• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Saturday, June 7, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime I mbijetuar

“Ramadani, apo ‘Miklovani’, siç njihej ndryshe në Degën e Brendshme të Durrësit, i tregoi babait tim, se unë dhe Aladin Kapo, ishim arrestuar me urdhër të…”/ Dëshmia e ish-oficerit të Marinës

“Nurien nga Vlora, një spiune e rekrutuar nga Sigurimi, ish-pjesëtare e ‘Ballit Kombëtar’, e mori me vete drejtori burgut, Metani…”/ Rrëfimi tronditës i ish-shoqes së qelisë, së Musine Kokalarit
“Kur më arrestuan në ’77-ën, bashkë me shokun tim, nipin e Hysni Kapos, hetuesi Spiro Spiro, më tha…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të marinës tregtare, të anijes “Durrësi”!
Memorie.al
“Në ministri u dha alarmi pasi, komandanti i burgut, Marku, kishte futur në ‘Xhip’ vajzën bukuroshe, Katrinën dhe ishte nisur drejt kufirit…”/ Ngjarje tragjike e kampit të Tepelenës
“Kryetari i Degës së Brendshme, më tha; na trego çfarë di ti, për veprimtarinë armiqësore të Ramiz Alisë, se do të lirojmë nga burgu, ndryshe do të zhdukim… ”! Relacioni sekret i vitit 1983
“Në ’82-in në Spaç, më kërkuan të shkoja te zyra Operativit dhe u befasova, se bashkë me të, ishte dhe shoku im i fëmijërisë, Kujtimi nga Durrësi, i cili…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-oficerit të Marinës
“Fatmiri, polici zemërmirë që më shoqëroi nga burgu i Tiranës pa më lidhur me pranga, kur mbërritëm në Spaç, më tha…”/ Dëshmia e ish-oficerit të Marinës, i dënuar politik
“Kush ishte ky njeri, një i persekutuar i burgjeve komuniste, a një dashurues i filozofëve dhe një njohës i pasionuar…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për ish-kolegun, deputet e shkrimtar

Nga Maksim Rakipaj

Pjesa e gjashtëmbëdhjetë

Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.  

                                                           Vijon nga numri i kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

                                            (vet)Vrasja e Mehmet Shehut dhe pasojat

…Dhjetor ’81. Jam turni i dytë. Ia kam marrë dorën martelit. Edhe me armatimin, nuk kam aq vështirësi si më parë. Nuk dal më i fundit nga galeria, si në fillim. Sonte mbaroj më herët dhe dal nga të parët jashtë. Turni i tretë, ka mbërritur te sheshi para galerisë së zonës IV. I pari, më del një që punon në sipërfaqe. Nuk kam fare muhabet me të, ka dhe te tjerë si unë, që i shmangen. Por ky, më flet sonte, sikur ta kisha mik të vjetër:

– “E more vesh?! Vdiq Mehmet Shehu, vrau veten! Më e bukura, televizori ia futi program me gërnetë, sa mbaruan lajmet…”?!

Tund dorën i bezdisur, si për t’i thënë “Jam i lodhur, s’më intereson” dhe kërkoj me sy ndonjë shok. Ja, njëri prej tyre: Ron Çobani nga Libohova.

– “Ron, ç’kemi nga kampi”?

Roni, ngre kokën:

– “Hej, Maks, u lodhe? Aaa, nuk e paske marre vesh?! Mehmeti, sipas televizorit, ia hoqi vetes dhe pas kësaj aheng në TV. Sikur mezi e prisnin këtë gjë! Ika, natën e mirë”!

– “Natën, Roni. Dalsh shëndoshë! Të pres nesër kur të kthehesh, pimë ndonjë kafe bashkë me Halil Lazen dhe bëjmë muhabet”.

Kampi ziente nga diskutimet. Më shumë se atëherë, kur vdiq Hysni Kapo. Atëherë u diskutua më shumë kur, pas vdekjes së tij, u botua letërkëmbimi Enver-Hysni, për t’iu mbushur mendjen “bagëtive”, se nuk e vrau Enveri, Nexhi, Ramizi. Por ky trimi sonte, e paska vrarë veten, me dy plumba?!

– “Vrasja e parë e pastër, e Mehmet Shehut – thotë Halil Lazja duke qeshur dhe vazhdon – në qoftë se vërtet ka vrarë veten”!

Sidoqoftë, ideja e përgjithshme, është se priten ndryshime. Ka diçka që fshihet, pas kësaj vrasjeje. Në një grup, madje, diskutohet edhe mundësia e përmbysjes së pushtetit, të Enver Hoxhës. Nga kush? Kur?! Një ish-ballist, flet gati i mallëngjyer: “Kur ta marrim ne pushtetin…”, por nuk e le Spartak Ngjela, të mbarojë fjalën:

– “E ke shumë gabim, ti zotëri. Kurrë, nuk keni për ta patur ju pushtetin. Pushtetin, do ta kemi gjithmonë NE! Juve ju gënjen mendja. Bota u nda me Konferencat e Paqes mbas Luftës së II-të. Amerikani, englezi, na dhanë te rusi, në këmbim të Greqisë! Nuk e di unë, a do jetë Enver Hoxha më, apo jo, unë të them këtë, që do të jetë, një komunist në krye”!

Kaluan disa muaj dhe asgjë nuk ndodhi. Enveri vrau Kadri Hazbiun, me ca të tjerë dhe kaq. Vetëm jeta në kamp, u bë më e lirë, u lejua gjuha e huaj dhe librat hynin më lirisht. Nuk po bënin më ridënime. Filluan të përhapen fjalë, për një amnisti. Takimet me familjarët, bëheshin edhe brenda një dhome, jo si më parë, në këmbë, te porta e madhe e kampit. Shpresa, që kurrë nuk kishte vdekur, në zemrën e të burgosurve, filloi të lulëzojë sërishmi.

Në këtë situatë, një të dielë paradite, më kërkojnë të ngjitem lart. Nuk pres njeri të më vijë, nga familja. Polici më shoqëron te dhoma, ku para ca muajsh, takova Kujtimin. Hyj brenda dhe shoh Ramadan H. ose “Miklovanin”. Pranë tij, i përhershmi Shyqyri Toska. “Miklovani” më buzëqeshi ngrohtë, por nuk lëvizi nga vendi. Pa nga operativi. Dhe ky: “Ky është Maksim Rakipaj, shoku Ramadan”. Unë nuk fola.

– “E shoh. Më thuaj ndonjë gjë për Maksin o Shyqo. Ulu ti, ulu”! – më foli mua.

– “Tani, shoku Ramadan, që pas takimit që Maksi bëri me shokun Kujtim, të them të drejtën, Maksi sillet mirë, por…”!

– “Kush është ky Kujtim”?!

Operativi i foli diçka në vesh.

– “Mirë, e mora vesh, vazhdo, se e le përgjysmë llafin…”!

– “Ja, desha të them këtë, shoku Ramadan, si ta them… eee… që….”!

– “E po, nxirre të shkretën”!

– “Ja, nuk na ndihmon shoku Ramadan. Dhe po të them, se nuk do të na ndihmojë. Po të dojë ky, na bën shumë punë…”!

Unë vura buzën në gaz. Ramadani u vrejt pak dhe foli si me vete:

– “Hëmmm, e kuptova. Maksin, e kam timin, Shyqo. Dhe ti Maks, mos më nxirr dhëmbët jashtë mua, kur flet Operativi i Kampit. Maksi, unë jam transferuar, nga Tirana, në Rrëshen. Partia po mendon, të bëjë diçka të mirë, edhe për ju në burg. Mos ma nxi faqen mua. Vazhdo të rrish me shokë të mirë, mos i ndërro ata që ke. Mos zër të rinj. Xhaferin e takova, ka nja dy javë, mirë ishte. Ka vetëm merakun tënd. Unë po të kem mundësi, do të të ndihmoj. Ke ndonjë hall”?!

– “Thuaju të më heqin martelin, ma nxori shpirtin kjo puna e minatorit”.

– “Mirë. Dëgjove, Shyqo”?!

– “Si urdhëron shoku Ramadan”!

…dhe deri në ditën e fundit të burgut, punova vetëm me martel. Edhe pas lirimit nga burgu!

Dikush nga miqtë më pyeti, nëse e kam parë a takuar më atë Ramadanin. Jo, unë nuk kam patur rast ta shoh. Por në qershor ’85, rreth një muaj, pasi pata filluar punë në minierën e Gërdecit, pas lirimit nga burgu, im atë, e takoi rastësisht në Shkozet. U takuan si miq të vjetër. Babai e ftoi në shtëpi:

– “Hajde, se kam edhe sebep, Ramadan”.

– “Me gjithë qejf, o Xhako, po nuk kam kohë, se pres makinën. Më kanë hequr nga puna e mëparshme, tani jam furnitor i mencës së punëtorëve në Rrëshen. Po a s’më thua, çfarë sebepi paske”?!

– “Më uro për lirimin e Maksit”.

– “Ooo, sa më bëhet qejfi! Kur kështu?! Po punë ka filluar?! Nuk të vi dot në shtëpi, të më falësh o Xhako, se më ikën makina me gjithë mallrat. Eja të të qeras unë, te kjo kafja këtu, se këtu e kam lënë dhe me shoferin. Në minierë, the, ka filluar?! Bravo i qoftë! Ia u paska dhjerë mirë domethënë. T’i hanë munë, s’kanë ç’i bëjnë më. Me shëndet mirë është?! Se m’u duk ca i dobët, atëherë. Prapë, ama, duhet të ruhet. Herën e parë, vërtet e futën kot në burg, por tani, duhet të hapë sytë mirë”.

– “Edhe ti Ramadan, thua që e futën kot…”?!

– “Them që ç’ke me të, se unë, kam firmosur për arrestimin e Maksit”.

– “Si the…?! Edhe më jep dorën, pa pikë turpi…”?!

– “Më dëgjo, pastaj më gjyko, o Xhako. Maksi, Aladini dhe të tjerë, që dalin jashtë shtetit dhe janë kuadro me arsim të lartë, janë nomenklaturë e Komitetit të Partisë së rrethit dhe Dega e Brendshme, është e detyruar, të marrë miratimin e grupit të posaçëm në Ministrinë e Brendshme. Unë dhe Nevzat Haznedari, bënim pjesë në atë grup. Sekretar i parë, ishte Mihallaq Ziçishti. Nuk ia mbante bytha, të firmoste arrestin e nipit të Hysni Kapos. Hysniu ishte numri 2, vinte pas Enver Hoxhës, ti e di. Luhej lojë e madhe.

Më thërret Nevzati mua, që thua ti, në mes të natës. Nisu shpejt, thotë, se nuk pret puna. Vajta. Tym Nevzati. Kanë luajtur menç, ata mutërit e Degës së Durrësit, dashkan të arrestojnë nipin e shokut Hysni. Por është dhe një farë Maksim Rakipaj me të, që nuk e njoh. Ti ke qenë në Durrës, e njeh? ‘Po more’, – i them, – si nuk e njoh. E njoh dhe ve dorën në zjarr për Maksin. I ati, ka qenë partizan, në Brigadën e VI-të, plagosur dy herë. Baxhanakun e Xhaferit, e kam kushëri. U kënaq Nevzati. Atëherë, në rregull, nuk kemi për ta firmosur. Do të vete në Durrës, t’ua u dhjes turinjtë.

Arrestohet, nipi i shokut Hysni?! Kë vrau?! Hatanë të kish bërë, fute një muaj në çmendinë dhe kaq. Ramë dakord, ta mbyllim me Nevzatin. Ia kthen mbrapsht Durrësit ky, propozimin për arrestim. Të nesërmen, më thirri prapë: Hajde Ramadan. Si urdhëron, erdha. E gjeta në zyrë, ishte blozë nga surrati. Na, më thotë, firmose atë që grisëm mbrëmë. Më thirri vetë, Kadri Hazbiu. Mihallaqi, i kishte hyrë vetë Hysni Kapos, në zyrë. Të zbatohet ligji, kish thënë shoku Hysni. O e firmosim, o vemë ne brenda, – më tha Nevzati. Pastaj, e firmos vetë Kadriu. S’kemi ç’bëjmë, do ta firmosim. E firmosëm, o Xhako. Më thuaj tani, kam faj a jo”?

– “Jo, – i tha im atë – s’kam ç’them”.

Pinë nga një gotë dhe u ndanë. Nuk kam dëgjuar më për “Miklovanin”. Kërkesa arrogante e Mihallaq Ziçishtit, bërë Hysni Kapos, për arrestimin e të nipit, shënoi edhe fatin e këtij të fundit. Mihallaqin e dënuan me 25 vjet burg, kurse vëllain, Llambin, që ishte ministër i Shëndetësisë, e pushkatuan. Hysniu vdiq në një klinikë në Paris.

Lajmi zyrtar, qe; “kancer i pankreasit”. Një tjetër nip i tij, i biri i së motrës; së martuar me Xhelil Gjonin; ka qenë ministër i Brendshëm, socialist, në një nga qeveritë e periudhës “demokratike”. Kur shtypi opozitar, e akuzoi për shpërdorim fondesh, rreth pesë milion $, e shkarkuan dhe… e dërguan me një bursë studimi, jashtë shtetit. Një tjetër nip, u bë ministër i Jashtëm, në qeveritë socialiste, pas vitit 2013. Nipi tjetër, Aladini, që u dënua me mua, ndodhet në Itali, refugjat, qysh nga viti 1991. Nuk u trajtua kurrë, si nipat e tjerë, të Hysni Kapos…!

Letërsi në burg

Mbas ndodhisë, që zyrtarisht u quajt vetëvrasje e Mehmet Shehut, është e vërtetë, që në Spaç, pati një ç’tendosje. U lejuan të hyjnë libra, u lejuan gjuhët e huaja dhe u vu re një lloj “zbutjeje”, nga komanda e kampit. U rigjallërua shpresa, që kurrë nuk ishte shuar, ndër të burgosurit. Hyri në kamp, libri “Pallati i ëndrrave”, i Ismail Kadaresë. Visarit, ia solli i vëllai. Si shoku i tij i ngushtë që isha, e lexova menjëherë, pas tij. Visari e ka idhull. Zydiu e ka inat. Unë i kam shokë që të dy, edhe Visarin edhe Zydiun. Më ka pëlqyer gjithmonë Kadareja, shkruan bukur. Por “Pallati i ëndrrave”, hap shumë debate këtu. Aluzionet që bën Kadare, janë të fuqishme, të guximshme.

– “Më hapur se kaq, s’ka si të shkruajë”. – thotë Visari

– “Krahasimi i ‘Pallatit’, me ministrinë e Brendshme, flet vetë…! Ja, Ebu Qerimi, kalon te sheshi i madh, në qendër, lë monumentin e një heroi me kalë dhe kthehet djathtas, për të hyrë në Pallatin e errët, misterioz të ëndrrave…! Çfarë do më tepër?! Që të thotë, se; kalon sheshin në mes të Tiranës, lë monumentin e Skënderbeut dhe hyn në ministrinë e Brendshme? Le pastaj, fjalët që qarkullojnë, për arrestimin e tij, prite një ditë kur të vijë në Spaç”.

Që i vogël më ka pëlqyer poezia. Im atë, më blinte libra gjithmonë. “Pylli i gështenjave” i Lasgushit, “Gjermania, një përrallë dimri”, e H. Heine, etj., kanë qenë librat e mi të parapëlqyer në adoleshencë. Por me kalimin e viteve, shumë pak poezi me vlera botoheshin. Ishte koha e “poetëve fanfara”, po të përdor një krahasim të Kadaresë…! Poezia e Visarit, Zydiut, njohja me poezinë engleze, italiane, etj., ma ringjalli dashurinë, për poezinë. Visari ka shkruar në kujtimet e tij për burgun, si arriti t’i nxirrte krijimet e tij, nga kampi i Qaf-Barit.

Rrezikoi, por i nxori. E dija vetëm unë. Ishim të dy, kur i fshehu në këpucë, për t’ia dhënë të vëllait, në takim në Qaf- Bar. Kur u lirova unë, Visarin e lashë në burg. Shkova në Lushnjë, për të takuar familjen e tij. Gjeta rast dhe e pyeta Ilirianin, të vëllanë, për ato poezi. U bë i paditur: “Nuk di gjë, çfarë poezish thua”?! Ishte fundi i vitit 1984, nuk kishte faj. I thashë, që nuk doja ta dija, se ku i mbante, por e porosita, që t’i ruante me kujdes, sepse ato poezi, i përkasin të gjithë Spaçit, Qaf-Barit dhe jo vetëm atyre; u përkasin të gjithë të burgosurve politikë dhe një ditë, do të botohen. Nga librat e tij të parë, që u botuan, ishte: “Hedh një kafkë në këmbët tuaja”.

E kam me autografin e tij. Janë aty krijime të Spaçit dhe Qaf- Barit. Unë i pata lexuar, në ca dorëshkrime, nëpër fletë të zhubravitura, me pluhur miniere dhe të njomura me djersë. Por që, larg qoftë, mund edhe të ishin njomur me gjak, me gjak të fisëm poeti, me gjak të fisëm, Prometeu të vërtetë, jo prej…!

Birucat ndëshkimore

Pas kontaktit, aspak miqësor, me Vangjel L., operativin Kosta Prifti dhe të dërguarit e Degës së Durrësit, prisja që gjendja ime, në kampin e Spaçit, të rëndohej. Nën “kujdesin” e policit Pjetër Koka, ma spostojnë dyshekun, në katin e sipërm të shtretërve 3 katësh dhe pikërisht, poshtë arkitraut. Pjerini, shkodrani që fle nga e majta ime, më thotë shpesh: “Kadal, Maks, se po e then me hundë, arkitraun”! Nuk mund të rri dot ndenjur në shtrat, prej arkitraut dhe kur më duhet të shkruaj, shkoj te dysheku i Pjerin flokëkuqit.

Është e pamundur, të ndërrosh vendin që të caktojnë për dyshekun; te këmbët e krevateve, është shkruar emri i secilit prej nesh, në mënyrë që policët, ta kenë të lehtë të të gjejnë në çdo orë, edhe natën. Kryet e shtratit tim, i kam zbukuruar me figura kafshësh, që i marr nga revista “Shkenca dhe jeta”. Kafshët, si krokodilë, gjarpërinj, zhapinj të shpifur, akrepë, etj., janë më të parapëlqyerat, për mua. Kafshë të ndyra, gjakpirëse, zvarranike, plot 13, sa është numuri i anëtarëve të byrosë politike. Kur më transferojnë në Qaf-Bar, e trashëgon Pjerini “Byronë”, madje e plotëson dhe me figurat e kandidatëve të Byrosë.

Mundohem të zbatoj të gjitha rregullat dhe oraret e kampit, përpiqem me shpirt ndër dhëmbë, të bëj normën çdo ditë, vetëm për të shmangur ndëshkimin me birucë. Janë të tmerrshme birucat e Spaçit, të vogla: dy metra e gjysmë të gjata, një metër të gjëra dhe dy metra të larta. Në dimër të lenë vetëm në birucë, pa asnjë triko, pa kapele, vetëm me kostumin prej doku, brekët, bluzat, që të jep komanda dhe një palë çorape pambuku. Mendo të kalosh një muaj në dimër këtu, në temperatura që shkojnë edhe nën minus 10-15 gradë C.!

Ushqimi në birucë është: mëngjesi një lëng i shpifur, i ftohtë, qepësh a domatesh; në drekë një supë, ku notojnë ca fije makarona, ndonjë kokërr oriz ose, lëvozhga groshe; në darkë çaj, që është një ujë i ngjyrosur me sheqer të djegur dhe tre feta të holla buke. Në verë, është edhe më keq. Në atë hapësirë të ngushtë, ku të zihet fryma edhe sikur të jesh vetëm, rrasin pesë, gjashtë, deri në tetë vetë. Birucat janë ndërtuar në një gropë pas depove, ku janë plaçkat e të dënuarve dhe dyqani, që hapet një herë në muaj. Do të flas edhe për dyqanin, më poshtë. Tani jemi te katër birucat e kampit të Spaçit. E provoj edhe unë njëherë birucën, sado që ruhem shumë.

…Arsyet e ndëshkimit me birucë  janë nga më të ndryshmet: mosplotësimi i normës, një grindje mes të burgosurve (tek ne janë të rralla grindjet mes të burgosurve), mosrespektimi i rregullores së brendshme të kampit dhe kjo kodosh rregullore, varet si ta interpretojë polici i shërbimit ose, oficeri i rojës. Mjafton që një polic, të të marrë me sy të keq dhe e ke të siguruar birucën. Operativi, që është oficeri i Sigurimit të kampit, ka pjesën e luanit, në ndëshkimet në përgjithësi. Zydiu, ka kaluar janarin e kaluar, një muaj në birucë. I ftohti shkon edhe më poshtë se, minus 10-15 gradë C. Një muaj vrap ka bërë, brenda dy metrave të birucës.

Kur ndalonte vrapin, i sfilitur, bëhej gur nga të ftohtët. Ishte vetëm në birucë, nga të çarat e derës prej druri, era fuste borën e ngrirë. Natën ishte e pamundur të flije, mbuluar me një batanije të hollë, gati të tejdukshme. Kur doli mbas një muaji, ishte kockë e lëkurë, por buzagazi, nuk iu nda kurrë. Të mallëngjen kujdesi i shokëve, në këto raste. Numëronim ditët. Edhe 17, edhe 16, edhe 9 ditë, i kanë mbetur. Përpjekjet për t’i futur ndonjë batanije, ose triko, gjithmonë dalin të kota. Nuk thyhet polici Pjetër Koka. As Preng Rrapi. Askush. Më në fund, afati mujor plotësohet, shokët gatuajnë në kuzhinën private, gjërat më të mira që mundin. Nxjerrin nga çantat ç’kanë ruajtur, nga ato që u ka dërguar familja…! Të gjitha këto, të bëjnë që të ruhesh nga ndëshkimi me birucë. Ruhem edhe unë.

…Fundi i korrikut 1980, është shumë i nxehtë. Mali i zhveshur nga bimësia, reflekton gjithë nxehtësinë mbi kamp. E diel paradite. Bie çanga për rreshtim, në tarracën e kampit. Për pesë minuta, jemi të gjithë mbi tarracë, duke u pjekur në diell. Përballë, në ballkonin e katit të parë, duket shefi i policisë së kampit, operativi Kosta Prifti dhe disa policë. Kosta, i bën një shenjë policit Pjetër. Pjetri i afrohet menjëherë. Kosta i pëshpërit diçka në vesh. Shefi i policisë, lexon një urdhër të komandës. Askush nuk mund të lëvizë, pa u dhënë urdhëri: “Shpërndahu”.

Polici Pjetër, sulet drejt tarracës me vrap, pas tij dhe dy policë të tjerë. Polici Pjetër, afrohet te rreshti im, me gishtin tregues përpara: “Ti”! dhe ndalon përpara meje. “Pse rrin ulë në rresht, ti i dënum, kur lexohen urdhrat e komandës?! Shpejt nalt, me vrap, vrap, vrap, vrap! Maskara, kriminel”! Nuk më le kohë të shfajësohem, nuk kam kohë t’i them që unë, i zbatoj rregullat dhe kam frikë t’i thyej, se kam bërë një shkollë ushtarake dhe e dim se kur je në rresht, nuk mund të ulesh dhe unë kurrë në jetën time, nuk jam ulur ndonjëherë kur kam qenë në rresht. Buzëqeshja prej zhapiku e operativit Kosta Prifti, më bën të kuptoj, se nuk është punë rreshtash.

Më komunikojnë ndëshkimin: 30 ditë. Mbas meje, vijnë dhe dy të tjerë: Petrit Karazi nga Tirana dhe Ferit Lopa. Të nesërmen u bëmë 5 vetë në birucë. 6 te biruca tjetër. Dy biruca janë bosh. Për fat, kam në birucë, Ferit Lopën. Ka gjithçka me vete Feriti, që u drejtohet të gjithëve, me togfjalëshin; “dora jonë”. Me gjithë kontrollin e imët trupor, që na bëjnë para se të hyjmë në birucë, Feriti, ka me vete mbi 200 gram duhan dhe letra duhani, brisk, biçak, gur çakmaku. Është si magjistar Feriti, një film mund të bëhet me figurën e tij, një film tragji – komik.

Na jep të gjithëve duhan dhe na i ndez. Bën xixa me briskun dhe gurin e çakmakut; xixat ndezin një hi të zi. Hiri i zi, është çka mbetet nga djegia e një lecke të pastër e të bardhë, që Feriti, dreqi e di, ku i fsheh…?! Na mëson edhe neve, mjeshtërinë e ndezjes së cigares, pa shkrepëse. Vapa na i merr frymën. Vendosim, të mos pimë duhan, të gjithë njëherësh. Nata është më e rëndë, kur çlirohet gjithë nxehtësia, që çatia ka marrë gjatë ditës. Biruca nuk qenka më shumë se 1 metër e 60 cm. e gjerë; pesë vetë jemi shumë. Por “mendon” komanda, për lehtësimin tonë. Pas dy ditësh bëhemi shtatë.

Mos t’ju duket se kam bërë ndonjë heroizëm të madh. Asllan Togu, ka bërë 11 muaj birucë, Hiqmet Myzyri 8 muaj, shumë ka bërë edhe Spartak Ngjela, poeti Gëzim Medolli…! Sipas rregullores, dënimi maksimal, ishte 30 ditë birucë. Por ia kishin gjetur anën edhe kësaj. Të nxirrnin në drekë pas 30 ditësh dhe të rifusnin, të nesërmen në mëngjes. Asgjë s’i pengonte të përsërisnin të njëjtën gjë, pas 30 ditësh të tjera…! Memorie.al

                                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Prishja e Pazarit të Vjetër të Shkodrës, nga regjimi komunist, u bë me qëllim, pasi ai ishte qendra më e madhe e kapitalizmit shqiptar dhe...”/ Historia e panjohur e “Hipermarketit” më të madh të Ballkanit

Next Post

Kalendari Historik 12 Janar 2024

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
Kalendari Historik 2 Janar 2024

Kalendari Historik 12 Janar 2024

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!