• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Saturday, June 7, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime I mbijetuar

“Nga dhimbja për shokun e mbytur, duke iu drejtuar sekretarit të parë të Sarandës, bërtita; ma hiqni sysh këtë m…, ktë qen, se e…”/ Dëshmia rrallë e ish-oficerit të marinës, i dënuar 15 vite burg politik

“Nga dhimbja për shokun e mbytur, duke iu drejtuar sekretarit të parë të Sarandës, bërtita; ma hiqni sysh këtë m…, ktë qen, se e…”/ Dëshmia rrallë e ish-oficerit të marinës, i dënuar 15 vite burg politik
“Kur më arrestuan në ’77-ën, bashkë me shokun tim, nipin e Hysni Kapos, hetuesi Spiro Spiro, më tha…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të marinës tregtare, të anijes “Durrësi”!
“Zoti Rakipaj, ju përgëzoj për kurajën tënde të palëkundur, për të denoncuar e demaskuar, krimet e përbindëshme të Enver Hoxhës dhe…”/ Letra e shkrimtarit të njohur, për ish-të dënuarin politik
“Nga dhimbja për shokun e mbytur, duke iu drejtuar sekretarit të parë të Sarandës, bërtita; ma hiqni sysh këtë m…, ktë qen, se e…”/ Dëshmia rrallë e ish-oficerit të marinës, i dënuar 15 vite burg politik
“Xhaviti thotë se; unë i kam shkruar vetëm udhëheqësit kryesor të Partisë, duke i thënë të mos krekoset si gjel, pasi…”/ Përgjimet në burgun e Burrelit, në ’81-in

Nga Maksim Rakipaj

Pjesa e parë

Memorie.al / Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

                                                               I MBIJETUAR      

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

KREU I

Para arrestimit

Pak retrospektivë, në vend të parathënies

Në vitet e para pas “çlirimit”, diktatura e egër që u vendos në Shqipëri, filloi menjëherë luftën e klasave, duke shfarosur familje të tëra. Atëherë vendi numëronte më pak se një milion banorë. Sipas mësimeve nga jugosllavët dhe më vonë sipas direktivave të Stalinit, në vitet e para, u bë asgjësimi i atyre që quheshin “klasa të përmbysura”. Një pjesë e tyre, arritën të arratisen. Ata që nuk mundën, provuan pushkatimet me dhe pa gjyq, burgosjet, dëbimet dhe internimet, apo u detyruan në mënyrë poshtëruese, të bashkëpunojnë me Sigurimin e Shtetit, për të mbijetuar. Nuk lanë pas dore as luftën brenda llojit, të cilën e kishin filluar që gjatë Luftës.

Enveri që, deri në vitin ’48, një vegël e verbër e jugosllavëve. Në ministrinë e Brendshme, deri vonë pati punuar si këshilltar specialist, një ish-SS gjerman, që kërkohej nga çekët për krime lufte. U ngritën kampe të lemerishme, si ai i kënetës së Maliqit dhe plot të tjerë. Kam njohur njerëz që kanë provuar Maliqin. Kam dëgjuar tregimet e tyre, duke u rrëqethur. Kam parë deri sot, kush e di se sa filma, ku tregohen mizoritë në kampet nazistë të përqendrimit. Nuk kanë të krahasuar, me krimet e kryera nga komunistët shqiptarë, ndaj shqiptarëve. Nuk është bërë asnjë film, për kampet e përqendrimit në Maliq, Porto-Palermo, për gjenocidin në Mirditë, në Malësinë e Madhe, për vendet e lemerishme të internimeve në Tepelenë, Savër, etj. TV shtetëror, jep herë pas here vetëm ndonjë filmim, nga arkivat e ish Sigurimit.

Në se ndokush prej nesh, përpiqet të shkruajë ndonjë kujtim, duhet të gjejë sponsor për t’i botuar. Duhen parà, që ish të dënuarit politikë, që janë ende gjallë, nuk i kanë. Por e kisha fjalën, te lufta e dashur për Enver Hoxhën dhe këlyshët e tij, “luftën e kllasave”. Pasi u prish me Titon, krye-titisti Enver Hoxha, zhduku të gjithë ata, që sipas tij, qenë pro-jugosllavë! Filloi dashuria me Bashkimin Sovjetik. Ditë e natë, Radio-Tirana jepte muzikë sovjetike, përkthehej vetëm letërsi sovjetike, dhe ashtu si më parë, kampion i dashurisë për Jugosllavinë e Titos, tani kampion i dashurisë për Bashkimin Sovjetik, ishte përsëri Enver Hoxha. Kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik, (ky është një mister që nuk mund ta zgjidhin historian, si Kristo Frashëri apo Xhufi me shokë), hynë në burg pro-sovjetikët, që gjetën aty anti-sovjetikët e burgosur, para vitit ’61. Filloi dashuria e zjarrtë me Kinën e Mao Ce Dunit, në burg anti-kinezët. Në ’73-in, u prishëm edhe me Kinën. E kishin radhën pro-kinezët, që edhe pse nuk kishte, u sajuan dhe u pushkatuan ose u burgosën.

Mendja dhe shpirti i sëmurë i diktatorit, mendonte vetëm për të gjetur armiq. Kur mbaroi punë me “kllasat e përmbisura”, ia filloi mbarë luftës, kundër popullit të tij. Si në luftë dikur: “pa dallim feje, krahine, ideje”. Varfëria shtohej, dita ditës. Por tensioni i krijuar nga tirani në popull, nuk i linte njerëzit të mendonin për mirëqenien, që në ato kushte, ishte e pamundur të arrihej. Parulla e ditës, pas viteve ’70-të, ishte “TË LUFTOJMË PA MËSHIRË, ATA QË VEPROJNË KEQ, QË SILLEN KEQ, QË MENDOJNË KEQ”. U ndalua edhe të mendoje, pa le të thoshe atë që mendoje. Ish-studentët shqiptarë, (kuptohet, ata me biografi të mirë), që kishin qenë në universitetet e ish-kampit socialist, kujtonin me mall, vitet e kaluara atje.

Kaq mjaftonte, cilësoheshin “armiq” dhe hetoheshin për spiunazh. Nëse nuk arrinin ta vërtetonin akuzën, punë e madhe! Dënoheshin njësoj! E pakta 10 vjet; për “agjitacion e propagandë, për minimin, rrëzimin e pushtetit popullor”. Tani dënohej kushdo. Sa më e lartë pozita, aq më i rëndë ishte dënimi. Për anëtarët e Byrosë Politike: vetëm pushkatim, apo “vetëvrasje” ose, “sëmundje e papritur”. Populli kënaqej. Makina e madhe propagandistike e PPSh-së e drejtuar prej Goebelsit tonë – Ramiz Alia – vazhdonte të rrëfente, mençurinë e të “lavdishmit” Enver Hoxha, në zbulimin e “armiqve”. Kuçkat plaka komuniste, binin në dalldi, si të kalonin në orgazëm: “Pupupu, o Enver djali, shyqyr që shpëtove! Deri ku na qenka futur armiku”! Kur kujton sot këto gjëra, duken të pabesueshme për fëmijët tanë, për ata që nuk i kanë jetuar ato tmerre.

26 shkurt 1973 – Mbytja e anijes “Tomorri”!

       – “Gjallë pas mbytjes së anijes”-

Studimet në Shkollën e Marinës, i mbarova në vitin 1972 dhe mbas mbarimit të asaj shkolle, për ne oficerët e rinj, ishte një stazh i detyrueshëm për të punuar si detarë të thjeshtë, në anijet që lundronin vetëm brenda vendit. Shumë prej këtyre anijeve, ishin prej druri. Kushtet e jetesës dhe të punës, ishin shumë të vështira në to; fusnin ujë dhe pompa për të nxjerrë atë ujë, nuk kishte. Uji i detit që depërtonte brenda anijes, nxirrej vetëm me anë të trumave, që detarët ishin të detyruar t’i përdornin vetëm me krahë. Shpejtësia e atyre anijeve ishte mjaft e ulët, 4-5 nyje, d.m.th., më pak se 8-10 km./orë. Mendoni sa i rëndë ishte një lundrim me to; p.sh., lundrimi Sarandë-Shëngjin, zgjaste mbi 20 orë; sa lije shërbimin e radhës në timon, kishe radhën e trumës.

Për aparatura lundrimi, as që flitej. Kishin vetëm nga një busull manjetike, që nuk u bëhej kurrë kompensimi. Por, në komandë kishte kapitenë të sprovuar, që e njihnin detin, erërat, rrymat dhe bregdetin shqiptar, për bukuri. Kishe ç’të mësoje nga ata, ishin detarë të vërtetë. Mbaj mend shumë prej tyre dhe me disa, kam patur fatin të punoj. Ata na mësuan shumë gjëra, por ajo gjë që nuk e harroj kurrë, na mësuan se anija, nuk është thjesht një send pa shpirt. Anija është si një qenie e gjallë, njerëzore dhe duhet dashur si e tillë.

Respektet e mia për Muharrem Bazin, Vehbi Lulin, Apostol Xhaxhon, Niko Konomin e gjithë të tjerët. Respekt edhe për Saliun, që kujtohet si Salë Krypa, sepse transportonte gjithmonë krypë guri, në linjën Sarandë-Vlorë. Kur kujtonte babanë e vet Sal Krypa, vetëm e mallkonte: “Ai dreq futi me anijen e tij, librat e komunizmit në Shqipëri, në vitin 1930 e ca, bashkë me Ali Kelmendin. Mirë që e more Aliun, hajde de! Po ata mut libra, pse s’ia hodhe në det”?!

…Në fillim të muajit shkurt 1973, më caktojnë të vazhdoj stazhin, me anijen “Tomorri”. Stazhi vërtet që me rregullore ishte 6 muaj, por për shumë oficerë të rinj, vazhdonte vite të tëra. Te “Tomorri”, gjej Julian Kapexhiun, që kishte një vit e gjysmë që bënte stazhin. Gjej edhe Ilir Koçilen, që ka mbaruar shkollën në një vit me mua. Iliri ishte nostromo i anijes. Kapiten kishim Niko Konomin.

Ekuipazhi përbëhej nga kapiteni, ne tre stazhistët, mekanik Tefik Myftari, detar Bashkim Isaku, Bashkimi tjetër dhe Fiqua, që ishte edhe kuzhinieri ynë. Ndodheshim në portin e Sarandës. Kishim ngarkuar 120 ton qymyrguri. Ngarkesa mbaroi rreth orës 18 dhe të nesërmen, do të niseshim për të shkarkuar në portin e Vlorës.

25 shkurt 1973. Koha është e bukur, si ditë pranvere, pothuaj nuk fryn erë fare. Bashkë me anijen tonë, në kalatën e vetme të portit të Sarandës, ndodhen edhe anije të tjera. Është anija metalike “Guri Nazifi”, dy anije të tjera prej druri, si e jona, “Kajo Karafili” dhe “Zaho Koka”. Pak më tej, është edhe një anije luftarake, “Kateri i Radës”. Sot Ilir Koçilja ka ditëlindjen, mbush 22 vjeç. Jemi 5-6 oficerë, që bëjmë stazhin në këto anije dhe vendosim të festojmë ditëlindjen e shokut tonë.

Roland Grabovari, na fton ta festojmë në kabinën e tij te “Guri Nazifi”, sepse ka më shumë hapësirë. Pimë nga pak, bëjmë qyfyre, këndojmë dhe mbas orës 22, shpërndahemi nëpër anijet tona. Kapiten Nikua, na uron natën e mirë dhe na porosit të flemë, sepse nesër do të nisemi herët. Parashikimi i motit, është shumë i mirë, sipas të gjithë stacioneve meteorologjike. …Tronditje të forta dhe zëri i kapitenit na zgjojnë të gjithëve rreth orës 24: “Shpejt në manovra, fortunal. Duhet të dalim në radë, se po çahemi, duke u përplasur në kalatë”!

Mbledhim cimat me shpejtësi dhe dalim në radën e Sarandës. Era bëhet shumë e fortë, mbi 100 km/orë; deti, që para gjysmë ore ngjante si akuarium shtëpie, është egërsuar. Temperatura është ulur papritur dhe bie shi, borë dhe breshër bashkë. Kapiten Niko, po kërkon një vend për të hedhur spirancën. Ne të gjithë, po përgatisim spirancën për hedhje, por me që ka vite pa u hedhur, spiranca dhe gadinat (zinxhirët) janë si të salduara. Kapiteni jep urdhër: “Hidhe spirancën”! por spiranca nuk bie, sado që godasim me varé, gadinat e saj. Që të mos na rrëmbejë era, të parin e mban fort një i dytë, këtë e mban një tjetër dhe i fundit, mbahet mbas belaustrave.

Jemi qull, jo vetëm prej ç’bie nga qielli, por edhe nga dallgët që na përplasen me fuqi mbi trup. Arrijmë t’i hedhim, të dyja spirancat. Më në fund! Themi se ia hodhëm, kur nga bordi i djathtë, afrohet me shpejtësi anija “Zaho Koka”. Nga thirrjet që vijnë prej saj, kuptojmë që kanë defekt në timon. Era e fuqishme e ka marrë përpara, me gjithë spiranca. Përplasja është e pashmangshme. Dëgjohet goditja e fuqishme, që na jep bashi i “Zaho Kokës” në bordin e djathtë: një, dy… dhjetë… e kush e di se sa goditje!

Era e rrotullon anijen, e cila fillon të na godasë nga bordi i majtë, derisa e largon prej nesh. Anija jonë vazhdon të lëkundet, nga era e fuqishme. Kapiteni Niko Konomi, i shkrep që të gjitha një nga një fishekzjarret e alarmit, me pistoletën sinjalizuese. Kanë kaluar rreth dy orë, që kur dolëm në det. Nga bordi i majtë, na afrohet “Kateri i radës”. Komandanti i “Katerit”, na thotë se me urdhër të Beqir Ballukut, (ish-anëtar i Byrosë Politike të PPSh-së dhe ministër i Mbrojtjes Popullore) që është me pushime në Sarandë, duhet të braktisim anijen dhe të shkojmë i gjithë ekuipazhi, te anija luftarake. Njëzëri vendosim të mos e braktisim anijen, sepse kemi shpresa, meqë era po fashitet, mund ta shpëtojmë, po të na rimorkiojë një anije tjetër.

Fillojmë të nxjerrim dhe të përgatisim cimat, për një rimorkim të mundshëm. Teshat i kemi të gjitha qull, nuk kemi më të tjera për t’u ndërruar. Megjithatë, të gjithë punojmë me të gjitha forcat, nën komandën e kapiten Nikos. Pa vajtur ora 6 e mëngjesit, shohim se po afrohet anija metalike “Guri Nazifi”, për të na rimorkiuar. Anija jonë, vazhdon të zhytet, ujët e detit e ka kaluar dyshemenë e sallës së motorit. Për të ngritur spirancat, me fuqinë e krahëve, nuk pret koha. Fillojmë të sharrojmë me sharrë hekuri, gadinat e spirancave. E sharrojmë të djathtën dhe vazhdojmë të sharrojmë, spirancën e majtë.

“Guri Nazifi”, bën tre përpjekje për të na rimorkiuar, që dështojnë shkak të erës dhe rrymave. Nga anijet e tjera, na arrijnë thirrjet e shokëve, që na thonë të hidhemi në det, se anija po mbytet. “Guri Nazifi”, tërhiqet nga përpjekjet për rimorkim. Afrohet “Kateri”, për të na marrë në kuvertën e tij. Ilir Koçilja, mbështjell me salvaxhenten e vet dokumentet e anijes dhe ia jep kapitenit, i cili ia kalon me mundim kapitenit të portit, që është me “Katerin”. Kapiteni ynë, nuk e ka veshur salvaxhenten e tij, për të mos hapur panik.

Ilir Koçilja dhe unë, po rrimë në mes të kuvertës së anijes, duke pritur që të hipim më të fundit, në anijen tjetër. Ujët del mbi kuvertë; Julian Kapexhiu dhe Bashkim Isaku, hidhen në det. “Kateri” largohet mbrapsh, që të mos na hipë sipër! …Mbaj mend, vetëm një zhurmë të hatashme dhe anijen që zhytet me bash përpjetë në det, duke më tërhequr me vete, disa metra nën det. Qetësi. Një qetësi absolute, një muzikë e bukur në sfond, ngjyra të mrekullueshme…shoh të gjithë njerëzit e mi, që marrin vesh për mbytjen time…disa çaste më pas, shoh veten mbi ujë.

Salvaxhentja e bën punën e saj. Shoh shumë koka mbi ujë. Bashkimi dhe Juliani, arrijnë me not anijen “Zaho Koka”, ekuipazhi i saj, i ndihmon të ngjiten lart. Shoh Niko Konomin, që humbet, koka e tij, nuk duket më në sipërfaqe. Notoj në drejtimin ku e pashë, pak më përpara; koka e Nikos del mbi ujë, zgjas krahun dhe e marr mbi shpinë…! “Mos ki merak, Makso, salvaxhentja jote, na mban të dyve, deri sa të vijë “Kateri” të na marrë”, – më thotë Niko.

Më në fund, pasi i mbledh gjithë të tjerët, “Kateri” afrohet ku isha unë, me Nikon mbi shpinë. Na hedhin një cimë dhe Nikon e marrin lart. Hedhin cimën edhe për mua. E kap fort me të dy duart, por krahët nuk më punojnë më. Katër-pesë detarë, më tërheqin lart dhe duke më mbajtur për krahësh, më çojnë në kuzhinë, ku ndjej mjaft ngrohtë. Më japin një palë tesha ushtarake, pastaj më çojnë në dhomën e fjetjes së detarëve.

Filloj të numëroj shokët: unë një, Niko dy, Bashkimi tre, Tefiku me Fiqon pesë. Bashkim Isaku me Julianin, janë te “Zaho Koka”. Po Ilir Koçilja? Shohim njëri tjetrin në sy dhe të gjithë futim kryet nën batanije. Qajmë të gjithë pa zë, por trupat që dridhen nën batanije, na tradhtojnë. Sjellin edhe Julianin me Bashkimin tek ne. Pyesin me sy, pa folur: “Po Iliri”? Përqafohemi. Të gjithë numërojnë. Po një numër del: shtatë!

Shkojmë të gjithë te zyra e peshores së portit, ku na pret sekretari I-rë i PPSh-së për rrethin e Sarandës. Na sjellin një shishe konjak ,që kalon dorë më dorë. Herën e parë sa e vëmë në buzë; kur më vjen shishja, për herë të dytë në dorë, shoh që ka mbetur fare pak në fund. “Mbaroje, Makso”! më thotë Bashkimi me sytë e njomur. Ndërkaq, sekretari I-rë, pasi flet me kapitenin tonë dhe me komandantin e “Katerit”, bisedon me dikë nga ministria e Mbrojtjes, në telefon.

Jep të gjithë emrat tanë. Në fund thotë atë që e marrim me mend të gjithë dhe nuk duam ta besojmë: “Ilir Koçilja, është emri i të mbyturit. E mori anija “Tomorri” me vete, në fund të detit”!

Unë jam shoku më i ngushtë i Ilirit. Nuk kam kujt t’ia nxjerr mllefin që kam dhe më del një si ngashërimë: “Ahh, mor Lirooo, që humbe jetën, për një anije të kalbur”! Sekretari i parë ngrefet dhe kërcënueshëm, më drejtohet: “Kush je ti, more, që flet kështu, për pronën socialiste?! Ai e mbrojti me jetën e tij atë pronë dhe ti më flet kështu”?!

Nuk shoh më nga sytë: “Ma hiqni sysh këtë mut, se e shqeva, për zotin! Ça prone socialiste thua, mor mut! E di ti, që mbrëmë Liri mbushi 22 vjeç?! Ëëë?! Të gjitha ato kalbësira të shkonin në fund të detit, por jo Liri i shkretë, mor qen”! Një oficer policie, i thotë diçka në vesh sekretarit dhe ai del jashtë, pa u ndjerë. Nga magazina e portit, na sjellin për të veshur rroba pune. Ndërrohemi dhe heqim teshat ushtarake, që i mbledh dhe i merr një detar i “Katerit”. Na dërgojnë të gjithëve, në hotelin e vetëm të Sarandës.

Unë nuk shkoj në hotel. Deri në vitin ’60-’61, kam banuar në Sarandë. Shkoj te shtëpia e Lefter Matit, kemi qenë komshi ato vite. Djali i kapiten Teodor Mukës, që bën shërbimin ushtarak si polic në Sarandë, më shoqëron deri te pallati i Lefterit. I bie derës. Asnjë përgjigje. Që jashtë dëgjohen të qarat e Polites, gruas së Lefterit: “E zeza, korba, e mori deti e mori, korba, korbaaa…”! Kur më sheh mua mbështetur te dera, më përqafon fort, duke qarë e, duke qeshur bashkë: “Uuuu, shyqyr, shyqyr, se këtu është hapur llafi, se është mbytur ai djali nga Durrësi, që vjen te Politja. Thashë se më ra pika”!

Pas dy ditësh, marrim autobusin për në Durrës. Edhe këtu qe hapur fjala, se isha mbytur unë. Stavri Samara, shoku im, bën ushtrinë si motoçiklist, në Tiranë. Edhe ai, kur shoqëroi komandantin e batalionit të tij në ministri, mori vesh, se i mbyturi isha unë. Kur më sheh gjallë, nuk u beson syve. Për mua, është sikur të jetë mbytur një pjesë e imja, sepse kam humbur një shok të mirë. E kam shumë të vështirë ta pranoj, vdekjen e tij.

…Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, i gjithë ekuipazhi u ftua në pritjen që jepte për nderin tonë, drejtoria e portit. Ishte edhe Iljaz Reka, sekretari i parë i Durrësit. Kisha dëgjuar të flitej mirë për të. Na pyeti të gjithëve, një për një, për emrin, origjinën, detyrën. Mua më tha: “Ti që je përmetar, na hap shampanjën”! Kur ngriti gotën për të na uruar që shpëtuam, tha i mallëngjyer: “Kisha menduar, t’ju pres me ceremoni të mëdha, te pallati i Zogut. Jeni heronj që të gjithë dhe e meritonit, por nuk festojmë dot, sepse ju keni humbur shokun tuaj dhe mua më qan zemra, bashkë me ju. Do t’ju shpërndajmë nëpër anije të ndryshme, që trimëria juaj, të shkojë në të gjitha anijet tona”!

Mbasi na lanë një javë pushim, na dërguan të gjithëve te anija “Rinia”, që ndodhej në kantierin detar, për riparim. Të gërryenim ndryshkun e saj. Erdhi dita e rrogës. Meqë ishte tejkaluar plani i ndërmarrjes, të gjithë morën nga 1/2 rroge shpërblim; për ekuipazhin tonë, një rrogë e plotë shpërblim. Gjatë orarit të punës, shkëputeshim dy nga dy, për të vajtur në zyrën e llogarisë, për të marrë rrogat. Aty rreth orës 11 paradite, u kthye Bashkimi me Fiqon. Ishte radha ime të shkoja.

– “Mos shko kot, – tha Bashkimi, – nuk na i japin rrogat, po nuk kthyem teshat, që na dhanë në Sarandë: pantallona, xhupa, këpucë, brekë…të gjitha, përndryshe nuk marrim asnjë lek. Jo me mor rrogat dhe me pru teshat nesër. Dorëzo brekët njëherë, pastaj merr rrogën. Kshu e ka urdhnin shefi llogarisë….”!

I përjetshëm qoftë kujtimi yt, shoku im, i paharruari Ilir Koçilja! Pagëzimi im me detin, qe mjaft i dhimbshëm…! Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Edhe pse Ramiz Alia, nuk mori pjesë në mbledhjen e Katovicës që u zhvillua në 1987-ën, në Tiranë, ka mbërritur letra e Gorbaçovit, e cila kishte...”/ Dëshmia e rrallë, e ish-sekretarit të Alisë

Next Post

Kalendari Historik 28 Dhjetor 2023

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
Kalendari Historik 1 Dhjetor 2023

Kalendari Historik 28 Dhjetor 2023

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!