Nga Genc Korça
Pjesa e tretë
Memorie.al / Shekulli i XX-të hyri i zjarrtë në optimizëm. Mendimtarët politikë në gjithë Europën, panë radhët e punëtorëve industrialë, të grumbulloheshin rreth flamujve të socializmit në gjithë kontinentin. Kështu, ishte mjaft e qartë të konkludohej se asnjë nga punëtorët socialistë, qofshin ata në Francë, Gjermani apo diku gjetkë në radhët e kombeve të industrializuara, mund të ngrinte pushkën kundër socialistëve të tjerë, pavarësisht në cilën anë të kufirit, ata mund të ishin. Por në këtë kohë, Duka Ferdinand i Austrisë, u qëllua për vdekje në Sarajevë dhe Lufta e Parë Botërore, e la mënjanë utopinë pacifiste. Para përfundimit të luftës, sovjetikët mund të fillonin ndërtimin e parajsës së punëtorëve, duke mbytur në gjak regjimin carist, si dhe çdo kundërshtim ndaj marksizëm-leninizmit. Përveç kësaj, Gjermania mundi të flakë skamjen dhe trazirat e pasojave të Luftës së Parë Botërore dhe të zgjidhte Adolf Hitlerin, si kancelar. Gjermania mundi të bashkojë ngushtë radhët nën flamurin e Partisë Nacional-Socialiste dhe të ngrihej në nivelin e një fuqie botërore, vetëm në gjashtë vjet.
Nuk dihet nëse Kadri Hazbiu i kujtoi fjalët e tij, pas disa vjetësh, kur Enveri e arrestoi dhe e pushkatoi…?! Episodi që pason, nuk vjen nga eksperienca ime personale. E kam marrë nga libri me titull “Një Monument i Nëndheshëm” i Fritz Radovanit (faqe 160-161). Asllan Lici dhe Pal Melyshi, ishin dy oficerë të Sigurimit të Shtetit, në qytetin e Shkodrës. Atë ditë kishin shkuar herët në zyrë. Kishin nxituar dhe kishin urdhëruar që At Aleksandër Sirdani dhe At Pjetër Çuni, të prangoseshin dhe të silleshin nga burgu i tyre, në një vend pas godinës së Sigurimit. Priftërinjtë u sollën me pranga në duar, përmes një dere anësore. Rojet i nxisnin, ndërsa të burgosurit lëviznin me vështirësi, për shkak të torturave që kishin vuajtur. Pastaj, dy oficerët e Sigurimit, i pyetën për dy sfurqe të fortë, sjellë nga stallat e kuajve.
Asllan Lici u hodh para tyre, duke çaluar, ndërsa Pal Mëlyshi, u kamaros pas tij. “Përpiquni të lëvizni ju, qenër të Papës, tani do të kujdesemi ne për ju! Ju kujtoni se mund të na bëni budallenj me shkarravinat tuaja?! Pse nuk pohoni se bashkëpunoni me kriminelët, që i keni ushqyer fshehtas, në shpellat e tyre të fshehura në male”?! Pa pritur përgjigje, ata ecën drejt një grope të hapur të ujërave të zeza. Priftërinjtë po qëndronin buzë gropës së ujërave të zeza kur, papritmas, Asllani i vuri duart në gjoks At Pjetrit dhe Pali, kapi At Aleksandrin për krahësh. Duke i sharë, i shtynë priftërinjtë në gropën e ndotur. Kur priftërinjtë u përpoqën të ngrinin kokat mbi gropë, dy kriminelët i shtynë poshtë, me sfurqet e tyre.
“Fol, ku është Krishti yt?! Fol? Kjo është mënyra si gjithë priftërinjtë do të përfundojnë? A po e shihni gjëkundi Krishtin tuaj, ju, plehra të tokës”?! At Aleksandri, i cili ishte hedhur në gropë i pari, qëndronte poshtë saj. At Pjetri shtyu kokën e tij mbi masën e fekales dhe, me gjithë forcën e vet, bërtiti: ‘Rroftë Krishti! Unë jam në rrugën time…”! Të dhënat e mëposhtme, të nxjerra nga burimet zyrtare komuniste, pasqyrojnë shtrirjen e luftës së zhvilluar nga regjimi komunist, kundër qytetarëve të vet, mes viteve 1944-1990, fillimi dhe fundi i regjimit komunist e sundimi i terrorit në Shqipëri. Këto shifra përfshijnë burra dhe gra, megjithëse shumica e viktimave janë burra.
– Ekzekutuar, me ose pa gjyq: 6.027
– Të burgosur politikë: 17.500
– Vdekur në burg: 1.065
– Humbën mendjen: 408
– Në kampet e përqendrimit politik: 50.000 familje
– Vdekur në kampet e përqendrimit: 7.022
Këto janë rezultatet e ligjeve të Adil Çarçanit e kompani, të fshehura deri tani. Për fat të keq, politikanët e regjur, nuk janë të vetmit që gjejnë rehati në gjysmëshekullin e vuajtjeve të pandërprera të Shqipërisë. Dritëro Agolli ishte shkrimtari dhe poeti i parë i epokës komuniste. Për shkak të talentit të padyshimtë dhe duke qenë fshatar, ai u dërgua për studime në Leningrad (Shën Petërburg), xhevahirin e kurorës artistike dhe kulturore të Rusisë. Pas kthimit, kaloi dekada të tëra si anëtar i parlamentit komunist dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai fitoi reputacion si humanist, i cili, sipas Ismail Kadaresë, u bë çmagjepsës i komunizmit, gjatë viteve ’60-të. Para disa vjetësh, ai ishte i ftuar nderi në Ditën e Flamurit në Detroit dhe unë duhej të isha me të, në tavolinën kryesore. Meqë e njihja vetëm nga reputacioni, fola me miqtë që e njihnin apo që dinin diçka rreth tij. Vendosa ta takoj në shtëpinë e një miku të përbashkët e t’i shprehja mendimin tim.
Gjatë bisedës sonë e pyeta se, si një komunist i ndershëm, i shikonte vitet e sundimit të kuq në Shqipëri. Ai u përgjigj: “Ndërsa disa ngjarje të atyre viteve, ishin të papëlqyera, ato nuk ishin të tilla, sa të ndryshonin pikëpamjet e mia politike”! Prisja më shumë nga një shkrimtar i cili, nga natyra e tij, duhej të ishte i ndjeshëm ndaj popullit e ngjarjeve rreth tij dhe i cili, për shkak të pozicionit, duhej të ishte në dijeni të plotë të krimeve dhe vuajtjeve të kryera ndaj popullit shqiptar. Sigurisht që unë nuk mund të isha dakord që, 47 vitet e sundimit komunist në Shqipëri, ishin prishur vetëm nga disa “ngjarje të papëlqyeshme”! Duke patur këtë përgjigje ndaj bindjeve personale të Dritëro Agollit, unë nuk e ndoqa atë festim të veçantë të Ditës së Flamurit dhe u tërhoqa nga një bord drejtorësh, në të cilin, që të dy ishim anëtarë.
E së fundi, ç’mund të thuash për varret masive që nuk dihet se ku janë, shpërndarë në gjithë Shqipërinë?! Po me varrin masiv në Burrel, ku komunistët rrafshuan gjithë zonën dhe ngritën godina në majë?! Gjatë regjimit komunist, autoritetet zhvarrosën mbetjet e poetit dhe patriotit të madh, At Gjergj Fishta e i hodhën në lumë. Nëse transferimi i trupit të Josif Pashkos, nga një varrezë në tjetrën, ishte makabër, atëherë, si mund ta quajmë vandalizimin e trupit të Fishtës?! Edhe sot e kësaj dite, Shqipëria nuk ka një monument për t’i nderuar ato mijëra viktima të ekzekutuara nga komunizmi dhe asnjë obelisk, ku të shënohen emrat e tyre. Përderisa vendndodhja e shumë varreve masive nuk dihet dhe të tjerët janë të paarritshëm, a nuk ka mundësi që familjet e këtyre viktimave të kenë monumente publike, ku ata të vendosin lule dhe të mbajnë zi për të vdekurit?! Si mund të shërohen plagët, nëse kombi nuk i sjell viktimat e komunizmit, nga varret e tyre të panjohura, në dritën e diellit dhe ndërgjegjen e shtetit? A nuk është kjo më e pakta që një komb, mund të bëjë për të mbijetuarit e këtyre viktimave?
Gjenerali spanjoll, Francisko Franko, i akuzuar nga komunistët si një diktator fashist, i kushtoi një bazilikat në faqen e malit dhe një varrezë madhështore pranë Madridit, nderimit të atyre që dhanë jetën gjatë luftës civile të Spanjës, si nacionalistëve, edhe komunistëve. Si mund të krahasohen sunduesit e djeshëm dhe trashëgimtarët e sotëm të Shqipërisë, me Francisko Frankon?! Në Shqipëri, komunistët dhe trashëgimtarët e tyre shpirtërorë, po ngjiten në pushtet, sipas kredos së tyre “diktaturë pa gjak”! Përveç kësaj, shumë prej tyre kanë fituar pasuri të padrejta dhe asnjë organ i shtetit, nuk ka guxuar t?i sfidojë, deri tani. Ata e kanë mbytur kombin në korrupsionin e nxitur nga shteti. Ata kanë njollosur emrin dhe reputacionin e Shqipërisë, në mbarë botën. Bashkimi Europian, në mënyrë të vazhdueshme, ka tërhequr vëmendjen në lidhje me këtë plagë të rëndë dhe ka deklaruar, se Shqipëria nuk anëtarësohet, derisa qeveria të marrë përgjegjësitë e saj dhe të çrrënjosë korrupsionin. Gjyshërit dhe baballarët tanë, luftuan për të krijuar një Shqipëri të pavarur.
Ata e luftuan Perandorinë Otomane, me armët e mendjet e tyre, duke vendosur në standard gjuhën e shkruar shqipe, të ndaluar për 500 vjet nga sunduesit turq. Ata e ngritën kauzën shqiptare në rangun e diplomacisë ndërkombëtare. Këta patriotë, rrezikuan gjithçka patën, për kauzën e tyre të shenjtë. Pas vitesh lufte e vuajtjesh, liderët e tyre firmosën Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Në atë kohë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria nuk kishte institucione të arsimit të lartë. Mes atyre që studiuan në universitetet jashtë vendit, nuk kishte dyshim se, pas diplomimit, do të ktheheshin në vend-lindje, për ta vënë veten dhe njohuritë e tyre, në shërbim të kombit. Pavarësisht nga fakti se ata sollën në Shqipëri njohuri dhe eksperiencë jete të fituar në vendet e zhvilluara, u bënë objektivat e parë të persekutimit komunist, duke shkatërruar gjithë lidhjet e tyre me të kaluarën, që Partia Komuniste të mund “të krijonte njeriun e ri”.
Kjo krijesë e re do të kërkonte pak ushqim e pije, me rrënjët e saj thellë në propagandën komuniste. Ajo nuk do të kishte, as dëshirë, as kujtesë, as karakter, as vlera morale. Ajo do të vepronte sipas urdhrave dhe do të duronte mjaft vuajtje e padrejtësi, për të siguruar mbijetesën e Partisë e, nganjëherë, edhe të vetën. Në deklaratën e tij të mesazhit të Unionit, në vitin 1941, Presidenti Franklin D. Ruzvelt, shpalli katër liritë: lirinë e fjalës, lirinë e besimit, lirinë nga frika dhe lirinë nga skamja. Regjimet komuniste, që nga Kuba në Bashkimin Sovjetik, nga Vietnami në Kinë, i dhunuan të katër këto liri. Në Shqipëri, për një gjysëm shekulli, vlerat e moralit, dinjiteti njerëzor dhe liritë e individit, u kthyen në të kundërtën e tyre, me urdhër dhe shembull “nga lart”. Tradhtia zëvendësoi besnikërinë në familje, atë ndaj miqve dhe besimit fetar. Korrupsioni zuri vendin e integritetit, dinjitetit dhe nderit. Respekti njerëzor dhe sjellja e mirë u shkelën, duke u zëvendësuar nga frika që vinte nga terrori. Tollonat u bënë arma e preferuar e regjimit, për të arritur nënshtrimin në gjithë vendin.
Aktualisht, korrupsioni në shkallë kombëtare po praktikohet nga elita e Shqipërisë. Për fat të keq, arsyeja që korrupsioni po lulëzon, është shkak i apatisë së një mazhorance të ngathët. Kohët e fundit, pyeta një ish-viktimë të komunizmit, nëse mund t’i falte persekutorët e tij. Ai më pa drejt e në sy dhe më tha: “Unë do t’i konsideroj ata të falur, kur të kërkojnë ndjesë për krimet e tyre. Jo më përpara”!? Psikologët kanë krijuar shprehjen “elefanti në dhomën e ndenjes”, për të përshkruar gjendjen kur dikush bën një faj dhe familja e gjen të vështirë ta diskutojë këtë, në praninë e fajtorit. A ka elefant në dhomën e ndenjes të Shqipërisë?! Nëse ka, atëherë, cili është ky?! Po, ka një të tillë, dhe ky është shumë i madh.
Ai përfaqëson shumën e përgjithshme të krimeve të kryera nga Partia Komuniste, ndaj viktimave të saj, nëpërmjet dhunimit të të drejtave të njeriut dhe persekutimeve, nëpërmjet torturave dhe masakrave, përgjatë një gjysëm shekulli. Kjo është më shumë se tragjike, sepse kriminelët nuk u sollën kurrë para drejtësisë. Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, shumë nga sunduesit e djeshëm dhe pinjollët e tyre, vazhdojnë ta mbajnë monopolin ndaj kombit, duke shtuar pasuritë e fituara padrejtësisht, nëpërmjet pushtetit të tyre politik. A ka gjasa që, shumë shpejt, të ketë një hetim gjyqësor, në lidhje me aktivitetin e kaluar dhe të tanishëm të klasës sunduese, të vetë përjetësuar të Shqipërisë? Shanset që kjo të ndodhë, janë të pakta. Nën regjimin komunist, Shqipëria funksiononte pa një sistem gjyqësor të pavarur. Në fakt, për shumë vite, Shqipëria nuk e ka patur Departamentin e Drejtësisë, sepse, sipas Partisë, “në një demokraci të popullit, drejtësia ishte e garantuar, meqë populli ishte në drejtim dhe nuk kishte nevojë për një departament të veçantë, për të siguruar drejtësinë”?
Për çudinë e gjithkujt, edhe pas rënies së komunizmit, qeveritë e Tiranës, kurrë nuk kanë ndjerë nevojën e kësaj dhe në fakt, kanë kundërshtuar krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur. Përkundrazi, këto qeveri e kanë paraqitur vendin, me një fasadë demokratike. Partitë politike politike, vazhdojnë t’i mbrojnë aktivisht personat me të kaluar komuniste, në vend që ata të japin llogari për krimet e tyre. Komunistët e djeshëm përpiqen të fshihen pas pretekstit të “fajit kolektiv”, duke e futur veten e tyre në një radhë me ish-viktimat e veta, të cilët, duke mos qenë në gjendje të duronin torturat e tmerrshme, u thyen dhe firmosën një copë letër, duke treguar dorëzimin e tyre tek Sigurimi i tmerrshëm. Gjithmonë besnikë ndaj kauzës, socialistët e sotëm, me krenari botojnë të përditshmen “Zëri i Popullit”, zëri i Partisë Komuniste, nën drejtimin e Enver Hoxhës, duke vazhduar numrat serialë kronologjikë, që filluan ditën e parë kur gazeta u shfaq.
Regjimet, që nga koha e rënies së komunizmit, në vitin 1992, kanë ngritur pengesë pas pengese, për t’i parandaluar viktimat e komunizmit, që të rifitojnë pasuritë e konfiskuara apo të paguhen për vitet e padrejta në burg dhe punën e detyruar vdekje-prurëse. Ato vazhdojnë të nxisin të rinjtë më të mirë dhe të shkëlqyer nga ish-familjet e persekutuara, që të shkojnë jashtë shtetit dhe u ofrojnë stimul të vogël për rikthimin e tyre. Realisht, ka pak gjasa që kushtet, shpejt, të ndryshojnë për mirë. Në këtë situatë, a do të zhduket ndonjëherë elefanti nga dhoma e ndenjes së Shqipërisë?! Unë besoj që përgjigja është “Po”, por kjo do të kërkojë kohë. Flluska me qelb, duhet shpuar dhe kanceri duhet prerë, që trupi të shpëtojë. Qeveritë e deritanishme, nuk kanë bërë gjë për të filluar procesin e shërimit. Sidoqoftë, koha është në anën e popullit. Kriminelët e komunizmit, janë të vjetër dhe do të zhduken nga një proces normal.
Trashëgimtarët e tyre ideologjikë do të ndryshojnë, për të mbajtur fitimet e tyre të jashtëligjshme, por më në fund, do të mund të përballen me një sistem të vërtetë drejtësie. Për fat të keq, koha është një shërues i ngadaltë, shumë i ngadaltë…! Aleatët nuk hezituan të veprojnë menjëherë dhe në mënyrë të vendosur kundër nazizmit, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në zonën amerikane në Gjermani, aty nga viti 1947, ish-anëtarët e partisë së Hitlerit, ishin në kampet e përqendrimit dhe shumë prej tyre, u dënuan me punë krahu të detyrueshme. Në zonën sovjetike, shumë të tjerë u ekzekutuan menjëherë. Të dhëna jozyrtare, thonë se 120.000 persona u futën në kampe përqendrimi dhe rreth 40.000, apo një e treta e tyre, vdiqën në këto kampe; një përqindje shokuese. Disa zëra po ngrihen tani në Bruksel, për të kujtuar dhe për t’u bërë homazhe, milionave të martirizuar nga komunizmi.
A do të ngrihet bota e lirë ndaj këtyre sfidave apo, do të tërhiqet?! Historia e ditëve tona, mund të jetë tregues i asaj që ne shpresojmë. Zhivkovi, kreu komunist i Bullgarisë, u arrestua menjëherë pas rënies së murit të Berlinit. Ai nuk u akuzua për krimet e kryera nga regjimi i tij, por për shpërdorimin e 24 milionë dollarëve dhe u dënua me shtatë vjet arrest shtëpie. Në Rumani, ndërsa regjimi komunist po humbte pushtetin, një gjyq i mbledhur me nxitim, dënoi Nikolae dhe Elena Çausheskun, me vdekje. Trazirat që pasuan ekzekutimin e tyre, çuan në përfshirjen e ushtrisë, që kurdisi mbështetjen e mbijetesës së “shokëve komunistë”.
Këto janë vetëm dy shembuj të ish-vendeve satelite sovjetike, që janë pranuar në Bashkimin Europian. Le të pyesim veten tonë: cili është reaksioni i botës së sotme, ndaj mizorive komuniste në gjithë globin? Qartësisht, bota e lirë po i lejon partitë komuniste të ekzistojnë, të veprojnë dhe të kërkojnë pushtet, jashtë respektit të botës për “lirinë e mendimit, të shprehjes dhe mbledhjes politike”. Po në lidhje me respektin për miliona viktima të komunizmit?! Shumë viktima të marksizëm-leninizmit, ende po vuajnë dhe po vdesin, ndërsa bota kthen mënjanë kokën e saj kolektive. Kjo tragjedi shkon tej mohimit të lirisë së mendimit, të shprehjes e të mbledhjes politike. Ajo është vazhdim i dhunës programatike të të drejtave themelore të njeriut, për të jetuar i lirë dhe me dinjitet?
Korrupsioni i sponsorizuar nga shteti në ish-satelitët sovjetikë, është mbizotërues. Vende si Polonia dhe Hungaria, që kanë patur identitete dhe qeveri të forta kombëtare para Luftës, tani po ecin më mirë. Ndërsa, përsa i përket Shqipërisë, Transparency International e ka kategorizuar në krye të listës së vendeve ku ryshfeti është lubrifikanti i infrastrukturës social-politike të vendit. Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës, u arrestua dhe u dënua me burgim, për akuza qesharake. Në burg, ajo kërkoi që dritarja e qelisë së saj të zmadhohej dhe që parukierja, të lejohej ta vizitonte më shumë se një herë në javë. Në Tiranë, flitej gjerësisht, se të dy kërkesat e saj u plotësuan. Fatos Nano, para së të bëhej kryeministër, kaloi njëfarë kohe në burg, derisa u lirua nga Presidenti Berisha. Ai pati një gjyq, ku deklaroi se ishte dënuar padrejtësisht dhe iu paguan 50 dollarë, për çdo ditë të kaluar në burg.
Krahasojeni këtë më pagesën ditore prej 5 dollarësh, që u ishte premtuar të burgosurve nga komunizmi. Disa viktimave u është rikthyer pasuria. Të tjerët, janë mashtruar për paratë e tyre dhe kanë pak apo aspak, për të thënë në lidhje me këtë. Që Shqipëria të dalë nga makthi aktual, do të duhet më shumë se “gjak, mund, lot dhe djersë”, që Çurçilli ua premtoi britanikëve në fillim të luftës së Britanisë. Britania e Madhe, ishte një vend i lirë, një perandori, së cilës, Çurçilli i bëri thirrje, të ishte ledh mbrojtës, kundër një agresori të fuqishëm. Ndërsa Shqipëria është një vend i vogël, që e ka vuajtur shtypjen për shekuj me radhë. Ajo gëzoi një dritare të pavarësisë vetëm për 30 e sa vjet, duke përfshirë edhe vitet e pushtimit të huaj, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në vitin 1939, gjatë dy viteve të luftës civile në 1943-‘44, komunistët morën frenat e pushtetit dhe vendi përjetoi shtypjen më të keqe, që kishte parë ndonjëherë.
Terrori i kuq shënoi një rritje, që zgjati gjysëm shekulli. Perandoria Otomane, u përpoq për rreth 500 vjet, të çrrënjoste krenarinë kombëtare shqiptare dhe mendimin e pavarur. Partia Komuniste e Shqipërisë, lëshoi gjithë furinë e saj, me të njëjtin qëllim, duke përdorur mjete dhe metoda që nuk kanë asnjë ndryshim nga ato djallëzoret. Që të shërohet, Shqipëria duhet të hedhë tej letargjinë dhe paranojën e frikës paralizuese, të imponuar për dekada të tëra. Ajo duhet të qëndrojë vigjilente dhe të marrë fatet e veta, në duart e saj. Ajo duhet të spastrojë politikanët e korruptuar dhe mbeturinat e kalbura, ashtu si Herkuli bëri, me grupin e Augeanit. Kjo mund të kërkojë ndihmën e miqve të saj, në bashkësinë ndërkombëtare, por dhimbja dhe sakrificat e kësaj rilindjeje, duhet të durohen nga vetë kombi shqiptar. Unë kam besim të plotë se Shqipëria, herët a vonë, do të dalë nga makthi, në të cilin gjendet sot. Kur ajo ditë të agojë, edhe një herë, shqiptarët do të jenë si paraardhësit e tyre dhe atëhere, vetëm atëhere, paqja dhe dinjiteti, do të kthehen në këtë vend të torturuar…!
Kush është Genc Korça….?
Autori i këtij shkrimi, Genc Korça, lindi në Shkodër, në vitin 1924, u rrit në Austri dhe Itali, e u kthye në Shqipëri, gjatë verës së vitit 1943. U arrestua menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fillimin e vitit 1945. Pas lirimit, punoi në spitale dhe shërbime shëndetësore publike, për disa vjet me radhë. Në vitin 1951, u caktua të bënte punë krahu. Në vitin 1952, la Shkodrën dhe u arratis, në fillim në Jugosllavi e, pas disa muajsh, në Austri. Kaloi dy vjet në Greqi dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga fundi i vitit 1955. Fitoi një diplomë universitare (BA) në Kimi dhe një master (MS) për higjienën industriale në Wayne State University. Pas kësaj u bashkua me “General Motors Corp” në vitin 1960 dhe përfundoi karrierën e tij, në vitin 1989, ku 13 vitet e fundit, ishte drejtor i higjienës industriale. Ka shërbyer si president i American Industrial Hygiene Association dhe American Academy of Industrial Hygene. Është anëtar nderi i disa shoqatave shkencore dhe profesor special në Alma Mater. Zoti Korça dhe bashkëshortja e tij, Margaret, kanë mbi 50 vjet të martuar. Ata kanë tre fëmijë dhe tetë nipër dhe mbesa. Memorie.al