, bëheshin në baza antiparti, antisocialiste dhe antipopullore. Ata nënvleftësonin historinë e popullit tonë, forcat revolucionare të popullit, klasën punëtore dhe Luftën nacional-çlirimtare. Për ata Skënderbeu nuk ishte Heroi i Kombit tonë që përballoi për 24 vjet sulmet e përsëritura të otomanëve duke siguruar pavarësinë e popullit tonë, por një hiç gjë dhe historia e Shqipërisë për ta është një “përrallë”; popullin tonë që fitoi admirimin e gjithë botës me rezistencën e tij kundër fashizmit që në ditët e para të prillit dhe me Luftën e tij nacional-çlirimtare, ata e akuzonin si popull “mistrec”. Sipas pikëpamjeve të këtij grupi, në Shqipëri nuk ka një klasë punëtore. Punëtorët tanë “nuk e meritojnë” këtë emër?! Sipas pikëpamjeve të gabuara dhe antiparti të këtij grupi politika ekonomike e Partisë dhe e qeverisë sonë nuk ishte e drejtë. Sipas tyre tregu i lirë i shtetit nuk ishte në interes të shtetit dhe të masave punonjëse, por “në interes të të pasurve”.
Për ata planet ekonomike të shtetit ishin “të parealizueshme”. Duke u nisur nga mosbesimi në forcat ndërtimtare të popullit tonë, duke qenë në kundërshtim me vijën e Partisë dhe duke dashur sabotimin e realizimit të planit ekonomik të shtetit, ata shfaqnin mosbesim në realizimin e planit të grumbullimeve dhe të sektorëve të tjerë ekonomikë dhe pritnin dështimin e këtyre planeve për të goditur Partinë dhe shtetin. Ata shqetësoheshin për luftën që u bëhej kulakëve në fshat dhe u qanin hallin atyre për goditjet që pësonin nga pushteti popullor. Urdhrat ushtarakë për ata ishin të diskutueshëm. Ata pretendonin se zbatimi i detyrueshëm i urdhrave ushtarakë nuk është i drejtë. “Inferiori, — thoshin ata, — duhet t’i vlerësojë dhe t’i diskutojë ata, dhe, në qoftë se nuk i mbushet mendja për saktësinë e tyre, të mos i zbatojë”. Ata s’kishin besim në aftësinë mbrojtëse të vendit tonë dhe në gatishmërinë luftarake të Ushtrisë Popullore. Ata informoheshin për aftësinë mbrojtëse të vendit tonë, për gatishmërinë luftarake të ushtrisë dhe për sekrete të tjera të rëndësishme ushtarake. Ata i përfundonin diskutimet e tyre të bindur se mbrojtja e vendit tonë është e dobët dhe gatishmëria e ushtrisë nuk është e mjaftë. Ata bisedonin probleme organizative e kuadri, si krijim dikasteresh të reja, ndryshime ministrash, sekretarë të parë rrethesh etj.
- Në këto mbledhje arrihej në konkluzione dhe në bazë të këtyre konkluzioneve, nga pozita grupi, mbahej qëndrim në punë partie dhe shtetërore. Në raste të ndryshme ata kanë bërë propozime, vërejtje dhe kanë mbajtur qëndrim mbi çështje politike, ekonomike dhe organizative në qeveri, në komisione etj., për të cilat më parë kanë biseduar dhe kanë rënë dakord midis tyre. Kështu pas bisedimeve të bëra në grup ata kanë bërë vërejtje se politika e tregut të lirë shtetëror nuk është e drejtë, se planet nuk mund të realizohen në qoftë se “nuk janë gati dhe nuk janë plotësuar në mënyrë “perfekte” materiali, transporti, fuqia punëtore etj”, se planet janë ireale etj. Ndërsa kur është marrë vendim për këto çështje nga Komiteti Qendror dhe nga qeveria, ata nuk kanë bërë vërejtje të këtilla. Nga pozitat e grupit ata kanë dalë me propozime për krijimin e dikastereve të reja dhe e kanë sabotuar organizimin e organeve administrative, në bazë të vendimeve të marrura dhe në bazë të eksperiencës sovjetike.
- Kjo punë grupazhi reflektohej në punën e anëtarëve jashtë grupit. Në punën e tyre jashtë grupit është parë mosbindja, kundërshtimi i urdhrave dhe thyerja e vendimeve. Kanë refuzuar, si ushtarakë, t’u binden urdhrave të Komandës, të thyejnë në mënyrën më flagrante nën rendimin ushtarak dhe të akuzojnë për tradhti komandën e lojës gjatë një loje ushtarake; kanë refuzuar t’u binden urdhrave të qeverisë për të bashkëpunuar me ministra për zgjidhjen e problemeve shtetërore; kanë thyer vendimet e marrura në udhëheqje për pregatitje organikash të organeve shtetërore dhe kanë dalë me projekte në kundërshtim me këto vendime. Nuk kanë respektuar ligjet e shtetit. Në kundërshtim me vendimin e qeverisë kanë mbajtur në fuqi dhe kanë zbatuar urdhëresa të abroguara. Në punën e tyre jashtë grupit është parë përhapja e frymës de-mobilizuese në realizimin e planit dhe sabotimi i tij, disfatizmi dhe çorganizimi, moskokëçarja, mungesa absolute e së cilës kundrejt punës së armiqve dhe sabotimeve, thyerja e disiplinës dhe e hierarkisë shtetërore dhe e Partisë dhe janë lavdëruar dhe dekoruar sabotatorët, agjentë dhe spiunë të jugosllavëve. Me gjithë vërejtjet e bëra herë pas here nga udhëheqja e Partisë dhe e shtetit mbi punën armiqësore që zhvillohej në sektorët e tyre, ata kanë vazhduar t’i bëhen mbrojtës kësaj pune duke i shkaktuar dëme të mëdha shtetit qoftë me sabotimet qoftë me mosrealizimin e planit të shtetit si p.sh. në komunikacion, në Kuçovë etj. Megalomania dhe ambicia që ushqehej në grupin e tyre shfaqej në përçmimin e punëve të sektorëve të tjerë, në përçmimin e udhëheqësve të sektorëve të tjerë, në reklamimin e vetes dhe të punës së tyre. Mosbesimi i grupit në klasën punëtore dhe degjenerimi 1 ndërgjegjes punëtore brenda radhëve të tyre shfaqej në keqpërdorimin që i bënin punëtorisë, si në Patos e gjetkë. Për shkak të anti sovjetizimit të tyre ata nuk bashkëpunonin me këshilltarët sovjetikë, nuk dëgjonin këshillat e tyre të çmueshme për një organizim më të mirë të punës, për aplikimin e metodave të reja për shtimin e prodhimit, për realizimin e planeve etj. Ata përpiqeshin t’i largoheshin kontrollit dhe drejtimit të Partisë. Për ata komitetet e Partisë nuk duhet të kishin të drejtë të bënin politikën e kuadrit në qendrat e punës, të shihnin projekt-planet dhe realizimin e planeve, të shfaqnin mendimin e tyre dhe të ndihmonin. Ata donin një drejtim diktatorial (sipas shprehjes së tyre), një drejtim personal të sektorëve të punës që kryesonin ata.
- Secili anëtar direkt ose indirekt dekonspironte në grup të gjitha sekretet shtetërore, për të cilat kishte dijeni. Janë dekonspiruar këtu sekrete të rëndësishme të shtetit në lidhje me marrëdhëniet tona të jashtme; sekrete të ekonomisë, si shifra, projekt-studime të paparaqitura akoma në qeveri etj., sekrete ushtarake të sigurimit dhe të mbrojtjes së vendit tonë etj. Anëtarët e Plenumit të Komitetit Qendror, Abedin Shehu, Njazi Islami dhe Shyqyri KëIlezi, jo vetëm që nuk mbanin qëndrim, por dekonspironin edhe këta vetë sekretet shtetërore dhe të Partisë e detyronin edhe të tjerët të dekonspironin duke u kërkuar informata.
- Kishte filluar të krijohej një qendër në të cilën dallohej autoriteti i disave dhe sidomos i Abedin Shehut. Këtyre u shtroheshin çështjet, bisedohej me ta, kërkohej mendimi i tyre për çështje shtetërore dhe partie. Shtypi i Partisë dhe i organizatave nuk lexohej dhe situata politike e brendshme dhe e jashtme merrej nga grupi.
- Ishte zhvilluar konspiracioni i grupit. Asnjëri nuk e informonte Partinë dhe qeverinë dhe i ruheshin vigjilencës revolucionare të Partisë. Partia nuk është vënë kurrë në korrent as për mbledhje as për dekonspirimin e sekreteve shtetërore dhe as për pikëpamjet e gabuara dhe kundërshtimet me vijën e Partisë, që shfaqeshin brenda grupit.
- Mbronin e mburrnin njëri-tjetrin dhe fshihnin përpara Partisë gabimet dhe fajet e tyre dhe të shokëve të grupit.
- Punonin për zgjerimin e rrethit të tyre me shokë që ishin me pozita në Parti dhe në shtet dhe përdornin për këtë metodën e provokacionit dhe të komprometimit ndaj elementit që ata kujtonin se mund të kishte arsye për të qenë i pakënaqur ose që donin t’i ngjallnin pakënaqësi./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016