Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e njëzet e tetë
Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Ambëlsia e shoferit korçar, më preku në zemër. I mësuem me shamje e poshtnime për vjet të gjata, sjellja e këtij njeriu të thjeshtë, ditën e parë jashtë burgut, sikur më ktheu besimin, tek ana e mirë e qenieve njerëzore, sikur shkriu akullin e cinizmit, që kisha grumbullue për dhjetë vjet me radhë. Në nji ndërtesë para meje, qëndronte i ngritun nalt portreti i madh i diktatorit të vogël, Enver Hoxha.
Ballafaqimi me këtë satrap aziatik, që shijonte plotësisht rolin e tij, më ngjalli të gjithë urrejtjen, për njeriun e veprën e tij shkatërrimtare. Ai ishte njeriu i vogël, që vrau mizorisht nji moment të madh të historisë kombëtare. Ai ishte krimineli, që mbyti në djep ditët frymëzuese të lavdisë së luftës heroike kundër pushtuesve të huaj, me vrasjet masive, burgjet e, internimet e pa fund.
Ai ishte aventurieri që shoi me plumb e tortura mesjetare, entuziazmin e nji rinie të zharitun për heroizëm në luftën për liri, e nji shoqni ma të mirë shqiptare. Ai ishte i shituni tek djalli, që mashtroi shpresat e aspiratat e nji populli mbarë, për liri, pavarësi e demokratizim, me nënshtrimin e turpshëm ndaj të huajve, që na përbuzën! Nji taksi u ndal para meje. – “Shkodër”? – pyeti. – “Po”, – përgjigja. – “Ke para të paguesh”?! – “Sa kushton bileta”? – “Dyqind lekë”! – “Mirë”! – thirra i kënaqun, që kisha mjaft të holla për udhëtim.
Gjatë rrugës kuptova se shoferi, nji djalë i ri, vinte nga lagja ime. Koha e gjatë në burg, kishte ba të vetën; nji brezni e re, e panjohun për mue, ishte rritë në qytetin tim. Kalimi i vjetëve, me kishte shkëputë nga shoqënia e qytetit. U ndjeva gjysëm i huaj, e krijova idenë e parë të vështirësisë së integrimit tim, në nji trup shoqënor, që ishte në nji përqindje të madhe, i panjohun për mue.
Trafiku ishte i lehtë, e vetura fluturonte. Në hymje të qytetit, doli madhështore silueta e kështjellit të Rozafës. Nji lumë kujtimesh më mbuloi, e malli për Rozafën time, më pruni lotët në sy. Shoferi më shikoi e pyeti: – “Sa vjet ke kalue në burg? – “Dhjetë”! – përgjigja. Ai nuk foli fare. Kur arritëm në rrugën që çon drejt shtëpisë sime, u trondita nga gjendja e mjerueshme e lagjes, dhe e shtëpive përreth: të vjetrueme, të papërkujdesuna sikur kishin mbetë shkretë, si “shtëpitë pa burra”.
Në këtë gjendje shpirtnore, zbrita nga makina, pagova shoferin që i biente klaksonit pa pushim, vuna leckat mbi supe e, u drejtova kah dera dyqindvjeçare, tradicionale, e shtëpisë së të parëve të mi, aty ku banonte familja.
XXVII
Të nxitun nga zhurma e shoferit, në prakun e derës dolën tue vrapue, nana e motra. Pa thanë asnji fjalë, u hodhën në krahët e mi. Ula në shesh leckat, hapa krahët e përqafova dy krijesat ma të dashtuna, që nuk pushojshin lotët, e strukeshin si dy zogj të trembun, në gjoksin tim. Putha kokët e nanës e motrës, pa përmbajtë lotët, e kalova disa çaste, në atë gjendje emocionale të papërshkrueshme, por në lumtuni të plotë.
Isha jashtëzakonisht i prekun, nga kjo shfaqje dashunie të pafund, që nuk kisha njohë për dhjetë vjet. Nana plakë, nuk më lëshonte ma. Motra ngrinte kokën e, me sy të përlotun, më shikonte sikur nuk i besonte vetes, se unë isha aty, pranë saj, në prag të shtëpisë që kisha lanë shumë vjet ma parë. Mandej, tue më përkëdhelë lehtësisht dorën: “Eja brenda”, më tha, “duhet të jeshë i lodhun”. Ndërkaq komshinjtë u afruen.
Disa më uruan lirimin, të tjerët që nuk i njifsha, më shikojshin me kureshtje. Kur hyna në shtëpi, motra më njoftoi se banojshin në nji dhomë përdhese dhe se pjesa tjetër e shtëpisë, ishte e zanun nga qiraxhinj të vendosun aty nga “qeveria”. Ishte shprehja e parë, që më përgatiti për të tjera lajme të pakandshme. Nuk u trondita! Jetojsha plotësisht në detin e gëzimit, që më mbuloi me kthimin në familje, e takimin me familjarët. Njihsha mirë vuejtjet e tyne; natyrisht, ishte edhe pjesa tjetër, ajo kur njerëzit vuajnë në heshtje, e në errësinë.
Por as nana, as motra, as unë, nuk dëshirojshim me fillue tregimet e jetës në shtypje. Përbuzje e mjerim, që kishim kalue. Në dhomën ku hyna, nuk kishte orendi. Vetëm tre krevate, nji tryezë, disa karrika, e “minderi”, nji divan ku kalojshin ditën. U ula, e përsëri filloi vala e përqafimeve dhe e lotëve që rrjedhshin pa pushim, kësaj radhe, larg syve të botës. Të tre ishim të lire, me u çlirue nga emocionet, të lirë me derdhë lotë, pa frikë.
Ishim vetëm; tre fatzez të kapun në rrjetin gjithëpushtues, të nji situate, që nuk lejonte shpresën e nji dite ma të mirë. Të paktën, tashti ishim bashkë, e së bashku do të lundrojshim ujnat e turbullta të jetës nën komunizëm, që na priste. Së bashku, vuajtja ndjehet ma pak! Nga shikimi i tyne, kuptova qartë se gjendja ime fizike, i kishte tronditë.
Me lëkurën e nxime nga puna në diell, me rrobe të shkyeme e plot baltë, dhe me leckat e grumbullueme në nji strajce, nuk kisha mundësi, me mshehë këtë mjerim. U përpoqa me fol e me buzëqeshë vazhdimisht. Ata u kënaqën. Fillova me pyet për të tjerët. Më treguen se vllau ishte në shërbim ushtarak, se motrat, ishin “mirë të gjitha”, e me këtë u sigurova, se nga familja nuk kishte të burgosun të tjerë, e se vllau i arratisun, jetonte…!
Pa kalue shumë kohë, diktova në gjestet e tyne të kontrollueme, diçka serioze që i trazonte. E mora nanën pranë vetes, i hodha krahun mbi shpatulla, e me za të ulët e pyeta: “Më thuej nanë, a ke ndonji lajm të keq me më dhanë? Më fol haptas të lutem… më thuaj, çka të mundon përbrenda…”?! Ajo u mendue pak, e uli kokën. Edhe motra uli sytë. Mandej me nji za që dridhej, nana më tha: “Nuk kemi bukë…nuk kemi triska…e motra nuk gjen punë…”! Në fillim, nuk kuptova.
Atëherë, motra spjegoi, se buka jepej me triskë, vetëm për ata që punojshin, dhe se asaj i kishin refuzue çdo lloj pune, që nuk ishte punë fizike, kryesisht në ndërtim…! Tregimi i motrës më gjeti të papërgatitun, për nji gjendje kaq të padrejtë e të dhimbshme. Menjiherë, mendja më shkoi te puna ime në kamp, e sidomos ngarkim-shkarkimi i çimentos. Ideja që motra e re, do të detyrohej me punue me kazëm, me mbajt gurë e tulla në kantiere pune, brenda ose jashtë qytetit, më tronditi aq shumë, sa mbeta pa gojë…!
Ata kishin ulë kokën. Unë isha i heshtun. Vetëm pak minuta mbas gëzimit të lirimit nga burgu e bashkimit me familje, u gjeta në nji gjendje pa rrugëdalje, e kërcënuese. Tre të persekutuemë nga nji regjim i pashpirt, rrijshim kokë me kokë, të uritun, të frikësuem, e të izoluem. Nuk gjejsha shprehje që ngushëllonte, as fjalë që jepte kurajo, për këto dy qenie të shkreta.
Natyrisht, nuk kisha “andrrue” nji gjendje normale në familjen time, të përndjekun kamba kambës; megjithatë, edhe dyshimi ma i thellë, nuk kishte krijue idenë e nji gjendjeje kaq shtypëse e, poshtnuese. Pak nga pak, fillova me marrë veten, nga kjo përvojë që më shtypi si makina gurin, e që brenda pak minutash, më hapi horizontin e botës, që më priste përjashta, tashti që isha “qytetar i lirë”. – “Si keni jetue”? – pyeta me kujdes nanën.
– “Unë e marr racionin e bukës, sepse kam djalin në ushtri”, – përgjigj, e shtoi me za të ulët; – “kur kam të holla me e ble”.
Motra kishte ngulë sytë në dysheme e nuk fliste, por kuptova se ajo vuante, nga nji ndjenjë faji, pse nuk punonte e nuk siguronte bukën, për vete e për nanën. – “Po kur nuk keni bukë”? – vazhdova unë me kambënguljen e atij që gërvisht plagën që nxjerr gjak. – “Flejmë të urituna, – shtoi nana.
– Nganjiherë motrat na sjellin nga nji bukë…”! M’u kujtue se kisha akoma nji mijë lekët, që mora nji ditë ma parë. – “Kam unë të holla, – thashë. – Bleni bukën për sonte. Nesër do të kërkoj punë. Dalëngadalë, do të rregullohemi…”! Ata nuk folën. U ngrita në kambë, nxora prej xhepit të hollat, ia dhashë nanës, e përqafova përsëri tue i dhanë kurajo e sigurinë se, me punën time, do të jetojshim “si të tjerët”!
Ajo më përqafoi, pa folë. Mbas pastrimit e ndërrimit të rrobeve, u ula përsëri në minder, e pa folë, shikojsha këto dy krijesa të mjerueme që shkojshin e vijshin, tue u përpjekë me përgatitë nji gjellë për mue. E pabesueshme! Të hollat e mia, të fitueme në atë skëterrë, po shpenzoheshin me prue nji rreze dritë, në shtëpinë e zymtë. Të ulun njeni pranë tjetrit, shijuem së bashku, darkën e parë në familje, mbas dhjetë vjet ndamje të detyrueshme. Nana nuk u besonte syve, e mbante nji dorë mbi dorën time, pa folë.
Motra përpiqej me mbajt bisedën të gjallë. Unë përgjigjesha me dëshirë, e bana çdo gja të mundshme, mos me tregue skena të jetës, në burg e kamp. Ma vonë, filluan vizitat e motrave e kushërinjve. Të tjerët nga frika, nuk erdhën fare. Mbas përshëndetjeve fillestare, të gjithë shfaqnin çudinë e tyne, për gjendjen time “të mirë” shëndetsore e, unë përgjigjesha, se isha i lumtun që të gjithë ishin shëndosh e mirë, e të rritun. Ata buzëqeshnin. Por të gjithë ishin të vetëdijshëm, për këtë farsë që luhej, dhe e vetmja që lejohej në rrethana të këtilla.
Me ngrysjen e natës, në shtratin e pastër të shtruem për mue, e me rrobet e lamë që vesha, ndjeva veten nji “tjetër njeri”, në nji “tjetër botë”, që kisha harrue për nji kohë të gjatë. Përqafova nanën e motrën, ju urova natën e mirë, e me gëzimin e nji fëmije, mbulova kokën me çarçafin e bardhë, që mbante erë…sapuni! Erë sapuni! Ah, erë sapuni! Nji kënaqësi e papërshkrueshme më mbuloi, fillova me marrë frymë me fuqi e, me mbushë mushkënitë me këtë erë, që kisha harrue për vjet të gjata.
Pastërtia, nji “luks” i pamundun, në burgje e kampe, kthehej përsëri në jetën time. Isha jashtëzakonisht i kënaqun. Më dukej se e kaluemja, po fillonte me u shkri nga përvoja e re në gjiun e familjes, e çuditërisht, nga pastrimi që më siguronte “sapuni”, nji antidotë e pisllëkut, të imponuem nga rrethanat. Edhe nji konfort kaq i thjeshtë si pastrimi me sapun, fitoi përpjestime jashtë mase, mbas nji humbje të gjatë. Me gjithë thjeshtësinë e ngjarjes, u mbusha me gëzim. Në këtë gjendje shpirtnore, rashë në krahët e nji gjumi të thellë, pa asnji shqetësim, për të nesërmen plot të paprituna…!
U ngrita herët me kujdesin e gjetjes së punës. I veshun thjeshtësisht, i urova ditën e mirë nanës e motrës, me nji përqafim të ngrohtë, e u drejtova kah Zyra e Punës. Djaloshi i ri, nuk më njohu, kur i dhashë emnin. Por mbas pyetjes: “Ku ke punue ma parë”? e përgjigjes sime: “Dje jam lirue prej burgut”, ai, pa u mendue shumë, me urdhënoi: “Në Ndërmarrjen e Ndërtimit”. Mora nji copë letër, ku vërtetohej se kërkojsha punë, e pa fjalë tjetër, u largova. Në “ndërmarrje” kishte nji tjetër “zyrë pune”, që drejtohej nga nji harbut, gojëndytë, arrogant, e sadist, nga Peshkopia.
Porsa mori “letrën”, më shikoi me dy sy, që tregojshin qartë urrejtjen e tij për nji “armik të popullit”, shqiptoi nën za disa fjalë të ndyta, e m’u drejtue, si “beu arxhiut”: “Shko në stadium…! Aty do të punosh në turnin e parë”! U largova pa fol. I kënaqun që gjeta nji punë, që donte të thotë; bukë me triska për vete e për familjen, eca me hapa të shpejtë, me fillue punën sa ma parë. Në stadium, gjeta “përgjegjësin”, që më njifte mirë – nji ish-futbollist, – i dorëzova autorizimin e punës, e kur më pyeti se çfarë profesioni kisha, i përgjigja thjeshtë: “Punëtor krahu”! Ai më shikoi pa folë, por me nji qëndrim që më vrau përbrenda.
I veshun me rrobe të vjetra, e këpucë që nuk ishin të miat, i nximë nga dielli përvëlues i verës, i hollë me trup e flokët e qethun shkurt, ai që më njihte si student, tregoi nji përbuzje, që nuk dijsha si me spjegue. Heshtjen që mbretnonte, e theva unë: “Jam gati, të baj çdo punë krahu”! i thashë. “Kam nevojë për triskën e bukës…! Dje jam lirue nga burgu”! Ai më ndërpreu: “E di, e di”, më tha, “nuk më intereson cili je…! Këtu do të punosh si të tjerët…”! E mbasi u mendue pak, shtoi: “Do të pastrosh pistën e vrapimit, nga barnat e këqia…! Mos përdor kazmën, se prishen gurët e pistës…puno me dorë…! Fillo këtu e, vazhdo përpara…”!
-“Po”, përgjigja. E i shqetësuem për triskën, e pyeta: “Kur mund të marr triskën”? – “Në orën e drekës…! Eja në zyrë, të jap vërtetimin…”! përgjigj. Fillova punën në gjunj, sepse do të shkuleshin me dorë, rrajet e barit në pistë. Ishte e pamundun, por unë nuk kundërshtova. Punova me kokë ulun. Në drekë, shkova në zyrë, mora vërtetimin e u drejtova kah shtëpia, i dorëzova letrën nanës, tue i tregue se kishim të drejtë, për dy racione, e u ktheva në punë pa drekë, nga frika e vonesës, që ditën e parë. Vazhdova punën, deri në orën pesë mbasdreke.
Ajo që më bani përshtypje, ishte mungesa e punëtorëve tjerë në stadium. Unë isha i vetmi, që punojsha nën diellin pjekës të korrikut, i gjunjëzuem e, në nji punë të pamend. Herë mbas here “përgjegjësi” kontrollonte punën e bame, e grumbujt e barit të mbledhun, shfrynte, e pa me fol fare, largohej. Kuptova se isha i survejuem. Kjo punë zgjati pesë ditë, pa asnji rezultat; bari nuk pastrohej me dorë, e unë nuk kisha guxim me vue në dukje absurditetin e kësaj veprimtarie. Punojsha për bukën e gojës e isha i gatshëm me punue për atë copë bukë edhe në skëterrë…!
Ditën e dielltë, u befasova nga numri i madh i vizitorëve, që më urojshin daljen nga burgu. Shumica, ishin shokë të liruem para meje. Disa ishin të rij, që dëshirojshin me më njohë, e qartësisht solidarizoheshin me qëndrimin tim antiqeveritar, pa e thanë publikisht. Kjo masë të rinjsh, më ringjalli entuziazmin e viteve të rinisë, e forcoi edhe ma shumë besimin tim, në kauzën që mbrojsha. Shprehja e heshtun e solidaritetit në mes të shtypunve e të përndjekunve, e gjallë, e fortë, dinamike e thellësisht njerëzore, më bani të ndjehem kryenaltë. Zjarri i lirisë ishte i ndezun, e ushqehej me besnikëri në zemrat e kësaj rinie rebele!
Gjatë përcjelljes te dera e shtëpisë, si mbas zakonit, njeni prej të rinjve më dorëzoi nji zarf të vogël. “E ke nga Lili”! më tha. Unë nuk përgjigja. U ktheva i tronditun nga kujtimet e së kaluemes, që më kishin dhanë nji mijë orë lumturie, e shkaktue dhimbje nga nji sjellje fyese njikohësisht. “Lili” thashë me vete, “çka dëshiron sot nga unë”?! Hapa letrën menjiherë, e kuptova se ndjenjat e dashunisë sime të thellë për atë krijesë që adhurova gjatë viteve të rinisë, ishin akoma të forta. Nuk u zhgënjeva!
Mbas dhjetë vjet fyemjesh e vuejtjesh, Lili ishte personi i parë që më drejtohej me pasion e, që më çmonte si “njeri”. “Nuk do të harroj kurrë”, shkruente ajo, “sa i mirë ke qenë, sa i sjellshëm, e sa i ndryshëm nga të tjerët…”! Kuptova se Lili, nuk ishte e lumtun! Javën e dytë, më caktuen punën në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike. Me përvojën e gjatë në kanalet e Maliqit, Bedenit e Myzeqesë, kjo punë më erdhi relativisht e lehtë, e “norma” ishte ma e vogël, se në kampe. Kjo më lejonte me e tejkalue e, me sigurue të ardhuna ma të mira. Në kanalet e reja, punojshin vetëm “elementët armiq”, “kulakë” e, ish-të burgosun politikë, si unë. Vuajtjet e randa më kishin mësue, me qenë i kujdesshëm e me fol sa ma pak, e aspak “politike”.
Gjatë këtyne ditëve, forcova bindjen se nga nji burg i vogël, isha transferue në nji burg të madh: frika me fol me shokët, puna e caktueme që duhej krye, kontrolli i pandërpremë nga elementët e “Sigurimit”, që qarkullojshin vazhdimisht për rreth nesh, e nga “anëtarët e partisë”, që në mes nesh, drejtojshin punimet, si dhe shkëputja nga bota, sepse të lodhun nga puna, nuk mbetej fuqi me vizitue të tjerët, ishin marramendëse. Brenda pak ditëve, u transformova në nji robot pune që lëvizte krahët, si nji mekanizëm, plotësonte normën, kthehej në shtëpi i lodhun, pastrohej, hante darkën në heshtje, e shkonte në krevat, me fjetë nji gjumë pa andrra…!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm