Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e njëzet e nëntë
Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
XXVIII
Tetor 1956. – Në Hungari shpërtheu revolucioni, që synonte dëbimin e forcave ruse nga ai vend, rrëzimin e diktaturës së kuqe, e vendosjen e demokracisë e, të marrëdhënieve me botën perëndimore. Revolucioni fisnik hungarez, u shtyp nga tanket sovjetike, por heroizmi i popullit maxhar, la mbresa të pashlyeshme në atë vend, dhe në botën mbarë. Mbas Berlinit, e Poznanit, vinte Budapeshti. Cili do të ishte qyteti i katërt hero?
Në Shqipëni, atmosfera u randue shumë, e organet e Sigurimit të Shtetit, u shqetësuan deri në atë pike, sa që planifikohej marrja e masave ekstreme. Në mungesë të lajmeve radiofonike, boshllëku u mbush me thashë e thanje, që ndigjoheshin kudo, shpesh herë të ekzagjerueme. Unë ndigjojsha, shpresojsha, e nuk flitsha. Në mentalitetin e Sigurimit, të gjithë ish-të burgosunit politikë, ishin “kryengritës të mundshëm” dhe të gatshëm me u ngritë, me rastin ma të parë e të përshtatshëm.
Me qëllim që të na kujtonte praninë e tij të përhershme, Sigurimi arrestonte e internonte periodikisht, dy ose tre ish të burgosun, tue mbajtë kështu të gjallë tensionin në mes nesh, e frikën e përgjithshme. Në këtë gjendje të tendosun, u informova se për rrethin e Shkodrës, ekzistonte nji listë e mshehtë prej afër katërqind “elementësh armiq”, të caktueme për ekzekutim, me shenjën ma të parë të nji lëvizje revolucionare, si ajo e Hungarisë. Lista përmbante edhe emnin tim!
Lajmi i papritun, krijoi nji ndjenje paniku. Mundësia e ekzekutimit pa gjyq, në nji moment “kritik” për diktaturën e kuqe, jo vetëm më frikësonte, por këpuste edhe çdo shpresë, që unë ushqejsha për vjet të gjata, se nji ditë, në nji mënyrë ose, në nji tjetër, do të shihsha ditën e lirisë, qoftë nga ndryshimet e brendshme, qoftë nga nji arratisje jashtë shtetit. Qysh ditën e parë mbas lirimit nga kampi, isha plotësisht i vendosun mos me provokue, organet e diktaturës së kuqe, qoftë gojarisht, qoftë me gjeste të pamendueme.
Heshtja ishte mbrojtja ma e mirë. Puna e përditshme, ishte e domosdoshme me largue dyshimet, e vetizolimi që fillova me kultivue me kujdes, plotësonte kuadrin e nji individi, që synonte vetëm nji jetë të qetë, e pa trazime. Me afrimin e stinës së shinave, puna në kanalizime u pezullue. Grupi i punëtorëve, u caktue në punë të ndryshme. Drejtori i Zyrës së Punës, që më urrente qysh nga dita e parë, më urdhëroi me shkue çdo ditë në Bushat, në nji kamion të zbuluem, e si punëtor krahu në ndërtim. Shpesh herë, nën shiun e pandërpremë, tetë punëtorë, transportoheshim gjatë nji udhe 14 kilometra të gjatë, si ndihmë për muratorët vendas.
Aty mbajshim gurë e tulla, përgatitshim llaçin me gëlqere, ranë e çimento, e furnizojshim muratorët. Shpesh here, puna nuk ndalej edhe kur binte nji shi i imtë. Mbuloheshim me kartë çimentoje, por konditat e vështira, nuk lejojshin plotësimin e normës, e pagesa ditore pakësohej, si rrjedhim. Ajo që bante këtë gjendje edhe ma të padurueshme, ishte era e ftohtë, që na ngrinte kockat, sidomos kur ishim të qullun nga shiu, gjatë udhëtimit. I zanun keq e pa rrugëdalje, u këshillova me nji shok të vjetër, që punonte në arsim. Ai me sugjeroi, të regjistrohem për kurse nate, në çfarëdo profesioni, sepse kjo, më siguronte punë brenda qytetit.
Të nesërmen, në Zyrën e Punës, paraqita kërkesën time. “Vij vonë nga Bushati, e nuk kam kohë me shkue në shkollë”, thashë. Drejtori më shikoi me egërsi, e pa kundërshtue, më caktoi punën në ndërtimin e Teatrit “Migjeni”, në qendër të qytetit. Tashma, kisha hy në listën e punëtorëve të rregullt. Punojsha mire, e nuk lejojsha të krijoheshin dyshime, të çfarëdo lloji. Para meje, kishte vetëm nji objektiv: me fitue bukën e gojës, derisa nji plan i mirë për arratisje, të përpunohej si duhet.
Problemi kryesor që më pengonte, ishte ndihma për nanën e motrën. Për fat të mirë, ky problem u zgjidh, me kthimin e vëllaut nga ushtria, e punësimi tij, pa vonesë. Me shtimin e të ardhunave, gjendja jonë ekonomike, u përmirësue. E mjera nanë! Sikur nuk u besonte syve, kur shihte dy djelmt në shtëpi, të punësueme, e tryezën e bukës me ushqim. Nganjiherë, sikur donte me u sigurue, për këtë ndryshim fatlum, hidhte krahët mbi supet tona, e na mbante ashtu pranë pa folë.
Na nuk e trazojshim në këto çaste, lumtunie të plotë…! Por ardhja e vëllaut, nxiti dëshirën time, me u largue sa ma parë nga vendi e, nga nji regjim që me kërcënonte jetën pa pushim. Nji ndjenjë padurimi mbizotënoi: “Nuk mundem ma”! përsëritsha me vete. Punojsha çdo ditë, pa fjalë, e kthehesha në shtëpi herët. Jetojsha i ndërgjegjshëm, nji jetë me dy faqe. Megjithatë, vetmia e zgjedhun vullnetarisht, filloi me më lodhë. Mbas arrestimit, çdo gja ishte sekuestrue, e në radhë të parë librat, fotografitë, e dëftesat shkollore. Kur nana më njoftoi se Sigurimi, kishte marrë fotografitë e mia të ditëve të fëmijnisë, nji zhgënjim i thellë më përshkoi.
Ideja se ky monstruozitet, synonte me më shkatërrue të kaluemen time, gjithçka që kisha qenë unë para arrestimit, shokët e kujtimet e mia, thelloi edhe ma shumë urrejtjen, për vandalët e ditëve tona. Përbuzje e tyne për çdo njeri e, çdo gja që nuk i përshtatej kuadrit të “botës së re”, që ndërtojshin pa ndjenja, pa zemër e pa mend, ishte e pakufishme. U përpoqa me gjetë ngushëllim, me leximet e bibliotekës publike, por lista e librave, ishte aq e vorfën, sa që mbetej me lexue materialet e propagandës zyrtare, ose këndime për fëmijë. Kërkesa për libra seriozë, mund të ngjallte dyshime. Nëpunësi raportonte, e Sigurimi i Shtetit, nxjerrte konkluzionet e veta…!
Atëherë, bana përpjekje me drejtue vëmendjen time, në mësimin e gjuhëve të huaja. Për fat, në dyqane shitej revista sovjetike “Temps Nouveaux”, dhe edicioni anglisht; “New Times”, që unë fillova me ble rregullisht. Në shtëpi, lexojsha kopjen frëngjishte, nji gjuhe që e kisha studiue në lice. Mandej, edicionin anglisht, e vejsha krahas atij frëngjisht, e në mungesë të fjalorit, krahasojsha fjalitë dhe nxirrsha kuptimin e tyne. Ajo anglishte e pakët që kisha mësue në burg, më ndihmoi shumë.
Megjithë vështirësitë e përballueme, aftësia me lexue anglisht u rrit, e fjalori u zgjanue. Edhe kjo përpjekje, pavarësisht nga vullneti im i fortë, më lodhi ma parë, e më dekurajoi ma vonë. Rashë në nji depresion, që shqetësoi familjen. Isha i heshtun edhe me nanën, që dëshironte aq shumë bisedimet me mue. Nji ditë, mbas kthimit nga puna, gjeta mbi tryezë nji radio të vogël. Nana më tregoi, se ishte dhuratë e motrës së madhe. E besova! Motra kishte qenë gjithmonë, kaq e mirë me mue.
Por dyshojsha, në qëllimin e kësaj dhurate të veçantë. Ishte gjithëherë shpresa e nanës, se radioja do të më krijonte nji lloj “dëfrimi” e, do të më nxjerrte nga depresioni ku kisha ra. Për pak ditë, ashtu ngjau. Çdo mbramje, ndigjojsha stacionet e huaja në gjuhët europiane. Lumi i lajmeve që transmetoheshin, më dha idenë e botës së jashtme, që na mohohej. Referencat e vazhdueshme për Evropën e orientueme kah bashkimi, e forcimi i NATO-s, si murojë kundër kërcënimeve sovjetike, tregojshin se bota kishte kuptue jetën, në vendet përtej “perdes së hekurt” dhe rrezikun që përbante për botën e qytetnueme, kjo shoqëni e mbyllun hermetikisht.
Ideja e nji botë të lirë e, të përgatitun ushtarakisht, e aftë me kundërshtue rrezikun komunist, më mbushi me entuziazëm. Berlini, Poznani, Budapesti, u banë faltoret e mia. Nga fundi i ferrit, ku kisha ra, dukej rrezja e shpresës se nji ditë, kjo botë e lirë do të zgjanonte kufijtë e saj, e se vendi im europian, do të bahej nji ditë pjesë e Europës. Ishte nji andërr për mue, por nji andërr që jetonte me mue, e që nuk do të vdiste për sa kohë, që e ushqejsha me shpirt e zemër.
I ndezun nga fantazia e andrrave të mia, kalova orë të tana me radion time të vogël. Zakonisht, dritoret e dhomës përdheckë ku jetojsha, ishin të mbylluna, drita ishte e fikun, e zani i radios, ishte aq i ulët, sa vetëm unë isha në gjendje me ndigjue. Vetëm kur vinte programi muzikor i radios së vendit, ngrihej zani, hapeshin dritoret, e ndizej drita e dhomës. Ishte ba si rregull, për të gjithë. Deri në nji mbramje kur vuna re se nana, linte dhomën kur fillojshin emisionet e huaja. Në fillim nuk kuptova. Kureshtja më shtyni me e ndjekë. E mjera plakë! Çdo natë dilte përjashta, ecte rreth e rrotull shtëpisë, pranë dritoreve, me u sigurue që askush nuk gjurmonte jetën tonë, në dhomën përdheckë ku jetojshim.
Kur mbaronte emisioni, ajo kthehej pa asnji fjalë, pa asnji ankim. Ky gjest i plakës, më plagosi në zemër. Egoizmi im, ishte nji dënim i randë e i pamerituem, për nanën e motrën, e nuk isha në gjendje, me e durue ma gjatë. Në fillim, shkurtova kohën e ndigjimit; ma vonë, e këputa fare. Heshtja e dy viktimave të pashpirtësisë së organeve të diktaturës, randonte mbi mue, ma shumë se çdo vërejtje tjetër që mund të vinte nga kushdo. Por ata, e kishin pranue me qenë kurbanë, e me u sakrifikue në heshtje. Nana nguli kambë me rifillue ndigjimet, por unë nuk pranova.
Ajo ndjeu veten fajtore, e kuptonte fare mirë se gjesti im, do të sjellte nji gjendje të randë shpirtnore për mue, e dëshironte me e pengue me çdo kusht. Por unë nuk kisha fuqi, me mospërfillë frikën e saj! Nji ditë, gjatë punës për Teatrin “Migjeni”, më vizitoi motra. Dukej e shqetësueme, megjithëse përpiqej mos me e tregue. “Policia” më kishte kërkue në shtëpi. Nanës i thane, se duhej të paraqitesha në “Policinë Qendrore, brenda ditës”. – Mos u shqetësoni”, i thashë. “Do të shkoj gjatë orës së drekës. Mos u shqetësoni…”! – “Nana nuk kishte fuqi me ardhë”, përgjegji motra. “Dridhet prej frikës”.
Unë ula kokën. Isha plot pluhun çimentoje e, baltë betoni. Vizita të këtilla zakonisht, nuk ishin shenj e mirë, as pritshe nji te mirë nga autoriteti. Por në gjendjen time, kërkohej bindja e plotë, pa krijue asnji dyshim. Përsëri, shkuemja me kambë të mia në Polici, ishte pothuajse; hymje e padetyrueshme në burg. U paraqita te roja, e i tregova letër-thirrjen. Ai më kërkoi dokumentin personal, më shikoi me vërejtje trupin e rrobet e pluhunosuna, më pyeti ku punojsha, shikoi disa shkresa para vetes, e mbasi u sigurue, se nuk kisha ndryshue adresën, më lejoi me u largue. Jashtë portës, më priste motra. E qetësova, e përqafova, e u nisa për vendin e punës. Por në mbrendinë time, u trondita. Ishte padyshim e domosdoshme, me ardhë në nji përfundim. Çdo ditë, çdo orë, mund të sillte katastrofën finale.
Në mbledhjen e kolektivit të punës, u njoftue se do të hapeshin kurse kualifikimi, për muratorë e karpentierë. Për ata që kishin nji arsim të mesëm, parashikohej të ndjekshin kurse për ndihmës-teknikë e, teknikë ndërtimi. Pa mendue fare, u regjistrova. Kurset jepeshin nji herë në javë, e me forma praktike, nga ustallarë të zgjedhun. Megjithë shplodhjen e ditës, nuk mungova asnjiherë. Në fund të kursit, u shpërndanë dispensa me elementë themelorë të zanatit, si plotësim teorik i praktikës. E gjithë kjo veprimtari, nuk më randoi fare. Pjesa teorike ishte e thjeshtë.
Në provimin para Komisionit, që kryesohej nga Drejtori i Ndërmarrjes – që unë njihsha mirë e, që më sulmonte çdo herë që më shihte! – u përgjigja korrekt pyetjeve, që m’u drejtuen. Drejtori u nervozue. – “Mor ti, zot-qen, ne e dijmë që je intelektual…por më thuej, a mundesh me vue dy tulla, njenën mbi tjetrën? Nuk duem fjalë këtu…! A je në gjendje me ba punën”? –“Po shoku drejtor”! përgjigja. “Kam fitue eksperiencë, gjatë këtyne muejve të fundit”! –“Këtu nuk ashte punë mendesh e, punë shkolle…! A më kupton? Na duem punë me kualitet, përndryshe…”!
Nuk e mbaroi fjalën. Më urdhënoi të dalë përjashta, të pres përfundimin. Kur më thirrën me hy, ai më tha: -“Po të japim kategorinë e katërt, zotqen, se ti për teori, din ma shum se na…! Ndigjo! Pushteti ka besim, se do të punosh me ndërgjegje…përndryshe…”! Tue u sjellë nga e djathta, ju drejtue inxhinierit të kantierit: -“Ky ka aftësi, me u ba teknik i mesëm”, tha. “Pse nuk e keni marrë”?! – “Nuk ka kërkue shoku drejtor…! Por me kohë, do të shqyrtojmë edhe këtë problem…”!
Dola nga zyra. Ne errësinën e natës, më erdhi nji e qeshun e papërmbajtshme.
Farsa që luhej atje, në atë dhomë, ishte e qartë. “Pushteti”, kërkonte me shfrytëzue “aftesitë” e mia, e unë kërkojsha nji punë, që paguente ma mirë, e që nuk kishte përgjegjësi. Me marrë diplomën për teknik ndërtimi, donte të thotë me drejtue punimet, në nji kantier pune. Për çdo gja që nuk shkon, duhet të japësh llogari. Nuk mund të pranojsha këtë zgjidhje të problemit. Ajo ishte nji rrugë e hapun, për akuza sabotimi; ishte nji grackë, ku unë nuk do të bijsha brenda. Dy ditë ma vonë, u caktova për punë, pranë Spitalit Civil, si pjesëtar i nji brigade, nën drejtimin e nji muratori plak, profesional e, me nji zemër florini. Quhej Shuk. Rreth e rrotull meje, punëtorë e ustallarë, punojshin pa pushim, me norma e, në kondita të vështira.
Pothuajse të gjithë ishin “proletarë”. Jetojshin vetëm me rrogën dyjavore, të nxjerrun nga puna e përditshme, dhjetë orëshe. Dy orët e fundit, ishin pa pagesë, si “dhuratë” e klasës punëtore, për “Partinë e lavdishme”. Asnji nuk ishte i kënaqun. Disa me heshtje, të tjerët me “barcaleta” të mprehta, shfaqshin pakënaqësinë e tyne, për punën, për jetën, për vështirësitë që na rrethojshin.
Nji natë, në muzgun e mbramjes, ndërsa kthehesha në shtëpi, nji ish-shok i shkollës më ndaloi, e kërkoi të falun, që nuk kishte guxim, me përshëndetë gjatë ditës “sepse më vështrojnë”, më spjegoi. “Të kuptoj” i thashë, tue e shikue drejt në sy. Në errësinën e natës, kjo krijesë e zhveshun nga petku i sedrës njerëzore, më detyroi me e mëshirue. Por që nga ajo natë e mbrapa, humba çdo respekt për të. Për mue, ai ishte nji leckë e pavlerë, landë e gatshme, për manipulim nga “pushteti”.
Ishte festa e Pashkëve katolike. Vendosa me vizitue “usta Shukun”, kryetarin e brigadës së punës. Ai e vëllau i tij Jaku, dy dukagjinas, ishin punëtorë të aftë e, të ndershëm. Kisha besim të plotë tek ata, e kur në çast lodhje e dëshprimi, lëshojshin nji shprehje fyese për “pushtetin”, sjellshin kokën kah unë, e qeshnin. Edhe në heshtje, kuptojshim mirë njeni-tjetrin. Dy vëllaznit, ishin besimtarë të devotshëm, e persekutimi i egër i Klerit Katolik, i kishte tjetërsue nga “pushteti”, në mënyrë të përhershme. Për ata, “komunistët shqiptarë”, ishin “anti-Krishti”.
Ishte nji dënim i pafalshëm, e përfundimtar! Në shtëpinë e usta Shukut, më pritën mirë. Ndërtesa përdhecke ku jetonte, gjindej në nji lagje të periferisë së qytetit. Dhoma e vetme ishte prej dheu, pa dysheme, me disa karrika, nji tryezë, e dy shtretën. Usta Shuku, nuk u shqetësue. Më ofroi nji gote raki, si mbas zakonit, e tue ngritë dollinë: “Qoftë lëvdue Jezu Krishti”! përshëndeti. Bisedimi ishte i lirë, i thjeshtë, i mbushun me barcaleta. Por mbi të gjitha, ishte thellësisht miqësor.
Në fund të vizitës, kur i shfaqa dëshirën me vizitue edhe Jakun, plaku uli kokën e, me tha me za të ulët: “Mos shko! Jaku nuk ka raki me të gostitë…me tre fëmijë, mezi siguron bukën e gojës…! Do të turpënohet…! Ma mirë mos shko…”! “Të shoh nesër në punë, usta”! i thashë, e u largova pa fjalë. Gjendja e Jakut, më turbulloi mendjen. Festa e Pashkëve, ishte festë gëzimi: vezët e kuqe, rrobet e reja, drekët e plota, vizitat me shokë e të afërm, Mesha në Kishën e Madhe, e nji paradë skenash gazmore, që e ndjekshin.
Si duhej të ndiehej Jaku atë ditë, kur nuk kishte as edhe nji gotë raki, për nji mik?! Vetëm zemra e tij e dinte! Por, tashti e mbrapa, Jaku, muratori i heshtun, nuk do të ishte vetëm nji shok pune për mue, por edhe nji qenie tjetër ma shumë, që vuente si unë, ndoshta ma shumë se unë. Në bashkësinë e të vorfënve ku jetojshim, na ishim vellazën…! Dashunia për njeriun, për këtë krijesë kaq fisnike e, kaq të ndrydhun nga shtypja e vorfënia, mbetej pa dyshim ndjesia ma e thellë, ma e randësishme, dhe e përhershme për mue!
Gjendja e Jakut, e nxori në shesh përsëri. E megjithatë, vazhdimisht e ndiejsha veten të vetmuem, e të tjerët për rreth që i dojsha me gjithë shpirt, ishin aq të ndryshëm nga unë. Edhe Jaku, mendojsha me nji farë turpi, edhe ai, nuk e mbush vetminë time! Nuk vuajsha ma pak se të tjerët, e ata, nuk ishin ma të lumtun se unë. Ndoshta, ky ishte kyçi spjegues, i afrimit tonë: ndjenja e vuejtjes së përbashkët! Por si individ, ndjehesha nji njisi e ndame, e veçueme, e dënueme me qenë e vetmueme, si çmim i pashmangshëm e i detyrueshëm që, duhej të paguejsha me qenë ai që isha, korb-zi, mbi tokë, por i pajisun me nji zemër skifteri, e synin e mendjen, në hapësinën e pambarim, i lirë…e pa shoqëni!
Gjatë shëtitjeve të së diellës mbas dreke në qendrën e qytetit, asnji nga shokët nuk guxonte me me shoqënue. Disa përshëndetshin për së largu, me nji buzëqeshje. Të tjerët nuk më njihshin fare…! Ishte e qartë se isha i ruejtun nga “spiunët” e, i shikuem me frikë nga “të tjerët”. Fillova me evitue “piacën” e me kalue orët e çlodhjes në periferinë e qytetit. Më dilte përpara figura e Jean Valjean-it të Viktor Hugo-s, që frikësonte kalimtarët. Nji herë i dënuem, unë isha dënue për gjithë jetën.
Me ardhjen e stinës së shinave, puna u ngadalësue. Norma nuk plotësohej, e për ditët e shiut, paguhej vetëm gjysma e rrogës. Ky sistem vështirësoi pa masë konditat e jetesës, e zbriti të ardhunat dyjavore, aq sa u banë të pamjaftueshme. Nji ditë, u ktheva nga puna, i lodhun si zakonisht. Mbas pastrimit, më rrethoi heshtja. Në fillim nuk kuptova, derisa nana e theu. –“Nuk kemi darkë”! më tha. Fytyra e nanës e, vështirësia e saj me më dhanë lajmin e randë, se mbas dhjetë orë pune krahu, nuk kishte darkë, më vrau ma shumë se mungesa e darkës.
Vëllau nuk kishte ardhë ende. Shikova motrën ulë në nji kand të dhomës së vogël që, pa fol, ndiqte me vëmendjen ma të madhe çdo gjest e fjalë timen, tue drejtue shikimin e dhimbshëm, herë nga unë, herë nga nana. E mjera motër! Në pamundësi me gjetë nji punë të përshtatshme, jetonte me ndjenjën shkatërruese të parazitit, të fajtorit, të personit pa vlerë…! E tmerrshme! Në moshën njizetë e pesë vjeçare, ajo ishte vu në nji pozitë të atillë, sa që nuk e dëshironte jetën ma gjatë, në kurrizin tim, ose nji tjetri, kurdoherë që do të dilte fati. Nuk gjesha fjalë me thanë.
I hutuem, vendosa me dalë nga shtëpia, me ecë, me vrapue pa drejtim, vetëm të mos isha ma gjatë dëshmitar, i pamjes së nanës së dërrmueme. Këtij mishnimi të vuejtjes së pandame. Në çastin kur po kalojsha prakun e derës së jashtme, nji za që m’u duk sikur ishte ai i komshiut të dehun, më tingëlloi si çekan mbi kokë: “Hape Radio Tiranën…ka muzikë popullore në këtë orë…”! Pa e kuptue, fitova fuqi të reja në trup. Mbylla derën me zhurmë, shpejtova hapin, e pak minuta ma vonë, vrapojsha si nji i çmendun në errësinë.
Më dukej sikur e gjithë ndërtesa e shpresave të mia, e vetëkënaqësisë, që më mbante si gogël mbi ujë, sa herë që mendojsha se diçka kisha krye, se isha në rrugë të mbarë, se ecsha përpara me hap të rregullt, çdo herë ma larg, ma nalt në përpjekje, me prekë nji qiell, që më tërhiqte e më mashtronte njikohësisht, si “fata morgana” në shkreti, po shembej atë natë. Më dukej në atë çast, se nji boshllëk i madh sa vetë zemra ime, po krijohej përmbrenda e, më linte me gojë hapët e të frikësuem, nga mungesa e diçkaje konkrete, ku mund të mbështetsha…! Asgja, asgja me shpresue!
E gjithë e kaluemja, kishte qenë nji andërr e keqe; nuk kisha nji të tashme, e nuk e vlente me mendue, për nji të ardhme. Nji ndjenjë e plotë pafuqie, më zotënoi, e nji ndërgjegjshmëni për pakuptimin e jetës që jetojsha, ato ditë sikur më shkatërroi vullnetin, me u përpjekë për nji rrugëdalje. Fryma e pesimizmit më mbështjelli, e nji dëshprim i thellë aq sa, të më shtyjë drejt aktit përfundimtar, e të pariparueshëm…! Çdo dorë e shtrime, mund të ishte në atë çast, nji urë e hjedhun mbi humnerë, e vetmja lidhje me botën, që ofronte alternativën.
Çka mund të ngjiste me mue, në qoftë se kjo “urë” që ofrohej, nuk ishte tjetër, veçse dora e ngjyeme me gjak deri në bërryl e vrasësit, e xhelatit të kuq…?! I lodhun, i uritun, i dëshpruem nga pamundësia me ushqye veten e familjen, me gjithë punën e përditshme dhjetë orëshe, u ktheva në shtëpi. Në dhomën e vetme gjeta përsëri nanën e motrën. I përqafova, i ngushëllova, i sigurova se nuk isha i zemruem me ata, për mungesën e darkës, por për rrethanat që na detyrojshin me u nënshtrue, para nji situate të këtillë, të paaftë me kundërveprue. Të nesërmen u zgjova me kohë e, shkova në punë si përherë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm