Memorie.al / Muhamet Gjyli, me origjinë nga Bilishti i krahinës së Devollit të Korçës, dëshmon jetën e një “djali armiku”, me peripeci të mëdha, që nga fëmijëri e tij dhe deri sa u shemb regjimi komunist, që i jepnin punët më të vështira dhe e mbanin nën survejim dhe presion, si dhe kalvarin e gjatë të familjes së tyre, ku të gjithë xhaxhallarët e tij, përfunduan burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Kujtimet e një fëmije nga dita që i arrestuan të atin dhe rrugët e vështira, kur shkonte për ta takuar në burgjet e shumta që ai vuante dënimin, si: Ballsh, Reps, Spaç, Tiranë, etj. Për më shumë rreth kësaj, etj., na njeh intervista me z. Muhamet Gjyli, e cila është marrë nga arkiva e familjes Doko.
Z. Muhamet, cila është zanafilla e përndjekjes së familjes suaj?
Unë jam i datëlindjes 1955 dhe rrjedh nga një familje e mesme. Persekutimi i familjes sonë ka filluar në fillim të 1945-ës, pra pak ditë pas mbarimit të luftës. Babai im Ramadani, kishte gjashtë vëllezër, edhe vetë shtatë, dhe dy motra. Xhaxhai i vogël, Nazer Gjyli kishte qenë milic, në periudhën e pushtimit. Është arrestuar nga regjimi komunist, sepse ishte punonjës në zyrat e FASHO-s, në Korçë, e akuzuan për djegien e zyrave, e arrestuan, e futën në burg. Ai ishte trup i fuqishëm, i zoti. Në fillim të ’44-ës, e morën dhe atë. Ka hapur burgun e Korçës në fillim të ’45-ës.
Nxori gjithë ata njerëz që kishin qenë aty në burg, si Emil Xhaxhavicën, e shumë të tjerë. Ishin nja 13 veta. E plagosën. Ai i nxori ata, të cilët ikën, u arratisën. Pastaj atë, sipas të thënave të nënës, babait e xhaxhallarëve, e plagosën dhe e kanë vrarë vetëm me dru. Pra e masakruan. Në fillim të ’46-ës, kanë marrë xhaxhanë e madh në burg, Shaban Ali Gjyli dhe xhaxhanë tjetër, nën këtë të madhin, Selami Ali Gjyli. I kanë marrë të dy, pasi u vranë të vëllanë, i morën në burg ata të dy. Janë liruar me amnistinë e 1949-ës, të Koçi Xoxes, u liruan të dy. Pasi u liruan këta të dy, xhaxhain e madh, nuk arriti të rrijë as disa muaj këtu, një ta marrë, e internuan në Tepelenë.
Po me xhaxhallarët e tjerë, çfarë ndodhi?
Në ’51-shin kanë marrë xhaxhanë tjetër, Ibrahim Gjyli. Ka qenë kunat i Seit Bylykbashit, ka marrë të motrën e Seit Bylykbashit. E morën, e internuan edhe këtë, në Krutje të Lushnjes, ku dhe ndërroi jetë. Xhaxhanë tjetër, Shabanin, që e morën për së dyti, e shpunë në Tepelenë, e nga kampi i Tepelenës, e shpunë në Savër të Lushnjës, bashkë me familjen, siç ishte. Aty ndërroi jetë dhe ai, në vitin ’54, pra Shabani. Kurse Ibrahimi, ky xhaxhai tjetër, që ishte kunati i Seit Bylykbashit, ka ndërruar jetën në ’57-ën, në Shtyllas të Fierit, ku ishte i internuar. Në ’56-ën, iu vra një djalë, Shabanit, i cili ishte ushtar.
Meqë ishte me biografi të keqe, siç thoshin atëhere, i detyronin të zbërthenin dinamitet, t’i nxirrnin barutin nga predhat, që iu duheshin për punë, në gurore. Është vrarë dhe ky, nipi.
Po pas gjithë këtyre ngjarjeve, pra arrestime, burgosje, vdekje, internime, ç’ndodhi me tej me familjen tuaj?
Vazhdoi dhe pak rrjedha e jetës sonë, që nuk u ngacmuam më. Pra, u bënë nja 10 vjet, që nuk na prekën. Në 16 dhjetor të ’68-ës kanë marrë babanë në burg, duke e akuzuar për agjitacion dhe propagandë dhe armëmbajtje pa leje, sepse kishte një revolver. Sikur nuk u mjaftuan me gjithë këta vëllezër, që një ia vranë, dy i vdiqën në internim, erdhi puna e, morën dhe babanë, e futën në burg. Unë kam qenë në moshën 13 vjeç, kur e kanë marrë babanë në burg.
Ju e mbani mend arrestimin e babait?
Ka qenë ditë e hënë, 16 dhjetor, 1968. Unë isha 12, për 13 vjeç. Kam qenë në shtëpi. Motra e nënës, pra tezja jonë, kishte marrë në shtëpi, nënën tonë, aq sa ne nënës, i thoshim teze dhe xhaxhaicës, i thoshim nënë, se nuk kishte fëmijë. Unë kisha ardhur nga shkolla dhe po rrija në shtëpi. Ishte kohë dreke. Në atë kohë vijnë në shtëpi, ish-operativi, Xhezmi Ahmeti, disa oficerë të Sigurimit të Korçës, anëtarët e Këshillit Popullor të qytetit, se pa ata, ishte si rregull, që nuk bënin kontroll në shtëpi këta të Sigurimit. U futën në shtëpi, isha unë, nëna dhe xhaxhaica, ose tezja. – “Kjo është shtëpia e Ramadan Gjylit”?, pyetën ata “Po”, u thashë unë, që isha 13 vjeç, djalë.
I thonë nënës që; “Ramadanin e kemi arrestuar, se është armik i popullit”. I thotë nëna: “Ju e dini”. – “Por ne kemi të dhëna, që këtu ka armë”, thonë ata. – “Nuk e di, – i thotë nëna. – 25 vjet çlirim, të kemi armë akoma”. Megjithatë, ai e kishte, një revolver, e kishte vënë në bodrum, biles edhe unë e merrja e shikoja, kur e pastronte. I them nënës: “Ta marr, ta heq revolverin”? Më thotë nëna: “Rri, se ata dinë diçka, pa kanë ardhur, kot nuk kanë ardhur”! E gjetën armën ata.
Morën, sekuestruan një biçikletë, një radio, ato kishin mbetur, sepse në shtëpinë tonë, ishin bërë katër herë sekuestrime: pronë të paluajtshme dhe të luajtshme, me bagëti, me ç’qenë, edhe një palë shtëpi të sekuestruara. Ndërsa atëherë, nuk kishin më çfarë të merrnin. E morën armën. I thonë nënës: “E shikon këtë?! Do të ta mbaj ty, në ballë”! E si përfundim, e nxjerrin në gjyq babanë edhe i thanë: “Ke folur, ke sharë pushtetin…po armën përse e deshe”?!
Si iu përgjigj babai juaj?
Unë isha i vogël dhe më bëri përshtypje, kur babai u tha: “Desha të vrisja disa komunistë, këtu në Bilisht”. – “Po kë”?, e pyetën ata të trupit gjykues. Dhe babai u tha; filanin…filanin, edhe i tha me emra. – “Po, pse kërkon t’i vrasësh”?! vazhduan prapë ata – “Sepse ata më shkatërruan familjen. Ne jemi familje që nuk i kemi rënë në qafë njeriu, nuk i kemi bërë kurrë keq njeriu”. Babai kishte pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë. Më i madhi ishte 18 vjeç. Dy të mëdhenjtë, e kanë bërë ushtrinë në Bunë, kurse unë e kam bërë në ndërtim, edhe vëllai i vogël, ashtu.
Ku e kreu dënimin babai dhe ju e takuat gjatë asaj kohe që ishte në burg?
Babai, pesë vjet ndenji në Spaç. Nga Repsi, deri në Spaç, unë e kam bërë tri here, atë rrugë.
Çfarë kujtoni nga ato udhëtime dhe takime?
Të parën do t’ju tregoj, kur babanë e morën nga gjykimi dhe e çuan në spitalin e burgut të Tiranës. Mirëpo, ai nga ilaçet ishte fryrë shumë, ishte shumë i shëndoshë. Kur doli në gjyq, ai ishte njëri shfytyruar, qe njeri tjetër, shumë i dobët. Kemi vajtur rreth 10-12 veta në spital. Edhe i thotë xhaxhaicës për mua: “Të kujt ia keni këtë djalë”?! I kishte thënë xhaxhaica: “Po çfarë llafos, ti Dane?! Ky është Meti”! E nejse…! Po ishte shumë i sëmurë. Si përfundim, e shpunë në Spaç. Unë kam vajtur tri herë në Spaç, ndërsa nëna, vëllezërit, kemi pasur dhe një dajë, (njeri shumë të mirë, punonte shofer ai), më shumë…!
Nga Repsi, deri në Spaç, ishte gati nja 3-4 km., a më shumë. Një rrugë, rrëzë malit. Të ngarkuar me çanta ne. Nga Repsi në Spaç, nuk të merrte asnjë shofer, detyroheshim flinim aty një natë, pas takimit. Kur shkoje lart, në krah të majtë, ishte kampi, në krah të djathtë, ishte një barangë, edhe lart, shkonte rruga që nxirrte këto kamionët që ngarkoheshin aty me mineral. Aty rrinim, që flinim ne, se ishte e pamundur të ktheheshim.
Biles, një natë, herën e dytë, isha me djalin e xhaxhait të madh, ishin edhe dy nga Kukësi, në atë kohë, na i dhanë ato batanijet që sillnim nga shtëpia, ai djali i xhaxhait, kishte një mushama meshini, iu dogj te zjarri, se ndiznim zjarr ngaqë ishte ftohtë. Kur ktheheshim, mund të na merrte, po të rastiste ndonjë shofer shkodran, se çfarë ishin nga këta, mirditorët, e pamundur. Kur iknim, ishte e pamundur fare, por edhe kur ktheheshim, si të qëllonte. Unë, dy herë u ktheva me makinë, një herë në këmbë, deri në Reps. Pastaj e transferuan atë, në Ballsh. Rastisi që unë isha ushtar në Gjirokastër, ishte viti 1973. Babai ishte në Ballsh, unë në Gjirokastër.
Ndenja nja një vit e ca në Gjirokastër, kohën tjetër, e kam bërë në Tepelenë. Kishim një komandant kompanie atje, Vangjel Malta, ishte njeri shumë i mirë ai. Më dha lejen e zakonshme ai mua dhe ika unë. Autobusi, shkonte; Korçë-Tepelenë-Gjirokastër, edhe kur ktheheshe, kështu. Edhe lejen, po të ishte shtatë dite, na e jepnin të hënën, ose të enjten, sepse në ato ditë, kishte autobus. Mirëpo unë, duhet të shkoja të shikoja babanë, në burg. Mora fletën e lejes, u nisa për në Ballsh. E mbaj mend, mora 10 paketa cigare “Partizani”, i futa në një plastmasë të gjatë, vajta në kamp, regjistrova emrin.
Kur, si mbaroi regjistrimin ai, më thotë: “Hajde kalo pak matanë, të kërkon oficeri i rojës”. Vete unë atje. Ishte oficeri i rojës, një burrë me mustaqe, i shtrirë në krevat. – “Pse ke ardhur këtu”?, më thotë ai mua. – “Kam ardhur të takoj babanë”. – “Po nuk lejohet, ai është armik”. – “Ai mund të jetë armik, por është babi im. Pastaj, po të mos lejohej, mund të mos na lejonin të vinim”! – “Po ti je dhe ushtar…”! Dhe filloi llafet ai…! Çfarë t’i thosha, nuk mund ta kundërshtoja. – “Mirë, – më thotë mua, – ik takoje”. Ika, takova babanë unë.
Ngrihem unë, atë natë vete në Fermën e “Çlirimit”, se nuk shkoja dot në shtëpi, atje kisha njerëzit e mi. Kur kthehem në repart, më thotë ai komandanti i kompanisë: “Ore Mehmet, nga kalove ti”?! – “Po unë ika këtej nga Fieri, komandant”. – “Po pse ike nga Fieri?! Pse nuk ike me autobus”?! I them unë: “Po kam babanë në burg, në Ballsh dhe vajta e takova”. Po ishte shumë njeri i mirë. “Ore, – tha, – po pse kujton ti, që nuk e dimë ne? Se kur vajte ti, ne na ra telefoni. Na thanë: Ta lëmë, apo mos ta lëmë?! Se vërtet ka lejë, po çfarë njeriu është”?! E megjithatë, kishte edhe njerëz të mirë. Pastaj, gjatë punës, mendoje vetë, si mund të ishim ne.
Sa vjet u dënua babai?
Babai u dënua 10 vjet, 8 vjet për agjitacion dhe propagandë dhe 2 vjet për armëmbajtje pa lejë. Ai ka bërë 9 vjet e, tetë muaj e gjysmë, burg.
Ju, si ju trajtonin gjatë kësaj kohe?
Ne shumicën e njerëzve i kemi pasur të internuar në zonën e Myzeqesë. Në diskutimet që bënin, edhe ata vetë na thoshin: “Më keq, jeni ju këtu, sesa ne andej”, sepse një familje e sfilitur, e vrarë, e dënuar…! Llogarit, këtu në Bilisht, ne katër vëllezër, ushtrinë, dy e bënë në Bunë, dy në ndërtim. Punët: minierë, gjeologji, bonifikim. Ne punonim se ishim njerëz të punës, edhe prindërit tanë, njerëz të punës ishin, se kishin gati 300 dynymë tokë. Ata na thoshin: “Ju punoni, se keni frikë”, që të na ngacmonin.
Ju survejonin gjatë kësaj kohe?
Shumë, shumë. Ai daja, që përmenda, na ndihmoi shumë, na mësoi për këto survejimet që na bënin. Por periudha më e keqe, për ne, ishte koha e ushtrisë. Atëherë, kur na thërrisnin për ushtar, një natë, duhet të rrinim në Korçë, sepse duhet të paraqiteshe në mëngjes herët, në orën 6.00 te Dega Ushtarake, apo siç i thonë sot, Zyra e Rekrutimit. Edhe ne rrinim te daja. Ai na mbante në darkë, i largonte të gjithë fëmijët, na merrte më vete dhe na thoshte: “Nëse do biesh pre e Sigurimit të Shtetit, je kartë e djegur, mos u mundo të jetosh më”.
Ishte mënyra e tij, se si na fliste, nga dashuria, nga dhembshuria. Ai na thoshte: “Do të bëjnë këtë, do të bëjnë atë, ti, do përpiqesh, të mos pranosh asgjë. Po të arrijë keq puna, do thuash: “Ore unë, çfarë bëj ditën, e flas natën. Do sakrifikosh, një javë, edhe një muaj, që të rrish pa gjumë, edhe do bësh sikur flet, sikur zihesh me shokët”. Edhe ne, na ndodhën, ashtu siç na kishte porositur daja. Mua më ka ndodhur, e kam provuar vetë.
Çfarë ju ndodhi, konkretisht?
Vajta ushtar, në 27 nëntor, të ’73-shit. Kam vajtur ushtar në Gjirokastër. Atje kishim komisar, Flamur Bilica, djalë 30 vjeç, i ri. Ishte njeri i mirë, kështu dukej nga pamja e jashtme. Ne punonim në llaç, bënim shtëpinë e oficerëve. S’vajti as dy muaj e ca, më dërgoi me lejë. As betimi, nuk ishte bërë. Vij me lejë në shtëpi, sa u çuditën. U ktheva atje, më priti mirë…! Pastaj, filloi të më ngacmonte. Më thoshte: “Shiko, se ne e dimë që familja juaj, është familje shumë e mirë. Ju keni ndihmuar Luftën, keni bërë këtë, atë, pavarësisht që u bënë ca gabime, por ti, do shikosh filanin, filanin, se i ke nga zona jote”.
Mos t’i them me emra. “Do shikosh, çfarë flasin”, më tha ai. -“Po nuk jam për këto punë. Ne jemi të djegur vetë. Mua, edhe ata, nuk më afrohen”. Unë i kisha të zonës sonë: nga Poçara, djalin e Mustafait, që ia kishin vrarë babanë atij, kisha një Myfterem Hoxha, nga Cangonji…!
Si u rezistuat presioneve, për t’u bërë spiun për shokët?
Rezistova duke thënë që; mua nuk më afrojnë dhe që unë flas natën. Pra, mësimet që më jepte daja. Që nga koha që më dërgoi me lejen e parë, pastaj, nuk donte të më shikonte me sy. Në ’74-ën, rastisën dhe ato dënimet e Petrit Dumes, Beqir Ballukut, etj.
Unë në atë kohë, dogja dy gishtat me serrë, apo zift siç i thonë. Siç e zura kazanin e serrës, se atëherë primitive ishin kushtet e punës, dogja dy gishtat dhe më dhanë raport mjekësor. Komandant kompanie, kishim një Ramazan, ai ishte shumë burrë i mirë, ishte mbi 50 vjeç.
Kishte respekt për mua dhe donte të më nxirrte një fletë-lejë, në bazë të raportit mjekësor, por atëherë, fleta e lejes, dilte, ose nga komandanti i Korpusit, ose nga Komisari i Korpusit, ose nga shefi i Shtabit të Korpusit. Futet ky, te dy prej këtyre, por ata e shikonin dosjen dhe nuk ia jepnin lejen. Atëhere më thotë: “Ore, çfarë ke ti?! Se ata, sa shohin dosjen, nuk ta japin lejen”?!
Mirëpo edhe unë, kisha respekt për të dhe i thashë të drejtën: “Komandant, po të jetë për të zeza, ç’mund të shkruhen për mua, i kam në dosje”. Më tha: “Meqë m’u tregove i sinqertë, do të ndihmoj”. E ka marrë nga shefi i Shtabit të Korpusit, firmën time. Edhe në atë kohë, kishte njerëz të mirë, kisha edhe komandantin e kompanisë në Tepelenë, edhe komandantin e kompanisë në Gjirokastër. Ishin njerëz shumë të mirë.
Ku punuat, pas ushtrisë?
Sa dola nga ushtria, fillova në Bonifikim.
Krijuat familje?
Ne si familje me biografi të keqe, këtu në Devoll, nuk na jepnin nuse, prandaj unë e kam marrë në Lushnjë gruan time. Edhe vëllai im, ka marrë në Fermën “Çlirimi”. Ishin të internuar, nuk ishin që andej. I ati, ishte nga Koshnica, e ëma nga Kolonja, ishin të internuar. Kurse vëllai i vogël, e mori gruan nga Alarupi, por e internuar në Shtyllas. Vëllai i dytë, e mori nga Mallakastra, por të internuar në Fermën “Çlirimi”. Ne, këtu nuk merrnim dot nuse.
Si i pritët ndryshimet e regjimit?
Këto momente, kanë qenë nga më të mirat, për ne. Por kanë qenë edhe pak të ndrydhura nga njerëzit, sepse Bilishti, ishte vend i vogël. Kur vjen puna, më thërret mua sekretari i Partisë Demokratike, kishim muhabet shumë, ishin njerëz të mirë, të nderuar. Më thotë mua: “Meti, po e shikoj, që nuk po afroheni nga PD-ja”. I thashë unë: “Firmat e para për PD-në, ku janë marrë”?! –“Në familjen tuaj janë marrë”. – “Po, pse e kërkon të afrohemi”?! – “E kërkoj, sepse ju takon”, më tha ai.
– “Po nuk na takon, se ne shkollë nuk kemi, por zgjuarsia nuk na mungon! Tani, pas kujt të vijmë…”?! Dhe ia them ca emra unë, se ishin nja tre-katër veta, që kishin qenë në Këshillin Popullor të qytetit. Domethënë, me pak fjalë, ne të ligën më të madhe e, kishim prej atyre. U thashë unë: “Nuk ju vijmë andej. Votën e keni, sa të jemi ne, e keni, por anëtarë të PD-së, nuk bëhemi”. Memorie.al
Marrë nga Kujto.al