Nga Ali Hasani
Memorie.al / Pjesë e rëndësishme e historisë, kulturës dhe traditës së Shkodrës, është edhe Pazari i Vjetër i këtij qyteti, që, për fat të keq, sot nuk ekziston më. Sipas të dhënave gojore, fillimet e tij, mendohet se i përkasin dinastisë së Bushatllinjve, por që lulëzimin më të madh, ai e arriti gjatë pushtimit osman, duke u bërë pazari më i madh, më i bukur e, më me emër, në katër vilajetet shqiptare, veçanërisht i krahasuar me Pazarin e Prizrenit. Dikush tjetër na thotë, se për nga bukuria, madhështia dhe siguria, ky Pazar, ishte i dyti mbas atij të Stambollit, si dhe në atë kohë, ka qenë tregu më i madh, pothuajse në gjithë Rumelinë.
Pazari i Madh, ishte vendosur në afërsi të qytetit të vjetër, nga ku ka marrë edhe emrin, në një distancë rreth 2 km. me Shkodrën e Re, në një zonë të pa banuar, por që shtrihej poshtë Kalasë së Rozafës e, në breg të liqenit në Shkodër, deri ku del lumi Buna. Nëpërmjet tyre, ky pazar lidhej me linjat detare e tregtare, me botën e jashtme.
Pazari i vjetër në Shkodër, në kohën e lulëzimit të tij, u bë vërtetë një qytet i madh tregtar, midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, i shtrirë në 1.8 km. gjatësi, ku vlonte tregtia dhe ku madhësia e tij, lejonte të punonin dhe të blinin aty, mbi 10.000 njerëz. Ndërsa në ditët e pazarit, ditët e diela apo të mërkura, aty mund të ishin prezentë. më shumë se 30 mijë vetë, çka e tregonte edhe fakti, se shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar, si; “mjeshtërit” më të shkëlqyer në tregti.
Asokohe në breg të Liqenit dhe lumit Buna, ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha, deri te avulloret 1000 tonelata, si dhe kishte edhe një pazar anijesh, që ishte në “garë” me “Pazarin e Madh”, por që ishte edhe si vazhdim i tij. Aty ishin ngritur magazina të mëdha, për hyrje – dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore, si edhe banka dhe afër 1.500 dyqane, të pa përsëritshme, sot e kësaj dite. Në të djathtë të Urës së Bunës, ka qenë Zyra Doganore, ku kryheshin të gjitha veprimet financiare, për import-eksportet e mallrave në Shkodër.
Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët (rrugët) e pazarit, të cilat ishin ndarë sipas zanateve (zejeve), e ku punonin disa qindra zanatçinj e çirakë, që mësonin e punonin çdo ditë. Brenda Pazarit të Vjetër, kishte rregull dhe disiplinë të veçantë, si edhe kryheshin shërbime kafeje, berberhaneje, hekurosje, etj. Gjatë kohës së punës, tregtarët për nevojat e tyre, komunikonin njëri me tjetrin, me anë dritaresh të vogla dhe në fund të ditës së punës, dyqanet mbylleshin me taraba, qepena, si dhe siguroheshin me roje, dhe elemente të tjerë sigurie.
Vlen të informojmë, se; Pazari i Vjetër, përveç anës ndërtimore, ka qenë i sistemuar edhe në pjesën nëntokësore, e konkretisht, ka pasur 5 kanale të tillë, të cilët largonin ujin nga pazari dhe ishin afër 1.8 metër të thellë.
Kanali i parë, mblidhte ujin e kodrave, i dyti përshkonte “sokakun e pemë shitësve”, një i tretë, kalonte “skelën e peshkut”, i katërti, përshkonte “sokakun e kasapëve” dhe i pesti, kalonte përmes “Pazarit të madh”, por që të pesë këto kanale, ujin e mbledhur, e derdhnin në Bunë. Sigurisht, që kanalet pastroheshin çdo vit, nga punëtorë të veçantë.
Pra, që në atë kohë, sistemimit të pazarit i është dhënë një rëndësi e madhe, si në anën ndërtimore, ashtu edhe në relacion, me funksionimin e plotë të tij, për zhvillimin e tregtisë e të zejtarisë. Kështu, shumë shpejt, Pazari i Vjetër u bë qendra më e madhe tregtare e trevave Shqiptare e, më gjerë, në eksport – importin e mallrave, nga; Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë e asaj kohe.
Në planin tregtar dhe financiar, Pazari i Madh në Shkodër, është vlerësuar nga të tjerët, si; “Hipermarketi” më i madh i asaj kohe në Ballkan, si dhe ka qenë i pakonkurrueshëm, për nga madhësia, pasuritë që kishte brenda dhe kapacitetet përpunuese të mallrave, i krahasuar me pazaret e tjerë, të fqinjëve tanë, çka vërteton se Shkodra, ka qenë Metropoli i Arbërisë.
Krye-pazari
Fjala “sokak”, ka kuptimin: rrugë, dhe vjen nga arabishtja “suke”, që domethënë, pazar. Në rastin tonë, fjalën sokak, e kemi përdorur për të treguar sheshin, apo rrugët e secilit profesion, ose aktivitet tregtar. Sokaku i parë i Pazarit, fillonte me Krye-pazarin, i cili ishte edhe stacioni i parë i trafikut, për linjën Shkodër – Kosovë, ku gjendeshin edhe bujtinat e udhëtarëve të karvanëve, që sillnin apo që ngarkonin mallra në Pazarin e Madh në Shkodër.
Krye-pazari, ka qenë edhe një shesh pushimi dhe qëndrimi për pajtonet apo karrocat, me të cilat udhëtonin njerëzit nga qyteti në pazar dhe anasjelltas. Në krye të pazarit, takoheshin 3 rrugët kryesore, si: Rruga e Parrucës, e Tophanës dhe ajo e Molit (portit). Ngjitur me Krye-pazarin, sipër tij, ka qenë edhe Lagja e Gjykatorëve, si dhe banesat e tyre, gjatë pushtimit osman.
Aty ndodheshin edhe dy saranxha, që përdoreshin si depo uji, në atë lagje. Rruga që fillonte në Krye-Pazar, ka vazhduar deri në fund të Sokakut të Skelës dhe atij të Peshkut, duke e ndarë Pazarin e Madh, në dy pjesë.
Bezistani
Në të djathtë të qendrës së Pazarit të Madh, ka qenë Bezistani, d.m.th., pazari. ku ruheshin gjërat e mallrat e çmueshme. Ai ishte një galeri e vërtetë dhe moderne për kohën, i rrethuar, i mbyllur, ku ruheshin dhe tregtoheshin mallra, nga më të çmuarat, si: floriri, xhevahiret dhe objekte antike, të mirë vlerësuara të kohës e, të vendosura për këtë qëllim, në 40 dyqane, dykatësh secili.
Kjo vepër mjeshtërore, si një nga ndërtimet më të rralla të kohës, kishte katër porta të mëdha e, dy të vogla dhe është ndërtuar në vitet 1807-1808, nga Ibrahim Pasha dhe pasardhësi i tij, Mustafa Pasha. Edhe ky ndërtim, pas vitit 1944, është rrafshuar, duke sjellë një dëm të madh, humbjen e një monumenti historik të këtij qyteti.
Objektet kultit si pjesë e pazarit
Në Pazarin e Madh, ishin ndërtuar edhe 5 xhami, si; Xhamia e Teqesë (1756), Xhamia e Kullukhanese, Xhamia e Skelës, Xhamia Mbret ose e Selvisë, si dhe “ Mesxhidi “ (Xhamia e vogël, pa minare), si edhe 5 mejtepe, për shkollim.
Fundi tragjik i një gjiganti
Me largimin e turqve nga Shkodra, përveç faktorit natyrorë, Pazarin e Vjetër, e kanë dëmtuar edhe shumë faktor të tjerë. Veçanërisht malazezët, kur u tërhoqën nga rrethimi 6 mujorë i Shkodrës, më 1913, plaçkitën, dogjën dhe shkatërruan me qëllim, më shumë se 250 dyqanet më të mira, në pothuajse gjithë Pazarin e Madh në Shkodër.
Të njëjtën gjë, bënë edhe kolonët grekë, duke e djegur dhe rrënuar atë më pas. Por gjëmën më të madhe, këtij pazari, ia bëri komunizmi, mbas vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet, i cili u hakmor me Pazarin e Vjetër e të Madh, në Shkodër, si dhe vendosi që pak e nga pak, ta fshinte atë nga faqja e dheut, si edhe nga harta e Tregut Evropian.
Filloi gradualisht, shembja e Pazarit të Madh, me mbi 30 sokakët e afro 1.500 dyqanet, ku ishte punuar e prodhuar, pothuajse gjithçka artizanale e kohës dhe me një cilësi shumë të lartë. Pazari, u la në dorë të emigrantëve grekë, si dhe të jevgjve, të cilët në të vërtetë, e trajtuan atë, keq e më keq. Ata dogjën dyer dhe dritare, si edhe rrënuan sistematikisht, gjithçka ndodhej aty.
E sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, Partia – shtet e komunistëve të Enver Hoxhës, e angazhuar deri në marrëzi, për të luftuar kapitalizmin në Shkodër, përpunoi dhe shpalli; “platformën kundër pronës private” dhe kundër Pazarit të Madh, si dhe nxori edhe vendimin, për prishjen e këtij Pazari.
Kjo u bë në atë kohë, për faktin se ky Pazar, ishte qendra më e madhe e ekonomisë së tregut dhe e kapitalizmit shqiptar, që aso kohe, binte ndesh me politikën dhe ideologjinë sllavo – komuniste, sepse, ata ishin kundër pronës private.
Që pas prishjes së Pazarit, Shkodra nuk ka “ngritur kokë”, kurrë!
Pazari i Vjetër dhe i Madh, ka qenë forma e parë, e fillimit të iniciativës së lirë, e tregtisë dhe prodhimit të madh dhe e zhvillimit të kapitalizmit në Shkodër. Kjo arritje, e kishte nxjerrë atë, në vend të parë, më të fortë e më të pasur, se shumë qytete të tjera, në Ballkan.
Kjo ishte Shkodra jonë, që prosperonte në sajë të punës, tregtisë dhe prodhimit kapitalist, fabrikave të para afër pazarit, si fabrika e miellit, një fabrikë akulli, fabrika e çimentos, si dhe dy makineri, për grirjen e duhanit, etj.
Partia – shtet, njësoj si malazezët, prishi dhe shkatërroi çdo gjë që ishte ngritur e arritur, me mund e me djersë nga shkodranët, deri në atë kohë. U ndalua tregtia në “Pazarin e vjetër e të madh”, u ndalua lundrimi në Bunë e, Liqen në Shkodër, u ndalua edhe dalja në detin Adriatik. Shkodrës, iu prenë të gjitha rrugët e komunikimit me Evropën, Botën e zhvillimin kapitalist, të asaj kohe. U dëbuan nga puna mjeshtërit dhe tregtarët,më të mirë e më në zë, të këtij qyteti.
U shkatërruan, si Pazari i Madh, edhe Bezistani. U mbyll edhe pazari javor. U ndalua tregtia, për një popullsi prej mbi 200.000 banorësh, të asaj kohe, që jetën e tyre, e kishin lidhur vetëm me këtë pazar. U nxorën nga veprimtaria tregtare dhe prodhuese, mbi 3.000 tregtarë. Pra ideatorët, gjithmonë kanë dashur ta shembin Shkodrën. edhe si traditë, edhe si kulturë, por. edhe si ekonomi.
Dora – dorës. ata arritën të shembin tërësisht Pazarin e Vjetër. deri aty sa. nuk mbeti asnjë shenjë e tij. Në këtë rast. Shkodra humbi një objekt të rëndësishëm historik, pse jo. edhe një monument antikiteti. por humbi edhe ekonominë e saj. që me aq mundë e sakrifica. e kishte ngritur ndër vite.
Një fatkeqësi kombëtare! Efekti dhe pasojat e këtij rrënimi, kanë qenë katastrofike dhe janë ndjerë vazhdimisht, në çdo sektor të ekonomisë në Shkodër. Që atëherë e deri më sot, Shkodra nuk ka “ngritur kokë” kurrë.
Një memorial i munguar, si pjesë e historisë dhe traditës shkodrane!
Në mbyllje të këtyre rreshtave, për historinë e një vepre unikale, për Shqipërinë dhe Ballkanin, padyshim që mëndja na shkon tek një mundësi: Ngritja dhe ringjallja sot, e një Pazari të Ri në Shkodër, pikërisht, në vendin ku ka qenë, ish Pazari i Vjetër. Qoftë ky edhe një minipazar, një ndërtim memorial, a diçka tjetër, me çfarëdo lloj emri, që mundë ta pagëzonim, mjafton që aty, të lihet një “gjurmë historike”.
Për të rindërtuar këtë vlerë të çmuar kombëtare, do të dëshironim, që zbatimin e një projekti të tillë, sa modern, bashkëkohorë edhe evropian, ta bëjnë biznesmenët e specialistët më të mirë shkodranë, nën drejtimin dhe mbështetjen e Bashkisë në Shkodër.
Realizimi i një vepre të tillë, të bukur e memoriale, si pjesë e historisë, lavdisë, kulturës dhe traditës shkodrane, aty ku dikur ka qenë “Pazari i Vjetër”, në hyrje të qytetit, rrëzë Kalasë legjendare të Rozafës, buzë lumit Buna e, liqenit në Shkodër, padyshim, që do t’i shtonte krenarinë këtij qyteti, por natyrshëm, do të ishte edhe një atraksion i pa zëvendësueshëm, për turizmin shkodran.
Theksojmë se për disa emra, data dhe ngjarje të shkrimit tonë, u konsultuam me veprën “enciklopedike “Shkodra dhe Motet” të intelektualit dhe studiuesit të talentuar të gjuhës, historisë, letërsisë, kulturës, traditës, botuesit dhe përkthyesit, eruditit dhe albanologut të spikatur, shkodran, “Mësuesit të Popullit“ Hamdi Bushati. Memorie.al