Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e njëzetë
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Nëntor ’82 – një amnisti e përgjakur
Edhe amnistia që shpalli me bujë të madhe “vampiri i Tiranës”, u bë. Na u krijua ideja, se do mbetej më pak se gjysma në kampin e Spaçit, se kur e dëgjuam në TV, tha: “Nëse në botën kapitaliste burgjet mbushen, në Shqipërinë socialiste, ato zbrazen”! Filluan menjëherë thashethemet, e futura nga njerëzit e Sigurimit: “Mehmeti e ka ashpërsuar artificialisht luftën e klasave, sepse ka patur si qëllim, të armiqësojë popullin me partinë dhe shokun Enver…!
Deri tani nëpër burgje politikë, ka patur njerëz që ishin farefis edhe me anëtarë të Byrosë Politike, edhe farefis me Enverin, me Hysniun, me Ramizin, Adilin e, plot të tjerë…! Por kurrë nuk ka patur farefis me Mehmetin, në burgjet politike…!? Edhe nga fshati i Mehmetit, Çorrushi i Mallakastrës, është vetëm Hysen Haxhia, familja e të cilit, ka shkuar gjithmonë keq me atë të Shehut. Ja, dhe Hysen Haxhinë, sapo e kanë ridënuar”!
U liruan aq pak nga Spaçi, sa nuk e ndjemë fare u bë amnisti, apo jo! Dhomat tona të fjetjes, janë plot si më parë, hapësira të ngushta, jemi përsëri nga 50 vetë në një dhomë, nëpër shtretër, me tre kate. Shpresoja të spostohesha pak, sepse jam poshtë arkitraut prej betoni dhe sa herë çohem, duhet të bëj kujdes, mos ja fus me kokë betonit. Por jo, nga dhoma ime, ku flemë 52 vetë, nuk u lirua asnjeri. Përcolla ata pak shokë të mi që u liruan: Zydiun, Islamin, Gëzimin e, ndonjë tjetër. Mua m’u ulën dy vjet e gjysmë, nga dënimi.
…Të hënën përsëri në punë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ikën ata pak shokë dhe miq dhe lanë këtu trishtimin…! “A do të dalim dot ndonjëherë prej këtu…”?! “Sa vjet t’u ulën ty, edhe sa të mbetën”? Të ridënuarve, nuk u ulet asnjë ditë. Sot jam turni II-të. Kam në dorë një vëllim me tregime dhe novela në anglisht, të Dymfna Cusack. Më duhet ta kopjoj, duke e shkruar në një fletore, për ta përkthyer më vonë. Libri është i Robert Vullkanit, nesër më duhet t’ia kthej, se ka dhe të tjerë që presin radhën. Aty para drake, dëgjohen të shtëna. Me breshëri. Duket se vijnë nga rrethimi i minierës. “Ah, e vranë ndonjërin”! “Sot e gjetën ditën, për të vrarë…”?!
Erdhën lajmet e para: “Kanë qëlluar dhe kanë vrarë një prej Tropoje, që punonte me brigadën e mirëmbajtjes. Kishte shkuar të merrte shtyllat e betonit, për t’i futur në galeri. Tabela me shënimin NDAL, ishte spostuar prej ushtarëve një ditë më parë dhe e patën vendosur pothuaj ngjitur, me hyrjen e galerisë, kështu që shtyllat e betonit, patën mbetur ndonjë metër më tej. Atje ku ushtari, mund të të vriste. Fatkeqi merrte shtyllat e betonit përditë aty, dhe nuk e vuri re që tabelës Ndal, i patën ndërruar vendin. Megjithatë, ushtarët që bënin shërbim në vend rojet e larta, e njihnin.
Ishte ora e ndërrimit të rojeve. Përgjegjësi i ndërresës, shoqëronte ushtarët që do të merrnin shërbimin. E pa të dënuarin Rexhep Goci, që vuri mbi sup shtyllën e betonit. Ndërkohë ushtari i vendrojës, e vuri në shënjestër dhe mbushi armën. Përgjegjësi i thirri: “Mos qëllo”! I mërzitur, ushtari uli armën. Papritur u dëgjua një breshëri. Qëlloi ushtari i vendrojës ngjitur…! E si mund ta linte, t’i ikte ky rast për të fituar dy javë leje dhe një medalje…?! Do ta kishte zili gjithë fshati, që vrau një armik të partisë, babai dhe nëna, do të mburreshin me të, vajzat më të bukura të fshatit, do mbanin radhën, letrën që do të dërgonte komisari, do ta verë në kornizë.
Mbaj mend që kur u shpallën nenet e amnistisë, i ndjeri Rexhep tha i pikëlluar: “Mos! Për nji javë, nuk e fitoj dot lirimin, sikur ta kisha pas ba dhe nji javë burg, nesër do të isha në shpi”! Kishte shtatë fëmijë dhe gruan që e prisnin. Punonte si kalë, të gjitha paratë që fitonte nga puna, ia dërgonte familjes në një fshat të thellë të Tropojës. Ishte nga të rrallët që nuk e ndihmonte familja në burg, por ky nga burgu, ndihmonte familjen. E vranë. Me një shtyllë betoni në sup. Kur shkuan të merrnin kufomën, gjetën mushkën pensioniste të kampit, “Mulon”, që i rrinte te koka dhe e shihte të vrarin, me ata sy të mëdhenj, të lagur. Edhe kur grupi i vogël i të dënuarve, vuri kufomën në barelë dhe mori rrugën për në kamp, “Mulo”, i ndoqi pas me hap të ngadaltë, si për mort. Rahmet pastë, i ndjeri Rexhep Goci!
Menjëherë në mbrëmje, na urdhëruan të rreshtohemi në tarracë: “Vrap, vrap! Shpejt! Luni kamët”! U rreshtuam. Heshtje. Në ballkonin e katit të parë të pallatit të të papunëve, dolën si në podium, oficerë të komandës dhe Komandanti i Kampe-Burgjeve. Një qen bir qeni, që e njohin të gjithë të dënuarit, Kasëm Kaçi. Fillon të lehë Kasëm Kaçi: “Sot njëri nga ju, vajti të kalojë telat e kampit. Mori atë që kërkoi. Po të ketë edhe të tjerë si ai edhe ata do t’i vrasim. Kështu ia shpërbleni Partisë ju!? Ne me bukë dhe ju me gurë! Ne me gjithë të mirat dhe ju me helm”?!
Në mes të një heshtje të thellë, u dëgjuan dy thirrje, një nga e majta e, mbi njëmijë të dënuarve: “VRASËS”!… dhe pas pak, nga e djathta: “KRIMINELË”!…. shkoqur, fare qartë. Kasëm Kaçi hungëroi: Kush foli…?! Kush…?!
Policët u lëshuan duke nuhatur, dhe duke lehur: “Hum-kum-ku-ku-kush-fo-fo-foli????…..”?!
Amnisti?!
“Ndërsa në botën kapitaliste burgjet mbushen, në Shqipërinë socialiste ato zbrazen. Nesër në gazetë do të shpallet zyrtarisht”! – deklaroi vampiri Enver Hoxha, në muajin nëntor ’82 në TV. Kishte kohë që flitej, për një amnisti në burg. Prej 20 vitesh, nuk qe bërë asnjë amnisti dhe njerëzit shpresonin…! Ja, më në fund, dhe amnistia e shumëpritur. Filluan komente nga më të ndryshmet: Si do të jetë kjo amnisti, kë kap dhe kë jo…! Optimizmi ishte në qiell.
Mendova se edhe për mua, erdhi dita e shumëpritur. Thirra Zydi Moravën, Hiqmet Myzyrin dhe shkuam të pinim nga një kafe, te vendi ku lejohej, te “kuzhina private”. Pasi pinim kafen, na ishte bërë zakon kthimi i filxhanit. Kishte edhe atje “specialistë filxhani”. Unë dhe shumë shokë të mi, nuk besonim në këto gjëra, megjithatë, shumica e përmbysnin të vetëdijshëm që “specialisti”, do t’i gënjente si gjithmonë.
Pimë kafen, përmbysëm filxhanët dhe po tymosnim nga një cigare, kur pas shpinës sime, më foli në vesh, Dhosi Leka: “Rrotulloje pak filxhanin, se nuk e shoh mirë, mos lëviz, se nuk dua ta marrin vesh, që unë shoh filxhan”! Pas pak, më foli përsëri: “E pashë… të pres përjashta”! Kureshtar se ç’do të më thoshte Dhosi, e ndoqa pas.
Dhosi ishte mbi 70 vjeç, me një sy prej xhami. E kishin dënuar 25 vjet. Me gjithë diferencën e moshës, me mua rrinte shpesh, sidomos kur para ndonjë viti, iu arratisën të dy djemtë në Greqi. Nuk e dija që Dhosi shikonte filxhan, më dukej njeri me këmbë në tokë, gjithsesi isha kureshtar, se çfarë do të më thoshte miku im për filxhanin…!
E arrita jashtë në oborr, tek endej i vetëm duke më pritur: “Ah, erdhe…?! Më dëgjo mirë. E para, të mos i thuash njeriu, që të pashë filxhanin, kam kaq vjet që nuk shoh filxhan, tjetra, për filxhanin. Je shumë i gëzuar sot, sepse të gënjen mendja, që lirohesh, por jo, nuk lirohesh. Ke akoma shumë vuajtje. Ndërron burg, pastaj të vjen lirimi. Por edhe pas lirimit, shumë të zeza pashë për ty…! Shumë vonë, do të të qeshë buza, more djalë. Po mos e çaj kokën, je i ri dhe mos beso, ç’të thashë. Këto muhabete filxhani janë, budallallëqe hesapi”!
Nuk e besova ç’më tha Dhosi, unë me mend, isha tani në Durrës…! E tha vetë Enver Hoxha… “Te ne burgjet zbrazen…”! – pastaj, çfarë krimi kam bërë unë?!
…Të nesërmen mora vesh, që më uleshin vetëm 2 vjet e gjysmë, më mbeteshin edhe nja 7 vjet…! Mbas një jave, më nisën për Qaf – Bar, që do të qe stacioni i fundit për mua, në burgjet politike komuniste të Enver Hoxhës.
KREU IV
“Riedukimi” vazhdon në Qaf-Bar
Udhëtimi me autoburg, është i vështirë. Na kanë rrasur 15 vetë, brenda tij dhe pas 10 minutash, të merret fryma nga ajri i ndejtur, nga të vjellat e dikujt, që e zë makina. Jemi grupi i parë që nisemi nga Spaçi, për në Qaf-Bar. Mbas disa orësh udhëtim, si brenda një konserve, mbërrijmë në kampin e Qaf- Barit. Kampi është ndërtuar në një faqe kodre. Në disa ndërtesa dykatëshe, janë fjetoret.
Dhomat janë të vogla, shtretërit janë dykatësh, jo tre, si në Spaç; i bie të flemë, nga 8 vetë në dhomë. Sipër fjetoreve, është një shesh për shëtitje dhe më lart, kuzhina private. Përballë fjetoreve, është menca dhe kuzhina; pas mencës, ndërtesa e ambulancës. Përballë, shihet faqja tjetër e kodrës me pisha, gjithmonë e gjelbër. Kur hyn në kamp, nga ana e djathtë, është miniera e piritit. Para nesh, kanë qenë të dënuarit ordinerë të Bulqizës, që i zhvendosën, për të na liruar vendin neve. Mbeti komanda e ish-kampit ordiner dhe policët.
Janë të gjithë dibranë. Herë pas here, autoburgu sjell të tjerë nga Spaçi, por edhe nga kampi i Zejmenit. Thonë se po mbyllet Kampi i Ballshit. U sajua dhe brigada e parë, që do të fillojë shfrytëzimin e minierës. Jam i vetmi minator i brigadës, këtu punohet sipas traditës së Bulqizës. Komanda dhe policët, nuk janë si në Spaç, të specializuar për drejtimin e një kampi polititk. Këtu parësor, është realizimi i planit, kryerja e detyrave. Mua më shkon puna mbarë, martelat janë të tipit kinez, më të lehtë, me xhiro më të shpejta.
Ajër vjen aq sa duhet nga kompresorët; vetëm unë jam minator. Në sallën e kompresorëve, punon Agim Agaraj, shoku im, ish oficer në Brigadën e Nëndetëseve. Edhe kriteret e përzgjedhjes, nuk janë si ato të Spaçit, ku vetëm spiunë dhe bashkëpunëtorë të komandës dhe të operativit, punojnë në zyrën teknike, etj.
P.sh., Kujtim Prendi, nga Tirana, një nga djemtë më të mirë të Spaçit, është bërë brigadier; Dalip Zhaboli, është kryetar i Zyrës Teknike; edhe njerëz të tjerë të ndershëm, punojnë në atë zyrë; është durrsaku Jani Pano dhe tiranasi Vedat Buzi. Aladini, punon në ndarjen e bukës dhe është zv/shef kuzhine. Edhe mjekët e kampit, janë njerëz të mrekullueshëm: malazezi Drago Vujosheviç dhe i paharruari Ben Çeta. Hë për hë, njerëzit ndihen më të shtendosur; nuk është ai tension i përhershëm i Spaçit.
Edhe gatimi duket se është më i mirë. Takimet me familjen bëhen brenda në një dhomë, jo si në Spaç, në këmbë te porta e madhe e kampit. Puna si minatori, më ecën mirë. Inxhinieri i lirë i minierës, një djalë nga Pogradeci, është i kënaqur me cilësinë e punës sime. Për komandën e kampit, puna e minatorit, është themelore për realizimin e planit. Në Bulqizë, minatorët janë të privilegjuar. Këtu, si minator, futem në minierë 2-3 orë pas brigadës dhe kompresorët ndizen 10 minuta pas futjes sime në galeri.
Minatori duhet të bëjë birat, në të gjitha frontet; edhe në shembjet, ku duhen bira të thella 3 metra, ose më tepër. Për armaturat e galerive, është një brigadë e posaçme, që merret edhe me shtrimin e shinave, tubave të ajrit, etj. Shumë nga shokët e mi të Spaçit, kërkojnë të punojnë si minatorë. Mua, si minator i parë që jam, më ecën fjala. Kam miqësi edhe me Dalipin, Vedatin, etj. Me ndërhyrjen time, filluan të punojnë minatorë, i paharruari Tom Ndoja, Gëzim Medolli, Xhemal Tota dhe të tjerë, që nuk i mbaj mend.
Por me kalimin e kohës, u shtuan brigadat, turnet. Bëhemi shumë shpejt rreth 400 vetë në Qaf-Bar. Nga Burreli, ku e kishin dërguar pas ridënimit, vjen këngëtari i njohur, Sherif Merdani. Gjuhët e huaja mësohen lirisht. Ka disa kohë, që prej ndikimit të Visarit, më është rikthyer dashuria për poezinë. Edhe Zydiu shkruante në Spaç, poezi të mrekullueshme, të cilat i fshehu nën tokë, bashkë me Tofik Dobrolishtin. Por Visari, është poet i madh për mua; kur ai pëlqen ndonjë përkthim timin, më bëhet shumë qejfi. Ka shumë që e kanë mësuar përmendësh, përkthimin tim, të poezisë himn; “INVICTUS” të William Henley-t, poezi që shumë kanë provuar ta përkthejnë këtu: Sherifi, Visari.
Bën ftohtë këtu. Bie më shumë bore, se sa në Spaç, por ne minatorët, kemi një kthinë që e përdorim për të mbajtur rrobat dhe veglat e punës. Kemi dhe një fuçi të sajuar si sobë, ku ngrohemi, para se të hyjmë në galeri. Edhe polici shoqërues i brigadës, rri me ne, deri sa shkon ora për të hyrë ne në galeri. Është bulqizak, e quajnë Beqir Biu. Motra e komandantit të kampit, është gruaja e Beqirit. Gjithë kohën bisedon me minatorët e tjerë, rreth sobës së ndezur. Unë rri larg zjarrit, afrohem sa bëj kafen, që e pi me qetësi, larg të tjerëve, aty në qoshen time. Ndonjëherë marr edhe ndonjë poezi, për të përkthyer. Jam i kënaqur nga puna e minatorit, me gjithë rreziqet që sjell kjo.
Një natë, kur ishim turni III-të, polic Beqiri, me foli: “Or ti, musteqe, afrohu njëherë, mos na rri larg. Na thuaj kush je, nga je…”?! Por para se të afrohesha, të tjerët ia numëruan të gjitha: “Asht durrsak, kapiten vapori. Ka pa gjithë botën Maksi, o komandant Beqiri…”! e plot të tjera, duke e lënë Beqirin gojëhapur…! “Pa ulu njiher ktu afër e na fol, se me rrena katuni, jam ngop…! Pa na thuj njëher, ca rrena të jashtme”!
Bëra si më tha, por e kuptoi menjëherë, që nuk isha shumë mbas muhabetit. Megjithatë, në shenjë miqësie, më ofroi një cigare nga paketa e tij dhe për vete, e drodhi nga qesja e duhanit tim. Gjëra, që nuk mund t’i mendoje, në Spaç. Polici që ndërron cigare me të dënuarin, para të tjerëve?! Çfarë po ndodh…?!
Kosovarët
Kur isha në shkollën 7 vjeçare “Hasan Koçi”, në Shkozet, lëndën e historisë dhe gjeografisë, na i jepte Xhavit Podini. Kush ka qenë në vitet ’60-të në atë shkollë, e mban mend zotni Xhavitin, një burrë i bëshëm, me mustaqe të zeza. Niste të fliste për malin e Dhëmbelit, apo Tomorrit dhe mbaronte duke folur për malin e Pashtrikut; duhej të na shpjegonte për Vjosën, Shkumbinin, por fliste për lumenjtë, prrojet e prroskat e Kosovës së tij.
As zilja, që lajmëronte fundin e orës së mësimit, nuk e ndalonte zotni Xhavitin, kur duhet të shpjegonte kryengritjet dhe luftërat e kosovarëve, në vitet 1910-1911. Ora e Lidhjes së Prizrenit, zgjaste gjithë javën. Kam qenë nxënës i mirë në shkollë, i kam respektuar të gjithë mësuesit e mi, por zotni Xhavitin, e doja. Doja dhe Kosovën e tij, tonën. Nuk e pranonte dot zotni Xhaviti, nuk e kuptonte dot, nuk dinte të na sqaronte as ne, pse Kosova e bukur, vend i trimave dhe bukurive të rralla, ndodhej jashtë kufijve. Ma futi në gjak edhe mua dashurinë për Kosovën.
Kemi patur në burg, mjaft kosovarë, por kosovarët që nuk kishin shtetësinë shqiptare, e bënin burgun, në një aneks të veçantë. Ky vend i veçantë në kampin e Ballshit, quhej “Kapanoni i emigrantëve”, i të huajve. Ata që kishin marrë shtetësinë e ëndërruar shqiptare, ishin në burgjet tona, bashkë me ne. Kam shkruar për mjekun kosovar, Jetullahun, që ishte në Spaç. Burrë me karakter, si heronjtë e rrëfimeve pambarim, të zotni Xhavitit. Por me doktor Jetullahun, kam patur vetëm një përshëndetje. Miqësi kisha me një gjakovar, Hasan Kukalin. U arratis nga Kosova, fare djalë i ri.
Erdhi në vendin e ëndrrave, në vendin amë të të gjithëve, në Shqipëri. Mendonte të gjente vendin më të lumtur në botë, më të pasur, Shqipërinë e Enver Hoxhës, që tmerronte gjithë armiqtë e vendit, “që i bajke m’u dridhë, grek e shkja, italjan e rus, e kush t’i dilke para”…! Gjeti një vend të heshtur, të mjerë, të varfër, me njerëz që kishin frikë të thoshin çka mendonin, një Enver, që bënte të dridhej një popull skllevërish, që me këpucë të grisura e barkun bosh, mbushte sheshet e mitingjeve, duke u çjerrë: “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”.
Sa për botën, e kuptoi që ajo nuk e rruante për Shqipërinë dhe shqiptarët. Na patën lënë të hanim njëri-tjetrin dhe t’i bënim hosanna, një perversi të fëlliqur me shkollë të mesme dhe kënaqeshin duke parë së largu, si shkonte; “the albanian experiment”, që vazhdon, vazhdon…!
Tip i gjallë, i hedhur, shakaxhi si ishte, Hasan Kukali, e pa veten shpejt në burg. Punonte në minierë, në Spaç, dhe asnjë nuk e pa kurrë njëherë të mërzitur, apo turivarur. Me shakatë e tij, i mbante të gjithë gjallë Hasani. Në kohën e luftës në Kosovë, ’99, punoja si kryetar i zyrës në Bashki, për Koordinimin e Mbështetjes për Refugjatët e Luftës në Durrës. Merreni me mend gëzimin tim kur, sa kisha lënë punën dhe isha rrugës për në shtëpi, shoh Hasan Kukalin. Një “Mercedes” më ndaloi te këmbët, te vendi i pasagjerit, rrinte krekosur me dhëmbët jashtë, miku im Hasani.
Nuk pranoi të vinte në shtëpi: “Nuk kam kohë, Maks, sa me pi nji gotë bashkë dhe më duhet të shkoj”. U ulëm në një lokal. “Maks, ky mashkulli ktu, asht daja im hahahaha”…! Tjetri, që ishte daja, u vrenjt: “Mos ha mut Hasan, banu njiher serioz, e hangërt dreqi”?! Hasani veç qeshte: “Jo more mixhë, jo, nuk ia thom tani, ma vonë, kur të hikim, po i them Maksit, se kush dreqin je”! “E ty dreqnit ta hangshin kryet, jarebi! Më fal, bre vlla, por masi e njifke Hasanin, s’kam ça te flas mà, ku të len ky me ba muhabet…”!
Morëm nga një dopio raki dhe i treguam njëri tjetrit për jetën pas burgut.
– “A ke shkuar në Kosovë, Hasan”?
– “Pooo bre, në vitin ’92 shkova në Gjakovë. Prej aty në fshatin tim, e bëra rrugën në kambë, kisha mall me ecë në kambë, me e shijue çdo gja, çdo hap që bajsha. Sa hyna në fshat, pashë do fëmijë, që po luanin në rrugë. A ma kallxoni, ju thashë, ku asht shkolla e fshatit? ‘Pooo’ – të gjithë dhe u nisën me mue…! ‘Ja ku e kie, q’aty…’! M’u prenë gjunjët. Ndërtesa e shkollës, thuajse ishte rrënue krejt. U ula shesh, nuk mujsha ma, m’u mbushën sytë me lot. 15-16 vjeç isha, kur e lash Kosovën, Gjakovën dhe po kthehesha mas kaq vitssh, ta shifsha të rrënueme si veten…! Fmijt po më kqyrshin pa folë’.
– Hajt, gëzuar Maks, gëzuar mixhë, mos ma veni re…! A e din se edhe ky mixha jem, asht kenë i burgosun politik në Kosovë?! A e din pse?! Sepse donte Enver Hoxhën! A e din sa burg bani?! Dy vjet! Dhe nipi i vet, që shante Enver Hoxhën, bani 10 vjet burg në Shqipni!
– Kemi qenë budallë, bre vlla, nuk dijshim gja, tash po e marr vesh, që Enveri asht kenë klysh i shkjeve, që dorzoi 5 mijë djem kosove te Tito dhe shkijet i prenë, bash si berrat, në Tivar. Tash po e marr vesh edhe marrëveshjen e fshehtë Enver – Tito, për kthimin reciprok për të arratisunit, e njani tjetrit. M’u më janë hapë sytë, por ka ende plot kosovarë, që ia kanë shitë shpirtin dreqit, me emnin Enver…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016