Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
“Gazi” mori rrugën prapa Degës, një portë e madhe metalike u hap dhe ndaloi pranë një dere në ndërtesën nga ana e djathtë e asaj godine famëkeqe. Oficeri i rojes hapi atë derë dhe nuk di si u gjenda në katin e tretë, që si mësova më vonë, ishte kati i hetuesisë. Hymë në një zyrë hetuesie: një tryezë dhe një karrige pranë dritares, një karrige tjetër pranë derës, e mbërthyer në mur. Dera ishte e veshur me një rrobë si batanije, për efekt zë-izolues. Ata ishin katër: shefi i hetuesisë Faik Gore, oficeri i Sigurimit Spiro Spiro, që më arrestoi, dhe dy hetues të tjerë, njëri u prezantua me emrin Mark dhe tjetri Bardhyl Çuçi. Më bënë një kontroll të imët trupor, më morën këpucët, rripin e pantallonave, të pardesysë dhe gjithçka që pata nëpër xhepa.
Filloi atë natë hetuesia, që do të zgjaste pothuaj gjashtë muaj, deri në muajin tetor, kur na bënë gjyqin. Detaje nga hetuesia dora dorë, do të jepen në këto kujtime. Nuk qe e lehtë për të gjithë ne, ishim të tmerruar për fatin tonë dhe të familjeve tona, nuk patëm provuar deri atëherë në shpinën tonë, ç’do të thoshte “diktaturë e prolletariatit”, pastaj gjyqi. Ma pat thënë njëri prej hetuesve, B. Çuçi: “Në gjyq do të veshësh kostumin, që do të ta qepim ne në hetuesi, Maks”. Mua më veshën në gjyq, një “kostum” të shtrenjtë: 15 vjet burg, 5 vjet heqje e të drejtave elektorale dhe heqja e urdhrit “Për trimëri civile”, që m’u dha kur u mbyt anija “Tomorri. Dega e Punëve të Brendshme në Durrës, kishte “stilistë” të një klasi shumë të lartë…!
Hetuesia vazhdon edhe pas dënimit
Arrestimi dhe hetuesia janë pjesa më e rëndë në jetën e një të dënuari politik, sidomos kur të bëjnë anëtar të një grupi, që ti as e ke imagjinuar! Ti nuk e di, por kështu vendosin shefat e hetuesisë dhe Ministria e Brendshme. Kështu edhe buja është më e madhe, edhe efekti tmerrues në popull, është më i madh. Veprojnë edhe thashethemet, Sigurimi ka kohë që i përdor. Për ne përhapën disa legjenda. Në veri të vendit u tha, se është arrestuar një grup agjentësh të NATO-s, pjesëtarë të anijes “Durrësi” dhe ky grup, ishte gati të kryente një seri aksionesh terroriste. Në universitetin e Tiranës, si na tha një student i dënuar më pas, me mbiemrin Papa, nga Tirana, ishte përhapur legjenda, që ishim një grup i rrezikshëm agjentësh që vepronte për llogari të Traktatit të Varshavës, pra për rusët.
Grupin na e drejtokërka një vajzë bionde, shumë e bukur. Meqë në grupin e “agjentëve”, ishte edhe nipi i Hysni Kapos, ky i fundit do të na krijonte mundësinë, për t’u futur në “Bllokun” e udhëheqjes dhe ne të tjerët do të vrisnim “udhëheqësin e madh, të lavdishëm, legjendar”, Hoxhën Enver dhe të tjerë antarë të Byrosë Politike. Menjëherë pas asgjësimit të tyre, do të rrëmbenim anijen nga porti i Durrësit dhe do të arratiseshim jashtë vendit!!! Hetuesia jonë, vazhdoi rreth 6 muaj. Punonte një grup hetuesish, 2, 3 dhe 4 hetues, të udhëhequr nga krimineli sadist, n/kryetar i Degës së Brendshme në Durrës, famëkeqi Kapllan Shehu….!
Nuk e patën të vështirë të merrnin nga ne pohimet që dëshironin: me mashtrime dhe kurthe, me spiunët që na fusnin nëpër biruca, duke nxitur edhe hakmarrjen, kundër njëri tjetrit. Ne as që e kishim idenë, në ç’duar ustallarësh kishim rënë. Por me mua, gabuan në zgjedhjen e spiunit të birucës. Më sollën në birucë, pak kohë pas arrestimit, një djalë të ri, pak më shumë se 20 vjeç, ishte dënuar 5 vjet për përdhunim dhe vuante dënimin në një kamp për të rinj, në Torovicë, pranë Lezhës. E quanin H. M. dhe qe nga një fshat pranë Shijakut. Ishte pak i ngathët nga mendja. Dyshova për të, kur ai më ndërpriste bisedën dhe më pyeste:
– “Po mbiemrin si e ka ky Ladi, ku punon, po shpinë ku e ka…”?! Sajova një histori tjetër pikante… kur H., përsëri: – “Ky, Beni, në anije me ty ka qenë”?! – “Jo, është në një anije tjetër…”! – “Në cilën anije?! Nga Durrësi është, apo nga Tirana”?! I dhashë një përgjigje, sa për të kaluar radhën, por nuk u ndjeva, nuk doja që të kuptonte, se kisha nuhatur që ishte spiun. Vendosa të hesht dhe ta përdor për vete, duke i çuar hetuesve mesazhet që doja dhe nuk ma mbante, t’ua thosha copë në sy. Por shefat e hetuesisë, e kapën lojën time dhe ma hoqën nga biruca shpejt. Mbeta vetëm, për shumë kohë, duke u marrë me një merimangë, që kush e di se si kish përfunduar në birucën time.
Në një bllof që më bëri hetuesi, pranova që i kisha dhënë një mall kontrabandë për të shitur, një marinari nga një anije tjetër. Hetuesi më tregoi proces-verbalin, ku ky pohonte një gjë të tillë. I ndodhur para faktit të kryer, pranova. Mendova se mund ta kenë arrestuar edhe atë. Me atë marinar, që atë kohë më duket se punonte si kamarier në anijen “Dajti”, nuk kisha shoqëri, thjesht një përshëndetje, as emrin nuk ia dija mirë. Hetuesi im, i pakënaqur, më përsëriste shpesh: – “Me qëndrimin që po mban në hetuesi, e ke të siguruar vendin si kryetar i grupit! Si të duash, si të sillesh ti, ashtu do të sillemi edhe ne me ty”.
Dhe një ditë shpërtheu: – “Ti je armiku i vërtetë në këtë grup! Ti! Gjyshin kulak, dy xhaxhallarët të dënuar, yt atë i përjashtuar nga partia! Me këtë frymë je rritur! Të tjerët i ke tërhequr ti, në rrugën e armiqësisë! Ata janë të lajthitur, ti je armiku i vërtetë”! – “Nuk është e vërtetë zoti hetues…”! – “Ashtu ë… ja t’i numuroj unë… njëri është nip i shokut Hysni, nëna e njërit, ka punuar kuzhiniere te shoku Ramiz, tjetri…”! – “A mund të flas edhe unë”? – “Hë, pa t’i dëgjojmë pak mençuritë e tua…”! Mora frymë thellë, u mundova të sistemoj mendimet dhe fillova:
– “E para, e vërtetë, jam nip i një kulaku, nip i xhaxhallarëve të mi, por më parë, jam i biri i tim eti, jam i biri i Xhafer Rakipajt, që ka derdhur gjak për këtë vend, si partizan, dy herë është plagosur; e dyta, ai tjetri nip është i shokut Hysni, por është bir i të atit dhe i nënës së vet, që deri më nëntor ’44 ishin me ‘Ballin’! Fitoi komunizmi në Shqipëri, kaluan me partinë e shokut Hysni! Të ndodhte ndryshe, do kish kaluar Hysniu në krahun tjetër. Kështu?! E treta, qoftet që ka ngrënë shoku Ramiz, prej nënës së atij tjetrit, vlejnë më tepër se plumbat që ka ngrënë im atë…?! Në qoftë kështu, dakord jam me zgjedhjen që keni bërë, e meritoj të quhem kryetar i grupit, megjithëse jam më i riu nga të gjithë dhe me detyrë më të ulët… nga oficer i tretë e i katërt, më graduat kapiten! Faleminderit”!
– “Me nder qofsh”! – qesëndisi Spiro Spiro, (që do të bëhej në vitin ’92, anëtar i Gjykatës së Lartë) – “Qërohu tani, se na ënjte kokën…”! E mbajtën fjalën, u dënova si kryetar i një grupi(!?) armiqësor, të paqenë: 15 vjet burgim, 5 vjet heqje e të drejtave elektorale dhe me heqjen e dekoratës “për trimëri civile”, për guximin e treguar në shpëtimin e anijes “Tomorri” në shkurt të vitit 1973. Më duhej ky kthim prapa në kohë, për t’ju bërë të kuptoni më mirë, atë që më ndodhi në muajin shtator ’79. Sapo isha kthyer nga turni i tretë, hëngra bukë shpejt e shpejt dhe kur mora rrugën për nga vendi i fjetjes, më doli para polici me emrin Lazër: – “Maks, eja lart me mua”!
Më shkoi mendja tek një ri-arrestim. Punë e madhe! E prisja. Pas sherrit me n/kryetarin e Degës së Durrësit në kampin e Ballshit, kur refuzova bashkëpunimin me Sigurimin, ndodhi transferimi im në Spaç. Menjëherë këtu, më bënë minator martelist. Ridënimi ishte i natyrshëm. Nëna ime në takimin e fundit, më tha që Sefedin Bendo, një ish komshiu jonë dhe mik me Kapllan Shehun, ka hapur fjalë: “Maksit ia kanë bërë 25 vjet dënimin”! “Mos u mërzit, moj nëna ime, i thashë, – ende nuk ma kanë bërë 25 vjet dënimin, por edhe sikur të ma bëjnë, unë nuk kam faj…! Ty, babit, Dashit, motrave, do t’ju vinte mirë, sikur unë të dal nga burgu sot dhe njerëzit t’ju tregojnë me gisht – ja nëna, ja vëllai i atij spiunit, maskarait…”! Atë ditë nëna ime më tha: “Punët e tua, ti i di vetë, unë sa të kem frymë, nuk do të të ndahem. Por kokën ti, nuk do të na i ulësh, faqen nuk do të na i nxish, unë këtë di të them…”!
Në Spaç, të punoje minator, ishte si të takoje vdekjen çdo ditë. Dhe vdekja të duket një gjë familjare, më e afërt, nuk të tremb më. E ç’ishte vdekja, para ridënimit? Ndoshta del më për mirë, më transferojnë në Burrel. Atje librat dhe gjuhët e huaja lejohen, shpëtoj nga marteli… 25 vjet… unë kam bërë deri tani 2 vjet e gjysmë. O unë, o ky regjim, do të marrë fund më shpejt, se të kalojnë gjithë këta vite.
Në këtë gjendje shpirtërore isha, kur polic Lazri, ndaloi tek një derë në një ndërtesë të vogël, pranë portës së madhe. Trokiti. Dikush foli nga brenda: “Hajde, hajde”, dhe u gjenda brenda asaj dhome, gjysmë të errët. Pas një tryeze, ishte ulur operativi i Sigurimit të kampit, pisi Kosta Prifti dhe një civil i Degës së Brendshme të Durrësit, me mbiemër Bajraktari. Në këmbë, nga e majta ime, rrinte një djalë, aty te të tridhjetat, kaçurrel, zeshkan. M’u prezantua si zv/prokuror i Rrëshenit. Po prisja të fillonin. Mbasi më vrojtuan me kujdes, ai me mbiemër Bajraktari, tha:
– “Hë, Maksim, si ndjehesh këtu në Spaç? Me shëndet nuk qenke keq… nga familja ke lajme, si janë”? Ky ton i përzemërt dhe shtirja e tij, më bënte për të vjellë…! – “Nuk besoj se jeni munduar deri këtu, për tu interesuar për shëndetin tim?! Po ju dëgjoj, më thoni ç’punë keni me mua?! – fola me një ton të qetë.
– “E ke gabim që flet me këtë gjuhë. Ti je djalë i partisë, je joni, konsideroje të përkohshëm, qëndrimin tënd këtu. Ndoshta e ke pritur keq transferimin këtu në Spaç…por nuk ta ka fajin njeri. I je përgjigjur shumë keq, para tre muajve, shokut Kapllan, nuk e prisnim prej teje… jooo”! Unë nuk bëra asnjë grimasë. Prita ku do të dilte, kuptova se nuk qenka fjala për ridënim. Të shohim ku do ta nxjerrë kokën gjarpri…!
– “E shoh që nuk të durohet, sa të dalësh prej kësaj dhome. Mirë pra. Dëgjo, gjatë hetuesisë, kemi një deponim tëndin, për një marinar, një farë E., që i ke dhënë atij, diçka për të shitur. Ne atëherë e falëm atë, u soll shumë mirë, na tha ç’i kërkuam, na u duk djalë i mirë. Por jo. Atje ku punon tani, ka bërë një vjedhje të pasurisë socialiste dhe për këtë e kemi arrestuar. Veç kësaj, ai ka bërë edhe agjitacion e propaganda, kundër pushtetit popullor. Dhe ti, si mik i tij që je, do të na thuash neve, të gjitha bisedat armiqësore që ke bërë me të” – “Nuk është e vërtetë, nuk e njoh këtë njeri”. – “E njeh që ç’ke me të! Ja dhe firma jote këtu për ato plaçkat që i ke dhënë atij…”!
– “Nuk njoh më as Maksin, që paska firmosur atë gjë…”! – “Aaaa, jo mirë kështu! E paske humbur fare, besimin te partia! Po mirë, kujton se do t’i bësh gjithë këto vite burgu, po ta kesh mirë me ne? Po kur të dalësh, mendon se do të gjesh punë kollaj, po të na kesh kundër…?! Mos harro pastaj, ka edhe ridënim…”! – “Nuk më intereson asgjë. As lirimi. Jam fare mirë këtu. Puna si martelist, më pëlqen. Nëse nuk keni më gjë me mua, kërkoj leje të largohem, se kam qenë turni i natës”. – u përgjigja fare qetësisht.
– “Mendoj se është e kotë, ta vazhdojmë këtë muhabet me këtë tip. Ia rregulloj unë këtij, e di unë si e duan këta, lere mutin të ikë”. – foli gjarpri, me emrin Kosta Prifti dhe më bëri shenjë me dorë, që të dal. Thashë nëpër dhëmbë, një si “ditën e mirë” dhe bëra të dal, kur kaçurrelsi, që gjithë kohën më vëzhgonte pa folur, ia pat: – “Prit njëherë, se i kam edhe unë nja dy llafe me këtë…! Më njeh mua ti?! Më quajnë Vangjel L., jam prokuror në Rrëshen. Jam durrsak si ty dhe unë të mbaj mend mirë”.
– “Jo zotëri, nuk ju njoh”! – “Unë të njoh mirë. ama….! Çfarë djali ke qenë mor Maks, nga çunat më të pashëm të Durrësit. Tundej Durrësi, kur dilshe ti xhiro, me ato xhaketat me kuadrate, me atë pardesy të zezë… si Konti Montekristos ngjajshe. Shif si je katandisur tani, je bo për t’u dhimbs, me kto rroba vija-vija, me kte kaptinë të qethme xero…”! – “Edhe Alen Delon, nuk do të ngjante më bukur se unë, po të bënte dy muaj këtu në Spaç. Unë nuk e quaj që; “jam katandisur”, katandisje do të ishte, sikur të pranoja propozimet tuaja…”!
– “Më kishin thënë që ke një gjuhë të helmët…! Po ti nuk e di, se ç’të punoj unë ty, mor qen bir qeni, mor hale muti, t’i shkërdhej turinjtë, t’i shkërdhej…” – dhe ma mbante surratin, ngjitur me timin. – “Nuk është e sjellshme nga ana juaj zotëri, që shpreheni kështu! Nuk jemi në kushte të barabarta dhe për pasojë, nuk mundem të ta kthej reston”!
Mbas ndryshimeve që ndodhën në vitet ’90-të, ky biçim prokurori, më thanë se kish filluar punë, si jurist i Sindikatave të Pavarura, që ishin pranë Partisë Demokratike. Dikush më tha atëherë, se kaçurrelat i kishin lënë vendin tullës. Një tjetër, me të njëjtin mbiemër, (dikush thotë i vëllai, dikush djali i xhaxhait), ka patur një post kyç, në qeveritë demokratike…!
KREU II
I dënuar politik, Kampi i përqendrimit nr. 309, Ballsh
Xhemal Lile, një përmetar
Mbas gjyqit, kaluam në kaush (Burgu 313 i Tiranës) dhe më pas na rrasën një grup prej 20 vetash dhe na nisën për në kampin e Ballshit. Kanë shkruar edhe të tjerë për këtë kamp, për kampet e tjera dhe për burgjet. Do të sjell ca kujtime, për më të moshuarit që kam njohur atje…!
Zbritëm nga autoburgu dhe hymë në kamp. Një shesh i madh, poshtë ishte menca dhe ca si zyra dhe në krahun sipër sheshit kapanonet e fjetjes. Ishim të hutuar, një grup të burgosurish, po na afrohej, kur befas se nga doli një oficer (ishte komisari i kampit) dhe ju drejtua me kërcënim një plaku, që po na afrohej duke çaluar: – “Ti, Xhemal Lile… ty po të flas, kujdes me atë gjuhën tënde, se ta këpusim kokën”!
– “Më habite me këtë që thua! – flakë për flakë Xhemali… kokën time këtu e keni, kur ta keni qejfin, këputeni. Po kjo bela me juve… të varni këmborën në qafë si armik dhe thoni; mos e tunt kokën, sepse dëgjohet këmbora…! Ju e dini mirë që s’ju dua…”! Iku komisari me bisht ndër shalë, ndërsa Xhemali çalë – çalë, m’u afrua: – “Nga të kemi ty evlat”? – “Nga Durrësi”, – i them. – “More, për origjinën po të them…”?! – “Përmetar jam nga origjina…”. – “Mos je nga Mokrica…. kam patur një mik të mirë nga Mokrica, se dhe unë përmetar jam, nga Katundishta, Këlcyra, atë mikun tem e quanin Njazi, po, Njazi Rakipaj dhe ti i ngjake shumë në të parë”?!
– “Është xhaxhai im Njaziu, ndjesë pastë…”! – “Më vjen keq, e di që ka vdekur Njaziu i shkretë, ishte goxha burrë dhe shumë i mençëm, tri katër gjuhë dinte, si more nipi Njaziut ti?! Eja more të të përqafoj…ty sa të dënuan? Shumë të paskan dhënë, por mos u mërzit, je i ri, sa vjeç je? 26… e burgu të ha munë ty…! Një porosi kam për ty dhe ju të rinjtë, rytë djem dhe duhet të dilni burra që këtu dhe jo gra, më more vesh? Edhe hiç mos u trembni, komunizmi i ka të numëruara ditët, lum ju ini të rinj e do gëzoni, kështu të them. Po eja të të bëj një kafe dhe llafosemi më vete, se ja, u qas ky haleja…”, – dhe tregoi me dorë dikë që ish afruar pa u ndjerë. – “Eja se kam një histori me xhaxhanë tënd…”!
Duke pirë kafe me Xhemalin…!
– “Që thua ti, Njaziu ishte dënuar me 17 vjet, kemi qenë në Burrel bashkë dhe si përmetarë na hahej muhabeti, nga ’68-’69-ta, unë mbaroja burgun e dytë dhe ca ditë më kishin mbetur…i them të ziut Njazi: – ‘Dëgjo vëlla, thuama emrin e atij qëni që të spiunoi dhe u bë sebep që po bën gjithë këtë burg…’! – ‘Avni Male, e quajnë mutin më tha’. – ‘Burri burrit – i them, – do t’ja gjej anën dhe do t’ja heq kokën halesë…’!
Dola nga burgu i Burrelit, që thua ti dhe drejt e në Përmet… aty e në Degë të Brendshme, të paraqisja fletën e lirimit, mbaroj punë dhe shkoj të pi një kafe aty afër. S’kisha zënë vend mirë, kur më afrohet një meso burrë: – ‘Me leje të ulem, – thotë ky…’! – ‘Ulu o ulu’, i them, – po vende bosh ke plot këtu…’!
– ‘Ka vende, ka, po desha të ndërroj nja dy llafe me ty…! Nga burgu vjen zotrote’? – ‘Po, nga burgu i Burrelit’. – ‘Ashtuuu?! E ke njohur gjë Njazi Rakipajn, atje? E kam timin…’! – ‘E kam njohur dhe po them, se duhet të mburresh me Njazinë dhe në e ke tëndin, duhet të më rrëfesh, si ta gjej atë hale Avni Male, se dua ta qëroj halenë e mutit, që ka marrë më qafë një njeri si Njaziu dhe jo vetëm atë’. – ‘Mos ki merak më thotë, – ta gjej unë…’!
….S’u mbyll muaji që isha liruar, kur më fshijnë prapë mua… drejt e në birucë. Në gjyq dëshmitar…beson apo jo? Avni Malja, ishte ai muti që pimë kafenë bashkë, kur u lirova…! Ama në gjyq, kur kisha fjalën e fundit, u drejtova nga salla: – ‘Popull i Përmetit! Shiheni, njiheni dhe ruajuni nga ky zagar, që po i vesh me të zeza nënat përmetare…’! Prokurori ma priti: – ‘Mbylle i pandehur! Shiko veten si u katandise…. edhe gruaja të la…..’!
– Mbylle ti, jo unë! Sa për grua, mos ki merak, to marr tënden kur të lirohem…. hahahah….! Kur fole ti, unë dëgjova dhe ma ngope 10 vjet, pa bërë gjë prej gjëje…po dua të paktën të shpëtojnë të tjerët, të mos përvëlohen si unë, që s’e njihja…! Njiheni dhe hapeni llafin, ruajuni nga ky qen…! Avni Male ja thonë emrin… që ju harroftë ishallah, ja baba Tomorr…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016