Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e tetë
Memorie.al / Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
Takime me familjet në kampin e përqendrimit nr. 309, Ballsh
Ishte një kamp i projektuar nga një mëndje dhe shpirt djallëzor, për një shfarosje të ngadalshme. Ushqimi: bukë 600 gr. në ditë (por shumë shpesh, ishte më pak se 500 gr. dhe shumë here jepnin vetëm 450 gram e, ndonjë kokërr patate të zier). Mëngjesi: një lloj supe pa pikë yndyre, me presh, lakra ose domate, etj., të ziera. Dreka: një ditë lëng makaronash, një ditë lëng orizi dhe një ditë lëng groshe, ku tek-tuk, notonte ndonjë kokërr oriz, apo groshë, sipas ditës. Darka çaj (sheqer i djegur, lëngu i të cilit servirej për çaj). Kuptohet, që kush nuk kishte ndihma nga shtëpia, vdiste brenda vitit, i shuar nga uria dhe sëmundjet.
Kam qenë ndër fatlumët e paktë, që familja nuk m’u nda. Secili që kishte ndihma prej familjes, kishte një grup të vetin, për të ndihmuar me të ngrëna, qe e pamundur të fusje gjë në gojë dhe të mos ishe nën shikimin e të uriturve, të zihej në fyt. Të paktën mbas takimit, duke i racionuar me kujdes ato çka sillte familja, për disa kohë ushqimin e mensës, ja jepje dikujt tjetër. Nuk e harroj ritualin e kafes. Kafja qe gjë e rrallë, të ftoje dikë për kafe, ishte shfaqja më e lartë e nderimit, që mund t’i bëje ndokujt.
Takim
Më pati ardhur, gjyshja, nëna dhe Dashi, im vëlla. Takimet bëheshin në një barake të mbuluar, të ndarë në mes me një banak dhe me hekura, që kishin dy-tre sportele, që polici i hapte sa për të futur ushqimet dhe sa për t’u takuar, pastaj polici që rrinte aty në këmbë’ e mbyllte. Zhvilloheshin 2-3 takime njëherësh. Atë ditë bashkë me mua, kishte takim edhe një vlleh, apo çoban nga Kolonja, nja 55 vjeç, e kishte takimin e parë, i pati ardhur në takim e bija. Shumë e bukur vajza, i ati qante me ngashërim, me zor i nxirrte fjalët…; “Ju mora në qafë, por më besoni, për zotin, në kam bërë a kam thënë gjë…”!
E bija me faqet e skuqura nga emocioni… i tha: “Dëgjo baba, po bëre kështu, ta dish, që nuk të vij më, hajt të t’i fshi lotët… është turp… apo do t’u bësh qejfin këtyre” dhe bëri një gjest me kokë nga polici. “Nuk preken këta nga lotët tanë…. janë mësuar, mos prit që të qaj edhe unë, s’qaj unë jo, e kam mjaft që më qan shpirti”! Ime gjyshe e përqafoi: – “Ah, moj bijë e nënës”!
Hetuesia = hutuesia
Në një nga romanet e tij, Ismail Kadare, ka një personazh që të mbetet në mendje: një i moshuar, analfabet, që shkul parullat e gjermanëve, pasi këta bënë masakrën e Borovës. I moshuari kishte patur gjithmonë respekt, për çdo gjë të shkruar, prandaj ngriti edhe një tabelë të vendosur nga trupat e pararojës gjermane, që kishte rënë përtokë. Në atë tabelë, shkruhej pak a shumë: “Këtu na qëlluan me armë. Masakroni”! E mësoi me vonë se ç’shkruhej aty, pasi kishte parë me sytë e tij, masakrën e përgjakshme që gjermanët bënë në fshat. Që atë ditë u çmend dhe shkulte çdo tabelë të shkruar. Fajin e kishin tabelat e shkruara!
Edhe në revoltën e majit 1973, në Spaç, ka qenë një personazh i tillë. Gjatë ditëve të revoltës, ai shkuli dhe shkatërroi të gjitha stendat e emulacionit socialist, stendat e gazetave, lajmërimet e varura nga komanda e kampit, gjithçka të shkruar. Kur e shtypën revoltën, me mizorinë e njohur të pushtetit komunist, e ridënuan edhe atë, bashkë me shumë të tjerë.
Unë e njoha në kampin e Ballshit, ku e patën transferuar pas ridënimit. Nuk ia mbaj mend emrin, kanë kaluar shumë vite qysh atëherë. Ndoshta ndonjë nga miqtë e mi të burgut, që ka kujtesë më të mirë se unë, ia mban mend emrin. Ishte malësor nga Dibra, shtatlartë, me mustaqe të thinjura, eshtërmadh, si i dalë nga eposi i kreshnikëve. Dikush ma tregoi në Ballsh:
“Ky është ai që shkatërroi të gjitha tabelat dhe stendat gjatë revoltës”! Doja ta takoja, isha kureshtar të bisedoja një herë me të. E gjeta atje ku nuk ma merrte mendja: në bibliotekën e kampit! Prita ndonjë gjysmë ore, por nuk kishte ndërmend të dilte që aty. “Çfarë dreqin kërkon një analfabet në bibliotekë”?! Hyra brenda, e pashë ulur me një album të trashë përpara.
Vë re që është një album me foto veshjesh etnografike shqiptare. Kishte mbi dhjetë minuta, që nuk e kthente faqen. Ishte fotoja e një femre me gjinj të bëshëm, veshur me kostumin tradicional të Malësisë së Madhe. Foto e bukur. Tipare të spikatura të një malësoreje të bukur, fortë, trime. Veshja me kostumin popullor e zbukuronte edhe më tepër. E ndjeu që po e shihja edhe unë dhe ktheu kryet buzagaz, pa folur.
– “Po të pëlqeka më duket” – theva heshtjen unë. – “Boll. Nuk ka ça lyp nji burrë ma tepër: nji alltije të mirë, kte ktu në krah dhe tanë jetën, malesh me e kalue, besa”. – “Dua me ta qit nji kafe, a vjen”? – “Aaa, ti ardhsh i bardhë! Po, more, si nuk po vij”!
Më tregoi se e patën arrestuar, ngaqë dyshonin se kishte armë të fshehura. Asnjë torturë nuk solli dobi, malësori nuk fliste, veç një fjalë thoshte: “Jo, bre burra, nuk kam armë të fshehuna”! E rrufiste kafen, me një ceremoni të veçantë malësori, ngadalë, si të ishte duke pirë, ndonjë pije të shenjtë dhe falënderonte shpesh, aq sa më vinte zor…!
“Pata kohë pa shijue nji kafe të mirë, bre. Hej, ty t’u rrittë ndera…! Dikush iu pat thanë atyne të hutuesisë, se kshu iu them unë: hutuesa, jo hetuesa, atyne qelbsihaneve. Më vijnë në hutuesi, me nji libër të trashë ngjyrë blu. E dijshin që jam besimtar. E hapin dhe më kallxojnë, nji burrë me mjekër. Ky libër asht Kurani dhe ky me mjekër, asht profeti Muhamet! E besova. E qysh rrejka burri, për gjana që janë të shenjta, bre?! E putha librin e shenjtë.
‘Betohu, pra, para Kuranit, se armë të mçefuna, nuk ke! S’mun, bre, me rrejt burri para Kuranit’! Po, thashë, i kam do xhephane, që kur u prish Italia në shtator ’43. Gjith katuni u turr me marr prej deposh miell e makarune, unë mora veç xhephane, bomba, pushkë, fushekë, se kto ta zbardhin faqen, në dit të keqe…! Ça han, në hale ka me shku, por burri pa armë, asht mut, e jo burrë…! Eeeh, kur dola në Spaç, e pashë nji me atë librin blu…! Si po e lejkan bre Kuranin, ktu në burg!?
Kur mora vesh se aj libër, paskësh qen Kapitali dhe aj me mjekër, nuk ishte profeti Muhamet, alekum selam, por vete baba i dreqit, bre! Ishte kenë Kal Marksi, a si dreqin e ka, Krral Marksi! Kjo asht, kur nuk din robi shkrim e knim, të bajnë budallë …e mue më bane nji herë…! Pse prisha tabelat, a?! Në revoltë, e? Pooo, jetojshim disi në katun, her mir, her keq, si gjith bota, me thanë… por kur hynë kto tabelat në katun, kto të umulacionit socialist dhe u ba koprativa, veç 10 lek për dit pune merrnim, ma zi nuk kishte”.
– “Edhe sa burg të mbetet me kry, bac”?
– “Dersa t’jen kto mut tabela, var në mure, kot me dalë prej burgu”!
Nuro Hoti, njeriu që pat provuar Goli-Otokun
Në kampin e Ballshit u takova edhe me të ndjerin Nuro Hoti, ishte shumë mik me tim atë dhe shumë shpejt u bë edhe miku im. Burrëror, jo vetëm në pamje, qe tip i rezervuar, me pak fjalë thoshte shumë gjëra. Sot, që nuk është më, e ndjej që më ka ikur një mik i rrallë. Kishte qenë në burg, në të gjithë regjimet, në kohën e Mbretit, në kohën e pushtimit italian e gjerman, në Jugosllavi gjithashtu dhe i kishte mbetur të provonte më në fund, vetëm burgjet tona. Ekonomist dhe jurist i zoti, enciklopedi e gjallë, ishte Nuro, gjithçka mund të bisedoje me të. Rrinim shpesh bashkë, por nuk i pëlqente të fliste shumë, kur vinte një i tretë, cilido të ishte.
Një ditë, tek isha me nja dy të tjerë, ma bën me shenjë t’i afrohem. Donte të më jepte “kafen e takimit”, i kishte ardhur i biri në takim. Shumë i lidhur mbas familjes, gruas, djemve dhe vajzës së vetme, pika e dobët e Nuros. Kur po përgatisnim takëmet e kafes, na u afrua një i dënuar me patericë, njërën këmbë e kishte të prerë, një pëllëmbë mbi gju. Na ofroi zjarrin e tij, për të bërë kafet.
– “E njeh këtë? – pyeti Nuro, e kishte fjalën për njeriun me një këmbë”. – “Jo, kam vetëm dy muaj këtu, di vetëm që është te ‘njëzet e njëshi”, një aneks i një kapanoni, i banuar me të verbër, të gjymtuar, njerëz të paaftë, për të kryer nevojat më elementare…! Vetëm në Shqipërinë e “ndritur” socialiste, ndodhte kjo…!
– “Nuk ia ditke historinë pra… ja shef atë cungun e kambës?! Ja sharruen me mitraloz, ndërsa ishte duke u arratisur… e kapën duke u përpjekë, me e kputë kambën e vet, që i varej me nji copë gur…! I dhanë rrumbullak 25 vjet burg…! Kur isha i dënuem në Jugosllavi, e ke nigjue Goli-Otokun? Asht nji ishull burg, në bregdetin dalmat, kurrkush nuk ka mujtë me u arratisë prej tij. Veç njanit.
Nji kroat. Kishte qenë partizan, gjeneral me gradë, Ante… Ante… s’më vjen mbiemri…! Burrë trim. S’di se si, por pat ba nji sherr të madh me Titon dhe ky e rrasi në burg. Gjithmonë asht arratisë, prej çdo burgu. Me porosi të Marshallit Tito, e prunë në Goli-Otok. Ishte dobsue mjaft, ishte thinjë krejt, e pra as 50 vjeç s’i kishte. Veç sytë, zjarrm i lshojshin, si sytë e atij që na lshoi zjarrmin për kafe…! Nejse, edhe prej Goli-Otokut, u arratis gjenerali, me not, në muejin shkurt, acar… e kapën në mes të detit, tuj notue, natën. Kur i thanë Titos, për ktë ndodhi, menjëherë dha urdhën me e lshue prej burgut, i lidhi edhe pension, i fali edhe një vilë në Beograd. ‘Pse po e ban kte’, e pyetën…! ‘E meriton lirinë ky njeri’, u përgjegj, sepse nuk e doka jetën pa liri…!
Dhe ai plak, që desh me kput kambën e vet, veç me qenë i lirë, i meritonte të gjitha nderimet, nga çdo pushtet, që din me vlersue vlerat njerzore…! Prej kohe, nuk kam pasë asnji iluzion për Enver Hoxhën e, klyshat e tij, por kur pashë kapanonin 21, s’di çka me thanë…”!
Larmi personazhesh në kamp
Në kampin e Ballshit, viti 1978
Këtu ka shumë të moshuar, të sëmurë, njerëz që janë në burg, qysh nga viti 1944, ’45 dhe ’46. Të gjymtuarit, të verbrit dhe të paralizuarit, strehohen në Kapanonin nr. 21. U shërben një ish-prift katolik. Këtu është edhe Zef Mala, ish-kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës. E thërrasin profesor dhe është pothuajse krejtësisht i verbër, por është njeri që të imponon respekt, me dinjitetin dhe kulturën e gjerë. Është edhe një profesor tjetër, Nikollë Daka. Ka qenë profesor i latinishtes dhe greqishtes së vjetër, një nga nxënësit e tij, ka qenë edhe Ramiz Alia.
Mbas “çlirimit” ka qenë, si shumica, ose në burg, ose punëtor në fabrikë tullash. Njeri i shkëlqyer, si shumica e shkodranëve. Ruaj shumë kujtime prej tij. Përkthente ‘Petrarkën’ për mua, por kur më transferuan, nuk mundi të ma jepte dot, nuk e lejuan t’i afrohej grupit tonë, që do largoheshim për në Spaç. Ishte edhe kampioni i burgjeve, një i moshuar gjirokastrit, i arrestuar e dënuar pa gjyq, qysh më tetor ’44. Deri më ’78, ka qenë vetëm 10 ditë jashtë burgut. Pse e kanë futur në burg?! Cili pat qenë krimi i tij?!
Shoqëronte trupat gjermane si përkthyes, i marrë me forcë prej tyre më ’43-shin. Kishte studiuar për farmacist në Vienë, pat shpëtuar shumë vetë nga vdekja, me shërbimet e tij si përkthyes, por nuk i vlejtën dëshmitë e tyre. Këtu gjeta edhe një vlonjat, Kastriotin, ose Kaçin, një ish-marinar i anijes “Dajti”. Kaçi ka rreth një vit këtu dhe i njeh të gjithë të burgosurit dhe historitë e tyre. Ditët e para, Kaçi ka qenë ciceroni i burgut për mua; tregonte me kënaqësi histori të burgosurve të ndryshëm dhe nuk kishe nevojë ta lusje shumë, mjaft të të shihte që ja kishe hedhur sytë dikujt me kërshëri dhe Kaçi kurdisej menjëherë….”uë, nuk e njeh këtë ti?! Ça thua or? Dëgjo, dëgjo vëllain ti…”!
Kështu qëlloi që mësova edhe historinë e F., një histori e denjë për film thriller…! Më kish rënë në sy, qysh në ditët e para ky F., i ri, por mosha nuk i kuptohej, mund t’i jepje 25-30 ose edhe 40 vjeç. Fytyrën e kish të shtrembëruar nga një paralizë faciale, një dorë e kishte thuajse të paralizuar dhe e mbante para gjoksit, me pëllëmbën e hapur me gishtat që i dridheshin dhe njërën këmbë e tërhiqte zvarrë; nuk shoqërohej me njeri, përveçse me një djalë nga Laçi, që e ndihmonte (Kaçi më tha se janë nga një qytet të dy dhe njihen qysh në jetën e lirë). Kaçi, i kënaqur, që po ma zbulonte i pari historinë e këtij tipi, më ftoi të dëgjoja….dhe tregonte sikur t’i kish jetuar vetë…!
– “Aty nga viti ’75, kapet nga kufitarët, pasi e plagosën rëndë, një djalë rreth 20-25 vjeç duke tentuar të arratiset në Greqi. Lajmërohet Ministria dhe vijnë urgjent nga Tirana dhe e marrin…! Gjatë torturave, tregon i shkreti, që kishte ndërmend të shkonte tek xhaxhai i tij, në Gjermaninë Perëndimore, me vete kishte të gjitha dokumentat dhe fotografitë, që provonin se ishte djali i të vëllait i këtij të Gjermanisë, një ish-ballist dhe eksponent i emigracionit antikomunist, në Gjermani. Kaq dhe nuk dihet ç’u bë, me të kapurin në kufi. Do thuash ti, po ç’punë ka ky F., në këtë histori…?!
Ka, ka… sepse kishte një ngjashmëri të madhe, me atë që u kap në kufi, ishin edhe nga një krahinë… një ta thirrur këtë në mënyrë sekrete ata të Sigurimit, e stërvitën, i mësuan edhe historinë e fisit të atij fatziut që u kap në kufi, i mësuan edhe kodet dhe mënyrat se si do të lidhej me drejtuesit e operacionit dhe e nisën të kalonte kufirin, nja dy-tre javë pasi nipin e vërtetë, e kapën dhe e qëruan ata kasapët. Detyra e tij, ishte të takonte “xhaxhanë” në Gjermani, t’i fitonte besimin dhe të priste urdhrat nga Tirana, për të vepruar më tej. Pasi ndejti pak kohë në Greqi, këtë na e tërheq “xhaxhai” në Gjermani, i informuar prej autoriteteve greke. Xhaxhai, ishte i moshuar dhe nuk pati krijuar familje, ardhjen e djalit të vëllait (që kalbej burgjeve në Shqipëri), e priti si dhuratë nga perëndia, shikonte fotografitë e të afërmve që i kish sjellë nipi dhe lahej në lot…e birësoi si djalin e tij, e regjistroi edhe në shkollë dhe e donte si sytë e ballit.
Kur nipi interesohej për aktivitetet e xhaxhait, ky nuk i tregonte gjë. ‘Ti gëzo jetën djali im, studio, mbaro universitetin dhe jeto si njeri, s’ke pse vret mendjen për gjë, pasuria ime, do të jetë jotja një ditë… mëso, bëhu njeri dhe martohu, ishalla shoh edhe unë një nip prej teje…! Jetoi disa muaj F., bënte një jetë që as në ëndërr s’e kish parë dhe e harroi, pse e kishin sjellë në Gjermani…! Sigurimi që e vëzhgonte vazhdimisht, vendosi t’i jepte fund lojës duke e sjellë xhaxhanë “pako postale” në Shqipëri…!
Shfrytëzuan një shëtitje pranë Berlinit Lindor – sipas informacionit të nipit – e droguan, e paketuan dhe e sollën në Shqipëri bashkë me “nipin”, këtë shtrembsin këtu, që e kthyen në qytetin e tij të vogël…! Ishte goditje e rëndë, për psiqikën e tij, jeta jashtë shtetit, nuk pat qenë çka i kishin mësuar në shkollë…! E porositën që të mos hapte gojë me njeri për asgjë, të mos i tregonte kurrkujt, se përndryshe…!
….Por si duket, me dikë foli ky F., dhe e pa veten një ditë të bukur në birucë, të torturuar dhe gjithë gjak…! I dhanë 10 vjet dhe e porositën përsëri, të mos hapë gojë me njeri… por si është katandisur, edhe të dojë, mezi flet tani, madje edhe kur flet, nuk i kuptohet se çfarë thotë, për shkak të një paralize faciale dhe është pak më shumë se 30 vjeç….”!
Stille nacht2 – 25 dhjetor 1978
Dhjetor 1978, po afronin festat e fund-vitit. Në kampin e Ballshit, me gjithë mjerimin e burgut, ndihej një lloj gëzimi e shprese, në sytë e të burgosurve. Pata njohur artistin Medi Prodani atje, kitaristi më i mirë në Shqipëri, vëllai i kompozitorit Agim Prodani. Me që i kisha rënë kitarës dikur, rast më të mirë nuk kishte, për të mësuar sadopak nga mjeshtri i madh i kitarës, në kohën e lirë; Mediu u tregua i gatshëm menjëherë. Unë e njihja solfezhin, kështu që ai e kishte më të lehtë të më ndihmonte. Më shkruante pjesë të ndryshme, në fillim më të lehta dhe unë ushtrohesha në një kthinë, ku një ish-prift i heshtur, punonte për riparimin e librave të vjetër, të bibliotekës së kampit. Kur i kërkova leje, për t’u ushtruar atje ku ai punonte, prifti ngriti pak kokën, më pa dhe më bëri shenjë me kokë; po. Pa folur një fjalë.
Shkoja atje pothuaj çdo ditë. Profesor Nikollë Daka, më tha se ish-prifti quhej At Zef Pllumi. Në kamp ishte edhe një artist tjetër, me përmasa botërore. Basi Lukë Kaçaj. Më pëlqente ta dëgjoja edhe kur fliste Lukën, sidomos kur i fliste ortakut të lojës së dominoes, me atë zë të thellë basi “Jahooo…”! Dridheshin qelqet e dritareve, nga zëri i Lukës. Një ditë Luka këndonte nën zë; “Stille nacht”… unë dhe Medi Prodani, e dëgjonim të hipnotizuar.
– “Medi, të lutem ma shkruaj këtë, dua ta mësoj…”! – “Patjetër”, – më premtoi ai. Me fletën e muzikës në dorë, shkova te kthina e At Zef Pllumit. Punova disa orë. Më në fund më doli mirë, realizova edhe “campanella-t”, që më kish shënuar Mediu…!
I paharruari Zef Pllumi, që dëgjonte pa lëvizur, për herë të parë më foli: – “Bravo djalë… ktë kangë, ma të bukrën në botë, kushtue Krishtlindjeve, e ka ba nji prift fshati. Muzikën dhe fjalët, ja ka pas shkrue msuesi i atij fshati të vogël, diku në Austri…! – “Gëzuar Krishtlindjet”, – i thashë me zë të ulët…! – “Falemners, gëzuar edhe ty, falemners edhe një herë për muzikën”. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016