Nga Vepror Hasani
Memorie.al / Hasani dhe Mehmet Deda, ishin dy stërgjyshërit që krijuan familjet e mëdha të Frashërit. Hasani rridhte nga familja e Kol Nikollës, kurse Mehmet Deda, nga familja e Dedë Dukës, ky i fundit vinte nga Dukë Kryeziu. Prej Hasanit, u krijua fisi i madh i Sulejmanbellinjëve, të cilët ishin miq të Ali Pashë Tepelenës. Prej Sulejmanbellinjëve, rrjedhin edhe Hasanas-it e Butkës, fisi i Skënderasve dhe fisi i Kasollarëve të Frashërit, këto dy të fundit, iu përkushtuan bektashizmit, ndërsa nga Dukë Kryeziu, u krijua fisi i madh i Vilakëve. Për të kuptuar më shumë, ndiqni rrëfimin.
1431, Frashëri me 6 shtëpi
Për të parët e Frashërit diçka dihet. Në vitin 1431-‘32, sipas regjistrit ixhmal (përmbledhës), të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, Frashëri kishte 6 shtëpi, nga të cilat 5 me kryefamiljar dhe një shtëpi me 1 beqar. Familjet ishin të krishtera. (Regjistri i hartuar në osmanisht, ruhet në Arkivin e Kryeministrisë së Turqisë (Basbankalik arsivi. Maliye’den mudevver def.no. 231. Fotokopja e defterit të vitit 1431-32, e përkthyer nga Vexhi Buharaja, ndodhet në arkivin e Institutit të Historisë, Tiranë, por e pabotuar deri më sot). (Kristo Frashëri, “Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, f. 19).
Në vitin 1504, sipas regjistrit mufasal (i hollësishëm) Frashëri kishte 41 shtëpi, nga të cilat 40 të krishtera dhe 1 familje me pjesëtarë myslimanë. (Në origjinal ky defter ruhet në Ankara (Tapu ve Kadastri umum mudur – lugumum Arsivi Ankara), një fotokopje e këtij defteri ndodhet gjithashtu në arkivin e Institutit të Historisë, Tiranë. Si origjinali ashtu edhe përkthimet, janë ende të pabotuara. (Kristo Frashëri, “Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, f. 24). Të publikuara nga ky defter janë vetëm 28 emra të kryefamiljarëve, pjesa tjetër mungon, gjë që nuk na jep mundësi të njihemi me të gjitha familjet e kësaj kohe. Nga emrat që kemi, vërejmë se fisi më i madh është i Dukë Kryeziut.
Fiset e Frashërit në vitin 1504
Në regjistrimin e vitit 1504, emrat e banorëve të Frashërit kanë këtë renditje: Dedë Duka, Dukë Kryeziu, Uk Deda, Gjon Deda, Martin Bardhi, Deskë Gjini, Dedë Gjini, Kozma Shurbi, Kolë Shurbi, Llazër Shurbi, Bendo Shurbi, Gjon Gjoni, Llazër Gjoni, Gjin Tole, Mëhill Thoma, Dhimitër Deda, Ilia Leka, Dhimitër Nikolla, Lekë Kushta, Tole Mihali, Dedë Dhimitri, Kolë Mihali, Thanas Kozma, Tole Kozma, Gjon Prifti, Nikolla Mesera, Decke Tole, Mëhill Thano. (Marrë nga Alfred Frashëri dhe Neki Frashëri “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, f. 35).
Fisi që tërheq vëmendje sërish është Dukë Kryeziu. Po të kemi parasysh faktin që në këtë periudhë për mbiemër përdorej emri i babait, mund të bëjmë këtë renditje të këtyre familjeve: Dedë Duka, (Deda biri i Dukës); Uk Deda, Gjon Deda, Dhimitër Deda (bij të Dedës) dhe Dedë Dhimitri (biri i Dhimitrit). Emrat e familjeve i përkasin krishterimit të hershëm shqiptar, ende nuk ka ndikim të krishterimit ortodoks. (Edhe ky regjistër ndodhet në Institutin e Historisë, Tiranë, ende nuk është botuar).
Fiset e Frashërit në vitin 1593
Në regjistrimin e tretë, mufasal, të sanxhakut të Vlorës, në vitin 1593, Frashëri ka 58 shtëpi, nga të cilat 50 të krishtera. Tashmë vërejmë edhe emra të krishterimit lindor (ortodoks). Nga regjistri i vitit 1593, janë publikuar vetëm 31 emra me këtë renditje: Stojo Deda, Laskë Deda, Thanas Deda, Martin Gjini, Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni, Velko Gjoni, Laskë Tole, Kolë Nikolla, Martin Gjira, Gjikë Mërtira, Gjikë Kola, Kolë Gjika, Like Kola, Pjetër Kola, Mërtir Kola, Likë Papa, Kolë Papa, Todor Dhimo, Stepa Stiri, Dukë Laska dhe Gjokë Doçi
(Marrë nga Alfred Frashëri dhe Neki Frashëri “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, f. 35).
Zanafilla e familjeve të mëdha
Në vitin 1593, fisi që mbizotëron në Frashër, është fisi i Kol Nikollës me familjet: Gjikë Kola, Kolë Gjika, Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola. Pjesë e këtij fisi, janë edhe familjet: Likë Papa, Kolë Papa dhe familjet Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni.
Më konkretisht, fisi KOLA (NIKOLLA) përbëhet nga këto familje: Nga Gjikë Kola dhe Kol Gjika (at e bir); nga Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola (bij të Kolës); nga Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni (bij të Gjonit); dhe nga Likë Papa dhe Kol Papa (bij të Papës). Emrat që përsëriten brenda fisit dhe që shërbejnë si mbiemra janë pesë: Gjikë, Likë, Kolë, Papa dhe Gjoni të cilët janë gjyshërit e tyre. Gjithashtu edhe fisi i Dukë Kryeziut, vijon të jetë i pranishëm edhe në vitin 1593, me familjet: Stojo Deda, Laskë Deda dhe Thanas Deda. Në këtë periudhë vërejmë edhe emra të krishterimit lindor (ortodoks). Pra, fisi NIKOLLA dhe fisi DEDA, janë dy fiset më të mëdha të Frashërit, kurse fisi Aliçka, ose i Sali Butkës, ka një histori të vetën, të cilët u shfaqën për herë të parë në vitin 1650, ose 220 vjet më pas, nga regjistrimi i parë i popullsisë më 1431-1432.
8 familjet e para Myslimane
Në regjistrimin e vitit 1593, u shfaqën për herë të parë 8 familje myslimane. Njëra prej tyre ishte islamizuar para regjistrimit të vitit 1504, pra islamizimi i banorëve të Frashrit, kishte filluar gati një shekull më parë. Sipas të gjitha gjasave, por edhe sipas pleqve të Butkës, i pari i kësaj familjeje të parë myslimane, quhej Hasan. Kryefamiljarët e familjeve myslimane, jepen me këtë renditje:
Hasan Papa,
Mehmet Deda,
Jusuf Nikolla,
Sulejman Jusufi,
Hasan Gjika,
Hasan Andrea,
Jakup Kasemi
dhe Skënder Hasan.
Tri prej familjeve të mësipërme: Sulejman Jusufi, Jakup Kasemi dhe Skëndër Hasani kanë qenë të parat që kanë ndërruar fe, sepse edhe mbiemrat i kanë të islamizuar, ndërsa 5 të tjerat janë konvertuar më vonë sepse ende vijojnë të mbajnë mbiemra të krishterë: Hasan Papa, Jusuf Nikolla, Hasan Gjika dhe Hasan Andrea, por në origjinë të gjitha këto familje rrjedhin nga HASANI, i cili vinte nga NIKOLLAT, prej tyre u krijua fisi i madh i SULEJMANBËLLINJËVE, i KASOLLARËVE dhe i SKËNDERASVE, kurse nga MEHMET DEDA, që vinte nga Dukë Kryeziu ose nga pasardhësi i tij Dukë Deda, u krijua fisi i madh i VILAKËVE. Sa e vërtetë është kjo do ta shohim në vijim.
Sulejmanbellinjtë – pasardhës të Nikollave
Nga tërësia e fiseve të Frashërit, vetëm dy fise tërheqin vëmendje: NIKOLLA dhe DEDA. Fisi NIKOLLA, në vitin 1593 shfaqet me mbiemrat Gjikë, Likë, Kolë, Papa dhe Gjoni; ata janë gjyshërit e familjeve të këtij fisi. Nisur nga 8 familjet myslimanizuara rezulton se: JUSUF NIKOLLA, është pasardhës i familjes Kol Nikolla. Prej Jusuf Nikollës rrjedh SULEJMAN JUSUFI, mundësia që Sulejman Jusufi të vijë prej ndonjë fisi tjetër (jo nga Nikollat), nuk ekziston. Edhe regjistruesit e vitit 1593, emrat Jusuf Nikolla dhe Sulejman Jusufi i vendosin njeri pas tjetrit, sepse regjistrimi synon edhe evidentimin e fiseve. Sulejman Jusufi rrjedh prej fisit Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola (bij të Kolës); pra, Sulejman Jusufi është stërgjyshi i SULEJMANBELLINJËVE.
SKËNDER HASANI, origjina e mundshme e tij është familja Hasan Papa. Mbiemri “Papa”, na tregon se njerëzit e kësaj familjeje mund të kenë kryer detyra fetare edhe më parë, ndaj iu përkushtuan bektashizmit, sepse ishte më afër krishterimit dhe synonte bashkëjetesën fetare. Skëndër Hasani është stërgjyshi i fisit të SKËNDERASVE. Skënderasit, iu përkushtua besimit bektashian.
JAKUP KASEMI, ashtu si Skënder Hasani edhe Jakupi e ka origjinën te familja Papa; njëri prej tyre nga Likë Papa, tjetri nga Kol Papa. (Likë Papa dhe Kolë Papa, ishin vëllëzër). Jakup Kasëmi, është stërgjyshi i KASOLLARËVE. Edhe Kasollarët, iu përkushtuan besimit bektashian.
HASAN GJIKA, është pasardhës i familjeve Gjikë Kola dhe Kol Gjika (at e bir), kanë familjet e tyre. Familjet Kola janë pjesë e fisit nga ka dalë Jusuf Nikolla e prej tij Sulejman Jusufi. Për rrjedhojë kjo familje është njësuar me fisin e Sulejmanbellinjëve. Edhe Kasollarët dhe Skënderasit (të dalë nga Likë Papa dhe Kolë Papa), janë pjesë e sulejmanbellinjëve, por më të shkëputur nga Sulejmanbellinjtë sepse ata iu përkushtuan Zotit dhe jo pasurisë.
HASAN ANDREA, shfaqet ndër tetë myslimanët e parë të Frashërit. Kujtojmë që listat e regjistrimit të familjeve të Frashërit, nuk janë publikuar të plota. Te lista e vitit 1504, mungojnë 13 familje, kurse te lista e vitit 1593, mungojnë 27 familje. Regjistri edhe pse është i përkthyer dhe ndodhet në Arkivin e Institutit të Historisë Tiranë, deri më sot nuk është botuar. Por edhe Hasan Andrea, ashtu si Hasanët e tjerë, ka njëjtën origjinë – atë të NIKOLLAVE. Gjyshi i tij është HASANI. Kjo është arsyeja që na bën të besojmë se Frashëri, ka patur një Hasan të Madh, prej të cilit pati shumë trashëgimtarë, me të cilët edhe Sulltanit i interesonte të kishte marrëveshje me ta.
Te fisi KOLA (NIKOLLA) ekziston edhe një person me emrin e krishterë VELKO. Velkon e gjejmë te familjet Gjoni: Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni (bij të Gjonit), pjesë e origjinës së Sulejmanbellinjëve. Dimë që një familje me kryefamiljarin e quajtur VELI u shkëput prej Sulejmanbellinjve dhe krijoi fisin e VELIBELLARËVE. A mund të ketë qenë kjo familja Velko, që për të mos harruar gjyshin e vet, njerin prej pasardhësve e quajti VELI, në shenjë nderimi për Velkon? Këtë nuk mund ta themi me siguri, por dihet që Velibellarët ishin pjesë e Sulejmanbellinjëve
Familjet që i kanë rrënjët tek Hasani
E menduam kështu, sepse vumë re që secila prej familjeve të Nikollave, ka përfaqësuesin e vet të islamizuar: Kol Nikolla ka Hasan Nikollën; Gjikë Kola dhe Kol Gjika ka Hasan Gjikën; Kol Papa dhe Lik Papa ka Hasan Papën, ndërsa familjet Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjon, nuk e kanë një të tillë, edhe pse i përkasin fisit të madh të Nikollave, gjë që duket e pabesueshme. Megjithatë për nga rëndësia ky supozim nuk luan asnjë rol, mund t’i shërbejë vetëm dikujt që e ka një fakt të tillë. (Edhe dokumenti i vitit 1593, i përkthyer nga prof. Selami Pulaha, ndodhet në arkivin e Institutit të Historisë, Tiranë). Por fakt është gjithashtu se edhe Hasan Andrea (për të cilin nuk ka të dhëna të tjera), duhet të jetë një nip tjetër i Hasanit, bir i Andreas.
Katër persona me emrin Hasan
Po u kthehemi edhe njëherë tri regjistrimeve të kryera në Frashër. Sipas regjistrit ixhmal (përmbledhës) të vitit 1431-‘32, Frashëri kishte 6 shtëpi (5 shtëpi me kryefamiljar dhe 1 shtëpi me 1 beqar). Nga sa shihet, fshati ishte i vogël, vëmendje tërheq vetëm personi beqar. Ai mund të jetë i ri në moshë, mund të jetë i rritur, ne nuk dimë asgjë për të, përveç faktit që është i pamartuar dhe s’ka familje, sepse nuk figuron si kryefamiljar. Sipas gjasave, ai ishte personi i parë që përqafoi besimin mysliman, dhe ndoshta kjo është arsyeja që ai mbeti i vetëm.
Të jesh i pari që tradhton besimin e të parëve të tu, askush nuk të ndjek pas. Si shpërblim ke vetëm shpërfilljen dhe vetminë. Gjasat tregojnë se mund të ketë ndodhur kështu, edhe më të vjetrit e Butkës pohonin se ai quhej Hasan. Në vitin 1504, në regjistrimin e dytë mufasal (të hollësishëm), kur kishin kaluar 74 vjet nga regjistrimi i parë i vitit 1431-1432, shohim se Frashëri ka 41 shtëpi, nga të cilat, 40 të krishtera, dhe vetëm një shtëpi me pjesëtar myslimanë. Njerëzit e kësaj familjeje myslimane, mund të jenë pasardhësit e personit beqar.
Pse është i parapëlqyer, emri “Hasan”
Në regjistrimin e tretë (mufasal) të vitit 1593, kur kishin kaluar 89 vjet nga regjistrimi i dytë, numri i shtëpive në Frashër nga 41 ka shkuar në 58; nga të cilat 50 ishin të krishtera dhe 8 të familje myslimane: Hasan Papa, Hasan Gjika, Hasan Andrea, Skënder Hasani, Jakup Kasëmi, Jusuf Nikolla, Sulejman Jusufi dhe Mehmed Deda. Pyetja që lind është: Pse kaq shumë njerëz me emrin Hasan?! Fshati ka vetëm 58 shtëpi, pak a shumë janë të të njëjtit fis, pasi zanafilla nis nga 5 familje, atëherë përse vrapojnë kaq shumë pas emrit Hasan?! Përgjigjja është kjo: njeriu i lënë mënjanë dikur nga familja, nuk jeton më, por tashmë janë nipat e tij që ndjekin shembullin e tij.
Nipëria ringjall emrin e stërgjyshit Hasan
Pra; nga regjistrimi i fundit (1504-1593), kanë kaluar 89 vjet dhe feja myslimane ka filluar të pranohet. Nipëria dëshiron ngjalljen dhe ringjalljen e gjyshit të vet. Kjo tregon se ai, përveçse ka qenë njeri i mirë, i ndershëm dhe trim, aq sa pati guximin të pranonte të jetonte edhe i vetëm, njëkohësisht ka qenë edhe i pasur, i favorizuar nga autoritetet qeveritare të kohës, edhe për faktin që iu bashkua i pari besimit islam, madje edhe pse ishte beqar, kishte shtëpi, kur dihet që edhe në ato kohë ngritja e një shtëpie ishte e kushtueshme.
Pasardhësit e tij, tashmë janë trashëgimtarë të ligjshëm të pasurisë së gjyshit. Ndaj emri Hasan është i dëshirueshëm dhe i pëlqyer prej të afërmve, emri i tij vijon të jetë i pranishëm në 4 familje të islamizuara nga 8 që ishin gjithsej. Deri më sot për Frashërin dhe historinë e Frashërit, është shkruar shumë, madje edhe nga njerëz që kanë patur njohuri të thelluara mbi Frashërin, por në asnjë rast, nuk janë venë në dukje Hasanët e Sulejmanbellinjve. Ka ndodhur kështu, që të mbahej në harresë fisi HASANAS, i Butkës, të cilët kanë për stërgjysh, Hasanin e madh të Frashërit.
Fisi i Vilakëve
Nëse i rikthehemi regjistrimit të vitit 1593, vërejmë se emrat e vjetër të fisit Deda: Dedë Duka, Uk Deda dhe Gjon Deda, nuk figurojnë më, ndoshta nga që janë islamizuar. Nga të vjetrit gjejmë 2 familje: Dukë Laska dhe Laskë Deda. Pjesë e këtij fisi janë edhe 2 familje të reja: Stojo Deda dhe Thanas Deda. Fisi e ka zanafillën nga Dukë Kryeziu, i përmendur në regjistrimin e dytë të vitit 1504, i cili duhet të ketë qenë Dukë. Këtë titull të lartë aristokracie e mbante sundimtari i një dukate (krahine), ku ai ishte zotërues pronash. “… Të paktën deri në çerekshekullin e tretë të shekullit XV, në krye të timarit ku bënte pjesë edhe Frashëri, qëndronin spahinj të krishterë… Dihet nga historia e Perandorisë Osmane se deri në fillim të shekullit XVI emërimi në krye të timareve i spahinjve të krishterë, ishte të paktën për viset shqiptare, një dukuri e zakonshme”. (Kristo Frashëri, “Frashëri- Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, f. 23).
Dedat, zotërues të mëdhenj pronash
Deda-t duhet të kenë qenë zotërues të hershëm pronash në Dangëlli ose jashtë saj. Personi i pari i islamizuar i këtij fisi është Mehmet Deda, i cili përmendet shpesh si emër. Prej tij lindën Vilakët. Ata i ndërtuan shtëpitë e tyre nën shkëmbin e Golikut dhe jo në shpatin e Kokojkës ku u vendosën bejlerët e tjerë. Pse ndodhi kështu, është e kuptueshme: në zanafillë, Frashër quhej vetëm fshati në shpatin e malit të Kokojkës; kishte 6 shtëpi, kurse fshati përballë në shpatin e shkëmbit të Golikut, quhej Vilja (ose Vila); kishte 12 shtëpi. Më pas, dy fshatrat bashkë u quajtën Frashër. Vilakët i ngritën shtëpitë e tyre në Shkëmbin e Golikut, sepse ishin banorë të Viljas, atje kishin pronat e gjyshërve.
Kjo është dhe arsyeja pse Mehmet Frashëri, biri i Mustafa pashë Frashërit, pas djegies së Voskopojës, çoi në Vilja edhe disa familje vllehësh, sepse Vilja apo Vila, ishte vend-banimi i tyre. Te ky fis, emri “Mehmet”, përsëritet nga njeri brez te tjetri, sepse i pari i tyre, ishte Mehmet Deda. Prej këtij fisi, përmenden një sërë emrash të rëndësishëm: Mehmet pashë Frashëri, djali i tij, Shemsedin bej Frashëri, spahi në krahinën e Oparit dhe banues në Opar, i cili pati rastin të takohej edhe me konsullin anglez, Uilliam Martin Lik, gjatë udhëtimeve që ky i fundit pati në fundvjeshtën e vitit 1805, në viset shqiptare.
Ndërsa djali tjetër, i Mehmet pashë Frashërit, Çeçiz Frashëri, gjatë pjesës së parë të shekullit XIX, ishte myteselim i Oparit dhe zabit i Voskopojës, të cilat edhe pse i humbi për një periudhë kohe, i rimori. Këtij fisi i përket edhe edhe Adem Pasha, vezir (kryeministër) i Perandorisë Osmane gjatë shekullit XVIII. Më pas, kur Mehmet Frashëri, (biri i Mustafa pashë Frashërit) kishte marrë titullin pashë, bleu në vitin 1772 Shpickën dhe Nikolicën në Kolonjë dhe Voskopojën, duke u bërë kështu spahiu i përgjithshëm i tyre. Si emër të njohur të këtij fisi po përmendim edhe Tefik Vilën, babain e Nuri Vilës, të cilët kishin shtëpitë më të mëdha në shpatin e Golikut.
Hasanët e Sulejmanbellinjëve
Sulejmanbellinjtë, i ndërtuan shtëpitë në kreun e shpatit të Kokojkës, ndërsa bejlerët e tjerë, u vendosën poshtë tyre. Në këtë shpat i kishin shtëpitë edhe vëllëzërit Frashëri (Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri), me të cilët patën miqësi të përhershme. Edhe me Ali Pashë Tepelenën, ishin miq, por pati periudha, kur i dolën kundër njëri-tjetrit, sepse Pashai i Tepelenës, nuk mund ta ulte dot kokën. Megjithatë trimëria e Sulejmanbellinjve, nuk e humbi shkëlqimin e vet në asnjë rast, por preferoi të jetonte me dinjitet.
Hasanasit e Butkës stërnipër të Hasanit të madh të Frashërit
Fisi i HASANAS, mbërriti në Butkë pas rënies së pashallakut të Janinës. Edhe i pari i këtij fisi, quhej Hasan, pasardhës i Sulejmnabellinjëve. Dhe jo vetëm kaq: Ahmet Hasanas, biri i Hasanit, i martuar me Arzikon, bijën e fisit të Teki e Bexhet Selenicës, bejlerë të dëgjuar të Selenicës së Frashërit, njërin nga djemtë e vet e quajti Ali, sepse edhe Aliu kishte qenë pasardhës i Sulejmanbellinjvë, kurse Tefik Hasanas, nip i Hasanit, i martuar me një vajzë të bejlerëve të Poloskës, Merimenë, njërin prej djemëve të vet e quajti Sulejman sepse ishin të vetëdijshëm që rridhnin nga Sulejmanbellinjtë; po kështu edhe Qerim Hasanas, nip i Hasanit, i martuar me një nga vajzat e Malukave (më të fuqishmit e Kolonjës), fëmijën e vet të parë e quajti Veli, sepse siç dihet, prej Sulejmanbellinjve u shkëput një familje me emrin Veli nga e cila u krijuan Velibellarët.
Emri “Hasan” ekskluzivitet i Sulejmanbellinjëve
Emri Hasan, ishte ekskluzivitet i Sulejmanbellinjve. Që në kryetë herës, Sulejmanbellinjtë patën 4 Hasanë: Skënder Hasani, Hasan Gjika, Hasan Papa dhe Hasan Andrea. Nëse një fis tjetër, do të pagëzonte një nga pinjollët e vet me emrin Hasan, do të ngjasonte me “grabitje”, madje kur fshati ishte me 58 shtëpi, askujt nuk do t’u shkonte ndërmend, të merrte emrin e një fisi tjetër. Emri “Hasan” u përket Sulejmanbellinjve, Velibellarëve, Kasollarëve, dhe Skënderasve të cilët kishin krushqi edhe me Ajaz beun (paraardhësin e vëllëzërve Frashëri). Hasanas-it e Butkës vijuan të bënin krushqi me bejlerë të njohur.
Fetiu, nipi i Hasanit të Butkës u martua me Rakibenë nga Vilat e Zboqit (degë e Vilave të Frashërit), ndërsa vajza e xhaxhait të Rakibesë, u martua te bejlerët Alizoti të Milecit, prejardhja e të cilëve rridhte nga Murati, i afërm i Ahmet Zogut, i ardhur nga Mati. Me vajzat e Alizotëve të Milecit u martuan dy stërnipërit e Hasanit, Qani dhe Gazi Hasanas, kurse dy vëllëzërit e tjerë të tyre: Erfan Hasanas, u martua me vajzën e bejlerëve të dëgjuar të Koçibellëve të Qatromit, ndërsa Fuat Hasanas, me vajzën e një familjeje të njohur nga Pësari i Zi. Prej këtij fisi, siç e kemi thënë, rridhnin edhe Skënderasit edhe Kasollarët.
Kush ishin Frashërllinjtë që u vendosën në Butkë
“I pari që erdhi nga fisi i Aliçkas të Frashërit, në Butkë, qe gyshi i Saliut, i quajtur Elmaz Zaimi. Ky gjysh i Saliut solli me vete vëllanë e tij Orhanin dhe të dy kushërinjtë Belulin dhe Hasanin”, – kështu shkruan Hysen Butka, i afërm i Sali Butkës, në faqen e parë të librit të tij me kujtime “Sali Butka në kujtimet e mia”, – por e vërteta është se Hasani, i përkiste fisit të Sulejmanbellinjëve dhe jo fisit të Aliçkave. Ndoshta edhe Beluli, ishte Sulejmanbelli, por këtë duhet ta thonë vetë njerëzit e Belulit, cilit fisi i përkasin. Për fisin Hasanas gjithçka është e qartë. Memore.al
(Marrë me shkurtime nga libri; “Butka ashtu siç ishte).